Policia e Londrës njoftoi se lidhur me ngjarjen e zjarrit vdekjeprurës që ra në një ndërtesë shumëkateshe banimi ku humbën jetën 79 persona, mund të ngrihen akuzat për vrasje pa paramendim.
Autoritetet thanë se veshja e jashtme e kullës “Grenfell” i dështoi provës së sigurisë dhe se zjarri filloi nga një frigorifer i markës “Hotpoint” që keqfuksionoi.
Kompania amerikane “Whirlpool” që ka në pronësi markën “Hotpoint” tha në një deklaratë se po e trajton çështjen dhe po bashkëpunon plotësisht me autoritetet.
Zëdhënësja e policisë së Londrës, Fiona McCormack tha se policia po “shqyrton çdo vepër penale, nga vrasja pa paramendim e më tej.”
Ajo tha se veshja e pjesës së jashtme të ndërtesës, që fajësohet gjerësisht për përhapjen e shpejtë të zjarrit, nuk “kaloi provën e sigurisë” dhe se policia po heton kompanitë që e kanë instaluar atë gjatë punimeve të kryera vitin e kaluar për rinovimin e saj.
Sipas vlerësimeve të qeverisë britanike, 600 ndërtesa të tjera të larta në vend mund të kenë veshje të ngjashme me atë që është përdorur në kullën “Grenfell”. Qeveria britanike u kërkoi pronarëve të dërgojnë për provë mostra të materialit që vesh godinat nga jashtë.
Kulla “Grenfell” ndërtuar në vitit 1974 u pajis së fundmi me veshje të re izoluese. Të mbijetuarit fajësojnë për zjarrin vdekjeprurës materialin jo cilësor me të cilin u vesh ndërtesa nga jashtë si dhe mungesën e mirëmbajtjes së saj.
Kryeministrja britanike Theresa May ka premtuar një hetim të plotë mbi zjarrin katastrofik. (voa)