Zyrtarët amerikanë reagojnë pas alarmit të ligjvënësit për kërcënimin e sigurisë

Ligjvënësi Mike TurnerShtëpia e Bardhë, krahas zyrtarëve të tjerë të lartë, po përpiqen të ofrojnë garanci për publikun amerikan pas paralajmërimeve të një ligjvënësi të rëndësishëm rreth “një kërcënimi serioz kombëtar të sigurisë” ndaj Shteteve të Bashkuara.

 

Në një veprim të pazakontë, që befasoi disa nga kolegët e tij në Kongres, Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Mike Turner, i bëri thirrje publike Presidentit Joe Biden të deklasifikojë informacionet e zbulimit rreth kërcënimit, të cilin ai nuk e emërton, në mënyrë që publiku amerikan dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara të dalin me një kundërpërgjigje.

Ligjëvënësi republikan Mike Turner refuzoi të sqarojë për çfarë rreziku bëhet fjalë. Por në një letër që zoti Turner duket se u ka dërguar kolegëve të tij, të shpërndarë në rrjete sociale nga mediat, ai e cilëson rrezikun si një “aftësi e huaj ushatarake destabilizuese”.

Disa media, duke cituar zyrtarë amerikanë, njoftuan të mërkurën vonë, se kërcënimi ka të bëjë më një aftësi të re të Rusisë me bazë në hapësirë.

Por një zyrtar amerikan, që bisedoi me Zërin e Amerikës me kusht të mos identifikohet me emër për shkak të natyrës të ndjeshme të informacionit të zbulimit, tha se ndonëse rreziku është i konsiderueshëm, nuk është i menjëhershëm.

“Kërcënimi i përshkruar nuk ka të bëjë me një aftësi aktive, që të jetë dërguar tashmë (në hapësirë),” deklaroi zyrtari.

Shtëpia e Bardhë po ashtu u mundua të zbusë shqetësimet, duke theksuar se tashmë ka planifikuar që t’u japë hollësi ligjvënësve të enjten.

“Jam i bindur që Presidenti Biden, me vendimet që po merr, do të garantojë sigurinë e amerikanëve në të ardhmen,” deklaroi Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan.

“Besojmë që mund ta mbrojmë, do ta mbrojmë dhe po e mbrojmë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara,” u tha gazetarëve zoti Sullivan, duke shtuar se është i befasuar që ligjvënësi Turner i bëri shqetësimet e tij publike, duke ditur se takimi ishte planifikuar që më parë për t’u zhvilluar sot (të enjten).

Zoti Sullivan po ashtu mbrojti vendimin për të mos e bërë publik informacionin e zbulimit mbi kërcënimin, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së “burimeve dhe metodave” amerikane të sigurimit të informacionit dhe gadishmërinë e presidentit në të kaluarën për të deklasifikuar informacionet e zbulimit.

“Presidenti nuk do të hezitonte ta bënte këtë, nëse do të ishte në interes të sigurisë kombëtare”, deklaroi ai. “Kjo administratë ka shkuar një hap tej, duke përdorur forma më krijuese, më strategjike, për trajtimin e deklasifikimit të informacionit të zbulimit në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ndryshe nga administratat e tjera në të kaluarën.”

Disa ligjvënës po ashtu reaguan.

Ligjvënësi kryesor demokrat i Komisionit të Zbulimin në Dhomën e Përfaqësuesve, Jim Himes, e quajti kërcënimin “të konsiderueshëm” por “jo për të ngjallur panik.”

“Ja vlen të diskutohet se a mund të deklasifikohet më shumë informacion për këtë çështje,” shtoi ai përmes një deklarate. “Por ky nuk është një diskutim që duhet të bëhet publikisht.”

Drejtuesit e Komisionit të Zbulimit në Senat gjithashtu u munduan t’i qetësojnë shqetësimet e ngritura.

Komisioni “e ka këtë informacion të zbulimit dhe që nga fillimi po e përcjell në mënyrë rigoroze,” deklaruan në një deklaratë të përbashkët kryetari demokrat i komisionit, Mark Warner dhe nënkryetari i tij republikan Marco Rubio.

“Do të vazhdojmë ta trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe jemi duke diskutuar hapat e ardhshëm me administratën” shtuan ata. “Ndërkohë, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos zbuluar burimet dhe metodat, që mund të jenë jetike për t’iu ofruar Shteteve të Bashkuara një mori alternativash për të vepruar.”

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson u tha gazetarëve disa herë se “nuk ka nevojë për alarmim të publikut.”
“Dua të siguroj popullin amerikan,” deklaroi zoti Johnson. “Vetëm dua t’i siguroj të gjithë se jemi në kontroll të situatës. Po punojmë dhe nuk ka nevojë për alarm.”

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>