Zyrtari amerikan thotë se Putin është i pasur dhe i korruptuar

PutinNë një intervistë për programin Panorama BBC,Adam Szubin, ushtrues i detyrës së sekretarit amerikan të thesarit për terrorizëm dhe krime financiare,tha se presidenti rus, Vladimir Putin ka krijuar pasuri larg shikimit të publikut.

“Ne e kemi parë atë duke i pasuruar miqtë, aleatët e tij të afërt dhe duke i margjinalizuar ata që nuk i sheh si miq, duke i shfrytëzuar fondet shtetërore”, tha Szubin, duke shtuar se “nëse kjo ishte nëpërmjet pasurisë energjetike ruse, dhe nëse kjo ishte me kontrata të tjera shtetërore, ai i ka drejtuar ato tek ata të cilëve u ka besuar se do t’i shërbejnë atij dhe i ka përjashtuar ata që nuk e bëjnë këtë”.

Zyrtari amerikan ka konkluduar se “për mua, kjo është pamje e korrupsionit”.

Szubin ka refuzuar të bëjë komente lidhur me raportin e agjencisë CIA në vitin 2007, që kishte vlerësuar se pasuria e Putinit është 40 miliardë dollarë, por tha se lideri rus rregullisht e nënvlerëson pasurinë e tij dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë ditur këtë për “shumë e shumë vite”.

“Supozohet se ai merr rrogë shtetërore diçka në vlerë prej 110 mijë dollarësh në vit”, i tha Szubin rrjetit BBC, dhe shtoi se “kjo nuk është deklaratë e saktë për pasurinë e këtij njeriu dhe ai për një kohë të gjatë është stërvitur dhe ka praktikuar se si ta maskojë pasurinë e tij aktuale”.

Kremlini tha se komentet e zyrtarit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara në BBC se Putini është i korruptuar “paraqesin akuzë zyrtare”.

Presidenca e Rusisë i ka hedhur poshtë këto akuza. Putin disa herë ka thënë se raportet gazetareske, për pasuri të madhe të tij, i konsideron absurde.

Zbulimet financiare publike të Putinit e paraqesin atë si njeri modest. Në prill, Putin i deklaroi të ardhurat e vitit 2014 në shumë prej 7.65 milionë rubla (119 mijë dollarë amerikanë). Ai në listë ka shënuar se në pronësi i ka dy banesa modeste dhe aksione në një garazh për parkim të veturave.

Por, ajo që duket se ishte gjë e parë deri tash në komentet e zyrtarit amerikan, duke pretenduar se Putin është i pasur, ka krijuar spekulime se Shtetet e Bashkuara mund ta shqyrtojnë marrjen në shënjestër të presidentit rus, në çfarëdo runde të re të sanksioneve ekonomike për ta ndëshkuar Rusinë për agresionet e saj në Ukrainë.

“Mendoj se kjo tregon se Uashingtoni po fokusohet në vetë Putinin”, thotëMark Katz, profesor në Geroge Mason University, në intervistën për Redaksinë në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë. Ai më tutje ka theksuar se“ata aktualisht mund të jenë të përgatitur të vendosin sanksione ekonomike ndaj Putinit”.

“Fakt është se tash ata thanë se ai është i korruptuar. Nuk është domosdoshmërish një deklaratë zyrtare e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, por është një deklaratë e regjistruar nga një zyrtar qeveritar amerikan. Tash që ata e kanë pranuar këtë, hapi i ardhshëm logjik është që ata të bëjnë diçka për këtë”, tha Mark Katz.

Nga ana tjetër, David Kramer, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të shtetit, tha se “mendoj se Putin është dashur të ishte vendosur në listën e sanksioneve. Mendoj se më tepër njerëz rreth tij do të duhej të ishin vendosur në listë”.

“Kjo deklaratë e forcon argumentin për ata në mesin tonë që kemi argumentuar se vetë Putini duhet të përfshihet në atë listë”, tha Kramer.

Departamenti i thesarit i Shteteve të Bashkuara e kishte implikuar Putinin para se të imponoheshin sanksione lidhur me Ukrainën.

Në mars të vitit 2014, ky departament e ka lidhur Putinin me profitet e bëra nga i njohuri i tij për një kohë të gjatë, i cili është në shënjestër të sanksioneve. Ky person është Gennady Timchenko, i cili ishte bashkëpronar i kompanisë Gunvor, firmë investuese me seli në Gjenevë, që tregton me afro 3% të sasisë botërore të naftës.

“Aktivitetet e Timchenkos në sektorin e energjisë ishin direkt të lidhura me Putinin. Putin ka investime në Gunvor dhe mund të ketë qasje në fondet e Gunvorit”, ka thënë Departamenti amerikan i thesarit, duke i shpallur sanksionet kundër Timchenkos.

Gunvor, që nuk ishte në shënjestër të sanksioneve, i ka hedhur poshtë akuzat e Departamentit amerikan të thesarit.

“Presidenti Putin asnjëherë nuk ka pasur kurrfarë prone, përfitim ose formë tjetër në Gunvor”, i ka thënë agjencisë Reuters zëdhënësi i kompanisë, Seth Thomas Pietras.

Në synimet për ta pasqyruar pasurinë e Putinit, rrjeti BBC, po ashtu e ka intervistuar personin Dimitry Skarga, i cili dikur e ka udhëhequr kompaninë shtetërore transportuese ruse, Sovcomflot.

Skarga ka pretenduar se ai e ka menaxhuar transferin e një jahte prej 35 milionë dollarësh për Putinin nga Roman Abramovich, pronar i klubit të futbollit, Chelsea.

Avokatët e Arbamovichit e kanë hedhur poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar si spekulim.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>