nga Ksenofon M. DILO
Le të bëjmë një shëtitje të gjatë sot, por të këndshme. Dua të ulemi me Gjergj Fishtën e, të më kumbojë ai himni që më këndonte zemra që kur, fëmijë pesë vjeçar fillova të shkruaj germat e para, me dorën që dridhej sepse pena ishte e rëndë plumb e germat deshën force që të ndrinin, donin shpirt. Por unë pa mësuar akoma të shkruaj dija :
Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të prillit:
Porsi I ambli flladi i erës
Qi limnon gjijt e drandofillit…
Ma kishte mësuar Babai. Të gjithë në shtëpi e dinim përmendësh të gjithë vjershën , ndaj dhe mësuam me dashuri të shkruanim gjuhën tone të bukur. Duke I cituar këto vargje, ndërsa akoma nuk di të shkruash, është si të hedhësh fare në token e djerrë dhe të presësh të dale bima e ta gëzosh atë pastaj me harre. Atëherë kënaqësia është e dyfishtë. Mua më duket edhe sot një nga më të bukurat poezi të shkruara për gjuhën shqipe midis shumë që janë shkruar. Pse vallë kënga e zogut të verës vallëzon në blerim të prillit. Ishte I zgjatur prilli apo zogu I verës u harrua mbi lëndinat e pranverës dhe e la të shkretë verën?Mos vallë sepse duhet të derdhte këngën e tij të ngrohtë mbi barin e freskët të pranverës?Kështu bëhej më e bukur e më hyjnore gjuha shqiptare.Kështu ajo ishte një himn qiellor dhe ngrihej porsi flladi I erës që lmon gjit e ..drandofillit..
Nuk mundem të vazhdoj më gjatë se këto katër vargje për mua janë të mjaftë për të më shndërruar në një furtunë që më shkallmon. Më tregon se sa antishqiptarë ishin ata që e ndaluan këtë poezi të ishte hymni i gjuhës shqipe të këndohej prej të gjithëve , gjithmonë!. Nuk e di, por të ndaloje këto vargje perlë të hynin në programin e shkollës , ishte një krim i pa skrupull. Ishte si të pranoje se ishe një qorr e se duke mos parë më larg se hunda jote e duke mos njohur vlerat e vërteta , ti ishe i padenjë të qeverisje.
Ç’kërkoje, o dushman që na dogje, na vrave, na shojte, na vërvite nëpër burgje e nëpër internime, e nuk na le rehat as në vare, kërkoje të të thureshin dhe himne?
Po ku t’I gjenim mor i shuar ? ja mendoje?
Ti hyjnoret i shove. Mirë për ne po për vetë tënde pse s’mendove? Sikur të të kishim bërë një himn prej madhështisë së Fishtës do ta kishe pranuar? Jo? Po sigurisht!Injoranca s’ka brirë. Ty të pëlqenin ato të dalat prej ferrit qëishin të ngjyera në gjak. Si :Që të të shkulin ty, duhet të përmbysin malet kështjellat këngët, të ngrenë nga balta dhe të ri vrasin të rënët…
Kujtove se këto ishin të vërteta e se ishe i siguruar në fronin tënd . Nuk e dije se ato ishin fjalë të fryra e që i dëgjonte vetëm veshi jot i varfër. Ku dinte ai vesh se kishte melodi përveç tam – tameve Ato melodi ti i kishe kyçur sepse I kishte shkruar dikush i cili vetëm me këto vargje meritonte të të hidhte ty në humnerën e harrimit.Atij dhe shokëve tè tij ju takonte të qeverisnin vendin!! Sa mire e dije ti këtë moj kunadhe plakë. Sa mire e dije…Prandaj ju ruheshe, porsi djalli temjanit..
Kategoritë: Analiza
LAMTUMIRË AMERIKË
nga Zeqir Lushaj
Zeqir Lushaj:
-Edhe nje liber po ta shkruaj per ju e di se me mbeten shume gjera pa thene. E di se kerkund ne bote nuk jetoj me lehte e me mire se ketu ku jam tash 17 vjet, pra në Cliffside Park te NJ, dhe mes juash vellezer e motra por duke u kthye ne At’Dhe, jo vetem se realizoj nje enderr por mbaj edhe nje premtim. Une dhe Sabrieja nuk vendosem te kthehemi, por kemi qene te vendosur dhe kemi punuar per nje dite të tillë …
LAMTUMIRË AMERIKË
-Amanet, vëllazen t’mergimit,
Ta këndojmë bashk kangën e kthimit…-
Një ditë për familjen shqiptare
Nga Entela Binjaku
Shoqëria shqiptare prej dy dekadash ka hyrë në një hulli ndryshimesh të shoqëruara edhe me një kalvar të pasosur vështirësish. Vështirësi të reja, vështirësi të vjetra…Në tërësinë e këtyre ndryshimeve u përfshi edhe familja, Në këto dy dekada familja shqiptare është zvogëluar, i ngian më shumë familjes së tipit bërthamë; gjatë kësaj periudhe janë rritur familjet njëprindërore, shoqëria ka treguar një lloj tolerance ndaj bashkëjetesës, ka më shumë çifte që jetojnë një kohë të gjatë pa lindur fëmijë etj.
Nisur nga vlerat universale të familjes Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar për të një ditë të posaçme: 15 Majin. Që nga viti 1993 kjo datë njihet si “Dita Ndërkombëtare e Familjes”, një ditë ndërgjegjësimi për rëndësinë, problemet e saj por dhe për angazhimin politik të shteteve anëtare ndaj cështjeve që lidhen me këtë institucion të rëndësishëm.
Vitet e fundit kjo datë ka hyrë edhe në fjalorin e shoqërisë shqiptare, duke treguar nga njëra solidarizimin me shumë shoqëri në botë (kryesisht falë angazhimit në organizmat ndërkombëtarë), si dhe duke shprehur nga ana tjetër bindjen se familja duhet të jetë në qendër të vëmendjes së shoqërisë. Kjo datë maji mund të shërbejë edhe për të shprehur nderimin ndaj familjeve shqiptare që përballojnë vështirësi të panumërta për të mbetur njësi e fortë dhe e bashkuar.
Familja përkufizohet si ai “grup individësh i lidhur nga gjaku ose nga martesa, që jetojnë bashkë,, që bashkëpunojnë ekonomikisht dhe ndajnë përgjegjësitë për të rritur fëmijët e përbashkët”. Wshtë ai institucion shoqëror që ndërthur një tërësi rolesh ku marrëdhëniet mes anëtarëve janë më intime, më intensive dhe më të ngrohta.
Pavarësisht ndryshimeve sfidat për familjen nuk kanë munguar, as “në atë kohë”, as “në këtë kohë”.
E kërcënuar nga faktorët tradicionalë, si vdekja, sëmundjet, familja shqiptare sot është edhe nën presionin e faktorëvë të panjohur që shoqëruan ndryshimet.
Shpesh herë ajo është gjendur njëherazi nën ndikimin e këtyre faktorwve tradicionalë e “bashkëkohorë”, duke qenë e vetme, e pambështetur dhe e papërkrahur nga shteti dhe shoqëria
Duke qenë se 15 Maji synon ndërgjegjësimin po sjell në vëmendje historinë e një familjeje në kryeqyet e cila sfidën e saj të madhe e ka me autizmin, crregullim për të cilin vitet e fundit po dëgjojmë më shpesh.
Për çrregullimet e spektrit autik në Shqipëri ka nisur të flitet relativisht vonë edhe pse njerëz që vuajnë nga crregullimet kësaj natyre kanë jetuar përherë mes nesh.
Zakonisht për ta thuhej “se ishin të vonuar”. Herë nga padija, herë nga mosnjohja, herë nga stereotipizimi, herë nga turpi, për këtë lloj çrregullimi tek ne nuk është folur shumë. Edhe pse fillesat e trajtimit te institucionalizuar për fëmijët më aftësi të kufizuara kanë nisur në vitet ’60, sërish ato parashikonin rastet të kufizuara trajtimesh por që nuk flisnin për autizmin. Ose ndoshta flitej fare pak.
Kur pjestari i një familjeje vuan nga ky çrregullim ndryshon jeta e të gjithë familjes. Atë e prêt një sfidë e madhe dhe e mundimshme që varion që nga mospranimi i deklaruar deri tek pranimi i heshtur. Jeta e një individi që vuan këtë çrregullim, mundon dhe çrregullon edhe jetën e prindërve që kujdesen për të, i jep një orientim të ri raportit martesor, i cili vendoset përballë një vështirësie të madhe. Zakonisht një nga pjestarët nuk punon; në shumicën e rasteve është nëna.
Familja e Dritanit është një e tillë. Ajo jeton në një nga lagjet e vjetra të kryeqytetit. Dritani sot është 30 vjeç, jeton me dy prindër të moshuar dhe aktualisht përfiton një pension prej 9000 lekësh në muaj.
Vite më parë kjo shumë ka qenë edhe më vogël se kaq, pra gjithmonë e pamjaftueshme për shpenzimet dhe nevojat për veshje, për ushqim, për kujdes shëndetësor apo për shpenzime të tjera.
Me Dritanin e gjithë jeta e kësaj familjeje ka ndryshuar. Ai është shumë i lidhur më nënën pa të cilën nuk mund të bëjë asnjë hap.
Bashkëshorti është kujdesur për dy fëmijët e tjerë, ndërsa nëna e Dritanit i është përkushtuar tërësisht atij. Dy vajzat e saj më të mëdha se Dritani edhe sot ankohen se nuk e kanë jetuar kujdesin e saj ashtu siç do të dëshironin.
Nevoja e madhe dhe varfëria e nxori në rrugë si shitëse ambulante, punë të cilën ajo e ka bërë për vite të tëra. Sot është në prag të 60-ave dhe mundësitë fizike që të kujdeset për të birin sa vijnë e pakësohen. Tani në rrugë del e shet bashkëshorti.
Si personi që kujdeset për djalin ajo nuk merr asnjë ndihmë sepse sipas specialistëve të komisionit të shëndetit “ai është në gjendje të ecë vetë”. Familja ka shpresuar se mund të përftonte ndonjë ndihmë nga pushteti vendor, por as këtë nuk e përfiton sepse “Dritani nuk ka punuar asnjë ditë”.
Historitë e jetës në kërkimin sociologjik kanë një vlerë shumë të rëndësishme, sepse duke mbledhur edhe biografitë e personave çfarëdo mëson shumë për shoqërinë ku jetojnë.
Përmes biografive të personave me aftësi të kufizuara arrihet të ndërtohet jo vetëm bota sociale e tyre por edhe e familjeve të tyre. Historia e familjes së Dritanit është vetëm njëra nga historitë e shumta të familjeve shqiptare që jetojnë vështirësitë që krijon çrregullimi kronik i një pjestari. Vetëm në lagjen ku jeton kjo familje janë disa histori të ngjashme. Të gjitha pa asnjë ndihmë nga shteti e shoqëria. Të vetme ato përballojnë nevojat e veçanta, pranojnë vështirësitë që i presin, jetojnë me dëshirën e vazhdueshme se fëmija i tyre do të mund të përfshihet në komunitetin ku jeton, por shqetësohen shumë për atë që do të vijë më vonë.
Shoqëria jonë duhet të kuptojë se problemet e një familjeje janë probleme për të gjithë shoqërinë. Për këtë arsye qeverisja vendore, qeverisja qëndrore, shoqëria civile duhet të marrë më shumë angazhim e përgjegjësi për përmirësimin e ndihmës ndaj këtyre familjeve, për ofrimin e shërbimeve të nevojshme, për alokimin e disa fondeve që do t’ju mundësuar krijimin e disa mjediseve të përshtatshme për këta individë. Kur janë të vegjël ata janë më të integruar në institucionet e edukimit, por kur rriten thuajse izolohen plotësisht nga jeta sociale, duke izoluar në vazhdim jetën e pjestarit që kujdeset për ta. Me këtë angazhim së paku familjet do të lehtësoheshin e do të nisnin të punonin. Transformimi i jetës së personave me çrregullim autik është ende një strategji e largët për shoqërinë tonë, por lehtësimi i jetës së familjeve të tyre duhet të jetë një objektiv i vazhueshëm dhe i pandërprerë.
Të gjithë kanë të drejtën të jetojnë një jetë normale, edhe pse jeta familjare është tronditur mjaft. Demokratizimi i shoqërisë shqiptare vjen edhe nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë për domosdoshmërinë e ndihmës ndaj familjeve në nevojë. Kjo nuk mund të bëhet në një ditë, por as të mos kujtohet vetëm në një ditë, qoftë kjo edhe 15 maji, Dita Ndërkombëtare e Familjes.
Liria Kombëtare: Shpërngulja e familjes Zeqiri edhe një tragjedi shqiptare
Shpërngulja e familjes Zeqiri nga fshati Radishan i Shkupit na përkujton skenat e gjalla të shpërnguljeve masive të shqiptarëve në shekullin e fundit, masakrat dhe tmerret që përjetuan mijëra e mijëra familje shqiptare që nga Kumanova deri në Manastir.
Ne anëtarët e Shoqatës Atdhetare „Liria Kombëtare” në Zvicër reagojmë ashpër kundër dhunës dhe terrorit shtetëror që ushtrohet mbi familjet shqiptare në IRJM. Dhuna dhe terrori shtetëror mbi familjet shqiptare në komunat e Prilepit, Krushevës, Manastirit, Velesit, Shkupit dhe sot mbi familjen Zeqiri të Radishanit në Shkup na përkujton shpërnguljet e shqiptarëve me dhunë dhe terrorin shtetëror në fund të shekullit XX. në Kosovë.
Kjo skenë tragjike(ashtu siç u pa nga skena e filmuar nëpërmjet videokamerave) dëshmon edhe njëherë se shqiptarët janë në një rrezik të papërshkruar kurse klasa politike shqiptare në mjerim.
Për këtë arsye dëshirojmë të tërheqim vërejtjen për dy gjëra:
- E para se si vepron shteti dhe institucionet e IRJM, jo vetëm që i diskriminojnë shqiptarët në të gjitha sferat e jetës, por edhe kur sulmohen nga huliganët nuk mundohet të gjej, as arsyetime të thjeshta, e lëre më mjete institucionale që t’i mbroj ata. E themi troç se ky është realiteti politik dhe institucional mbi shqiptarët më se gjashtë dekada. Nuk ka institucione në IRJM të cilat kujdesen për lirinë e shqiptarëve, por ka institucione dhe parti politike të cilat me dy këmbët shkelin mbi të drejtat e shqiptarëve.
- E dyta, parashtrohet pyetja se ç’bëjnë partitë politike shqiptare në IRJM, se ç’bëjnë Organizatat Joqeveritare të cilat me vite veprojnë si masha të partive politike? – Shkurt Asgjë.
E themi me plot gojën turpi nuk ka brirë.
Largimi i familjes Zeqiri është turpi më i madh që iu bëhet shqiptarëve në IRJM, ku dhjetëra deputetë shqiptarë dhe një “vagon” partish politike dhe një “kamion” OJQ- nuk janë në gjendje të mbrojnë një familje shqiptare në të drejtën e vet, në pronën e vet, në tokën e vet, në shtëpinë e vet. Para syve të më se 700.000 shqiptarëve në IRJM largohet me vaj një familje 20-anëtarëshe dhe askush nuk shtrinë dorën për ta mbrojtur. Prandaj me këtë rast ju bëjmë apel të gjithëve, që të vihen në mbrojtje të familjes Zeqiri nga Radishani i Shkupit sepse qëndrimi i tyre në pragun e shtëpisë nuk është fat individual por fat kolektiv. Në rend të parë kjo thirrje iu drejtohet studentëve të cilët gjithmonë kanë qenë bartës të proceseve dhe lëvizjeve kombëtare. Prandaj edhe studentët e dy universiteteve: atij të USHT-së dhe UEJ-lit, profesorëve,nxënësve, punëtorëve sepse liria nuk mbrohet me një familje. Të veprojnë në shërbim të lirisë.
Po ashtu në vazhdim parashtrohet edhe një pyetje pas largimit të familjes Zeqiri nga fshati Radishan i Shkupit se kush ka fytyrë të flasë pas këtij turpi. Cili deputetë shqiptarë do të dal në foltore të parlamentit antishqiptar, në të cilin zbatohen të gjitha projektet antishqiptare dhe të flas për të drejta dhe barazi. Cila parti politike do të hyjë në negociata për formimin e qeverisë, e cila qeveri (që nga paraqitja e parë) e dimë qartë se nuk ekziston për shqiptarët. Turpi nuk ka brirë. Në historinë e shqiptarëve do të shkruhet me shkronja të mëdha se në muajin Maj, familjeve të shumta që u shpërngulen nga vendbanimet e Prilepit, Velesit, Manastirt, Ohrit, Krushevës, i bashkëngjitet edhe familja Zeqiri nga Radishani i Shkupit në pamundësi për t’iu bërë ballë huliganëve të organizuar të shtetit dhe të pushtetit, kurse klasa politike nuk e bëri asnjë reagim të vetëm. Dhe fare në fund, parashtrohet një pyetje morale, A ka politikanë që preket nga kjo tragjedi shqiptare?
Zürich, Shoqata Atdhetare “Liria Kombëtare” – Zvicër
Komandant Kushtrimit
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. Noli
Shkruan: Vaxhid Sejdiu Kushtrimi i lirisë nuk është akti i fundit
Në krah e mbështetur pushka çlirimtare,
Rrufe e fortë bie në zemër të trungut
Hijet flasin për kohën vrastare.
Prita ndali hapin, pushka vrau lirinë
Katër yje kombi që shkruan historinë,
Në natën e zezë, ëndrra seç u tret,
Pabesia e madhe, burra t’kombit vret.
Pushkët ndalën orën, fjalët më nuk vlejnë
Katër djem të vrarë, ndërgjegjja s’i brenë.
Nga të katër anët zërat seç dëgjohen,
Një vrasje e madhe ndali, vrau kohën.
Dhe nëna shqiptare me shami në kokë
Do të pyes qiellin, tokën edhe malin
Nga dielli i vrarë një zë vjen si plumb
“Nëno-moj – larot t’a përmbysën djalin”.
Mbaje veten nënë, në këtë kohë të keqe,
“Që burrat me nam” na janë bërë teneqe
Atë që thonë në mbrëmje e përpinë në mëngjes,
Nëno moj- Shqipëri!
Kushtrimi i lirisë,
Kurrë nuk mund të vdes.
Jetën shqiptare që e bënë skëterrë,
Me shumë plagë në trup, dhe në robëri
Vuajtjet, Idealet unë t’i njoh Atdhe,
Dhe zjarrin që digjet për LIRI.
Në çarshinë e vjetër të kryeqytetit
Një vend ka mbetur – e madhe zbrazëtirë
Njeriu që qante hallet e atdheut
Që bashkonte zemrat, për qëllim të mirë.
Dhe kafja e mëngjesit keq është helmuar
Shokëve që kanë mbetur pa krah, pa zemër,
Kënga e kushtrimit vjen duke jehuar
Dhe vulos në kohë, një ideal, një emër.
Dhe ky përvjetor, vjen me re të zeza
Bajraktarët heshtin apo flasin mbrapsht,
Në këtë kohë të pakohë, u njollos dhe Besa
Plagët përthekuan shpirtin, depërtuan n’asht.
Mbi trojet shqiptare, ka rënë hije e keqe
Zëri i Kushtrimit ende gjallë jehon,
Fjalët e Shabanit, Qemalit dhe të Xhafer trimit
Nënë-moj, pushka çlirimtare gjithmonë do të rrojë!
• Me rastin e katërvjetorit të vrasjes së Harun Aliut – Komandant Kushtrimit, Shaban Zenunit, Xhafer Shalës dhe të Qemal Fejzullahut, në vend të një shkrimi publicistik shkrova këto vargje….
A do të hetojë Prokuroria “Kullën” e Jakup Krasniqit?
Duket se Prokuroria e Shtetit më në fund do të nis hetimin lidhur me prejardhjen e pasurisë së dyshimtë të personave publikPas akuzave publike të kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli në drejtim të ish kreut të Kuvendit, Jakup Krasniqi lidhur me shtëpinë e tij prej 500 metrash katrorë, Prokuroria do të merret me këto deklarata dhe do të hetojë prejardhjen e pasurisë.
Edhe Shoqëria Civile ka kërkuar hetim lidhur me pasurimin e shpejt të disa ish krerëve të UÇK-së, në mënyrë që të dihet e vërteta e prejardhjës së pasurisë.
Prokuroja Laura Pula ka thënë të enjten se Prokuroria do t’i shqyrtojë deklaratat e fundit në 35 të ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe zëvendëskryeministrit në largim, Behgjet Pacolli, të cilët këto ditë akuzuan njëri-tjetrin për korrupsion dhe veprimtari të tjera të paligjshme.
Pula ka thënë se të gjithë ata që kanë fakte për kallëzim penal duhet t’i paraqesin ato në prokurori, porse nëse ka bazë për ndonjë vepër, sipas saj hetimet i fillon vet prokuroria.
“Deklarimet e kryeparlamentarit dhe zëvendëskryeministrit do t’i shqyrtojmë, mirëpo secili që ka argumente a pretendime të ushtrojë ndonjë kallëzim penal, mund ta bëjë këtë, jo në 35, por duke iu
adresuar prokurorisë”.
E kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli pati kërkuar nga Prokuroria që menjeherë të hetojë pretendimet e Krasniqit që Pacolli “e kishte blerë postin e presidentit”.
Në anën tjetër, Jakup Krasniqi është akuzuar për shtëpi në vlerë prej 1 milion eurosh të ndërtuar në mënyrë jo të ligjshme.
Pacolli, i cili kishte mohuar akuzat e Krasniqit, duke e ftuar atë të tregojë si e ka fituar pasurinë e paligjshme dhe me të kujat para e ka ndërtuar shtëpinë njëmilionëshe.
Fshati më i mirë në botë, Grija ime e dashur
Nga Zeqir Lushaj (NJ, USA, 2 Maj 2014)Në sofër thyej bukën e misrit,
Pjekur aq mirë me saç e çerep,
Avulli i saj më sjell kënaqësi,
Si këngët e nënës kur isha në djep.
Mendoj me copën e bukës në dorë,
Po harrova ndonjëherë o misër,
Që trupin e rrita me ty,
Kam humbur diçka nga emri NJERI!
Puna më solli në Kryeqytet,
Në pallat buzë Lanës kam shtëpinë,
Mos më quani të ndarë nga fshati i largët,
Nga bjeshkët e mia ku ruajta bagëtinë.
Po të jetë nevoja prap e kapi krrabën,
Bagëtinë të ruaj, nuk më vjen zor,
Ndryshe mos më quani djalin tuaj,
Kam humbur shumë nga emri MALËSOR!
Kur të harroj ty, o fshat i largët,
Po të ndenja larg pse u bëra”qytetar”,
I tepërt do jem edhe në qytet,
Kam humbur shumë dhe si SHQIPTAR !
./.
Tiranë, 1978
-Nga libri Hija e vendlindjes”, faqe 61-62-
FALI, ZOT, NUK DIJNË ÇKA BAJNË…
nga Arshi PIPA
Profesor Emeritus University of Minnesota, USA
IMZOT VINÇENC PRENNUSHI: In memoriamE kam njohë Imzot Prennushin në burgun e Durrësit gjatë periudhës 1948 – 49. Ai u suell aty nga Seksioni i Sigurimit të Durrësit, mbasi qé torturue ma parë. Kur e prunë, mezi mbahej në kambë. E kishin dërmue tue e rrahë me shkopinj e mandej e kishin varë, lidhë kambësh e duersh, “si nji dash në çengel kasaphanëje”, thonte ai vetë tue ba buzën në gaz.
Imzot Prennushin e vendosën në dhomën nr. 8, që kishte shërbye dikur si xhebehane dhe ku banojshin ma të rrezikshmit: 18 vetë. Unë qillova ngjat tij dhe pata kështu rastin të miqasohesha me té.
Kur gjyqi ushtarak zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qé: “Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë”. Në nji qelë të posaçme ngjitun me xhebehanen ishte ndry Don Anton Zogaj, famullitar i Durrësit. Ai kishte qenë dënue me vdekje, gja që e trishtonte shumë Imzotin. Nuk kam harrue ngazullimin e tij kur nji shok i dorëzoi kapsat e petkut fetar të Don Antonit, lanë dëshmi e martyrizimit të vet.
Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermjerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermjerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermjeri Don Jul Bonattin, famullitar i Vlonës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Imzoti tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet.
Përveç se prej asmës, Imzot Prennushi vuente nga nji hernia e randë. Nji ditë rojet e ngarkuen me bajtë trungje prej rrugës poshtë te kodrina ku gjindej burgu. Si Krishti n’ udhën e Kalvarit, ai u përpoq tri herë me rradhë. Por u rrëzue të trija herët, pa shprehë ankim.
Imzot Prennushi vdiq në Mars 1949. Kur i mbylla sytë e etshëm per dritë – ai më pat çekë njiherë frazen e Goethe-s “Mehr Licht !” – kuptova se çfarë drite ai kishte nder mend. Ka njerzë qi besojnë në Pavdekshmëninë e Shpirtit dhe ka të tjerë që nuk besojnë në té. Por asht vështirë me pranue se gjithçka merr fund me vdekjen e trupit kur mendon se ka njerzë qi vdesin per Ideale!
Arshi PIPA
Tiranë, 28 Shkurt 1995.
Kopjue nga origjinali që Autori Prof. A. Pipa, i ka dhurue Fritz Radovanit.
Melbourne, Mars 2014.
Qosja: “AKADEMIA UDHËHUMBUR”.
Çaushi i ri i Klanit të vjetër
Më 5 mars të këtij viti Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës reagoi, ndaj, si thuhet në këtë reagim, “prononcimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë lidhur me debatin midis dy anëtarëve të ASHAK-ut”. Kjo fjali me të cilën fillon reagimi i ASHAK-ut ndaj kumtesës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përmban dy pasaktësi: e para, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk pati prononcime, por vetëm një prononcim, një reagim, në lidhje me ato që shkruhen për ASHAK-un dhe me ato që po shkruan ASHAK-u. Dhe e dyta, Letra e 37 intelektualëve lidhur me fushatën që Kryesia e ASHAK-ut po zhvillon kundër anëtarit të saj, Rexhep Qosja, nuk është prononcim, nuk është reagim i Akademisë, po reagim vetëm i 37 intelektualëve të shquar të Shqipërisë, anëtarë të disa partive a të pa parti, midis të cilëve ka edhe disa anëtarë të Akademisë, që kanë reaguar si vetje, në emrin e vet e jo në emrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Po këtë dyfishim të një reagimi, një “prononcimi” fare të shkurtër dhe plotësisht të paanshëm të ASHSH-së, udhëheqja e ASHAK-ut nuk e bën pa qëllim të keq, që do të shihet në vazhdimin e shkrimit të saj, sidomos në paragrafin e saj të fundit, që tregon shumë se çka e mundon sot këtë institucion pak shkencor, më pak artistik e kryekëput partiakisht politik të Kosovës. Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe 37 intelektualët e Shqipërisë me reagimin e tyre bënë çka po bëjnë veç e veç edhe disa intelektualë të Kosovës: shprehën indinjatën e tyre se si është e mundshme që në Kosovën, e cila po quhet demokratike, mund të zhvillohet fushatë paskajshëm e egër kundër një intelektuali jashtëpartiak, e organizuar prej kryetarëve të dy partive: prej Isa Mustafës – kryetar i LDK-së dhe Lulzim Bashës, përkatësisht Sali Berishës – kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Ç’është e vërteta, nuk kam pritur, në asnjë mënyrë nuk kam pritur, se qoftë edhe një anëtar i ASHAK-ut do të pajtohet me atë fushatë. Por, ja me atë fushatë u pajtua ai që nuk do të mendoja kurrë se do të pajtohej: u pajtua pedagogu dhe psikologu, Pajazit Nushi, i cili, si pedagog dhe psikolog që është, nuk do të duhej në asnjë mënyrë të pajtohej me gënjeshtrat, shpifjet, fyerjet dhe yshtjet që përmban ajo. Pedagogët dhe psikologët, zakonisht, as nuk duhet t’i lejojnë vetes të pajtohen me gënjeshtra, mashtrime e fyerje të të tjerëve as nuk duhet t’u flasin nxënësve të tyre gënjyeshëm dhe mashtrueshëm. Por, kur e ktheva mendjen në kohën e shkuar u binda se kjo nuk është hera e parë që pedagogu e psikologu Pajazit Nushi është pajtuar me çka s’do të duhej të pajtohej: është pajtuar me ide, me diferencime e me politika të cilat i ka dënuar historia e Kosovës dhe historia e popullit shqiptar në përgjithësi.
Për të qenë e keqja e tij edhe më e madhe, në shkrimin e Kryesisë së ASHAK-ut, që ka nënshkruar Pajazit Nushi, janë të përmbajtura edhe disa të pavërteta e akuza për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
FIQIRI I PRISHUR 55-FISH
Të shohim se çka shkruan, në të vërtetë çka nënshkruan pedagogu Pajazit Nushi.
Nënkryetari i ASHAK-ut, Pajazit Nushi, nënshkruan pohimin e pavërtetë se Rexhep Qosja “pa të drejtë dhe në vazhdimësi e denoncon Akademinë tonë”. Siç e di mirë edhe vetë Pajazit Nushi dhe siç e dëshmon vepra ime letrare, shkencore dhe publicistike, denoncimet nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë mënyrë e mendimit dhe e sjelljes së Rexhep Qosjes. Mënyrë e mendimit dhe e sjelljes së Rexhep Qosjes ishin: mospajtimi, kundërshtimi kritik dhe demaskues i politikës terroriste shtetërore të Serbisë e të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi – para Luftës sonë çlirimtare, sidomos pas vitit 1981, kur Pajazit Nushi me udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe me anëtarët e Klanit preshevar, tani të gjithë anëtarë privatizues të ASHAK – ut, i rrëfeheshin vetëmohueshëm Serbisë dhe Jugosllavisë se demonstratat e rinisë sonë studentore dhe shkollore ishin nacionaliste, irredentiste, kontrarevolucionare, të drejtuara kundër integritetit territorial të Jugosllavisë, kun-dër bashkim-vëllazërimit dhe bara-zisë së kombeve e të kombësive të Jugo-sllavisë socialiste vetëqeverisëse dhe demokratike!!!
Mënyrë e mendimit dhe e sjelljes së Rexhep Qosjes sot janë, ndërkaq, jo denoncimi, si thotë Pajazit Nushi, po mospajtimi, kundërshtimi kritik dhe demaskues i korrupsionit kolosal politik dhe material në Kosovë e në Shqipëri, i pasurimit korruptiv të disa zyrtarëve, i politikës së tyre aq shpesh të bazuar në gënjeshtra e mashtrime, i kthimit në pushtet në Kosovë i zyrtarëve të Rrahman Morinës dhe të Millosheviçit siç është Isa Mustafa dhe i një varg bashkëpunëtorëve të ditur të UDB-ës, i privatizimit prej një Klani lokalist të ASHAK-ut. E të tjera. E të tjera të këqija politike e shoqërore.
Dhe kjo politikë e imja ndaj gjithë këtyre të këqijave në jetën tonë politike, shoqërore e kulturore është, natyrisht, e kohëpaskohshme, kurse i përhershëm, i vazhdueshëm do të thoshte Pajazit Nushi, është krijimi i historive, monografive, studimeve, trajtesave, sprovave historike letrare, i romaneve, i dramave dhe i shkrimeve publicistike, sasia dhe cilësia e të cilave, siç po shihet në fushatën kundër meje, ua ka prishur pesëdhjetë e pesë fish fiqirin përndjekësve e urrejtësve të mi politikë dhe akademikë pas botimit të Kompletit të veprave të mia. E kuptueshme. Vepra ime krijuese, me vëllimin, me kuptimin dhe me cilësinë e saj është aq e shumëllojshme saqë të vegjlit me mendje, me zemër e me shpirt në politikën dhe në ASHAK-un tonë i bën edhe 55 herë më të vegjël se ç’i ka bërë i Madhi Zot! (Për këto që do të them në vijim, le të më falë lexuesi i nderuar për jomodestinë e shprehur qëllimshëm.) Me shumësinë e përmbajtjeve, të temave, të motiveve, të çështjeve, të ideve, të vizioneve, të zgjidhjeve të propozuara për çështje e probleme të ndryshme kombëtare, shoqë-rore e politike, me gjykime historike e të përtashme, me veçanësinë, do-methënien dhe cilësinë artistike letrare të romaneve e të dramave, me thellësinë dhe rëndësinë shkencore të monografive, studimeve, trajtesave dhe historive letrare, me shumësinë dhe me ndikimin në jetën politike, shoqërore, kulturore, kombëtare në përgjithësi, të shkrimeve publicistike dhe polemike, me përkushtimin e vazhdueshëm ndaj të drejtave historike dhe të përtashme të popullit shqiptar, me gjykimet parathënëse të ardhmërisë së çështjes së Kosovës e të çështjes shqiptare në përgjithësi – vepra ime krijuese, pra, është vepër unike në letërsinë shqipe dhe në studimet shqiptare, të cilën akademikët e Seksionit të Gjuhës dhe të Letërsisë, me akademikët e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, me organizuesit e fushatës së tyre kundër meje – me Isa Mustafën dhe me Lulzim Bashën, përkatësisht Sali Berishën, nuk do të mund ta mendonin dhe ta shkruanin edhe po t’i bashkonin të gjithë kalemat e tyre, të pas-ardhësve të tyre dhe të argatëve të tyre në parti e në disa medie. Jo. Kurrë! Për krijimin e Një Vepre të tillë, me sasi e me cilësi të tillë mendore e morale, atyre i Madhi Zot nuk ua ka dhënë as dhuntinë, as karakterin, as qëndrueshmërinë e as kthjelltësinë. I mëshiroj!
AKADEMIA – SHTËPI PRIVATE E LDK-së
Por, të shohim se me çka nuk pajtohet nënkryetari i ASHAK-ut, Pajazit Nushi, me Rexhep Qosjen. Ai nuk pajtohet me faktin se:
1.
Rexhep Qosja përmes kritikës së tij ka shprehur mospajtim me disa dukuri dhe shpërdorime në ASHAK. Ai nuk është pajtuar me kohë dhe nuk pajtohet as sot pse ASHAK-u është bërë institucion kryekëput partiak, institucion fare pak shkencor, më pak artistik e krejt politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rexhep Qosja nuk ka mundur të pajtohet që udhëheqja e ASHAK-ut ka shkelur ligjin e Kuvendit të Kosovës për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve duke e kthyer në dyvjeçar afatin katërvjeçar të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të saj, për aq kohë sa të realizonte pranimin e atyre që synonte, për ta rikthyer sërish në afat katër vjeçar. Dhe këtë shkelje të Ligjit udhëheqja e Akademisë e ka kryer për t’i bërë shpejt e shpejt anëtarë, natyrisht të pamerituar, të ASHAK-ut udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës – të partisë udhëheqja e së cilës në një varg rastesh ka luajtur rolin e kolonës së pestë në historinë e re të Kosovës! Dhe, kështu, në sajë të këtij veprimi antiligjor është bërë e mundshme që anëtarë të Akademisë sonë të bëhen kryetari i LDK-së, nënkryetari i LDK-së, shtatë anëtarë të Kryesisë së LDK-së dhe kryetarët e Partisë Katundare dhe të Partisë Socialdemokrate – dy partive infrastrukturore të LDK-së! Domethënë anëtarë të ASHAK-ut janë bërë 11 udhëheqës të LDK-së, emrat e të cilëve lexuesi mund t’i gjejë në faqen 343 të librit tim Shqipëria dhe Kosova – si janë dhe si do të duhej të jenë. Ku në këtë Evropë ka mundur të ndodhë apo mund të ndodhë që të shkelet një ligj e të falsifikohet një statut Akademie për t’u bërë anëtarë Akademie 11 udhëheqës të një Partie? Askund. Ku në këtë Evropë, në Azi a në Afrikë mund të ndodhë që kryetarët, nënkryetarët dhe shumica e anëtarëve të Kryesisë së një partie të bëhen njëkohësisht anëtarë Akademie? Në Bashkimin Sovjetik të Stalinit? Në Gjermaninë e Hitlerit? Në Italinë e Musolinit? Jo, as atje atëherë një marrëzi dhunuese e tillë nuk ka ngjarë. Kjo ka ngjarë vetëm në primitivizmin e ASHAK-ut tonë. Ky primitivizim dhe banalizim partiak politik i një institucioni shkencor dhe artistik nuk ka ndodhur askund sepse përmes këtij primitivizimi dhe këtij banalizimi cenohet e fyhet kultura e popullit të vendit ku ndodh kjo.
2.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar pse tani e pesëmbëdhjetë vjet ASHAK-un e drejton, në të vërtetë e privatizon Klani i fshatrave të Luginës së Preshevës duke qenë anëtarët e tij 15 vjet njëri pas tjetrit kryetar në dy mandate, nënkryetarë në dy mandate, sekretar i Përgjithshëm i ASHAK-ut në dy a më shumë mandate? Si mund të ndodhë kjo, si lejohet kjo, që një Klan i krijuar mbi bazë lokale dhe partiake, i vetëportretizuar në 55 pyetjet e publikuara, të uzurpojë, në të vërtetë të bëjë shtëpi private një institucion me rëndësi shoqërore e kulturore, tani e sa kohë mjerisht tejet të zhvlerësuar dhe të komprometuar!
3.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet që e drejta për të propozuar kandidatët për anëtarë të Akademisë, prej udhë-heqjes partiake LDK-iste të Akademisë u është marrë shoqatave të shkrimtarëve, të piktorëve e të skulptorëve dhe të kompozitorëve të Kosovës, e cila në Statutin e mëhershëm u njihej atyre. Meqenëse ASHAK-u është Akademi e Shkencave dhe e Ar-teve, domethënë është akademi jo vetëm e shkencave, por edhe e arteve, marrja e të drejtave të krijuesve artistikë për të propozuar kandidatët për anëtarë të Akademisë është masë antiligjore që përmban nënçmim të krijuesve artistikë! Dhe, kjo masë antiligjore është bërë përbërëse e Statutit të ASHAK-ut me qëllim që të mënjanohet propozimi i atyre krijuesve artistikë, para së gjithash i atyre shkrimtarëve pjesëmarrës a përkrahës të UÇK-së, që nuk do të pajtoheshin e nuk pajtohen me privatizimin partiak LDK-ist të Akademisë.
4.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet që Seksionet e Akademisë të bëhen përzgjedhës dhe përcaktues se cilët kandidatë të propozuar prej fakulteteve e institucioneve shkencore do të zgjidhen anëtarë të ASHAK-ut. Për të qenë shpërdorimi politik partiak i seksioneve edhe më i skajshëm, ato, seksionet, i japin vetes të drejtë që të bëhen edhe vetë, si fakultetet dhe institucionet shkencore, propozuese të kandidatëve për anëtar të ASHAK-ut! Se sa kundërligjore, se sa partiake, dhe se sa primitive është kjo praktikë e udhë-heqjeve preshevare të ASHAK-ut dëshmon fakti: u merret e drejta e propozimit shoqatave të krijuesve artistikë e u jepet seksioneve të ASHAK-ut, i merret shumicës pluraliste e i jepet pakicës LDK-iste! Në këtë mënyrë antiligjore është zgje-dhur jo vetëm një kandidat, një maturant, në ASHAK-un tonë të privatizuar, që e mbron Pajazit Nushi.
ISH-ZYRTARI I MILLOSHEVIÇIT BËHET AKADEMIK
5.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet pse para gjashtë vjetësh Klani preshevar bëri që anëtar i ASHAK-ut të zgjidhet kryetari i Rinisë Socialiste të Kosovës në kohën e Stambolliqit dhe të Markoviqit, kryetar i Komunës së Prishtinë me mandat dyvjeçar në kohën e dhunës dhe terrorit të Millosheviçit, sekretar krahinor, domethënë ministër i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (i Qeverisë së Kosovës), po ashtu në kohën e Millosheviçit, Isa Mustafa. Ku mund të ndodhë në një vend të quajtur demokratik që anëtar Akademie të Shkencave dhe të Arteve të zgjidhet një zyrtar i pushtuesit, që anëtar Akademie të zgjidhet zyrtari i pushtuesit pa merita shkencore a artistike? Askund në asnjë vend në Evropë, në Azi dhe në Afrikë. Pse fundoset në këtë humnerë staliniste, të pamoralshme zgjedhore, Akademia jonë? Për dy arsye: e para, për të forcuar pozitën LDK-iste të Klanit uzurpues të Akademisë dhe, e dyta, për të realizuar privilegje të caktuara komunale qoftë anëtarët e Klanit qoftë servilët e tyre në Akademi a jashtë Akademisë!
Pse jo? Isa Mustafa, ish-bashkëpunëtori zyrtar i Millosheviçit, kur u zgjodh anëtar i ASHAK-ut ishte kryetar i Prishtinës dhe kryetar i LDK-së.
6.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet as pse në Akademi është zgjedhur partizani tjetër i LDK-së dhe i Isa Mustafës, Sali Gashi, dikur kryetar e në kohë të fundit nënkryetar i Komunës së Prishtinës! Dhe shok, bashkautor punimesh e bashkëpartiak i krijuesit të Klanit preshevar, Nexhat Dacit!
Si zgjedhja e Isa Mustafës ashtu edhe zgjedhja e nënkryetarit të tij, Sali Gashit, anëtar i Akademisë është rënie në konflikt të interesit e konflikti i interesit, siç dihet, është trajta më e rëndë, ligjërisht më e dënueshme, e korrupsionit.
Po ku ndodhet Klani uzurpues i ASHAK-ut për konfliktin e interesit dhe korrupsionin? Po të lodhej dhe po të frikësohej prej shkeljes së ligjit dhe të Kushtetutës së Kosovës nuk do ta çonte përfaqësuesin e vet në Qeverinë e Kosovës për të pyetur se cilin anëtar të Partisë Demokratike do të donin t’ua pranonin anëtar të Akademisë? Dhe shakasë që zyrtari i Qeverisë do të bëjë me këtë të dërguar, Kryesia e Akademisë do t’i përgjigjet me një konflikt të ri të interesit: me pranimin e Arsim Bajramit anëtar Akademie edhe pse ai është deputet i ngarkuar edhe me një varg detyrash të tjera qoftë në Kuvendin e Kosovës, qoftë në Partinë Demokratike të Kosovës, qoftë në një varg fakultetesh, ku e shpjegon “drejtësinë” e sotme demokratike në Kosovë e në Shqipëri!
Po të lodhej për konfliktin e interesit Klani preshevar në fjalë nuk do ta bënte “përkthyese” të vet pikërisht një banore të Luginë së Preshevës dhe nuk do ta privatizonte banalisht edhe Katedrën e Kimisë, Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare me farefis të vet, bija e dhëndurë të grupit të sipërpërmendur!
7.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe vazhdon të mospajtohet me refuzimin e ASHAK-ut që të bashkëpunojë me Institutin Albanologjik të Prishtinës, për çka është protestuar sa e sa herë si në Institut ashtu edhe më gjerë. E refuzon udhëheqja e Akademisë këtë bashkëpunim për hir të interesave afatgjata personale, të personave të Klanit preshevar, por edhe për të keqen shkencore, artistike, kulturore dhe politike të Kosovës!
NË TË NJËJTËN KOHË KRYETAR I ASHAK-UT DHE KRYETAR I KUVENDIT TË KOSOVËS
8.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar me rizgjedhjen e Nexhat Dacit kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, jo vetëm pse ai nuk ka cilësi shkencore për të qenë anëtar, prandaj as kryetar i Akademisë, por edhe pse në të njëjtën kohë ishte edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, i vendosur në atë pozitë në bazë të vendimit të kryetarit të LDK-së, fqinjit të tij të parë, Ibrahim Rugova. Në atë mbledhje zgjedhore iu thashë kolegëve akademikë: është jo vetëm jodemokratike, është jo vetëm joligjore, por edhe qesharake që kryetari i Kuvendit të një vendi, në këtë rast i Kosovës, të zgjidhet njëkohësisht kryetar i Akademisë. Këso zgjedhje, kolegë, historia nuk ka shënuar as në komunizmin sovjetik, as në demokracinë evropiane a amerikane, as në feudalizmin mesjetar.
Kot! Të gjithë akademikët votuan për të! Mbas votimit të tillë u thash kolegëve: këtë turp të Akademisë sonë do ta ndreqin përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Dhe, e ndreqën. Mbas disa muajsh ata e shkarkuan Nexhat Dacin nga detyra e kryetarit të Akademisë dhe, për shkak të sjelljeve të tij skandaloze dhe korruptive, për çka është shkruar mjaft në gazetat tona, e shkarkuan edhe nga detyra e kryetarit të Kuvendit. Kur ndodhi shkarkimi i urdhëruar i Nexhat Dacit prej detyrës së kryetarit të ASHAK-ut, iu drejtova kolegëve të mi në Kuvendin e ri zgjedhor: si po shihni, kolegë të dashur, ndodhi ajo që ua kam thënë unë – Nexhat Dacin e shkarkuan të tjerët prej detyrës së paligjshme që ia dhuruat ju! Nuk e di a e ndieni veten sadopak të penduar dhe sadopak të turpëruar për atë zgjedhje të paligjshme dhe kundërdemokratike!
Reagimi im i këtillë ndaj shkarkimit të Nexhat Dacit nga detyra e kryetarit të ASHAK-ut nuk do të kalojë, natyrisht, pa fyerje që do të më bëhet prej një pjesëmarrësi në mbledhjen e Kuvendit – prej kryetarit të tanishëm të ASHAK-ut, të vetëportretizuar besnikërisht në 55 pyetjet.
9.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me gjykimet e kohëpaskohshme inferiore që kanë shprehur dhe vazhdojnë të shprehim disa pjesëtarë të udhëheqjes partiake LDK-iste të ASHAK-ut për bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në një prej mbledhjeve të Kuvendit të ASHAK-ut, menjëherë pas Luftës çlirimtare të UÇK-së, unë pata propozuar: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të bënte mirë që t’i propozonte Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që të krijohet një Këshill i përbashkët i dy akademive tona, i cili do të merrej si me hartimin e Programit të veprimtarisë kërkimore shkencore dhe profesionale njëvjeçare të akademive ashtu edhe me hartimin e Programit shumëvjeçar dhe të merret me hartimin e këtyre programeve për dy arsye kryesore: e para që të caktohen me program prioritetet kërkimore shkencore dhe profesionale të të dy akademive dhe, e dyta, që të mos përsëriten të njëjtat punë kërkimore shkencore dhe profesionale në Shqipëri e në Kosovë.
Janë, u pata thënë, edhe disa çështje të tjera, me të cilat mund të merret ky Këshill i përbashkët i dy akademive, dhe këto janë hulumtimet e përbashkëta në arkivat e shteteve ballkanike, përzgjedhja me kritere më të sigurta kombëtare të kandidatëve që do të propozohen e që do të zgjidhen anëtarë të Akademive tona. E të tjera. Reagimi i disa anëtarëve të Kryesisë së Akademisë ndaj këtij propozimi ishte vrazhdë refuzues.
PRODHUESIT E URREJTJES BRENDAKOMBËTARE
E dija atëherë dhe e di sot se më përpara se dy akademitë tona të bashkohen në Kosovën e bashkuar me Shqipërinë, duhet të formohet Këshilli i përbashkët që kam propozuar menjëherë pas Luftës sonë çlirimtare. Por, nuk mendoj se kundërshtimi i krijimit të këtij Këshilli do të shuhet. Jo. Kundërshtarët e këtij Këshilli përbëjnë sot Grupin ideologjik brenda ASHAK-ut, i cili me veprimtarinë e vet nëntokësore e mbitokësore nxit propagandën e disa vetjeve, disa medieve të shkruara dhe disa medieve elektronike për ndryshimin e bazës së gjuhës së njësuar kombëtare letrare, domethënë për krijimin e gjuhës së veçantë standarde të Kosovës shtet, në njërën anë dhe për krijimin e kombit të veçantë kosovar, në anën tjetër!
Nuk ka dyshim se si kjo ideologji feudale ashtu edhe propaganda e saj, që tashmë kanë filluar të prodhojnë, siç po shihet e po shkruhet kur e kur, një shovinizëm brendakombëtar, ani ku se, në kryeqytetin e Kosovës demokratike, sado të përkrahura, ndoshta edhe të stimuluara prej disa qendrave ballkanike dhe evropiane, do të shuhen, pa dyshim fort të komprometuara dhe do t’i bëjë të shuhen ashtu populli shqiptar i Kosovës, në shpirtin e të cilit nuk është shuar kurrë ideja e madhe për bashkimin me Nënën Shqipëri ashtu siç nuk është shuar kurrë kjo ide e madhe as në shpirtin e Shqipërisë.
I ftoj lexuesit, e ftoj Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë për Arsim, Shkencë e Teknologji të Kosovës që të zgjedhin: e duan ASHAK-un pa dukuritë, shkeljet e ligjit, falsifikimet, shpërdorimet, korrupsionin, privatizimet e familjarizimet në institucionet e uzurpuara, zgjedhjet e anëtarëve të ASHAK-ut duke u bazuar në përkatësinë e tyre partiake, zgjedhjet korruptive duke rënë në konflikt të interesit, zgjedhjet e zyrtarëve të Rrahman Morinës e të Millosheviçit, refuzimin e bashkëpunimit me Institutin Albanologjik, mentalitetin primitiv feudal dhe politikën e mëhallës në ASHAK, që kritikon Rexhep Qosja apo ASHAK-un me këto dukuri izoluese, feudaliste, komprometuese, shkatërruese të tij, që përkrah Pajazit Nushi me punëdhënësit e tij të Klanit preshevar!
MENTALITETI FEUDAL DHE POLITIKA E MËHALLËS
10.
Ta përfundoj këtë shkrim duke cituar e, mandej, duke thënë pak fjalë për të, paragrafin përmbyllës me të cilin pedagogu dhe psikologu Pajazit Nushi e përfundon shkrimin e nënshkruar dora vetë! Dhe kjo fjali fatale është:
“Raportet e individëve të ASHSH-së me individë e grupe joformale, kudo që të jenë janë çështje të tyre, por në raportet me ASHAK-un është e nevojshme të evitohen sjelljet emocionale, mësimet ideologjike etj. ndaj Akademisë sonë dhe udhëheqjes së saj, mbi bazë të superioritetit të rremë dhe përgjithësisht të sjelljeve paternaliste, të cilat e rrezikojnë seriozisht raportin e bashkëpunimit, për çka ASHAK-u nuk mund të mbajë përgjegjësi”!!!
Kjo fjali me përmbajtje antikombëtare, që e prodhojnë si mentaliteti dhe politika e mëhallës, ashtu edhe mendja vetanalizuese dhe vetëpërshkruese e autorit të 55 pyetjeve, tregon qartë se sa pak, se sa aspak e dëshiron bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Grupi i akademikëve inferiorë që predikon kur belbëzueshëm e kur zhurmueshëm krijimin e kombit kosovar dhe të gjuhës së tij standarde gegërishte! Është e sigurt se fjalia e sipërcituar nuk e shpreh disponimin e numrit më të madh të akademikëve të ASHAK-ut në lidhje me bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Dhe, nuk e shpreh disponimin e tyre sepse ata nuk ndihen inferiorë afër kolegëve të tyre nga Shqipëria siç po shihet se ndihen anëtarët e Grupit në fjalë.
Jam takuar shumë e shumë herë dhe kam biseduar më gjatë a më shkurtër me numrin më të madh të studiuesve, të shkrimtarëve dhe të krijuesve të tjerë shqiptarë nga Shqipëria shtetërore. Jam takuar dhe kam biseduar në Shqipëri e në Kosovë me figurat e shquara intelektuale shkencore, letrare e artistike: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Arben Puto, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Kristo Frashëri, Luan Omari, Ylli Popa, Eduard Sulstarova, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Vehbi Bala, Zija Xholi, Myzafer Korkuti, Myzafer Xhaxhiu, Jup Kastrati, Jorgo Bulo, Pëllumb Xhufi, Stefanaq Pollo, Mentor Petrela, Jorgji Gjinari, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Anastas Dodi, Emil Lafe, Mehmet Çeliku, Seit Mansaku, Ali Xhiku, Enver Hysa, Floresha Dado, Ethem Lika, Gjovalin Shkurtaj, etj.; jam takuar dhe kam biseduar më shkurt a më gjatë me figurat e shquara politike të Shqipërisë, shumica e të cilëve janë edhe figura të shquara intelektuale e krijuese: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Fatos Nano, Kastriot Islami, Neritan Ceka, Ethem Ruka, Petro Koçi, Preç Zogaj, Sabit Brokaj, Fatos Klosi e të tjerë. Dhe kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë çast, asnjëri prej tyre nuk ka provuar të ndikojë “ideologjikisht” në mua, asnjëri prej tyre nuk ka treguar “superioritet të rremë”, si thotë Pajazit Nushi, a superioritet të vërtetë ndaj meje e, jam i sigurt, as ndaj ndonjë shqiptari tjetër të Kosovës.
Jo. Intelektualët dhe politikanët e Shqipërisë, qoftë edhe Sali Berisha i hallakatur, kudo e kurdo tregojnë mirësjellje dhe modesti të theksuar ndaj nesh, shqiptarëve të Kosovës, që është virtyti gjithnjë i dukshëm i kulturës së tyre dhe i bashkëbisedimit të tyre me të tjerë – shqiptarë a jo shqiptarë. Unë mund të them se prej tyre, sidomos prej baballarëve të historisë dhe të kulturës shqiptare, kam mësuar shumë edhe si drejtor i Institutit Albanologjik, edhe si studiues shkencor a krijues letrar. Dhe për këtë u jam mirënjohës përjetë. Ata, të gjithë, qoftë studiues, qoftë shkrimtarë, qoftë krijues të tjerë, qoftë politikanë, qoftë publicistë, qoftë gazetarë janë vetje me kulturë të gjithanshme, me dije enciklopedike, me qytetari përshtypjebërëse, me dhunti të jashtëzakonshme shkrimi e gojëtarie.
I kemi dëgjuar si flasin në tubime shkencore, i kemi dëgjuar dhe po i dëgjojmë si flasin në institucionet shkencore, kulturore dhe politike, qoftë meshkujt, qoftë gratë. Fjalimet e tyre, diskutimet e tyre janë shprehje e një gojëtarie të mrekullueshme me shumë dije, me shumë erudicion historik dhe kulturor. Dhe, e gjithë kjo është e kuptueshme. Shqipëria është shtet tani e njëqind vjet dhe gjatë këtyre njëqind vjetëve ka pasur kohë e mundësi që të krijojë klasën e lartë politike dhe klasën e lartë intelektuale: mendoj të lartë me kulturë, me dije, me dhunti të jashtëzakonshme gojëtarie. Dhe, kjo ne nuk duhet të na dëshpërojë, siç e ka dëshpëruar dhe kompleksuar udhëheqjen LDK-iste dhe lokaliste të ASHAK-ut. Kjo ne duhet të na gëzojë, shumë të na gëzojë. Dhe kjo lartësi e tyre intelektuale, mendore, kulturore, politike nuk duhet të na bëjë të trillojmë “superioritetin e rremë dhe përgjithësisht sjelljen paternaliste” të tyre.
Jo. Këtë frikë prej superioritetit të tyre jo të rremë po real, objektiv, shumë qartë të dukshëm, mund ta vuajnë vetëm ata që e kanë shkruar dhe nënshkruar fjalinë e sipërcituar kundërkombëtare, ata të cilëve inferioritetin shkencor dhe, në përgjithësi, kulturor, nuk mund t’ua kompensojnë pozitat në Kryesinë e shtëpisë së tyre private të quajtur ASHAK! Unë dhe, jam thellësisht i bindur, numri më i madh i shqiptarëve të Kosovës e çmojmë, e lakmojmë dhe e duam atë superioritet shkencor, letrar, artistik, publicistik, kulturor, politik, qytetar dhe televiziv të vëllezërve tanë në Shqipëri.
Dhe, e duam, dhe e lakmojmë, dhe e çmojmë duke bërë përpjekje që ta arrijmë: që ta arrijmë duke tejkaluar kufizimet që zhvillimit tonë ia kishte vënë pozita e pakicës së shtypur kombëtare gjatë njëqind vjetëve në Jugosllavinë një kohë mbretërore e mandej socialiste, por gjithnjë kërcënuese, shtypëse e nënçmuese ndaj nesh.
Rexhep Qosja
Komenti im artikullit të Aurel Dasareti-t
nga Prof. Bejtullah Sadiku
“Për mua është më e mirë një liri e rrezikshme, se sa një robëri e qetë”
Jean Jacques RousseauTitull metaforik i Analizës: “A është gabim ta duash vendin dhe kombin tënd” . Aurel Dasareti
Kjo flet për një atdhedashuri të çeliktë, që s’ka fuqi që mund ta ndal atë që për aq sa e donë vendin e vet, për aq shumëfish është në gjendje edhe ta mbron. Andaj edhe me shumë qartësi metaforike ia bënë të qartë armikut dhe kundërshtarit se: “…Dhe, mos provo edhe njëherë të provokosh shqiptarët ta duan ose të mos e duan kombin dhe vendin e vet, përndryshe…unë do buzëqeshi gjithë rrugës për në funeral”.
Kjo flet se: do mposhtesh, do humbësh, do zhdukesh. Pse? Sepse unë jam me moral më të fuqishëm, sepse mbroj pragun e shtëpisë, sepse i dal zot vendit tim, sepse padrejtësisht sulmon kombin tim, sepse…sepse e dua lirinë e vetit dhe të vendit tim. Andaj,ndryshe kjo flet se: sulmuesi është gjithmonë humbës, kurse mbrojtësi fitues.
Historitë luftarake, (për të cilat shpesh ka folur e shkruar ztr. Aurel Dasareti, që është edhe ekspert i këtyre fushave e lamive), kanë treguar se: liria asnjëherë nuk dhurohet, por ajo fitohet dhe mbrohet. Kur kanë qenë në pyetje të cenuarit e lirisë dhe të drejtat e kombit dhe vendit, populli shqiptarë gjithmonë ka qenë unik, i fortë dhe i pa thyeshëm. U ka bërë ballë të gjitha llojeve të luftërave, si ato guerile, frontale dhe speciale.
Kur të bëhemi unik në paqe sikurse edhe në luftë, atëherë vërtetë do ishim një popull i ndritur, si shembull edhe i civilizimit evropian, ngase ashtu e kështu, historikisht jo se veç jemi, por i kemi dhënë pjesën e civilizimit po kësaj Evrope që nga koha e Skënderbeut, ku e cila, nëpër etapat e ndryshme historike del PRO et CONTRA.
E keqja e një trashëgimisë së keqe tek shqiptarët është ajo se, luftën e paqes, të zhvillimit dhe ndërtimit të vendit, e bëjnë disi të çakorduar, të dezorientuar dhe të pa artikuluar e të mbushur me plot bajraktarizëm, nepotizëm, grupime fisnore etj., sa që dalin jashtë vetëdijes së shëndoshë, se vendi edhe me luftën e fituar del i shkatërruar, kurse në liri dhe paqen fituar duhet atë ndërtuar, zhvilluar e përparuar.
Një gjë e këtillë e shtrembërimeve historike, ndodhin edhe sot e kësaj dite nga historian e pseudo shkencëtarë të profileve e orientimeve të tyre të ndryshme, ku ndodh që të gjejnë mbështetje aty këtu edhe nga ndonjë X apo Y shqiptarë, duke shfrytëzuar naivitetin e tyre marionetë për interesa të ngushta personale. Por, falë shkencës së mirëfilltë kombëtare shqiptare të nivelit të shëndosh kombëtar, këto anomali kritikohen dhe llogariten si anti shkencore, duke ndryshuar më vonë qëndrimet dhe tezat e tyre me kundra librat që i shkruajnë edhe kundër librit të vet të parë për këtë çështje.
Kjo anomali do zhduket njëherë e përgjithmonë, vetëm atëherë kur edhe do arrihet zhvillimi ekonomik, punësimi, standardi jetësorë përafërsisht me atë evropian. Me këta të arritura do ndalet vjedhja, korrupsioni, nepotizmi, migrimi, asimilimi e tjetërsimi i kombit tonë, që për momentin e kemi të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Evropës, Amerikës, Australisë e shumë e shumë vendeve tjera në botë. Kështu ishte para njëqind vitesh, po kështu s´duhet mbetur edhe në shek. XXI.
Mbi të gjitha, ndaj kombit dhe çështjeve kombëtare duhet mbetur përgjegjësia kombëtare ndaj vendit dhe atdheut. Këtë përgjegjësi e kemi të gjithë, por në veçanti obligim e kanë prijësit udhëheqës, nën moton: të mendojnë, praktikojnë dhe zbatojnë reformat e projektuara të zhvillimit dhe ndërtimit në të mirë të vendit.
Ekzistenca, skamja, papunësia etj. etj. bëjnë trysni në masë, e dezorientojnë atë sa që të sillet edhe jashtë normave e rregullave shoqërore e ligjore, herë këndej e herë andej, dil nga një parti-lëvizje e hyrë në tjetrën, mbështet një udhëheqës e dil kundër. Kjo bëhet mu nga ajo që thuhet “skamje” e që “shërohet” në raport me ofertën dhe kërkesën e lekëve ma shumë e më pak, që kushtëzon dhe determinon sa lëvizjen po aq edhe vetë rejtingun individual e partiak, që ngrihet ose pikon kundruall tjetrës si diçka të pa pritur.
Këto janë raportet konstruktive e destruktive të shoqërisë edhe tonën shqiptare, që akoma vuan dhe ngec në këtë raport e aspekt, dëmi i së cilës më së shumti ndihet në shpinën e shumicës popull. Këto janë ato elementet e krenarisë dhe jo krenarisë të shqiptarëve, për të cilën flet imtësisht në analizë edhe vetë Aurel Dasareti. (lexo Analizën, ku e njëjta është botuar në shumë gazeta e mjete prestigjioze elektronike)
Në këtë Analizë, Aureli flet konkretisht edhe për “identitetin kolektiv” dhe “identitetin individual”. Lidhur me këtë dëshiroj të them edhe këtë: se, ne për të ruajtur këtë identitet, duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm ndaj ca kompetencave, sa kombëtare, po aq edhe shtetërore, sa shoqërore, po aq edhe ligjore, sa ekzistenciale, po aq edhe zhvillimore, sa evolutive, po aq edhe progresive etj. etj., ku me vetëdije të lartë dhe shumë parimore, të nderojmë dhe respektojmë në të mirë të të gjithëve.
Me koncepte të këtilla, jo vetëm se mund të mbrohen vlerat pozitive, por ato vlera mund edhe të ndryshohen, shtohen dhe zhvillohen. Leverdia, dobia dhe interesi do jetë dhe takoj gjithë neve, kombit, shoqërisë dhe vendit.
Në këtë analizë, Aureli flet edhe për raportet ndërpartiake, duke dhënë sqarime shumë konstruktive e në mënyrë shumë korrekte ku thotë: “shteti duhet të jetë mbi pushtetin”Qartë. Por deri më sot nga tranzicioni i pluralizmit demokratik, intencat dhe tendencat kanë qenë në anën e kundërt, me dëshirë që “luftën për pushtet ta ngrenë e rrisin mbi shtet” (vrj.ime) gjë e cila është vërtetuar brenda këtyre njëzetë vjetëve që është tentuar të bëhet kjo edhe përmes dhunës, vandalizmit e metodave tjera, vetëm e vetë me marr pushtetin e me dominuar mbi shtetin. Ky ndërrim pozicionesh u bë disa herë, me formulën humb-fito dhe fito-humb, duke harruar se janë pjesë përbërëse e të njëjtit shtet, o u bënë
të “parët e dytë o të dytët e parë” (vrj.ime)
Koha është që edhe kjo vetëdije negative të eliminohet e çrrënjoset nga truri ynë. Acarimi i mëtejshëm i raporteve të dhunshme e në veçanti mosrespektimi i njerëz kundrejt palës tjetër si shqiptarë, pasojat mund të na vazhdojnë si afatgjata, sa që vështirë do të sanohen, eliminohen e shërohen, ku vendin në vend ta çojmë një hap përpara, ne kthejmë dy hapa prapa. Shporta ekzistenciale, në vend të mbushet ajo na përgjysmohet e shprazët. Tani pasojnë revoltat e ndryshme sociale, sa që si pasojë hanë edhe koka të bijve të vet.. Kështu raste patëm dhe të përsëritura gati në të gjitha viset e trojeve shqiptare, ku për teke të interesave të ngushta u viktimizuan pa nevojë e arsye, duke harruar se edhe ata i takonin të njëjtit vend, komb e shtet, pos atij dallimit minimal partiak, i cili dallim ishte normë e rregullave demokratike, kush si donë edhe le të anon apo voton..
Sot nuk ka nevojë me u bërë marionet orthodoks partiak, por as makijavelist i përbetuar!
Respekt!