Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Pyetje rreth virusit Zika

virusi zikaOrganizata Botërore e Shëndetësisë po përpiqet të zgjidhë problemin me virusin e Zikës që po përpahet me shpejtësi më mbarë Amerikën Latine dhe Karaibe. Virusi është i lidhur me difekte në lindje, dhe tek të rriturit shkakton një lloj paralize. Ekspertët kanë shumë pyetje të papërgjigjura, ashtu si edhe qytetarët e thjeshtë që folën me Zërin e Amerikës.

Aspekti më alarmues i virusit Zika është ndoshta lidhja me mikrocefalinë, foshnjet e lindura me anomali në kokë dhe tru.

Virusi po qarkullon në Amerikën Latine dhe Karaibe, por edhe njerëzit që folën me Zërin e Amerikës në Uashington janë të shqetësuar.

“Linda vitin e kaluar, në qershor dhe jam e shqetësuar si nënë,” thotë Lisa Ortiz.

“Kam shumë anëtarë të familjes, motra dhe kushërinj që mund të ndikohen negativisht nga virusi kështu që jam sigurisht e shqetësuar,”thotë Toney Rogers.

Disa mjekë thonë se kanë gjetur virusin Zika në trurin e foshnjeve që kanë vdekur pak pas lindjes.

“Nuk e dimë nivelin e lidhjes, nëse është rastësi, nëse virusi plus diçka tjetër ka rezultuar në mikroqefali, nëse Zika vepron me diçka tjetër ose nëse nuk është e lidhur fare me virusin. Nuk e dimë me siguri,” thotë Dr. Anthony Fauci.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se do të duhen disa javë të tjera për të pare në se ka lidhje. Agjencia thotë gjithashtu se një test për Zikën do të jetë i mundur së shpejti dhe gara ka filluar për të krijuar një vaksinë.

Virusi transmetohet nga një person tek tjetri kur një mushkonjë pickon një të infektuar dhe më pas pickon dikë tjetër.

Njerëzit kanë pyetje lidhur me simptomat. 80 përqind e të prekurve nga virusi nuk kanë simptoma.

“Mes 20 përqindshit që shfaq simptoma, ato janë të lehta si urtikarje, sy të skuqur dhe temperaturë”, thotë John Michaud me fondacionin Kaiser Family.

Por cila është mundësia e përhapjes së virusit? Zika filloi në Uganda, por nuk duket të ketë shkaktuar mikrocefali aty. Por nëse kthehet përsëri në Afrikë nga Brazili, askush nuk mund të thotë cili do të jetë rezultati.

“Duhet të marrim masa parandaluese. Nuk i dihet sa shpejt mund të përhapet virusi.”

Këtë thonë edhe ekspertët.

“Nuk dua ta them pork am frikë se është e vërtetë: nuk kemi informacion të mjaftueshëm ende për t’u përgjigjur shumë prej këtyre pyetjeve që vijnë.”

Tek Zëri i Amerikës ne do të vazhdojmë të japim informacione rreth virusit Zika ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të zbulojnë misterin e tij dhe ndërsa zhvillohen analiza dhe vaksina kundër tij. (voa)

Turqia deklaron identifikimin e atentatorëve në Ankara

Disa orë pas sulmit me pasoja të rënda ndaj ushtrisë në Ankara u identifikua atentatori: një kurd nga Siria. Edhe të tjerë bashkëveprues janë identifikuar. Në juglindje të vendit pati një tjetër sulm ndaj ushtrisë.

sulmi ne AnkaraKryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu në një fjalim në televizion deklaroi, se atentatori, një 23 vjeçar sirian, është identifikuar si anëtar i milicisë kurde siriane. Ky grup në bashkëpunim me luftëtarët e partisë së ndaluar kurde PKK ka organizuar sulmin kamikaz ndaj një autokolone të ushtrisë, si pasojë e të cilit të mërkurën (17.02) gjetën vdekjen 28 vetë dhe mbi 60 të tjerë u plagosën. Nëntë të dyshuar janë arrestuar në Ankara.

Davutoglu bën thirrje për luftë kundër milicëve kurdë YPG

Sulmi tregon, se milicia YPG është një organiatë terrosite, tha Davutoglu. Ai pret nga aleatët e Turqisë një veprim të përbashkët kundër kësaj milicie. Kjo ndërkohë mbështetet nga SHBA dhe konsiderohet si njësia më e fortë rebele në Siri, që nuk renditet ndër grupet islamiste si milicia e terrorit IS.

Kryeministri turk Davutoglu akuzon kurdët e Sirisë dhe të Turqisë, se kanë kryer atentatin. Më parë gazetat pro-qeveritare “Yeni Safak” dhe “Sabah” njoftuan, se atentatori i pandehur është identifikuar përmes shenjave të gishtërinjve. I dyshuari, emri i të cilit nuk përmendet në media, ka ardhur me sa duket me refugjatët në vendin fqinj turk. Gjatë kalimit të kufirit atij i janë marrë shenjat e gishtërinjve.

Kurdët e mohojnë implikimin në atentat

Shefi i partisë kurde sirianre PYD, Saleh Muslim, i përgënjeshtroi prerazi akuzat e qeverisë turke. Kurdët e Sirisë nuk janë të implikuar në asnjë formë në sulmin në Ankara, theksoi ai. Ai i cilësoi të gabuara njoftimet, sipas të cilave luftëtarët e milicisë YPG kanë sulmuar objektiva në Turqi. “Ne nuk e shohim Turqinë si armike”, tha Saleh Muslim.

Edhe komandanti i PKK Cemil Bayik u distancua nga atentati. “Ne nuk e dimë, se kush e ka bërë këtë”, deklaroi ai.

Forcat e rendit kërkojnë përforcime pas atentatit. Siç bëhet e ditur më tej, automjeti, që është përdorur për atentatin, është marrë me qira para dy javësh në qytetin turk Izmir. Atentatori e ka aktivizuar bombën, kur një autokolonë ushtarake kish ndaluar në semaforin e kuq. 30 të plagosur ndërkohë po trajtohen në spital.

Sulme ndaj pozicioneve të kurdëve në veri të Irakut

Pas sulmit kamikaz të mërkurën (17.02) avionët luftarakë të Turqisë bombarduan pozicionet e dyshuara të PKK në veri të Irakut. Sipas ushtrisë në shënjestër të bombardimit ishin objektiva në rajonin kufitar Haftanin. Presidenti Rexhep Taip Erdogan theksoi, se lufta kundër terrorit do të vazhdohet edhe më me vendosmëri. Turqia do të veprojë konform “së drejtës së saj për vetëmbrojtje”.

Sulm i ri ndaj ushtrisë

Në juglindjen e Turqisë të banuar kryesisht prej kurdëve, ku ushtria i kundërvihet ashpër PKK-së, është kryer një sulm tjetër ndaj forcave të armatosura. Në shënjestër ishte sërish një autokolonë ushtarake. Të paktën gjashtë vetë gjetën vdekjen dhe disa të tjerë u plagosën. Shpërthimi ndodhi në një autostradë mes Diyarbakirit dhe qarkut Lice. (dw)

SHBA: Trump thellon epërsinë mes republikanëve

gara presidenciale republikanetNë Shtetet e Bashkuara, një anketë e re e publikuar sot tregon se biznesmeni Donald Trump e ka shtuar epërsinë ndaj kandidatëve të tjerë republikanë presidencialë, në garën për të marrë emërimin e Partisë.

Sipas anketës së Universitetit Quinnipiac, Trump gëzon një mbështetje prej 39 për qindsh, i pasuar nga senatori i Floridës Marco Rubio me 19 për qind; ndërsa në vend të tretë në garën e republikanëve është senatori i Teksasit Ted Cruz, me 18 për qind mbështetje.

Në anketën e mëparshme të Universitetit Quinnipiac, më 5 shkurt, Donald Trump e udhëhiqte garën e republikanëve, me një mbështetje prej 31 për qindsh. Por ai i fitoi me lehtësi zgjedhjet paraprake të Nju Hempshërit javën e kaluar dhe dy republikanë u larguan nga gara.

Në frontin e demokratëve, anketa e re nuk sjell ndonjë ndryshim: ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton gëzon një mbështetje thuajse të barabartë me senatorin e Vermontit Bernie Sanders, i cili gjithashtu arriti një fitore të konsiderueshme në zgjedhjet e Nju Hempshërit. (voa)

Pengesat për anëtarësim në BE të Bosnjës

bosnjaBosnje-Herzegovina aplikoi këtë javë për të hyrë në Bashkimin Evropian – shteti më i ri i ish-Jugosllavisë që kërkon të ardhmen e tij në këtë bllok. Megjithëse kjo është mirëpritur në Sarajevë dhe Bruksel, përpara ka pengesa të shumta.

21 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, udhëheqësit e vendit kanë premtuar të punojnë drejt një të ardhmeje në Bashkimin Evropian.

“Ky do të jetë viti i reformave të rëndësishme në Bosnje-Hercegovinë dhe ne besojmë se nuk do të ndalemi në këtë rrugë, sepse duam të arrijmë atë që kanë bërë fqinjët tanë”, thotë Dragan Çoviç, kryetari kroat i Presidencës së radhës.

Diplomatët e Brukselit e mirëpritën aplikimin e Bosnjes për anëtarësim.

“Duke pare energjinë dhe gatishmërinë e fqinjit tone për t’u bashkuar dhe punuar fort për të përshtatur shoqërinë, ekonominë, institucionet dhe sistemet me standartet evropiane, kjo na jep një ndjenjë përgjegjësie që edhe ne kemi për qytetarinë e  Bashkimit Evropian”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Të dyja palët e pranojnë se anëtarësimi i Bosnjes në BE është disa vite larg, thotë analisti James Ker-Lindsay.

“Ka patur përmirësim në disa zëra, por ka ende shumë gjëra që janë bërë gabim në atë vend. Mendoj se Bashkimi Evropian e sheh këtë si një mundësi të mire për të çuar përpara procesin e pajtimit.”

Në Sarajevë, lajmi i aplikimit të Bosnje-Hercegovinës u përshëndet me entuziazëm.

“Pa dyshim, mendoj se zgjidhja për të gjithë njerëzimin është bashkimi, jo ndarja. Për këtë arsye, mendoj se ky është një hap i madh për ne,”thotë Nexhla Sehiç, banore e Sarajevës.

Por ka edhe skeptikë.

“Me mentalitetin tonë dhe me politikanët tanë, nuk do t’a arrijmë ditën për t’u bashkuar me BE-në”, thotë Bajazit Sosiç, banor i Sarajevës.

Sipas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, administrata e vendit u nda në Federatën e Bosnje-Hercegovinës me shumicë kroate dhe myslimanë boshnjakë, dhe Republikën Srpska, me shumicë serbe.

Ky sistem do të duhet të ndryshojë, nëse Bosnja dëshiron të bashkohet me BE-në, thotë analisti Ker-Lindsay.

“Ajo që po ndodh është se, përshembull, komuniteti boshnjak kërkon të centralizojë sa më shumë pushtetin. Atyre nuk u pëlqen që serbët e Bosnjes kanë entitetin e tyre. Ndërkohë serbët e Bosnjes ruajnë me xhelozi pushtetin që kanë dhe nuk duan ta lëshojnë edhe nëse është fjala për hyrje në BE.”

Më shumë se një milion boshnjakë u larguan nga vendi gjatë luftës. Ndërsa Evropa përballet me krizën e refugjatëve, diplomatët në Bruksel e shohin aplikimin e Bosnje-Hercegovinës si një afirmim të parimeve themelore të bllokut për paqe dhe ripajtim. (voa)

Pranimi pa kufi i refugjatëve i pamundur

Ministri i Jashtëm i Austrisë Sebastian Kurz mbron në intervistë me DW idenë e kufizimit të numrit të refugjatëve. Sipas tij pranimi pa fund i refugjatëve në Evropë nuk do të jetë i mundur.

Ministri austriak KurzDW: Kërcënimi i mbylljes së kufirit nga Austria është kritikuar ashpër në vendet fqinjë të jugut. Vendet paralajmërojnë për një efekt domino. Çfarë u ofroni ju këtyre vendeve?

Sebastian Kurz: Së pari, ne jemi në një shkëmbim intensiv me të gjitha këto vende. Unë e kuptoj se kjo është një sfidë për të gjitha vendet përgjatë rrugës që ndjekin refugjatët. Deri tani këto vende ishin vetëm vende tranzit, dmth. detyra kryesore e tyre ishte për të përcjellë refugjatët sa më shpejt të jetë e mundur nga një kufi në tjetrin. Kjo është shumë më pak e vështirë se sa të jesh vend destinacioni. Ne e dimë këtë shumë mirë, sepse Austria ka qenë deri tani në të njëjtën kohë si vend destinacioni edhe vend tranzit.

Ne pranojmë me kënaqësi këshilla nga të gjithë ata që e japin një kontribut shumë më të madh se sa ne. Problemi është, se ka vetëm një vend në Evropë i cili ka marrë një numër më të lartë refugjatësh për frymë popullsie se sa ne , Suedia. Sllovenia vitin e fundit ka paranuar vetëm 1,000 vetë, fqinjët tanë çekë kanë marrë edhe më pak njerëz, Serbia nuk ka pothuajse asnjë njeri që ka aplikuar për azil, në Kroaci ka pasur, unë mendoj vetëm ca qindra, në Austri, kanë qenë 90.000.

Ajo që përpiqem unë është të arrij mirëkuptim, që ne nuk mund të strehojmë edhe 90.000 vetë dhe se ne duhet të vendosim thjesht një maksimum. Ne jemi të gatshëm që të marrim në vitin 2016, 37.500 vetë që, shumë më tepër se të gjitha vendet përgjatë rrugës së refugjatëve së bashku. Dhe në të njëjtën kohë ne jemi në kontakt të ngushtë me këto vende, pra me kolegët përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor: që gjërat duhet të jenë sa më të koordinuara. Por në qoftë se nuk ka zgjidhje evropiane, atëherë ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër se sa kufizojmë fluksin e njerëzve në Austri.

Këto vendet janë shpallur si vende të sigurta origjine, në të njëjtën kohë shumë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor shprehin shqetësimin se perspektiva e tyre evropiane po bëhet për ta gjithnjë e më të largët. A nuk duhet të bëhet më tepër për t’i integruar këto vende më shpejt dhe më mirë?

Unë nuk shpresoj se perspektiva evropiane po bëhet më e lartë, përkundrazi, Austria është duke bërë çdo gjë të mundshme për t’i mbështetur vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Dhe unë mendoj se kushdo që e njeh zonën, e di se baza për paqen dhe sigurinë në rajon është siguria evropiane. Dhe në qoftë se nuk ka perspektiva të tilla evropiane, do të ketë një zhvillim negativ në rajon. Dhe Gjermania, Austria, ne vendet e Evropës Qendrore, do të jemi ato që do të vuajnë më së shumti prej kësaj.

Vendet e Vishegradit janë duke bërë të gjithë thirrje për t’i mbyllur kufijtë deri në Maqedoni. Çfarë mendoni për këtë propozim?

Ne jemi në bisedime shumë të ngushta me vendet e Vishegradit. Unë besoj se ne kemi luftuar shumë gjatë për një zgjidhje evropiane, por që deri tani të gjitha përpjekjet në drejtim nuk kanë funksionuar. Kështu që ka nevojë për një fillim të ri, dhe sipas mendimit tim, një reduktim i rrjedhës së refugjatëve në Evropën Qendrore, që mbështet edhe nga shtetet përgjatë rrugës ballkanike do të ketë gjithashtu një efekt pozitiv, pra që do të arrijmë në një zgjidhje evropiane.

Fillimisht kjo do të tishte një sinjal për trafikanët, për refugjatët, sidomos për të gjithë refugjatët ekonomikë, që Evropa është e mbingarkuar dhe ne mund të pranojë më asnjë, dhe kjo do të thotë, që më pak njerëz do të nisen për të ardhur këtu. Dhe së dyti jam i bindur që gatishmëria për ndihmë në Greqi do të jetë papritur shumë e madhe, në qoftë se Greqia nuk do të jetë vetëm një vend tranzit ku asnjë refugjat nuk qëndron më gjatë se 24 orë, dhe nëse Greqia sheh se rruga për Evropën Qendrore nuk është më aq e lehtë, siç ishte rasti vitin e kaluar.

Ju doni me këtë ta zhvendosni më përpara kufirin e Shengenit, por a nuk do të hyni kështu fillisht në konflikt me Greqinë, në vend që ta ndihmoni atë?

Ne kemi një vit duke u përpjekur për ta mbështetur Greqinë. Ka pasur oferta të shumta të Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë miratuar. Ka pasur përpjekje të panumërta. Nëse papritur gjehet një zgjidhje, unë jam i pari që do ta duartrokas dhe do të gëzohem së bashku me të gjithë të tjerët. Por për aq kohë sa nuk do të kemi një zgjidhje të madhe, ne nuk mund të presim derisa Austria dhe vendet e tjera të mbingarkohen, por duhet të marrim masa kombëtare. Ne nuk duam, por na duhet ta bëjmë këtë, dhe në anën tjetër është më mirë që të konsultoheni me rajonin se sa të vendosim masa thjesht kombëtare.

Dhe prandaj jo vetëm ne, por dhe vendet e Vishegradit jemi në kontakt të ngushtë me vendet përgjatë rrugës ballkanike për t’u koordinuar mirë në përpjekjet për të zvogëluar fluksin e refugjatëve. Pranimi pa fund i refugjatëve në Evropë nuk do të jetë i mundur.

Sipas mendimit tim, është dhe shumë më të qëndrueshme nëse ndihmojmë në nivel lokal. Dhe ne kemi parë tek shembulli i Suedisë, se çfarë ndodhë në qoftë se një vend mbingarkohet. Suedia e cila ka qenë gjithmonë pararojë në ndihmën për zhvillimin dhe bashkëpunimin, tani u detyrua të shkurtojë fondet e ndihmës për zhvillimin për t’i përdorur paratë për strehimin e refugjatëve në Suedi. Në qoftë se kjo nuk do të kushtonte shumë më shumë se sa për të ndihmuar vendet direkt, kjo do të ishte aq keq. Por meqë me aq para sa duhet për të mbajtur një refugjat në Suedi mund të mbahen 20, 30 apo 40 refugjatë në rajonet nga vijnë ata, kjo nuk është zgjidhje e mirë. Ne duhet të largohemi nga pranimi pa fund i refugjatëve drejt një reduktimt të numrit të tyre.

Sebastian Kurz është prej dhjetorit 2013 ministër i Jashtëm i Austrisë.

Intervistën e zhvilloi gazetarja e DW-së Adelheid Feilcke në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, së bashku me ZDF.

Teknologjia që mbartet në trup

teknologjia orePaisjet elektronike të përditshme po vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësi. Variantet më të reja përfshijnë syze që zmadhojnë realitetin rreth nesh. Ndërsa, paisje regjistruese të aktivitetit tonë sportiv tashmë po përfitojnë opsione të reja dhe jo të gjitha për njerëzit.

Kjo paisje e quajtur Wonderwoof, mund t’i vendoset qenit për të patur një ide për lëvizjet e tij gjatë ditës. Prodhohet me shumëllojshmëri ngjyrash tërheqëse, ndërsa i përçon nga larg të zotit të qenit të gjitha lëvizjet e kafshës besnike.

“Të tregon të gjitha aktivitet e qenit si dhe të ofron mendje të qetë kur jeni larg kafshës tuaj”, thotë Annem Hobson me kompaninë Wonderwoof.

“Solos” janë një palë syze që shfaqin të dhëna të mbledhura nga biçikleta dhe nga vetë çiklisti. Ernesto Martinez është krijues i syzeve Solos.

“Këto syze inteligjente do t’u japin çiklistëve të dhëna të mbledhura në kohë reale duke ua transmetuar vizualisht dhe me zë. Të dhënat për fuqinë, shpejtësinë, ritmin etj. do të shtojnë efikasitetin e trajnimit.”

Ekrani i syzeve “Solos” është me rezolucion të lartë HD dhe shikohet qartë edhe në diell. Ka një bateri të integruar me formë aerodinamike që zgjat për gjashtë orë. Përveç të dhënave të aktivitetit fizik, syzet marrin edhe prej celularit të dhënat për vendndodhjen nëpërmjet GPS-it, si dhe shfaqin mesazhet SMS.

Firma e njohur FitBit ka prodhuar orën e re inteligjente FitBit Blaze, që synon të integrojë sa më shumë opsione që dëshirojnë njerëzit të kenë, ndërkohë që ka lënë jashtë qëllimisht disa opsione që ofrohen nga orët inteligjente të firmave të tjera, si Apple. FitBit përqëndrohet tek aspekti i ushtrimeve fizike dhe ora mund të hiqet dhe të vendoset për t’u përdorur në një tjetër kuadër.

“Është paisje me shumë përdorime. Mund të lëvizet nga rripi dhe të vendoset në një tjetër mbajtëse për t’u shndërruar nga një paisje matëse të ushtrimeve fizike në një paisje që ju shoqëron si aksesor gjatë mbrëmjes që do të kaloni jashtë shtëpisë”, thotë Daniel Shaw with firmën Fitbit.

Firma që prodhon byzylykun “Nex Band” i çon gjërat edhe më tej. Nex Band mund të programohet nga vetë personi për të kryer funksione të ndryshme. Adam Delman është prodhues i Next Band.

“Nuk ka nevojë të jesh programues për ta përshtatur që të kryejë funksione që nga hapja e derës së garazhit, kontrollimin e muzikës që dëshiron të dëgjosh, apo të lajmërojë vetiu miqtë e tu që po shkon për në shtëpi, ose të marrësh lajmet më të fundit për ekipin tuaj sportiv të preferuar.”

Ekspertët tashmë mendojnë se teknologjia që mbartet në trup po ndihmon njerëzit për të lehtësuar mënyrën e tyre të jetesës. (voa)

Koment: Merkeli humbet aleatë

Dy persona që mungonin ndikuan te Konferenca e Sigurisë e Mynihut: Angela Merkel dhe Vladimir Putin. Kancelarja lufton për të mbijetuar politikisht, Presidentin rus kjo e gëzon, mendon Christian F. Trippe.

Merkel PutinJohn McCain është ujk i vjetër në politikë. Republikani nga Arizona u tregon një herë në vit vendin evropianëve dhe e shijon rolin e profetit të fatkeqësive në politikën e sigurisë. Paraqitja e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih është pjesë e traditës popullore transatlantike. Por këtë vit, McCain e nisi fjalimin e tij me një lëvdatë që të tërhiqte vëmendjen, sepse nuk pritej nga goja e tij: ai e falenderoi Kancelaren gjermane Angela Merkel për aftësinë e saj udhëheqëse.

Merkelit i pakësohen aleatët

Ka arritur deri në SHBA lajmi se Kancelarja gjermane ndodhet nën një presion të tillë politik, që asaj mund t’i kushtojë postin dhe amerikanëve një aleate të besuar. Merkeli suvjet nuk ishte në Konferencën e Sigurisë, por fati i saj politik u diskutua edhe në Mynih, ndoshta edhe u vendos.

Fare hapur, kryeministri francez Manuel Valls e bëri të qartë në Mynih se vendi i tij e kundërshton politikën gjermane për refugjatët. Franca nuk ka dëshirë të pranojë refugjatë të tjerë; dhe Parisi kundërshton edhe planin e Merkelit, për të vendosur në mënyrë të detyrueshme në BE një lloj çelësi të shpërndarjes së migrantëve. Me këtë Merkeli humbet edhe shpresën e fundit për një aleat të fuqishëm në çështjen e refugjatëve. Në takimin e nivelit të lartë të BE javën e ardhshme ajo vetëm mund të dështojë.

Diplomaci e pafuqishme në krizën e Ukrainës

Kjo në një kohë kur kriza politike i ka absorbuar asaj kaq shumë energji politike, sa Merkeli – pa u vënë re nga shumë vetë – po humbet edhe në një fushë tjetër nga duart timonin e drejtimit. Dy vjet më parë, kur Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe kur mbështeti me armë dhe luftëtarë një kryengritje separatiste në Ukrainën Lindore, Gjermania mori në dorë drejtimin në diplomacinë e krizës. SHBA ndenjën të tërhequra, Presidenti i SHBA Barack Obama u la përparësi gjermanëve.

Por në dy javët e fundit SHBA po angazhohet gjithnjë e më shumë në krizën e Ukrainës dhe po përpiqet që t’i japi sërish jetë me mjetet e diplomacisë së heshtur së ashtuquajturës Marrëveshje të Minskut. Në negociata të fshehta, amerikanët hetuan te rusët, nëse marrëveshja ka ndonjë shans që të shpëtohet. Sigurisht që Obamas do t’i vinte mbarë një sukses në politikën e paqes në vjeshtën e presidencës së tij. Por kjo ka kuptim edhe më të gjerë: diplomacia gjermane për Ukrainën është bërë e pafuqishme dhe pa substancë muajt e fundit.

Moskës i përshtatet dobësimi i Merkelit

Sa më shumë refugjatë erdhën në Gjermani aq më pak energji politike mund të shpenzonte për tema të tjera Zyra Kancelarore. Në këtë bashkëveprim shumë të dukshëm, disa vëzhgues thonë se shohin një komplot gjigand: Në Siri, bombat e Vladimir Putinit kundër kundërshtarëve të Bashar al- Assadit prodhojnë gjithnjë e më shumë refugjatë, vërshimi i të cilëve drejt Gjermanisë e dobëson Merkelin dhe ndoshta e rrëzon. Gjë me të cilën do të konfirmohej, se Putini si një aktor me kukulla është në gjendje të drejtojë vërshime refugjatësh dhe të vendosë fate kancelarësh. Edhe po të mos mendosh kaq larg, rezultati i analizës nuk është neutral: pa dyshim që Rusisë i intereson dobësimi i Merkelit; por nga ana tjetër, edhe vetë SHBA janë të shqetësuara që kriza e refugjatëve mund të kërcënojë të gjithë projektin evropian dhe në mënyrë akute postin e kancelares Merkel.

Kjo gjendje e ndërlikuar në politikën botërore depërtoi madje deri në sallën festive të Konferencës së Sigurisë. Për shkak të politikës së saj ndaj refugjatëve, Merkelin e kritikon në Gjermani para së gjithash kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer. Ai e qëlloi pas shpine edhe në politikën e jashtme Kancelaren, me vizitën te Putini në Moskë. Kjo vizitë, nga ana tjetër, senatorit John McCain iu duk kaq e pështirë, sa të shtunën në darkë ai nuk e pranoi ftesën e Seehoferit për darkën solemne.(dw)

Si të veprohet me Korenë e Veriut?

Armatimi atomik i Koresë së Veriut u diskutua në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Kina e SHBA kanë të njëjtin qendrim në refuzimin e armatimit atomik. Por nuk kanë të njëjtin mendim si duhet trajtuar regjimi i Phenianit.

korea e veriutSenatori i SHBA, Robert Corker shfrytëzoi një podium për rolin e Kinës në rendin ndërkombëtar për të dënuar mungesën e vullnetit të Pekinit, që të ushtrojë presion ndaj regjimit në Phenian. Së fundi, Koreja e Veriut ndezi në 6 janar një kokë me mbushje bërthamore. Në fillim të shkurtit, Pheniani testoi një raketë të distancave të largëta, e cila zyrtarisht duhet të jetë pjesë e një programi hapësinor. Corker e akuzoi veç kësaj Kinën se dërgon teknikë delikate si në Korenë e Veriut, ashtu edhe në Irak.

Fu Ying, Kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Popullor Kinez i hodhi poshtë kritikat. Njëkohësisht ajo e bëri të qartë pakënaqësinë kineze për mënyrën e veprimit të Phenianit. Kina është rreptësisht kundër këtyre testeve dhe shpreson se Koreja e Veriut do ta ndalojë këtë mënyrë të rrezikshme veprimi, tha ajo. Ajo propozoi që të nisin sërish bisedimet gjashtëpalëshe me Korenë e Veriut. Fu Ying kërkoi njëkohësisht nga SHBA që më në fund të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje me Korenë e Veriut. Që prej vitit 1953 midis të dyja palëve ekziston vetëm një armëpushim, tha Fu Ying. Një marrëveshje paqeje dhe garancia e SHBA se nuk do ta sulmojnë Korenë e Veriut mund të bëjnë që Koreja e Veriut ta ndryshojë qendrimin.

Përparimet diplomatike të domosdoshme

Kevin Rudd, ish-kryeministër i Australisë dhe njohës me emër i Azisë Jugore paralajmëroi për rrezikun e armatimit bërthamor të Koresë së Veriut. Koreja e Veriut zotëron raketa me rreze të shkurtër, me rreze të mesme dhe me rreze të gjatë veprimi. Regjimi ka bërë përparime teknologjike, tha ai. Nëse Koreja e Veriut do të fitojë aftësinë për të kërcënuar aleatë të SHBA në rajon, kjo do të kthehej në një problem të madh sigurie. Këtë Uashingtoni do ta shihte si rrezik fundamental. Rudd paralajmëroi: “Po të mos avancojmë në aspektin diplomatik këtu, mund të përballemi me situata shumë të shëmtuara”.

Senatori Corker u tregua sërish i zhgënjyer me qendrimin e Kinës ndaj Phenianit. Kina kërkon një vend në rendin botëror, por atje ku mund të arrijë me të vërtetë diçka me rëndësi thelbësore, Pekini refuzon të japë kontribut, tha ai. Atje ndodhet çelësi për çtensionimin e programit atomik. Por Pekini nuk dëshiron ta përdorë atë. (dw)

Hooper: Marrëveshja për Sirinë, e dobët

James HooperNjë marrëveshje e dobët mbi Sirinë, për shkak të një qëndrimi të dobët të Shteteve të Bashkuara, shkon në dëm të Kosovës, si aleate e SHBA-së”, thotë James Hooper, drejtor menaxhues i Grupit Publik për Politika dhe të Drejtën Ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, fuqitë e mëdha perëndimore janë pajtuar për ndaljen e armiqësive dhe për të ofruar ndihmë humanitare në Siri. Ju jeni i angazhuar në procesin negociator me opozitën e moderuar në Siri tash e sa kohë. A mund të na jepni vlerësimin tuaj për marrëveshjen e arritur?

James Hooper: Reagimi im i parë është se kjo është një marrëveshje e dobët, flet për ndaljen e armiqësive, të cilat do të fillojnë pas një jave dhe flet për ndihma humanitare në qytetet e bllokuara në Siri, rreth 20 prej tyre, të cilat gjenden nën shtetrrethim nga trupat qeveritare të Assadit.Këto qytete kanë dëshpërimisht nevojë për ushqim, për ndihmë humanitare dhe ilaçe.

Ka shqetësime serioze megjithatë, nga ana e atyre që ofrojnë këto ndihma humanitare, se kjo marrëveshje do të mund të çojë te më shumë vrasje brenda kësaj jave.

Me mbështetjen e fuqishme të Rusisë, forcat qeveritare të Assadit kanë arritur disa suksese në dy javëte kaluara dhe kjo e dobëson opozitën e moderuar. Nëse bisedat vazhdojnë më 25 shkurt, ashtu siç ka parashikuar ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, De Mistura, atëherë opozita në këto bisedime vjen më e dobësuar seç ishte një javë më parë, për shkak të bombardimeve nga Rusia.

Pra, është një marrëveshje e dobët për opozitën, por e fuqishme për qeverinë dhe shkon në dobi të saj në fushëbetejë, pa parashikuar asnjë penallti për Rusinë dhe për Qeverinë e Assadit, të cilët shkaktuan kolapsin e procesit negociator të Gjenevës javën që shkoi.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, Qeveria siriane nuk është përgjigjur ende; ju mendoni se ajo do ta përshëndesë marrëveshjen?

James Hooper: Ka shumë gjasë që Qeveria siriane ta përshëndesë arritjen e marrëveshjes, por pyetja është çfarë do të bëjë ajo në praktikë. Unë besoj se qeveria mbase do të jetë pjesërisht e angazhuar për ta zbatuar marrëveshjen, rëndom ka tendencë që publikisht të përshëndesë arritjen e diçkaje, dhe pastaj të zbatojë pjesërisht cilëndo marrëveshje që arrihet.

Rusia dhe Assadi kanë një qasje të njëjtë; me ta duhet negociuar dy herë. Fillimisht, ata duhet bindur të pajtohen me kushtet e një marrëveshjeje dhe pastaj duhet të negociosh sërish për t’i bindur që ta zbatojnë atë, për të cilën janë marrë vesh.

Pra, mendoj se marrëveshja shkon në dobi të tyre dhe nuk do të ndalë vrasjet. Është ndalje e armiqësive në gjithë vendin, ndonëse vështirë se do të zbatohet në gjithë vendin, dhe është ende e paqartë nëse luftëtarët nga radha e opozitës do ta pranojnë atë.

Radio Evropa e Lirë: “Ndalja e armiqësive” thuhet se do të përjashtojë veprimet kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik, kundër frontit Al-Nusrah dhe organizatave tjera të përcaktuara si terroriste nga Kombet e Bashkuara. Si do të funksionojë kjo në terren?

James Hooper: Rusia ka thënë se ndalja e armiqësive fillon pas një javë, dhe kanë thënë se do të vazhdojnë të sulmojnë dhe bombardojnë “terroristët”. Përcaktimi im i terrorizmit është Shteti Islamik dhe disa grupe të tjera që rreshtohen me të, kurse përcaktimi i terrorizmit për Rusinë është i njëjtë me atë që ka Assadi dhe këtu përfshihen edhe grupet e moderuara, ato të cilat nuk e mbështesin fare IS-in. Dhe, janë pikërisht këto grupe, pothuajse të gjitha, të cilat Rusia është duke i sulmuar tash e sa kohë, që kur përshkallëzuan ndërhyrjet ajrore.

Rusia, pra, ka thënë se do të vazhdojë t’i sulmojë terroristët, që do të thotë se nuk ka asnjë zotim nga ana e Moskës, për të ndalur sulmet ndaj opozitës së moderuar.

Do të doja të shtoja edhe një gjë: kjo marrëveshje është e dobët, sepse Shtetet e Bashkuara janë të dobëta në veprimet e tyre për të ndalur vrasjet në Siri dhe për ta bërë të mundur arritjen e një marrëveshjeje serioze. Si përfundim, një marrëveshje e dobët mbi Sirinë, për shkak të një qëndrimi të dobët të Shteteve të Bashkuara, shkon në dëm të Kosovës, si aleate e SHBA-së.

Është marrëveshje që nuk shkon në favor të të gjithë aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Evropën Lindore, pra një qëndrim i dobësuar i Shteteve të Bashkuara dhe një qëndrim më i fuqishëm i Rusisë, ka ndikime domosdoshmërisht edhe në Kosovë.

Plan i ri për Sirinë

fuqite boteroreFuqitë botërore kanë rënë dakord mbi një plan për t’i dhënë fund armiqësive në Siri, por pa arritur një marrëveshje për armëpushim, një veprim që kërkohet nga opozita siriane për t’i dhënë fund sulmeve ajrore ruse ndaj rajonave të kontrolluara nga rebelët në Alepo. Ministrat e jashtëm të Grupit Ndërkombëtar për Sirinë, gjatë bisedimeve në Munih të Gjermanisë, gjithashtu ranë dakord për shtimin e ndihmave humanitare.

Pas një sërë takimesh dypalëshe, Grupi Ndërkombëtar për Sirinë hartoi një plan për një “ndërprerje të armiqësive” që pritet të hyjë në fuqi pas një jave.

“Është një plan ambicioz, por të gjithë janë të vendosur të lëvizin sa më shpejt që të jetë e mundur për ta realizuar këtë”, tha Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Në një konferencë për shtyp me homologun e tij rus dhe të dërguarin e posaçëm të OKB-së për Sirinë, Sekretari Kerry tha se një marrëveshje armëpushimi do të duhej të kishte fuqi ligjore të cilat nuk është e nevojshme të zbatohen në marrëveshjen për ndërprerjen e armiqësive.

Grupi tha gjithashtu se marrëvesja nuk është e vlefshme për organizatat terroriste, disa prej të cilave, Rusia thotë se veprojnë në afërsi të qytetit të rrethuar të Alepos.

“Periferitë perëndimore të Alepos janë ende nën kontrollin e grupeve Jabhat al-Nusra, Jaish al Islam dhe Ahrar Islamit”, tha Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov

Grupi u pajtua për të zgjeruar përpjekjet për shtimin e ndihmave në Siri, ku kriza humanitare është përkeqësuar si rezultat i bombardimeve të qeverisë siriane të mbështetura nga forcat ruse në Alepo, që kanë detyruar mijëra civilë të largohen drejt kufirit turk.

Disa analistë thonë se duhet të bëhet më shumë.

“Mendoj se çështja e krijimit të zonave të sigurta në Siri duhet të vazhdojë të jetë pjesë e diskutimeve ose të kthehet në tryezë e bisedimeve. Turqia tani ka mbi dy milionë refugjatë nga Siria”, thotë Paul Salem i Insititutit të Lindjes së Mesme.

Disa fuqi botërore nuk e kanë pritur mirë idenë e krijimit të zonave të sigurta. Grupi Ndërkombëtar për Sirinë ka rënë dakord të mbledh një grup pune që do të punojnë për të siguruar një qasje më të madhe humanitare për ata që kanë nevojë.