Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Greqia, në krye një koalicion i radikalëve të majtë dhe të djathtë

Një parti e majtë radikale dhe një udhëheqës 40 vjeçar që është kundër masave shtrënguese ndaj ekonomisë greke siguroi fitore dërrmuese në votimet e djeshme në Greqi, ndaj partisë konservatore Demokracia e Re dhe udhëheqësit të saj, kryeministrit në largim, Antonis Samaras.Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës e bëjnë Alexis Tsipras, udhëheqësin e partisë Syriza, kryeministrin më të ri të vendit në 150 vjet.

Ai është zotuar t’u japë fund politikave disa vjeçare me masa të ashpëra ekonomike për Greqinë. Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve mund ta verë Greqinë në konflikt me BE-në dhe me kreditorët ndërkombëtarë.

Syriza mori dy vota më pak se 151 votat e nevojshme për ta drejtuar vendin e vetme, pa formimin e një koalicioni qeveritar.

Zoti Tsipras tashmë ka siguruar mbështetjen e partisë së krahut të djathtë, Grekët e Pavarur, që me sa duket do ta lejojë atë të formojë me shpejtësi një koalicion qeverisës. Pas shpalljes sot të rezultatit të zgjedhjeve, kryeministri i ardhëm zhvilloi bisedime me Panos Kammenos, udhëheqësi i Partisë së Pavarur Greke.

Partia e krahut të djathtë ka patur pak të përbashkëta me partinë Syriza, por të dyja këto parti kanë qenë kundër paketës ndërkombëtare të shpëtimit për Greqinë, që filloi disa vjet më parë.

Tregjet e aksioneve fillimisht reaguan negativisht ndaj rezultatit të zgjedhjeve të së dielës, por me kalimin e kohës u përmirësuan. Megjithatë, aksionet greke ranë rreth 4 për qind pak pas hapjes së tregjeve financiare.

Euro ra në nivelin më të ulët në 11 vjet, por më pas u ngrit përsëri, duke i rigjallëruar shqetësimet se Eurozona, grupi i vendeve që përdorin monedhën e përbashkët, Euro, mund të shpërbëhet. Ministrat e financave të Bashkimit Evropian takohen sot për të diskutuar mbi ndikimin që mund të kenë zgjdhjet e Greqisë mbi Euron. (voa)

Fitorja e Syrizas shkakton frikë për trazira të reja në eurozonë

Syriza është fituese e qartë e zgjedhjeve në Greqi. Sipas përllogaritjeve ajo ka fituar 149 deri 151 nga 300 vendet në parlamentin grek.Koalicioni i majtë Syriza dëshiron të diskutojë me partnerët evropianë planin e reformave që kërkohen prej Greqisë. Rezultati në zgjedhje është një mandat i qartë për t’i dhënë fund programit destruktiv të kursimeve, tha kreu i aleancës Alexis Tsipras para mijëra mbështetësve të tij në Athinë.
Trojka e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që e kanë shpëtuar Greqinë me 240 miliardë euro nga kolapsi, i takojnë historisë, tha ai, duke shtuar se Greqia do të paraqesë planet e saj të reformave.
Qeveria e re do të punojë për një zgjidhje të përbashkët me donatorët dhe nuk synon grindje destruktive. Qëllimi është që të shërojmë plagët e grekëve të shkaktuara nga kriza dhe për të rivendosur kohezionin social në vend.
Tsipras kishte njoftuar që gjatë fushatës zgjedhore, se nuk do t’i zbatojë reformat për të cilat qeveria kishte rënë dakord me trojkën në këmbim të ndihmës së shpëtimit. Ai dëshiron gjithashtu që të arrijë një falje të borxhit. Në tregjet financiare është kthyer frika prej trazirave të reja në eurozonë.
Përshëndetje dhe paralajmërime
Grupi parlamentar i të majtëve në Parlamentin e BE-së e përshëndeti fitoren e koalicionit të majtë Syriza në zgjedhje në Greqi. “Ky është hapi i parë për të ndaluar politikën varfërisë të elitave politike” tha ky grup të dielën në mbrëmje në Bruksel. Spanja mund ta ndjekë këtë shembull në vijim të këtij viti. Udhëheqësi i Syrizës Aleksis Tsipras do që Greqia të mbetet në eurozonë, tha grupi parlamentar i të majtëve në Parlamentin e BE-së i cili përfshin edhe anëtarë të aleancës së majtë nga Greqia.
Kurse konservatorët në Parlamentin Europian kërkuan respektimin e masave të kursimit dhe zbatimin e reformave për të cilat është angazhuar Greqia. “Evropa është në solidaritet me Greqinë në qoftë se respektohen marrëveshjet e nënshkruara”, tha kryetari i grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber (CSU), të dielën në mbrëmje në Bruksel. EPP është grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian. Taksapaguesit evropianë, nuk janë sipas mendimit të Manfred Weber-it të gatshëm për të paguar për premtimet zgjedhore të shefit të Syrizas Aleksis Tsipras. (dw)

Perëndimi kërcënon Rusinë me sanksione të reja

Presidenti Barack Obama dhe udhëheqësit evropianë po paralajmërojnë për sanksione të reja ndaj Rusisë, pas separatistët pro-rusë ndërmorën një sulm vdekjeprurës me raketë ndaj qytetit port Mariupol të Ukrainës.Në një vizitë shtetërore në Indi, zoti Obama tha se ai do ta rriste trysninë ndaj Moskës, pas sulmit të djeshëm që shkaktoi vdekjen e të paktën 30 vetëve dhe plagosjen e mbi 80 të tjerëve kur raketat goditën një treg dhe godina banimi.

Disa udhëheqës evropianë kishin përmendur së fundmi mundësinë e lehtësimit të sanksioneve kundër Moskës, por Donald Tusk, ish kryeministër i Polonisë, dhe President i Këshillit Evropian shkruante në Twitter se “edhe një herë, zbutja inkurajon agresorin që të intensifikojë dhunën. Është koha t’i forcojmë përpjekjet politike mbështetur në fakte, jo iluzione”.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se bisedat në radio dhe telefon të interceptuara nga Kievi vërtetojnë se separatistët e mbështetur nga Rusia ishin përgjegjës për sulmin e Mariupolit.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se forcat e Kievit ishin përgjegjëse për përshkallëzimin e luftimeve në Ukrainën lindore. (voa)

Stimulimi i Eurozonës

Monedha Euro ka rënë shumë pas njoftimit të Bankës Qendrore Evropiane për blerjen në masë më të madhe të bonove të thesarit se sa pritej, rreth 67 miliardë dollarë në muaj. Ky stimulim shikohet shpesh si një formë e prodhimit të parasë. Korrespondenti Henry Ridgewell nga Londra shqyrton nëse kjo lëvizje mundet të shpëtojë ekonominë e Eurozonës, si dhe mësimet që janë nxjerrë nga programe të ngjashme në botë.Lëvizja e guximshme e Bankës Qendrore Evropiane u shkaktua nga shifra alarmante që tregonin deflacion me 0.2% në Eurozonë gjatë 3-mujorit të fundit, duke rritur shanset që njerëzit të ndalojnë blerjet, në pritje të rënies së çmimeve.

A do të mundet pra blerja e bonove të shpëtojë ekonominë e Evropës? Gjasat janë të pakta, thotë Christian Odendahl, krye-ekonomist në Qendrën për Reformim Evropian në Londër.

“Problemi është se Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka pritur shumë përpara se të marrë në konsideratë këtë hap të guximshëm. Lëvizja po ndryshon për mirë pritshmëritë e njerëzve, në një kohë kur optimizmi ka rënë goxha.”

Madje edhe ky program prej 1.3 triliardësh mund të mos mjaftojë, thotë Kathleen Brooks, e bankës së këmbimit të monedhës Forex.com.

“Diçka që kemi vënë re prej shembullit të Shteteve të Bashkuara, dhe të Japonisë, është se duhet një shumë e jashtëzakonshme parash për të krijuar një impakt nëpërmjet blerjes së bonove.”

Programi i Shteteve të Bashkuara për blerjen e bonove nxjerr dhe mësime të tjera, thotë Christian Odendahl.

“Një mësim është se që të funksionojë mirë duhet të jesh i guximshëm që në fillim. Është pra efekti i njoftimit të fortë, që e bën tregun të besojë se vërtet po vjen ndryshimi.”

Blerja e bonove në Eurozonë, ka edhe efekte të shtuara të riskut politik, thotë znj. Brooks.

“Nëse një bankë qendrore fillon të blejë asetet e vendeve të ndryshme anëtare, atëherë papritur ekonomitë më të mëdha, si Gjermania, shndërrohen në përgjegjëse për këto shtete nëse nuk paguajnë bankën qendrore.”

Gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kancelarja gjermane Angela Merkel e priti në mënyrë të vakët njoftimin e programit për blerjen e bonove.

“Është tani momenti që të pastrojmë dhe konsolidojmë financat tona. Tani që niveli i interesave është i ulët.”

Japonia ka përjetuar një dekadë të tërë inflacioni të ulët dhe rritjeje të ngadaltë, dhe vetëm rishtazi po tregon shenja ripërtëritjeje.William Saito, këshilltar i lartë i Kryeministrit të Japonisë Shinzo Abe, thotë se krahasimi nuk mund të bëhet plotësisht.
“Japonia është një rast i mirë prej të cilit mund të mësojë Evropa. Ajo që ndryshon rrënjësisht nga Japonia, është se Evropa është e përbërë nga shumë vende të ndryshme me mënyra të ndryshme të të menduarit.”

Këto diferenca mund të dalin në pah gjatë zgjedhjeve që po zhvillohen në Greqi, të cilat pritet të fitohen nga partia e ekstremit të majtë, Syriza. Popullariteti i saj është krijuar bazuar në kundërshtimin ndaj masave shtrënguese të udhëhequra prej Gjermanisë. (voa)

Bisedime paqeje për Sirinë në Moskë? – Roli i Rusisë

Qeveria ruse ka ftuar të hënën përfaqësues të regjimit të Asadit dhe të opozitës për bisedime në Moskë. Asad do të përdorë “Shtetin Islamik” për të ruajtur pushtetin, shprehen kundërshtarët e tij.Pjesëmarrje apo jo? Prej ditësh anëtarët e grupeve të ndryshme opozitare debatojnë për këtë çështje. Duhet ta pranojnë ata ofertën ruse për negociata me qeverinë e Asadit apo më mirë ta refuzojnë? Të hënën( 26.01) Moska ka ftuar si qeverinë ashtu edhe opozitën e përçarë për bisedime. Hezitimi i opozitarëve: Duhet ta dëgjojnë ata thirrjen e një shteti, i cili që në fillim ka qenë në anën e regjimit sirian dhe tani ofrohet si ndërmjetësues?
Grupet opozitare u takuan javën e shkuar në Kajro, por edhe pas takimit skepticizmi për neutralitetin e mikpritësit nuk u zhduk. Moska ka ftuar përfaqësues të përzgjedhur nga opozita, të cilët jo patjetër përfaqësojnë grupet e caktuara.
Presion nga Moska
Përfaqësues nga opozita janë kundër edhe mënyrës së ftesës nga Moska. “Ata që do t’i qëndrojnë larg procesit të negociatave nuk do të kenë më ndikim gjatë gjithë procesit”, ka thënë ambasadori rus, Vitali Tshurkin para bisedimeve.

Fjalë jo edhe aq inkurajuese për opozitën. Reza Afshar, një ish-diplomat britanik dhe këshilltar i forcave opozitare britanike shprehet: “Një proces që iniciohet nga rusët, që e kanë mbështetur me armë dhe ekspertizë Asadin, dhe që tani zgjedhin këtë të duan për ta ftuar për bisedime – ky proces i shqetëson shumë nga opozitarët.”
Opozita kërkon qeveri të përkohshme
Opozita kërkon që të flitet për dorëheqjen e Asadit. “Po qe se nuk ka kushte në drejtim të arritjes së qëllimeve politike, pra një qeveri të përkohshme pa Asadin dhe me kompetenca të plota ekzekutive – atëherë ne nuk kemi asnjë arsye pse të shkojmë në Moskë”, thotë Miurhan Jouejati, përfaqësues i koalicionit të forcave opozitare siriane.
Por Moska nuk është e gatshme të përmbushë kushte. Megjithatë ndërmjetësuesit janë të hapur që të bisedohet për të gjitha çështjet që shqetësojnë palët. Asnjë temë nuk duhet të përjashtohet. Kjo nuk i mjafton opozitës që trembet se ky proces kërkon të legjitimojë rolin politik të Asadit. “Të shkosh në Moskë, në një kohë që Asadi mban mijëra të burgosur civilë dhe demonstrues në burgje, dhe lejon vdekjen si shiu të bjerë në qytetet siriane, kjo do të thotë goditje e fundit për Sirinë”, thotë Nasr-al Hariri zëdhënës i koalicionit opozitar.
Dialog me Hisbollahun
Përfaqësues të regjimit sirian përkundër kësaj prej muajsh qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqjen ruse. Vjeshtën e shkuar kanë shkuar disa delegacione të nivelit të lartë në Moskë, të cilat kërkuan edhe një kredi prej tre miliardë dollarësh në Moskë. Por qeveria ruse nuk e miratoi këtë. Sipas vëzhguesve Moska ka vetë probleme financiare për shkak të krizës në Ukrainë, nga ana tjetër edhe një mjet presioni ndaj qeverisë.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Mihail Bogdanov e bëri të qartë përse bëhet fjalë gjatë vizitës së tij në Damask në dhjetor. “Qëllimi ynë bazë dhe më i rëndësishëm është luftimi i terrorizmit.” Këto ishin fjalë që lidheshin me kërcënimin e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Për ta theksuar se sa seriozisht e ka Moska me këtë, Bogdanov qëndroi shkurt në Bejrut, ku sipas 35ve është takuar edhe me kreun e Hizbollahut, Hasan Nasrallah. Hizbollah mbështet Asadin me mijëra luftëtarë, dhe është i lidhur ngushtë me Iranin, një vend që jo vetëm në Moskë, por edhe në Uashington po shihet gjithnjë e më shumë si një partner i rëndësishëm në luftën kundër IS. Pas takimit Bogdanov-Nasrallah, zëvëndësministri i Jashtëm rus, u shpreh para 35ve: “Çdokush duhet të përgatitet për kompromise të dhimbshme me qëllim që Siria të dalë nga kriza.”
Llogaria e Asadit
Luftës kundër terrorizmit po i japin një rëndësi gjithnjë e më të veçantë edhe Shtetet e Bashkuara. Nëse më parë ato kërkonin kategorikisht dorëheqjen e Asadit, tani duket se qëllimet e tyre po i përshtasin me situatën e re të krijuar. Ministri i Jashtëm amerikan, John Kerry në mesin e janarit deklaroi se Asad duhet të angazhohet gjerësisht për popullsinë e tij, e jo të luftojë kundër shumicës së sirianëve. Gjendja kaotike po tërheq gjithnjë e më shumë terroristë në vend, qëllimi i të cilëve është rrëzimi i qeverisë Asad. Opozitës siriane i ka rënë në sy: Kerry nuk bëri më fjalë për një dorëheqje të Asadit. Prandaj opozita mendon se edhe bisedimet në Moskë do të shërbejnë për të mbajtur në pushtet Asadin. Strategjia e tij del kështu me sukses: Rusia, SHBA dhe Irani ruajnë pushtetin e Asadit, me qëllim që bashkë me të të luftojnë terroristët, të cilët vetë Asadi para katër vitesh i liroi nga burgjet. (dw)

Çmimi i naftës dhe kompanitë ajrore

Rënia e çmimit të naftës po dëmton kompanitë e naftës por po ndihmon kompanitë ajrore dhe shitjet e makinave. Megjithatë çmimet e ulëta të naftës nuk janë të mjaftueshme për të nxitur rritjen ekonomike globale.
Në të kaluarën, çmimet e larta të naftës i kanë çuar në falimentim disa kompani ajrore.Kostoja e lëndës djegëse ka rëndësi sepse karburanti është shpenzimi më i madh i kompanive ajrore. Më shumë se një e treta e shpenzimeve të tyre lidhet me karburantin.

Për të mbijetuar, kompanitë ajrore shkurtojnë personelin dhe kosto të tjera. Një ekspert i kësaj industrie thotë se kompanitë fitojnë rreth shtatë dollarë për çdo pasagjer, nga disa miliardë njerëz që ata transportojnë në vit.

Zëdhënësi i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, Perry Flint thotë se çmimet e ulëta të karburantit janë një ndihmë e madhe për rritjen e fitimit të kompanive ajrore.

“Parashikimet tani janë pozitive, ne presim rreth 25 miliardë dollarë fitime në vitin 2015, një përmirësim prej rreth 19.9 miliardë dollarësh në krahasim me vitin e kaluar”.

Ulja e kostos së karburantit bën që konsumatorët të kenë më shumë para për të shpenzuar për gjëra të tjera. Kjo mund të jetë arsyeja pse Shoqata Kombëtare e Shitësve të Makinave thotë se në vitin 2014 konsumatorët amerikanë blenë më shumë makina se sa gjatë tetë viteve të mëparshëm.
Një ekspert i shitjeve thotë se çmimet e ulëta të karburantit kanë ndihmuar amerikanët të përballojnë çmimin e makinave që ata pëlqejnë më shumë.

Jack Fitzgerald është marrë me biznesin e shitjes së makinave që nga vitet 1950. Vitin e kaluar 1400 punonjësit e tij shitën 24 mijë makina.

“Ato janë makina të mëdha, djegin shumë, dhe janë popullore. Kur çmimi i karburantit bie, ato bëhen edhe më të kërkuara”.

Ekspertët e ekonomisë thonë se çmimet e ulëta të naftës po stimulojnë ekonominë globale, pasi paratë që dikur shpenzoheshin për energjinë mund të përdoren për gjëra të tjera. Por rritja ekonomike është penguar edhe nga efektet e mbetura të krizës financiare, si nivelet e larta të borxhit dhe papunësisë.

Drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde thotë se kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme për rimëkëmbjen globale.

“Pavarësisht rritjes së nxitur nga rënia e çmimeve të naftës, dhe rritjes së ekonomisë amerikane, rimëkëmbja ekonomike globale vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha”.

Çmimet më të ulëta të naftës janë problem për kompanitë e naftës, dhe sipas njoftimeve të 35ve, janë duke u anuluar projekte të ardhshme me vlerë miliarda dollarë. Ekspertë të industrisë thonë se nga shkurtimet do të rrezikohen projektet e shtrenjta ku kostoja e prodhimit mund t’i tejkalojë çmimet e tanishme dhe të pritshme të naftës. (voa)

Mësime të gabuara nga Parisi

Kush kërkon tani kontrollin e komunikimit të deshifruar në internet, nuk ka mësuar asgjë nga sulmet e Parisit dhe zbulimet e Snowden-it mendon Michael Münz.Nuk ka as dy javë që drejtuesit e më shumë se 40 vendeve u bashkuan në Paris pët të shprehur ngushëllimin dhe solidaritetin dhe mbështjetjen për lirinë e shprehjes. Për kancelaren gjermane Angela Merkel, dulmi ndaj redaktsisë së Charlie Hebdo ishte dhe një sulm mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit “,një element thelbësor i kulturës sonë demokratike liberale”. Dukej sikur liderët e Evropës po frymëzoheshin nga Jens Stoltenberg, kryeministri i Norvegjisë, i cili në vitin 2011 si një përgjigje ndaj sulmeve të Anders Behring Breivik ka thënë: “Më shumë demokraci, më shumë hapje, më shumë humanizëm”. Por tani është e qartë se pas ngjarjeve të tmerrshme në Francë, përgjigja është e ndryshme.
Kryeministri i Britanisë Ministri David Cameron ishte i pari që doli me një propozim. Nisur nga mesazhet e koduara në e-maile apo në messenger Cameron bëri pyetjen retorike: “A duam të lejojmë që në vendin tonë të lejojmë vërtet një komunikim që ne në rastin ekstrem nuk mund ta lexojmë e ta kontrollojmë?” Ajo që disa vëzhgues e minimizuan fillimisht duke e quajtur vringëllimë shpatash gjatë fushatës zgjedhore, është bërë tani një kor shumëzërësh mbarëevropian.
Kontroll prej autoriteteve shtetërore
Pak ditë më parë edhe Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière kërkoi që autoritetet e sigurisë duhet të jetë në gjendje që të lexojnë komunikimin koduar. Tani u bë e njohur një letër e koordinatorit të BE-së për për antiterrorizmin Gilles de Kerchove që rreh në të njëjtin drejtim: De Kerchove kërkon, ndër të tjera, që autoritetet duhet të dinë të përdorin metoda e deshifrimit në internet, në telefonat celularë, kompjutera dhe tableta. Ideja e tij: një bashkëpunim gjithëpërfshirës ndërmjet autoriteteve në Evropë dhe kompanive të internetit. Ekziston frika që ministrat e Drejtësisë dhe ata të brendshëm të vendeve të BE-së do të vazhdojnë këtë retorikë në takimin e tyre javën e ardhshme në Rigë.
I vetëm, ky diskutim çon në një drejtim krejtësisht të gabuar. Sepse sulmeve ndaj lirisë nuk mund t’u përgjigjemi me kufizime të lirisë. Sidomos ngaqë dëshira për komunikim të koduar në radhë të gjera të popullsisë ka një arsye të prekshme dhe të kuptueshme. Ishin shërbiet sekrete të vendeve perëndimore që e kanë ruajtur për shumë vite dhe pa asnjë arsye të gjithë komunikimin në internet. Prej kësaj ka humbur shumë besimi tek organet e sigurisë. Në vend që ta fitojnë këtë besim me takt dhe masa të arsyeshme tani deviza është: Kush shifron, ka diçka për të fshehur!
Integrim në vend të mbikëqyrjes
Të paktën këto ide po ngjallin edhe kritika. Nga politika, ekonomia, dhe natyrisht nga aktivistët e internetit. Mbetet të shpresojmë që ministrat e Drejtësisë dhe ata të brendshëm të Evropës do t’i marrin këto kritika për zemrë. Dhe ndoshta do të kujtohen për Jens Stoltenbergun. Sepse është e pamundur që shtetet demokratike të vënë nën dyshim të përgjithshëm të gjithë njerëzit dhe t’u krijojnë atyre pasiguri. Në vend të kësaj ministrat duhet të diskutojnë në Rigë se si mund të forcohen shoqëritë tona nga brenda. Pse radikalizohen të rinjtë? Si për të nxitet integrimi? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që duhet të diskutohen për të forcuar kulturën tonë demokratike liberale. Dhe që ndoshta në perspektivë afatgjatë do të sjellin më shumë sesa kërkesa për më shumë kontroll. (dw)

Vdes mbreti Abdullah i Arabisë Saudite

Arabia Saudite është një nga anëtarët kryesor të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për luftë kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë.Arabia Saudite do të varrosë mbretin Abdullah të premten, pak orë pasi ajo emëroi mbretin e ri dhe princin e ri të kurorës, në një veprim që synon të shuajë frikën për paqëndrueshmërinë e dinastisë në një kohë trazirash në rajon.

Mbreti Abdullah, një aleat i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit islamik, vdiq të premten në moshën 90 vjeçare dhe pas një sëmundjeje të gjatë.

Vëllai i tij, princi Selman do ta trashëgojë atë. Mbreti i ri që besohet të ketë 79 vjet, ishte kurorëzuar princ dhe ministër i mbrojtjes që në vitin 2012. Vëllai tjetër, Mokreni, është emëruar princ i ri i kurorës.

Presidenti amerikan Barack Obama u shprehu sauditëve dhe familjes mbretërore ngushëllimet e tij dhe të popullit amerikan. Ai tha se mbreti ishte gjithmonë i sinqertë, kurajoz në bindjet e tij, duke përfshirë edhe marrëdhëniet SHBA- Arabi Saudite për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë.

Mbreti Abdullah u ngjit në fron zyrtarisht në vitin 2006, por ai realisht ka mbretëruar që nga viti 1995 kur pararendësi i tij mbreti Faud, pësoi goditje në tru.

Mbreti Abdullah besohet se është lindur në Riad në vitin 1924 në një familje ultra-konservatore në të cilën traditat dhe mikpritja Islame ishin gjithmonë të theksuara.

Ndërsa po rritej, nafta u zbulua në shkretëtirën arabe dhe vendi u shndërrua në eksportues të madh të naftës, duke i sjellë pasuri të madhe familjes mbretërore.

Pas mori kontrollin e shtetit, Mbreti Abdullah filloi veprime të pashembullta për të modernizuar mbretërinë konservatore. Grave u janë dhënë mundësi dhe ato do të lejohen të votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale këtë vit.

Ai hapi edhe një universitet sipas modelit perëndimor ku studentët e të dyja gjinive mësojnë në klasë të përbashkëta. Muzika e ndaluar në të kaluarën mund të dëgjohet në radiot dhe televizionet saudite.

Abdullahu kishte një qasje të pazakonshme në politikën e jashtme. Ai kishte propozuar një marrëveshje paqeje sipas së cilës vendet e ligës Arabe do të njihnin Izraelin nëse Palestinezët do të fitonin shtetin e tyre.

Në një notë diplomatike që ka rrjedhur në opinion, Mbreti Abdullah u bënte thirrje forcave amerikane të sulmojnë Iranin “për t’i prerë kokën gjarprit” në mënyrë që të ndalojë prodhimin e armëve bërthamore.

Arabia Saudite është një nga furnizuesit kryesor më armë të kryengritësve që luftojnë për rrëzimin e qeverisë siriane dhe një nga anëtarët kryesor të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për luftë kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë.

Arabia Sauditë është pjesë e grupit ekonomik G 20 dhe e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Pavarësisht reformave, grupet për të drejtat e njeriut vazhdojnë të kritikojnë Arabinë Saudite. Ata thonë se grave vazhdojnë t’u mohohen shumë të drejta themelore.

Mbreti refuzoi të mbështesë lëvizjet e pranverës arabe që rrëzuan diktaturat në Tunizi, Egjipt, Liban e Jemen. (voa)

Kerry, ISIS problem global

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se ISIS është një problem global dhe duhet luftuar me një përgjigje të koordinuar.Ai i bëri komentet sot në Londër gjatë një takimi të ministrave të jashtëm nga vendet e koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër grupit Shteti Islamik.

Zoti Kerry tha se SHBA dhe aleatët e tyre e kanë ndalur përparimin e Shtetit Islamik në Irak brenda një periudhe prej katër muajsh. Por ai pranoi se mbetet ende shumë për të bërë.

Në bisedimet e kryesuara nga zoti Kerry dhe nga Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond marrin pjesë 21 nga mbi 60 vendet që po bashkëpunojnë për të luftuar grupin ISIS me bazë në Siri dhe Irak.

Është hera e parë që koalicioni i udhëhequr nga SHBA mblidhet pas sulmeve terroriste të Parisit, ku u vranë 17 persona. (voa)

Fisheku i fundit i Draghit

Shefi i Bankes Qendrore Evropiane, Mario Draghi po vepron i nxituar, fisheku i shkrehur nuk do të qëllojë në shenjë, parashikon Rolf Wenkel. Veprimi i Draghit nuk do të kryejë punë, do të dëmtojë edhe reputacionin e BQE.Tani derri doli nga thesi: Banka Qendrore Evropiane i hap portat e parave, edhe më shumë se mendonin ekspertët. Që nga shtatori 2016 Banka do të blejë çdo muaj hua sipërmarrjesh dhe hua shtetërore në shumën 60 miliardë euro. Një llogari e shpejtë të thotë se për 20 muaj në treg do të derdhen para, deri në shumën 1,2 bilionë euro- ekspertët patën pritur 500 miliardë deri në 1 bilionë.
Me këtë Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi shkreh fishekun e tij të fundit- dhe e bën këtë pa pasur nevojë. Ai imiton me veprimin e tij eksperimentin e Bankës Qendrore Amerikane Fed, e cila pas krizës financiare jo vetëm që uli interesat orientuese bankare, por bleu muaj pas muaji hua në shuma miliardëshe. Me sa duket me sukses, sepse ekonomia e SHBA u shlodh, tremujorin e fundit u regjistrua një rritje prej pesë përqind.
Llogaria e Draghit është e qartë: me hapin e tij ai dëshiron t’i inkurajojë bankat që t’i japin më shumë kredi ekonomisë, në mënyrë që ekonomia të investojë dhe të krijojë vende pune. Ai do të largojë edhe fantazmën e deflacionit, një spirale e supozuar e çmimeve dhe pagave që ulen dhe e falimentimeve dhe të papunëve që shtohen.
Pse e ndërmerr pikërisht tani këtë hap Draghi? Blerje të huave shtetërore një bankë qendrore duhet të ndërmarrë vetëm në situata absolutisht emergjente – po gjendje emergjente nuk duket gjëkundi.
Përkundrazi: me gjithë rreziqet, ekonomia e Eurozonës, ndonëse me shpejtësi të ndryshme ecjeje, ndodhet në rrugën e përmirësimit. Në plan afatmesëm shanset madje do të përmirësohen më tej, po të mendosh se ulja e çmimit të naftës vepron si një injeksion gjallërues për konsumin privat.
Edhe përsa i përket deflacionit: pjesa më e madhe e shkallës së ulët të inflacionit ka të bëjë me uljen e çmimit të naftës.
Cili është pra synimi i Draghit me programin e tij? Unë besoj se atë e ka nxitur politika, pra konkretisht italianët dhe francezët ta bëjë këtë hap. Formalisht BQE, sipas modelit të Bankës Qendrore Gjermane vërtet është institucion i pavarur, po do të ishte jo e saktë të besosh se ajo vepron në një vakum politik. Italianët dhe francezët duan të blejnë sërish kohë, sepse ende druhen nga strukturat e nevojshme ose nuk janë në gjendje t’i zbatojnë ato në vendet e tyre.
Ndryshe nuk mund ta shpjegosh të shtënën e fundit nga topi që bën çudira. Sepse një bankë qendrore nuk mund të bëjë politikë konjukturore. Një injeksion i ri konjukturor do të kontribuojë pak për gjallërimin e ekonomisë, aq më tepër kur interesat bankare ndodhen në një nivel të ulët historik. Sipërmarrësit nuk investojnë sepse interesat bankare janë të ulëta. Ata investojnë kur kanë ndiesinë se shanset në treg janë të mira. (dw)