Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Koment: skepticizëm pas Minsk II

Skepticizmi mbetet edhe pas deklarimit për marrëveshje për një armëpushim në lindje të Ukrainës në samitin Minsk II, mendon Ingo Mannteufel.Një gjë që mbetet ende e paqartë edhe pse ndërkohë në Minsk pas një maratone të gjatë bisedimesh që vazhduan gjatë gjithë natës u mbyll samiti për Ukrainën mes kancelares gjermane Merkel dhe presidentëeve të Rusisë, Francës e Ukrainës, Putin, Hollande dhe Poroshenko. I pari u shpreh pas bisedimeve në një konferencë shtypi presidenti rus Putin, i cili deklaroi se palët e konfliktit kanë rënë dakord për një armëpushim në lindje të Ukrainës më 15 shkurt. Këtë e konfirmuan më vonë edhe kancelarja gjermane dhe presidenti francez.
Minsk II asgjë më shumë se Minsk I?
Fundi i luftimeve dhe i vrasjeve në lindje të Ukrainës padyshim do të ishte një rezultat i gëzueshëm, por në sfondin e të dhënave të kursyera që jepen mbi marëveshjen aktuale të ngjallet më shumë skepticizëm. Me sa duket në marrëveshjen e re – Minsk II – nuk është rënë dakord për asgjë më shumë se sa në marrëveshjen e parë në Minsk në shtator 2014. Edhe në këtë marrëveshje ishte vendosur për armëpushimin dhe tërheqjen e armatimeve të rënda, por armëpushimi nuk u respektua asnjëherë. Ndërkohë luftëtarët e mbështetur nga Rusia përmes ofensivës ushtarake kanë arritur të fitojnë territor në të gjitha frontet. Në qendër të luftimeve aktualisht ndodhet nyja e rëndësishme logjistike hekurudhore në Debalzevo, që me sa duket separatistët e kanë rrethuar, por të cilën trupat qeveritare ukrainase është e kuptueshme që nuk do ta dorëzojnë pa luftë.
Edhe pse duhet pasur kujdes nisur nga fakti që deri tani dihen shumë pak detaje të marrëveshjes, ka vend për të qenë mjaft skeptikë nëse do të respektohet vërtetë armëpushimi, për të cilin është rënë dakord duke nisur nga 15 shkurti. Tek e fundit çdo marrëveshje për armëpushim ka sukses vetëm nëse zona e çmilitarizuar midis palëve të konfliktit mbikqyret prej forcave të pavarura. Në rast të kundërt ka shumë gjasa, që luftimet të vazhdojnë.
Pas Minsk II për në Bruksel
Pritet që presidenti i Francës Hollande dhe kancelarja gjermane Merkel përshtypjet e tyre nga bisedimet e zhvilluara gjatë natës me Putinin dhe Poroshenkon t’ua komunikojnë në samitin e Brukselit krerëve të vendeve të BE-së. Nëse konfirmohet skepticizimi, që as Minsk II nuk nënkupton fundin e gjakderdhjes, atëherë s’mund të përjashtohet, që pavarësisht bisedimeve të gjata diplomatike sërish do të dskutohet për sanskione të mëtejshme apo edhe për furnizime me armë në Ukrainë. (dw)

Arrihet marrëveshje për armëpushim në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin tha se armëpushimi do të hyjë në fuqi të shtunën në mesnatëUdhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës përfunduan të enjten bisedimet maratonike në Bjellorusi me një marrëveshje për armëpushimi që ka për qëllim t’u jap fund luftimeve që çuan në vrasjen e mijëra vetave në Ukrainën lindore.

Armëpushimi, që do të hyjë në fuqi më 15 shkurt u shpall pas bisedimeve rraskapitëse 16 orëshe në kryeqytetin bjellorus, Minsk.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se palët “arritën të merren vesh për çështjet kryesore”, përfshirë edhe tërheqjen e armatimeve të rënda nga zona e konfliktit.

Marrëveshja thuhet se është pranuar edhe nga kryengritësit pro rus.

Por, të gjitha palët nënvizuan në paraqitje të ndara për gazetarë se mbeten mospajtime. “Ne nuk kemi iluzione”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel, duke shtuar se mbetet “shumë, shumë punë për t’u bërë”.

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, mohoi të jetë arritur ndonjë marrëveshje për autonominë e rajonit rusisht folëse në lindje të Ukrainës.

“Çështja kryesore e arritur është që midis të shtunës dhe të dielës duhet te shpallët armëpushimi i përgjithshëm pa asnjë kusht”, tha presidenti Poroshenko.

Takimi u zhvillua nën hijen e luftimeve intensive në Ukrainën lindore që nga dëshmitarët janë përshkruar si më të fuqishmet dhe më vdekjeprurëset në këtë konflikt.

Dëshmitarët nga qyteti lindor i Donetskut thanë të mërkurën se të paktën dy veta u vranë nga bombardimi i një stacioni autobusësh. Zyrtarët ukrainas thanë se sulmet e kryengritësve në afërsi të Debaltseve, vranë të paktën 19 ushtarë dhe plagosën 78 të tjerë.

Para takimit të së mërkurës, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se qeveria e tij dhe Bashkimi Evropian do të flasin me një zë. Ai tha po ashtu se nuk do të mëdyshet që të shpallë ligjin e luftës në gjithë vendin, nëse ndodhë përshkallëzimi i konfliktit.

Komandanti i forcave amerikane në Evropë tha se forcat ushtarake ruse janë të përfshira drejtpërdrejtë në luftimet në rajonin e Debaltseve.

Gjenerali Ben Hodges, tha të mërkurën në Poloni se “ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake ruse” në Debaltseve është “shumë i qartë”.

Presidenti Barack Obama, tha të hënën se do të presë përfundimet e takimit para se të marrë një vendim nëse do të furnizojë Kievin me armatime për t’i dhënë fund kryengritjes separatiste. (voa)

Assadi: Nga armik në mik?

Për një kohë të gjatë Perëndimi i është shmangur Bashar Al Assadit. Por me sa duket, diktatorin sirian e informojnë për sulme ajrore ndaj pozicioneve të terroristëve të IS. Fronti ndërkombëtar kundër tij po lëkundet.Për një ftesë në Pallatin Elize, për këtë diktatori i Sirisë, Bashar Al-Assad sot vetëm mund të ëndërrojë. Vërtet që nuk kanë kaluar më shumë se katër vjet, kur hëngri darkë bashkë në Paris me Presidentin e atëhershëm të Francës, Nikolas Sarkozy.
Sot në plan ndërkombëtar Assadi konsiderohet i izoluar, të paktën në Perëndim. Por që kur milicia terroriste “Shteti Islamik” ka vënë nën kontrollin e saj pjesë të gjëra të Irakut dhe Veriun e Sirisë, diktatori u duket disa vëzhguesve si e keqja më e vogël. Shumë të paktë janë ata që mund të llogarisin rrëzimin e shpejtë të Assadit, i cili ndryshe nga pushtetmbajtësit e tjerë të republikave arabe, megjithë protestat e ashpra dhe luftën civile vazhdon të qendrojë në krye të shtetit. Një strategji për një Siri pa Assadin mungon deri sot, sepse radikalët po avancojnë, opozita siriane është e përçarë dhe Perëndimi jo i të njëjtit mendim si duhet të reagojë.
Koalicioni ndërkombëtar bombardon pozicionet e terroristëve. Për të, Bashar Al-Assadi nuk është më armiku kryesor. Presidenti sirian madje ka pohuar se merr “informacione” për sulmet që pasojnë. “Jo bashkëpunim i drejtpërdrejtë”, siç theksoi ai në një intervistë me BBC, por “informacione nga palë të treta, nga shtete të tjera”. Kush i jep këto informacione nuk dihet. Por është e qartë një gjë: me “Shtetin Islamik”, Presidenti sirian dhe koalicioni ndërkombëtar luftojnë kundër të njëjtit armik. Problemi në këtë bashkëpunim: Bashar Al-Assadi ka shumë armiq, të cilët ai i shtyp në mënyrë brutale. Por aleanca anti-IS nuk dëshiron të veprojë kundër kësaj, për aq kohë sa lufton me Assadin kundër terroristëve. Ndryshe nga diktatori sirian, IS konsiderohet si rrezik për të gjithë rajonin, gjë që ai e theksoi me shpalljen e një kalifati në qershor 2014. Në këtë kuadër, Perëndimi po afrohet pak me Assadin – një afrim që vërehet edhe me Egjiptin. Atje, kryetari i shtetit Al Sissi vepron në mënyrë brutale kundër kundërshtarëve të tij, të cilët janë bashkuar pjesërisht me IS, si në Sinai. Në aleancë me SHBA Al- Sisi lufton ndërkohë kundër terroristëve të IS.
Thirrjet për të rrëzuar Bashar Al-Assadin dëgjohen gjithnjë e më pak. SHBA vazhdojnë vërtet të stërvitin kryengritës dhe t’i armatosin ata me armë – por ndërkohë i pajisin ata para së gjithash për të luftuar IS dhe jo qeverinë siriane. Një rehabilitim në parketin ndërkombëtar, Assadi do ta presë ndoshta më kot. Por qëndrimi në pushtet duhet t’i mjaftojë hë për hë diktatorit sirian. (dw)

Minsk – vendi ku diskutohet fati i Ukrainës

Presidenti bjellorus Lukashenko përpiqet të mbajë qëndrim neutral në krizën e Ukrainës. Por pamja e jashtme të gënjen.Mos u shqetësoni fare për aktivitetin në Minsk. Alexander Lukashenko e siguroi Presidentin rus Vladimir Putin në takimin e tyre në Soçi në fundjavë, se takimi i nivelit të lartë katërpalësh për krizën në Ukrainë do të organizohet më së miri. Veç shefit të Kremlinit, priten edhe udhëheqësi i Ukrainës, Petro Poroshenko, kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti francez François Hollande. Në bisedë me Putinin, Lukashenko kujtoi takimin në Minsk të të ashtuquajturit “Grup i Kontaktit”, i cili përbëhet nga përfaqësues të Ukrainës, të Rusisë dhe të OSBE-së. “I bëra të gjitha, për të cilat m’u lutët, nuk pati ankesa”, tha Presidenti i Bjellorusisë. Ai tingëlloi si raportues.
Kurs përqafimi me Kremlinin
Edhe para Berlinit, Minsku është kthyer në vendin më të rëndësishëm për përpjekjet diplomatike në krizën e Ukrainës. Në fund të gushtit 2014, atje u takuan Presidentët e Ukrainës dhe të Rusisë, Poroshenko dhe Putin për herë të parë, për një bisedë kokë më kokë. Në shtator, në Minsk u takuan përfaqësues të qeverisë në Kiev dhe të separatistëve prorusë nga Ukraina Lindore, për një plan paqeje. Drejtuesit e republikave të vetëshpallura Donjeck dhe Luhansk atëherë u legjitimuan indirekt në Minsk. Separatistët nisën një ofensivë, luftimet në Ukrainën Lindore bëhen gjithnjë e më të ashpra.
Minsku nuk është bërë rastësisht një vend qendror për negociatat. Në fund të gushtit 2014, pak para fillimit të aneksimit të Krimesë nga Rusia, Lukashenko u shpreh pro ruajtjes së integritetit territorial të Ukrainës. Ndryshe nga Rusia, ai e njohu menjëherë udhëheqjen e re ukrainase. Lukashenkon e ftuan edhe për marrjen e postit nga Presidenti Poroshenko në Kiev. Ai e vizitoi Kievin sërish në fund të dhjetorit 2014, për të negociuar me Poroshenkon.
Neutraliteti sipërfaqësor bjellorus
Por në të vërtetë, Lukashenko është një aleat i vjetër dhe i ngushtë i Moskës. Pak vetë kujtohen sot që Rusia dhe Bjellorusia themeluan në vitin 1997 një shtet të përbashkët, i cili nga ana formale ekziston edhe sot. Bjellorusia dhe Rusia janë edhe anëtare themeluese të Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik të ish-republikave sovjetike, i cili që prej 1 janarit 2015 ekziston edhe juridikisht. Vërtet që të dyja palët grinden rregullisht për çështje tregtare. Kështu Rusia i kufizoi para pak kohësh importet e ushqimeve nga Bjellorusia dhe e zemëroi me këtë Lukashenkon. Megjithatë Moska dhe Minsku i përmbahen aleancës së tyre.
Edhe ushtarakisht, të dyja shtetet bashkëpunojnë ngushtë. Të dyja janë anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë kolektive, të dominuar nga Rusia. Rusia ka një stacion radarësh në Bjellorusi dhe stacionon atje avionë luftarakë dhe helikopterë. Deri në vitin 2016 Moska do të ngrejë një bazë ajrore në Bobruisk – rreth 250 km në Perëndim të kufirit me Ukrainën.

Në planin e politikës së jashtme, Presidenti bjellorus, Lukashenko përfiton nga shërbimet e tij diplomatike në krizën e Ukrainës. Presidenti Lukashenko qeveris në mënyrë autoritare e konsiderohet në Perëndim si “diktatori i fundit i Evropës”. BE ka vendosur kundër tij dhe elitës bjelloruse në pushtet sanksione. Kurse tani, si mikpritës ai do t’u shtrëngojë duart Merkelit dhe Hollande-s.
Ka edhe më shumë. Letonia, e cila kryeson aktualisht BE nuk e përjashtoi një ftesë për Lukashenkon në takimin e nivelit të lartë të BE për Partneritetin Lindor, në maj 2015. Deri tani, në takime të tilla ai ka qenë i padëshiruar. Kjo duhet t’i sjellë Lukashenkos pikë shtesë edhe tek populli i tij. Në shtator, Presidenti bjellorus, i cili është në pushtet që prej vitit 1994, do të kërkojë që ta rizgjedhin president. (dw)

SHBA, Britania dhe Franca mbyllin ambasadat në Jemen

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, njoftuan për mbylljen e ambasadave në Jemen, për shkak të përkeqësimin të situatës së sigurisë në vend.Departamenti i Shtetit tha të martën në mbrëmje se personeli i ambasadës amerikane është larguar nga kryeqyteti i Jemenit, Sana’a, ndërsa Britania njoftoi sot herët se personeli i saj është tërhequr. Franca do ta mbyllë ambasadën e saj të premten.

“Veprimet e njëanshme të kohëve të fundit, e ndërprenë procesin e tranzicionit politik në Jemen, duke krijuar rrezikun se dhuna do të kërcënonte jemenasit dhe komunitetin diplomatik në Sana’a”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki në një deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuara në mbështetjen e jemenasve që punojnë për një Jemen paqësor, të begatë dhe të bashkuar. Ne do të shqyrtojmë alternative për kthimin në Sana’a kur të përmirësohet gjendja në terren”.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca paralajmëruan qytetarët e tyre të mos udhëtojnë në Jemen dhe ata që janë në vend, të largohen.

Jemeni është përfshire prej muajsh nga trazirat politike. Muajin e kaluar, kryengritësit Shi-itë Houthi morën nën kontroll selinë e Presidentit Abd Rabbuh Mansour Hadi, duke e detyruar atë dhe kabinetin e tij. (voa)

DASH përshëndet takimin Mustafa-Vuçiç

Departamenti i Shtetit përshëndeti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë si dhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, për atë që e quajti sukses të takimeve në kuadrin e dialogut të nivelit të lartë më 9 dhe 10 shkurt në Bruksel.Takimet mes kryeministrave Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç, me pjesëmarrjen e shefes së politikës së jashtëme të BE-së Federica Mogherini, çuan në nënshkrimin e marrëveshjes për çështjet e drejtësisë.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki tha se kjo marrëveshje shënon një hap përpara në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Zonja Psaki tha se kjo sinjalizon gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm dhe të fortë të të dyja palëve për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në prill të vitit 2013 mes Prishtinës dhe Beogradit.

Shtetet e Bashkuara, tha zonja Psaki, do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht të gjitha palët në këtë përpjekje. (voa)

Koment: në mëdyshje ndaj Rusisë

Merkel dhe Obama nuk janë në unanimitet lidhur me një çështje vendimtare e megjithatë ato theksojnë vendosmërinë e tyre në konfliktin e Ukrainës. Një konstelacion i vështirë, konstaton Gero Schließ.Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme lidhur me mundësinë e furnizimeve me armë në Ukrainë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i SHBA-së Barack Obama në konferencën e përbashkët të shtypit demonstruan unanimitet dhe siguruan, se radhët ndaj presidentit të Rusisë Vladimir Putin vazhdojnë të mbeten të bashkuara. Merkel, e cila ka studiuar fizikë dhe i kushton vëmendje të veçantë precizionit intelektual, në fakt duhet ta dijë, se këto dy qendrime nuk shkojnë. Megjithatë politikanes Merkel nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse sërish të jetë e përgatitur për rastin, nëse presidenti i SHBA-së në fund do t’ia dalë që ta furnizojë ushtrinë ukrainase me armët, për të cilat ajo ka nevojë urgjentisht.

Por Obama dhe Merkel nuk duhet të kenë iluzione. Presidenti rus prej kohësh e ka perceptuar çarjen e hollë në aleancën perëndimore dhe Putin di ta shfrytëzojë këtë për vete. Ai do të përpiqet që gradualisht t’i përçajë edhe më tej SHBA-në dhe Europën. Ndërkohë që unanimiteti mes SHBA-së dhe Europës sot është më i rëndësishëm se kurrë. Jo vetëm në konfliktin me Rusinë, por edhe në luftën kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, në bisedimet për çështjet bërthamore me Iranin, në konfliktin e Lindjes së Mesme, apo në paqëtimin e Afganistanit. Bota rrallëherë që pas Luftës së Dytë Botërore ka përjetuar kaq shumë konflikte sa aktualisht. Dhe kudo amerikanët dhe europianët janë të varur prej njeri-tjetrit. Konsensusi dhe një menaxhim funksionues i krizave është thelbësor për mbijetesën.
Varet prej Merkelit
Por sidoqoftë kjo pak u intereson kritikëve të Obamas në politikën e brendëshme. Të drejtuar prej luftëtarit të regjur senatorit John McCain ata sërish kanë projektuar imazhin e një presidenti hezitues dhe të pavendosur, i cili pas Sirisë dhe Irakut tani po nxit për aksione gjithnjë e më të ashpra në një konflikt tjetër me armiqtë e Amerikës. E ata madje nuk janë stepur që për herë të parë të sulmojnë ashpër edhe një kryetare të huaj qeverie. E ata e bëjnë këtë edhe duke e marrë parasysh që europianët dhe amerikanët kanë qasje të ndryshme ndaj Rusisë.
Megjithatë nuk është nevoja të shkohet kaq larg, sepse në SHBA Merkel konsideorhet si personi, që e ka mbajtur të bashkuar Europën në konfliktin me Rusinë. Ajo e ka drejtuar Gjermaninë duke e risjellë atë në skenën e politikës botërore. Pra varet prej saj. Më në fund presidenti i SHBA-së e ka tashmë një numër telefoni, qëkurse prej kohësh humbi lidhja me Henry Kissingerin, ku ai mund të telefonojë sa herë që duhet të flasë me vendimmarrës të rëndësishëm në Europë. E ky është numri i telefonit të zyrës së kancelares. E në plan afagjatë këtë e kanë të qartë edhe kritikët e Merkelit përtej Atlantikut.
A ka një plan B?
Por pvarësisht gjithë këtij pushteti të saj: kancelarja është pikërisht në këtë fazë të konfliktit të Ukrainës mjaft delikate. Ajo është ekspozuar me nismën e saj të fundit diplomatike duke i hyrë kësisoj edhe një rreziku. Obama e mori parasysh këtë. Nuk mund të kuptohet ndryshe fakti, që ai e ka shtyrë vendimin për furnizimet me armë të paktën deri pas takimit katërsh në Minsk.
Nëse ky samit dështon, atëherë çështja e furnizimeve me armë do të shtrohet me një vrull të ri. Ka arsye të besosh, se paskësaj bashkarisht Putinit duhet t’i dërgohet një sinjal i fortë. Po të vazhdohet si deri tani thjeshtë vet՗m duke i ashëprsuar edhe më fort sanksionet, Putin do ta intepretojë këtë si shenjë dobësie. E duke pasur parasysh katastrofën humanitare që kërcënon në Ukrainë ‘të vazhduarit kështu’ do të ishte moralisht i papërgjegjshëm.
Armatimi si pranim i dështimit
Të qendrosh i tërhequr apo të reagosh fort: është pikërisht kjo çështja, që duhet të jetë komponentja e një strategjie të re për Rusinë. Si duhet të sillesh me Putinin? Si duhet vepruar me një vend, që e riinterpreton rendin e pasluftës, që është përfshirë nga një valë nacionalizmi dhe njëkohësisht refuzon modernizimin? Edhe Angela Merkel, që e kupton Rusinë, para pak kohësh vuri në dukje, se ajo ende nuk ka një përgjigje. E kësisoj çështja e furnizimeve me armë në Ukrainë është tek e fundit shprehje e një mëdyshjeje të thellë. Sepse kjo s’është gjë tjetër veçse pranim i dështimit të diplomacisë dhe arsyes. (dw)

Koment: Amerika përçan Perëndimin, Rusia përçan Evropën

BE vështron drejt takimit të nivelit të lartë në Minsk. Nëse atje nuk do të ketë kompromis për konfliktin e Ukrainës nuk përjashtohet të humbasë edhe fuqia më e madhe e Perëndimit – uniteti i tij, mendon Bernd Riegert.Një sërë shtetesh kryesisht evropianolindore janë të gatshme të ndjekin rrugën që po përvijohet nga SHBA: ato e përfytyrojnë që ta pajisin ushtrinë ukrainase me armë moderne, në mënyrë që ajo të mbrohet kundër kryengritësve dhe mercenarëve të pajisur nga Rusia. Ende shumica e shteteve të BE është kundër dërgimit të armëve dhe ndjek modelin gjerman, sipas të cilit, armë shtesë vetëm mund ta përkeqësojnë luftën.
Një nga të paktat anë të forta, që Perëndimi mund të tregojë kundër Presidentit Putin, i cili vepron në mënyrë perandorake, është uniteti në politikën e Ukrainës. Por SHBA ndodhen në rrugë e sipër për ta rrezikuar këtë unitet, po të arrijnë të bindin qoftë edhe vetëm një pjesë të evropianëve që ta mbështesin dërgimin e armëve dhe veprimet më të ashpra ndaj Moskës.
Furnizimet me armë vënë në lëvizje spiralen e shkallëzimit të dhunës
Nëse takimi ndërmjetësues i nivelit të lartë në Minsk të mërkurën dështon dhe po të vendosin SHBA që t’i dërgojnë armë Kievit, Moska mund të konstatonte e kënaqur se fronti diplomatik perëndimor po lëkundet. Veç kësaj, Kremlini do të kishte një pretekst të mirëpritur për të ndërhyrë edhe ushtarakisht në luftën në Ukrainën Lindore dhe për t’i pajisur kryengritësit edhe më fort me armë. Një shkallëzim tjetër i situatës ndoshta nuk do të shmangej dot më. Punët do të ecnin drejt një lufte me prokurë, e cila do të zhvillohej në kurriz të Ukrainës.
Ai që dërgon armë, duhet ta ketë të qartë se shumicën e herëve dërgon edhe këshilltarë dhe ekipe 35tike, në mënyrë që armët të përdoren me efekt. Në fund, kjo mund të marrë pamjen që në Lindje të Ukrainës të ndodhen trupa tokësore nga Perëndimi dhe Lindja përballë njëra-tjetrës. Këtë nuk mund ta dojë askush në Evropë dhe në fakt askush në SHBA.
Armë thjesht defensive nuk ka. Rusia do t’i përgjigjej dërgimit të armëve nga shtete anëtare të NATO-s pa dyshim me armatim të mëtejshëm. Po pastaj? Jo, BE duhet t’i përmbahet qendrimit refuzues ndaj çdo lloj shkallëzimi. Ndoshta Lindja e Ukrainës nuk mund të mbahet më në Ukrainën e sotme, por vetëm në një federatë. Ky mund të ishte përfundimi i takimit të nivelit të lartë të Minskut. Presidenti i Rusisë do të kishte fituar përgjysmë. Kjo do të ishte e dhimbshme – po cila do të ishte alternativa? Edhe më shumë luftë, edhe më shumë të vrarë? Rreziku i një lufte të zgjeruar mes Rusisë dhe Perëndimit?
Të pengohet me armë ndarja e Evropës?
Rusia e prishi me ndërgjegje rendin e deritashëm të Evropës. BE dhe SHBA u duhet të shohin se mund të mbrohen kundër kësaj vetëm në mënyrë të pamjaftueshme, po të mos duan t’u futen rreziqeve të paparashikueshme. Vija e kuqe mbetet kufiri i jashtëm i NATO-s. Rusisa nuk duhet lejuar ta shkelë këtë kufi. Përndryshe vlen: Ukraina (Lindore), Gjeorgjia, Moldavia kanë rënë në sferën e ndikimit të Moskës. Perëndimi mund dhe duhet t’i mbrojë ato jo me armë, por më e shumta me fjalë. Ndarja e re e Evropës është në prag të derës. (dw)

Uashingtoni konfirmon vdekjen e amerikanes, peng i ISIS

Një amerikane që mbahej peng në Siri ka vdekur, konfirmuan sot zyrtarët amerikanë dhe familja e saj, katër ditë pasi militantët e Shtetit Islamik thanë se një sulm ajror i koalicionit vrau punonjësen e ndihmave.Pretendimet u shfaqën në internet javën e kaluar se një sulm ajror jordanez goditi ndërtesën ku 26 vjeçarja Kayla Mueller besohet se mbahej në qytetin Raka në Siri. Zyrtarët jordanezë, amerikanë dhe të tjerë kishin ngritur pyetje rreth pretendimit, dhe rrethanat e vdekjes së saj mbeten të panjohura.

Zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë Bernadette Meehan tha se familja e zonjës Mueller morri një mesazh privat nga pengëmarrësit e saj gjatë ditëve të fundit me informacione shtesë që verifikon më tej lajmin për vdekjen e saj, që u dha fillimisht përmes internetit javën e kaluar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest u tha gazetarëve se zyrtarët amerikanë të zbulimit nuk kishin vlerësim specifik rreth shkakut të vdekjeS pas rishikimit të informacionit. (voa)

Kancelarja Merkel në Uashington

Në çështjet e politikës së jashtme të Uashingtonit partnerët kryesorë duket se nuk janë më britanikët, por Berlini.Gjatë vizitës së parë të kancelares gjermane Angela Merkel tek presidenti amerikan Barak Obama në vitin 2011 atmosfera qe e gëzuar. Obama e nderoi atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë dhe ngriti një dolli duke thënë: “Për lirinë që duhet ta mbrojmë vazhdimisht.”
Në atë kohë, asnjëri prej tyre nuk e dinte se pas një kohe të shkurtër liria do të ishte përsëri në shumë vende në rrezik: Irak, Siri, Nigeri apo Ukrainë. Krizat janë shtuar që prej vizitës së kancelares në Shtëpinë e Bardhë. Dhe gjithmonë ka pasur edhe mosmarrëveshje për rrugën dhe mënyrën për t’i zgjidhur ato.
Kjo u duk përsëri në Konferencën e Sigurisë në Mynih: Ndërsa Angela Merkel e përjashtoi atje një zgjidhje ushtarake në Ukrainë, zëvendëspresidenti i SHBA-së Joe Biden e la të paktën një deriçkë të hapur. “Ne nuk besojmë se ka një zgjidhje ushtarake në Ukrainë. (…) Ne gjithashtu besojmë se populli ukrainas ka të drejtë për të mbrojtur veten.” – tha Biden.
Obama nuk mendon shumë ndryshe nga kancelarja
Çështja nëse në Kiev nuk do të ishte e udhës të dërgoheshin të paktën sisteme për mbrojtjen prej raketave, do të kalojë si shkop stafete nga Mynihu në Uashington. Aty, kancelarja pas takimit me zëvendësin do të takohet tani me shefin. Obama nuk është në qëndrim shumë larg nga kancelarja. Ai gjithashtu mbështet negociatat, shpreson se sanksionet e ashpra do të kenë efekt. Këshilltarja e tij për sigurinë Susan Rice tha në një panel diskutimi: “Një Rusi agresive, që i grabit territor një vendi fqinjë, përbën një shqetësim të madh, por masat që marrim ne për këtë arsye, nuk duhet të jenë mjete ushtarake.”
Situata në Ukrainë do të dominojë sidoqoftë vizitën e shkurtër të kancelares në SHBA dhe takimin mes Merkelit dhe Obamës në Shtëpinë e Bardhë. Lufta kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, Marrëveshja për Tregtinë e Lirë apo NSA-ja do të luajnë vetëm një rol të vogël.
Nuk është koha për ndjeshmëri personale
Angela Merkel dhe Barack Obama nuk kanë qenë vitet e fundit gjithmonë dakord me njëri-tjetrin. Kancelarja qe zemëruar për përgjimin e telefonit të saj. Presidenti i konsideron gjermanët në krahasim me evropianët e tjerë dorështrënguar. Por tani nuk është koha për ndjeshmëri personale. Të dy e dinë përgjegjësinë që kanë. Për Obamën, Angela Merkel është aleatja më e rëndësishme në Perëndim, mendon Annette Häuser nga Fondacioni Bertelsmann.”Në qoftë se shihni gjendjen e tanishme, bie në sy se në çështjet e politikës së jashtme të Uashingtonit partnerët kryesorë papritmas nuk janë më britanikët, por Berlini.”
Për presidentin e SHBA-së Merkeli – e cila ishte tani edhe në Moskë – është sidoqoftë një burim i madh për të mësuar se cili është qëndrimi i Kremlinit. Tani ai mund të “përgjojë” se çdo të thotë ajo, madje krejt legalisht. (dw)