Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Koment: Problemi nuk qëndron tek besimi

Atentatet brutale të terroristëve islamistë në Francë kanë shokuar Europën. Këtu nuk diskreditohet vetëm islami, por edhe besimi në zot. Felix Steiner në komentin e tij e ngre zërin kundër këtij diskreditimi.Koha për të bërë një pohim: Unë jam i krishterë katolik. Jam me dëshirë i tillë. Besimi më jep forcë dhe ndjenjën pozitive se jam më shumë se thjesht një trill i natyrës, më shumë se një rastësi biologjike dhe nuk kam ardhur nga hiçi dhe nuk do të përfundoj në hiç. Unë jam shembëlltyra e zotit, të cilin hebrenjtë e quajnë Jahve dhe myslimanët Allah.
Kjo ndodhet tek gjeneza, e shenjtë si për hebrenjtë ashtu edhe për të krishterët. Unë kam – si gjithë të tjerët – dinjitet. Një dinjitet që është i paprekshëm. Dhe që ai duhet respektuar dhe mbrojtur, – ky është detyrimi i çdo shteti. Nuk është e rastësishme, por qëndron si fjalia e parë në nenin e parë të kushtetutës gjermane.
Shteti mbron besimin tim
Kush nuk e kërkon mbështetjen tek besimi – ju lutem, e ka rrugën të hapur. Shoqëritë e lira të perëndimit nuk e detyrojnë askënd të besojë diçka të caktuar, as të besojë. Por megjithëse shtetit nuk i intereson natyra e besimit tënd, ai është në anën e të gjithë atyre që besojnë: Sepse ai garanton “ushtrimin e pashqetësuar të besimit”. Edhe kjo qëndron shumë lart në kushtetutë. Për këtë arsye unë nuk jam i detyruar ta pranoj për shembull që nëse gjatë një meshe krishtlindjesh një grua e re kërcen lakuriq në altarin e katedrales së Köln-it dhe thërret “Unë jam zoti”. Por unë gëzohem për shembull që ajo para gjykatës merr një gjobë të majme.

Gjëra të tjera më duhet t’i pranoj. Edhe pse më zemërojnë pa masë. Kur baltosen ato që për mua janë të rëndësishme, të shenjta. Për shembull kur krishti i kryqëzuar përshkruhet pa respekt si budalla i kryqëzuar në dërrasa. Apo kur Papa si kreu i kishës katolike paraqitet me një njollë urine në veshjen papnore dhe mbishkrimi thotë: “U gjend vrima nga ku rrjedh në Vatikan.”
Asnjë kabaretist apo karikaturist i ndonjë reviste satirike nuk është futur për këtë në Gjermani në burg. Sepse provokime të tille futen në kuadrin e lirisë së shprehjes, së artit dhe shtypit. Dhe unë si i krishterë besimtar nuk kam pse të merrem me ta: Unë nuk shkoj të shikoj kabare të tilla, ose mund të largohem nga ato. Nuk kam pse t’i lexoj ose t’i blej revista të tilla. Si një i krishterë i shkolluar unë e ngushëlloj veten me citatin e Goethes: “Me asgjë tjetër nuk e tregojnë më shumë karakterin njerëzit, se sa me gjërat që i vlerësojnë si qesëndisëse.”
E gjitha kjo është trashëgimi e asaj epoke që historianët e quajnë “iluminizëm”. E thënë thjesht bëhet fjalë për një marrëveshje dypalëshe: Unë fitoj lirinë për të besuar çfarë dua – dhe për këtë pranoj lirinë e të tjerëve të thonë atë që duan. Apo më shkurt: Të drejtat e mira për tolerim të atyre që mendojnë ndryshe. Vetëm personalisht nuk lejohet të më fyejë askush.
Streha e zotit – si kisha, sinagoha apo xhamia e tempulli budist janë hapësira të mbrojtura. Që prej 300 vitesh Europa dhe Amerika veriore kanë një përvojë të mrekullueshme me këtë parim.
Jo lëshime me tolerancën
“Perëndimi me përvojën iluministe nuk mund dhe nuk lejohet të bëjë këtu lëshime. Kush pra do të jetojë këtu duhet të pranojë këto rregulla. Ky nuk është shtrëngim – edhe pse kjo disa të krishterëve radikalë apo myslimanëve radikalë mund t’u duket si e tillë. Dhe kush përdor dhunën për të realizuar qëllime fetare apo kundërshtarë të besimit të vet, braktis në vitin 2015 çdo lloj platforme civilizimi. Kështu nuk mendojnë vetëm të krishterët e Europës, por më shumë se nëntë nga dhjetë myslimanë që jetojnë në Gjermani. Ata që e kanë kuptuar prej kohësh, se rregullat që janë të vlefshme në shumë vende myslimane, do t’ua bënin të pamundur praktimin e fesë së tyre në Europë. Dhe ata që e kanë mësuar ta vlerësojnë tolerancën europiane.
Ajo që i lëndon myslimanët besimtarë, ashtu si edhe mua: kur aktet brutale nga disa të çmendur radikalë hedhin hije të errëta mbi një fe të gjithë dhe një besim. Kur këto ditë pretendohet se një botë pa besim në zot do të ishte një botë më e mirë. Sepse besimi gjithsesi përfundon në radikalizim. Jo! Unë mbrohem kundër kësaj! Besimi im është diçka shumë e vlefshme për mua, dhe unë nuk dua të ma marrin këtë. Meqë ra fjala, fqinji im mysliman ka të njëjtin mendim. (dw)

Sulmi në Paris dhe konflikti ideologjik

Sulmi i së mërkurës ndaj revistës satirike franceze Charlie Hebdo nuk ishte i vetmi incident i goditjes së 35s evropiane nga ekstremistë islamikë. Korrespondenti Al Pessin njofton nga Londra se incidente të tilla janë dëshmi e përplasjes së vlerave themelore mes ideologjive. Ndërkohë që mijëra vetë në Francë dhe mbarë botën kujtojnë të vrarët në incidentin e së mërkurës, ata janë angazhuar edhe në akte të ndryshme të ushtrimit të lirisë së fjalës.

Disa kishin pankarta me fjalët “Dashuria është më e fortë se urrejtja”, të tjerë me fjalët “Liria e shtypit është e paçmueshme”.

Por jo çdokush e përqafon këtë ide. Ky ishte sulmi i dytë ndaj kësaj reviste satirike. Karikaturat Profetit Muhamet në një revistë daneze shkaktuan protesta në një numër vendesh dhe në disa raste edhe incidente me dhunë në vitin 2005. Një kineast holandez u vra në vitin 2004 pasi realizoi një dokumentar për mënyrën si trajtohen gratë myslimane.

Ekspertët thonë se dhuna është një ndër mënyrat e shfaqjes së konfliktit që ekziston mes vlerave të botëkuptimit perëndimor për lirinë e shtypit dhe pikëpamjeve tradicionale islamike për të respektuar autoritetin dhe në veçanti figurat fetare si dhe mospërdorimin e imazhit të njeriut në art.

Carool Kersten është pedagog mbi islamin në universitetin King’s College në Londër:

“Kur këto bindje gjejnë interpretim ekstrem, si me karikaturat provokuese në revistën satirike, është si një justifikim nga Zoti për radikalët që të hidhen në veprim”.

Por ai shton se pikëpamjet e ekstremistëve nuk pasqyrojnë mendimin e pjesës më të madhe të myslimanëve:

“Mund ta shohësh edhe sot në 35n sociale ku shumë myslimanë shprehen se ndjehen të ofenduar nga çdo satirë që lidhet me Profetin Muhamet, por se nuk do të mbështesnin kurrë vrasjen e autorëve të këtyre imazheve”.

Zyrtarë dhe udhëheqës fetarë në shumë vende myslimane, përfshirë Libinë e dënuan sulmin në Paris. Karikaturistët e vrarë të revistës Charlie Hebdo dhe kolegët e tyre ndiqnin një formë satire djegëse, pa rezerva. Ata vunë në Twitter një karikaturë të udhëheqësit të ISIS pak para sulmit:

“Unë besoj se kjo satirë është pjesë e gazetarisë. Karikatura bën pjesë në traditën gazetareske që prej qindra vjetësh”.

Gavin Evans është gazetar dhe pedagog në Shkollën e Londrës për Gazetarinë. Ai foli përmes Skype-it.

“Ata që besojnë se duhet të jenë të paprekshëm nga satira, e meritojnë të satirizohen. Mendoj se ky është thelbi i karikaturës”.

Zoti Evans nënvizon se revista Charlie Hebdo satirizonte edhe besime të tjera fetare, biles edhe Papën. Ai shqetësohet se ky sulm mund të bëjë gazetarët të rezervuar:

“Një redaktor që ka në staf një karikaturist që mund të satirizojë elementë të fesë islame ka gjasa të tregohet më i kujdesshëm për të mos shkaktuar një reagim të tillë”.

Disa redaktorë vendosën të mos i botonin karikaturat e revistës Charlie Hebdo për islamin. Por për momentin, e përditshmja The Independent në Londër nuk duket se është tërhequr duke botuar në faqe të parë një karikaturë me një diçiturë drejtuar terroristë me fjalë që nuk janë të përshtatshme për transmetim. (voa)

Franca, feja islame e polemika midis Republikës dhe fesë

Franca ka marrëdhënie historike me botën islame. Mbi to bazohen lidhjet dhe tensionet e së shkuarës. Atentati terrorist kundër Charlie Hebdo-së mund t’ trondisë këto marrëdhënie të ndërlikuara.Libri nuk kishte dalë ende në librari, por vëmendjen e kishte tërhequr maksimalisht. Kudo diskutohej “Submission” (“Nënshtrimi”, romani i ri i shkrimtarit francez Michel Houellebecq. S’mbeti artikull për kulturën në gazetë që nuk shprehej për këtë roman. Të hënën e kësaj jave (05.05.2014) diskutimi arriti edhe pallatin Elize. Po, ai do ta lexojë librin, sepse njerëzit flasin për të, u shpreh edhe Presidenti i Francës, François Hollande. Por ka mundësi që ai të mos i bëjë të vetat pikëpamjet e Houellebecq-ut për fenë islame.
Houellebecq projekton në romanin e tij një situatë të çuditshme: një mysliman zgjidhet president i Francës, për të penguar ekstremisten e djathtë Marine Le Pen. Përgjigjen për reagimin e vendit e gjen thuajse në të gjitha pozicionimet për romanin: disa e vlerësojnë Houellebecq-un si paralajmërues dhe shpëtues. Të tjerë e akuzojnë se i hedh benzinë zjarrit për migrimin dhe integrimin.
Houellebecq-u vetë zgjodhi një rrugë të mesme: ai nuk e di se prej kujt ka më shumë frikë, i tha ai gazetës “Le Journal de Dimanche”: nga francezët e çmendur pas identitetit apo nga myslimanët. I sigurtë ai ishte vetëm për një gjë: “Të jesh islamofob nuk është formë e racizmit”.

Të mërkurën libri më në fund doli në librari. Pikërisht në ditën kur ekstremistët myslimanë kryen atentatin kundër redaksisë së revistës satirike Charlie Hebdo. Në atentat u vranë 12 vetë.
E kaluara koloniale e Francës
A është rastësi përkimi kohor? Apo qe llogaritur atentati si përgjigje ndaj të gjithë atyre që guxojnë të shprehen, sipas atentatorëve, në mënyrë jo të përshtatshme për fenë islame? E qartë është që atentati u krye në një kohë kur francezët diskutojnë me pasion për fenë islame dhe praninë e saj në Francë. Në Francë jetojnë midis katër dhe gjashtë milionë myslimanë nga vende të ndryshme islamike. Jo pak francezë etnikë druhen se kjo mund ta ndryshojë përgjithmonë imazhin politik, juridik dhe fetar të francezëve për veten.
Debatet zhvillohen në një sfond historik të largët. Më 1830 francezët pushtuan Algjerinë. Atje ata ngritën një sundim kolonial që zgjati 130 vjet. Vetëm në vitin 1962, pas luftërave të gjata e me shumë viktima në të dyja palët, Algjeria u bë sërish e pavarur. Kujtesa historike për këtë në të dyja palët është e ndryshme, thotë historiani francez, Benjamin Stora. “Në njërën anë ndodhet nacionalizmi francez, i cili nuk do ta pranojë deri sot tërheqjen nga Algjeria. Nacionalizmi algjerian nga ana tjetër e legjitimon veten me fitoren kundër ish-kolonialistëve.”
Në gjysmën e parë të viteve 1990, gjatë luftës civile në Algjeri, xhihadistët ushtruan atentate të rënda në Francë, ndër të tjera në metronë e Parisit. Në këtë atmosferë, që në vitin 1985 ishte krijuar në Francë aleanca SOS Rassisme. Kjo aleancë kërkonte bashkëjetesën paqësore me sloganin “Touche pas à mon pote”(“Mos e prek shokun tim”).

Në vjeshtë 2005 në disa qytete të Francës pati përleshje të dhunshme të migrantëve të rinj. Përleshjet u ndezën pas vrasjes së dy migrantëve të rinj, të cilët të ndjekur nga policia u fshehën në një kabinë elektrike, ku vdiqën nga goditjet e rrymës. Pas kësaj në Paris u ndezën protesta që u shpërndanë në shumë qytete të mëdha të Parisit. Automjete të panumërta, kabina telefonike dhe kazanë plehrash u përfshinë kudo nga flakët.
Terrori dhe diskreditimi
Edhe nga pikëpamja kulturore konflikti vazhdon. Kështu Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e konfirmoi në korrik 2014 ndalimin e çarçafit, pra të mbulimit të të gjithë trupit, ose mbajtjen e perçes. Ato që e shkelin ligjin i pret një dënim prej 150 eurosh. Të prekura nga ky ndalim janë rreth 2000 gra.
Veç kësaj, debati acarohet nga veprimet e “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak. Në këtë kontekst me sa duket u krye edhe atentati. Atë e kryen terroristë profesionistë. Ata me sa duket zbatuan atë që dëshiron “Shteti Islamik” për Evropën: t’i ndajë krejtësisht nga njëri-tjetri, myslimanët nga jo myslimanët. (dw)

Franca dhe ekstremizmi islamik

Incidenti i së mërkurës në Paris, në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo që kishte botuar karikatura të Profetit Muhamet është më vdekjeprurësi, por nuk është i vetmi sulm terrorist nga ekstremistë islamikë në Francë.Franca është bërë edhe më parë objekt i sulmeve nga ekstremistë islamikë:Në fund të vitit 2014 kryeministri francez tha se Franca nuk kishte qenë kurrë më parë përballë një kërcënimi më të madh terrorist. Që nga vera e 2013, sipas policisë franceze, janë zbuluar dhe parandaluar pesë komplote për sulme terroriste.

Eksperti i çështjeve të sigurisë ndërkombëtare Shaun Gregory thotë se Franca është dhe ka qenë prej dekadash në vijën e parë të kërcënimit nga terrorizmi islamik në Evropë.

“Për të gjetur një krahasim me sulmin e së mërkurës duhet të analizojmë peridhën e mesit të viteve 1990, kur Franca ishte objekt i valës së pare të terrorit islamik në Evropë. Një numër sulmesh terroriste u ndërmorën para sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara”.

Në 1995, një bombë shpërtheu në një tren pasagjerësh në Paris duke vrarë tetë vetë dhe duke plagosur më shumë se 100. Ky ishte një ndër incidentet e dhunshme për të cilat u fajësuan ekstremistë algjerianë. Një vit më pas një tjetër shpërthim në të njëjtin tren la katër të vrarë dhe plagosi afro 100 vetë.

Zoti Gregory thotë se pas kësaj periudhe situata u qetësua, pjesërisht si rezultat i klimës politike: Franca nuk u fut fillimisht në luftën në Irak dhe u përpoq të distancohej disi nga Evropa dhe aleatët në NATO.

Por në vitet e fundit kërcënimi terrorist është rritur. Statistikat e Europolit nga viti i kaluar tregojnë se në Evropë ka pasur mbi 500 incidente terroriste, thuajse gjysma e tyre në Francë dhe 40% e arrestimeve që lidheshin me komplote terroriste u regjistruan në Francë.

Charlie Hebdo që u sulmua të mërkurën është sulmuar edhe më parë. Në 2011 zyrat e revistës u dëmtuan nga një bombë zjarri e hedhur nga dritarja, një ditë pasi botoi një karikaturë të Profetit Muhamet.

Zoti Gregory thotë se rizgjimi i kërcënimit terrorist mund të shpjegohet pjesërisht nga ndryshimet në politika:

“Franca mori pjesë në misionin e stabilizimit në Afganistan. Ajo u mobilizua me një rol më të madh në Afrikën Veriore dhe në trazirat në Marok dhe Libi. Po ashtu zhvilloi operacione në Mali në 2012 dhe 2014″.

Franca ka popullatën më të madhe myslimane në Evropë, që llogaritet në afro pesë milionë vetë.

Zoti Gregory thotë se opinioni që ekziston për qëndrimin dhe politikat e Francës ndaj komunitetit mysliman kanë kontribuar për ta acaruar problemin. Për shembull: ndalimi i perçeve në vende publike dhe i shamive të kokës në shkolla shtetërore:

“Po ashtu ekziston përshtypja se komuniteti mysliman në Francë është nën presion më të madh, si rezultat i politikave shtetërore për të theksuar natyrën laike të shtetit dhe për të përjashtuar simbolet fetare nga vende publike. Këto faktorë e kanë vënë përsëri Francën në vijën e parë të terrorizmit në Evropë”.

Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme, afro 400 shtetas francezë luftojnë me grupe xhihadiste në Siri dhe Irak, ndërsa qindra të tjerë mendohet se po përgatiten për t’u bashkuar me këto grupe. Rreth 200 prej tyre janë kthyer në Francë ku janë ndaluar nga autoritetet dhe janë pritje të gjykimit.

Eksperti i terrorizmit Bill Tupman, pedagog në Universitetin Exeter thotë se në klimën politike aktuale në Francë, sulmi ndaj revistës Charlie Hebdo do të ketë ndikim të madh mbi zhvillimet politike dhe sociale.

“Në incidentet e mëparshme mbështetja për ekstremin e djathtë ka qenë mjaft e ulët. Por aktualisht në pjesë të tjera të Evropës mbështetja për lëvizje të ekstremit të djathtë dhe forca ekstremiste kundër imigracionit është shumë më e fortë se kurrë më parë në Evropë”.

Ai thotë se sulmi vdekjeprurës i së mërkurës ka gjasa të rrisë ndjenjat anti-myslimane. (voa)

Mercedes në Panairin e Elektronikës

Gara për të qënë prodhuesi i parë i makinave që lëvizin pa ndihmën e shoferit është ashpërsuar më tej. Në Panairin Ndërkombëtar të Elektronikës në Las Vegas, kompania Mercedes-Benz paraqiti modelin futurist F 015, për të cilën ekspertët thonë se mund të ndryshojë shoqërinë dhe mënyrën se si ne e shohim automjetin. Drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Daimler Dieter Zetsche, paraqiti makinën luksoze elektrike që funksionon me bateri me diegie të brendshme. Arritja e makinës në panair skenë u prit me duartrokitje në sallë ndërsa dyert e makinës u hapën për të treguar se ajo ishte automatike dhe lëvizte pa shofer.

Zoti Zetsche shpjegoi se makina pa shofer do të ndryshojë shoqërinë dhe mënyrën sesi konceptohen automjetet.

”30 vjet më parë i shihja këto foto dhe ëndërroja për këto makina. Tani të jesh pjesë e realizimit të kësaj ëndrre është fantastike. Ne kemi përgjegjësinë pasi jemi kompania që shpiku makinën. Pra ne duhet të jemi ata që sjellim ndryshimin e madh.”

Makina luksoze F 015, me kabinën e saj të bollshme dhe katër vende, hap mundësi të reja për makinat vet-lëvizëse. Dhe duke ruajtur traditën e Mercedesit dhe konceptin e makinave luksoze, vendi i pasagjerëve është tepër modern: sedilje me lëkurë, alumin i lëmuar dhe xhama të ndriçuar në ngjyrë blu.

Mercedes i jep meritë sistemit të sensorëve që mundëson lëvizjen e pavarur të makinës. Sistemi ”Extended Sense” monitoron vazhdimisht rrugën përmes përdorimit të kamerave, radarëve dhe sensorëve ultrasonikë.

Ndonëse disa karakteristika të ndryshme gjysmë-automatike janë tani në disa makina në qarkullim, zoti Zetsche thotë se makinat që lëvizin vetë janë ende një dekadë larg.

“Dekadën e ardhshme, mund të presim makina pa shofer në rrugë. Ne tashmë kemi elementë të rëndësishëm të këtyre makinave. Ato mund të lëvizin vetë deri në 15 milje në orë.”

Mercedes-Benz është në mes të një numri të rritje kompanish që marrin pjesë këtë vit në panairin e Las Vegasit me shpresë për të demonstruar ndërthurjet mes teknologjisë dhe industrisë së automobilëve.

Panairi Ndërkombëtar i Elektronikës është më i madhi në botë i këtij lloji dhe tërheq më shumë se 150 mijë vizitorë. Ai u hap sot dhe mbyllet më 9 janar. (voa)

Koment: Francë – nivel i ri shkallëzimi

Atentati i Parisit do ta nxisë edhe më tepër debatin për fenë islame dhe për refugjatët. Po ne nuk mund të bëjmë ҫ’të duam as me lirinë dhe as me tolerancën, mendon Christoph Hasselbach.Fare papritur atentati nuk vjen. Revista satirike “Charlie Hebdo” i pati rishtypur që në vitin 2006 karikaturat e Muhametit të gazetës daneze “Jyllands Posten”, të cilat bënë që myslimanët të ngrihen në revolta në të gjithë botën. Atëherë pati shumë atentate në shtetet islamike kundër përfaqësive daneze dhe përfaqësive të shteteve të tjera perëndimore. Në vitin 2011 në ambjentet e redaksisë së “Charlie Hebdo”-së në Paris u krye një atentat me zjarrvënie. Kjo nuk e frenoi gazetën që të satirizojë edhe më tej Muhametin dhe fenë islame, midis të tjerash me një botim të posaҫëm “Sharia”, nën një “kryeredaktor Muhamet”. Nuk duhet të jetë rastësi, që faqja e parë e botimit më të fundit të gazetës tregon fotografinë e Michel Houellebecq-ut. Shkrimtari sapo ka botuar romanin e tij shumë të diskutueshëm “nënshtrimi”, në të cilin Franca qeveriset nga një president mysliman.
Jo trajtim të veçantë për myslimanët
A i lejohet një reviste të bëjë humor për një fe ose për shenjtorin e saj? Natyrisht që i lejohet, brenda kuadrit të ligjeve të vendit. “Charlie Hebdo” e ka vënë herë pas here në shënjestër edhe Papën dhe ka fituar me këtë rast edhe një konflikt juridik me një organizatë katolike. Të krishterët katolikë mund të zemërohen pa masë për satirat që përqeshin Papën, por i pranojnë ato. Edhe një qeveri nuk lejohet të përzihet. Një shoqëri e lirë, demokratike duhet ta përballojë këtë. Dhe një shtet duhet ta presë këtë durim prej të gjithë shtetasve të tij. Nuk mund të ketë trajtim të veçantë për myslimanët.

Tensionet po shtohen
Pas një atentati të tillë të tmerrshëwm ndien nevojën të bësh thirrje për t’u përmbajtur: “Ju kritikë të fesë islame, mos e teproni, qetësohuni. Nuk duam luftë fetare.” Po kjo do të ishte pikërisht ajo që duan atentatorët: një kufizim vullnetar të lirisë. Një shantazh i tillë nuk duhet të funksionojë. Megjithatë, kur mendon pasojat e atentatit, nuk mund të mos trishtohesh. Tensionet edhe pa këtë të mëdha në Francë do të rriten edhe më tej. Një pjesë e madhe e popullsisë së Francës është myslimane. Shumë prej tyre janë të papunë, jetojnë në periferi të shoqërisë. Në disa geto policia nuk guxon më të futet. Nga ana tjetër, Fronti Nacional ekstremist i djathtë i nxit njerëzit kundër të huajve dhe veçanërisht kundër myslimanëve.
Disa e kanë ditur prej kohësh
Dhe pasojat nuk do të mbeten të kufizuara në Francë. Praktikisht në të gjitha vendet e BE vitet e kaluara janë forcuar partitë ksenofobe. Ato do të thonë tani “e shihni, myslimanët nuk e kanë vendin te ne. Thjesht ata nuk mund të integrohen.” Edhe në Gjermani Pegida ka mundësi ta shohë edhe më fort Oksidentin të kërcënuar edhe më fort nga islamizimi. Nuk duhet t’i zbukurojmë gjërat, bashkëjetesa sociale nuk do të bëhet më e lehtë. Duhet të jemi syhapur, kjo ka rëndësi. Por ne nuk duhet ta braktisim tolerancën. Nuk ka arsye që të gjithë myslimanët të vështrohen me dyshim ose që të dyshojmë për modelin e bashkëjetesës paqësore. (dw)

Presidenti Hollande shpall ditë zie në Francë pas atentatit kundër ‘Charlie Hebdo’

Presidenti francez, Francois Hollande bëri të ditur që Franca do të mbajë ditë zie të enjten. Vendimi erdhi pas një atentati të tmerrshëm ndaj revistës satirike Charlie Hebdo, nga i cili mbetën të vrarë 12 vetë.Në një deklaratë drejtuar kombit të mërkurën në mbrëmje, presidenti Hollande tha se flamujt do të ngrihen në gjysmë shtizë në të gjithë vendin për tri ditë.
E enjtja do të jetë hera e pestë në 50 vitet e fundit, kur në Francë është shpallur ditë zie.
Dhjetëra mijëra parizianë, agjenci të ndryshme lajmesh flasin për deri 100.000 vetë, dolën te mërkurën pas atentatit në rrugët e Parisit. “Uniteti është “arma më e mirë” e Francës, tha Hollande
“Asgjë nuk mund të na përçajë, asgjë nuk duhet të na ndajë. Liria do të jetë gjithmonë më e fortë se barbaria”, shtoi ai. Presidenti francez vlerësoi më tej veprën e “kronistëve kurajozë” të revistës satirike.
‘Mesazh i lirisë’
Persona të armatosur sulmuan të mërkurën pasdite zyrat e revistës Charlie Hebdo dhe nisën të hapin zjarr.
Midis 12 të vrarëve janë katër anëtarë të stafit të Charlie Hebdo-s, duke përfshirë edhe kryeredaktorin e revistës Stephane Charbonnier dhe karikaturistin e famshëm Jean Cabut, së bashku me Georges Wolinskin dhe Bernhard Verlhacun, të njohuzr me pseudonimin Tignous. U vranë edhe dy policë.
Tweet-i i fundit i publikuar nga Charlie Hebdo ishte një pikturë që kishte objekt udhëheqësin e shtetit “Shteti islamik”, Abu Bakr al-Baghdadi, të cilit i uronte shëndet të mirë.
“Përmes ndikimit të tyre dhe pavarësisë, ata i prekën francezët brez pas brezi”, tha Hollande.
“Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë këtë mesazh paqeje në emër të tyre”, shtoi ai. (dw)

Paris, sulm gazetës, të paktën 12 të vrarë

Policia franceze njofton se të paktën 12 persona u vranë gjatë një sulmi kundër gazetës së përjavshme satirike Charlie Hebdo në Paris. Sipas njoftimeve të shtypit tre persona të armatosur hapën zjarr me automatikë dhe një raketalëshues brenda ndërtesës, ku gjenden zyrat e gazetës. Autorët e sulmit u larguan me dy makina dhe ende nuk janë kapur. Shtetet e Bashkuara e dënuan sulmin.Sipas njoftimeve, redaksia ishte në mbledhje kur ndodhi incidenti.

Drejtori i gazetës Stéphane Charbonnier dhe të paktën 3 karikaturistë u vranë. Sipas njoftimeve, mes të vrarëve ishin edhe dy policë.

Presidenti francez Francois Hollande e quajti ngjarjen një akt terrorist. Ai tha se asnjë sulm terrorist nuk do ta shuajë lirinë e shtypit.

“Franca është e tronditur nga ky sulm terrorist, sepse nuk ka dyshim që i tillë është, kundër një gazete e cila ka qenë kërcënuar disa herë dhe me të drejtë ka qenë nën mbrojtje,” tha Presidenti francez.

Christophe Deloire, kreu i organizatës Reporterët pa Kufij tha se kjo është një ditë e zezë për shtypin francez:

“Vështirë se mund të përfytyrojmë një sulm më të rëndë. Ekipi i gazetës Charlie Hebdo, ka qenë kërcënuar edhe në të kaluarën. Ata kishin bërë kërcënime serioze por jo në këto përmasa. Sulmi i sotëm është çmenduri,” tha zoti Deloire.

Franca ka rritur gatishmërinë kundër terrorizmit në shkallën më të lartë. Ky është sulmi më vdekjeprurës në Francë në të paktën dy dekada.

E njohur për stilin e saj mjaft të hapur, kjo gazetë e majtë komenton shpesh për fenë dhe kulturën.

Pak minuta përpara sulmit, gazeta kishte shpërndarë me Twitter një karikaturë të udhëheqësit të grupit Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, ku ai paraqitet duke uruar vitin e ri.

Në vitin 2011 zyrat e gazetës u sulmuan me bombë me benzinë pas botimit prej saj të një karikature të profetit Muhamed. Rreth një vit më vonë, gazeta botoi përsëri karikatura të tilla duke u bërë objekt dënimi nga e gjithë bota myslimane.

Shtëpia e Bardhë e dënoi sulmin e sotëm dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të japin çdo ndihmë të nevojshme për t’i sjellë terroristët para drejtësisë.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se çdo amerikan qendron sot pranë popullit të Francës në solidaritet në çështjen e luftës kundër terrorizmit. Në komentet që bëri në Departamentin e Shtetit, ai i quajti viktimat njerëz të guximshëm dhe fisnikë.

Zoti Kerry tha se lufta kundër terrorizmit është pjesë e një konfrontimi më të gjerë, jo mes qytetërimeve, por mes qytetërimit dhe atyre që i kundërvihen botës së qytetëruar. Ai tha se liria e shprehjes nuk mund të vritet nga ky akt terrori. Njerëzit që bëjnë gjëra të tilla, tha zoti Kerry vetëm sa forcojnë angazhimin tonë ndaj lirisë së shprehjes. Sekretari amerikan i shtetit iu drejtua francezëve edhe në gjuhën e tyre. (voa)

Interviste me presidentin Nishani

Kreu i shtetit shqiptar analizon zhvillimet kryesore të vitit 2014: marrëdhëniet e vështira me shumicën e majtë, reformën në Drejtësi, apo kritikat për lidhjet me të djathtën që sipas tij “janë alibi e së majtës për t’i hequr kompetencat Presidentit”Në Shqipëri, kreu i Shtetit Bujar Nishani thotë në një intervistë me Zërin e Amerikës se institucioni I Presidentit të Republikës si kurrë më parë, ka qenë gjatë vitit 2014 nën trysninë dhe sulmet e shumicës së majtë të cilat sipas tij kanë qenë të panevojshme. Zoti Nishani analizon zhvillimet e vitit të shkuar dhe sfidat që e presin vendin, ndërsa vë theksin te reforma e Drejtësisë, një sistem ndaj të cilit ka sipas tij, një ndikim në rritje të politikës.

Zëri i Amerikës: Zoti President, së pari ju falënderoj për mundësinë e kësaj interviste! Do të doja ta nisja me një pyetje rreth vitit 2014. Nëse do të bënit një vlerësim të përmbledhur të vitit që sapo lamë pas: ju si do ta përkufizonit?

Presidenti Bujar Nishani: “Ishte një vit, që pati dinamikën e zakonshme të shoqërisë shqiptare. Jam i bindur që ka qenë një vit më i mirë se çdo vit tjetër paraardhës. Ashtu siç besoj që çdo vit që do të vijë do të jetë më i mirë se ato që lëmë pas dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, sepse vetë shoqëria synon të shkojë shumë më përpara dhe përvoja, pjekuria dhe arritjet gjithmonë ndihmojnë që të merren si referenca pozitive për të hedhur hapa përpara. Natyrisht ishte një vit që kishte dhe vështirësitë e veta, vështirësi kryesisht në aspektin ekonomik, të cilat u vunë re në ekonominë shqiptare, të ndikuar dhe nga kriza financiare dhe ekonomike globale në tërësi dhe rajonale të vendeve që kemi përreth e me të cilët ekonomia shqiptare është e lidhur. Por ajo që unë dua të vlerësoj ka të bëjë me një ngjarje shumë të rëndësishme siç ishte marrja e statusit kandidat për në Bashkimin Evropian, që ishte në radhë të parë një vlerësim për çka shqiptarët dhe Shqipëria kishin arritur për të bërë të mundur marrjen e statusit, dhe së dyti si një moment i rëndësishëm inkurajimi për shoqërinë dhe institucionet shqiptare, për çdo qytetar dhe gjithë aktorët e shoqërisë për të ecur përpara në përmbushjen e detyrave të gjithsecilit dhe për të arritur ato standarde që kërkohen që edhe shoqëria shqiptare të formësohet si një shoqëri e standardeve evropiane.

Ishte një, vit i cili nuk shmangu debatet politike, shpesh herë edhe të panevojshme. Por gjithsesi ishte një vit, që la gjurmë të rëndësishme në të gjitha aspektet në jetën tonë si shqiptarë. Dhe mbi të gjitha besoj se është një moment tjetër i një eksperience të shtuar në vlerësimet dhe gjykimet tona si shoqëri.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju sapo përmendet debatet politike, të cilat realisht nuk i janë ndarë politikës shqiptare. Kam vënë re se viti 2014 ka qenë një vit i vështirë në marrëdhëniet tuaja si Institucion i Presidentit të Republikës me qeverinë apo shumicën. Ka pasur një sërë polemikash dhe një sërë madh ligjesh që ju i keni kthyer pas si dhe akuza që ju i keni drejtuar qeverisë, por edhe ajo nga ana e saj. Kujtoj këtu që Kryeministri Rama ka thënë se për herë të parë kemi një President që sulmon qeverinë. Përse kjo lloj marrëdhënieje?

Presidenti Bujar Nishani: Është e vërtetë ajo që thatë ju se ka qenë një marrëdhënie e vështirë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës, më shumë se çdo herë tjetër në historinë e pluralizmit shqiptar është ndierë i trysnuar, i presuar, madje edhe i agresuar në kuptimin legjislativ nga një shumicë, e cila nuk ka asnjë arsye të përdorë atë forcë që ka në Parlament, e cila i është dhënë në fakt për të punuar për jetën e qytetarëve, për të përmbushur përgjegjësitë në raport me shoqërinë dhe aspak për të vendosur në pozicione të vështira institucionet e vendit, qofshin ato në varësi apo përbërje të Ekzekutivit, dhe aq më tepër atyre që janë të pavarura, siç është dhe Institucioni i Kreut të Shtetit shqiptar. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar kemi konstatuar që gjatë një viti janë ndryshuar një numër i madh ligjesh me synimin e vetëm për t’i hequr kompetencat kushtetuese madje, Presidentit të Republikës dhe një sërë prej tyre t’i kalojnë qeverisë dhe Kryeministrit, çka nuk ka ndodhur asnjëherë në 25 vite të pluralizmit shqiptar, pavarësisht debateve që ka pasur mes institucioneve edhe në të shkuarën. Por kurrë nuk ka pasur një praktikë të tillë, që Presidenti i Republikës, pavarësisht se nuk ka pushtet ekzekutiv, por që krahas rolit të tij protokollar dhe simbolik ka dhe disa kompetenca emërtesash, të cilat jo pa qëllim i janë dhënë nga Kushtetuta e vendit, pikërisht për të ruajtur balancat, kryesisht garancitë kushtetuese të mosndërhyrjes së pushteteve të tjera në këto emërtesa gjatë funksionimit dhe përmbushjes së detyrës nga ana e tyre. Pikërisht kjo balancë është prishur, duke ia hequr këto kompetenca Presidentit të Republikës dhe ky ka qenë i vetmi reagim dhe qëndrim i pandryshueshëm i Presidentit të Republikës, së pari për të nënvizuar shqetësimin e një ndërhyrjeje të tillë të paprecedent më parë, së dyti, rëndësinë e madhe që ka ruajtja e balancave mes pushteteve dhe institucioneve kushtetuese në Shqipëri, dhe së treti, frenimin e politizimit të këtyre institucioneve gjatë funksionimit të tyre, pasi një politizim i tyre nuk i shërben askujt. Dhe jam i sigurt se nuk i shërben as vetë shumicës, qytetarëve jo e jo, por do ta vendosë dhe vetë shumicën në një të ardhme shumë të afërt, në një pozitë shumë të vështirë në raport me qytetarin dhe me dimensionin e demokracisë në vend. Nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë asnjë objektiv nga Presidenti i Republikës, – për fat të mirë, nuk ka as mekanizma për të penguar punën e një shumice, punën e qeverisë. Përkundrazi, është përgjegjshmëri edhe e Institucionit të Presidentit që të jetë maksimalisht i angazhuar dhe mbështetës i të gjithë punës që bën qeveria, por këtu e kam fjalën për punë dhe jo për akte të tilla, që nuk kanë lidhje me impaktin që duhet të marrin qytetarët shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti President, Gjykata Kushtetuese, disa nga ligjet që ju i keni ankimuar, i ka kthyer ose i ka pranuar ato vetëm pjesërisht…

Presidenti Bujar Nishani: Natyrisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime detyruese për gjithkënd. Madje ky ka qenë ndër shqetësimet e mia, e që mbetet ende një shqetësim, edhe në komunikimet e fundit që kam pasur me shumicën parlamentare, zbatimi dhe respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse këto vendime dhe këto raste duhet të gjykohen dhe duhet të vlerësohen në mënyrë të njëjtë nga të gjitha institucionet. Duhet të shmangim në çdo rast standardet e dyfishta, pra kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese na pëlqejnë politikisht dhe na kërkojmë t’i zbatojmë, dhe kur nuk na pëlqejnë politikisht, ne nuk i zbatojmë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbeten për t’u respektuar nga të gjitha institucionet e tjera, pavarësisht pastaj këndvështrimit dhe bindjes që mund të ketë çdo institucion në vetvete. Kjo është një çështje krejt tjetër. Ajo që mbetet e padiskutueshme është zbatimi dhe respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ekzistenca e këtij mekanizmi është e rëndësishme, dhe natyrisht pavarësisht defekteve që mund të ketë, është një mekanizëm që garanton, le të themi, pjesën proceduriale të funksionimit të institucioneve të shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, shumica asnjëherë nuk e ka fshehur mosbesimin ndaj prejardhjes tuaj politike. Madje kritikët tuaj shprehen se as ju nuk keni bërë asgjë gjest për të dëshmuar të kundërtën, dhe jeni akuzuar se në disa raste keni mbajtur linjën e opozitës së sotme

Presidenti Bujar Nishani: Në fakt kjo ka qenë alibia e vetme që ka pasur shumica për të justifikuar marrjen e kompetencave të Presidentit të Republikës dhe mua kjo më ka shqetësuar dhe vazhdon të më shqetësojë, standardi apo stili i një kulture politike që të gjitha pushtetet duhet të kontrollohen dhe duhet të menaxhohen nga një pushtet i vetëm. Që të gjitha institucionet duhet të kontrollohen dhe duhet të menaxhohen nga një pushtet i vetëm, pasi nuk është ky thelbi i demokracisë, nuk janë këto parimet e demokracisë. Madje asnjë shumicë nuk votohet për këtë e për këto lloj deformimesh, ashtu siç është votuar dhe shumica aktuale. Por duke parë se Presidenti i Republikës, qëlloi “i pabindur” për të qenë një pjesë e noterizimit të akteve, apo veprimeve dhe objektivave të caktuara të shumicës, rruga më e thjeshtë apo më e lehtë ka qenë për ta identifikuar dhe sulmuar atë si një person me ngarkesa politike.

Po të marrim historinë e Presidentëve në Shqipërinë e pas diktaturës, asnjëri prej tyre nuk ka qenë pa një “background” të caktuar politik, madje disa prej tyre kanë në një pozicion politik shumë herë më të lartë se ai që kam pasur unë përpara se të bëhesha President i Republikës. Dhe kurrë nuk i kam gjykuar dhe nuk mund t’i gjykoj për pozicionet që gjithsecili ka pasur në karrierën e tij politike. E rëndësishme është se si sillet institucionalisht personi që merr një përgjegjësi dhe një nderim kaq të madh, që të jetë President i Republikës. Nuk ka pasur në asnjë rast, argumente dhe fakte të provuara për të justifikuar artikulimet politike. Është e vërtetë që kemi pasur akuza politike, artikulime politike, duke e vënë Presidentin në qendër të targetit të artikulimit publik, në besimin tim, pikërisht për ta dekurajuar dhe për të justifikuar aktet e shumicës, dhe nga ana tjetër këto qëndrime të pretenduara si politike nga ana e Presidentit të Republikës, nuk kanë qenë të provuara as me akte dhe as me evidenca.

Unë jam i bindur që gjithnjë e më shumë, me kalimin e kohës, opinion publik është bindur në diferencën mes këtyre dy çështjeve, pra ka pasur akuza politike, por nuk ka pasur prova për ta faktuar këtë pretendim. Dhe jam i kënaqur që në raport me opinionin publik, të paktën ky është besimi im, është dëshmuar që artikulimet politike, mbeten pjesë e një beteje politike, të cilën unë vazhdoj ta konsideroj si të panevojshme nga ana e shumicës.

Gjithsesi ajo që unë kam garantuar dhe dëshiroj të garantoj opinionin publik, është që Presidenti i Republikës, dhe unë që kam fatin dhe nderin ta përfaqësoj në një mandat të caktuar, do të vijojë të jetë shumë korrekt sa i takon respektimit të Kushtetutës dhe kuadrit ligjor, por natyrisht një detyrë dhe përgjegjësi e Presidentit të Republikës është të ruajë dhe dimensionin e integritetit të këtij institucioni.

Zëri i Amerikës: Zoti President, prej gati një viti kandidaturat tuaja për në Gjykatën e Lartë janë rrëzuar nga shumica. Së fundmi, përfaqësuesit e saj, kryetarët e dy grupeve parlamentar, ju kanë kërkuar që ju të nisni procedura të reja në bazë të ndryshimeve të ligjit për Gjykatën e Lartë të miratuara në fund të dhjetorit të kaluar, për të cilat ju jeni shprehur kundër në mos gaboj. Si do të ecë përpara ky proces? Si do të tejkalohet ky ngërç?

Presidenti Bujar Nishani: Së pari nuk ka asnjë ligj të ri që ka hyrë në fuqi. Kemi një ligj i cili është ende në fuqi, dhe si President i Republikës jam i detyruar së pari të zbatoj kohën e parashikuar në ligj dhe në kushtetutë për procesin, ato kritere që ka ligji.

Në këtë rast vazhdoj të konstatoj me keqardhje mungesën e vullnetit të shumicës për të zbatuar vendimet e Gjykatës kushtetuese, pasi ka një vendim që përcakton qartë se çfarë do të thotë konsultë midis Presidentit dhe Parlamentit për emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Pra ka një interpretim dhe një dispozitiv shumë të detajuar të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Keqardhja është që nuk zbatohet dhe nuk respektohet ky vendim i Gjykatës Kushtetuese. Është kompetencë e Presidentit, jo propozim, por emërimi i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Pra ka një dallim të madh mes propozimit dhe emërimit. Do të vazhdoj të respektoj të drejtën kushtetuese, përderisa ligjvënësi do të vendosë të ndryshojë Kushtetutën. Në momentin që do të vendosë të ndryshojë Kushtetutën, pa diskutim që dhe unë do të zbatoj Kushtetutën. Por ajo që unë konstatoj me një shqetësim të veçantë, veçanërisht në raport me drejtësinë, ka të bëjë me faktin se po shoh një vendosje të një ndikimi gjithnjë e më të madh mbi drejtësinë. Çka për mua është shqetësuese.

Zëri i Amerikës: Megjithatë Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit ju falënderoi për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve. Çfarë është përmirësuar?

Presidenti Bujar Nishani: Unë e vlerësoj shumë gatishmërinë dhe qasjen e qeverisë për të ndërtuar marrëdhënie më korrekte me Institucionin e Presidentit dhe me çdo institucion tjetër. Gatishmëria e përgjegjshmëria dhe detyra e Presidentit është e tillë që duhet të ofrojë vazhdimisht këtë bashkëpunim. Unë shpresoj që të shoh në vazhdim një reflektim në këtë lloj marrëdhënie.

Zëri i Amerikës: A ishte një sinjal pozitiv qëndrimi që shumica mbajti ndaj dekretimit nga ana juaj të guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, duke qenë se u gjet një mënyrë që ai të ishte dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës përpara se të kalonte kandidatura, ndërkohë që procedura që ju ndoqët krijonte një pengesë?

Presidenti Bujar Nishani: Procesi ka qenë pozitiv. Ka pasur brenda tij elementin shumë të domosdoshëm të konsultës midis Presidentit, Qeverisë dhe Parlamentit. Natyrisht vlerësoj çdo qasje pozitive dhe racionale në këtë proces. Nuk ka asnjë detyrim të presidentit për të emëruar një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, nëse flasim për ligjin dhe çka është shkruar në ligj. Ne duhet të krijojmë një kulturë të konsoliduar të respektimit të ligjit. Unë besoj se është shumë e rëndësishme të mos shkojmë asnjëherë në interpretime individuale përtej asaj që ligji specifikon në mënyrë shumë të qartë. Gjithsesi unë besoj se procesi ka hyrë në një rrugë pozitive. Le të shohim e të presim përfundimin e këtij procesi.

Zëri i Amerikës: Por dhe Këshilli Mbikëqyrës deklaroi se po e propozonte zotin Gent Sejko si anëtar të tij pikërisht për të kapërcyer pengesën ligjore?

Presidenti Bujar Nishani: Këto janë interpretim që së pari nuk janë në kompetencën e Këshillit dhe së dyti nuk kanë asnjë bazë ligjore. Prandaj them që çdo institucion në momentin që merr një vendim, apo bën një interpretim, duhet të vendosë bazën ligjore mbi të cilën e ngre interpretimin apo merr vendimin. Ligji është mjaft I qartë. Kushtetuta është mjaft e qartë. Nëse në të ardhmen do të duhet të bëhet një ndryshim në kushtetutë apo në ligj kjo është një çështje që i takon vullnetit të parlamentit. Por duhet të flasim për aq sa parashikon ligji dhe kushtetuta momentalisht.

Zëri i Amerikës: Zoti President, pati disa kritika ndaj jush lidhur me organizimin nga ju të Ballos së fundvitit, për shkak të pranisë atje të ish-guvernatorit, Ardian Fullani. Disa e interpretuan këtë si një sinjal që ju doni t’i jepnit institucioneve të Drejtësisë ndërkohë që ai është ende nën hetim…

Presidenti Bujar Nishani: Ballo e fundvitit, së pari do desha ta shfrytëzoj këtë pyetje, për të konfirmuar faktin se ishte unike në llojin e saj për llojin e organizimit. Përse them unike? Për herë të parë organizohet një aktivitet me impakt publik, I financuar tërësisht nga kompanitë private. Pra nuk u shpenzua asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, në ndryshim kjo nga rastet e tjera kur buxheti I shtetit përdoret për aktivitete që financojnë apo organizohen nga kompanitë private. Së dyti ishte një aktivitet që tentoi të sillte në vëmendje ndihmë për një grup shoqëror siç janë fëmijët me kancer.

Pjesëmarrja e zotit Fullani, ishte si pjesëmarrja e gjithë personave të tjerë të cilët ishin përzgjedhur nga fusha të ndryshme për kontributet që ata kanë dhënë gjatë ushtrimit të detyrës në ekonomi, në art, në shkencë, në kulturë e kështu me radhë. Zoti Fullani ka qenë Guvernator i Bankës së Shqipërisë për një periudhë të gjatë, dhe më duhet të them, sepse unë kam qenë President i vendit, që në moment shumë të veçanta dhe shumë të rrezikshme për sistemin financiar shqiptar, ka ditur ta përballojë me sukses kalimin e këtyre situatave të cilat shpesh herë dhe nuk janë bërë publike. Përsa i takon çështjes konkrete, vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, është një çështje që tashmë është nën hetim nga Drejtësia dhe nuk ka asnjë influencë sikundër nuk ka pasur deri tani nga Presidenti apo dikush tjetër në këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në muajin tetor ju organizuat një takim të zgjeruar me të gjithë aktorët politikë, për t’i dhënë udhë reformës në Drejtësi. Sot kemi një komision të posaçëm parlamentar për këtë çështje. Ju si e shihni këtë proces?

Presidenti Bujar Nishani: Reforma në sistemin e Drejtësisë, është një domosdoshmëri. Është një rrugë e cila nuk ka kthim pas. Por ajo duhet bërë mbi bazën e parimeve dhe mbështetur në praktikat më të mira. Ne kemi shansin që të zgjedhim dhe shikojmë praktikat më të mira. Është një reformë e cila duhet të ketë një impakt afatgjatë dhe duhet që të përfshijë të gjithë aktorët politik, të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë që në asistojnë në këtë fushë. Në këtë kontekst, unë besoj që krahas domosdoshmërisë, është shumë e rëndësishme mënyra se si do të ndërtohet ky proces. Kështu që mbetet ende për t’u parë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, kur do të emëroni Zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet e bëra nga shumica.

Presidenti Bujar Nishani: Unë do të pres të shoh zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese ka detyrime për parlamentin, do të pres zbatimin e vendimit të Gjykatës nga Parlamenti dhe do të marr dhe unë menjëherë hapat e nevojshëm për të kryer detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju keni dekretuar tanimë, datën e zgjedhjeve vendore. Nga njëra anë kemi opozitën, e cila thotë se nuk e njeh ndarjen e re administrative mbi bazën e së cilës do të zhvillohen këto zgjedhje, nga ana tjetër përshtatjet ligjore nuk janë bërë ende, ndërsa KQZ-ja vazhdon me katër anëtarë. Si e shihni të ardhmen e këtij procesi?

Presidenti Bujar Nishani: Për të qenë i sinqertë duket se ka sfida të shumta ky proces përpara, por unë do të shpresoja në angazhimin serioz të të gjitha palëve.

Zëri i Amerikës: Zoti President, cilat janë sipas jush sfidat kryesore për vendin, gjatë 2015-s?

Presidenti Bujar Nishani: Së pari angazhimi serioz në reforma që do të na sjellin ndikim pozitiv në ekonomi. Ekonomia mbetet një sfidë shumë e madhe për çdo qytetar shqiptar, duke nisur me punësimin, me sistemin e pensioneve dhe pagave, shërbimin shëndetësor veçanërisht në spitale, atë arsimor e kështu me radhë. Lufta kundër krimit të organizuar është një sfidë shumë e madhe për ne. Unë jam i bindur se shqiptarët do ta fitojnë betejën me krimin e organizuar. Duket se do të jetë një betejë e gjatë dhe jo e lehtë. Por është një betejë që duhet fituar me çdo kosto dhe me çdo çmim. Ashtu siç lufta kundër korrupsionit vijon të mbetet një nga sfidat kryesore të shoqërisë sonë. Por unë jam i bindur se dinamika e shoqërisë, objektivat dhe angazhimet e qeverisë janë një aset që mund të bëjnë të mundur që të gjitha këto objektiva të realizohen.

Zëri i Amerikës: Zoti President, faleminderit për këtë intervistë!

Presidenti Bujar Nishani: Edhe për mua ishte një kënaqësi dhe i uroj një vit të mbarë redaksisë tuaj, gazetarëve të “Zërit të Amerikës” kudo ku janë dhe punojnë! (voa)

Bashkëpunimi për hapësirën në rrezik?

I zemëruar për sanksionet amerikane kundër zyrtarëve rusë të përfshirë në aneksimin e Krimesë dhe trazirat në Ukrainën Lindore, Zëvendës Kryeministri rus Dmitry Rogozin tha se Moska mund të kundërveprojë duke rishikuar bashkpunimin mes dy vendeve për hapësirën. Nëse ky kërcënim bëhet realitet, kjo mund të ndikojë mbi eksplorimet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në të ardhmen.Rusia nuk ka vendosur zyrtarisht për të vazhduar bashkëpunimin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës deri në vitin 2024, sipas propozimit amerikan. Moska thotë se mund të tërhiqet nga viti 2020. Por bashkëpunimi më i madh dhe më i rëndësishëm mes dy vendeve për hapësirën duket se nuk do të preket.

Astronauti Rick Mastracchio, ((mas-TRAH-kee-oh)) i cili sapo është kthyer nga hapësira pas 6 muajsht në orbitë, thotë se atmosfera në stacionin hapësinor është shumë e mirë:

“Marrëdhëniet ndërpersonale të punës me kolegët rusë si në stacionin hapësinor edhe këtu në tokë janë të mira. Nuk kemi patur asnjë problem gjatë punës me ta.”

Ndërkohë që mardhëniet personale dhe profesionale mund të jenë të pacënuara, thotë Scott Pace i Institutit të Politikave Hapësinore në Universitetin George Washington, mjedisi politik dhe arsyet strategjike për vazhdimin e bashkëpunimit, ndodhen nën një trysni të madhe.

“Shtrohet pyetja, a është kjo një situatë e përkohëshme apo një gjendje e përhershme e marrëdhënieve, gjë që do të vinte në pikëpyetje bashkëpunimin në një gamë të gjerë çështjesh me Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik.”

Zoti Pace thotë se NASA ka prashikuar nisjen e kapsulës Orion në vitin 2017, për dërgimin e astronautëve në stacionin hapsinor e më tej, pa përfshirjen ruse.

Me rënien e mbështetjes publike dhe tkurrjen e buxhetit për dërgimin e ekipeve njerëzore në misione hapësinore, zyrtarët e kanë kuptuar nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjatë një diskutimi në Gjermani për të ardhmen e eksplorimeve hapësinore, administratori i NASA-s Charles Bolden tha se agjencia e tij e kupton këtë.

“Dua të theksoj se në këtë prezantim nuk ka gjë që po e bëjmë vetëm.”

Për shembull, sistemet energjitike dhe motorike për kapsulën Orion po ndërtohen nga evropianët, kryesisht në Gjermani.

Por zyrtarët rusë të hapsirës nuk morën pjesë në këtë diskutim. Scott Pace thotë se Moska kërkon të kthehet tek eksplorimi i Hënës por nuk ka para për ta realizuar atë.

“Rusisë i duhet të vendosë se çfarë kërkon të bëjë në hapësirë pas vitit 2020.”

Ai thotë se vazhdimi i partneritetit Ruso-Amerikan do të ishte i mirë për bashkëpunimin ndërkombëtar në hapësirë, por kjo duket se do të varet nga forcat politike përtej programit hapësinor.

Ndërkohë, një ekip i ri amerikano-rus në bordin e kapsulës së prodhimit rus, Soyuz, po shkon në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. (voa)