Teksa në Turqi po zhvillohen protestat më të mëdha në më shumë se një dekadë, ka shumë spekulime nëse këto ngjarje do ta sfidojnë realisht presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, apo do të shkaktojnë lëvizje të mëtejshme drejt autoritarizmit.
Protestat u nxitën nga burgosja e kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, kandidati kryesor opozitar, nga Partia Popullore Republikane (CHP), për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Ajo që ndodh më pas mund të sjellë pasoja përtej kufijve të Turqisë.
Lufta në Ukrainë
Në fillim të luftës, Turqia arriti një sukses të rëndësishëm diplomatik duke ndërmjetësuar një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke u mundësuar të dyja vendeve që të eksportonin grurë përmes Detit të Zi.
Marrëveshja ishte faktor vendimtar në sigurimin e eksporteve jetike të grurit ukrainas për vendet e Jugut Global që varen shumë prej tyre. Marrëveshja zgjati një vit, para se Rusia të tërhiqej nga pakti.
Rëndësia e kësaj marrëveshjeje nënvizohet nga fakti që Uashingtoni e ka bërë rikthimin e tij një nga prioritetet kryesore në bisedimet me Moskën dhe Kievin.
Ankara ka ndjekur një politikë të pavarur gjatë luftës.
Megjithëse Turqia është anëtare e NATO-s, Erdogan është përpjekur të mbajë marrëdhënie të mira me presidentin rus, Vladimir Putin. Të dy liderët kanë një stil autoritar të qeverisjes, që ndoshta ka forcuar mirëkuptimin mes tyre.
Por, kjo nuk e ka ndaluar prodhuesin turk të dronëve Bayraktar të vazhdojë me ndërtimin e një fabrike të planifikuar në Ukrainë. Produktet e kësaj kompanie luajtën një rol kyç në mbrojtjen e Ukrainës në fazat e hershme të luftës.
Ihor Semyvolos, drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Kiev, tha se forca shtytëse e politikës së jashtme turke është ekonomia.
“Sa u përket çështjeve rajonale – Rusia, Ukraina, Lindja e Mesme – roli kyç luhet nga interesat e biznesit. Ato do të sillen rreth Imamoglut, njësoj siç sillen tani rreth Erdoganit”, tha ai për Current Time të Radios Evropa e Lirë.
Marrëdhëniet me BE-në dhe Uashingtonin
Kur flasim për biznes, partneri më i madh tregtar i Turqisë është Bashkimi Evropian, duke përbërë rreth një të tretën e tregtisë së saj, sipas statistikave të BE-së.
Një ndryshim i qeverisë në Turqi pothuajse me siguri do të ndikonte në marrëdhëniet e saj me Brukselin, që pezulloi procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE në vitin 2018, mes kritikave për përkeqësimin e demokracisë.
Imamoglu ka të ngjarë të kërkojë raporte më të mira dhe për të rifilluar bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në BE.
Por, marrëdhëniet mes Brukselit dhe Ankarasë mund të ngrohen gjithsesi. Ndërsa Evropa kërkon të reduktojë varësinë e saj ushtarake nga Uashingtoni dhe të formojë një mision ushtarak në Ukrainë, forcat e armatosura turke mund ta bëjnë Turqinë një lojtare kyç.
Liderët evropianë përballen me një zgjedhje të vështirë mes dënimit të veprimeve të Erdoganit në Turqi ose përfitimit nga një marrëdhënie e rëndësishme e sigurisë.
Ekonomia ishte gjithashtu në krye të agjendës kur ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, zhvilloi bisedime me homologun e tij amerikan, Marco Rubio, në Uashington këtë javë.
Erdogan shpresonte të siguronte lehtësim nga sanksionet e vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2020, pasi Turqia bleu sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400.
Irani dhe Lindja e Mesme
Ngjarjet në Turqi po ndodhin në një kohë kur Teherani dhe Ankaraja kanë shkëmbyer akuza dhe kërcënime mbi ndërhyrjen në punët e brendshme të njëra-tjetrës.
Të dyja vendet shpesh kanë interesa të kundërta në çështje të ndryshme rajonale, si mbështetja e Turqisë për opozitën kundër regjimit të Assadit në Siri dhe përkrahja e saj për Azerbajxhanin kundër Armenisë.
Megjithatë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë se ngjarjet në Turqi janë “çështje e brendshme”.
Aydin Akhavan, një analist politik me bazë në Stamboll, tha për Radio Farda të REL-it se “Erdogan është paraqitur si një lider pragmatik, duke ndryshuar aleancat sa herë që i shërben interesave të tij… Opozita, nga ana tjetër, është eurocentrike dhe advokon për një sistem laik dhe demokratik. Bota që imagjinon Erdogani është padyshim më e përshtatshme për Teheranin”.
Gjeografia i jep Turqisë një ndikim të madh rajonal. Në fillim të luftës në Ukrainë, ajo mbylli Bosforin për anijet ushtarake ruse, duke komplikuar komunikimet e Moskës me forcat e saj në Siri.
Ndikimi i Turqisë në Siri, ku ajo është një nga aleatet kryesore të qeverisë së përkohshme në Damask, i jep Turqisë shumë karta për të luajtur në diplomacinë ndërkombëtare. Forcat turke dhe ato të mbështetura nga Turqia kanë luajtur një rol të madh në konflikt dhe ka të ngjarë të vazhdojnë ta bëjnë këtë.
Azia Qendrore
Ndikimi i Turqisë shtrihet përtej Lindjes së Mesme dhe në Azinë Qendrore, ku shumica dërrmuese në katër kombe flasin gjuhë turkike: Kazakistani, Kirgizi, Turkmenistani dhe Uzbekistani.
Tri nga këto vende, me përjashtim të Turkmenistanit, janë të grupuara së bashku në Organizatën e Shteteve Turkike, e cila gjithashtu përfshin Azerbajxhanin.
Disa ekspertë rajonalë kanë thënë se Turqia përfaqëson një pol alternativ mes shqetësimeve se ekspansionizmi rus mund të fokusohet në zonat e Azisë Qendrore me popullsi rusishtfolëse, ashtu si në Ukrainë.
Ballkani
Turqia është gjithashtu lojtare kryesore në tregjet e energjisë, dhe kjo është më e dukshme në Evropën Juglindore.
Hungaria, Rumania dhe Serbia janë të gjitha konsumatore të mëdha të gazit që transportohet përmes Turqisë. “Rrjedha Turke”, tani është i vetmi tubacion që sjell gazin rus në Evropë, duke kaluar drejtpërdrejt nga Rusia në Turqi nën Detin e Zi dhe më pas në Ballkan.
Turqia është gjithashtu investitore e madhe në Ballkan, veçanërisht në Serbi. Ajo ka promovuar plane ambicioze për një autostradë Beograd-Sarajevë dhe ka hedhur ide për ndërtimin e dronëve të saj të famshëm në Serbi.
Marrëveshje të ngjashme janë diskutuar edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe Shqipëri.
Në Ballkan, Turqia ka përdorur fuqinë ekonomike si një mjet për lëvizje politike, duke zgjeruar ndikimin e saj përtej vendeve me popullsi të mëdha myslimane.
rel
Erdogani thotë se Turqia dhe Serbia do ta zhvillojnë bashkërisht industrinë e mbrojtjes
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten se Turqia dhe Serbia kanë vendosur të punojnë së bashku për t’i zhvilluar industritë e veta të mbrojtjes.
Gjatë vizitës së tij në Beograd, lideri turk njoftoi gjithashtu se pjesë e bashkëpunimit të tyre do të jenë edhe dronët turq që do t’i dhurohen Serbisë.
“Turqia dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa së bashku, por këta hapa janë formimi i përbashkët i një industrie të mbrojtjes, për të garantuar paqe”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Kërkesat ndërkombëtare për dronët turq, kryesisht dronë TB2 Bayraktar, janë rritur shumë pas ndikimit të tyre në konfliktet në Siri, Libi, Azerbajxhan dhe Ukrainë. Kompania turke Baykar thënë se ka nënshkruar marrëveshje eksportimi me 30 vende, përfshirë, Arabinë Saudite, Ukrainën, Etiopinë, Kosovën dhe Poloninë.
Erdogani tha se Ankaraja dhe Beogradi do t’i përdorin resurset e tyre “si dy vende mike” për ta rritur bashkëpunimin, duke paralajmëruar se asnjë vend nuk duhet të përpiqet të ndërhyjë, edhe nëse nuk i pëlqen kjo.
Erdogani i premtoi një numër të paspecifikuar dronësh edhe Shqipërisë, gjatë vizitës së tij në Tiranë një ditë më parë.
Më herët, Erdogani tha se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Serbisë janë në “kohë të artë”.
Vuçiq ka thënë se dy liderët kanë diskutuar për tema të rëndësishme gjeopolitike, si dhe për problemet me të cilat përballen dy vendet.
“Turqia dhe Serbia kanë marrëdhënie të mia ekonomike. Ne kemi trefishuar këmbimin tregtar, në krahasim me pak vjet më parë”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb ka thënë se është arritur pajtueshmëri për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake.
Erdogan është takuar me Vuçiqin në Beograd, në kuadër të vizitës së tij dyditore në Serbi.
Në ditën e mbërritjes së presidentit turk në Serbi, më 10 tetor, Qeveria e Serbisë i ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi në mes të Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria dhe teknologjia, media dhe informacioni, rinia dhe sporti, dhe si menaxhimi i emergjencave.
Kjo është vizita e katërt e presidentit turk në Serbi, prej vitit 2017.
Në vizitën paraprake të Erdoganit në Beograd, në shtator të vitit 2022, Serbia ka thënë se dëshiron të blejë dronët Bayraktar, por blerja e tyre nuk është realizuar kurrë.
Atëbotë ishte arritur një protokoll që u ka mundësuar shtetasve të Serbisë dhe Turqisë që të udhëtojnë në dy vendet vetëm me letërnjoftime.
Turqia është e katërta në listën e shteteve prej ku ka importuar më së shumti Serbia më 2023.
Kompanitë turke janë prezente në Serbi në tekstil, ndërtimtari, industri mekanike, banka dhe turizëm.
Dy vendet kanë marrëdhënie të mira, por nuk pajtohen në çështjen e Kosovës.
Ankaraja e njeh pavarësinë e këtij shteti, ndërsa Serbia jo.
rel
Erdogan e përuron xhaminë në Tiranë dhe i premton dronë Shqipërisë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka përuruar një xhami të financuar nga Turqia në Tiranë gjatë një vizite më 10 tetor në Shqipëri për rritjen e bashkëpunimit me aleatin e vet në NATO.
Lideri turk Erdogan gjithashtu i premtoi Shqipërisë një numër të paspecifikuar dronësh kamikazë për ta ndihmuar rritjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Erdogan u takua fillimisht me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kryeqytetin shqiptar, dhe pastaj me kryeministrin Edi Rama. Pas takimeve të zyrtarëve të lartë të të dy vendeve, palët nënshkruan tri marrëveshje në fushën e arsimit dhe atë bujqësisë.
Erdogani tha se synon që vëllimin tregtar vjetor me Shqipërinë ta rrisë në 2 miliardë dollarë.
“I shohim nismat në fushën e tregtisë dhe investimeve si hapa që do ta rrisin mirëqenien e popujve. Ramë dakord të diversifikojmë investimet e ndërsjella duke përfshirë sektorë novatorë”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët me Ramën.
Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri.
Rama deklaroi se u pajtua me Erdoganin për më shumë investime të drejtëpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit në Shqipëri.
“Sot firmosëm disa marrëveshje. Më e mirëpritura është firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Jemi shumë të interesesuar dhe shumë të përmbushur sot në fuqizimin e ushtrisë së Shqipërisë dhe fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak”, tha Rama.
Prej ardhjes në pushtet të partisë Socialiste, kryeministri Rama e ka cilësuar Turqinë partner strategjik dhe ka deklaruar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të arrijë në nivele të panjohura më parë.
Xhamia e Namazgjasë
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Erdogani mori pjesë edhe në përurimin e xhamisë së Namazgjasë, e cila është ndër më të mëdhat në Ballkan.
Në lidhje me përurimin e saj, Erdogan se xhamia “është dhuratë e popullit turk për vëllezërit dhe motrat shqiptare”.
“Ajo është xhamia më e madhe në Ballkan dhe do të jetë vendi ku do të lulëzojë ndenja e paqes dhe solidaritetit”, tha Erdogan.
Në këtë ceremoni të rëndësishme për besimtarët myslimanë, nuk do të marrë pjesë kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, dhe as drejtues të tjerë. Komuniteti do të përfaqësohet nga myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili do të jetë edhe drejtues i xhamisë së Namazgjasë.
Në shtator të këtij viti u bë publike në media një letër e KMSH-së, ku theksohej se ky institucion jep pajtimin që Xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni, i cili do të jetë “autoriteti i vetëm në këtë aspekt” dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij “marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë, si dhe të kompleksit përreth saj”.
Ndërtimi i xhamisë nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga Erdogan, i cili pati thënë aso kohë se organizata FETO ka strukturat e saj edhe në Shqipëri, dhe se u kishte kërkuar krerëve të institucioneve “eliminimin” e tyre.
Të enjten, ai tha se me Ramën diskutoi edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste “veçanërisht kundër FETO-s”.
“Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që ne kemi marrë sot”, tha Erdogan.
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 10.000 metrash katrorë dhe ka kapacitet për 5.000 besimtarë.
Pjesë e saj janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa, salla e konferencave etj.
rel