Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Bota duket se i ka mbyllur sytë përballë evoluimit të Shtetit Islamik

shteti islamikForcat e përkrahura nga Shtetet e Bashkuara patën deklaruar më 2019 se grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) është shkatërruar.

 

Por, siç kanë treguar vjetët e fundit, atëherë është shënuar vetëm fundi i të ashtuquajturit shtet, që është shtrirë në territoret e Irakut dhe Sirisë – por jo edhe i kërcënimit që vërehet edhe sot.

Grupi ekstremist është duke shpërfaqur qëndrueshmëri dhe po përjeton një ringjallje në pjesë tjera të botës – përderisa po i përforcohen kapacitetet operacionale.

Prej janarit të vitit 2024, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësi për sulme të profilit të lartë nëpër botë, prej Iranit dhe Rusisë, e deri në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara.

“IS-i vazhdon të përbëjë kërcënim për sigurinë globale dhe është organizata terroriste më vdekjeprurëse në botë”, ka thënë Adrian Shtuni, specialist i sigurisë dhe udhëheqës i Qendrës Shtuni me seli në Uashington, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Tani organizata mbështetet kryesisht në një rrjet dinamik të bashkëpunëtorëve rajonalë që veprojnë në mënyrë të pavarur”, ka thënë ai.

 

Në çfarë gjendje është IS-i tani?

Vizioni dhe synimet e IS-it nuk kanë ndryshuar, mirëpo prej humbjeve territoriale më 2019, grupi ekstremist i është nënshtruar një evoluimi radial në strukturë dhe aspektin operacional, kanë thënë analistët.

Një mori degësh të IS-it kanë ngritur kokën nëpër botë në vjetët e fundit, sidomos në rajonet ku ekzistojnë pak kapacitete për të luftuar ekstremizmin.

Colin Clarke, drejtor për politika dhe hulumtime në Grupin Soufan – me bazë në Nju Jork – ka thënë se IS-i është bërë grup për të cilën shuma e pjesëve të tij, janë më të mëdha sesa vetë ai.

“IS-i mund të jetë edhe më sfidues si grup i decentralizuar sesa kur ishte si një model shteti. Kur udhëhiqej si proto-shtet, ishte shënjestër e madhe”, ka thënë Clarke për Radion Evropa e Lirë.

IS-i dhe ndihmësit e tij kanë qenë prezentë nëpër botë në vitin e kaluar përmes sulmeve vdekjeprurëse që kanë kryer.

Në janar të vitit 2024, një sulm i dyfishtë me bombë vetëvrasëse në qytetin iranian Kerman ka vrarë rreth 100 njerëz.

Dy muaj më vonë, katër sulmues kanë shënjestrar sallën e koncerteve Crocus jashtë Moskës, duke vrarë 145 njerëz përmes të shtënave masive, therjeve me thikë me sulmeve tjera.

Në gusht, një sulmues vetëvrasës ka vrarë të paktën 20 njerëz në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.

Disa ditë më vonë, një pjesëtar i IS-it i ka therur disa njerëz në një festival në Solingen të Gjermanisë, duke i vrarë tre njerëz.

Prezenca e grupit është vërejtur edhe në Shtetet e Bashkuara. Më 1 janar, një sulmues i inspiruar nga IS-i e ka përplasur kamionin drejt një turme në Nju Orllins, duke vrarë 14 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Sulmuesi, një veteran i ushtrisë amerikane, i lindur në Teksas, është vrarë nga policia.

Shtuni ka thënë se këto sulme nuk janë dëshmi vetëm për “thirrjet e vazhdueshme të grupit për dhunë terroriste, por edhe për qëndrueshmërinë dhe shtrirjen globale të organizatës”.

IS-i dhe ndihmësit e tij kanë kryer mesatarisht 600 sulme në vit në tre vjetët e fundit, sipas të dhënave të mbledhura nga Dragonfly, qendër për konsulencë në çështjet e sigurisë globale, me seli në Londër.

Ndonëse shifra ka rënë prej mestares së tre vjetëve më parë – 770 sosh – incidentet tani po bëhen më vdekjeprurëse, pasi mesatarja e viktimave për një sulm është rritur 40 për qind, sipas bazës së të dhënave të gjurmuesit Dragonfly.

Të dhënat “nuk nënkuptojnë ringjallje të IS-it dhe ndihmësve të tij në vjetët e fundit, por një shkallë të qëndrueshmërisë”, ka thënë Dragonfly për Radion Evropa e Lirë.

“Megjithatë, shqetësimi është rritur në shtypin ndërkombëtar për shkak të synimeve të IS-it për të rritur numrin e vdekjeve nëpër sulme në botë”, ka thënë grupi.

 

Ku janë aktivë ekstremistët e IS-it dhe si rekrutohen?

Përmes bashkëpunëtorëve, IS-i ka prezencë të fuqishme dhe angazhohet në disa qendra në Afrikë, Azi dhe Lindje të Mesme.

Njëri prej grupeve që ka dalë të jetë ndër më efektivët është ai i provincës Korasan (ISKP), i cili i ka zgjeruar operacionet përtej Afganistanit dhe është duke tërhequr militantë prej kombeve të Azisë Qendrore, sidomos në Taxhikistan dhe Uzbekistan.

Ndërkohë, Somalia është kthyer në qendër të rëndësishme të grupit për zgjerim në Afrikë. Grupi është duke shfrytëzuar jostabilitetin e Somalisë për t’i forcuar njerëzit dhe rrjetet e veta, duke rekrutuar luftëtarë nga Etiopia, Sudani dhe Tanzania.

Grupi është duke rritur prezencën edhe në rajonin Sahel, ku dega e IS-it për Afrikën Perëndimore vazhdon të jetë organizata terroriste dominuese në pellgun e liqenit të Çadit.

Rekrutimi nuk ndodh vetëm në terren, por edhe online.

“Në hapësirën digjitale, IS-i vazhdon t’i shfrytëzojë platformat e rrjeteve sociale dhe mesazhet e ekriptuara për të shpërndarë ideologjinë, radikalizmin, rekrutimin, mbledhjen e fondeve dhe organizimin e sulmeve”, ka thënë Shtuni.

Ai e ka përmendur një valë sulmesh të inspiruara së fundmi në Evropë, të cilat, sipas tij, flasin për tre trende shqetësuese: që radikalizmi ndodh kryesisht online, me shpejtësi të konsiderueshme dhe që përfshin të rinjtë, përfshirë të miturit.

“Hapësirës online duhet t’i kushtohet shumë rëndësi, sidomos për faktin se operacionet ushtarake janë pakësuar në krahasim me luftën globale ndaj terrorizmit”, ka thënë Lucas Webber, analist i lartë në organizatën Teknologjia lundër Terrorizmit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

 

Si i financon IS-i operacionet e veta?

IS-i gëzon qëndrueshmëri financiare përmes rrjedhave të ndryshme të të hyrave dhe taktikave që përditëson vazhdimisht.

Pavarësisht humbjeve të figurave të larta, baza e tij në Siri dhe Irak ka rezerva në vlerë të 10-20 milionë dollarëve, të cilat plotësohen nga degët rajonale përmes të hyrave që sigurojnë nga kidnapimet, vjedhjet dhe vepra tjera, sipas një raporti të Thesarit amerikan të vitit të kaluar.

Në pikun e vet, kur kalifati i vetëshpallur i grupit kontrollonte territore të konsiderueshme në Irak dhe Siri, të hyrat dominoheshin nga shitjet e naftës. Por, IS-i tani jeton prej aktiviteteve kriminale dhe veprimeve tjera, me qëllim të gjenerimit të fondeve.

Në Afrikë, degët sikurse IS-Somalia, gjenerojnë miliona dollarë nga bizneset dhe sistemet e ndryshme financiare.

Në Azi, dega e IS-it në provincën Korasan ka pasur probleme financiare pasi figurat kryesore i janë arrestuar apo vrarë nëpër Lindje të Mesme. Megjithatë, dega e ka marrë veten duke përdorur astete virtuale për t’i financuar operacionet e jashtme, përfshirë sulmin në sallën Crocus.

Qasja në sistemet globale vazhdon të jetë kritike, pasi IS-i përdor kriptovaluta për t’i transferuar rezervat dhe donacionet. Qëndrueshmëria financiare e grupit është rezultat i evazionit fiskal, krijimit të strehëve të sigurta dhe ruajtjes së rrjeteve globale.

 

Lufta kundër terrorizmit

Për një luftë efikase kundër terrorizmit duhet bashkëpunim multilateral, duhet që shtetet të shkëmbejnë inteligjencë, t’i përputhin strategjitë dhe t’i forcojnë kapacitetet e sigurisë në rajonet më të cenueshme nga aktivitetet terroriste.

Shmangia e ndonjërit element përbën mundësi për grupet ekstremiste sikurse IS-i, siç ka qenë rasti në Afganistan, pas tërheqjes amerikane, si dhe në Sahel të Afrikës pas largimit të Francës nga rajoni.

Në rajonin Sahel, tërheqja e forcave franceze ka rezultuar me ndryshime në aleancat rajonale.

“Juntat ushtarake të instaluara në Burkina Faso, Niger dhe Mali, pas puçeve të fundit ushtarake, kanë tentuar të mbushin vakumin në përpjekjet kundër-terrorizmit, duke u kthyer nga Rusia, e cila e ka rritur ndjeshëm prezencën në këtë rajon”, ka thënë Shtuni.

Shtetet e Bashkuara ende janë në krye të përpjekjeve kundër-terrorizmit, bashkë me partnerët rajonalë, siç është demonstruar me sulmet e fundit kundër caqeve të IS-it në Irak, Siri dhe Somali.

Këtë muaj, një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja u ka ndihmuar forcave irakiane për të vrarë Abdullah Maki Musleh al-Rifain, të njohur si Abu Khadija. I përshkruar nga Qeveria irakiane si “njëri prej terroristëve më të rrezikshëm në Irak dhe botë”, Abu Khadija ka qenë lider i IS-it në Irak dhe Siri.

Megjithatë, Shtuni ka paralajmëruar se ekzistojnë shqetësime në rritje meqë ndryshimi i prioriteteve të Uashingtonit mund të dëmtojë luftën globale kundër ekstremizmit “pasi po bëhet e qartë se SHBA-ja është duke u fokusuar në çështje të brendshme dhe po e rivlerëson rolin e vet në skenën globale”.

Gjenerali Michael E. Kurilla, udhëheqës i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane, ka thënë se mijëra luftëtarë të IS-it që janë në Siri në qendrat që drejtohen nga Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, përbëjnë “figurativisht një ushtri në masë ndalimi” dhe ka paralajmëruar për rreziqet “në rajon dhe përtej” nëse ky numër prej tyre ikin prej aty.

Kurilla ka thënë gjatë një vizite në Siri në muajin janar – një muaj pas rënies së diktatorit sirian, Bashar al-Assad – që ushtria amerikane “vazhdon të jetë e dedikuar për misionin, njerëzit dhe mposhtjen e IS-it, si dhe stabilitetin në rajon dhe përtej”.

Devorah Margolin, hulumtuese e lartë në Institutin e Uashingtonit për Politika për Lindjen e Afërt, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se IS-i është “duke luajtur lojën e pritjes” në Siri.

“Është duke shpresuar që të shfrytëzojë paqartësitë në Sirinë e re, për të destabilizuar dhe për të çuar përpara agjendën e vet”, ka thënë Margolin.

Clarke prej grupit Soufan, ka thënë se mungesa e prezencës amerikane në Afganistan, pas tërheqjes më 2021, ka lënë “hapësirë të madhe të inteligjencës” në luftën kundër IS-it.

“SHBA-ja është detyruar që të varet në ndonjë sinjal të inteligjencës dhe ka shumë pak inteligjencë njerëzore në Afganistan”, ka thënë ai.

Clarke e ka quajtur IS-in “organizatë shumë më të ndryshme sot sesa shtatë vjet më parë kur e ka pasur ende kalifatin”, duke thënë se është “shumë më e varur në operacionet e jashtme dhe në sulme tjera për të gjeneruar publicitet”.

“Ata me qëllim e kanë ndryshuar strategjinë për t’u fokusuar në lansim të sulmeve të profilit të lartë në Perëndim”, ka thënë ai.

“Ata kanë qenë agresivë në planet e tyre dhe janë të vendosur për të kryer sulme spektatolare në Evropë apo SHBA”.

Kontribuuan: Abubakar Siddique, Ray Furlong, Riin Aljas, Meliha Keshmer dhe Kubat Kasymbekov.

rel

Si ndikojnë mediat digjitale në marrëdhëniet tona

mediat socialeNjerëzit ndërveprojnë në mediat sociale, platformat online dhe me chatbots. Këto marrëdhënie digjitale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si ne i drejtojmë marrëdhëniet tona në jetën reale.

 

Kur përdorim mediat sociale, nevojat sociale luajnë një rol të rëndësishëm. Përveç arsyeve praktike si kërkimi i informacionit apo argëtimi, ajo që na motivon më shumë është dëshira për të krijuar marrëdhënie.

Aktualisht janë po hulumtohet për ndikimin që kanë këto marrëdhënie dhe mënyra se si ne i ndërtojmë marrëdhëniet në internet, në jetën tonë reale. Psikologia sociale Johanna Lisa Degen nga Universiteti i Flensburgut është një nga shkencëtaret që studion në thellësi krijimin e marrëdhënieve digjitale në mediat sociale, platformat e tyre dhe chatbots.

Në kërkimet më të fundit psikologjike, për të përshkruar këtë fenomen përdoret termi “parasocialitet”. Kështu quheshin marrëdhëniet e njëanshme mes fansave dhe yjeve të preferuar prej tyre. Sot, ekziston një spektër më i gjerë i parasocialitetit në internet.

Spektër i gjerë i krijimit të marrëdhënieve në internet

Johanna Lisa Degen përfshin në termin parasocialitet, për shembull, marrëdhënie të krijuara përmes shërbimeve të mesazheve ose aplikacioneve për takime. Kjo përfaqëson të paktën “pothuajse gjysmën e të gjitha marrëdhënieve të krijuara në pesë vitet e fundit”.

Tema e xhelozisë në internet gjithashtu hyn në spektrin e parasocialitetit. Kjo ka të bëjë, për shembull, me sa akses ka dikush në të dhënat e partnerit. Dhe diskutimi se ku fillon realisht tradhtia emocionale. A është thjesht pëlqimi i fotove të njerëzve të tjerë në internet apo ndjekja e tyre në rrjetet sociale?

Mënyra se si e prezantojmë veten në internet—duke e bërë gjithçka tepër të bukur, tërheqëse dhe interesante—do të thotë që edhe në kulturën e takimeve në jetën reale, shumë gjëra janë të orientuara te performanca.

Psikologia sociale Lisa Degen shpjegon se kjo shkon deri aty sa të thotë se disa njerëz përpiqen të mos përjetojnë orgazëm në jetën reale gjatë seksit, në mënyrë që të mos u gërvishten fytyrat.

Konfliktet zgjidhen më mirë në internet

Në ditët e sotme, jo vetëm takimet, por edhe marrëdhëniet familjare dhe miqësie organizohen përmes shërbimeve të mesazheve si WhatsApp ose platforma të tjera të mediave sociale. Në këtë mënyrë, pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve transferohen në sferën digjitale. Një pasojë e kësaj është se konfliktet zgjidhen gjithnjë e më shumë më pak ballë për ballë dhe më shumë përmes WhatsApp-it.

Kjo na jep pak më shumë kohë dhe na lejon të arsyetojmë pa iu përgjigjur menjëherë personi tjetër. Shumë njerëz tashmë janë mësuar me këtë lloj komunikimi relacional dhe e shohin atë më të këndshëm sesa zgjidhja e një konflikti në jetën reale.

Kërkim relaksimi në mediat sociale

Një tjetër fenomen parasocial është se gjithnjë e më shumë njerëz kërkojnë dhe gjejnë relaksim në mediat sociale. Për ta, këto rrjete janë një vend i sigurt, gjithmonë në dispozicion, ku gjejnë përmbajtje të parashikueshme që i lejon të qetësohen dhe të zhyten në një atmosferë mirëqenieje.

Kjo ka një ndikim në sjelljen tonë dhe aftësinë tonë për t’u vetërregulluar, shpjegon psikologia sociale Degen në një konferencë shtypi të Shoqatës Gjermane për Mjekësinë Psikosomatike dhe Psikoterapi Mjekësore (DGPM).

Pranohet fitimi i parave në marrëdhëniet digjitale

Marrëdhëniet digjitale mund të jenë gjithashtu të njëanshme, për shembull, kur ndiqni njerëz me ndikim, influencer, dhe kështu merrni pjesë në jetën e tyre. Që ka një interes ekonomik pas këtyre marrëdhënieve konsiderohet gjithashtu gjithnjë e më shumë normale.

Shumë e demonstrojnë besnikërinë e tyre duke thënë: “Sigurisht që do t’i blej edhe unë produktet, sepse dua ta mbështes këtë person.” Kjo është ajo që ka zbuluar në kërkimin e saj psikologia sociale Degen. Ajo paralajmëron se po mësohemi me faktin se në marrëdhëniet shoqërore mund të luajnë edhe interesat ekonomike.

Konkurrenca midis marrëdhënieve digjitale dhe reale

Sado të këndshme që janë marrëdhëniet digjitale, ato konkurrojnë për kohën dhe emocionet tona me marrëdhëniet e jetës reale. Psikologët paralajmërojnë se kemi gjithnjë e më shumë të njëjtat pritshmëri në marrëdhëniet e jetës reale si në ato digjitale.

Kjo do të thotë që ne presim që marrëdhëniet reale të jenë vazhdimisht në dispozicion, absolutisht të paraqitshme, të pandryshueshme dhe të mos na sfidojnë ose të mos na përballin me opinione të kundërta.

(A.Braun/SWR/ARD)

Izraeli krijon një institucion për largimin e palestinezëve

GazaMe institucionin e ri qeveria izraelite synon të nxisë “largimin vullnetar” të palestinezëve nga Rripi i Gazës në vendet e treta.

 

Institucioni i ri do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, konfirmoi një zëdhënëse e zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Detyra e tij është të “përgatisë largimin vullnetar të banorëve të Rripit të Gazës për në vende të treta në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar”. Kabineti i Sigurisë e miratoi propozimin përkatës të Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz.

 

Ata që dëshirojnë të largohen nga zona e rrethuar bregdetare palestineze në brigjet e Detit Mesdhe duhet t’u mundësohet largimi “në përputhje me ligjet izraelite dhe ndërkombëtare si dhe në përputhje me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump”, tha ministria në një deklaratë. Se cilat janë vende të treta ku mund të shkojnë personat që duan të largohen nuk përmendet.

“Shkelje flagrante e së drejtës civile ndërkombëtare”

Kritika të ashpra ndaj këtij plani pati nga shteti fqinj i Izraelit, Jordania. Ministria e Jashtme në Aman tha se kemi të bëjmë me plane për dëbim të detyruar. Së bashku me synimin për t’i kthyer 13 zona të banuara në vendbanimet ekzistuese izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar në vendbanime të pavarura, po u hapet rruga “ngulimeve të tjera për kolonë”, thuhet në deklartën e Ministrisë së Jashtme të Jordanisë. Të gjitha planet janë një shkelje e hapur së drejtës civile ndërkombëtar.

Jordania është një nga vendet që ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve për qytetar. Në Jordani jetojnë një numër i madh palestinezësh dhe sirianësh. Rreth 30 deri në 40 për qind e të gjithë jordanezëve kanë origjinë palestineze, përfshirë edhe mbretëreshën Rania. Jordania nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin në vitin 1994.

Kritika nga organizatat joqeveritare

Organizata të ndryshme joqeveritare e kritikuan këtë plan dhe thanë se njerëzit nuk largohen vullnetarisht nga vendi i tyre. Lëvizja izraelite e paqes Paqe Tani e quajti institucionin e ri për imigracionin si një “njollë të pashlyeshme” për Izraelin.

Kurse organizata Mjekët pa Kufij paralajmëroi ndaj një dëbimi masiv të banorëve palestinezë në Bregun Perëndimor verior të pushtuar nga Izraeli. “Izraeli duhet të ndalojë menjëherë dëbimin me forcë të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe ndihma humanitare duhet të rritet dhe të arrijë tek ata që kanë nevojë”, thuhet në një apel.

dw

Japonia kërkon të rigjallërojë industrinë e gjysmëpërçuesve

gjysmepercuesTokio po punon që të ringjallë industrinë japoneze të gjysmëpërçuesve. Japonia tani është shumë e varur nga importet. Megjithatë, kthimi në lidere botërore nuk duket të jetë qëllimi.

 

Vitet e fundit, ndërsa tregtia globale është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme për shkak të konflikteve, tarifave doganore dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga pandemitë, Japonia ka filluar të rindërtojë industrinë e saj vendase të gjysmëpërçuesve. Japonia dikur dominonte tregun e elektronikës me performancë të lartë dhe ende krenohet me disa nga teknologjitë më të avancuara në botë të prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Megjithatë, në vitet 1980, Japonia ia la prodhimin masiv të gjysmëpërçuesve bazë vendeve si Koreja e Jugut, pasi ky sektori në atë kohë konsiderohej jofitimprurës. Për më tepër, supozohej se tregtia ndërkombëtare do të mbetej e qëndrueshme, kështu që Japonia mund të mbështetej në importe.

Ky vlerësim ka ndryshuar rrënjësisht që atëherë, shpjegoi Kazuto Suzuki nga Universiteti i Tokios në një intervistë për DW. Profesori i politikës së shkencës dhe teknologjisë u ndal në ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit global të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

“Mungesat e papritura të gjysmëpërçuesve në Japoni, Evropë dhe SHBA i bënë të qartë qeverisë japoneze se ne kemi nevojë për strukturat tona të dedikuara të furnizimit për të parandaluar rënien e industrisë vendase,” tha ai.

Ky ndërgjegjësim për nevojën urgjente për të vepruar është rritur kohët e fundit për shkak të masave të marra nga administrata amerikane e Donald Trump, të cilat kanë kufizuar tregtinë e lirë, shtoi Suzuki.

 

Jo në krye?

“Faktori më i rëndësishëm për qeverinë është të garantojë sigurinë ekonomike,” thotë Damian Thong, drejtor i kërkimit të kapitalit japonez dhe ekspert për gjysmëpërçuesit në Macquarie Group në Tokio.

“Ekziston një perceptim se është thelbësore për Japoninë të mbajë prodhimin e pavarur të gjysmëpërçuesve në mënyrë që të furnizojë me siguri prodhuesit e saj,” tha ai për DW.

Rritja e inteligjencës artificiale në vitet e fundit ka tërhequr edhe më shumë vëmendjen e qeverisë në këtë sektor, vazhdoi Thong. Megjithatë, pavarësisht këtij presioni, ai beson se nuk ka gjasa që Japonia të dëshirojë të rifitojë pozicionin e saj të mëparshëm si prodhuesi kryesor i gjysmëpërçuesve në botë.

“Qeveria nuk po kërkon zgjerim global,” shpjegoi Thong. “Ajo dëshiron të sigurojë kapacitetin e vet të prodhimit, duke mbetur tërheqëse për kompanitë e huaja që vendosen këtu dhe ndërtojnë fabrikat e tyre.”

 

Partneritet i gjigantit gjysmëpërçues tajvanez me Sony dhe Denso

Me këto objektiva, Japonia ndjek një strategji me dy drejtime për të forcuar prodhimin vendas. Nga njëra anë, në vitin 2021 qeveria ftoi gjigantin global të gjysmëpërçuesve Taiwan Semiconductor Manufacturing Co. (TSMC) për të bashkëpunuar me Sony-n dhe furnizuesin e automobilave Denso për të ndërtuar një fabrikë në Kumamoto, Japonia jugore. Buxheti i përgjithshëm i projektit është 1.2 trilion jen (7.34 miliardë euro), nga të cilat më shumë se 40% mbulohen nga subvencionet shtetërore.

Fabrika prodhon gjysmëpërçues 22 dhe 28 nanometërsh, të cilët përdoren kryesisht në automobila dhe elektronikë të konsumit. Për shkak të rritjes së kërkesës, TSMC ka njoftuar ndërtimin e një fabrike të dytë prodhimi në rajon deri në vitin 2023.

Komponenti i dytë i strategjisë ishte themelimi i prodhuesit të ri japonez të gjysmëpërçuesve Rapidus. Që nga viti 2022, qindra miliona dollarë janë investuar në kompani për të ndërtuar fabrika prodhimi në ishullin verior të Hokkaidos.

Rapidus po bashkëpunon me grupin amerikan të teknologjisë IBM dhe qendrën belge kërkimore Interuniversity Microelectronic Center (IMEC) për të përkthyer rezultatet e fundit të kërkimit në prodhim industrial. Qeveria njoftoi së fundmi se do të investojë 100 miliardë jen të tjerë për Rapidus në buxhetin e vitit 2025.

“Qëllimi është të zhvillohen gjysmëpërçues të gjeneratës së ardhshme së bashku me kompani të tjera për të siguruar që Japonia të mbetet një lojtar global”, tha Suzuki.

“Konkurrenca në sektorin e gjysmëpërçuesve po rritet me shpejtësi, veçanërisht për shkak të kërkesës së madhe në fusha të tilla si inteligjenca artificiale, automjetet elektrike, drejtimi i automatizuar, dronët dhe teknologjitë e tjera,” shpjegoi ai.

 

“Shansi i fundit për t’u rigjallëruar”

Ndërsa prodhuesit tajvanezë aktualisht dominojnë tregun global për gjysmëpërçuesit e avancuar, kompanitë japoneze mbeten lidere në prodhimin e makinerive për prodhimin e këtyre gjysmëpërçuesve.

Megjithatë, Kina mund t’i blejë këto teknologji në një moment. Për më tepër, qëndrimi gjithnjë e më agresiv i Pekinit ndaj Tajvanit, i konsideruar si një provincë separatiste, dhe tensionet e mundshme gjeopolitike po rrisin shqetësimet për pengesat e ardhshme të furnizimit.

Suzuki thekson se Japonia nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me këtë sfidë, pasi konkurrenca po bëhet “gjithnjë e më e ashpër”. Megjithatë, ai është i bindur se qeveria është në rrugën e duhur për të arritur autarkinë në prodhimin e gjysmëpërçuesve.

“Avantazhi ynë është se kemi materialet dhe pajisjet e nevojshme për të prodhuar gjysmëpërçues më të fuqishëm”, thotë profesori i Tokios.

“Qeveria beson se kjo është mundësia e fundit për të ringjallëruarr industrinë vendase, për sa kohë që ne kemi ende inxhinierë dhe shkencëtarë me njohuritë e duhura teknike,” thotë Suzuki.

dw

SHBA dhe Rusia përmbyllin takimin mbi 12-orësh në Arabinë Saudite

SHBA RUSIZyrtarët amerikanë dhe ata rusë kanë negociuar më shumë se 12 orë në Arabinë Saudite, në kuadër të përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e katërt.

 

Takimi mes SHBA-së dhe Rusisë, i cili ka përfunduar në mbrëmjen e 24 marsit, është mbajtur një ditë pas takimit të zhvilluar mes SHBA-së dhe Ukrainës – gjithashtu në Arabinë Saudite – të cilin Kievi e ka përshkruar si “produktiv”.

Pak të reja janë bërë të ditura prej takimit, në të cilin kishte pritje se do të adresoheshin hollësi për pauzë në sulmet me rreze të gjatë në objektet e energjisë dhe infrastrukturën civile në Ukrainë dhe Rusi, si dhe ndaljen e sulmeve në Detin e Zi.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, duke cituar një burim brenda delegacionit rus, ka raportuar se Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët më 25 mars.

Zyrtarët amerikanë nuk janë deklaruar pas takimit.

Në ditën e negociatave, një sulm ajror rus ka dëmtuar një shkollë dhe një spital në qytetin ukrainas Sumi, duke plagosur të paktën 74 njerëz, përfshirë dhjetëra fëmijë.

Ky rast është vetëm një sinjal se sa të komplikuara janë bisedimet.

Ekipi amerikan udhëhiqej nga Andrew Peek, drejtor në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, dhe Michael Anton, zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.

Ekipi rus përfaqësohej nga Grigory Karasin, kryetar i Komisionit për Çështje të Jashtme në Parlamentin e Rusisë, dhe Sergei Beseda, këshilltar i drejtorit të Shërbimit Federal të Sigurisë, sipas mediave ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedimet mes Moskës dhe Uashingtonit përqendrohen në çështje teknike, përfshirë në sigurinë e transportit tregtar në rajon.

Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë gazetarëve se bisedimet në Arabinë Saudite do të fokusohen në territorin në Ukrainë, ku Rusia e ka pushtuar një të tretën e shtetit, si dhe për mundësinë që SHBA-ja t’i kontrollojë centralet e energjisë në Ukrainë.

“Po flasim për territor. Do të flasim për linjat e demarkacionit. Për pronësinë e centraleve të energjisë. Disa njerëz janë duke thënë se SHBA-ja duhet t’i ketë në pronësi centralet e energjisë, sepse ne e kemi ekspertizë”, ka thënë Trump.

Ai ka thënë se SHBA-ja dhe Ukraina do të nënshkruajnë “shpejt” një marrëveshje për mineralet e Ukrainës dhe burimet tjera.

“Bisedime frytdhënëse dhe konstruktive”

Ekipi i Uashingtonit nuk ka komentuar ende bisedimet me përfaqësuesit e Kievit, por ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, tha se bisedimet ishin “konstruktive dhe kuptimplota”.

“Diskutimet ishin frytdhënëse dhe të përqendruara. Adresuam çështje kyçë, përfshirë energjinë”, shkroi Umerov në Facebook.

“Qëllimi i presidentit Volodymyr Zelensky është ta sigurojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për vendin dhe popullin tonë – dhe për gjithë Evropën. Ne po punojmë për ta arritur këtë synim”, shtoi ai.

Bisedimet në Riad shënuan një moment historik në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për ta arritur një armëpushim në luftën në Ukrainë. Më parë, ka pasur ndërprerje prej një ose më shumë ditësh midis rundeve të ndryshme të bisedimeve dypalëshe.

 

Megjithatë, edhe pse negociatorët rusë dhe ukrainas do të jenë në të njëjtin vend teksa zhvillojnë bisedime me delegacionin amerikan, pak njerëz presin ndonjë përparim të madh.

Zelensky, duke folur derisa bisedimet po zhvilloheshin, tha se “ekipi ynë po punon në një mënyrë plotësisht konstruktive”.

“Biseda është mjaft e dobishme – puna e delegacioneve po vazhdon”, shtoi ai.

“Por, pavarësisht se çfarë u themi sot partnerëve tanë, ne duhet ta bëjmë [presidentin rus Vladimir] Putin të japë urdhër të vërtetë për t’i ndaluar sulmet. Kushdo që e solli këtë luftë, duhet ta ndalojë atë”, nënvizoi Zelensky. 

Kievi dhe Moska kanë qenë më të përmbajtur në pikëpamjet e tyre.

Në Rusi, ku Radio Evropa e Lirë është shpallur organizatë e padëshirueshme dhe është praktikisht e ndaluar, ishte zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ai që shoi çdo shpresë për një marrëveshje të shpejtë.

“Nuk duhet të kemi pritshmëri të larta. Një punë shumë serioze dhe e madhe na pret. Do të duhet të futemi në hollësi”, tha ai në një intervistë për televizionin shtetëror të dielën.

“Jemi vetëm në fillim të kësaj rruge”, shtoi ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë deri më tani më i vendosuri në favor të negociatave. Por, shpresat e tij për përparim të shpejtë kanë hasur në pengesa të vazhdueshme.

Së pari, një plan i rënë dakord me Ukrainën për një armëpushim të përgjithshëm 30-ditor u bllokua nga Putin. Pas një telefonate me Putinin, Trump tha se ata ishin pajtuar për një ndërprerje të sulmeve ndaj infrastrukturës.

Por, Kremlini e ngushtoi edhe më tej këtë fokus, duke thënë se marrëveshja lidhej vetëm me infrastrukturën energjetike – të cilën forcat e tij e sulmuan gjithsesi. Ukraina shpreson ta qartësojë këtë çështje në Xhedah, duke sjellë një listë të asaj që Rusia duhet të pranojë të mos e shënjestrojë.

Mjegull e ngjashme ishte edhe pas bisedimeve mes Trumpit dhe Zelenskyt. Derisa zyrtarët amerikanë flisnin për një plan të ri për pronësinë amerikane të centraleve bërthamore ukrainase, si një formë e garancive të sigurisë për Ukrainën, Zelensky e bëri të qartë se këto centrale janë pronë shtetërore që u përkisnin të gjithë ukrainasve.

rel

Më shumë se 1.100 arrestime në Turqi

stambollPolicia dhe demonstruesit në Turqi vazhdojnë të përplasen. Gjatë protestave kundër burgosjes së politikanit opozitar Ekrem Imamoglu pati arrestime të shumta. Mes të arrestuarve ka edhe gazetarë.

 

Sipas ministrit të Brendshëm turk Ali Yerlikaya, në periudhën 19 deri 23 mars në Turqi u arrestuan gjatë “demonstratave të paligjshme” 1,133 persona të dyshuar. Shoqata e avokatëve MPÇS tha se janë arrestuar edhe dhjetë gazetarë dhe fotografë.

Sindikata turke e medias Disk-Basin-Is e tha se kjo ishte përgjigjia e qeverisë ndaj protestave të vazhdueshme kundër burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu nga partia opozitare socialdemokrate CHP. Sindikata tha se ky është “sulm ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtës së njerëzve për të mësuar të vërtetën”.

123 policë të plagosur

Imamoglu konsiderohet si sfiduesi politik me më shumë shance ndaj Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe u arrestua të mërkurën nën akuzën për korrupsion dhe terrorizëm. Këtë të dielë ai u mor në paraburgim dhe u shkarkua nga posti si kryebashkiak i Stambollit.

Në Stamboll, në kryeqytetin turk Ankara, por edhe në Izmir dhe qytete të tjera, po vazhdojnë protestat kundër arrestimit të Imamoglut.

Megjithë praninë masive të policisë dhjetëra-mijëra vetë dolën në rrugë për të protestuar pavarësisht ndalimeve zyrtare.

Në disa raste njoftohet për përleshje të dhunshme mes policisë dhe demonstruesve. Policia përdori pompa uji me presion dhe gaz lotsjellës.

Përpjekje për të eliminuar një kundërshtar politik

Kritikët e shohin arrestimin e Imamoglut si një përpjekje të qeverisë për të eliminuar një kundërshtar politik të presidentit Erdogan dhe i konsiderojnë akuzat si të sajuara.

Ekrem Imamoglu mund të jetë kandidat zyrtar për president vetëm nëse Komisioni Zgjedhor Turk YSK, i cili konsiderohet si pro-qeveritar, e konfirmon kandidaturën e tij. Por nëse hetimet për terrorizëm nuk janë ndërprerë deri në momentin e shqyrtimit të kandidaturës së tij nga komisioni, atehere kjo kandidaturë nuk ka gjasa të pranohet.

Përveç akuzave për korrupsion dhe terrorizëm kandidatura e Ekrem Imamoglut rrezikohet edhe prej një veprimi tjetër: atij iu revokua javën e kaluar diploma e universitetit. Ky vendimi nuk është ende i formës së prerë. Diploma universitare është parakusht për të kandiduar për president në Turqi.

dw

Burgosja e Imamoglut sulm ndaj demokracisë

ImamogluPolitikanë gjermanë dhe evropianë e kritikuan ashpër arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit dhe kërkojnë të shtohet presioni ndaj Erdoganit.

 

“Arrestimi i kryebashkiakut është thellësisht shqetësues”, deklaroi përpara gazetarëve në Bruksel presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. “Turqia duhet të mbrojë vlerat demokratike, veçanërisht të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur.”

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e quajti arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu si dhe përkrahësve të tij si një “goditje për demokracinë në Turqi”. “Ne po shohim qartë se hapësira për politikanët opozitarë po bëhet gjithnjë e më e vogël”, tha ajo.

Presioni ndaj Erdoganit duhet të shtohet

Zëdhënësi i politikës së jashtme të grupit parlamentar të Unionit në parlamentin gjerman, Bundestag, Jürgen Hardt (CDU), e kritikoi gjithashtu burgosjen e politikanit opozitar turk Ekrem Imamoglu. “Koha dhe konteksti politik i arrestimit” të shtyjnë të mendosh se një rivali politik i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan po “privohet nga të drejtat e tij demokratike”, tha Hardt për gazetën “Welt”. “Gjermania duhet ta bëjë të qartë se Erdogan ka bërë një hap tjetër drejt autokracisë dhe se kjo nuk mund të pranohet”.

 

Eksperti për politikën e jashtme të Partisë Të Gjelbrit, Max Lucks, kërkoi që Gjermania “ta vërë tani Erdoganin nën presion të dukshëm”. Është e rëndësishme të tregojmë “se të drejtat e njeriut dhe demokracia në Turqi nuk janë një çështje e vogël për ne,” tha ai për gazetën “Handelsblatt”. Lucks bëri thirrje për një ndalim të menjëhershëm të dërgimit të armëve në Turqi.

Po ashtu ai kërkoi që procedura për shkeljen e marrëveshjeve kundër Turqisë, e cila po zhvillohet në Këshillin e Evropës, “të përshpejtohet me të gjitha konsekuencat e mundshme dhe të lidhet ngushtë me marrëdhëniet politike dhe ekonomike të BE-së me Turqinë,” tha Lucks. Procedurat kanë nisur në dhjetor 2021 pas burgosjes së aktivistit të të drejtave civile Osman Kavala, i cili mbështeti protestat në Gezi.

Franca: Burgosja e Imamoglut “sulm ndaj demokracisë”

Arrestimi dhe burgimi i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu dhe liderëve të tjerë politikë “përbën një sulm serioz ndaj demokracisë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Francës .

Në deklaratë thuhet se Turqia, e cila udhëhiqet nga Rexhep Tajip Erdogani për më shumë se 20 vjet, ka premtuar se do të mbrojë të drejtat e figurave të opozitës.

Liria e shprehjes dhe e drejta për tubim paqësor janë gurët e themelit të shtetit të së drejtës, thuhet në deklaratë, duke nënvizuar se Turqia – si anëtare e Këshillit të Evropës dhe kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian – ka “marrë angazhime në këtë fushë”.

“Respektimi i këtyre angazhimeve është një element qendror i marrëdhënieve tona, si dhe i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Francës.

Përshkallëzim i goditjeve ndaj opozitës në Turqi

Amnesty International tha se arrestimi i Imamoglut shënoi një përshkallëzim të goditjeve ndaj opozitës në Turqi. “Ndërsa përdorimi i akuzave të paqarta për terrorizëm si armë kundër opozitës për të burgosur dhe ndjekur penalisht kundërshtarët nuk është e re, paraburgimet e fundit dhe kufizimet shoqëruese paraqesin një intensifikim alarmant të vënies në shënjestër të kritikëve realë apo të perceptuar”, tha Dinushka Disanayake, zëvendësdrejtore e Amnesty për Evropën.

dw

Teknologjia e përdorur në Serbi si ajo dikur në Rumani

topi zanorIsh-kryeprokurori ushtarak rumun thotë në intervistë me DW se gjatë protestave në Beograd kundër demonstruesve është përdorur e njëjta teknologji si në Revolucionin Rumun të vitit 1989.

 

 

Topi zanor, apo arma zanore, siç e quajnë, e dyshuar se është përdorur gjatë protestave në Beograd më 15 mars, është përdorur edhe gjatë Revolucionit Rumun, tha në një intervistë për DW ish-kryeprokurori ushtarak rumun, Catalin Ranko Pitu.

Ai ka punuar gjashtë vjet në një hetim mbi Revolucionin Rumun të Dhjetorit 1989, i cili çoi në rënien e diktatorit Nicolae Çaushesku. Pitu pohon për Deutsche Wellen se e njëjta teknologji u përdor në një tubim të madh të Çausheskut më 21 dhjetor në Bukuresht, ku diktatori rumun donte të bindte qytetarët për “korrektësinë e politikave të tij” dhe se demonstruesit, të cilët protestuan në Timisoara, “nuk i duan të mirën Rumanisë”.

“Gjatë këtij mitingu, ushtarë rumunë nga një njësi e specializuar e luftës psikologjike ndërhynë me një magnetofon, i cili lëshonte frekuenca të ulëta zanore dhe kjo bëri që tubimi të çorganizohej”, thotë Pitu për DW.

Ky moment shënoi fillimin e Revolucionit Rumun edhe në Bukuresht. Vetëm një ditë më vonë, Çaushesku humbi pushtetin dhe më 25 dhjetor u ekzekutua. Gjatë revolucionit, 1.200 njerëz u vranë dhe rreth 4000 u plagosën rëndë.

“Teknologjia ka avancuar, por parimi është i njëjtë”

Pitu foli me qindra dëshmitarë dhe ekspertë në fushën e teknologjisë ushtarake gjatë hetimit të tij. Përshkrimi i kaosit të shkaktuar nga valët zanore, siç thotë ai, të kujton skena nga Beogradi.

“Qindra njerëz ndjenë dhimbje fizike dhe ishin në një gjendje paniku total për disa minuta”, thotë Pitu. Qytetarët serbë që folën për DW dëshmuan se fillimisht dëgjuan një zhurmë të shkurtër dhe të pazakontë, patën një ndjenjë dridhjeje që shkaktoi ndjenjën e një rreziku të afërt, gjë që i alarmoi ata dhe i bëri të largoheshin në panik.

Megjithëse teknologjia ka përparuar shumë në 35 vitet e fundit, Pitu thotë se parimi i përdorimit ka mbetur i njëjtë: përdoret si pjesë e “luftës psikologjike”.

“Për mendimin tim, ajo që ndodhi së fundmi në Beograd mund të shpjegohet me përdorimin e teknologjisë së manipulimit duke ekspozuar masat ndaj valëve të veçanta të këtij zëri,” thotë Pitu.

Njohja erdhi 30 vjet më vonë

E vërteta se kush përdori sistemin zanor kundër protestuesve rumunë në vitin 1989 doli në dritë vetëm 30 vjet më vonë. Gjatë hetimit, Pitu foli me ushtarë nga një njësi speciale e luftës psikologjike, të cilët pranuan se kishin përdorur një teknikë që përfshinte manipulimin e turmës përmes zërit.

Por ai nuk ishte në gjendje të dëshmojë se nga erdhi urdhri për përdorimin. “Por është logjike që urdhri ka ardhur nga vetë kreu i ushtrisë rumune, sepse ishte një lloj manipulimi i jashtëzakonshëm, jo ​​kushdo mund ta kishte bërë këtë”, thotë Pitu.

Ai është i bindur se edhe në Serbi një urdhër i tillë duhej të vinte nga autoritetet. “Duhet të jetë qeveria – qoftë ushtria apo Ministria e Punëve të Brendshme, sepse jo kushdo mund ta ketë atë teknologji. Qytetarët e Serbisë nuk mund ta kenë këtë teknologji. Nuk është aq e lehtë,” thotë ish-kryeprokurori rumun.

Nuk ka prova?

Qeveria serbe fillimisht e mohoi se posedonte armë të tilla. Dy ditë më vonë, deputetja e opozitës, Marinika Tepiq publikoi një dokument që tregonte se Ministria e Brendshme kishte marrë dy lloje topash zanorë. Ajo tregoi edhe një fotografi ku shihet një pajisje e tillë e montuar në një xhip të xhandarmërisë serbe.

Ministri i Brendshëm Ivica Daçiq më pas pranoi se Ministria e Brendshme posedon të ashtuquajturat sisteme LRAD, por mohoi se ato janë përdorur.

“Këto sisteme janë të vendosura në kuti në magazinat tona”, tha Daçiq.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq shtoi se “gjëra të ndryshme” janë blerë, por nuk janë përdorur kurrë. “Nëse vërtetohet se janë përdorur gëra të tilla, unë më nuk do të jam president”, tha ai.

“Jo, askush nuk e përdori. Dhe askush nuk e ka përdorur askund. Nuk më keni treguar asnjë provë. Dhe nuk keni asnjë provë, sepse nuk mund të gjeni prova për diçka që nuk ekziston”, tha Vuçiq.

A mund të hapet një rast me dëshmitë e qytetarëve dhe pranimin e shtetit se ai posedon një top zanor – por pa ndonjë dëshmi për përdorimin e vetë pajisjes? Prokurori rumun Katalin Ranko Pitu beson se kjo është e mundur.

Hetimet komplekse

“Por pas kësaj pike, hetimi duhet të jetë shumë më kompleks,” thotë Pitou. “Për të filluar, mjafton të flasësh me njerëzit dhe të sigurohesh që manipulimi ishte diçka reale. Dhe siç shihet në televizion, ishte i vërtetë. Sepse nuk mund të vraposh në anën e majtë dhe të djathtë të një rruge menjëherë pa një lloj manipulimi”, thotë Pitu.

Megjithatë, ai nuk dëshiron të paragjykojë nëse vetë përdorimi mund të jetë edhe një vepër penale, duke qenë se askush nuk është lënduar rëndë. Kjo, thotë ai, varet edhe nga fakti nëse përdorimi i këtyre sistemeve është i rregulluar me ligj.

Në Rumani përdorimi i një sistemi zanor për të manipuluar masat është bërë pjesë e të ashtuquajturës “Dosja mbi Revolucionin” që synon të sjellë para drejtësisë figurat kryesore të ngjarjeve të dhjetorit 1989. Po kjo ka ndodhur vetëm për faktin se ajo ishte një pikë kthese në Revolucionin ku humbën jetën 1.200 njerëz”, shpjegon Pitu.

Por edhe 35 vjet më vonë, shumë familje të viktimave në Rumani janë ende në pritje të drejtësisë. Çështja është ende në gjykatë.

Sanja Kljajic/dw

Hodges: Forca evropiane në Ukrainë s’ka nevojë për garanci amerikane

HodgesTeksa shefat ushtarakë të 30 vendeve evropiane dhe përtej ishin mbledhur afër Londrës për të diskutuar këtë javë për një mision ushtarak në Ukrainë, ish-shefi i ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se këto shtete do të mund të formonin misionin pa ndihmën amerikane.

 

“Ukraina e ka ndalur Rusinë pothuajse vetëm”, ka thënë Ben Hodges, i cili është pensionuar nga detyra e gjeneralit komandues më 2017.

“Ushtarët të cilat i kam takuar ndër vite në Mbretëri të Bashkuar, Francë, Gjermani, Holandë, Finlandë dhe Poloni, janë gra dhe burra të kualifikuar dhe me pajisje të mira”.

Britania dhe Franca janë në krye të përpjekjeve për të krijuar një forcë ushtarake që do të angazhohej në Ukrainë, në rast të ndonjë armëpushimi, mirëpo kanë sugjeruar se për këtë forcë janë jetike ato që kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka quajtur “garanci amerikane”.

Kjo kërkesë duket se lidhet me nevojën për mbështetje ajrore, logjistike dhe të inteligjencës.

Megjithatë, Uashingtoni është treguar i ftohtë ndaj idesë së përfshirjes së ushtrisë amerikane, derisa Moska ka thënë se çdo prezencë e forcave prej vendeve anëtare të NATO-s do të ishte e papranueshme.

“Duke gjykuar nga bisedat mes palës amerikane dhe asaj ruse, besoj se nuk ka pothuajse asnjë mundësi që SHBA-ja t’i ofrojë ato garanci. Nuk besoj se kjo administratë ka gatishmëri për ta bërë këtë”, ka thënë Hodges.

“E gjithë biseda mes palës amerikane dhe asaj ruse nuk lidhet me realitetin se kush është Rusia”.

Sulmet e pareshtura të Rusisë në Ukrainë

Bisedimet mes dy shteteve kanë rezultuar me avancim të planeve për një armëpushim të pjesshëm, dhe jo për ndalje të plotë të luftimeve, siç është propozuar nga Uashingtoni.

Ato janë fokusuar edhe në përmirësim të marrëdhënieve bilaterale diplomatike dhe ekonomike, përfshirë edhe për aranzhim të ndeshjeve të hokejit mbi akull.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet në Ukrainë, duke goditur dy spitale dhe infrastrukturë tjetër civile këtë javë. Ukraina akuzon Rusinë për sulme në infrastrukturën e saj të energjisë, më 18 mars, disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se do t’i ndalë sulmet e tilla.

Ukraina është kundërpërgjigjur me sulme me dronë në objektet ushtarake dhe ato të energjisë në Rusi.

Starmer ka thënë në organizimin e 20 marsit se do të bëhen përgatitje për atë që e ka quajtur “fazë operacionale”.

Në këtë fazë pritet të finalizohen diskutimet për mënyrën se si do të duket forca, si do të pajisjet dhe aspekte tjera.

Aktualisht, Britania dhe Franca janë zotuar për t’i angazhuar ushtarët e tyre.

Më herët gjatë javës, Britania ka thënë se “një numër i konsiderueshëm” i shteteve kanë gatishmëri për të angazhuar trupa paqeruajtëse, mirëpo pa përmendur ndonjërën.

Shtetet sikurse Australia, Kanadaja dhe Finlanda, janë deklaruar hapur se janë të gatshme të përfshihen në ndonjë mënyrë.

 

 

Zëdhënësi i Starmerit ka thënë më 17 mars se e ka përmendur mbështetjen inxhinierike, përdorimin e hapësirave ajrore dhe strehimin e ekuipazhit si mënyra përmes së cilave shtetet do të mund të kontribuonin në mision.

Hodges ka thënë se elementi kryesor për të cilin duhet të pajtohen palët në Angli është një mision i definuar qartë, i cili do të mundësonte planifikim dhe përgatitje të detajuara.

“Ata me siguri janë duke punuar në disa skenarë. Nëse flasim për një zonë të ndarjes mes trupave ukrainase dhe ruse, po flasim për një numër të madh trupash. Nëse flasim për vendosjen e tyre mbrapa ukrainasve, atëherë duhen më pak trupa. Ky skenar është më i sigurt, por më pak efektiv”.

Rregullat e angazhimit?

Një tjetër detaj që po diskutohet ka të bëjë me rregullat e angazhimit.

“Nëse forca do të jetë 50-100 kilometra mbrapa ukrainasve dhe ata do të duhet të kërkojnë leje prej Brukselit për të rrëzuar një dron, atëherë kjo nuk do jetë forcë e suksesshme në vëzhgim të armëpushimit”, ka thënë Hodges.

Takimi i 20 marsit është mbrojtur jashtë Londrës.

Në nisje, Qeveria britanike ka publikuar fotografi të Starmerit duke vizituar një nëndetëse bërthamore, më herët gjatë javës.

Duke qenë vizita e parë e një kryeministrit britanik në më shumë se një dekadë, ajo ka vënë në pah ekzistencën e kapaciteteve bërthamore të Britanisë, teksa Starmer synon të rrisë mbështetjen për një mision ushtarak pa përfshirjen direke të SHBA-së.

 

Hodges i ka thënë Radios Evropa e Lirë se forcat bërthamore britanike dhe franceze, ndonëse në numër shumë më të vogël se ushtarët rusë, mund të shërbejnë si forcë parandaluese.

“Nuk ka nevojë që të barazohen me secilën raketë ruse për t’i penguar”, ka thënë ai.

rel

 

Trump dhe gjykatat: A po shkon SHBA drejt autokracisë?

Presidenti i SHBA Donald Trump flet për mediat në aeroportin e Palm BeachGjykatat amerikane kanë rrëzuar disa nga planet e Donald Trump. Presidenti shprehet me zemërim, e ndonjëherë edhe i injoron vendimet e gjyqësorit. Sa e kërcënon kjo sundimin e ligjit?

 

Ishte e mërkura e 19 marsit, kur mosmarrëveshja u përshkallëzua plotësisht: “Nëse një president nuk ka të drejtë të dëbojë vrasës dhe kriminelë të tjerë nga vendi ynë, sepse një gjykatës i çmendur radikal i majtë dëshiron të marrë presidencën, atëherë vendi ynë është në telashe të mëdha, atëherë është i dënuar të dështojë” shkroi me zemërim Donald Trump tek rrjeti i tij Truth Social në lidhje me një vendim të gjykatësit federal amerikan, James Boasberg”. Trump dhe disa kongresmenë republikanë madje bënë thirrje për shkarkimin e tij

 

Si erdhi puna deri tek përshkallëzimi?

Qeveria e Donald Trump kishte deportuar më parë qindra venezuelianë. Sipas administratës amerikane, ata ishin anëtarë të një bande droge. Pavarësisht protestave të ashpra nga pushtetmbajtësi venezuelan, Nicolás Maduro, ata u dërguan me avion në El Salvador dhe u burgosën atje në burgun famëkeq CECOT të sigurisë së lartë.

Trump iu referua një ligji të vitit 1798 që lejon që “armiqtë e huaj” të dëbohen nga vendi. Gjyqtari federal i Uashingtonit Boasberg e kishte ndaluar dëbimin – fillimisht duhej të kontrollohej nëse ligji ishte i zbatueshëm. Por administrata Trump e injoroi vendimin e gjyqtarit. Arsyeja që u dha ishte se avionët ndodheshin tashmë në ajër në momentin e ndalimit gjyqësor.

 

Disa mollë sherri

Ky nuk është aspak rasti i vetëm, ku përplasen administrata Trump dhe gjyqësori amerikan. Për shembull, një gjykatës federal i SHBA-së urdhëroi që të ndalohej mbyllja e agjencisë së ndihmës për zhvillim USAID, e cila kërkohej nga Trump dhe këshilltari i tij Elon Musk. Një gjykatëse federale nga Maryland-i bllokoi, të paktën për momentin, dëbimin e personave trans nga ushtria amerikane nga ana e Sekretarit të Mbrojtjes së Trump, Hegseth. Një gjykatëse tjetër e Uashingtonit urdhëroi qeverinë të paguajë 14 miliardë dollarë dëmshpërblime si grante për tre organizata për mbrojtjen e klimës.

“Kemi gjyqtarë jashtë kontrollit që po shkatërrojnë vendin tonë”, u ankua Trump në një intervistë me transmetuesin amerikan Fox News. I pyetur nëse ai do të kundërshtonte një vendim gjykate, Trump tha: “Jo, nuk mund ta bësh këtë”.

 

Dëbime jo konfom ligjit?

Vërtet jo? “Për momentin, Trump po pëson humbje njëra pas tjetrës në gjykatë”, shprehet Johannes Thimm, zëvendës drejtues i grupit kërkimor për Amerikën në Fondacionin e Shkencës dhe Politikës së Berlinit (SWP). “Tani ka shenja të para që ai ose po injoron ose po vë në dyshim haptazi vendime të caktuara gjyqësore dhe praktikisht nuk po i zbaton ato.” Për momentin kjo duket se po ndodh veçanërisht me deportimet.

Vetëm pak ditë më parë, Rasha Alawieh, një mjeke e lindur në Liban në Universitetin Brown në Rhode Island, u deportua në vendin e saj nëpërmjet Francës, pavarësisht se një gjykatë federale në Boston e ndaloi këtë. Një fat i ngjashëm kërcënon tani studentin me origjinë palestineze Mahmoud Khalil, i cili u ndalua e mor për dëbim, sepse mori pjesë në demonstratat pro-palestineze në kampusin e Universitetit Columbia. Edhe në këtë rast ka një vendim gjykate kundër dëbimit.

Ditët e fundit u duk, se sa pak mendojnë Donald Trump dhe mbështetësit e tij për vendime të tilla gjyqtarësh. “Cari i kufijve” i emëruar nga Trump, Tom Homan i tha Fox News: “Nuk më intereson se çfarë mendojnë gjyqtarët”. Nëse “terroristët nxirren jashtë vendit”, atëherë “kjo duhet të jetë një arsye për të festuar në këtë vend”.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Pam Bondi kritikoi pezullimin e urdhrave të dëbimit si një “mospërfillje e kompetencave të pushtetit të Presidentit Trump”. Vendime të tilla rrezikojnë popullatën dhe zbatimin e ligjit, tha Bondi.

 

Ndarja e pushteteve në rrezik

Për Johannes Thimm, këto janë sinjale shqetësuese. Eksperti i SWP e sheh në rrezik të gjithë sistemin e ndarjes së pushteteve në SHBA. Nga njëra anë,migracioni sepse me Kongresin,  “legjislativi praktikisht e ka çregjistruar veten si një fuqi kontrolluese që mund të ndalojë edhe presidentin”. Që nga zgjedhjet, republikanët kanë  shumicë në të dy dhomat e Kongresit – dhe ata janë “praktikisht 100 për qind besnikë ndaj Trump”, tha Thimm.

Kështu që mbetet drejtësia. “Dhe këtu problemi themelor është që gjykatat nuk mund të zbatojnë në mënyrë efektive vendimet e tyre, veçanërisht jo kundër qeverisë. Për shkak se ato nuk kanë forcë policore – i gjithë sistemi bazohet në pushtetet e tjera duke respektuar autoritetin e gjykatave” thekson eksperti.

Pikërisht kjo po gërryhet aktualisht me një ritëm alarmues. “Fakti që Trump sapo ka filluar të injorojë ose të kundërshtojë vendimet e gjykatave ka potencialin të shkaktojë një krizë kushtetuese. Dhe kjo e thënë butë.” Në një shtet kushtetues, policia dhe autoritetet e sigurisë janë kryesisht atje për të zbatuar ligjin dhe rendin. Por ata në fund i raportojnë presidentit. Nëse ka udhëzime kontradiktore nga të dyja palët – kujt duhet t’i binden?

 

Kritika nga Gjykata Supreme

Ndoshta kjo është gjithashtu një nga arsyet pse John Roberts, kryetari i Gjykatës së Lartë, hodhi poshtë kërkesën e Trump për të hequr thjesht gjyqtarët jopopullorë në mënyrë të pazakontë. “Ka qenë e qartë për më shumë se dy shekuj që procedura e shkarkimit nga posti nuk është reagim i përshtatshëm ndaj një mosmarrëveshjeje mbi një vendim gjyqësor,” tha Roberts. “Prandaj kemi edhe gjykatat e apelit.”

Nuk duhet “bërë gabimi të besohet, Gjykata e Lartë me shumicë konservatore do të votojë për Trump në të gjitha rastet”, thotë Johannes Thimm. Aa nuk e ka bërë gjithmonë këtë në të kaluarën – duke riafirmuar kështu pavarësinë e gjyqësorit. Eksperti i SWP beson se “tani po ndodh një lloj lufte për pushtet. Trump po teston se çfarë mund t’i ecë. Dhe më pas varet vërtet nga Gjykata e Lartë që do të mbështesë gjykatat, siç ka bërë tani John Roberts.”

 

Drejt autokracisë?

Nuk mendohet që presidenti amerikan do të guxojë të përballet hapur me Gjykatën e Lartë, ku vetë Donald Trump ka luajtur rol kyç për të zënë vendet vakante. “Por problemi bazë që as Gjykata e Lartë nuk mund të zbatojë vendimet e saj me forcë, është i njëjtë si në gjykatat e tjera”, shprehet Thimm. “Teorikisht, Trump gjithashtu mund të qëndronte aty dhe të thoshte: Unë nuk e njoh këtë apo atë vendim”.

Pas zhvillimeve të fundit rreth fluturimeve të dëbimit në El Salvador, Johannes Thimm mendon, në të ardhmen “nuk mund të përjashtohet më që Trump thjesht të mos zbatojë disa gjëra përmes gjyqësorit dhe se askush nuk do të bëjë vërtet gjë ose nuk do të jetë në gjendje të bëjë diçka për këtë”. “Kështu SHBA-të bëjnë një hap të madh drejt shfuqizimit të shtetit kushtetues demokratik”.

 

dw