Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Trump dhe gjykatat: A po shkon SHBA drejt autokracisë?

Presidenti i SHBA Donald Trump flet për mediat në aeroportin e Palm BeachGjykatat amerikane kanë rrëzuar disa nga planet e Donald Trump. Presidenti shprehet me zemërim, e ndonjëherë edhe i injoron vendimet e gjyqësorit. Sa e kërcënon kjo sundimin e ligjit?

 

Ishte e mërkura e 19 marsit, kur mosmarrëveshja u përshkallëzua plotësisht: “Nëse një president nuk ka të drejtë të dëbojë vrasës dhe kriminelë të tjerë nga vendi ynë, sepse një gjykatës i çmendur radikal i majtë dëshiron të marrë presidencën, atëherë vendi ynë është në telashe të mëdha, atëherë është i dënuar të dështojë” shkroi me zemërim Donald Trump tek rrjeti i tij Truth Social në lidhje me një vendim të gjykatësit federal amerikan, James Boasberg”. Trump dhe disa kongresmenë republikanë madje bënë thirrje për shkarkimin e tij

 

Si erdhi puna deri tek përshkallëzimi?

Qeveria e Donald Trump kishte deportuar më parë qindra venezuelianë. Sipas administratës amerikane, ata ishin anëtarë të një bande droge. Pavarësisht protestave të ashpra nga pushtetmbajtësi venezuelan, Nicolás Maduro, ata u dërguan me avion në El Salvador dhe u burgosën atje në burgun famëkeq CECOT të sigurisë së lartë.

Trump iu referua një ligji të vitit 1798 që lejon që “armiqtë e huaj” të dëbohen nga vendi. Gjyqtari federal i Uashingtonit Boasberg e kishte ndaluar dëbimin – fillimisht duhej të kontrollohej nëse ligji ishte i zbatueshëm. Por administrata Trump e injoroi vendimin e gjyqtarit. Arsyeja që u dha ishte se avionët ndodheshin tashmë në ajër në momentin e ndalimit gjyqësor.

 

Disa mollë sherri

Ky nuk është aspak rasti i vetëm, ku përplasen administrata Trump dhe gjyqësori amerikan. Për shembull, një gjykatës federal i SHBA-së urdhëroi që të ndalohej mbyllja e agjencisë së ndihmës për zhvillim USAID, e cila kërkohej nga Trump dhe këshilltari i tij Elon Musk. Një gjykatëse federale nga Maryland-i bllokoi, të paktën për momentin, dëbimin e personave trans nga ushtria amerikane nga ana e Sekretarit të Mbrojtjes së Trump, Hegseth. Një gjykatëse tjetër e Uashingtonit urdhëroi qeverinë të paguajë 14 miliardë dollarë dëmshpërblime si grante për tre organizata për mbrojtjen e klimës.

“Kemi gjyqtarë jashtë kontrollit që po shkatërrojnë vendin tonë”, u ankua Trump në një intervistë me transmetuesin amerikan Fox News. I pyetur nëse ai do të kundërshtonte një vendim gjykate, Trump tha: “Jo, nuk mund ta bësh këtë”.

 

Dëbime jo konfom ligjit?

Vërtet jo? “Për momentin, Trump po pëson humbje njëra pas tjetrës në gjykatë”, shprehet Johannes Thimm, zëvendës drejtues i grupit kërkimor për Amerikën në Fondacionin e Shkencës dhe Politikës së Berlinit (SWP). “Tani ka shenja të para që ai ose po injoron ose po vë në dyshim haptazi vendime të caktuara gjyqësore dhe praktikisht nuk po i zbaton ato.” Për momentin kjo duket se po ndodh veçanërisht me deportimet.

Vetëm pak ditë më parë, Rasha Alawieh, një mjeke e lindur në Liban në Universitetin Brown në Rhode Island, u deportua në vendin e saj nëpërmjet Francës, pavarësisht se një gjykatë federale në Boston e ndaloi këtë. Një fat i ngjashëm kërcënon tani studentin me origjinë palestineze Mahmoud Khalil, i cili u ndalua e mor për dëbim, sepse mori pjesë në demonstratat pro-palestineze në kampusin e Universitetit Columbia. Edhe në këtë rast ka një vendim gjykate kundër dëbimit.

Ditët e fundit u duk, se sa pak mendojnë Donald Trump dhe mbështetësit e tij për vendime të tilla gjyqtarësh. “Cari i kufijve” i emëruar nga Trump, Tom Homan i tha Fox News: “Nuk më intereson se çfarë mendojnë gjyqtarët”. Nëse “terroristët nxirren jashtë vendit”, atëherë “kjo duhet të jetë një arsye për të festuar në këtë vend”.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Pam Bondi kritikoi pezullimin e urdhrave të dëbimit si një “mospërfillje e kompetencave të pushtetit të Presidentit Trump”. Vendime të tilla rrezikojnë popullatën dhe zbatimin e ligjit, tha Bondi.

 

Ndarja e pushteteve në rrezik

Për Johannes Thimm, këto janë sinjale shqetësuese. Eksperti i SWP e sheh në rrezik të gjithë sistemin e ndarjes së pushteteve në SHBA. Nga njëra anë,migracioni sepse me Kongresin,  “legjislativi praktikisht e ka çregjistruar veten si një fuqi kontrolluese që mund të ndalojë edhe presidentin”. Që nga zgjedhjet, republikanët kanë  shumicë në të dy dhomat e Kongresit – dhe ata janë “praktikisht 100 për qind besnikë ndaj Trump”, tha Thimm.

Kështu që mbetet drejtësia. “Dhe këtu problemi themelor është që gjykatat nuk mund të zbatojnë në mënyrë efektive vendimet e tyre, veçanërisht jo kundër qeverisë. Për shkak se ato nuk kanë forcë policore – i gjithë sistemi bazohet në pushtetet e tjera duke respektuar autoritetin e gjykatave” thekson eksperti.

Pikërisht kjo po gërryhet aktualisht me një ritëm alarmues. “Fakti që Trump sapo ka filluar të injorojë ose të kundërshtojë vendimet e gjykatave ka potencialin të shkaktojë një krizë kushtetuese. Dhe kjo e thënë butë.” Në një shtet kushtetues, policia dhe autoritetet e sigurisë janë kryesisht atje për të zbatuar ligjin dhe rendin. Por ata në fund i raportojnë presidentit. Nëse ka udhëzime kontradiktore nga të dyja palët – kujt duhet t’i binden?

 

Kritika nga Gjykata Supreme

Ndoshta kjo është gjithashtu një nga arsyet pse John Roberts, kryetari i Gjykatës së Lartë, hodhi poshtë kërkesën e Trump për të hequr thjesht gjyqtarët jopopullorë në mënyrë të pazakontë. “Ka qenë e qartë për më shumë se dy shekuj që procedura e shkarkimit nga posti nuk është reagim i përshtatshëm ndaj një mosmarrëveshjeje mbi një vendim gjyqësor,” tha Roberts. “Prandaj kemi edhe gjykatat e apelit.”

Nuk duhet “bërë gabimi të besohet, Gjykata e Lartë me shumicë konservatore do të votojë për Trump në të gjitha rastet”, thotë Johannes Thimm. Aa nuk e ka bërë gjithmonë këtë në të kaluarën – duke riafirmuar kështu pavarësinë e gjyqësorit. Eksperti i SWP beson se “tani po ndodh një lloj lufte për pushtet. Trump po teston se çfarë mund t’i ecë. Dhe më pas varet vërtet nga Gjykata e Lartë që do të mbështesë gjykatat, siç ka bërë tani John Roberts.”

 

Drejt autokracisë?

Nuk mendohet që presidenti amerikan do të guxojë të përballet hapur me Gjykatën e Lartë, ku vetë Donald Trump ka luajtur rol kyç për të zënë vendet vakante. “Por problemi bazë që as Gjykata e Lartë nuk mund të zbatojë vendimet e saj me forcë, është i njëjtë si në gjykatat e tjera”, shprehet Thimm. “Teorikisht, Trump gjithashtu mund të qëndronte aty dhe të thoshte: Unë nuk e njoh këtë apo atë vendim”.

Pas zhvillimeve të fundit rreth fluturimeve të dëbimit në El Salvador, Johannes Thimm mendon, në të ardhmen “nuk mund të përjashtohet më që Trump thjesht të mos zbatojë disa gjëra përmes gjyqësorit dhe se askush nuk do të bëjë vërtet gjë ose nuk do të jetë në gjendje të bëjë diçka për këtë”. “Kështu SHBA-të bëjnë një hap të madh drejt shfuqizimit të shtetit kushtetues demokratik”.

 

dw

Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu në paraburgim

Erdogan ImamogluGjykata e Stambollit vendosi që sfiduesi i Erdoganit, kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, të mbahet në paraburgim nën akuzën për korrupsion dhe për terrorizëm.

 

Kryetari i Bashkisë së Stambollit dhe kundërshtari i presidentit Rexhep Tayip Erdogan, Ekrem Imamoglu, është lënë në paraburgim me dyshimin për korrupsion. Sipas njoftimeve të agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, bazuar në kërkesën e prokurorisë së Stambollit, gjykata vendosi që 53-vjeçari të qëndrojë në paraburgim deri sa të nisë procesi gjyqësor. Përveç korrupsionit politikani i opozitës akuzohet edhe për vepra “terroriste”.

Politikani i CHP-së Imamoglu i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato si “fajësime dhe shpifje të paimagjinueshme”.

 

Marrje e gjatë në pyetje ditën e shtunë

Mëngjesin e së shtunës Ekrem Imamoglu u mor në pyetje nga policia për pesë orë nën akuzën për “mbështetje të një organizate terroriste”. Akuza lidhet me lidhjet e pretenduara të politikanit të CHP-së me Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Gjatë marrjes në pyetje nga policia politikani i opozitës tha se “akuzat e pamoralshme dhe të pabaza” kishin për qëllim cenimin  “e reputacionit” dhe “të besueshmërisë” së tij. Procesi kundër tij jo vetëm që ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Turqisë, por edhe ndjenjën e drejtësisë dhe të besimit të opinionit publik turk tek ekonomia, shtoi 53-vjeçari.

Pas marrjes në pyetje nga policia kryetari i bashkisë u dërgua të shtunën në mbrëmje në gjykatën e Stambollit për t’u marrë në pyetje nga prokurorët, tha një zëdhënës i bashkisë. Marrja në pyetje lidhej me akuzat për mbështetje të një organizate terroriste dhe për korrupsion.

 

Përpjekje për të eliminuar një kundërshtar politik

Kritikët e shohin arrestimin e Imamoglut si një përpjekje të qeverisë për të eliminuar njc kundërshtar politik të presidentit Erdogan dhe i konsiderojnë akuzat si të sajuara. Imamoglu planifikon të kandidojë në zgjedhjet presidenciale turke të vitit 2028. Partia e tij, Partia Socialdemokrate CHP, do ta shpallë atë si kandidat këtë të dielë.

Megjithatë Ekrem Imamoglu mund të jetë kandidat zyrtar për president vetëm nëse Komisioni Zgjedhor Turk YSK, i cili konsiderohet si pro-qeveritar, e konfirmon kandidaturën e tij. Por nëse hetimet për terrorizëm nuk janë ndërprerë deri në momentin e shqyrtimit të kandidaturës së tij nga komisioni, atehere kjo kandidaturë nuk ka gjasa të pranohet.

Përveç akuzave kandidatura e Ekrem Imamoglut rrezikohet edhe prej një veprimi tjetër: të martën atij iu revokua diploma e universitetit. Ky vendimi nuk është ende i formës së prerë. Diploma universitare është parakusht për të kandiduar për president në Turqi.

 

Protestat në shumë qytete turke

Protestat kundër arrestimit të Imamoglu vazhdojnë. Megjithë praninë masive të policisë, mijëra vetë dolën në rrugët e Stambollit të shtunën për të katërtën mbrëmje me radhë. Policia përdori plumba gome, granata trullosëse, apo gaz lotsjellës në përleshjet gjatë protestave, njofton agjencia e lajmeve AFP.

Protestat masive pati edhe në kryeqytetin turk, Ankara, dhe në qytetin perëndimor të Izmirit. Në Ankara policia përdori pompa uji për të zmbrapsur demonstruesit. Në Izmir, qyteti i tretë më i madh i Turqisë, policia bllokoi një marshim proteste të studentëve drejt zyrave lokale të AKP-së.

Sipas qeverisë turke gjatë protestave u arrestuan sërish qindra vetë. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, tha se u arrestuan 323 vetë. “Asnjë përpjekje për të rrezikuar rendin publik nuk do të tolerohet”, tha ministri.

dw

Kush është Milorad Dodik?

DodikAi dikur konsiderohej si një reformator që donte të udhëhiqte Republikën Srpska në Evropë. Sot Milorad Dodik është në listën e zezë të SHBA-së dhe po ndiqet penalisht nga prokuroria boshnjake.

 

Milorad Dodik lindi në vitin 1959 në një familje fermere pranë qytetit të Banja Lukës në veriperëndim të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, e cila në atë kohë ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste. Ai studioi shkenca politike në kryeqytetin e atëhershëm jugosllav, Beograd dhe më pas punoi në një pozitë udhëheqëse në administratën e komunës së tij deri në vitin 1990.

Në zgjedhjet e para shumëpartiake në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990/91, Dodik u zgjodh deputet në Parlamentin e Bosnjë-Hercegovinës. Atje ai angazhohej për bashkëjetesën e grupeve të ndryshme etnike dhe një të ardhme të përbashkët evropiane për Bosnjë-Hercegovinën. Kjo i dha atij reputacionin e një tradhtari në mesin e serbëve nacionalistë.

Në të njëjtën kohë, Dodik themeloi një fabrikë mobiljesh, por ajo shpejt dështoi. Kundërshtarët politikë ende e akuzojnë atë për kontrabandë cigaresh dhe karburantesh gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë nga viti 1992 deri në 1995. Këto akuza nuk u vërtetuan kurrë.

Pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës, në fund të dhjetorit 1995, Dodik themeloi partinë e tij, të cilën e quajti Socialdemokratët e Pavarur (SNSD). Fillimisht, ai u dallua si një reformator në pjesën e mbizotëruar nga serbët e Bosnjë-Hercegovinës, “Republika Srpska” (RS).

 

Kundërshtarët e nacionalistëve

Në atë kohë, Dodik hodhi poshtë hapur politikat nacionaliste të Partisë Demokratike Serbe (SDS), e cila më parë kishte qeverisur RS. Ai mbrojti një Bosnjë multietnike dhe bëri thirrje publikisht për arrestimin e politikanëve si presidenti i RS i kohës së luftës, Radovan Karaxhiq dhe komandanti ushtarak serb, gjenerali Ratko Mlladiq. Të dy u akuzuan për krime të rënda lufte dhe më vonë u dënuan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë.

Ky qëndrim ishte shumë i rrallë tek politikanët serbë në atë kohë. “Dodik ishte i guximshëm dhe pragmatik, gjë që e bëri atë të popullarizuar, veçanërisht me amerikanët,” thotë Tanja Topiq, vëzhguese politike nga Banja Luka, kryeqyteti i sotëm i RS. “Por sot ai feston të njëjtët kriminelë lufte si heronj kombëtarë dhe e përshkruan B-H si një krijesë të panatyrshme të komunitetit ndërkombëtar”.

 

Një shtet – dy “entitete”

Bosnjë-Hercegovina, e krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit, me rreth 3.2 milionë banorë, është një shtet i decentralizuar. Ajo në thelb përbëhet nga dy njësi, të ashtuquajturat entitete: Federata e Bosnjë-Hercegovinës, e cila është e populluar kryesisht nga boshnjakë myslimanë dhe kroatë të Bosnjës, dhe Republika Srpska, e cila është e banuar kryesisht nga serbët e Bosnjës.

Përveç Presidencës Shtetërore prej tre anëtarësh, shteti ka një Parlament me dy dhoma. Të dy entitetet kanë secila edhe parlamentet dhe presidentët e tyre. Që nga viti 1996, ngjarjet politike në Bosnje janë monitoruar nga Përfaqësuesi i Lartë (HR) si përfaqësues i komunitetit ndërkombëtar, i cili gjithashtu mund të ushtrojë njëfarë pushteti shtetëror. Për shembull, HR mund të shkarkojë politikanët që shkelin Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Që nga gushti 2021, HR është politikani gjerman i CSU-së, Christian Schmidt.

Me mbështetje masive nga Perëndimi, Dodik u bë kryeministër i Republikës Srpska, në 1998. Ai mori mbështetje edhe nga Serbia fqinje nën presidentin Slobodan Millosheviq.

Sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright e vlerësoi Dodikun në atë kohë si “një frymë e pastër” dhe si një partner për stabilitetin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. “Ai udhëhoqi me mençuri RS-në nëpër kohë të vështira dhe ishte i përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik,” tha Albright. Ajo theksoi edhe rolin e Dodikut në pajtimin dhe përparimin në B-H.

 

Nga i dashur i të gjithëve, tek përçarës

“Vitet 1997/98 e deri në 2007 u shënuan nga një ndërhyrje e madhe ndërkombëtare në Bosnje,” shpjegon gazetari Zarko Markoviq nga Banja Luka. Ndërsa “Dodik ishte aq i çmendur sa të pranonte postin e kryeministrit në këtë kaos”. Kjo lloj çmendurie e përzier me një pjesë të madhe pragmatizmi e karakterizon sundimin e tij deri në ditët e sotme.

Por si u bë politikani i respektuar botërisht i politikani më i tmerrshëm i Ballkanit Perëndimor?

Dodik shërbeu si kryeministër i Republika Srpska nga viti 1998 deri në 2001. Ai e mbajti këtë detyrë përsëri nga viti 2006 deri në 2010. Më pas u bë president i RS. Por pasi fitoi pushtetin absolut në zgjedhje, ai ndryshoi kursin e tij dhe filloi fushatën për pavarësinë e Republikës Srpska. Shpesh fltet edhe për një referendum që do t’i siguronte atij legjitimitetin e nevojshëm.

 

Sundimtari i vetëm

Për herë të parë, ai mbajti një referendum për pavarësinë e Republika Srpska nga Bosnja në janar 2016 – edhe pse Gjykata Kushtetuese përgjegjëse në Sarajevë e kishte shpallur më parë votimin të paligjshëm. Rezultati nuk ishte ligjërisht i detyrueshëm, por ai çimentoi autoritetin në njësinë “e tij” dhe tregoi aftësinë e tij për t’u përshtatur me rrethanat politike.

Dodik krijoi një rrjet aleatësh politikë që e lejuan të dominonte institucionet e RS, të shkatërronte opozitën dhe të ndërtonte një imazh për veten e tij si lideri i padiskutueshëm i serbëve të Bosnjë-Hercegovinës. Në vitin 2018 ai u bë anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, e më pas përsëri president i Republika Srpska në 2022.

 

Shkëputja dhe nacionalizmi

Që atëherë, Dodik ka ndjekur një politikë secesioniste dhe ka kërkuar bashkimin e Republika Srpska me Serbinë fqinje. Kjo çoi, ndër të tjera, në sanksione kundër tij nga SHBA dhe Britania e Madhe. Në të njëjtën kohë, ai forcoi marrëdhëniet e RS me shtetet me qeveritë kritike për BE-në si Hungaria, Serbia dhe Rusia, duke humbur kështu mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Përplasja e hapur me qeverinë qendrore të Bosnjë-Hercegovinës dhe komunitetin ndërkombëtar u zhvillua në vitin 2023. Në atë kohë, Dodik nënshkroi dy ligje që përcaktonin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të B-H dhe përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt nuk do të respektoheshin në Republika Srpska.

Për këtë, ai u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të veprimtarisë politike nga Gjykata Federale e Bosnjë-Hercegovinës më 26 shkurt 2025. Por aktgjykimi nuk është ende i plotfuqishëm.

 

dw

BE-ja kërkon zbatimin e shpejtë të planeve për armatimin

armatimi beGatishmëria mbrojtëse e Evropës duhet të rritet masivisht. Ky ishte vendim i samitit të BE-së. Por për Ukrainën BE-ja nuk ka një qëndrim të përbashkët. U premtuan ndihma pa zotime konkrete.

 

Bashkimi Evropian synon të rrisë ndjeshëm gjatë pesë viteve të ardhshme arsenalin e armatimeve. Në samitin e BE-së në Bruksel krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare ranë dakord të bëjnë gjithçka që është e mundur për të forcuar ndjeshëm aftësitë mbrojtëse të Evropës. Deri në vitin 2030 BE-ja planifikon investime deri në 800 miliardë euro për mbrojtjen. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dëshiron të krijojë ndër të tjera “një instrument të ri financiar evropian” që siguron kredi në një shumë të përgjithshme prej 150 miliardë eurosh. Ka gjithashtu plane për të lehtësuar rregulloret dhe zbutur kërkesat ndaj industrisë së armëve.

Shkak i këtyre planeve është kërcënimi nga Rusia. Sipas Komisionit Evropian BE-ja duhet të përgatitet menjëherë për mundësinë e një lufte në shkallë të gjerë me Rusinë. Situata konsiderohet veçanërisht e rrezikshme për shkak të njoftimeve të bëra nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka deklaruar se superfuqia bërthamore SHBA nuk do të jetë më në dispozicion pa kushte si një garantuese e paqes në Evropë.

 

Një kundër 26 në politikën ndaj Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, i cili ishte i lidhur me video, i bëri thirrje BE-së që të mos heqë dorë nga mbështetja e saj për vendin e tij. Konkretisht ai kërkoi të paktën pesë miliardë euro për predha artilerie. Por BE-ja nuk premtoi një herë për një herë ndihma të reja, të mëdha për Ukrainën.

Apeli i Zelenskit bazohej në një nismë të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila në fillim të takimit të Brukselit, bëri përsëri thirrje që të vihej në dispozicion një shumë përkatëse për dërgimin e municioneve për forcat e armatosura ukrainase.

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha në samit se nuk do të pranojë asnjë vendim të ri të BE-së në favor të Ukrainës. Sikurse në samitin e posaçëm më 6 mars për shkak të vetos së Orban-it, nuk arriti të miratohej një deklaratë e përbashkët e BE-së. Udhëheqësit e 26 vendeve të tjera anëtare riafirmuan më pas në një deklaratë, pa Orbanin, se ata vazhdojnë dhe mbështesin pa kushte “pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Viktor Orban konsiderohet gjithnjë e më shumë si i afërt me Moskën dhe gjithashtu si një fans i presidentit amerikan Trump.

 

Këndvështrime të ndryshme

Në Bruksel u bë gjithashtu e qartë se pozicioni gjeografik çon në një pamje të ndryshme mes vendeve të Evropës Lindore dhe Jugore në lidhje me Ukrainën. Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, dhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, kërkuan që Ukraina të bëhet anëtare e BE-së para vitit 2030.

Kurse Spanja sheh prioritete të tjera: “Është e rëndësishme të merret parasysh se sfidat me të cilat përballemi në vendet jugore janë disi të ndryshme nga ato me të cilat përballet krahu lindor i BE-së,” paralajmëroi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. Për të ka më shumë prioritet forcimi i kontrolleve kufitare dhe lufta kundër terrorizmit.

(dpa, rtr, afp)

 

Erdogan thotë se nuk do të dorëzohet para protestave

protestaOpozita turke ka bërë thirrje që “miliona” njerëz të demonstrojnë në qytetet turke për arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, i konsideruar si rival i mundshëm i presidentit Erdogan.

 

Opozita politike turkebëri thirrje për më shumë protesta në qytetet turke këtë të premte për shkak të arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, i konsideruar si rival politik i PresidentitRecep Tayyip Erdogan.

Të mërkurën, kryetari i bashkisë së Stambollit EkremImamoglu u arrestua në një bastisje herët në mëngjes në rezidencën e tij, për lidhje të dyshuara me korrupsionin dhe terrorizmin. Arrestimi i Imamoglusë erdhi vetëm disa ditë përpara emërimit të tij të pritshëm si kandidat presidencial nga Partia Popullore Republikane (CHP) e opozitës.

Si reagoi CHP ndaj arrestimit të Imamoglusë?

Mbështetësit e Imamoglusë thonë se arrestimi ishte një përpjekje e motivuar politikisht për të eliminuar një kundërshtar popullor të sundimit më shumë se dy dekadash të Erdoganit. Zgjedhjet presidenciale në Turqi janë planifikuar për vitin 2028, por ato duhet të mbahen më herët që Erdogani të mund të kandidojë përsëri.

“Ftoj dhjetëra mijëra, qindra mijëra dhe miliona njerëz të demonstrojnë në mënyrë paqësore, të shprehin reagimin tonë demokratik dhe të ushtrojnë të drejtat tona kushtetuese,” tha të premten kreu i CHP, Ozgur Ozel.

Mijëra njerëz kanë protestuar në qytetet turke që nga arrestimi i Imamoglusë. Përleshje mes policisë dhe protestuesve shpërthyen në Stamboll, Ankara dhe Izmir. Si përgjigje, autoritetet kanë njoftuar një ndalim pesëditor të demonstratave.

“Atyre që thonë se thirrja e njerëzve në rrugë është e papërgjegjshme, unë u them këtë: nuk jemi ne që i kemi mbushur këto rrugë dhe sheshe. Është anarkia dhe padrejtësia juaj që kanë nxjerrë njerëzit në rrugë”, deklaroi kreu i opozitës Ozel.

Mediat turke, duke përfshirë gazetën Cumhuriyet, raportuan se policia filloi të merrte në pyetje Imamoglunë të premten pasdite. Ai mund të mbahet pa akuzë deri në katër ditë.

Cili ka qenë reagimi i Erdoganit?

Të premten, Presidenti Erdogan tha në një fjalim se autoritetet “nuk do të lejojnë që rendi publik të dëmtohet” dhe u zotua të mos “i dorëzohet vandalizmit apo terrorizmit të rrugës”.

Arrestimi i Imamoglusë është pjesë e një goditjeje gjyqësore një mujore ndaj opozitës turke.

Sipas prokurorisë, Imamoglu akuzohet se ka shpërdoruar pozitën e tij për përfitime financiare.

Në një hetim të veçantë, Imamoglu akuzohet se ka ndihmuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e konsideruar një organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe vende të tjera, duke krijuar, siç pohohet, një aleancë me grupet kurde për zgjedhjet komunale të Stambollit.

U bënë gjithashtu arrestime të tjera, duke përfshirë dy kryebashkiakë të qarkut nga Stambolli.

Qeveria turke ka hedhur poshtë akuzat për veprime ligjore të motivuara politikisht kundër opozitës, duke këmbëngulur që gjykatat funksionojnë të pavarura.

(Wesley Rahn AP, AFP, Reuters)

Vuçiq: Serbia është lodhur nga ata që e terrorizojnë dhe duhet të përgjigjet

vucicPresidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia është lodhur nga ata që po e terrorizojnë që katër muaj”, duke shtuar se ata duhet të bëjnë gjithçka që të shmangin dhunën, por po ashtu të kundërshtojnë ata që “shkatërrojnë” shtetin.

“Po vlon në Serbi, por vetëm ata nuk e shohin këtë. Serbia është lodhur me ata që e kanë terrorizuar tash e katër muaj. Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që t’iu përgjigjemi atyre që po e shkatërrojnë shtetin tonë”, tha Vuçiq përmes një video-adresimi në Instagram.

Ai shtoi se i fton njerëzit që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të tregojnë se ata duan një “Serbi të lirë”.

Pasi 16 persona vdiqën nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, një sërë protestash dhe bllokadash janë mbajtur, të organizuara nga studentët të cilët kanë bllokuar fakultetet për më shumë se tre muaj, duke kërkuar përgjegjësi për aksidentin.

Kërkesat e tyre janë mbështetur nga mësuesit, fermerët, avokatët dhe një numër qytetarësh.

Në mbrëmjen e së enjtes dhe orët e para të së premtes, studentët bllokuan depon e kompanisë së transportit të qytetit në Beograd, prandaj 150 autobusë dhe 130 tramvaje nuk operuan mëngjesin e së premtes.

rel

Zjarri në aeroportin e Hearthrow, dyshime për sabotazh nga Vladimir Putin

putin aeroporti HearthrowPolicia kundër terrorizmit po heton një zjarr në një nënstacion elektrik, i cili ka mbyllur Aeroportin Heathrow të Londrës gjatë gjithë ditës e sotme, mes pretendimeve se mund të jetë një sulm sabotazhi nga Rusia, i lidhur me fushatën e Vladimir Putinit për paqëndrueshmëri në Europë.

 

Më shumë se 1,300 fluturime drejt dhe nga aeroporti më i ngarkuar i Mbretërisë së Bashkuar do të preken sot për shkak të mbylljes së tij, pas një zjarri në nënstacionin elektrik të North Hyde.

Mijëra shtëpi mbetën pa energji elektrike, ndërsa më shumë se 100 persona u evakuuan pasi një transformator në nënstacion mori flakë, duke shkaktuar një shpërthim të madh që u dëgjua në zonë.

 

Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Rusinë dhe përfaqësuesit e saj për organizimin e dhjetëra sulmeve dhe incidenteve të tjera nëpër Evropë që nga pushtimi i Ukrainës tre vjet më parë.

Ata pretendojnë se kjo fushatë është një vazhdim i luftës së Presidentit Putin, e krijuar për të mbjellë përçarje në shoqëritë evropiane dhe për të minuar mbështetjen për Ukrainën – megjithëse Kremlini ka mohuar se po kryen akte sabotazhi kundër Perëndimit.

Më herët këtë javë, Putin kishte rënë dakord për një armëpushim të kufizuar, duke ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pas një telefonate me Presidentin amerikan Donald Trump.

Tani, ekspertët po analizojnë nëse Rusia mund të ketë lidhje me zjarrin në nënstacionin e Mbretërisë së Bashkuar, i cili po ndikon në 679 fluturime të planifikuara për të ateruar dhe 678 nisje nga Heathrow.

Policia kundër terrorizmit do të përfshihet në hetim, për shkak të nevojës për të përcaktuar shpejt nëse ka pasur sabotazh dhe për të sqaruar çështjet e sigurisë mbi mënyrën se si një zjarr i vetëm mundi të rrëzonte një pjesë kaq të rëndësishme të infrastrukturës, raportoi *The Times*.

Kjo ndodh pasi spiunët rusë dërguan një pako me lodra seksi elektronike në Evropën Perëndimore, përpara se të fshihnin pajisje zjarrvënëse që u aktivizuan në depot e DHL në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani korrikun e kaluar, në atë që pretendohet të ketë qenë një provë për një sulm të mundshëm ndaj një fluturimi drejt SHBA.

Duke reaguar ndaj zjarrit në Heathrow sot, eksperti i sigurisë Will Geddes, drejtor dhe themelues i International Corporate Protection Group, i tha MailOnline:

“Heathrow ka qenë duke shqyrtuar zgjerimin – kjo nuk është një reklamë e mirë për aftësinë e tyre për ta bërë këtë në mënyrë të sigurt. Nëse unë do të isha një palë armike e huaj dhe do të doja të ndërprisja një nga aeroportet më të ngarkuara në botë, të shkaktoja një turp ndërkombëtar dhe të hapja shumë pikëpyetje, do të synoja diçka si një nënstacion elektrik.”

tch

Qeveria turke e paralajmëron opozitën të mos bëjë thirrje për protesta, pas arrestimit të Imamoglut

imamogluQeveria e Turqisë e ka paralajmëruar të premten partinë kryesore opozitare kundër thirrjeve “të jashtëligjshme” për protesta në rrugë, në lidhje me arrestimin e kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

 

Mijëra njerëz protestuan në dy ditët e fundit në gjithë vendin.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha se 53 njerëz janë arrestuar dhe 16 oficerë policorë janë lënduar në protestat që filluan në kampuse universitare, selinë qendrore të komunës së Stambollit dhe në pjesë të tjera të vendit të enjten.

Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, u arrestua të mërkurën nën akuzat për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist.

Partia kryesore opozitare e Imamoglut, Partia Popullore Republikane (CHP), ka thënë se arrestimi i tij është i nxitur politikisht dhe u ka bërë thirrje njerëzve të dalin për të protestuar ligjërisht.

Arrestimi i Imamoglut është dënuar nga liderët evropianë.

Yerlikaya dhe ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, i kritikuan thirrjet për veprim nga lideri i CHP-së, Özgür Özel, duke i quajtur “të papërgjegjshme”.

“Grumbullimi dhe marshimi në protestë janë të drejta themelore. Por thirrja për të dalë në rrugë për një hetim të vazhdueshëm ligjor është e paligjshme dhe e papranueshme”, tha Tunc në X të premten.

Tunc tha se gjykata është vendi për t’iu përgjigjur çdo procesi ligjor dhe bëri thirrje për qetësi, duke shtuar se “gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm” po vlerëson çështjen.

Turqia i ndaloi protestat për katër ditë pas arrestimit të Imamoglut, i cili prin para Erdoganit në disa prej sondazheve në Turqi.

Të enjten u zhvilluan demonstrata në Ankara, Izmir dhe Stamboll, si dhe në provinca të tjera në të gjithë vendin, derisa policia ngriti barrikada në disa rrugë kryesore.

Erdogan i ka hedhur poshtë kritikat e opozitës duke i cilësuar “skena teatrale” dhe “slogane” që e largojnë vëmendjen nga gabimet e saj të brendshme.

Duke folur në tubimin kryesor në Stamboll të enjten mbrëma, lideri i CHP-së, Özel, u përgjigj: “Hej Erdogan, gjëja që të trembë më shumë janë rrugët. Tani jemi në rrugë, në sheshe. Vazhdoni të keni frikë”.

Që nga ndalimi i Imamoglut, shumë mbështetës kanë kërkuar veprime më konkrete dhe të organizuara nga CHP-ja.

Imamoglut, 54 vjeç, u arrestua derisa CHP-ja po përgatitej për ta shpallur atë kandidat presidencial të dielën. Partia u ka kërkuar njerëzve jashtë partisë të votojnë për të në kutitë e votimit të vendosura në të gjithë vendin, si shenjë e rezistencës publike.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi duhet të mbahen më 2028, por Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për ta shmangur kufizimin dy-mandatesh nëse vendos të garojë përsëri.

rel

Strategjia e re e BE-së për mbrojtjen – çfarë parashikohet?

Armët bërthamore franceze, Charles De GaulleKomisioni i BE-së prezantoi në një dokument strategjik se si BE-ja mund të mbrohet më mirë. Mbi të gjitha bëhet fjalë për mbrojtjen nga Rusia.

“Sa e rëndësishme është mbrojtja për ne, tregohet nga ajo se sa shumë investojmë pör mbrojtjen. Dhe gjatë dhjetë viteve të fundit, ajo nuk ka qenë shumë e rëndësishme për ne,” tha shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas në prezantimin e strategjisë së re të mbrojtjes së BE-së në Bruksel. Bota nuk ka parë trazira të tilla si tani që nga viti 1945, shtoi ajo. Është koha për të vepruar.

Komisioni i Bashkimit Evropian ka paraqitur të ashtuquajturin Libër të Bardhë mbi aftësitë mbrojtëse të BE-së. Dokumenti strategjik synon të tregojë se si BE dhe shtetet anëtare mund të bëhen më të qëndrueshme në sektorin e mbrojtjes deri në vitin 2030. Një nga arsyet kryesore për rritjen e nevojave për mbrojtje është Rusia.

“Nëse Rusia lejohet të arrijë qëllimet e saj në Ukrainë, ambiciet e saj territoriale do të vazhdojnë të zgjerohen. Rusia do të mbetet një kërcënim themelor për sigurinë evropiane për të ardhmen e parashikueshme”, thuhet në dokument.

Planet për mbrojtje duhet të zgjerohen, tha komisioneri i mbrojtjes i BE-së Andrius Kubilius. Disa agjenci evropiane të inteligjencës besojnë se ka të ngjarë që Rusia të testojë angazhimin e NATO-s për ndihmën e ndërsjellë deri në vitin 2030, paralajmëroi ai.

“Letra e Bardhë” nuk i referohet vetëm Rusisë, por edhe Kinës gjithnjë e më agresive, pasigurive në Lindjen e Mesme të shkaktuara nga rënia e regjimit të Asadit në Siri dhe situatës në Gaza. Rreziqe të tjera vinin nga kërcënimet hibride si sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit në infrastrukturë.

Aftësitë ushtarake

Për t’u bërë më elastike, Komisioni i BE-së ka identifikuar fushat kritike në të cilat shtetet anëtare duhet të zgjerojnë aftësitë e tyre. Përveç mbrojtjes ajrore, mbrojtjes raketore, sistemeve të artilerisë dhe dronëve, këtu përfshihen edhe kapacitetet e transportit ushtarak. Me strategjinë e saj, BE-ja dëshiron të sigurojë edhe fonde të reja në një shkallë të gjerë.

Komisioni thekson se janë ende shtetet anëtare që kujdesen për fushën e mbrojtjes. Por ne duam të sigurojmë që burimet ekzistuese të përdoren në mënyrë sa më efikase. Për shembull, duke zhvilluar, prodhuar dhe tregtuar së bashku sisteme armësh. Një problem i madh për mbrojtjen evropiane janë sistemet e shumta të ndryshme të armëve në shtetet anëtare, të cilat nuk përshtaten gjithmonë me njëra-tjetrën.

Financimi nëpërmjet borxhit të ri

Dy javë më parë, Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen prezantoi planin e saj “Rearm Europe” për të mobilizuar 800 miliardë euro për shpenzimet e mbrojtjes gjatë viteve të ardhshme. Për këtë qëllim, barra e lejuar e borxhit për vendet anëtare të BE-së do të rritet deri në 1.5 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto, gjë që do të mundësojë shpenzime të mbrojtjes deri në 650 miliardë euro. BE synon të vërë në dispozicion 150 miliardë euro të tjera për shtetet e saj anëtare në formën e kredive.

Disa vende të BE-së pritet të përfitojnë nga kushtet e favorshme të kreditimit të BE-së. Këto fonde synojnë të inkurajojnë blerjet e përbashkëta të armëve midis shteteve të ndryshme të BE-së dhe partnerëve të tyre, si Norvegjia apo Ukraina. Blerjet lejohen nga kompanitë me bazë në BE dhe nëse 65 për qind e komponentëve janë me origjinë evropiane.

Industria e armëve mirëpret propozimet, veçanërisht thirrjen për më shumë prokurime të përbashkëta. Nga këndvështrimi i industrisë, porositë me një perspektivë afatgjatë janë të rëndësishme për planifikimin e sigurisë, sipas Shoqatës së Industrive të Hapësirës Ajrore, Sigurisë dhe Mbrojtjes së Evropës.

Mbështetja për Ukrainën mbetet një pikë qendrore

Një objektiv kryesor i strategjisë është mbështetja e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën. Strategjia e ashtuquajtur “porcupine” nënkupton armatosjen e Ukrainës në atë masë sa të jetë në gjendje të mbrohet nga ndonjë agresor. Ukraina do të mbetet në vijën e parë të politikës evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes, thuhet në “Librin e Bardhë”.

Është “arena qendrore për të përcaktuar se si do të duket rendi i ri ndërkombëtar”. Përveç ndihmës konkrete ushtarake, Ukraina duhet të përfshihet edhe në nismat e BE-së.

Zgjerimi i partneriteteve

Në Librin e Bardhë pasqyrohet edhe ndryshimi i rolit të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshkruhen si një partner tradicionalisht i fortë, por bëhet e qartë se SHBA-ja do të zvogëlojë rolin e saj si “garantues kryesor i sigurisë”.

Komisioneri i Mbrojtjes Kubilius e shpreh kështu: “450 milionë qytetarë të Bashkimit Europian nuk duhet të mbështeten te 340 milionë amerikanë për t’u mbrojtur kundër 140 milionë rusëve që nuk mund të mposhtin 38 milionë ukrainas.”

Dialogu dypalësh me SHBA-në do të vazhdojë dhe bashkëpunimi do të forcohet në disa fusha. Në veçanti, ata duan të rrisin bashkëpunimin për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes me NATO-n. Por edhe me vende të tjera si India. Propozimet do të diskutohen më pas nga shtetet anëtare.

Ndërsa grupi konservator i EPP-së në përgjithësi mirëpret Librin e Bardhë, grupi liberal Renew dhe të Gjelbërit e konsiderojnë atë si shumë joambiciozë. Deputetja e Partisë së Gjelbër, Hannah Neumann bën thirrje për “pavarësi reale strategjike” për sa i përket financimit. Sipas këndvështrimit të tyre, duhet të diskutohen edhe eurobondet – pra emetimi i përbashkët i borxhit – dhe një bankë e specializuar evropiane e mbrojtjes.

dw

Vuçiq dhe Rutte: Fundi i lojës me Dodikun?

Rutte VucicProtestat në Serbi, tensionet në Bosnjë-Hercegovinë dhe gjendja në Kosovë: pse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç biseduan për herë të dytë brenda dy javësh?

Protestat në Serbi, si dhe zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, kanë tërhequr vëmendjen e politikës ndërkombëtare. Pas muajsh injorimi të kryengritjes studentore dhe qytetare, disa politikanë perëndimorë janë shprehur, duke ofruar ndër të tjera mbështetje për integritetin territorial të B-H, por edhe disa komente të kujdesshme për valën e pakënaqësisë në rrugët e Serbisë.

Duket se është bërë disi e qartë se mbështetja për “stabilokracinë” e Aleksandër Vuçiqit nuk është shumë garanci për stabilitetin rajonal dhe takimet e drejtpërdrejta ndërmjet disa zyrtarëve ndërkombëtarë dhe Presidentit të Serbisë tani janë bërë të shpeshta.

“Të bëhet gjithçka për të shmangur konfliktet e armatosura qytetare”

Nuk pati detaje për publikun, përveç frazave të zakonshme për gatishmërinë për të përmirësuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për paqen, por sigurisht është interesante, se brenda vetëm pesëmbëdhjetë ditësh, kjo ishte biseda e dytë mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe Aleksandar Vuçiqit.

Siç tha për DW, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, kjo është një shenjë e sigurt se tema e parë mbetet Serbia. “Kjo tregon, se Serbia është në prag të një rreziku të madh sigurie dhe se sjellja e qeverisë po i kontribuon këtij procesi, i cili ka tërhequr edhe vëmendjen e NATO-s, sepse Serbia ka edhe rëndësi rajonale. Tema ndoshta do të jetë përdorimi/mospërdorimi i “topave zanorë” dhe kërkesa që të bëhet gjithçka për të shmangur konfliktet e armatosura qytetare”, thotë Janjiq.

Në këtë kontekst, Janjiq thekson edhe faktin se gjatë një bisede të mëparshme me Vuçiqin, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka tërhequr vëmendjen edhe për zgjidhjen e çështjes Banjska:

“Ky nuk është vetëm obligim ndërkombëtar i Serbisë. Çarmatimi dhe vënia nën kontroll e të ashtuquajturës mbrojtje civile, që ne shohim se u aktivizua gjatë protestave të 15 marsit, është e domosdoshme. Sistemi i menaxhimit të saj duhet të çmontohet, e ky sistem ndodhet në Serbi”, vëren Janjiq.

Paralajmërim diplomatik për Vuçiqin

Aleksandar Vuçiq ka thënë nga Brukseli se me Marko Rutte ka folur për sjelljen e KFOR-it dhe NATO-s në Kosovë, por edhe për situatën në B-H.

Kur bëhet fjalë për situatën e tensionuar në Bosnjë-Hercegovinë, Dushan Janjiq beson se Vuçiq ka marrë një “paralajmërim diplomatik se koha ka mbaruar dhe se nuk ka më kohë për të ashtuquajturat lojëra të dyfishta dhe të trefishta të mbështetjes ose mosmbështetjes së Milorad Dodikut”, tërheq vëmendjen Janjiq.

Komisionerja evropiane për Zgjerim Marta Kos e vlerësoi takimin në Bruksel me Vuçiqin si “konstruktiv” dhe tha se “u diskutuan hapat konkretë në rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”. Ajo gjithashtu theksoi “rëndësinë e shoqërisë civile dhe mediave të pavarura në këtë proces”.

Ky formulim sigurisht që nuk do të pritet me entuziazëm në opinionin serb, siç ishin deklaratat e mëparshme modeste të përfaqësuesve të BE-së për regjimin e Aleksandar Vuçiqit. Kjo me shumë gjasa vetëm do të thellojë më tej mosbesimin ndaj BE-së në Serbi.

Besimi i humbur

Dushan Janjiq, megjithatë, tërheq vëmendjen se “Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen është kritikuar për deklaratat e Marta Kos. Ne kemi parë mirënjohje për ata që gjoja mbronin sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, ndërsa tani të gjithë e dimë se ata në të vërtetë kryen një sulm ndaj qytetarëve”, vëren Janjiq.

Aleksandar Vuçiq, nga ana tjetër, nuk mund të thotë asgjë të re për përparimin e Serbisë në integrimet evropiane, sepse ky proces është ndalur pothuajse plotësisht, shton Janjiç. “Fakti i ri është se askush më nuk i beson Vuçiqit. Ai mund do të përpiqet të formojë një qeveri të re që do të ishte pak më pro-evropiane me eksperte në letër, por Vuçiqi më nuk e ka besimin në BE që e kishte para ngjarjeve të 15 marsit në Beograd”, beson Janjiq.

Një lojtar i ri politik në Serbi – qytetarët rebelë

Gjatë protestës së 15 marsit, disa qindra banditë të maskuar u grumbulluan në të ashtuquajturin “Parku i studentëve që duan të mësojnë”. Sipas dëshmive të deritanishme, përplasjet e rënda janë shmangur vetëm duke i falënderuar fatit dhe organizimit të mirë të sigurisë së protestës.

Pas protestës u duk se parku po braktisej, por aktualisht prapë ka tubime dhe organizime të reja në zonën e “Parkut të Pionierëve” përballë Presidencës. Atje shihen tenda që duken si tenda ushtarake dhe civilë të maskuar, ndërsa policia nuk po ndërhyn.

Dushan Janjiq thekson se në këtë park janë parë njerëz nga Kosova por edhe njerëz të Dodikut si dhe nga Mali i Zi. Nëse ata nuk parandalohen, ekziston mundësia e destabilizimit të mëtejshëm të gjendjes. Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë parasysh se në skenën politike në Serbi tani ka një lojtar të ri, e ata janë qytetarët e rebeluar që aktualisht kanë ndikimin më të madh në opinion”, pohon Janjiq.

dw