Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Drejtori i CIA-s në Sarajevë, mes shqetësimeve për retorikën dhe veprimet e Dodikut

(CIA), William BurnsDrejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, ishte të martën në Sarajevë për takime me zyrtarë politikë dhe të agjencive të sigurisë, në një vizitë gjatë së cilës, sipas një zyrtari të qeverisë amerikane, u diskutua lidhur me retorikën përçarëse dhe veprimet e presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik.

 

“Ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, mes së cilave tërësia territoriale dhe sovraniteti i Bosnjës e Hercegovinës”, u tha gazetarëve në Sarajevë, zyrtari amerikan.

Zoti Burns, i cili u emërua në këtë post në vitin 2021, pritet të shkojë edhe në Beograd, sipas mediave të Bosnjës.

Presidenti pro-rus i Republikës Serbe, Milorad Dodik, prej kohësh kërkon shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnja.

Ai është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Shtetet e Bashkuara thonë se Dodiku ka dëmtuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, që shkaktoi vdekjen e mbi 100,000 vetëve dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve. Në përfundim të luftës Bosnja u nda në dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe Federatën Boshnjako-Kroate, të lidhura nëpërmjet një qeverie të dobët qendrore në Sarajevë.

Milorad Dodiku mbështetet në përkrahjen e Rusisë në qëndrimet e tij, ndërsa ekziston një frikë e përhapur në Perëndim se Moska po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të rajonit për të zhvendosur të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta e saj në Ukrainë.

Në muajin maj qeveria e Republikës Serbe tha se do të hartojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”. Paralajmërimi u bë në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e cila me 23 maj miratoi një rezolutë me të cilën shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.

Ndërkaq në fillim të muajit qershor Serbia dhe Republika Serbe, mbajtën atë që u quajt “Kuvendi gjithëserb”, në të cilën u miratua një deklaratë për siç thuhet, mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb.

Shtetet e Bashkuara thanë se përfundimet e miratuara në Kuvendin gjithëserb lidhur me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe shtetin e pavarur të Bosnjë dhe Hercegovinës… “janë një sulm i qëllimshëm ndaj asaj marrëveshjeje dhe institucioneve shtetërore të Bosnjës e Hercegovinës”.

Autoritetet në Sarajevë e vlerësuan vizitën e zotit Burns shumë të rëndësishme. Anëtari i Presidencës së Bosnjës, Denis Beçiroviç, tha mes tjerash në një postim në rrjetet sociale se vizita është dëshmi e mbështetjes së fuqishme amerikane për vendin e tij.

voa

Mesdheu: Vapa përvëluese po kthehet në normalitetin e ri

MesdheuVapë ekstreme në të gjithë zonën e Mesdheut këtë verë. Sipas një analize të Climate Central, vera me vapë përvëluese mund të kthehet në normalitet për Mesdheun.

Mesdheu është i prekur drejtpërdrejt nga ndryshimet e klimës. Gjasat për valë të nxehti, si aktualisht në zonën e Mesdheut janë rritur si pasojë e ndryshimit të klimës, sipas një analize të organizatës joqeveritare amerikane, Climate Central. Probabiliteti për temperaturat mjaft të larta, si ato aktuale në Greqi, është rritur pesë herë, bëri të ditur Climate Central-.

 

14 ditë rresht mbi 40 gradë

Sipas organizatës, Greqia ka përjetuar këtë vit korrikun më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve me 14 ditë radhazi temperatura që kanë kaluar 40 gradët. Edhe tani dyjavëshin e fundit të gushtit, ka pasur temperatura mesatarisht 3-6 gradë më të larta se më parë jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri, Itali dhe Francë. Kurse në Kroaci, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Austri dhe Hungari temperaturat e pritshme shënojnë 6-10 gradë më lart se mesatarja e mëparshme.

 

Ndryshimi i klimës rrit rrezikun e zjarreve

Sipas Climate Central me qendër në Princeton ndryshimi i klimës rrit rrezikun e zjarreve. “Ne e dimë, se kushtet e motit me rrezik të lartë për zjarre lidhen drejpërdrejt me ndryshimin e klimës”, u shpreh Andrew Pershing, drejtues i projektit studimor. Kjo sepse ndryshimi i klimës çon në periudha të gjata thatësire dhe nxehtësie, gjë që rrit rrezikun për zjarre. “Ne duhet ta lemë qymyrin, naftën dhe gazin në tokë”, theksoi Pershing, “ndryshe verat me zjarre dhe temperatura ekstreme në hapësirën e Mesdheiu do të jenë normalitet i ri. Jo vetëm në Greqi, por në të gjithë rajonin.

 

Turistët duhet të vlerësojnë rrezikun e temperaturave të larta

Këtë verë në Greqi 5 turistë humbën jetën për shkak të vapës përvëlues. Turistët shtegtarë nuk ishin të pajisur si duhet për temperaturat ekstreme. Ekspertët paralajmërojnë nga mos vlerësimi sa duhet i nxehtësisë. Ata thonë se temperaturat e larta kanë efekt të fortë në tru dhe mund të çojnë në disorientim dhe vendime të gabuara duke ndikuar edhe në vlerësim të gabuar të rreziqeve. Shumë njerëz për shkak të mungesës së njohurive, kanë tendencën të nënvlerësojnë këtë rrezik. Disa mendojnë, se disa masa të thjeshta i mbrojnë, ndërkohë që të tjerë gjatë pushimeve duan të shohin sa më shumë të jetë e mundur nga vendi që vizitojnë duke injoruar temperaturat e rrezikshme.

la/ag

Një oqean me ujë nën sipërfaqen e Marsit

MarsTë dhënat sizmike nga sonda robotike InSight e NASA-s sugjerojnë se ka një depozitë të madhe uji nën sipërfaqen e Marsit. Nuk bëhet fjalë vetëm për akull por edhe ujë normal.

 

Ekziston një oqean i madh dhe i lëngshëm me ujë në Mars, pretendon një analizë e re e të dhënave nga sonda robotike InSight e NASA-s. Ky mision u nis në vitin 2018, me qëllim të regjistrimit të aktivitetit sizmik në Planetin e Kuq dhe shpejt u zbulua se – Marsi është ende gjallë. Kjo analizë e re është një tjetër tregues se uji në Mars nuk u avullua kur planeti humbi atmosferën e tij miliarda vjet më parë, ose se uji ishte i kufizuar në kapakët e akullit polar. Megjithatë, qasja në atë ujë është praktikisht e pamundur.

Nuk është një oqean sipërfaqësor, sepse uji shtrihet nëpër shtresa shkëmbi, duke filluar të paktën 11 kilometra nën sipërfaqen e planetit. Sipas përllogaritjeve të studiuesve të Universitetit të Kalifornisë në San Diego dhe Berkeley, vlerësohet se mes shkëmbinjve ka aq shumë ujë sa mund të mbulojë planetin dhe se më pas sipërfaqja e ujit do të ishte dy kilometra e thellë.

Por as në Tokë nuk ka asnjë mundësi për të gërmuar 11 kilometra në thellësi, dhe për këtë arsye ka pak shpresë se një gjë e tillë mund të arrihet në Mars.

 

Të dhënat sizmike të “Insight” përdoren për zbulimin e ujit

Në mungesë të një teknologjie të tillë shpimi, shkencëtarët analizuan të dhënat e valës për të kuptuar përbërjen e kores së planetit dhe materialin brenda. Këto të dhëna u mblodhën nga sonda “Insight” gjatë misionit të saj katërvjeçar, i cili përfundoi në dhjetor 2022.

Ndër të dhënat ishin regjistrimet e të ashtuquajturve “Termetet e Marsit”, por edhe goditjet e meteorëve që shkaktojnë tërmete sipërfaqësore në këtë planet. “Insight” regjistroi shpejtësinë me të cilën përhapen valët sizmike gjatë ngjarjeve të tilla.

Ekipi hulumtues përdori modele të fizikës shkëmbore për të llogaritur vetitë e kores së Marsit kur këto valë që udhëtojnë shpejt kalojnë nëpër të. “Qëllimi është të lidhim atë që ndodhet brenda shkëmbit me shpejtësinë e zërit,” shpjegoi Vashan Wright, një gjeofizikan në Institutin Scripps të Oqeanografisë në San Diego, i cili drejtoi analizën. “Sa më i dendur shkëmbi, aq më shpejtë mund të depërtojë zëri. Nëse shtoni pak ujë të lëngshëm, shpejtësia do të rritet. Nëse e thyeni, shpejtësia do të ulet.”

Wright dhe kolegët e tij nuk hynë në hulumtim duke pritur të gjenin ujë të lëngshëm nën sipërfaqe – ata prisnin të gjenin ndonjë sasi uji, nga zero në 100 përqind, ose ujë që depërtonte nëpër shtresa shkëmbi.

Të dhënat nga sonda InSight sugjerojnë se çdo ujë në Mars në të kaluarën e tij të lashtë lëvizte nën tokë, diçka e ngjashme me ujërat nëntokësore në Tokë. “Ka shumë pyetje të thella në lidhje me Marsin që [ky studim] na ndihmon t’u përgjigjemi – ai na jep të dhëna rreth ciklit të lëvizjes së ujit që nuk është prekur nga njerëzit,” thotë Wright.

 

Ku është uji, a ka jetë?

MarsiGrupi i Wright nuk është i pari që përcakton se ekziston mundësia e ujit të lëngshëm në Mars. Studiuesit në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni në vitin 2022 përdorën sondën Orbiter për të studiuar depozitat e kripës në sipërfaqen e Marsit dhe vlerësuan se uji ekzistonte atje deri dy miliardë vjet më parë.

Studimet në pjesën polare me akull në Planetin e Kuq kanë sugjeruar gjithashtu se uji i lëngshëm mund të ekzistojë nën sipërfaqen e ftohtë, por një studim i fundit çon në përfundimin se mund të ketë pasur keqinterpretime në matje.

Dhjetë vjet më parë, studimet e NASA-s treguan se uji mund të rrjedhë herë pas here në sipërfaqen e planetit. E gjithë kjo emocionon shkencëtarët që janë ende në kërkim të provave të jetës në Mars. Sepse, si në Tokë, uji i lëngshëm konsiderohet një përbërës thelbësor që mundëson jetën të evoluojë. “Uji duket se është thelbësor për jetën,” thotë Wright. “Ajo që dimë për jetën dhe ujin në Tokë është se ka jetë në thellësi dhe se jeta mbijeton në kushte shumë më të ‘ashpra’ sesa ato në sipërfaqen e Tokës. Megjithatë nëse gjeni ujë në thellësi të madhe, kjo nuk do të thotë automatikisht jetë, por do të thotë se ka një mundësi për të.”

Të dhënat nga studimi u publikuan në Proceedings of the National Academy of Sciences.

 

Liquid water in the Martian mid-crust. Publikuar nga Vashan Wright et al. in PNAS (August 2024) https://doi.org/10.1073/pnas.2409983121

Si e vlerëson Brukseli ofensivën ukrainane në Kursk

BE UkrainaKievi ka ndryshuar strategjinë e tij ushtarake dhe ka pushtuar territorin rus. A do të ndryshojë ky veprim qëndrimin e BE-së ndaj Ukrainës? Si e vlerëson Brukseli situatën e re?

 

Aktualisht Brukseli zyrtar është me pushime verore, shumë eurodeputetë dhe punonjës të Bashkimit Evropian janë larguar. Selia e NATO-s gjithashtu zyrtarisht është me pushime, ende nuk ka asnjë deklaratë në lidhje me ofensivën e fundit ushtarake të

Kievit ndaj Kurskut. Konsultimet e radhës për luftën mbrojtëse të Ukrainës pas sulmit të Rusisë janë planifikuar për në fund të gushtit, kur ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të 27 shteteve të BE-së do të mblidhen për një takim jozyrtar në Bruksel. Por DW ka folur me ekspertë, politikanë dhe zyrtarë të BE. Ata janë të mendimit, se ofensiva ukrainase në rajonet ruse të Kursk dhe Belgorod duhet parë pozitivisht.

Sukses politik i Kievit

“Vlerësimi i përgjithshëm i asaj që kanë arritur forcat e armatosura ukrainase është pozitiv, jo aq nga pikëpamja ushtarake, por mbi të gjitha nga pikëpamja politike”, thotë raportuesi i Parlamentit Evropian për Rusinë, Andrius Kubilius. Ukraina ishte në gjendje të merrte iniciativën, t’i tregonte Kremlinit dështimin e vet dhe t’i provonte Perëndimit se nuk ka nevojë të frikësohet nga një përshkallëzim nga ana e Kremlinit.

Sipas partnerëve të Kievit, ofensiva ukrainase konsiderohet një sukses, sepse Ukraina ishte në gjendje të demonstronte përsëri aftësitë e saj pas një pauze të gjatë. Kështu mendon eksperti i sigurisë, Roland Freudenstein nga platforma e Përfaqësimit të Interesave në Bruksel “Freedom Hub”. “Më bëri shumë përshtypje sesi Ukraina arrin të marrë papritmas iniciativën nga një pozicion i perceptuar si inferior dhe të vendosë Rusinë dhe Vladimir Putinin në pozicion mbrojtjeje”, tha Freudenstein.

Por është ende herët për të vlerësuar rezultatet në fushën e betejës, paralajmëron Amanda Paul nga qendra studimore në Bruksel “European Policy Center”. Ajo flet për një “hap të guximshëm dhe me trimëri” të Kievit. Kjo “e habiti Putinin, dëmtoi reputacionin e tij dhe në të njëjtën kohë forcoi moralin e trupave dhe qytetarëve ukrainas”.

 

Pozicioni i BE i pandryshuar

Megjithatë, BE-ja thekson se veprimet e Kievit duhet të shërbejnë vetëm për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës. Këtë e theksoi një përfaqësuese zyrtare e BE-së në një bisedë joformale për DW. “Putini nuk mundi të thyente rezistencën e ukrainasve ndaj pushtimit të tij të pajustifikuar dhe tani është i detyruar të tërhiqet në territorin rus”, shkroi kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell në largim në rrjetin social X. Në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, ai konfirmoi , se BE-ja mbështet plotësisht luftën e popullit ukrainas kundër agresionit rus.

BE-ja nuk e ndryshon strategjinë e saj ndaj Ukrainës edhe pas ofensivës ukrainase të Kurskut. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thekson se Ukraina, në kuadrin e së drejtës së saj për vetëmbrojtje, lejohet të sulmojë armikun “kudo që e sheh të arsyeshme: si në territorin e saj ashtu edhe në atë të armikut”.

Kur ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të 27 vendeve të BE-së të shprehin pikëpamjet e tyre në takimin e tyre jozyrtar në fund të gushtit, mund të shfaqen mosmarrëveshje rreth pozicionit të BE-së për kundërsulmin e Ukrainës, por aty nuk priten vendime. Ekspertja, Amanda Paul thotë, se reagimet aktuale në Bruksel e bëjnë të qartë se ata janë të vetëdijshëm se Rusia po përdor rajonet e Kurskut dhe Belgorodit për të nisur sulmet ndaj Ukrainës, duke përfshirë infrastrukturën civile.

Ofensiva si vetëmbrojtje

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, që nga fillimi i verës ka pasur rreth 2000 sulme me lloje të ndryshme armësh në rajonin ukrainas Sumy nga rajoni i Kurskut. Trupat ukrainase duan të ndërpresin linjat ruse të furnizimit dhe do të pushtojnë zonat nga të cilat Ukraina po sulmohej vazhdimisht, u shpreh Freudenstein. Pas sulmit në “Crocus City Hall” në Moskë në mars të këtij viti, Putin po përjeton për herë të dytë “një dështim të madh të sigurisë në sytë e shumë rusëve”.

Në aksionin në rajonin e Kurskut, forcat e armatosura ukrainase kanë përgjegjësi për të mbrojtur popullsinë civile, theksoi një zëdhënës i Komisionit të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë kur u pyet nga DW. Duhet të merren të gjitha masat e mundshme për të mbajtur sa më të ulët ndikimin e luftimeve te civilët. Brukseli kujton se Ukraina duhet të përmbushë detyrimet e saj të përgjithshme sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.

“Ne nuk kemi marrë asnjë informacion që do të tregonte ndryshe,” thuhet nga Komisioni i BE-së. Ai gjithashtu mirëpret urdhërin publik të Zelenskit për ndihmë humanitare për banorët e prekur nga veprimet e forcave ukrainase në territorin rus. Më 12 gusht, Zelensky urdhëroi ministrin e Brendshëm, anëtarët e tjerë të qeverisë dhe Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) të zhvillojnë një “plan humanitar” për zonën ku po zhvillohet operacioni.

Strategji të ndryshme lufte

Zelensky po ashtu e bëri të qartë se rusët tani mund të shohin vetë se si ndjehet lufta. “Ky është një element i rëndësishëm në fushatë, gjithashtu në sytë e popullatës ukrainase, jo vetëm të udhëheqjes politike,” thotë Roland Freudenstein. Sipas tij, Ukraina po përpiqet të shmangë viktimat civile. “Ajo po përpiqet të arrijë objektivat ushtarake, por sigurisht kjo shkakton dëme civile, është pothuajse e pashmangshme. Ajo që Ukraina vazhdon të mos bëjë është të hedhë raketa në qendrat tregtare. Rusia e ka bërë këtë në disa raste në një mënyrë të synuar. Edhe energjia, infrastruktura, e cila është me rëndësi për popullsinë civile nuk po preket. “Unë shoh dallime të mëdha në mënyrën se si zhvillohet lufta dhe në rëndësinë e shmangies së viktimave civile”, thotë Freudenstein.

Ekspertët argumentojnë për DW, se vendimi i Ukrainës për të pushtuar territorin rus ka kaluar “vijën e kuqe” më të madhe të mundshme që kishin vendosur partnerët perëndimorë nga frika e përshkallëzimit të luftës. Sipas ekspertes, Amanda Paul, reagimi mjaft i rezervuar i Moskës tregon se ato “vija të kuqe” janë të pakuptimta. “Të gjitha kufizimet që e pengojnë Ukrainën të kryejë sulme në shkallë të gjerë ndaj objektivave ushtarakë në Rusi duhet të hiqen, Ukraina duhet të marrë të gjitha armët e nevojshme për këtë. Është thelbësore që forcat e armatosura ukrainase të shkatërrojnë infrastrukturën dhe objekte të tjera ushtarake ruse që kontribuojnë në këtë luftë”, thekson Paul.

dw

Rusia pretendon se Ukraina përdori raketa perëndimore për të shkatërruar një urë në rajonin e Kurskut

UkrainaPamje të një ndërtese të dëmtuar gjatë luftimeve të fundit midis forcave ukrainase dhe ruse në Sudzha të rajonit Kursk në Rusi, 16 gusht 2024.

 

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se Ukraina kishte përdorur raketa perëndimore, me gjasë raketa HIMARS të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, për të shkatërruar një urë mbi lumin Seym në rajonin e Kurskut dhe duke vrarë vullnetarë që përpiqeshin të evakuonin civilët.

“Për herë të parë, rajoni i Kurskut u godit nga raketahedhës të prodhimit perëndimor, ndoshta HIMARS amerikanë”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse të premten vonë në aplikacionin e mesazheve Telegram.

“Si rezultat i sulmit, ura urën mbi lumin Seym në rrethin Glushkovo, u shkatërrua plotësisht dhe vullnetarët që po ndihmonin popullatën civile të evakuohej, u vranë”, shkroi ajo.

Ura thuhet se ishte një “fyt i ngushtë” logjistik, që përdorej për dërgimin e pajisjeve në vijën e parë të luftimeve.

Shefi i ushtrisë ukrainase Oleksandr Syrskyi tha të premten se forcat e Kievit po përparonin nga një deri në tre kilometra në disa zona në rajonin e Kurskut, 11 ditë pas fillimit të një operacioni në Rusi.

Kievi pretendon se ka marrë kontrollin e 82 vendbanimeve në një sipërfaqe prej 1,150 kilometrash katrorë në rajonin rus të Kurskut që nga 6 gushti.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e palëve për zhvillimet në fushën e betejës.

Rusia ka akuzuar Perëndimin për mbështetjen dhe inkurajimin e ofensivës së parë tokësore të Ukrainës në territorin rus dhe tha se “pushtimi terrorist” i Kievit nuk do të ndryshonte rrjedhën e luftës.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë thënë se nuk mund ta lejojnë presidentin rus Vladimir Putin ta fitojë luftën në Ukrainë, të cilën ai e filloi në shkurt të vitit 2022, deri tani e kanë paraqitur sulmin e befasishëm të Ukrainës si një veprim mbrojtës, që justifikon përdorimin e armatimeve të dërguara nga Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët në Uashington.

voa

Në gjysmën e parë të vitit 2024 bie me 75 për qind migrimi i parregullt përmes rrugëve të Ballkanit

migrimiAgjencia Kufitare e BE-së, FRONTEX tha përmes një raporti se në gjysmën e parë të vitit 2024 rënia më e madhe në kalimet e parregullta kufitare është vërejtur në rrugët e Ballkanit Perëndimor.

 

Sipas FRONTEX nga janari në korrik në këtë rrugë u evidentuan 12,407 kalime të migrantëve të parregullt drejt kufijve të vendeve europiane, të cilat përbëjnë një rënie me 75 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë, të një viti më parë.

Agjencia tha se shumica e migrantëve të kapur nga policitë kufitare në vendet e Ballkanit Perëndimor me synimin për të udhëtuar drejt vendeve europiane janë nga Siria, Turqia dhe Afganistani.

FRONTEX thotë se edhe numri i përgjithshëm i kalimeve të parregullta kufitare nga të gjtiha rrugët e migrimit drejt Bashkimit Evropian në shtatë muajt e parë të 2024 ra me 36 për qind (në 113,400) krahasur me të dhënat e një viti më parë.

Por në një analizë të publikuar më herët nga FRONTEX për zhvillimet mbi migracionin e parregullt për vitet 2024-2025, organizata policore europiane thotë se zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të nxisin migrimin në rajon.

“Presioni i vendit pritës për popullsitë emigrante afgane dhe siriane, rreziku i përshkallëzimit rajonal të konfliktit në Gaza dhe konfliktet dhe rëniet ekonomike në rajonet fqinje ka të ngjarë të jenë nxitësit kryesorë të migrimit në rajon” - thotë FRONTEX.

Sipas organizatës policore europiane kufijtë veriorë të rajonit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian do të mbeten pika kyçe. Përforcimi i kontrolleve të kufirit serbo-hungarez ka frenuar lëvizjet drejt Hungarisë që nga tetori 2023 dhe devijimet drejt pikës Bosnjë dhe Hercegovinë – Kroaci ose zona të tjera dalëse si ajo mes Serbisë dhe Kroacisë mund të shihen si rrugë nga kontrabandistët e migrantëve të parregullt.

Amaliza e FRONTEX thotë se ndërsa migrantët përpiqen të shmangin veriun e Serbisë, ata mund ta ndryshojnë rrugën drejt pikave mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ose Shqipërisë e Malit të Zi.

Kontrabandistët mund të përpiqen të përfitojnë duke ofruar shërbimet e tyre në forma të ndryshme: nga udhëzimi për të kaluar grupet e migrantëve në brezine kufirt të gjelbër, tek kalimet e fshehta në pikat e kalimit kufitar sigurimi i dokumente të rreme të udhëtimit për transportin e mëtejshëm.

“Flukset e migracionit dhe kontrabanda e armëve do të sfidojnë menaxhimin e kufirit në rajon dhe kontrollet e përforcuara kufitare janë mënyra më e mirë për të parandaluar çdo skenar më të ashpër si flukse masive të papritura drejt Bashkimit Europian”, thotë FRONTEX në analizën për zhvillimet e pritshme në vitet 2024-2025.

voa

Disa video dëmtojnë shëndetin mendor, ekspertët: Ja çfarë duhet të shmangni në TikTok

tiktokStudimi i ri ka zbuluar se shikimi i videove të TikTok për humbjen e peshës ekstreme mund të dëmtojë shëndetin tuaj mendor.

Shpenzimi i kohës në këtë rrjet social dhe veçanërisht shikimi i përmbajtjeve që promovojnë anoreksinë, dëmton vetëbesimin e femrave të reja dhe rrit rrezikun e çrregullimeve të të ngrënit, sipas një studimi nga Universiteti Charles Sturt në Australi.

“Kërkimi ynë tregoi se më pak se 10 minuta ekspozim ndaj përmbajtjes së TikTok që promovon anoreksi kishte pasoja negative të menjëhershme në krijimin e një imazhi ideal të trupit”, thanë autorët e studimit.

Ata shtuan se një ndikim negativ psikologjik mund të ndodhë edhe kur përdoruesit femra nuk kërkojnë domosdoshmërisht këtë lloj përmbajtjeje dhe e përdorin këtë rrjet social për një kohë të shkurtër.

Për të luftuar këtë problem, autorët e studimit rekomandojnë kontrolle dhe rregullore më të rrepta në lidhje me promovimin e anoreksisë, çrregullimeve të të ngrënit dhe përmbajtjes TikTok që promovon trupin “ideal”.

“Aktualisht po ndërmerren hapa për të hequr përmbajtjen e rrezikshme, duke përfshirë bllokimin e hashtag-eve të tilla si #anorexia. Megjithatë, ka mënyra të ndryshme në të cilat përdoruesit i anashkalojnë këto kontrolle dhe nevojitet rregullim i mëtejshëm”, theksuan autorët e studimit.

Top Channel

SHBA: Rusia ka tërhequr disa njësi këmbësorie nga Ukraina lindore pas inkursionit ukrainas në Kursk

TankuZëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha të enjten se Rusia kishte tërhequr një pjesë të trupave, duke përfshirë njësi të këmbësorisë, nga Ukraina dhe po i zhvendoste ato në Kursk, por se Shtetet e Bashkuara nuk e dinin saktësisht se sa ushtarë rusë kanë lëvizur nga Ukraina lindore.
Megjithatë, një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se nuk duket se Rusia ka lëvizur një numër të mjaftueshëm batalionesh të blinduara ose lloje të tjera të fuqisë luftarake nga vija e frontit në Ukrainë në drejtim të Kurskit dhe se Moskës do t’i duhet të zhvendosë më shumë trupa për të zmbrapsur forcat e Kievit atje.

Më parë të enjten, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se trupat e vendit të tij kishin marrë kontrollin e plotë të Sudzhës, qyteti më i madh rus që bie në duart e forcave të Ukrainës që nga fillimi i inkursionit të tyre ndërkufitar më shumë se një jave më parë.

Megjithëse kishte një popullsi të paraluftës prej vetëm rreth 5,000 banorësh, Sudzha është qendra administrative për zonën kufitare të rajonit të Kurskut në Rusi dhe është më i madh se çdo qytet apo vendbanim tjetër që Ukraina thotë se ka marrë në kontroll që nga fillimi i inkursionit më 6 gusht.

Zoti Zelenskyy tha se Ukraina po krijonte një zyrë komanduese ushtarake në Sudzha, gjë që sugjeron se Ukraina mund të planifikojë të qëndrojë në rajonin e Kurskut për një kohë të gjatë, ose thjesht të sinjalizojë Moskën se mund ta bëjë këtë. Ai nuk shtjelloi se cilat funksione mund të kryente kjo zyrë, megjithëse tha në fillim të kësaj jave se Ukraina do të shpërndante ndihma humanitare për banorët e Sudzhës.

Rusia nuk iu përgjigj menjëherë pretendimeve të zotit Zelenski, por ministria e saj e mbrojtjes tha më herët të enjten se forcat ruse kishin bllokuar përpjekjet e Ukrainës për të pushtuar disa vendbanime të tjera.

Inkursioni i papritur ukrainas ka ndryshuar rrjedhën e luftsn dhe ka shkaktuar kaos në rajonin e Kurskut, duke çuar në evakuimin e më shumë se 120,000 civilëve, sipas autoriteteve ruse, dhe kapjen e të paktën 100 trupave ruse, sipas Kievit.

Zoti Zelenski ka thënë se një nga arsyet e inkursionit është mbrojtja e rajoneve fqinje të Ukrainës. “Sa më shumë të shkatërrohet prania ushtarake ruse në rajonet kufitare, aq më e afërt do të jetë paqja dhe siguria reale për shtetin tonë. Shteti rus duhet të jetë përgjegjës për atë që ka bërë”, tha ai të martën.

Rusia është përballur me sulme të mëparshme në territorin e saj gjatë luftës, por inkursioni në Kursk është dukshëm më i madh, më i shpejt dhe në të janë përfshirë brigada të ushtrisë ukrainase me përvojë lufte, që po qëndrojnë brenda Rusisë për një kohë më të gjatë. Rreth 10,000 trupa ukrainase janë të përfshirë në këtë operacione, sipas analistëve ushtarakë perëndimorë.

Inkursioni shënon gjithashtu herën e parë që trupat e huaja kanë pushtuar dhe mbajtur territorin rus që nga nga Lufta e Dytë Botërore, kur Gjermania naziste pushtoi pjesë të mëdha të Rusisë.

Megjithëse blogerët ushtarakë rusë raportuan se rezervistët rusë të dërguar në rajonin e Kurskut kishin ngadalësuar përparimin e Ukrainës, vazhdojnë të ngrihen pyetje nëse inkursioni mund ta detyrojë Moskën të lëvizë trupat nga pozicionet në Ukrainën lindore tek ato në Kursk. Ushtria ruse ka bërë përparime të ngadalta por të qëndrueshme në Ukrainën lindore këtë vit.

Ndërsa Kievi po trumbetonte arritjet e tij në Kursk të enjten, zyrtarët në qytetin lindor ukrainas të Pokrovskit, i cili kishte një popullsi prej rreth 60,000 banorësh para luftës, paralajmëruan civilët që të evakuoheshin përpara se trupat ruse të afroheshin me shpejtësi në një distance prej rreth 10 kilometra nga qyteti. Nëse trupat ruse pushtojnë Pokrovskin, ku ata janë përpjekur të thyejnë mbrojtjen e Ukrainës për javë të tëra, ato do të avanconin më tej drejt qëllimit të tyre për të marrë në kontroll të gjithë rajonin ukrainas të Donetskut.

voa

Intensifikohen përpjekjet diplomatike për marrëveshje armëpushimi në Lindjen e Mesme

GazaPërpjekjet diplomatike ndërkombëtare për të parandaluar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme u intensifikuan të premten, ndërsa ministrat e jashtëm britanik dhe francez bënë një vizitë të përbashkët në Izrael. Bisedimet e armëpushimit në Katar hynë në ditën e dytë.
Përpjekja e re për të arritur një marrëveshje, vjen ndërsa numri i të vdekurve palestinezë nga lufta arriti në 40,000, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës dhe vazhdojnë shqetësimet për një sulm të mundshëm nga Irani dhe Hezbollahu ndaj Izraelit, si hakmarrje për vrasjet e udhëheqësve të lartë të Hamasit dhe Hezollahut.

“Është një moment i rrezikshëm për Lindjen e Mesme”, tha Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy. “Rreziku që situata të dalë jashtë kontrollit po rritet. Çdo sulm iranian do të kishte pasoja shkatërruese për rajonin.”

Zoti Lammy dhe ministri i jashtëm francez Stéphane Séjourné pritet të mbajnë një takim të përbashkët me ministrin e Jashtëm izraelit Israel Katz dhe ministrin e Çështjeve Strategjike Ron Dermer.

“Asnjëherë nuk është vonë për paqen”, tha zoti Séjourné. “Duhet me çdo kusht të shmangim një luftë rajonale, e cila do të kishte pasoja të tmerrshme.”

Ndërmjetësit ndërkombëtarë besojnë se shpresa më e mirë për qetësimin e tensioneve do të ishte një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për të ndalur luftimet dhe për të siguruar lirimin e pengjeve izraelitë.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti filluan një raund të ri bisedimesh të enjten dhe mbajtën bisedime me delegacionin izraelit në Katar. Hamasi, i cili nuk mori pjesë drejtpërdrejt në bisedimet e së enjtes, akuzon Izraelin se ka shtuar kërkesa të reja tek një propozim i mëparshëm që kishte marrë mbështetjen amerikane dhe ndërkombëtare dhe për të cilin Hamasi kishte rënë dakord në parim. Izraeli nga ana e tij akuzon Hamasin se ka shtuar kërkesa të reja.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby i quajti bisedimet një hap të rëndësishëm. Ai tha se mbetet shumë punë përpara duke pasur parasysh kompleksitetin e marrëveshjes dhe se negociatorët po i përqendrojnë përpjekjet tek mënyra sesi do të zbatohet ajo.

Diplomatët shpresojnë se një marrëveshje armëpushimi do të bindte Iranin dhe Hezbollahun e Libanit që të tërhiqen nga synimi për t’u hakmarrë për vrasjen e një komandanti të lartë të Hezbollahut në një sulm ajror izraelit në Bejrut dhe udhëheqësit të lartë politik të Hamasit në një shpërthim në Teheran, për të cilin Izraeli konsiderohet gjerësisht përgjegjës.

voa

E qeshura e Kamala Harris si arma e saj sekrete

KamalaE qeshura me zë të lartë dhe ngrohtësia e shoqërojnë fushatën zgjedhore të kandidates demokrate për presidente në SHBA, Kamala Harris. Kundërshtarët e marrin këtë si shkas për ta sulmuar. Por Harris përballet. Me humor.

 

Ajo ka të qeshurën e një të çmendure. Donald Trump nuk lodhet së denigruari rivalen e tij, kandidaten e demokratëve për presidente, Kamala Harris, zëvendëspresidentja aktuale e SHBA. Ai tallet me të, si grua, si person me ngjyrë. Ndjekësit e tij në internet bashkohen, duke përhapur meme ofenduese dhe video të rreme. Por Harris dhe ekipi i saj i fushatës i përballojnë këto sulme duke i mbajtur pasqyrën ekipit të Trump. Shumë ndjekës në internet po merren me këtë rast, – veçanërisht në TikTok. Kanalet që më parë merreshin me personazhe të famshëm të showbizit e portretizojnë Kamala Harris si një ikonë të popit.

Në fokus është e qeshura e Kamal Harris, që qesh edhe për veten, që i le të kalojnë fushatat e sulmeve pa u trembur dhe sipas rastit edhe kundërsulmon. Kështu së fundmi ajo tha, se i njeh si prokurore shkelësit e ligjit të të gjitha llojeve. “Kriminelë që keqtrajtojnë gratë, mashtrues, gënjeshtarë, që i përdorin rregullat për favoret e tyre. Më besoni unë i njoh tipa si Donald Trump.”

Humori si çlirim

Ajo e nervozon vërtet Trump kur e quan “weird” – “të çuditshëm”, qesharak -dhe pastaj i kthehet seriozitetit të temave të fushatës zgjedhore. Me këtë taktikë ajo së bashku me Tim Walz, kandidatin për zëvendëspresident, jo me më pak humor po fiton pikë, thotë studiuesja e humorit,  Eva Ullmann: “Fushata zgjedhore në SHBA nuk ka të bëjë sigurisht vetëm me humorin. Dyshja Harris-Walz ka një linjë të qartë politike, mund të afirmohet dhe ka një status të lartë. Ata nuk janë kabaretistë, as nuk duan të shfaqen si të tillë, por humori i tyre ka diçka shumë të ngrohtë, me këmbë në tokë, diçka tërheqëse, dhe kjo është shumë çarmatosëse.”

Ullmann thotë, se avantazhi i madh që të dy kanë ndaj Trumpit kur bëhet fjalë për humorin është “fakti që ata nuk shfaqen aspak të parespektueshëm. Pikërisht kjo duket se po i po i kthehet Trumpit dhe rrethit të tij si bumerang, sepse shoqëria thotë : ‘Jo, nuk kemi më nerva për këtë denigrim të vazhdueshëm, për nënçmim, urrejtje, jemi ngopur me këto, nuk e duam më këtë formë humori.”

Humori nuk është humbje e pushtetit

Eva Ullmann, autore e librit “Humori është çështje e shefit”, është e bindur se kultura e humorit dhe e qeshura po ndryshon. “Humori në pozitat e pushtetit ka qenë prej kohësh i lidhur me një formë agresive humori si ajo formë që praktikon Trump. Por kjo nuk mjafton për të menaxhuar mirë punonjësit. Vetëdija se ka edhe humor që mund t’i bëjë të tjerët të duken mirë, që nuk i turpëron të tjerët, ky është në fakt një zhvillim i ri në postet e larta. Frika më e madhe për humor mes njerëzve në pozita pushteti është se mos nuk merren seriozisht, se bëhen qesharakë dhe shihen si kllounë.

Frika nga e qeshura është arkaike

Kjo frikë është e rrënjosur thellë në historinë njerëzore. Studiuesit e sjelljes njerëzore janë të bindur se e qeshura ka qenë në fillesë të komunikimit njerëzor – njerëzit parahistorikë kanë qeshur para se të mund të flisnin. Psikologu dhe studiuesi i së qeshurës, Michael Titze shpjegon se si, rreth 400.000 vjet më parë një e qeshur me shaka mund të kthehej gjithashtu në një kërcënim: “E qeshura jepte një ndjenjë afërsie, lidhjeje dhe të qenurit mirë brenda grupit. Por sapo përballeshin dy klane, për shembull për shkak të grindjes për zona gjuetie, e qeshura e të tjerëve mund të nënkuptonte gjithashtu: jemi mundur, ata po dominojnë dhe po na përqeshin”. Frika nga të bërit qesharak është diçka shumë arkaike – dhe çdo politikan sot ka frikë prej saj”.

Platon pa humor

E qeshura ka qenë e politizuar që në kohët antike. Filozofi grek Platoni, për shembull nuk ishte përkrahës u humorit, ai ishte i mendimit se e qeshura ishte e rrezikshme për shtetin. Sipas tij kushdo që i jepet kënaqësisë së të qeshurës nuk është më në gjendje të mendojë racionalisht dhe humbet fuqinë. Nga ana tjetër, nxënësit të tij Aristotelit i pëlqente të qeshte dhe ishte i mendimit se e qeshura i dallon njerëzit nga kafshët. Ndoshta historia botërore do të kishte qenë ndryshe, nëse Aristoteli do të ishte ndjekur si model. Por jo, kur erdhi krishtërimi, bashkë me të erdhi edhe një fe në të cilën gëzimi dhe e qeshura nuk shiheshin me sy të mirë për një kohë të gjatë.

E qeshura në rajone të ndryshme të botës

Kjo ka ndryshuar gjatë shekujve e deri më sot, por frika shekullore e humbjes së pushtetit përmes lëshimit tek e qeshura – ekspertët e quajnë këtë frikë nga të përqeshurit si “gelotofobi” – është ende në mendjet e shumë njerëzve – në disa rajone të botës edhe më shumë se në vendet perëndimore. Në vitin 2009, një studim shumëkombësh në 73 vende i kryer nga Universiteti i Cyrihut zbuloi se në kultura të caktuara si në Lindjen e Mesme apo Azi, ku i kushtohet  theksi i veçantë nderit dhe ruajtjes së fytyrës, e qeshura mund të perceptohet shumë ndryshe. “Të përqeshësh apo të tallesh mund të çojë në reagime të pabesueshme, madje mund të shkaktojë luftëra”, thotë Michael Titze. “Kjo është arsyeja pse e qeshura në vetvete është shumë ambivalente”.

Humori është gjenetik

Po të kthehemi tek Kamala Harris: Sipas ekspertit Titze, ajo thjesht mund të qeshë me anët negative të të qeshurave të të tjerëve: “Ajo kritikohet dhe më pas fillon të qeshë me gjithë zemër, ashtu që të dobësojë kundërshtarët e saj”. Natyra gazmore e Kamala Harris është gjithashtu një lloj komunikimi. “Sipas motos: “Shiko si veproj unë dhe nëse dëshiron, eja bashkë me mua dhe pjesën tjetër e bëjmë bashkë”.

Kur dikush – si Harris – qesh me zë të lartë, truri lëshon neurotransmetues që përcjellin një ndjenjë të mirë. Jo më kot thuhet: “E qeshura është ilaçi më i mirë”. Njerëzit e lumtur janë tërheqës. Megjithatë, studiuesi i të qeshurit Michael Titze e bën të qartë se e qeshura është gjenetike: “Nuk mund të mësosh humorin, nuk mund ta luash ose ta detyrosh, sepse atëherë duket e sforcuar. Potenciali individual i zhvillimit të humorit është i lindur.”

dw