Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Vulin i sanksionuar nga SHBA, siguron Moskën se Serbia nuk do t’u bashkohet sanksioneve kundër saj

VulinZëvendëskryeministri pro rus i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha të mërkurën në Moskë se vendi i tij “nuk është pjesë e histerisë antiruse”, duke i siguruar zyrtarët e lartë të Rusisë se Beogradi nuk do të bëhet pjesë e sanksioneve kundër Kremlinit.

 

Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov.

Në një njoftim të qeverisë serbe thuhet se të dy zyrtarët u pajtuan se bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është shumë i mirë dhe se po zhvillohet në të gjitha nivelet, para së gjithash falë marrëdhënieve miqësore dhe të përzemërta mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe atij rus Vladimir Putin.

Vulin përsëriti se është krenar që Serbia nuk është pjesë e histerisë anti-ruse dhe se nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit për pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës.

Në njoftim e qeverisë serbe thuhet se zv/kryeministri Vulin “i shprehu mirënjohjen e tij Rusisë dhe ministrit Lavrov për qëndrimin e tyre parimor për tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbështetjen e tyre vetëmohuese në luftën e popullit serb kundër rezolutës për Srebrenicën”.

Vizita e zëvendëskryeministrit serb Vulin në Rusi është e dyta që kur ai u emërua në këtë post në pranverën e këtij viti.

Ai u emërua në qeverinë e Serbisë disa muaj pasi në nëntor të vitit 2023 dha dorëheqje nga posti i shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit, pasi që në korrik të atij viti sanksionua nga Shtetet e Bashkuara, për përfshirje në veprimtari korruptive dhe destabilizuese që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, për ndihmë Moskës në veprimtaritë keqdashëse dhe për lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet të trafikut të drogës.

Rikthimi i tij në post qeveritar ku kishte shërbyer edhe më parë si ministër e Brendshëm e ministër i Mbrojtjes, nxiti “zhgënjimin” e Shteteve të Bashkuara, ndërsa opozita serbe tha se me përfshirjen e tij në qeverinë e re “Serbia zyrtarisht nuk është më në rrugën evropiane”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç prej vitesh pretendon se ndjek një politikë “neutrale”, duke balancuar lidhjet mes Moskës, Pekinit, Brukselit dhe Uashingtonit.

Zëvendëskryeministri i tij Vulin ka diskutuar me zyrtarët në Moskë për forcimin e bashkëpunimit strategjik si dhe “modelet dhe mekanizmat për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe organizatës BRICS”, një bashkim ekonomik i vendeve si Rusia dhe Kina, së bashku me vende të tjera nga Azia, Afrika dhe Amerika Jugore.

voa

Berlini dënon “provokimin” e Ben-Gvir-it në Al-Aksa

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir viziton kompleksin Al-AksaQeveria gjermane e ka akuzuar ministrin izraelit Itamar Ben-Gvir se “luan me zjarrin”, pasi ai udhëhoqi qindra hebrenj izraelitë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa.

 

Gjermania iu bashkua një kori të mosmiratimeve ndërkombëtare për veprimet e ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, pasi ai udhëhoqi qindra ultra-nacionalistë fetarë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa.

Kompleksi është vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe më i shenjti në Judaizëm, pasi aty u ngritën dy tempuj hebrenj.

Ben-Gviri, i cili e kishte vizituar këtë vend edhe në të kaluarën, ka kritikuar më parë marrëveshjen me autoritetet myslimane që e administrojnë atë si “raciste” dhe anti-hebreje. Në mënyrë tipike, hebrenjtë dhe jomyslimanët e tjerë lejohen të vizitojnë vendin vetëm në kohë të caktuara dhe pa shfaqur simbole fetare apo duke u lutur atje.

Palestinezët druhen se Izraeli, përgjegjës për sigurinë e vendit të shenjtë, planifikon të zgjerojë kontrollin e tij atje.

Gjatë vizitës së tij të martën në vendin, të cilit hebrenjtë i referohen si Mali i Tempullit, Ben-Gvir kishte kërkuar që hebrenjtë të lejoheshin të luteshin atje. I shoqëruar nga qindra hebrenj, kryesisht fetarë dhe ultranacionalistë, Ben-Gvir u shpreh sërish kundër negociatave me Hamasin për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur ende në territorin palestinez.

Cila ishte përgjigja?

Vizita e politikanit të ekstremit të djathtë – në mes të luftës 10 mujore të Izraelit kundër Hamasit – solli dënime të ashpra jo vetëm nga vendet me shumicë myslimane, por edhe nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

Gjermania deklaroi se veprimet e Ben-Gvir-it përfaqësojnë një provokim në një situatë tashmë të tensionuar.

 

 

“Ne shpresojmë që qeveria izraelite do t’i japë fund këtij lloji të provokimeve të qëllimshme. “Sidomos në situatën aktuale, loja me zjarrin është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe më tej rrezikon sigurinë në Jeruzalem, Bregun Perëndimor dhe Izrael”, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane në një konferencë shtypi të mërkurën.

Kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkroi në platformën X se BE “dënon me forcë provokimet”.

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Francës ka nxjerr një deklaratë, me fjalët: “Ky provokim i ri është i papranueshëm”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Ben Gvir tregoi “mospërfillje të hapur” për status quo-në në vend.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik, një grup ombrellë për vendet me shumicë myslimane, tha se incidenti ishte një “provokim ndaj ndjenjave të muslimanëve në mbarë botën”.

Trajtimi i Izraelit ndaj të burgosurve palestinezë nën vëzhgim

“Sulmi ndaj xhamisë Al Aksa nga qindra izraelitë radikalë, përfshirë ministra, nën mbrojtjen e policisë është një provokim që cenon statusin historik të Jeruzalemit dhe do të rrisë më tej tensionin në rajonin tonë”, deklaroi Ministria e Jashtme turke.

Farhan Haq, zëvendëszëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, tha se OKB-ja kundërshton “çdo përpjekje për të ndryshuar status quo-në brenda vendeve të shenjta”.

“Kjo lloj sjelljeje është e padobishme dhe provokuese e tepërt,” shtoi ai.

aud (rc/AFP, AP, dpa, Reuters)

 

OBSH, lia e majmunit emergjencë globale e shëndetit publik

LiaPër herë të dytë në dy vjet, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka deklaruar linë e majmunit emergjencë globale të shëndetit publik. Vendimi i së mërkurës vjen pas një shpërthimi të infeksionit viral në Republikën Demokratike të Kongos që është përhapur në vendet fqinje.

 

Një komision për emergjencat u takua herët të mërkurën për të këshilluar Drejtorin e Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghenreyesus, nëse përhapja e sëmundjes përbën një “emergjencë të shëndetit publik në shkallë botërore”.

Kjo emergjencë përbën nivelin më të lartë të alarmit të OBSH-së dhe synon të përshpejtojë hulumtimet, burimet financiare dhe masat e shëndetit publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për të frenuar një sëmundje.

“Është e qartë se një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare është thelbësore për të ndaluar përhapjen dhe për të shpëtuar jetë”, tha zoti Tedros.

Lia e majmunit mund të përhapet përmes kontaktit. Zakonisht një sëmundje e lehtë, në disa raste mund të jetë vdekjeprurëse. Lia e majmunit shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe puçrra në trup të mbushura me qelb. Një variant i ri i lisë duket se përhapet më lehtë nëpërmjet kontaktit të ngushtë, përfshirë marrëdhëniet intime. Lia e majmunit është përhapur nga Kongo në vendet fqinje, përfshirë Burundin, Kenian, Ruandën dhe Ugandën.

“Zbulimi dhe përhapja e shpejtë e një varianti të ri të lisë së majmunit në Kongo, zbulimi në vendet fqinje që nuk kishin raportuar më parë raste dhe mundësia e përhapjes së mëtejshme brenda Afrikës dhe më gjerë, është shumë shqetësuese”, tha zoti Tedros.

Ai tha të mërkurën se OBSH-ja kishte autorizuar 1.5 milionë dollarë fonde emergjente dhe planifikon të autorizojë më shumë në ditët në vijim.

Në fillim të kësaj jave, organi më i lartë i shëndetit publik i Afrikës e shpalli linë e majmunit emergjencë për kontinentin, pasi paralajmëroi se infeksioni viral po përhapej në një shkallë alarmante, me më shumë se 17,000 raste të dyshuara dhe më shumë se 500 vdekje këtë vit, kryesisht midis fëmijëve në Kongo.

voa

Ukraina godet Rusinë me dronë dhe thotë se po përparon më thellë në territorin rus

UkrainaUkraina goditi rajonet ruse me raketa dhe dronë të mërkurën, ndërsa Kievi tha se po përparonte më thellë në në operacionin më të madh të huaj në Rusi për disa dekada, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se paraqet një “dilemë të vërtetë” për presidentin rus Vladimir Putin.

Mijëra trupa ukrainase kaluan kufirin rus në orët e para të 6 gushtit në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë, në atë që presidenti Putin tha se ishte një provokim i madh që kishte për qëllim të siguronte një pozicion më të fortë në bisedimet e mundshme të armëpushimit në të ardhmen.

Në një zhvillim të sikletshëm për Rusinë, Ukraina zuri një pjesë të Kurskut dhe megjithëse presidenti Putin tha se ushtria ruse do t’i zmbrapste forcat ukrainase, betejat intensive deri më tani nuk kanë arritur t’i dëbojnë ato.

“Situata mbetet ende e vështirë”, tha Yuri Podolyaka, një bloger ushtarak pro-rus me origjinë ukrainase. “Armiku e ka ende iniciativën dhe kështu, megjithëse ngadalë, po rrit praninë e tij në rajonin e Kurskut”.

Rusia tha të mërkurën se kishte shkatërruar 117 dronë ukrainas gjatë natës, kryesisht në rajonet Kursk, Voronezh, Belgorod dhe Nizhny Novgorod. Ajo tha se kishte rrëzyar edhe raketa dhe publikoi pamje të bombarduesit Sukhoi Su-34 duke goditur pozicionet ukrainase në Kursk.

Raporte të pakonfirmuara thanë se disa nga dronët ukrainas goditën bazat ajrore ruse. Garda Kombëtare e Rusisë tha se po forconte sigurinë në termocentralin bërthamor të Kurskut, i cili është vetëm 35 km larg nga zona e luftimeve.

Komandantët rusë kishin thënë se fronti në Kursk ishte stabilizuar, megjithëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat e tij po vazhdonin të përparonin atje dhe urdhëroi gjeneralët e tij të zhvillonin “hapat e ardhshëm thelbësorë” të operacionit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, tha se zyrtarët amerikanë ishin në kontakt të vazhdueshëm me Ukrainën lidhur me operacionin, për të cilën ai tha se kishte “krijuar një dilemë të vërtetë” për presidentin Putin, i cili dërgoi mijëra trupa në Ukrainë në vitin 2022.

Shtëpia e Bardhë tha se Ukraina nuk dha njoftim paraprak për operacionin e saj dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë përfshirje në të, megjithëse zyrtarët rusë kanë sugjeruar se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës duhet të kenë ditur për sulmin.

Një zyrtar amerikan tha se ndërhyrja në Kursk duket se kishte për qëllim të detyronte Rusinë të tërhiqte trupat nga Ukraina, për të mbrojtur territorin rus kundër sulmit ndërkufitar.

Sulmi ukrainas mbi Rusinë, më i madhi nga një forcë e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore, ka ndryshuar në mënyrë dramatike rrëfimin rreth luftës. Rusia kishte përparuar pas dështimit të kundërofensivës së Ukrainës në vitin 2023.

RUSIA NË POZICION MBROJTJEJE

Presidenti Putin tha të hënën se Ukraina “me ndihmën e padronëve të saj perëndimorë”, po synonte të përmirësonte pozicionin negociues të Kievit përpara bisedimeve të mundshme të paqes dhe të ngadalësonte përparimin e forcave ruse.

Zyrtarët rusë thonë se Ukraina po përpiqet t’u dëshmojë mbështetësve të saj perëndimorë se ende mund të kryejë operacione të mëdha ushtarake, ndërsa rritet trysnia si mbi Kievin ashtu edhe mbi Moskën për të rënë dakord për të biseduar për përfundimin e luftës.

Duke sjellë luftën në Rusi, Ukraina ka detyruar gati 200,000 rusë të evakuohen nga rajonet kufitare pranë vendit të betejës së Kurskut të Luftës së Dytë Botërore, ku në vitin 1943 Ushtria e Kuqe mundi forcat naziste, në një nga fushëbetejat më të mëdha në botë.

Guvernatori i rajonit kufitar rus të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë rajonin të mërkurën, për shkak të sic tha, sulmeve të vazhdueshme nga forcat ukrainase.

“Situata në rajonin e Belgorodit vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë dhe e tensionuar”, tha ai në një video të postuar në aplikacionin e mesazheve, Telegram.

Bombardimet e përditshme nga forcat e armatosura ukrainase kanë shkatërruar shtëpi, duke vrarë dhe plagosur civilë, shtoi ai.

Operacioni sjell rreziqe për Kievin. Ukraina mund të lërë të pambrojtura pjesë të tjera të frontit duke dërguar forcat për të luftuar në territorin sovran rus. Rusia kontrollon 18 për qind të territorit ukrainas dhe ka përparuar muajt e fundit.

Ukraina pretendon se kontrollon të paktën 1,000 km katrorë të Rusisë, më shumë se dyfishi i asaj që tregojnë shifrat e Moskës. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të vërtetonte në mënyrë të pavarur situatën në fushën e betejës.

Ukraina tha të martën se nuk ka interes që ta mbajë për një kohë të gjatë territorin që ka arritur ta vërë nën kontroll, por se ndërkohë, mund të vështirësojë përpjekjet e Moskës për të çuar më përpara trupat e saj në vijën e frontit, në lindje të Ukrainës.

voa

Çfarë planifikon Ukraina me operacionin në territorin rus?

KurskPër herë të parë që nga pushtimi rus, Ukraina përdori trupat e saj për të marrë territore ruse. Ekspertët perëndimorë shohin në operacionin e Kurskut shenja të një strategjie të re, por edhe rreziqe.

Ukraina këto ditë me gjasë ndërmori një “hap të parë” drejt ndryshimit të strategjisë ushtarake në mbrojtjen kundër pushtimit rus. Kështu shprehet Jen Spindel, profesoreshë në Universitetin amerikan të New Hampshire mbi zhvillimet e ditëve të fundit në rajonin e Kurskut në Rusinë perëndimore. “Ukraina nuk mund ta vazhdojë këtë luftë siç ka bërë gjatë dy viteve të fundit. Vendi thjesht nuk ka personel dhe armë të mjaftueshme për ta bërë këtë”, tha ekspertja e politikës së jashtme dhe të sigurisë në intervistë për DW.

Ky do të ishte ai ndryshim strategjie, për të cilin Spindel kishte folur që në maj së bashku me kolegët në revistën amerikane Foreign Affairs – “drejt një lufte rraskapitëse në vend të një lufte mes të barabartësh”. Lufta në Ukrainë duhet të bëhet më “asimetrike”. Kjo do të thotë që ushtria ukrainase të mos përballet drejtpërdrejt me ushtrinë ruse – e cila është superiore në shumë aspekte – në fushë të hapur, por të përdorë taktika që janë më të përshtatshme për përmasat e trupave dhe armatimin e ushtrisë ukrainase. Kjo është pikërisht ajo që duket se po ndodh në Kursk. “Ukraina tregoi se territori rus nuk është më i paprekshëm dhe se Ukraina po e sulmon atë për të larguar vëmendjen e forcave ruse nga bombardimi dhe shkatërrimi i Ukrainës”, tha Spindel.

Pse Ukraina sulmoi Kursk?

Një javë pas sulmit të ushtrisë ukrainase drejt territorit rus, Kievi nuk shprehet ende shumë hapur. Presidenti Volodymyr Zelenski deri më tani ka folur vetëm për “zhvendosjen e luftës në territorin e agresorit”. Një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas i tha AFP gjatë fundjavës se “mijëra” ushtarë ukrainas ishin të përfshirë në këtë plan. Qëllimi është që të “shpërhapen” forcat ruse dhe të “destabilizohet” situata. Këtë të hënë, Oleksandr Syrsky, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, foli për herë të parë për “operacionin ofensiv në rajonin e Kurskut”. Ukraina kontrollon rreth 1000 kilometra katrorë të tokës ruse, tha gjenerali në një konferencë për gjendjen aktuale.

Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu i komentoi të hënën luftimet në Kursk: “Armiku po përpiqet të përmirësojë pozicionin e tij të ardhshëm negociues”, tha Putin. Por kjo strategji nuk do të ketë sukses. Sipas kreut të Kremlinit, qëllimi kryesor i Rusisë për momentin është zmbrapsja e forcave ukrainase.

Mediat ruse raportuan se forcat ukrainase hynë në rajonin e Kurskut më 6 gusht dhe përparuan shpejt të paktën 10 kilometra. Kurse disa media tani po raportojnë se ushtria ukrainase ka avancuar rreth 30 kilometra në territorin rus dhe se ka pushtuar fshatra të vegjël. Vija e përparme e frontit mbetet dinamike. Kurse Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se avancimi ukrainas është ndalur dhe se luftimet po zhvillohen në dy qarqe të vogla në kufi. Moska është veçanërisht e shqetësuar për termocentralin bërthamor Kursk, megjithëse sipas raportimeve ruse, luftimet janë ende të paktën 30 km larg termocentralit bërthamor. Ky është avancimi i parë i trupave zyrtare ukrainase në territorin rus në përmasa të tilla. Në vitin 2023 pati operacione të vogla në rajonin e Belgorodit nga formacione të opozitës ruse që luftonin në anën e Ukrainës.

Eksperti: “Mirë për moralin, pa rëndësi për luftën”

Marshimi ukrainas në Rusi është “rezultat i një planifikimi të kujdesshëm” nga pala ukrainase dhe një “dështim total i punës së zbulimit rus”, u shpreh për DW historiani ushtarak austriak, koloneli Markus Reisner. Ai i faturon Kievit “fitore të qartë në aspektin e informacionit”, sepse të gjithë tani shohin nga Kursku dhe jo nga Donbasi, ku ushtria ruse po përparon ngadalë pranë qyteteve si Chasiv Yar dhe Pokrovsk. Nëse Ukraina do të ishte në gjendje të mbante zonat në Kursk më gjatë, kjo do ta detyronte Rusinë të rigrupohej dhe do të reduktohej presionin në Donbas, thotë Reisner.

Kurse Gustav Gressel, ekspert i Berlinit në institutin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), është më skeptik për situatën në Kursk: “E mirë për moralin, e parëndësishme për luftën”, deklaroi Gressel në një analizë për DW në ditët e para të avancimit. “Nuk ka asnjë shenjë se Rusia po shkëput forcat nga lindja për të ndaluar përparimin ukrainas.”  Ndërkohë ka disa raporte të pakonfirmuara se Rusia ka zhvendosur disa trupa nga verilindja e Ukrainës në Kursk. Por Gressel thotë: “Nga një shtrirje e frontit në territorin rus do të përfitone në radhë të parë Rusia, pasi do të strapaconte më tej forcat e armatosura ukrainase.”

Por Ukraina mund të ndjekë edhe qëllime të tjera me përparimin drejt Kurskut, thonë ekspertët për DW. Për shembull – siç u shpreh edhe Putini – të fitojë një pozicion më të mirë negociues me Rusinë. Ose për të ngritur moralin e trupave ukrainase, të cilat “në një luftë rraskapitëse për një vit e gjysmë vetëm kanë mbrojtur pozicionet e tyre”  tha për DW gazetari gjerman dhe eksperti i Ukrainës, Winfried Schneider-Deters. “Është e mundur që udhëheqja ukrainase dëshiron t’i demonstrojë Rusisë, por mbi të gjitha Perëndimit, se Ukraina nuk është në fund të fuqive së saj,” tha Schneider-Deters dhe “se me furnizime të mëtejshme me armë perëndimore ajo ende ka mundësi ta fitojë këtë luftë.”

Çfarë thonë SHBA dhe partnerët e tjerë?

Uashingtoni, Berlini dhe qeveri të tjera perëndimore ia kishin ndaluar prej kohësh Ukrainën të përdorte armët e saj për të sulmuar territorin rus. Drita jeshile erdhi vetëm në maj 2024 pas ofensivës ruse pranë Kharkivit. Megjithatë, leja mbeti e kufizuar në zonën e drejtpërdrejtë kufitare. Por raketat si ATACMS nga SHBA edhe më tej mund të përdoren vetëm në territorin e pushtuar ukrainas. Deri më tani, SHBA ka reaguar e përmbajtur ndaj avancimit të Ukrainës në Rusi. Eksperti, Jen Spindel është i mendimit, se duhet të ketë pasur shumë telefonata të nivelit të lartë midis Kievit dhe Uashingtonit për të ulur përshkallëzimet.

Deri ku mund të përparojnë trupat ukrainase?

Jen Spindel nuk është i mendimit, se operacioni në Kursk po synon të arrijë Moskën. Askush nuk ka interes për këtë. Nga ana tjetër, sa më shumë të përparojë ushtria ukrainase, aq më i madh është rreziku që trupat e saj të shkëputen nga furnizimet. Për të arritur qëllimet e saj, Ukraina nuk ka nevojë të përparojë “shumë larg” në brendësi të Rusisë, thotë eksperti: “Mjafton që ajo të përparojë në zonat që shërbejnë si një zonë marshimi trupash dhe ku Rusia ruan armët e saj. “Nëse Rusia nuk jep një “përgjigje masive” në ditët në vijim, Ukraina mund të përpiqet të sulmojë objektiva të mëtejshëm në Rusi, thotë Spindel. Mbetet gjithashtu për t’u parë nëse Moska do ta shtyjë një “sulm të afërt nga veriu i Ukrainës”.

Por Ukraina gjithashtu duhet të dijë të ruajë ekuilibrin dhe të jetë e vëmendshme ndaj partnerëve të saj perëndimorë, tha Spindel. Deri më tani, Ukraina ka avancuar “mjaftueshëm për një operacion të qartë në Rusi”, por “jo aq mjaftueshëm për të shkaktuar shqetësime për një operacion shumë më të madh”. Në përgjithësi, Spindel nuk pret ndonjë ndryshim të madh në luftë si rezultat i përparimit ukrainas. Ekspertja është e mendimit, se do të ketë operacione të mëtejshme të këtij lloj, ku Ukraina do të mbështetet në elementin e befasisë. Qëllimi: “të çekuilibrohet Rusia”.

dw

Modeli rus në Bullgari – ligji kundër LGBTQ në shkolla

Parlamenti bullgarLigji i ri i stilit rus ndalon propagandën e supozuar LGBTQ në shkolla. Shumë bullgarë janë dakord me këtë ligj.Po si është gjendja në parlament?

 

OJQ-të dhe avokatët në Bullgari kanë paraqitur një peticion kundër ligjit të ri për shkollat që u miratua nga parlamenti bullgar javën e kaluar. Ata besojnë se ligji që ndalon përmbajtjen LGBTQ në shkolla është jokushtetues.

Drafti, i cili bazohet në ligje të ngjashme si në Hungari dhe Rusi, u dorëzua nga partia pro-ruse Vasrashdane (Ringjallja) dhe u miratua shpejt më 7 gusht 2024. 159 nga 240 anëtarë të parlamentit bullgar votuan. Midis tyre ishin deputetë nga Aleanca e qendrës së djathtë GERB-SDS, partia populiste ITN, socialistët dhe partia e myslimanëve bullgarë DPS. Aleanca liberal-konservatore PP-DB ishte e para që votoi kundër amendamentit.

 

Ofendime në Parlament

Amendamenti ndalon shpërndarjen e informacioneve për “orientimet seksuale jotradicionale” dhe identitetet që ndryshojnë nga seksi biologjik. Avokatët duan të sigurojnë që të mos ketë diskutime për çështjet e LGBTQ në shkolla. Kjo është propagandë, thonë ata. Fëmijët, thonë ata më tej, duhet të mbrohen nga homoseksualiteti i supozuar ose ndryshimi i gjinisë.

Kundër ligjit votuan 22 deputetë. Në mesin e tyre ishte edhe Javor Bozhankov nga partia liberale “Vazhdimi i ndryshimit” (PP). Në një intervistë për DW, ai flet për grindjet e vështira në parlamentin bullgar, të cilat çuan në sulme fizike dhe ofendime kundër LGBTQ-së, me brohoritjet “Pederast, Pederast!”, thotë ai.

 

A është ligji antikushtetues?

Kreu i partisë pro-ruse Vasrashdane, Kostadin Kostadinov, megjithatë përshëndeti amendamentin dhe inkurajoi partitë politike në vendet e tjera evropiane që t’i bashkohen Bullgarisë: “Gjatë dekadave të fundit, teza është përhapur gradualisht në BE, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, se nuk ka orientim seksual tradicional dhe jotradicional, ajo që ata kanë imponuar me dekada sapo është shembur në Bullgari”.

Megjithatë, shumë juristë besojnë se ligji shkel Kushtetutën bullgare, është shkruar gabimisht nga këndvështrimi ligjor dhe madje përmban pasazhe të kopjuara drejtpërdrejt nga Wikipedia. Vëzhguesi politik Daniel Smilov në një analizë për DW në gjuhën bullgare shkruan si më poshtë: “Ky ligj është një errësirë ​​e paarsimuar e maskuar si pushtet shtetëror. Është gjithashtu marrëzi politike me pasoja potencialisht të mëdha për Bullgarinë”.

Aktivistët bullgarë të të drejtave të njeriut protestuan gjithashtu kundër ligjit. Është jo vetëm e pakuptimtë, por edhe diskriminuese dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, thonë ata. Ata i bënë thirrje presidentit Rumen Radev që të vërë veton ndaj ligjit dhe të mos e nënshkruajë atë.

 

Qëndrimet e zgjedhësve

Por sipas sondazheve, shumica e votuesve në Bullgari besojnë se ndalime të tilla janë të sakta. Për këtë arsye, jo vetëm nacionalistët dhe përfaqësuesit pro-rusë votuan për ligjin, por edhe partitë që janë anëtare të Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe të familjes së partive liberale në Parlamentin Evropian. Në një intervistë për DW, Yavor Bozankov tha se duket se lideri i partisë më të madhe parlamentare GERB, kryeministri shumëvjeçar Bojko Borisov, po i kthen shpinën vlerave të Partisë Popullore Evropiane, familjes së së cilës i përket partia e tij. Ligji është homofobik. Është ligji i urrejtjes”, thotë ai. Sipas tij, Borisov është populist dhe po mendon për zgjedhjet e ardhshme.

Në një debat të ashpër mbi projektligjin, Borisov deklaroi: “Nëse euroatlantizmi do të thotë të më bësh grua, atëherë unë them: Unë nuk jam euroatlantik”.

 

A do të reagojë Brukseli?

Deputeti i Parlamentit Evropian Radan Kanev nga Partia Konservatore Demokratike Bullgare (DB), e cila së bashku me PP ishte e vetmja që votoi kundër ligjit në Parlamentin bullgar, ka shkruar në Facebook se po i kërkon Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe PPE për të dënuar ligjin anti-LGBTQ. Por Komisioni i BE-së hesht ende. Sipas vëzhguesve, kjo është për shkak se dy parti nga grupimet partiake që mbështetën mandatin e dytë të Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen votuan gjithashtu për ligjin.

Duke folur për DW, përfaqësuesi bullgar Bozhankov paralajmëron: “Lojërat Olimpike në Paris treguan se kanalet ruse të informacionit dhe propagandës po promovojnë intensivisht tezën e një Perëndimi të degjeneruar moralisht dhe përhapjen e homofobisë”. BE, thotë ai, duhet të ndërgjegjësohet për faktin se bullgarët janë veçanërisht të prekshëm ndaj propagandës ruse për arsye historike, kulturore dhe gjeografike.

 

Në rrugën drejt demokracisë joliberale?

Daniel Smilov ka frikë se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në tetor, në parlamentin bullgar mund të shfaqet një shumicë populiste, e cila do ta kthejë Bullgarinë në një “demokraci joliberale” të modeluar sipas Hungarisë dhe do ta shkëputë vendin nga BE dhe NATO.

Bozhankov ndan këtë pikëpamje: “Është e qartë pse këta njerëz e nxitën miratimin e një ligji të tillë. Dhe nëse ne nuk i kundërshtojmë, nesër ata do të miratojnë ligje jo vetëm për ‘seksualitetin tradicional’, por edhe për ngjyrën e lëkurës dhe kombësinë tradicionale. Kjo është rruga që Europa e njeh shumë mirë dhe e di se si përfundon”.

dw

Putin rithekson mbështetjen e Moskës për Palestinën: Duhet të themelohet një shtet palestinez

Putin - MohamudPresidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka ritheksuar mbështetjen e Moskës për një shtet palestinez gjatë një takimi me liderin e Autoritetit Palestinez, Mohamud Abbas, në Novo-Oraiovo, në afërsi të Moskës të martën.

 

Putini nënvizoi se Rusia është duke i vëzhguar nga afër zhvillimet në Rripin e Gazës.

“Ne mendojmë se për vendosjen e paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon duhet të zbatohen të gjitha vendimet e OKB-së, dhe mbi të gjitha, duhet të themelohet një shtet palestinez”, tha Putin në fillim të bisedimeve me Abbasin.

 

Abbasi e falënderoi Rusinë për mbështetjen e palestinezëve.

Autoriteti Palestinez, i formuar 30 vjet më parë sipas Marrëveshjes së Përkohshme të Paqes të Oslos, ka autoritet të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, por humbi pushtetin në Gazë në vitin 2007, pas luftimeve me Hamasin – grupin e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin dhe thotë se për arsye sigurie nuk do të pranojë sundimin e Autoritetit Palestinez mbi Gazë pas luftës, që shpërtheu pas një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë rreth 1.200 njerëz, sipas zyrtarëve izraelitë.

Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka lënë të vdekur rreth 40.000 palestinezë dhe më shumë se 91.700 të tjerë të plagosur, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë.

Më shumë se 1.9 milion e popullsisë së përgjithshme prej 2.3 milionë banorësh e Gazës së paraluftës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur vazhdimisht nëpër territorin e vogël për t’i ikur luftës.

Top Channel

Hyrja e trupave ukrainase në Rusi shkakton shqetësim për shkallëzim të luftës

UkrainaUkraina e zhvendosi luftën brenda Rusisë ditët e fundit dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi lëvizjet e ushtrisë së tij për ta “çuar luftën në territorin e agresorit” me sulmet në rajonin e Kurskut në Rusi.
Lufta nuk po ndodh më vetëm në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se trupat e tij hynë ditët e fundit në rajonin e Kurskut në perëndim të Rusisë. Arsyetimi i tij?

“Është e drejtë të shkatërrohen terroristët rusë aty ku janë, nga i nisin sulmet e tyre; aeroportet ushtarake ruse, logjistika ruse. Kjo mund të jetë e dobishme për afrimin e paqes. Rusia duhet të detyrohet të negociojë për paqe, nëse Putini do të vazhdojë të luftojë kaq ashpër”, tha ai.

Njëqind mijë civilë rusë u evakuuan dhe presidenti rus Vladimir Putin pretendoi se është rritur numri i të rekrutuarve.

“Duket se armiku po synon të përmirësojë pozicionin negociues në të ardhmen. Por për çfarë lloj negociatash mund të flasim me njerëz që kryejnë sulme pa dallim ndaj civilëve, ndaj infrastrukturës civile dhe përpiqen të rrezikojnë objekte të energjisë bërthamore?”, tha ai.

Si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe Departamenti i Shtetit lëshuan paralajmërime të rrepta për Moskën të hënën lidhur me përdorimin e municioneve iraniane.

“Ne jemi të përgatitur të japim një përgjigje të shpejtë dhe të ashpër nëse Irani dërgon raketa balistike, gjë që sipas mendimit tonë, do të përbënte një përshkallëzim dramatik në mbështetjen e Iranit për agresionin rus kundër Ukrainës. Zyrtarët iranianë gjithashtu vazhdojnë të mohojnë se i kanë dërguar dronë Rusisë kur provat janë të qarta”, tha zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u shpreh i rezervuar të hënën kur u pyet nëse Uashingtoni ishte i shqetësuar se Ukraina mund të përdorte armë të dërguara nga SHBA kundër Rusisë.

“Ne po vazhdojmë të flasim me homologët ukrainas për këto operacione. Do t’ia lë atyre të komentojnë për operacionet e tyre”, tha ai.

Analistët thonë se lëvizja e Ukrainës ishte e befasishme dhe se ka të ngjarë të jetë një taktikë për të sfiduar Moskën.

“Mendoj se ukrainasit donin ta zhvendosnin luftën në Rusi, për t’i dërguar popullit rus mesazhin se nuk është imun nga kjo luftë dhe do t’i ndjejë pasojat”, thotë Charles Kupchan i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Por të tjerë thonë se Presidenti Putin mund të përdorë lëvizjen e Ukrainës si një justifikim për të sulmuar ndonjë vend të NATO-s, në kufi me Rusinë.

“Ai (Presidenti Putin) tani ka prova se ukrainasit që janë të armatosur dhe – siç pretendon ai të trajnuar dhe të nxitur – nga Perëndimi, tani po sulmojnë vetë Rusinë. Kështu do t’ua shpjegojë rusëve, duke thënë se ai nuk ka bërë asgjë të gabuar. Mendoj se janë ditë mjaft të rrezikshme”, thotë Leon Aron i Institutit “American Enterprise”.

Diçka që banorët e Kurskut e kanë mësuar ditët e fundit.

voa

SHBA paralajmëron se Irani mund të sulmojë Izraelin brenda javës

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd AustinSekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin ka urdhëruar dërgimin e një nëndetëseje me raketa në Lindjen e Mesme, si edhe ka kërkuar që grupi luftarak i aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” të lundrojë më me shpejtësi drejt rajonit, pasi Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se besojnë se Irani ose grupet e mbështetura prej tij mund të kryejnë një sulm kundër Izraelit këtë javë.

 

Këto lëvizje vijnë ndërsa SHBA dhe aleatët e tjerë po bëjnë thirrje që Izraeli dhe Hamasi të arrijnë një marrëveshje armëpushimi që do të ndihmonte në zbutjen e tensioneve në rritje në rajon pas vrasjes së udhëheqësit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut në Bejrut.

John Kirby, zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se kundërpërgjigja e Iranit ndaj vrasjeve “mund të vijë këtë javë”, por se “është e vështirë të vlerësohet në këtë moment nëse Irani ndërmerr një sulm, se çfarë forme do të kishte ai”. Zoti Kirby tha se SHBA dhe aleatët e saj po marrin masa për “sulme serioze”.

“Presidenti është i bindur se ne kemi aftësitë e duhura për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit nëse do të jetë e nevojshme. Askush nuk do që situata të arrijë në atë pikë”, tha zoti Kirby.

Gjeneral Major Pat Ryder, zëdhënësi i Pentagonit, tha përmes një deklarate se Sekretari Austin foli me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant më herët gjatë ditës dhe përsëriti angazhimin e Amerikës “për të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të mbrojtur Izraelin dhe vuri në dukje forcimin e pranisë ushtarake të SHBA-së dhe gatishmërisë në të gjithë Lindjen e Mesme në kushtet e përshkallëzimit të tensioneve rajonale.”

Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë “i bëjnë thirrje Iranit të heqë dorë nga kërcënimet e vazhdueshme për një sulm ushtarak kundër Izraelit dhe diskutuan pasojat serioze ndaj sigurisë rajonale në rast të një sulmi të tillë”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz foli me telefon të hënën me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe “shprehu shqetësimin e madh për rrezikun e një konflikti rajonal në Lindjen e Mesme”, tha qeveria gjermane.

Edhe Kryeministri britanik Keir Starmer foli me Presidentin Pezeshkian dhe i bëri thirrje Iranit që të mos sulmojë, tha zyra e kryeministrit.

Grupi i aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln”, që ndodhej në Azi-Paqësor, ishte urdhëruar që më parë të shkonte në rajon për të zëvendësuar grupin e aeroplanmbajtëses “USS Theodore Roosevelt”, që ishte planifikuar të largohej nga Lindja e Mesme për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Pentagonit, Ryder nuk tha se sa shpejt do të arrinte në rajon nëndetësja me raketa “USS Georgia”. Ai tha se Sekretari Austin dhe Ministri Gallant diskutuan gjithashtu për operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë dhe rëndësinë e shmangies së viktimave mes civilëve.

Thirrja vjen një ditë pasi një sulm ajror izraelit goditi një shkollë që ishte kthyer në strehim në Gazë të shtunën herët, duke vrarë të paktën 80 persona dhe plagosur afro 50 të tjerë, në një nga sulmet më vdekjeprurëse të luftës në Gazë, thanë autoritetet shëndetësore palestineze, që kontrollohen nga Hamasi dhe nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe militantëve.

voa

Sukseset e para në luftë kundër zjarreve në Greqi

AthinaLufta me flakët në Greqi vazhdon, zjarrfikësit njoftojnë sukseset e para. Në verilindje të Athinës nuk ka më zjarre masive, por vatra të shkëputura zjarri. Fatkeqësia e zjarreve shkaktoi viktimën e parë.

 

Edhe natën flakët vazhduan shkatërrimin në Athinë, njoftohet po ashtu për viktimën e parë. Flakët këto ditë mbërritën deri në periferitë e Athinës duke detyruar njerëzit nga shumë zona që të largohen drejt vendeve të sigurta. Banorët e dymbëdhjetë fshatrave u njoftuan përmes mesazheve SMS që të largohen nga shtëpitë në rajonin përreth Marathonës dhe Pentelit, vuri në dukje një zëdhënës i zjarrëfikësit për radion greke. Më parë autoritet në Greqi udhëzuan evakuuimin e qytetit historik Marathonë të rrezikuar. 30.000 banorë u dërguan në Nea Makri në bregdet. Penteli ndodhet rreth 15 km dhe Marathona rreth 30 km në veri të Athinës.

 

Kryeministri Mitsotakis ndërpret pushimet

Për njerëzit e evakuuar prej zjarreve qeveria vuri në dispozicion palestrat sportive të stadiumit olimpik në Veri të Athinës. Edhe hotelet vunë dhoma në dispozicion, njoftoi shoqata e hotelerierëve.

Për shkak të zhvillimeve dramatike kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ndërpreu pushimet dhe u kthyer në Athinë, sikurse njoftoi një zëdhënës qeveritar. Natën, sipas mediave, një numër i madh ekipesh të zjarrëfikësit erdhën në Athinë nga rajonet jugore dhe perëndimore të Greqisë.

 

BE dhe Turqia ofrojnë ndihmë

Në sfondin e zjarreve të rënda në pyjet përreth Athinës edhe Turqia ka deklaruar se do të ndihmojë vendin fqinj: “Janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme, për të dërguar avionë me pompa uji dhe helikopterë ndihme në Greqi”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Öncü Keceli, të hënën (12.08) në mbrëmje. Edhe BE ka deklaruar, se Italia, Franca, Çekia dhe Rumania do të dërgojnë ekipe ndihme në kuadër të procedurës së BE për mbrojtjen nga katastrofat.

Temperatura rekord dhe mungesë reshjesh prej muajsh

Në rajonin e Athinës dhe në pjesë të tjera të Greqisë qendrore, sipas të dhënave të mbrojtjes civile, mbizotëron rrezik i lartë nga zjarret. edhe në ditët e ardhëshme, komunikoi mbrojtja civile. Në shumicën e rajoneve të Greqisë prej muajsh nuk ka pasur reshje.

Meteorologët dhe mbrojtja civile gjatë ditëve të fundit vazhdimisht kanë paralajmëruar nga rreziku i zjarreve. Aktualisht ka erëra të forta përrreth Egjeut. Ndaj çdo zjarr sado i vogël brenda pak minutash mund të përhapet në përmasa të mëdha.

Greqia sivjet pasi kaloi dimrin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, si edhe ka përjetuar edhe qershorin e korrikun më të nxehtë që prej fillimit të matjeve të temperaturës në vitin 1960. Greqia është ekstremisht e prekshme prej zjarreve në pyje.

dw/afp