Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Kosovë: Përfundon pa rezultat takimi i organizuar nga presidentja

takimi atifeteNë Kosovë partitë politike nuk arritën marrëveshje për rrugën e zgjidhjes së krizës politike. Në takimin e ftuar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga morën pjesë partitë në pushtet ndërsa nga opozita vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa është përcjellë nga afër edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zbogar.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se vendimet kundër kushtetuese të qeverisë së Kosovës e kanë vështirësuar qeverisjen e mëtutjeshme.

“Rezultat i kësaj, kam kërkuar që menjëherë të shpërndahet parlamenti dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza. Po ashtu kam kërkuar që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Me ardhjen në takim, unë e kam shpreh vullnetin tonë të mirë edhe për të ndihmuar për të dalë nga kriza aktuale. Ju kam dhënë edhe propozimin dhe shpresoj që këta që ishin prezentë do të reflektojnë. Opozita mbetet e bashkuar dhe shihemi më 17 shkurt. Aleanca është e vendosur me e ndihmu kundërshtimin e mëtejshëm të degradimit të shtetit”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se kanë kërkuar nga përfaqësuesi i opozitës që të hiqet dorë nga dhuna dhe të ulen bashkë për të çuar përpara sfidat e Kosovës.

“Unë jam i bindur në legjitimitetin dhe legalitetin e plotë të institucioneve të Kosovës në përgjegjësinë që ato kanë, me votën që e kanë marrë nga qytetarët dhe ne do të vazhdojmë të punojmë dhe po ashtu i bëjmë ftesë opozitës që ajo të vijë në parlament dhe që përmes debatit parlamentar ne të shtojmë demokracinë dhe të punojmë për të mirë të vendit”, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi tha se zoti Haradinaj nuk kishte shqetësime për marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Por, kishte shqetësim tjetër, shqetësimin e marrjes direkt të pushtetit apo agjendës elektorale dhe natyrisht se agjenda elektorale përcaktohet në afatet e rregullta kushtetuese dhe ligjore duke respektuar gjithmonë legjitimitetin qytetarë”, tha ai.

Në takimin e ftuar nga presidentja e Kosovës, lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, nuk morën pjesë pasi që sipas tyre do të kishte kuptim vetëm nëse do të diskutohej për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Opozita e cila ka paralajmëruar protesta për datën 17 shkurt, që shënon edhe tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë në dritën e vlerësimeve të gjykatës kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në muajin dhjetor Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës në fazat që ndërlidhen me hartimin e dokumenteve mbi asociacionin.

Situata aktuale mund të sfidojë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, që sipas kushtetutës duhet të ndodhë deri më shtatë mars, meqë presidenti zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit të presidenti aktual. (voa)

Rezoluta e Parlamentit Evropian për Kosovën

PE BrukselUlrike Lunacek, raportuese e këtij Parlamenti për Kosovën, ka thënë pas votimit se PE-ja i ka dhënë një mesazh të fuqishëm Kosovës në perspektivën e saj evropiane, i cili pason ratifikimin që iu bë muajin e kaluar Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, të arritur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

“Vazhdimësia e kësaj dinamike në këtë drejtim është jetësore për shtetin e pavarur të Kosovës që të ketë përparime të mëtejme, përmes reformave në sundimin e ligjit dhe në rrafshin ekonomik”, citohet të ketë thënë Lunacek në një komunikatë të publikuar nga Parlamenti Evropian.

Në të thuhet gjithashtu se ligjvënësit e PE-së kërkojnë që Kosova ta zgjidhë krizën vendore politike, duke iu kthyer dialogut konstruktiv dhe në mënyrë jo të dhunshme.

“Ligjvënësit e PE-së i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të kompletojë njohjen zyrtare të Kosovës dhe kanë ftuar pesë vendet anëtare, të cilat ende refuzojnë ta njohin Kosovën, të heqin dorë nga bllokada e tyre. Ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë – në fushat siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – është dobësuar thelbësisht nga mungesa e unitetit në këtë bllok, e cila pengon pjesëmarrjen e Kosovës në institucione të rëndësishme, siç është Europoli dhe Interpoli”.

Sipas zonjës Lunacek, raporti gjithashtu fton Qeverinë në Prishtinë dhe Komisionin Evropian që të shtojnë përpjekjet për të arritur liberalizimin e vizave, duke e cilësuar rastin e Kosovës, qytetarët e së cilës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët duhet të aplikojnë për viza për të udhëtuar në BE, si jo të zakonshëm.

“Kjo situatë jonormale, e cila krijon ndjesinë e të qenët qytetar i shtresës së dytë, duhet të ndryshojë”, ka thënë Lunacek.

Njëkohësisht, ajo ka thënë se Qeveria në Prishtinë duhet të nisë së ofruari më shumë rezultate në reforma, duhet të stabilizojë dukshëm vendin, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe në atë social.

Prishtina dhe Beogradi janë ftuar për të bërë më shumë në zhvillimin e një dialogu më konstruktiv, për të siguruar raporte të mira fqinjësore. (rel)

Refugjatët, terrorizmi dhe ndikimi rus, sfida të sigurisë në Ballkan

germia hillFolësit nga Ballkani në konferencën “Germia Hill” thanë se nëse BE-ja vonohet më shumë me pranimin e Ballkanit në gjirin e vet, krijohen hapësira për ndikim të Rusisë dhe Lindjes së Mesme.

Sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballen vendet e Evropës Juglindore janë fluksi i madh i refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme, rreziku i vazhdueshçm nga ekstremizmi dhe terrorizmi dhe së fundi ndikimi i politikës ruse. Ky ishte një konstatim i folësve në konferencën ndërkombëtare “Germia Hill”, e cila kishte si temë sigurinë në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vunë theksin edhe tek, siç thanë, hezitimi i Bashkimit Evropian që ta trajtojë Kosovën po edhe vendet tjera të Ballkanit njësoj me vendet tjera që kaluan procesin e integrimit evropian.

Regjimi i vizave

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se Kosova është e interesuar të jetë faktor stabiliteti në Evropë dhe rajon, duke hedhur poshtë krahasimet që i bëhen Kosovës me flukset e refugjatëve nga Lindja e Mesme. “Ne kemi punuar shumë që numri i azilkërkuesve tonë të bierë dramatikisht. Edhe krerët e Bashkimit Evropian kanë vlerësuar se puna jonë është bërë me përgjegjësinë më të madhe dhe është vlerësuar lart, sepse kemi arritur sukses që nga 13 mijë azilkërkues nga Kosova, që kanë kërkuar azil përmes Hungarisë në shkurt të vitit të kaluar, numri në dhjetor të vitit që shkoi të bierë në 5 persona”- , tha kryeministri Isa Mustafa. Megjithatë ai nuk la pa përmendur mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës. “Kosova është i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash.”

Ekstremizmi dhe terrorizmi

Çështja tjetër për të cilën foli kryeministri Mustafa, është ekstremizmi dhe terrorizmi. Megjithëse një numër i madh i kosovarëve kanë marrë pjesë apo po marrin pjesë në luftërat në lindje të mesme, Kosova sipas kryeministrit është një vend lider në rajon për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Kosova tashmë ka identifikuar të gjithë ata që ishin pjesë e luftërave në lindje të mesme. “Sipas shërbimeve tona, numri i kosovarëve në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300, sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 veta, që mund të gjenden tani atje. Janë arrestuar shumë avokues të ISIS-it, janë thyer rrjetet e rekrutimit, janë mbyllur shumë OJQ që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikalë dhe janë marrë masa ligjore ndaj fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete”, tha kryeministri Mustafa.

Roli i Rusisë në rajon

Dhe çështja e tretë për të cilën brengosen autoritet kosovare është implikimi i Rusisë në rajon. Sipas udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, “Kosova është një front evropian, ku nga këtu mbrohet edhe Parisi, edhe Londra, edhe Berlini”, sepse qytetarët e Kosovës sipas tyre kultivojnë dhe mbrojnë vlerat euroatlantike.

Nikoqiri i konferencës ndërkombëtare “Germia Hill”, Hashim Thaçi, ministër i Punëve të Jashtme Kosovës në fjalën e tij foli për rëndësinë e integrimit të rajonit në mekanizmat euroatlantikë. Sipas Thaçit, nëse Kosova dhe rajoni vazhdojnë të mbahen të bllokuara, pasojat do të jenë të mëdha. “Rajoni sot është në paqe, por në armiqësi me dekada. Sa më shumë që vonohet Bashkimi Evropian, krijohen disa hapësira krejt të panevojshme për ndikim, them minimaliste të Rusisë dhe Lindjes së Mesme,” – tha shefi i diplomacisë kosovare Hashim Thaçi, duke kërkuar përshpejtimin e dialogut me Brukselin.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se sfidat e reja të sigurisë janë të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit. “Problemet e sigurisë mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit dhe mekanizmave të përbashkët të sigurisë ndërkombëtare,” – tha Dushko Markoviq. Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, ndërkaq, thotë se përcaktimi pro-perëndimor i Kosovës dhe rajonit mund të shihen si pengesa për Moskën, por edhe për grupet radikale. “Ballkani Perëndimor sot ka një tendencë, influencë dhe të ardhme totalisht perëndimore. Por, kjo dëshirë për të qenë pjesë e perëndimit dhe jo e lindjes nuk i rrinë mirë një kryeqyteti si Moska, që ka dashuri të vjetra të lidhura me këtë rajon. E, aq më pak i vjen mirë një shteti të quajtur islamik, i cili po tregon çdo ditë e më tepër radikalizmin përmes barbarisë, që ne shikojmë çdo ditë,” – tha ministrja Mimi Kodheli.

Konferenca ndërkombëtare “Germia Hill”, që u mbajt në Prishtinë mblodhi afro 200 pjesëmarrës nga 40 shtete të ndryshme të botës. Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe instituti me renome botërore “Aspen Institute”. Konferenca “Germia Hill” synon ta ndihmojë Kosovën në promovimin e agjendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë vendin në debatet e rëndësishme të sigurisë rajonale. dw

Bashkëpunim ndërshqiptar përballë obstruksionit të Serbisë në Këshillin e Evropës

Aida + Glauk VVNënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbajtën sot një konferencë për media ku paraqitën problemet lidhur me Rezolutën më të fundit të miratuar në Këshillin e Evropës.

Serbia po e vazhdon fushatën e saj obstruktive kundër Republikës së Kosovës njëjtë siç bëri muaj më parë në UNESCO. Serbia po i përdor të gjitha kapacitetet e saj diplomatike për ta penguar Kosovën që të anëtarësohet nëpër institucionet ndërkombëtare. Në Këshillin e Evropës Serbia arriti që në raportin periodik për Kosovën t’i përfshijë amendamentet të cilat u integruan në tekstin e rezolutës në 7 dhjetor dhe u votuan me 28 janar në Asamblenë e Përgjithshme.

“Dy prej këtyre amendamenteve janë veçanërisht problematikë. Njëri amendament kërkon krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kurse amendamenti tjetër kërkon rritjen e rolit të UNMIK-ut në fushën e drejtësisë dhe sigurisë. Pas gjithë kësaj lufte që po e bën Serbia kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, është e pafalshme se si kryeministri Mustafa po e vazhdon dialogun me Serbinë në të njëjtat linja sikur më parë” – tha Konjufca.

Të gjitha këto veprime të Beogradit kundër Republikës sonë – vijoi më tej ai – do të mund të shfrytëzoheshin nga Qeveria e Kosovës që ne ta përmirësonim pozicionin tonë politik karshi Serbisë. Por në vend që të ndodh kjo, Qeveria po e vazhdon avazin e vjetër të kompromiseve, me ç’rast, pala që po lëshon pe është Kosova.

Konjufca theksoi se raporti për Kosovën nuk është vetëm rezultat i një fushate të egër të Serbisë kundër shtetit tonë, por është po ashtu tregues i një pasiviteti të diplomacisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga zv.Kryeministri Thaçi. Ai tha se mbi 2/3 e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Si është e mundshme që shumica e këtyre delegacioneve nacionale t’i mbështesin amendamentet e Serbisë dhe jo ato të Kosovës të paraqitura nga delegacioni i Shqipërisë. Kjo tregon që Hashim Thaçi e Petrit Selimi po flenë ndërkohë që pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është degraduar dukshëm sidomos me dështimin e Kosovës në UNESCO dhe me Rezolutën 2094 të Këshillit të Evropës.

Në vend që Hashim Thaçi të japë llogari për këto dështime të diplomacisë shtetërore, ai është vetëm e vetëm i preokupuar me postin e tij të ardhshëm të Presidentit. Një sjellje e tillë është më se e mjaftueshme se si qeveria Mustafa është e ndërtuar mbi ambicien për poste e pushtet personal dhe fare pak apo aspak me kontributin për forcimin e shtetit dhe suksesin ndërkombëtar të Republikës.

Nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti paraqiti detajet e sesionit të fundit dhe veprimet e delegacionit të Kosovës përballë raportit të deputetit spanjoll Augustin Conde ku amendamentet e Serbisë janë përkrahur me unanimitet dhe janë bërë pjesë integrale e raportit për Kosovës.  Në këtë takim pra me 7 dhjetor nuk kanë qenë pjesëmarrës delegacioni i Shqipërisë, ndërkohë që prezent ka qenë delegacioni i Kosovës.

Dërguti sqaroi edhe njëherë pozicionin që ka delegacioni i Kuvendit të Kosovës me statusin e të ftuarit mysafir në Komisionin për Çështje politike dhe Demokraci që ia mundëson pjesëmarrjen ku ndonjëherë i jepet e drejta e fjalës por nuk ka të drejtë vote as të drejtë propozimi për ndonjë çështje.

“Për këtë rast Kuvendi i Kosovës ka filluar koordinimin me Kuvendin e Shqipërisë qysh në fillim të janarit me ç’rast janë hartuar amendamentet, të cilat janë dorëzuar zyrtarisht në Këshill nga delegacioni i Shqipërisë. Që nga moment i shkuarjes në Strasburg, kanë filluar takimet e delegacionit të Kosovës me delegacione të ndryshme të vendeve anëtare për ta sqaruar kundërshtimin tonë për amendamentet e Serbisë, duke u kërkuar përkrahje për amendamentet tona. Ndërkohë delegacioni i Shqipërisë së bashku me deputeten nga Maqedonia Ermira Mehmeti, kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për dorëzimin e amendamenteve.” – tha Dërguti.

Pra delegacioni i Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë, kanë vepruar si një ekip e si rezultat u arrit që amendamentet tona të marrin përkrahje të madhe, duke qenë shumë afër suksesit, pra vetëm për një votë.

Nënkryetarja e Kuvendit theksoi se bashkëpunimi në këtë rast na tregoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërshqiptar, sepse nga një situatë e pafavorshme që kishim në fillim kur amendamentet e Serbisë ishin përkrahur me unanimitet brenda komisionit në dhjetor, arritëm që votimin në seancë ta ndajmë në dysh.

Ajo tërhoqi vëmendjen se ky bashkëpunim i duhur dhe i domosdoshëm, do të vazhdojë me  koordinim shumë intensiv paraprak meqë herën e ardhshme do të diskutohet ngritja e nivelit të pjesëmarrjes së Kosovës në Këshill të Evropës.

2 shkurt 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Grupi Parlamentar

Konferenca ndërkombëtare “Germia Hill”

Germia HillKryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha të martën se institucionet e vendit janë angazhuar fuqishëm për të luftuar terrorizmin dhe radikalizmin. Ai i bëri këto komente në hapje të konferencës së tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me Aspen Institute, me temën “arkitektura e sigurisë së Evropës Juglindore nën dritën e sfidave më të gjera botërore”.

Kryeministri Mustafa tha se parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit që çon në terrorizëm mbetet përparësi e institucioneve të Kosovës. “Janë arrestuar shumë avokues të ISIS-it, janë thyer rrjetet e rekrutimit, janë mbyllur shumë organizata Jo qeveritare që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikale, dhe janë marrë masa ligjore ndaj fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete. Qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë për asnjë moment përkrahjen dhe solidarizimin e komunitetit ndërkombëtar në kohën kur ata ishin objekt i dhunës, krimit, terrorit dhe shpopullimit. Ne e vlerësojmë lartë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve demokratike dhe paqedashëse”, tha kryeministri Mustafa duke nënvizuar se angazhimi i Kosovës në luftimin e këtyre dukurive ka bërë që ulet numri i qytetarëve që u bashkohen grupeve të ndryshme radikale në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, theksoi se ne jemi udhëheqës në rajon në ndërmarrjen e shumë masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit. Sipas shërbimeve tona, numri i qytetarëve të Kosovës në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300 sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 veta, që mund të gjinden tani atje”, tha kryeministri Mustafa.

Që nga viti 2012 Kosova është përballur me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në luftërat në lindjen e mesme, dhe kjo dukuri ka ngritur shqetësime të mëdha te autoritetet në vend.

Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars të vitit të kaluar, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. (voa)

ZRRE-JA KONFIRMON KËRKESËN PËR RRITJE TË ÇMIMIT TË RRYMËS

oret matse te energjiseZyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), njofton publikun se aktualisht është duke zhvilluar procesin e dhjetë tarifor të energjisë elektrike.

Si pjesë e këtij procesi, operatorët: KEK (Gjenerimi), KOSTT (Transmisioni dhe Tregu), KEDS (Distribucioni) dhe KESCO (Furnizimi) kanë dorëzuar aplikacionet e tyre për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale dhe këto aplikacione janë të publikuara në faqen elektronike të ZRRE-së www.ero-ks.org.

Ekspertët e Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve janë duke shqyrtuar këto aplikacione dhe së shpejti pritet të dilet me vlerësimin e këtyre aplikacioneve. Vlerësimi ekspertëve të ZRRE-së do t’i nënshtrohet diskutimeve publike ku do të përfshihen të gjitha palët e interesuara.

“Vlerësimi i ekspertëve dhe komentet nga palët e interesit do të shqyrtohen përfundimisht nga Bordi i ZRRE-së i cili do të marr vendimin përfundimtar për të Hyrat Maksimale të lejuara të Operatorëve si dhe tarifat për konsumatorët fundor”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Vendimi i Bordit për të Hyrat e Maksimale të lejuara dhe tarifave përfundimtare pritet të merret kah fundi i muajt mars. Tarifat e reja të energjisë elektrike hynë në fuqi nga 1 prilli 2016. (rtk)

Vladimir Putinët e Kosovës si kampion të korrupsionit që dhunon lirinë

thaci_veseli_haliti_haradinajPasuria e përfituar nga krimi dhe korrupsioni i organizuar

Pasurimi i të afërmeve të tyre dhe miqve është bërë në forma të ndryshme, mirëpo si formë “legjitime” është bërë në shumë raste me anë të tenderëve apo kontratave të ndryshme në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit.

Elita politike e Kosovës duke qenë herë në pushtet e herë në opozitë, por gjithnjë duke qenë afër krimit të organizuar dhe duke qenë shpeshherë edhe pjesë e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka arritur që të përvetësoj shumë para, thënë shkurt siç thotë populli është pasuruar “sa çil e mshil sytë”. Kjo pasuri e madhe e tyre, ka bërë që shumë mekanizma shtetëror të mos funksionojnë siç duhet, si bie fjala Gjyqësorin dhe Prokurorinë e Shtetit. Ky mosfunksionim i tyre ishte bërë jo për tjetër por për shkak të dhënies së ryshfetit dhe mitos në mënyrë që të mos ndiqen raste të caktuara të krimit, për shkak se ato kanë mundur të qojnë deri tek persona të caktuar të elitës politike.

Pasurimi i tyre (elitës politike) është bërë shpeshherë jo i drejtpërdrejtë. Ata kanë ditur në shumë raste të pasurojnë shumë miq të tyre, aleatë të ndryshëm e familjarë. Mirëpo, duke pasuruar këta të fundit, ata kanë ditur edhe të margjinalizojnë shumë individë apo të gjithë ata që nuk i kanë parë si miq. Pasurimi i të afërmeve të tyre dhe miqve është bërë në forma të ndryshme, mirëpo si formë “legjitime” është bërë në shumë raste me anë të tenderëve apo kontratave të ndryshme në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit, kështu duke shfrytëzuar pushtetin e tyre. Shpeshherë këto kontrata janë bërë edhe në mënyrë selektive, duke pamundësuar apo duke eliminuar shumë kompani apo individë të caktuar ndoshta edhe për arsye krejtësisht banale apo kinse procedurale.

Elita politike e vendit duke shfrytëzuar pozitat e tyre që nga fillim vitet e ’90-ta, por sidomos pas vitit ’99, me përfundimin e luftës në Kosovë, “kapën” pushtetin dhe pronat publike të vendit, por edhe shumë prona private të shqiptarëve, por edhe të serbëve, kështu për një kohë shumë të shkurtër grumbulluan milionat. Këta miliona u përdorën për të bërë milionat e tjerë, kështu edhe u infektua shoqëria e vendit me sindromën e quajtur korrupsion.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Kështu patrullon xhandarmëria serbe në territor të Kosovës (Foto)

Xhandermeria e serbiseNjë patrullë e xhandarmërisë serbe është kapur nga banorët e Karaqevës teksa ajo po patrullonte në brendi të territorit të Kosovës më 28 janar 2016.

 

Sipas portalit rajonipress, duke cituar përfaqësuesin e Karaqevës, Selver Lenjanin, fotografia është bërë me të vetmin qëllim për t`i treguar delegacionit të Kosovës si dëshmi se xhandarmëria serbe po hyn e po del kur po ka dëshirë në Kosovë.

“Për ne nuk është vetëm provokim, por edhe fyerje ndaj shtetit të Kosovës. Kjo foto le t`i shërbejë delegacionit të Kosovës që po bisedon në Bruksel. Është më shumë se dëshmi”, citohet të ketë thënë Lenjani.

AP e Këshillit të Evropës me rezolutë për Kosovën

AP KE

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, miratoi të enjten mbrëma një rezolutë për Kosovën, ku i kërkohet asaj që të sigurojë respektimin esundimit të ligjit dhe çrrënjosjen e korrupsionit. Duke u kërkuar autoriteteve që kjo çështje të jetë përparësi, rezoluta nënvizon se “përhapja endemike e korrupsionit” në të gjitha fushat qeveritare, në drejtësi dhe në ekonomi, ndikon negativisht në jetën e qytetarit të Kosovës”.

Rezoluta, e cila është miratuar në bazë të raportit të përfaqësuesit spanjoll, Agustin Conte, vë theksin te përparimi i arritur në Kosovë në aspektin e demokracisë, me organizimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, si dhe mirëpret miratimin e ndryshimeve kushtetuese që sigurojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet e ngritura nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim organesh dhe krime lufte në Kosovë.

Në një njoftim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, thuhet se ajo shpreh keqardhje që puna e Parlamentit të Kosovës është pezulluar për shkak të një bllokade të vazhdueshme, duke vënë kështu në pah edhe mungesën e vullnetit të forcave politike për të zhvilluar dialog konstruktiv. Rezulota gjithashtu dënon edhe një seri veprimesh që kanë ndodhur në Parlamentin e Kosovës, veprime këto që kanë ndikuar në rënien e besueshmërisë së qytetarëve në institucionet demokratike.

Duke përshëndetur mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe marrëdhëniet midis komuniteteve, Asambleja Parlamentare bën thirrje që autoritetet të jenë më vigjilente dhe të “dënojnë të gjitha sulmet të cilat kryhen me motive etnike” si dhe të “tregojnë përgjegjësi në ligjërimin publik” në mënyrë që të ulin tensionet.

Ajo më tej u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, për normalizimin e marrëdhënieve ndëmrjet të dyja vendeve. Ardhmëria evropiane si dhe forcimi i standardeve “janë të një rëndësie madhore për demokracinë në Kosovë ashtu si edhe për qëndruesëhmrinë e vendeve të Ballkanit perëndimor në përgjithësi”, u tha gjatë debatit që i parapriu Rezolutës.

Asambleja Parlamentare propozon ndryshimin e formatit aktual të bashkëpunimit mes zyrës së saj dhe Parlamentit të Kosovës, “në mënyrë që të sigurohet që në delegacionin e saj të ketë përfaqësues nga pakicat kombëtare, përveç shumicës dhe opozitës”.

Debatet më të rrepta i nxiti një nga pikat e rezolutës në të cilën “inkurajohet Misioni i Kombeve të Bashkuara që të forcojë kapacitetet e tij për bashkëpunim me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, si dhe inkurajon autoritetet në Prishtinë që të shfrytëzojnë mekanizmat ekzistues”.

Zyrtarët serb e cilësuan këtë si një fitore të tyre, meqë ata angazhohen për vazhdimin e punës së UNMIK-ut, ndërsa Prishtina pret shndërrimin e tij në një zyrë të Kombeve të Bashkuara.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi me 110 vota rezolutën “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”,

Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, por merr pjesë në punimet e tij pa të drejtë vote. (voa)

Rezoluta e KiE, Konjufca: Mes Tiranës e Prishtinës nuk ka koordinim

glaukuOpozita e Kosovës e lexon si dështim të diplomacisë së Kosovës dhe mungesë koordinimi të faktorit shqiptarë në organizmat ndërkombëtare, kalimin e rezolutës së KiE-së bashkë me amendamentet e Serbisë.

Në lidhje direkte me edicionin qendror informativ të Top Channel, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se ajo që u vendos përmes kësaj rezolute kthen Kosovën pas në kohë.

“Miratimi i rezolutës në KiE është një hap pas për Kosovën në arenën ndërkombëtare sepse kaluan disa amendamente të Serbisë dhe dy janë të dëmshme; ajo që kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe, në një kohë që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që sfidon këtë marrëveshje si antikushtetuese dhe e dyta është rikthimi i rolit të UNMIK-ut në Kosovë”.

Konjufca ja faturoi këtë dështim të radhës të diplomacisë shqiptare mungesës së koordinimit mes faktorit shqiptar në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

“Mes Tiranës dhe Prishtinës nuk po shkon asgjë mirë. Kam qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në KiE dhe nga përvoja flas që nuk ka një koordinim mes delegacionit të Kosovës dhe deputetëve shqiptarë, po ashtu edhe me pjesën shqiptare të politikës në Shkup. Nuk ka koordinim”, tha Konjufca.

Ndërkohë, po në lidhje të drejtpërdrejtë me telefon nga Strasburgu, nënkryetari i delegacionit shqiptar në KiE, Oerd Bylykbashi nuk komentoi se përse më 8 dhjetor, atëherë kur Serbia ka paraqitur amendamentet e veta, përfaqësuesit shqiptarë nuk kanë qenë të pranishëm. (tch)