Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Kosova, dështimi i dytë, Serbia “rikthen” UNMIK-un

KiEKosova pësoi një tjetër disfatë në planin diplomatik dhe të njohjes ndërkombëtare, pasi rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Europës për Kosovën, është miratuar pasditen e së enjtes së bashku me katër amendime të propozuara nga Serbia.

Beogradi paraqiti një ditë më parë në Komision amendimet e veta në lidhje me veçimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi për bashkësinë e komunave serbe, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe pse Kosova nuk u bë anëtare e UNESCO-s dhe për kalimin e disa kompetencave tek UNMIK në marrëdhenie me organizma të tilla si Interpol dhe Europol.

Këto amendime u miratuan mëngjesin e së enjtes në Komision e më pas u paraqitën zyrtarisht si rezolutë nga Komisioni. Përfaqësuesit e Shqipërisë, që kanë të drejtë vote, të ndihmuar nga përfaqësuesi i Suedisë, propozuan amendime që eleminonin kërkesat e paraqitura nga Serbia. Por fatkeqësisht, të gjitha amendimet janë rrëzuar. Amendimi që rikthente disa nga standardet e para pavarësisë në lidhje me marrëdhëniet me Europol dhe Interpol, u rrëzua për vetëm një votë.

Kryetari i delegacionit suedez, social-demokrati Jonas Gunnarson, mbështeti shumë fort amendimet e përgatitura nga përfaqësuesit shqiptare, deputetët Valentina Leskaj, Petrit Vasili, Namik Dokle dhe Oerd Bylykbashi, por në fund përfaqësuesit serbë e fituan betejën.

Ndërkohë, në sallë mungoi edhe përfaqësuesja shqiptare nga Maqedonia, Ermira Mehmeti.

Disa vende si Britania, Turqia, Hungaria dhe Suedia dhanë mbështetje maksimale, por ndryshimi nuk është bërë i mundur. Edhe vetë hartuesi i rezolutes për Kosovën reporteri spanjoll Augustin Conde, mungoi gjatë diskutimit në Komision, por edhe gjatë seancës. Në përfundim raporti është miratuar me 112 vota.

Ndërkohë, burime nga delegacioni i Shqipërisë, i pohuan Top Channel se përgjegjësia i takon edhe delegacionit nga Tirana, mungesa e të cilit në mbledhjen e fundit të komisionit në dhjetor, duket se ka patur pasoja për dështimin të enjten të kalimit të amendimeve të propozuara nga përfaqësuesit e saj.

Kjo është humbja e dytë e rëndë diplomatike pas asaj të disa muajve më parë. Kosova dështoi të merrte anëtarësimin në UNESCO, pas një lobimi të fortë të Rusisë dhe votës kundër të Polonisë dhe të disa shteteve që e kishin njohur më parë pavarësinë e Kosovës.

/ Top Channel

Kosova dhe Serbia nuk janë dakord për Asociacionin

Në Bruksel u mbajt raudi i parë i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, prej fillimit të bllokimit në parlament. Palët thonë se bisedimet u zhvilluan në atmosferë të mirë. Por cilat ishin rezultatet konkrete?

Mustafa-Mogherini-VuciqTakimi Mustafa-Mogherini-Vuciq

Ndërmjetësuesja në negociatat për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Frederica Mogherini pohon se bisedimet u zhvilluan në një “atmosferë shumë të mirë”. Kryeministrat e Kosovës Isa Mustafa dhe Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani, siç janë, Marrëveshja për njohjen e diplomave të universiteteve, Marrëveshja për lëvizje të lirë, Marrëveshja e parë, e nënshkruar në prilli të vitit 2013, si dhe ajo e gushtit 2015. Në komunikatën e Përfaqësueses së lartë të BE, theksohet se “janë bërë përparime në zbatimin e disa marrëveshjeve”, siç është ajo për lëvizjen e lirë dhe njohjen e targave të automjeteve.

Palët kanë shprehur interesim dhe gatishmëri për njohjen edhe të diplomave dhe çertifikatave shkollore. “Palët janë fokusuar edhe tek angazhimi për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara më parë”. Në kumtesë thuhet se palët kanë rënë dakord edhe për fillimin e bisedimeve për lidhjet direkte ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë.

Mustafa: Asociacioni vetëm në përputhje me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi në orët e vona të mbrëmjes se me homologun e tij serb Vuçiq kanë biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Ndërsa për Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tha se ajo mund të implementohet “vetëm në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”. Pala serbe ka kërkuar që në territorin e Kosovës të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Mustafa tha se “do të respektohet e drejta e serbëve për të votuar, por vetëm në përputhje me ligjet e Kosovës”.

Mustafa

Mustafa shkeli fjalët e veta

“Asgjë në lidhje me Marrëveshjen për Asociacionin, nuk do të procedohet, nëse nuk është në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Mustafa, para gazetarëve të mbledhur në Bruksel, pas takimit trepalësh të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE, Mogherini. Edhe ai nënvizoi se “takimi është zhvilluar në një atmosferë konstruktive” dhe se palët kanë biseduar për çështjen e njohjes së diplomave dhe për lirinë e lëvizjes.

Mustafa udhëton edhe pa liberalizimin e vizave

Para një muaji, kryeministri Isa Mustafa kishte kërcënuar se nuk do të udhëtojë jashtë vendit, pa liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi që Komisioni i BE kishte konstatuar se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet për këtë hap. Në shenjë proteste, ai ka deklaruar në një intervistë për DW, se “nuk është etike që ai të udhëtojë, ndërsa qytetarët e Kosovës jo”. Mustafa përsëriti në Bruksel se situata me vizat mbetet “e papranueshme, por Prishtina duhet të kontribuojë në dialog”.

“Ne duam të tregojmë se jemi konstruktiv në angazhimet për normalizimin e marrëdhënieve. Mendoj se ne i kemi përmbushur kriteret politike për heqjen e vizave”, theksoi Mustafa. Në prag të këtij takimi homologu i tij serb Vuçiq tha se “ka qeshur” me palën kosovare, ku ka dëgjuar deklaratat se nuk do të udhëtojnë jashtë vendit pa liberalizimin e vizave. “Do të udhëtojnë si tulipanë të bardhë”, kishte thënë ai para gazetarëve në Beograd, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta përçmuese në mediat sociale.

Vuciq

Vuçiq tha se “ka qeshur” me kërcënimet e kosovarëve

 

Serbia nuk e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri i Serbisë Vuçiq gjatë procesit të bisedimeve tha se ai shpreson arritjen e “çfarëdo marrëveshjeje” e cila do të “zhbllokonte procesin e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. “Ky proces do të vazhdojë gjatë, nuk është i thjeshtë, por me rëndësi është që të futemi në këtë proces, sepse ky është obligimi i të gjithëve”, tha ai për Radio Televizionin e Serbisë. Ndërkohë që para gazetarëve doli edhe Marko Gjuriq, i cili tha se “ekzistojnë shanse që të zhbllokohet çështja e përpunimit të statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ky do të ishte një hap shumë i madh për Asociacionin, i cili është shumë i rëndësishëm për palën serbe”. Gjuriq theksoi se “Serbia nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë vendimin e të ashtuquajturës Gjykata Kushtetuese në Prishtinë” dhe se “baza e vetme mbetet Marrëveshja e 25 gushtit, e arritur në Bruksel”. “Këtë vendim (të Gjykatës Kushtetuese) e konsiderojmë një akt intern, i cili nuk ka lidhje me dialogun dhe nuk ka kurrfarë pasojash juridike për palën serbe”, theksoi Gjuriq.  (dw)

Përfundoi raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi

Mustafa VucicNë Bruksel përfundoi raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndëmrjet tyre.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se ato u zhvilluan në një atmosferë të mirë dhe janë diskutuar cështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash.

“U konfirmua se njohja e ndërsjellë e diplomave dhe certifikatave shkollore po bëhet realitet. Mbi këtë bazë studentët do të jenë në gjendje të vazhdojnë studimet e tyre ndërsa ata me diploma profesionale do të jenë në gjendje të përmirësojnë aftësitë e tyre të punës edhe në Serbi edhe në Kosovë. Ne kemi përparur ndjeshëm edhe në zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, posacërisht në fushën e përdorimit të targave të regjistrimit”, thuhet në një komunikatë të zyrës së zonjës Mogherini.

Diskutimet, thuhet më tej, u përqëndruan edhe në përkushtimin e të dyja palëve për të punuar në zbatimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Të dyja palët janë pajtuar që të fillojnë diskutimet për lidhjet ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet në njoftim.

Zonja Mogherini vlerëson përkushtimin e të dy kryeministrave për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa thekson se takimi i sotëm dëshmon vullnetin e tyre për të ecur përpara me një qasje konstruktive.

Palët kanë qëndrime krejt të ndryshme rreth marrëveshjes për asociacionin e komumave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se asociacioni mund të zbatohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të marrëveshjes së parë dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë. Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, tha ai duke nënviizuar se palët nuk janë pajtuar për asnjë afat kohor për formimin e Asoaciacionit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, vlerësoi në dhjetor të vitit të kaluar se marrëveshja për asociacionin e arritur me 25 gusht të vitit 2015, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha gjatë mbrëmjes së të mërkurës se nuk pranon asnjë vendim të, siç ka thënë ai, të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.

Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, çoi në një krizë të rëndë politike në Kosovë.

Opozita bllokoi punën e parlamentit dhe u hodh në protesta edhe në rrugë për të kundërshtuar mërrveshjen që u jep më shumë autonomi serbëve në veriun e Kosovës.

Ajo i kërkon qeverisë dorëheqjen në dritën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Qeveria i ka bërë thirrje opozitës për dialog politik ndërsa është zotuar se do të zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në procesin e mëtejmë të hartimit të dokumenteve mbi asociacionin.

Opozita ngulë këmbë për zgjedhje të parakohshme.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndëpriten më pas për shkak të zgjedhjeve të paralajmëruara të parakohshme parlamentare në Serbi, që pritet të mbahen në muajin prill.

Ato zgjedhje dhe situata aktuale në Kosovë, mund të zgjasin periudhën e “heshtjes” se bisedimeve.

Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet ndërmjet të dyja palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmejt tyre, i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, që u nënshkrua në tetor të vitit të kaluar ndërsa javën që lamë pas u miratua nga Parlamenti Evropian.

Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, kapitujt e parë të të cilave u hapën me 14 tetor.

Synimi për integrime evropiane, bëri që Serbia të ulet në tryezën e bisedimeve ndonëse vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila më 17 shkurt shënon përvjetorin e tetë të saj. (voa)

Freedom House: Shqipëria dhe Kosova ende pjesërisht të lira

Freedom House
Rënia ekonomike globale dhe frika nga trazirat sociale kanë çuar në rritjen e shtypjes politike nga qeveritë autoritare në vitin 2015 thuhet në raportin e organizatës Freedom House. Në raportin, i cili vlerëson shkallën e lirive demokratike në vendet e botës, Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Organizata Freedom House ka radhitur sërish Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira edhe për vitin 2015.

Në të njëjtën kategori janë edhe vendet e rajonit si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Serbia kësaj radhe është përfshirë në mesin e vendeve të lira.

Shqipëria ka të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

Arch Puddington, një nga autorët e raportit të Freedom House, thotë se vendet e Ballkani kanë probleme të mëdha me korrupsionin. Zoti Puddington, thotë se faktorët që ndikojnë më së shumti në renditjen e Shqipërisë si vend pjesërisht i lirë janë problemet me zgjedhjet, korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin gjyqësor.

“Si në shumë vende të tjera në rajon, edhe në Shqipëri korrupsioni është një problem shumë i madh. Kemi gjykatës të cilët janë të ndikuar nga partitë politike dhe paguhen keq, policë të cilët nuk paguhen mirë dhe nuk janë të trajnuar mirë, dhe si rezultat ata përpiqen të marrin të ardhura dhe korrupsioni është mënyra më e lehtë për ta bërë këtë. Ky është një problem i madh në rajonin e Ballkanit por edhe në Amerikën Qendrore, Amerikën Latine dhe në pjesë të tjera ku ndodhen vendet në zhvillim. Zgjidhja e këtij problemi kërkon një udhëheqje politike të fortë dhe të angazhuar”. 

Kosova sa u përket të drejtave politike ka marrë notën 3 nga 4 sa ishte nje vit me parë, ndërsa për liritë civile, vlerësimi është i pandryshuar në 4.

Në raportin e publikuar të mërkurën, Kosova, Bosnja dhe Maqedonia përmenden si vende që janë përballur me qeverisje jofunksionale.

“Në Kosovë, deputetët kanë kundërshtuar njërën nga marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kanë penguar në vazhdimësi debatin parlamentar duke hedhur gaz lotsjellës brenda parlamenti dhe duke qëlluar me vezë zyrtarët qeveritarë”, thuhet në raport, duke ju referuar krizës politike në Kosovë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes së arritur në bisedimet me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në raport janë përfshirë 195 vende, nga të cilat 86 janë radhitur si të lira, 59 si pjesërisht të lira dhe 50 si jo të lira. (voa)

TI: Shqipëria dhe Kosova përparojnë në luftën kundër korrupsionit

tiOrganizata ndërkombëtare Transparency International publikoi të mërkurën “Treguesin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015”, në të cilin janë përfshirë 168 vende të botës.

Sipas këtij raporti, Shqipëria ka shënuar përparim më të madh duke u radhitur në vendin e 88-të me 36 pikë, ndryshe nga viti 2014 kur ishte në vendin e 110-të.

Kosova e e cila vitin e kaluar ishte po ashtu në vendin e 110-të, kësaj radhe është radhitur e 103-ta me 33 pikë, po aq sa kanë edhe Etiopia e Moldavia.

Me gjithë përparimin, Shqipëria dhe Kosova radhiten prapa vendeve të rajonit.

Sipas raportit, Mali i Zi radhitet në pozitën numër 61, Maqedonia 66, Serbia 71 dhe Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 76-të.

Në mesin e tyre, Maqedonia është ajo që ka rënë për dy vende, ndërsa të tjerat kanë shënuar përparim.

Në situatën më të mirë edhe sivjet është Danimarka e cila ka 91 pikë në një radhitje ku pikët zero shënojnë shkallën më të lartë të korrupsionit e ku radhiten Koreja e Veriut dhe Somalia që kanë nga tetë pikë. (voa)

Kurti-ambasadorëve: Ju nuk mund ta duani Kosovën më shumë se ne

kurtiAlbin Kurti tashmë mundet që të marrë pjesë në protestat që po organizon opozita sepse më nuk është as në burg e as në arrest shtëpiak, ndonëse për njërën nga to ishte në arrest shtëpiak.

Më 9 janar lideri i Vetëvendosjes gjendej në banesën e tij i rrethuar nga Policia, por në atë protestë që ai e quan si më të madhen të pasluftës i mbeti shumë merak të ishte aty. Megjithatë Kurti mendon se nuk është shumë me rëndësi pjesëmarrja e tij sa ishte e rëndësishme masiviteti i jashtëzakonshëm i asaj proteste. Edhe Kurti beson se në të kanë marrë pjesë 100 mijë protestues sepse ashtu i kanë thënë edhe kolegët e tij nga partitë opozitare.

Ndërsa Kurti nuk lë pa përmendur me ironi edhe deklaratën e zëdhënësit të Policisë Baki Kelani i cili tha se në protestë merrnin pjesë 8 mijë protestues.

Kurti në një intervistë për KosovaPress flet edhe për ambasadorët e shteteve të BE-së për të cilët thotë se ‘ata nuk mund ta duan Kosovën më shumë se ne’.

Përfaqësuesit e shteteve të BE-së kanë kritikuar veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje si në Kuvend e po ashtu edhe në rrugë ndërsa i kanë dhënë përkrahje formimit të Asociacionit të Komunave serbe.

“Ne, jo gjithë herë pajtohemi me gjithçka me ambasadorët e huaj dhe natyrisht që ata janë ambasadorë të huaj. Ne jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për kontributin që e kanë dhënë, sidomos me rastin e intervenimeve të NATO-s dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, vendin tonë nuk mund ta duan të tjerët më shumë se ne. Fundja, ju e dini shumë mirë që asnjë ambasador me familjen e tij nuk vazhdon të jetojë këtu. Jemi ne ata që jetojmë këtu. Gazi lotsjellës në Kuvendin e Republikës hiqet për 30 minuta maksimalisht, ndërkohë që ‘Zajednica po të instalohet – atëherë as për 30 vjet s’e heq dot. Ajo do të jetë trashëgimi e kësaj konjukture politike ndaj fëmijëve tanë, ndaj fëmijëve që ende nuk kanë lindur, ndaj brezave të ardhshëm në përgjithësi. Prandaj, këto çështje janë shumë më të mëdha se sa deklaratat e këtij apo atij politikani apo diplomati, të cilët natyrisht që janë të përkohshëm edhe në mandatin e tyre”, tha Kurti duke shtuar se ata(VV) duna marrëdhënie të mira me të gjithë, por fillimisht e duan vendin e tyre.

Duke folur për protestën e 9 janarit , në të cilën ai ka mundur ta shikojë vetëm në televizor, lideri i VV-së mohon kategorikisht se atë ditë ka pasur dhunë nga protestuesit, pavarësisht se disa nga protestues kanë hedhur edhe koktej Molotovi në drejtim të ndërtesës së Qeverisë dhe policisë së Kosovës.

Madje sipas tij ishte vetë kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri që kishte bërë thirrje për paqe.

Në lidhje me protestën e paralajmëruar për 17 shkurt, ditën kur Kosova feston tetë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj, Kurti thotë se do të jetë paqësore dhe masive.

Megjithëse më herët opozitarët nuk kërkonin zgjedhje të reja, ky diskurs politik tashmë ka ndryshuar e sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe.

Këtë e pranon edhe Albin Kurti që sipas tij me protesta nuk duan ta marrin pushtetin por insistojnë që Qeveria e Mustafës të mos jetë në pushtet.

Lideri i VV-së i cili shpesh është parë nëpër burgje sidomos në kohën UNMIK-ut është i vendosur për gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend edhe po që se arrestohet edhe e dërgojnë në burg.

Kurti tha se opozita mund të shkojë në një listë të përbashkët zgjedhore në rast se mbahen zgjedhjet e parakohshme, por që ende nuk është hapur debati konkret përmbajtësor për një gjë të tillë. Sipas tij tashmë më shumë janë përqendruar për protestën e 17 shkurtit, të cilën ai e ka quajtur “protestë për ta shpëtuar Republikën e shpallur tetë vite më parë”

Në këtë intervistë Albin Kurti ka folur edhe në lidhje me dënimin e Oliver Ivanoviqit për krime lufte duke kritikuar kështu drejtësinë e EULEX-it që sipas tij është vënë në ndjekje të komandantëve të luftës së UÇK-së, ndërsa sipas tij dëshira e gjyqtarit të EULEX-it ishte që mos ta dënojë fare Ivanoviqin.

Madje siç thotë Kurti EULEX-i nuk do të duhej të kishte të drejtë fare të merret më UCK-në

“EULEX-i nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, që është rezultat i luftës së UÇK-së dhe gjithashtu ata kanë imunitet prej ndjekjes penale nga gjykatat në të cilat vetë vendosin. Besoj se në përgjithësi ndaj politikanëve të Kosovës, faktorët ndërkombëtarë po preferojnë që ta bëjnë përndjekjen e tyre për krime lufte e jo për krime të paqes. Pra, po duan që t’i marrin komandantët e luftës dhe politikanët për atë që i kanë bërë Serbisë, e jo për atë që i kanë bërë popullit të Kosovës. Për të këqijat që ia kanë bërë Serbisë, mirë ia kanë bërë Serbisë. Për atë do duhej të merrnin mirënjohje, mirëpo shumë prej tyre, për të këqijat që i kanë bërë Kosovës pas luftës, do duhej nga gjykatat e Kosovës, për uzurpimet, krimet ekonomike e financiare të dënohen. Mirëpo, kjo s’po ndodh. Si bëhet që EULEX-i, të ketë kaq shumë zell të merret me krimet e UÇK-së e fare me krimet e pasluftës, e madje as me krimet e kriminelëve serbë”, tha Kurti. /KosovaPress/

 

Mustafa e Vuçiq u kthehen bisedimeve për Asociacionin

Hashim Vucic MustafaPamje nga takimi i 25 gushtit 2015 në Bruksel, ndërmjet Isa Mustafës, kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq, kryeministër i Serbisë

Në Bruksel, me 27 janar, do të takohen kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Pjesëmarrjen në këtë takim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, e ka konfirmuar këshilltari i tij për politikë të jashtme, Valon Murtezaj. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se takimi i 27 janarit është i nivelit më të lartë ndërmjet kryeministrave, por nuk do të jetë i tipit të negociatave.

“Është takim i nivelit më të lartë. Nuk është takim klasik negociator, por është takim ku temat do të fokusohen, në radhë të parë, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe në shikimin e perspektivës së dialogut dhe temave të dialogut në të ardhmen”.

“Pra, pala e Kosovës do të insistojë që marrëveshjet të cilat janë arritur të zbatohen, sepse është evidente që sjellja destruktive e Qeverisë së Serbisë, shpeshherë apo zakonisht, ka bërë që marrëveshjet të mos zbatohen”, ka theksuar Murtezaj.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuyçiq ka deklaruar se do të shkojë në takimin në Bruksel, për të biseduar me kryeministrin e Kosovës, Mustafa, lidhur me zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e arritur me 25 gusht të vitit 2015.

“Ne gjithmonë shkojmë me vullnetin e mirë. Po shkojmë që të bisedojmë për atë që jemi marrë vesh me 25 gusht. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për të biseduar dhe situatat më të rënda duhet zgjidhur me dialog. Kështu edhe do të vazhdojmë. Ne i kemi disa tema tona dhe shqiptarët me siguri se i kanë disa tema të tyre dhe bisedimet gjithmonë janë dinamike”, ka theksuar Vuçiq.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë qëndrimit në Ranillug, ka theksuar se përveç çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pala serbe do të kërkojë të bisedohet edhe për sundimin e ligjit dhe, siç i ka quajtur ai, të drejtën për gjykim të drejtë.

Por, Murtezaj ka përjashtuar mundësinë që kjo çështje do të mund të diskutohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Etiketën e sjelljes në tavolinën e negocimit askush askujt nuk mund t’ia diktojë. Megjithatë, kjo është temë krejtësisht ‘non sens’ dhe në këtë rast, për palën e Kosovës,ajo as që do të diskutohet. Nuk do të konsiderohen si tema, ato janë aspekte të drejtësisë”, tha Murtezaj.

Takimi i së mërkurës ndërmjet kryeministrave Mustafa dhe Vuçiq do të jetë i pari pas takimit të 25 gushtit të vitit të kaluar, kur u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që nxiti një krizë politike në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, ka konstatuar separimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.

Themelimi i Asociacionit po kundërshtohet ashpër nga opozita në Kosovë, e cila po vazhdon edhe më tej të kërkojë tërheqjen e kësaj marrëveshjeje nga ana e qeverisë së vendit. Kundërshtimet rreth kësaj çështjeje ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kosovë, kanë sjellë deri te zvarritja e krijimit të Asociacionit. (rel)

Ndryshimi në Kosovë – Zgjidhja janë zgjedhjet

Visar YmeriLëvizja VETËVENDOSJE! organizoi sot një tryezë me përfaqësues të shoqërisë civile, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rrugën drejt ndryshimit. Tryeza u hap nga Kryetari i VETËVENDOSJE!-s, Visar Ymeri, i cili bëri një përmbledhje të dështimeve të koalicionit qeverisës dhe të dëmeve që ky koalicion i ka sjell vendit ne lidhje me marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, por edhe sa i përket mungesës se hapave drejt zhvillimit ekonomik dhe shpërputhjes se plotë mes premtimeve elektorale të partive në pushtet dhe punëve të ekzekutivit. Më tej z. Ymeri nënvizoi rolin kyç që kanë përfaqësuesit e shoqërisë civile, gazetarët dhe opinionbërësit në Kosovë për realizmin e ndryshimit të domosdoshëm.

Përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile e morën fjalën duke vlerësuar nismën e Lëvizjes VETËVENDOJSE! për ta mbajtur një tryezë të tillë dhe për t’u konsultuar dhe koordinuar me shoqërinë civile. Shumë prej tyre ngritën shqetësimin për arrogancën dhe mungesën e llogaridhënies së qeverisë aktuale. Disa prej tyre u shprehën se shoqëria civile nuk mund të qëndrojë indiferente dhe neutrale ndaj krizës politike që ka kapluar vendin, dhe që tashmë është detyrë e çdo qytetari që të pozicionohet dhe të angazhohet për të sjell ndryshimin. Një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin të mendimit që me të gjitha dëmet që kjo qeveri i ka shkaktuar vendit dhe me shkeljet kushtetuese që ajo tashmë i ka bërë, është dashur që prej kohësh ajo vetë të largohej nga pushteti.

Për të realizuar ndryshimin e domosdoshëm për Kosovën, pjesëmarrësit propozuan mjete dhe metoda të ndryshme, por megjithatë pjesa dërrmuese e tyre ranë dakord mbi një emërues të përbashkët sa i përket rrugës për daljen nga kriza politike ku është futur vendi. Sipas shumicës së tyre, zgjidhja janë zgjedhjet. Pjesëmarrësit në këtë tryezë u dakorduan që të mbahen më shpesh takime të tilla koordinuese dhe konsultative në mënyrë që të flitet me një zë të përbashkët drejt zgjedhjeve të parakohshme.

25 janar 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Gjithçka që duhet të dini për të studiuar jashtë vendit

StudentetBesart Bajrami- Të shkosh përtej kufijve drejtë një eksperience të re, mund të jetë zgjidhje për krizat ekzistenciale pas-tinejxherë; të gjesh veten në ambiente të ndryshme është po aq sfiduese sa edhe e guximshme.

E në çfarë mënyre tjetër mund ta bësh më mirë këtë, përveç se të zgjedhësh një lokacion në hartë dhe të fillosh kërkimet për programe shkëmbimi në universitete të cilat ofrojnë alternativa të tilla. Kështu, përditshmëria e mërzitshme dhe prindërit që ndërhyjnë në jetën tuaj, ndonëse me qëllimin më të mirë për ju, do të përfundojnë. Një aventurë e këndshme ju pret në anën tjetër, rast të cilit i përshtatet edhe thënia: “bari është më i gjelbër jashtë oborrit tuaj”.

Pse të studiosh jashtë vendit?

Shumë njerëz mund të mos e shohin të arsyeshëm kalimin nëpër procese të lodhshme, që në fund të përfundojnë në një ambient të çuditshëm, me njerëz të panjohur të cilët nuk dinë as edhe një gjë të vetme për ju!A është më e vlefshme diploma apo në fakt vetë eksperienca është e një lloji të veçantë? Pikërisht.

• Të studiosh jashtë vendit është mënyrë e volitshme për të mësuar gjuhë të huaj
• Të studiosh jashtë vendit të ofron mundësi për udhëtime të shumta
• Të studiosh jashtë vendit do të thotë të fitosh njohuri nga afër për kultura tjera
• Të studiosh jashtë vendit të ndihmon në zhvillimin e aftësive të reja, e gjithashtu të ofron eksperiencë që nuk do të mund ta fitoje në asnjë lloj klase-mësimi në vendin tënd
• Të studiosh jashtë vendit të jep mundësi të krijosh shoqëri nga vende të ndryshme të botës
• Të studiosh jashtë vendit të ndihmon të njohësh veten më thellësisht
• Të studiosh jashtë vendit të ndihmon në zgjerimin e botëkuptimeve tuaja
• Të studiosh jashtë vendit të ndihmon në ndryshimin përditshmërisë akademike
• Të studiosh jashtë vendit do të rris mundësitë për punësim
• Të studiosh jashtë vendit do të shtoj vlerën e diplomës suaj

Ku të studioni?

Vetëm qielli mund të jetë kufi kur jeni duke vendosur të studioni jashtë vendit dhe kjo e bën procesin e vendimmarrjes edhe më të vështirë.
• A jeni duke ndjekur diversitetin kulturor, apo jeni pas një metropolisi të zhurmshëm që nuk pushon kurrë?
• A jeni duke u munduar të gjeni anën shpirtërore apo më shumë argëtim?
• A frikësoheni të jeni vetëm apo në fakt vlerësoni qetësinë dhe paqen?

Zakonisht, njerëzit ndjekin të kundërtën e asaj që u ofrohet në vendin e tyre, e sidomos kur duan të jenë pjesë e programeve për studim jashtë vendit. Në një moshë të caktuar ndjehet më shumë nevoja për ndryshim.

Gjermania po bëhet një prej vendeve më të dëshiruara për studentët e vendeve të ndryshme të interesuar për shkëmbim. Ky vend përmban universitete të nivelit botëror, histori të bujshme dhe perspektiva tërheqëse mbi mënyrën e jetesës. Njerëzit në Gjermani janë të afërt, por, edhe të vëmendshëm ndaj punëve të veta; pagesa mujore e qirasë është e lirë dhe kostoja e jetesës e përballueshme.

Berlini, si kryeqytet, është ikonë kulturore dhe mbledh njerëz nga e gjithë bota për të shijuar përsosshmërinë e tij. Në anën tjetër, sistemi i edukimit gjerman është joshës për çdo student të huaj, pa marrë parasysh prejardhjen.

Ndërsa, të studiosh në SHBA është mjaftë e vështirë për shkak të shtrenjtësisë, edhe pse ekziston numër i madh i mundësive për bursa që do të zbusnin këtë problem. Megjithatë, këto bursa duhet t’i fitoni në mënyrë të pavarur, dhe jo të gjithë mund të fitojnë.

Amerika si vend i mundësive dhe fillimeve të reja, është përplot jetë, energji dhe rreziqe – gjëra të cilat e bëjnë vend ideal për ata që janë të apasionuar ndaj këtyre rreziqeve.

Gjithashtu, në qoftë se nuk flisni rrjedhshëm gjuhën angleze, ky është momenti i artë që ta ndërroni këtë fakt, dhe të njoftoni njerëz të ri me pikëpamje të ndryshme për çështjet që ju interesojnë.

Të studiosh dhe të punosh në të njëjtën kohë, është ëndrra amerikane.

Në rast se jeni më të orientuar kah kultura, klasa dhe eleganca, atëherë Parisi do të ishte vendi ideal për ju. Megjithatë,Franca ka më shumë se Parisin.

Për nga sasia, do të befasoheshit nga numri i vogël i universiteteve prestigjioze, mirëpo, për sa i përket kualitetit…

Jetesa është porsi në filma të vjetër, të cilët aq shumë dëshirojmë t’i shikojmë, shëtitjen rrugët prej kalldrëmi, duke shijuar verë, djathëra dhe takime të ndryshme mund të tingëllojnë si më pak të rëndësishme, por në fakt luajnë rol mjaft të rëndësishëm. Në Francë, nuk do të mërziteshit asnjëherë, e aq më pak në qoftë se dini si të argëtoheni dhe të menaxhoni buxhetin tuaj.

Edhe Anglia mund të jetë një aventurë e këndshme, edhe pse do t’ju duhet të dëgjoni theksin e tyre të ndryshëm. Përveç Londrës së famshme, ka edhe shumë vende e gjëra të tjera për të parë në Angli. Ndërkaq, të studiosh në Angli mund të jetë paksa e ndërlikuar për shkak të proceseve komplekse të aplikimit. Po të pranoheni, nuk do të pendoheni në asnjë mënyrë!

Për shkak të traditës së lashtë e të pasur në dalje të ekspertëve nga shkollat angleze më prestigjiozet në botë, si student shkëmbimi duhet të ndjeheni të nderuar nga një rast i tillë, nga i cili do të mund të fitoni shumë. Provoni të nxirrni më të mirën, pasi që në këtë vend,koha ikën shumë shpejtë.

Studimi në Spanjë pa dyshim se do të jetë shkundje kulturore, pa marrë parasysh nga vini. Para së gjithash, ju do të keni rast të përvetësoni gjuhën më poetike. Njerëzit janë të afërt e mikpritës, ndërsa pagesat semestrale janë shumë të volitshme. Arti lulëzon në rrugët e Barcelonës e Madridit, por do t’ju ndjekë ngado që shkoni brenda Spanjës së bukur. Shkencat humane janë më të popullarizuara, prandaj në qoftë se jeni duke menduar të studioni shkencat shoqërore, Spanja është vendi më i përshtatshëm për ju.

Ngaqë, pritjet dhe interesat variojnë duke qenë personale, ja një vrojtim tëvendeve të huaja për studim të cilat janë në trend kohëve të fundit.

Si të studioni jashtë vendit?

Të shkoni në vend të huaj për të studiuar nuk është edhe aq e vështirë. Ekziston renditje kronologjike e gjërave që kërkojnë kujdesin tuaj, mirëpo për një kohë shumë të shkurtër mund të gjendeni në qytetin e ëndrrave tuaja. Nëse Evropa është targeti juaj, së pari duhet të siguroni vizën Schengen që të keni qasje në vendin për të cilin jeni përcaktuar. Megjithatë, ky hap nuk është i aplikueshëm për të gjithë. Fillimisht,shikoni dhe vërtetoni çfarë aplikohet për nënshtetësinë tuaj. Para se të bëni plane të mëtutjeshme, informohuni rreth kushteve dhe procedurave të aplikimit për Schengen vizë.

Për Amerikë kërkohet vizë studentore që të hyni ligjërisht në vend; ka disa kushte të caktuara të cilat duhet të plotësohen para se të aplikoni.

Megjithëse, këto procedura burokratike vijnë më vonë. Që të studioni jashtë vendit, në fillim aplikoni në programin adekuat, pastaj përzgjidhni universitetin dhe prisni përgjigjen, më saktësisht letrën e pranimit. E gjithë kjo mund të bëhet nga kompjuteri personal.

Pasi të përfundoni të gjitha procedurat zyrtare që janë në përputhje me qeverinë, mund të filloni kërkimin e vendbanimit të përshtatshëm e të përballueshëm në vendin e huaj. Vendbanim i juaji mund të jenë konviktet universitare apo apartamentet private. Keni parasysh të bëni zgjedhjen e duhur pasi që nuk do të jetë e lehtë të barteni nga një vendbanim në tjetrin.

Qëndrimi në bujtinë në ditët e para derisa të përcaktoheni, është ide e mirë. Ose,qëndroni tek ndonjë i njohur apo familjar deri sa të gjeni apartamentin që përmbushë standardet e juaja.

Si të financoj studimet jashtë vendit?

Pikë së pari, aplikoni online për bursë dhe angazhohuni që të fitoni bursën. Së dyti, mund të aplikoni për kredi studentore në bankën që ofron kushtet më të mira për ju. Këtë kredi do të mund ta paguani pasi të mbaroni studimet. Me siguri kjo shumë nuk është e mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat e jetës, megjithatë është më mirë se aspak.

Përndryshe, në shumë vende ju lejohet të punoni përgjatë studimeve. Puna me orar të shkurtuar që nuk kërkon shumë vëmendje ju lejon të përqendroheni në studime, të cilat padyshim se janë prioriteti juaj. Paga, në shumicën e vendeve është minimum i pagave që ekzistojnë, mirëpo, mund t’ju ndihmoj në ngarkesën tuaj financiare.

Çfarë mund të ndodh përderisa studioni jashtë vendit?

Shumëçka mund të ndodh përderisa jeni duke studiuar jashtë vendit, prandaj nëse nuk jeni të vëmendshëm, gjërat mund t’ju dalin nga kontrolli. Mbi të gjitha,ndryshimi i ambientit mund të ndikoj drejtpërdrejtë në shëndetin tuaj,e spitalet në vendetë zhvilluara janë shumë të kushtueshme. Për këtë arsye, anëtarësimi në sigurim shëndetësor është shumë i nevojshëm.

Duke qenë të rinj, jeni edhe të pavetëdijshëm ndaj shumë pasojave – kjo është e pranueshme, në të kundërtën koncepti i të mësuarit do të ishte koncept krejtësisht i pavend!Mosvetëdijësimi në këtë rast është ekuivalent me mungesën e eksperiencës. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të jeni të pakujdesshëm, veçanërisht në një ambient krejt të ri e përplot të huaj.

Mos harroni se jeni aty që të mësoni dhe të argëtoheni; dy gjëra të cilat qëndrojnë përkrah njëra-tjetrës. Nëse neglizhoni njërën, do të humbni tjetrën. Pa mundim, nuk ka fitim! /Telegrafi/

FMN i shqetësuar për krizën në Kosovë

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar bëri të qartë në Prishtinë se vazhdimi i krizës do ta përkeqësojë gjendjen në ekonomi. Organizata e tij në këtë rast duhet të bëjë korrigjime të prognozave.

FMNKriza politike në Kosovë paraqet “rrezikun kryesor” për një marrëveshje financimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ajo mund të ndikojë në korrigjimin e parashikimit të zhvillimit të Kosovës për këtë vit dhe për vitet në vazhdim. Këtë paralajmërim e bëri Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një deklaratë të hënën. “Ne e shohim bllokadën politike dhe tensionet si rrezik serioz për programin”, tha Ruud Vermeulen, përfaqësuesi i FMN në Kosovë në një konferencë shtypi për marrëveshjen e huasë. “Ne jemi të shqetësuar se kjo mund të minojë besimin e investorëve”, shtoi ai.

FMN: Kosova 3.8 përqind rritje për 2016

Vermeulen tha se ekonomia e Kosovës pritet të shënojë një rritje prej 3.8 përqind këtë vit dhe 4.1 përqind në vitin 2017. Rritja ekonomike e Kosovës vitin e kaluar ishte 3.5 përqind, 0.3 përqind më e lartë se parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Burimet kryesore të rritjes qenë përcjelljet financiare nga migrantët dhe investimet e huaja.

Por nëse situata aktuale vazhdon ose përkeqësohet, neve ndoshta do të na duhet ta korrigjojmë parashikimin për këtë vit dhe për vitet e ardhshme.

Kosova ra dakord për një marrëveshje dyvjeçare financimi nga FMN në korrik të vitit të kaluar. Marrëveshja kap shumën 184 milionë euro. (dw)