Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Selimi: Kjo Qeveri duhet të shkojë sa më parë

rexhep selimiDeputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e ka komentuar edhe një herë deklaratën e ambasadores franceze në vendin tonë lidhur me flamurin kombëtar. Ajo ka kërkuar që më shumë të përdorët flamuri shtetëror i Kosovës.

“Ne jemi në vendin tonë, qysh me i pengu dikujt flamuri ynë në vendin tonë. Në vazhdimësi kjo grua po vazhdon me na pasë ‘target’. Kjo nuk është puna e saj”, tha Selimi në emisionin “Rrokum Roll” të TV Rrokum.

“I ka penguar flamuri shqiptar te xhaketat tona, te rrethi, te Komuna. Më duket që e ka tepru”, shtoi ai.

“Përmbysje e rendit kushtetues në tentativë”, e vlerësoi Selimi vendimin e Kushtetueses lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Këta të njëjtit nuk e kanë pranuar edhe kur iu kemi thënë se këto pika nuk janë në përputhje me Kushtetutën”, tha Selimi.

Sipas tij, qeveria duhet të zgjedh mes ‘Zajednicës’ dhe Kushtetutës, por siç tha ai “për fat të keq Qeveria ka zgjedh me respektu marrëveshjen e Serbisë”.

“Janë dy njerëz që kanë dy qëllime personale dhe që më nuk janë të fshehta”, tha ai.

“Ministri i Jashtëm don me u ba President, i cili ka nevojë për kryeministrin, i cili është kryetar i partisë në koalicion, i cili gjithashtu ka nevojë për votat e tij. Pra kanë nevojë për njëri-tjetrin. Po nëse dojnë këta me nderue njëri-tjetrin, le ta ndërojnë pa e dëmtuar vendin”, vlerësoi Selimi.

“Këta po dojnë me i mbajt raportet me Beogradin, e që në këtë raport ka shumë gjëra tjera, por ne i dimë veç këto dy marrëveshje”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria e di që nuk ka shans të implementohen këto marrëveshje, “por veç po donë me ble kohe për me kap postin e Presidentit dhe me vazhdue mandatin e Qeverisë”.

Në vazhdim Selimi, duk folur për Qeverinë, tha se “ata po i thonë gjërat ashtu qysh kanë deshirë me i pa’.

“Po thonë se kemi qenë pak në protestë,sepse ashtu kanë pasë dëshir. Po thonë se domë me marr pushtetin me dhunë se ashtu po donë ata. Po na krahasojnë me ISIS, se kanë dashtë me pa flamurin e ISIS-it në ate protestë. Fotografia kryesore është masoviteti”, tha Selimi për protestën e 9 janarit.

“Ne veç po vazhdojmë kundërshtimin tonë, si opozitë e bashkuar dhe me qytetarinë aktive. E vetmja gjë që mundet me ndryshu, është intensiteti jonë. Prandaj është mirë që kjo Qeveri me shkue sa më herët”.

Selimi tha se do të ketë protestë, por ka hezituar të jap datën e saktë e mbajtjes së protestës. /Telegrafi/

IMAZHI I KOSOVËS NË VENDET GJERMANO – FOLËSE, JO I MIRË

oda ekonomike gjermaneImazhi i Kosovës në vendet gjermano – folëse, nuk është i mirë, prandaj mungojnë investimet kualitative nga këto vende, ka thënë për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Samir Krasniqi.

Kryeministri Isa Mustafa, në fillim të mandatit të tij prej kryeministri,  kishte thënë se do të sjellë më shumë investime në vend nga perëndimi, se që kishte ndodhur deri atëherë në Kosovë.

Por, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Samir Krasniqi thotë se asgjë nuk ka ndryshuar nga e kaluara dhe se për të bërë këtë ndryshim, duhen vepra.

“Një investitor i huaj gjerman, kur vendos të zgjerojë biznesin e tij, natyrisht që shikon ku ti drejtojë këto mjete. Kosova nuk është një vend aq interesant për investitorët e huaj. Prandaj qeveria Mustafa duhet të fokusohet konkretisht në biznese që do të kishin interes në Kosovë.”

Në një konkurrencë globale, për të tërhequr investime kualitative, duhet qenë edhe vend atraktiv. Por ky imazh, i mungon Kosovës, thotë kryetari Krasniqi:

“Imazhi i Kosovës, jashtë Kosovës posaçërisht në Gjermani, nuk është i mirë. Ne natyrisht themi që në Kosovë është më mirë se që është imazhi, por duhet punuar shumë në atë drejtim që ta përmirësojmë imazhin e keq që e kemi në vendet gjermanisht-folëse, posaçërisht në Gjermani.”

Krasniqi po ashtu thotë se vitin e kaluar vendi nuk ka pasur rritje të investimeve kualitative, që do të krijonin të reja vende pune e rritje të eksportit.

“Pavarësisht nga ajo që thuhet nga qeveria se ka rritje në krahasim me vitin 2014, unë them se nuk është arritur si qëllim, dhe ka mjaft pak investime të huaja dhe nëse ato janë nuk janë të fokusuara në investime të tilla të cilat do të sjellin përfitime, rritje të vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik në tërësi. Ato investimet e huaja, kryesisht janë në patundshmëri dhe në qiradhënie.”

Ai thotë se në kontakte me investitorë potenciale gjermanë, ka ankesa për të njëjtat probleme, e ngecje të të bërit biznes në Kosovë. (rtk)

Opozita e vendosur për vazhdimin protestave

protesta prishtinePartitë politike opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, mbajtën një takim me strukturat partiake në Prishtinë, ku deklaruan se, si opozitë, nuk do të ndalen me protesta paqësore deri në largimin nga pushteti të qeverisjes aktuale.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se opozita, me protesta e kundërshtime do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, pasi, që sipas tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministriHashim Thaçi, po vazhdojnë rrënimin dhe falimentimin e Kosovës.

“Këta përmbysës të rendit kushtetues të vendit, jo vetëm që po vazhdojnë ta mbajnë të uzurpuar institucionin publik, jo vetëm që po vazhdojnë t’i sulmojnë për çdo ditë institucionet e demokracinë me vendimet e tyre shtet-kapëse, por po vazhdojnë ta kërcënojnë sovranitetin e Republikës me të njëjtën mënyrë, me të njëjtin instrument pra me Zajednicë. Ata po vazhdojnë t’ia djegin të ardhmen këtij populli të Republikës, ndërkohë si kundër përgjigje ndaj kësaj, vazhdojnë ta ofendojnë këtë popull publikisht”, tha Ymeri.

Ndërkaq, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi se liderët e partive të koalicionit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, janë mashtrues. Sipas tij, të njëjtitkanë armiqësuar e popullin ndërmjet vete.

“Ata që po vendosin për ne, për Kosovën, janë mashtrues, janë hileqarë dhe nuk janë të dinjitetshme në detyrat në përgjegjësit që i kanë. Udhëheqësit e Kosovës të tashëm, vendim-marrësit e institucioneve, besoni e kanë nxitur popullin deri në vëllavrasje, në emër të disa vlerave, të cilat ata kanë menduar se vetëm ata i posedojnë, e i trashëgojnë dhe kanë të drejtë të thirren në to. Sot janë bashkë pa pikë fytyre i nëpërkëmbin ato vlera, me të cilat e kanë armiqësuar qytetarin”, theksoi Haradinaj.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, derisa foli para një numri të konsiderueshme të qytetarëve në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, tha se më 9 janar u tregua një faqe e re e Kosovës, dhe siç u shpreh ai, u dha mesazh i qartë se Kosova nuk pranon më që të udhëhiqet nga shkelësit e Kushtetutës.

“Protesta e 9 janarit e dha mesazhin me të mirë. Koha e mashtruesve ka përfunduar. Ne nuk ndjekim dhe përndjekim emra të njerëzve, ne përndjekim veprimet e tyre. Ne nuk shantazhojmë, kërcënojmë e frikësojmë njerëz ashtu siç kanë bërë deri tani”.

“Ne duhet të sigurohemi se në Kosovë ka ardhur një moment i ri i ndryshimit. Kosova duhet të respektohet; kërkesat e saj duhet të dëgjohen, interesat e saj duhet të mbrohen. Kjo është ajo që ne kërkojmë dhe kjo është ajo që ne duam ta kemi në një Kosovë të re dhe ndryshe nga ajo që ka qenë deri më tani”, u shpreh Limaj.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, më 9 janar kanë mbajtur njëprotestë me moton “Protestojmë për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë anti-kushtetuese”.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Opozita, kërkesave të deritashme, për anulimin e këtyre marrëveshjeve, ua ka shtuar edhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi. (rel)

Reichel: Jemi të shokuar me dhunën e opozitës në Kosovë

Intervistë ekskluzive me Ernst Reichel, i ngakurar i Ministrisë së Jashtme gjermane për Ballkanin Perëndimor. Ai flet për demonstratat, dhunën, dialogun me Serbinë, zgjedhjen e Thaçit për president, zgjedhjet e reja…

Ambasadori ReichelDeutsche Welle: Zoti ambasador Reichel, parlamenti i Kosovës është bllokuar në disa muajt e fundit, ndërkohë që kanë vazhduar edhe protestat dhe demonstratat në rrugë kundër qeverisë së Kosovës. Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Kosovë?

Ernst Reichel: Ne këtu në Gjermani dhe në bashkësinë ndërkombëtare jemi të shokuar me dhunën e cila po përhapet në Kosovë, pra edhe për dhunën në fundjavën e kaluar gjatë demonstratave të opozitës. Ajo që shqetëson edhe më shumë është që opozita nuk është distancuar qartë nga kjo dhunë. Ne kemi përshtypjen se opozita gjendet në një rrugë të gabuar, nga e cila duhet të kthehet sa më parë. Ne jemi të bindur se kemi nevojë që të kthehemi në rrugën demokratike, ku mund të zhvillohet një debat demokratik për mendimet dhe qëndrimet e ndryshme. Debati duhet të zhvillohe në parlament me argumente dhe jo me gaz lotsjellës apo koktej molotov.

DW: Si mund të dilet nga kjo situatë, a shihni ju ndonjë zgjidhje?

Ernst Reichel: Besoj se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje tjetër veçse kthimit të opozitës në rrugën parlamentare. Opozita duhet të respektoj rregullat parlamentare. Nuk është e mundur që opozita t’i shkellë rregullat demokratike dhe të përdorë dhunë dhe kjo të shpërblehet për këto vepra.

DW: Në protestat e fundit opozita ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. A është kjo zgjidhja ndoshta më e mirë në këtë situatë?

Ernst Reichel: Jam i bindur se nuk është ndonjë zgjidhje, që një opozitë me një numër shmë më të vogël deputetësh, vetëm për shkak të optruksioneve dhe inskenimit të dhunës në parlament dhe në rrugë, të shpërblehet me zgjedhje të reja. Nëse pranohet kjo metodë, që zgjedhjet të imponohen me dhunë, atëherë kjo mund të përdoret gjithmonë si model. Paramendoni sikur partitë që janë tani në pushtet të humbin në zgjedhje. Më pas edhe ato me siguri që mund të përdorin të nëjtat metoda dhe kështu do të kishim gjithmonë zgjedhje të reja, të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

DW: Opozita ka kërkuar tërheqjen e marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe si dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. A është e mundur tërheqja e këtyre marrëveshjeve, shikuar nga perspektiva ndërkombëtare?

Ernst Reichel: Gjykata Kushtetuese e ka dhënë mendimin e vet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këtu në fakt duhet pritur që opozita të kënaqet me këtë vendim dhe të pranoj që qeveria e zgjedhur të punojë mbi bazën e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Opozita në njërën anë feston këtë vendim të Gjykatës, e në anën tjetër nuk e kpranon atë dhe nuk lejon të punohet mbi bazat e vendimit të Gjykatës. Ndërsa sa i përket demarkacionit të kufirit: pala malazeze ka ofruar që së bashku ma palën kosovare të rishikohet gjendja. Por opozita nuk është e kënaqur as me këtë, ndaj mund të fitohet përshtypja se opozita është më pak e interesuar për shpjegimin e këtyre gjërave dhe më shumë për rrëzimin e qeverisë së zgjedhur nga një shumicë e madhe parlamentare.

DW: Por opozita e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe si hapin e parë për themelimin e një krijese të ngjashme me Republikën Serpska në Bosnjë-Hercegovinë, që mund të çojë edhe deri te ndarja e Kosovës. A ekziston vërtetë ky rrezik?

Ernst Reichel: Për fat të keq edhe këtu përdoren shumë pak argumenta dhe po bëhet një lloj gare se kush është më i zëshmi në paraqitjen e spekulimeve dhe kush po i përsëritë ato më shpesh. E vërteta është ajo që bashkësia ndërkobmëtare e ka thënë prej fillimit: Nuk do të ketë një Republika Serpska të re dhe këtë nuk do ta pranojmë. Është shumë e qartë që Asociacioni bazohet tek ligjet e tanishme të Kosovës, sikur edhe asociacioni i tanishëm që ekziston. Asociacioni i ka bazat edhe tek Plani i Ahtisarit, e ky Plan paraqet bazën e pavarësisë së Kosovës. Sikur të ishte kështu, do të thoshte që bashkësia ndërkombëtare është duke punuar kundër interesave të veta, gjë që nuk është fare e vërtetë dhe askush nuk dëshiron një mundësi të këtillë. SHBA, Gjermania dhe vendet e tjera në BE-së, nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës, krjimin e një shteti në shtet, apo të një Republike Serpska të re. Ky perceptimi i opozitës nuk ka të bëjë me realitetin.

DW: Gjermania i takon vendeve të cilat pa rezerva e kanë mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. A mund të paramendohet vazhdimi i dialogut në këtë situatë të nxehtë politike dhe në veçanti a është i mundur zbatimi i marrëveshjeve?

Ernst Reichel: Është shumë e qartë që situata e tanishme politike në Kosovë i vështirëson shumë veprimet politike të qeverisë, e cila është nën presion, gjë që po shihet shumë mirë. Por në interesin fundamental të Kosovës është që dialogu të vazhdojë. Me këtë dialog vendosen bazat fundamentale të interesit të Kosovës për sovranitet dhë kjo duhet të realizohet. Në njërën anë, duhet të shuhen strukturat paralele serbe, siç ka kërkuar edhe kancelarja Merkel në vitin 2011 në Beograd. Dhe në anën tjetër, duhet të vendosen mekanizmat për kontrollin efektiv të sovraniteit të Republikës së Kosovës edhe në veri të vendit. Rruga për arritjen e këtyre qëllimeve është dialogu dhe pa dialog nuk mund të pritet realizimi i këtyre interesave.

DW: Një prej kritikave të opozitës dhe të një pjese të popullatës kosovare është që nga ky dialog po përfiton vetëm Serbia, sepse ajo është shpërblyer me negociata për anëtarësim në BE, ndërsa qytetarët e Kosovës nuk gëzojnë as lirinë e lëvizjes pa viza. Cilat janë argumentet tuaja kundër këtyre pohimeve?

Ernst Reichel: Siç e thash: me këtë dialog duhet të realizohen interesat fundamentale të Kosovës për vendosjen e sovranitti. Sa i përket Serbisë, asaj sikur edhe të gjithë vendeve të tjera të Ballkanit u është premtuar në Selanik se dikur të jenë anëtare të BE. Në rastin e Serbisë kemi paraqitur jo vetëm kushtet normale për ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë sipas modelit evropian, por si kusht shtesë kemi kërkuar edhe normalizimin e raporteve me Kosovën. Pra Serbia duhet të plotësojë edhe këtë kusht shtesë dhe kur i shikon reagimet në Beograd, shihet shumë qartë që Serbia nuk e ka fare të lehtë t’i plotësojë këto kushte.

DW: Zoti ambasador, si duhet të përfundojë ky proces? A duhet ta njoh Serbia Kosovën si shtet në fund të këtij procesi, apo keni parashikuar ndonjë model tjetër?

Ernst Reichel: BE nuk ka marrë deri tani ndonjë qëndrim të prerë për këtë çështje. Formulimi i tanishëm është normalizimi i plotë i raporteve. Më duket që kjo është e kuptueshme, sepse BE nuk duhet të përcaktojë të gjitha në këtë moment. Palët janë duke biseduar mes vete dhe BE nuk duhet të imponojë zgjidhje. Ndërkohë që dialogu duhet t’i lëvizë palët drejt kompromisit dhe zgjidhjes së përbashkët. Ndaj nuk do të ishte me interes që BE të dal tani me ndonjë qëndrim të prerë, sepse BE duhet të lehtësojë këtë proces.

DW: Zoti ambasador, kur do të lëvizin kosovarët pa viza në zonën Shengen?

Ernst Reichel: Nuk mund të parashikoj gjërat. E kaluara në mëson se gjërat nuk zhvillohen gjithmonë ashtu siç parashikohen. Por kosovarët duhet të kuptojnë se procesi i liberalizimit të vizave nuk ka përfunduar. Askush nuk e ka refuzuar liberlaizimin e vizave. Liberalizimi i vizave mbetet si synim i BE-së dhe i qeverisë së Kosovës. Gota me kushtet e parashtruara ende nuk është mbushur 100%. Pra kushtet nuk janë plotësuar në tërësi. Por shihet shumë qartë që qeveria e Kosovës po punon me zell që t’i plotësojë edhe kushtet e mbetura. Komisionieri përkatës i BE Avramopulos, do të shkojë në shkurt në Kosovë dhe besoj se pas kësaj vizite do të dimë diçka më shumë për gjendjen e këtij procesi.

DW: A mund të ndihmojë Gjermania që Kosova të “mbushë këtë gotë me kushte”?

Ernst Reichel: Në radhë të parë kjo është detyrë e Kosovës. Mendoj se këto kushte mund të plotësohen dhe t’ju them të drejtën, aktualisht nuk po shoh ndonjë mukndësi ku qeveria gjermane muknd të ndihmojë konkretisht.

DW: Po a ka qeveria gjermane ndonjë mendim konkret për mundësinë e zgjedhjes së Hashim Thaçit për president të Kosovës? Siç dihet, në mandatin e kaluar presidnetja Jahjaga, siç thuhet në Kosovë, “ka dalur nga zarfi” dhe është bërë presidente. A do të ketë edhe kësaj radhe ndonjë zgjidhje të ngjashme?

Ernst Reichel: Jo, ne nuk kemi ndonjë mendim për këtë çështje. Presidenti duhet të zgjidhet me një proces kushtetues në parlament, por kjo nënkupton që parlamenti duhet të funksionojë. Zgjadhja e presidentit është pjesë marrëveshjes për krijimin e koalicionit ndaj mendojmë se kjo edhe do të ndodhë.

DW: Zoti ambasador, ne së bashku konstatuam që gjendja në Kosovë nuk është e qetë. Maqedoninë së shpejti e presin zgjedhje të reja. Në Bonjë-Hercegovinë ka mosmarrëveshje të shpeshta mes Republikës Serpska dhe Federatës boshnjako-kroate. Ndërkohë që së fundi ka pasur një lloj gare për armatim mes Serbisë dhe Kroacisë. Çfarë na tregon kjo: a mund të thuhet se Ballkani edhe më tej është një fuçi baroti dhe a kane frikë nga shjpërthimi i kësaj fuçie?

Ernst Reichel: Jo, besoj së është e tepruar nëse flasim për një fuçi baroti. Në disa vende të Ballkanit kemi një trend pozitiv, në disa të tjera më pak. Ende ka shumë probleme por edhe gjendaj po dramatizohet tepër, që është një veçori i Ballkanit Perëndimor. Por megjithë këto gjëra që i përmedët ju, ka edhe shumë zhvillime pozitive. Një përgjithësi mund të thuhet se kemi një trend pozitiv. Përparime ka edhe në Kosovë por këto përparime nuk përputhen në tërësi me pritjejt e njerëzve, të cilët duan një përparim shumë më të shpejtë. Dha nga kjo rrjedhë presioni politik, të cilin po e përjetojmë tani.

DW: Në Ballkanin Perëndimor flitet gjithnjë e më shumë për rolin e shtuar të Rusisë në Serbi dhe në disa rajone të tjera. Si e shihni ju rolin e Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e armatimit të Serbisë dhe Kroacisë, që ka shkaktuar së fundi tendosje mes tyre?

Ernst Reichel: Unë besoj tek drejtimi strategjik i Serbisë drejt BE-së dhe bashkësia e vendeve perëndimore. Sa i përket procesit të armatimit të Kroacisë, kjo është një çështje e cila do të harrohet shpejt. E vërtetë është që Rusia i ka formualuar më qartë interesat e saj në disa rajone të Ballkanit. Por ne besojmë tek perspektiva e integrimeve euroatlantike dhe Rusia nuk është motivi qendror për politikën tonë në Ballkan. Motivi i angazhimit tonë është interesi fundamental që ky rajon i cili i takon Evropës, të zhvillohet në drejtimin e duhur dhe që në fund edhe në aspektin politik dhe jo vetëm gjeografik, të bëhet pjesë e Evropës së përbashkët. (dw)

Dialogu Kosovë – Serbi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Ministrja kosovare e Dialogut Edita Tahiri, flet në intervistë për DW, për fazën në të cilën ndodhet dialogu Kosovë-Serbi, formatin e dialogut në të ardhmen dhe takimin e radhës Mustafa-Vuçiq.

edita tahiriDW: Znj. ministre, në ç’fazë ndodhet dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë ndikuar zhvillimet politike në Kosovë në këtë dialog?

Edita Tahiri: Kjo fazë e dialogut mund të cilësohet më shumë fazë e zbatimit të marrëveshjeve. Çështja është sipas marrëveshjeve që janë arritur dhe sipas afateve janë në rrjedhë zbatimi, po ka edhe marrëveshje të cilat për nga cilësia nuk zbatohen si duhet si dhe kohë pas kohe ka edhe shkelje marrëveshjesh. Por, çështja e zbatimit që është temë që më shumë e merr fokusin është çështja e ndërlidhjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe për zhbërjen e të gjitha strukturave paralele serbe. Në kohën kur ne kemi biseduar për asociacionin, ne si palë në bisedime kemi kërkuar që procesi i hartimit të statutit, që ende nuk ka filluar dhe zhbërja e strukturave paralele të jenë procese sinkrone, në mënyrë që pasi të ndodhë zhbërja e verifikueshme e strukturave paralele serbe, atëherë, ne do ta themelojmë asociacionin. Kjo është çështja e këtij fillimviti dhe që do të marrë kohë derisa të dyja proceset të kryhen si duhet dhe më pas do të rumbullakosen me zbatim.

DW: Zonja Tahiri, kur ndalemi tek asociacioni, për këtë çështje tash në Kosovë ka rrethana të reja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë se disa pika të marrëveshjes së 25 gushtit të vitit 2015 nuk janë në përputhsje me frymën e kushtetutës. Si do të vazhdohet me themelimin e asociacionit ashtu siç po thoni ju?

Edita Tahiri: Ne si qeveri e kemi bërë një analizë të hollësishme të udhëzimeve që kanë dalë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i kemi mirëpritur ato dhe të gjitha këto udhëzime me përpikmëri do të zbatohen në procesin e hartimit të statusit të këtij asociacioni. Gjykata Kushtetuese marrëveshjen e parimeve nuk e ka kthyer për rinegocim dhe as nuk ka pasur ndonjë vërejtje që ndonjë pikë eventuale të kthehet në rinegocim. Gjykata ka thënë që asociacioni të themelohet, por hartimi i statutit duhet të respektojë të gjitha ato udhëzime, me fjalë tjera të jetë i qartë në respektimin e Kushtetutës së Kosovës. Tjetra, zakonisht marrëveshjet ndërkombëtare janë marrëveshje të një gjuhe që negociohet, mirëpo, preambula e marrëveshjes së parimeve thotë qartë që asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë bazohet në ligjet e Kosovës dhe praktikisht bazohet në ligjin e ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të të dyja shteteve. Pra, kjo është baza ligjore që e ka bërë këtë marrëveshje dhe ne vazhdimisht kemi thënë që është në pajtim me kushtetutën dhe po ashtu pika e dytë e marrëveshjes thotë se kjo marrëveshje por edhe statuti në faza të mëvonshme duhet të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra, ajo që kemi arritur është që asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe me këtë rast si i tillë nuk mund të jetë i dëmshëm.

DW: Znj. Tahiri, sa e bën të vështirë përputhshmërinë e asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës, nëse kemi parasysh faktin që marrëveshjet ndërkombëtare në këtë rast ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo domosdoshmërisht mund të jetë në përputhje me kushtetutat e vendeve negociuese?

Edita Tahiri: Marrëveshja për asociacionin është një marrëveshje e parimeve, nuk është një akt juridik. Akt juridik do të jetë statuti i asociacionit, i cili duhet të jetë në pajtueshmëri me kushtetutën dhe pikërisht këtë e kërkon Gjykata Kushtetuese.

DW: Le të kthehemi te zbatimi i marrëveshjeve. Vazhdimisht ju dhe qeveria e Kosovës e keni akuzuar Serbinë se nuk po i zbaton marrëveshjet. Më intereson të di se cilat janë ato marrëveshje që Serbia nuk po i zbaton?

Edita Tahiri: Në fakt kur unë jap vlerësime për këtë proces në emër të qeverisë së Kosovës kam thënë gjithmonë që Serbia nuk i zbaton sa duhet dhe si duhet marrëveshjet. Me këtë kam menduar që Serbia derisa në një anë zbaton marrëveshjet, në anën tjetër ende i mban strukturat paralele në Kosovë dhe ky standard i dyfishtë i Serbisë, e cila raporton në Bruksel që i ka zbatuar marrëveshjet dhe në anën tjetër mban strukturat paralele, kjo për neve nuk është zbatim cilësor i marrëveshjes. Shembull kemi komunat me shumicë serbe, që krahas atyre strukturave që kanë dalë nga zgjedhjet lokale të Kosovës, Serbia i fuqizon komunat paralele dhe i pengon strukturat komunale legjitime. Pra hiç më larg sesa më 6 janar të këtij viti, Serbia ka bërë riemërime të strukturave komunale në pjesë tjera të Kosovës. Bashkimi Evropian e ka kuptuar këtë qasje të Serbisë, prandaj i ka vendosur Serbisë kushtin e kapitullit të 35 në negociatat për anëtarësim, në të cilin kapitull janë të evidentuara të gjitha shkeljet apo shmangiet dhe dualizmat që Serbia i ka bërë në teren.

DW: Znj. ministre, i gjithë dialogu me Serbinë është zhvilluar në frymën e integrimit të të dyja vendeve Kosovës dhe Serbisë në strukturat e BE-së. Serbia tashmë ka nisur negociatat për anëtarësim, ndërsa, Kosova pos marrëveshjes së MSA-së nuk duket të ketë përfituar gjë tjetër. Madje Kosova nuk e mori as liberalizimin e vizave. Pyetja që e shtron opozita, madje me një gjuhë më të lehtë edhe strukturat qeveritare se a ia vlen të vazhdohet me dialogun?

Edita Tahiri: E para dua të them se derisa folëm për situatën reale të zbatimit të marrëveshjeve, më lejoni të bëj një analizë të shkurtër se si ka qenë gjendja ndërmjet dy shteteve para se të fillojë dialogu dhe sot pas pesë viteve të dialogut. Dua t’i përmend disa. Që nga paslufta kemi pasur polici paralele serbe, tash nuk kemi më. Pastaj kemi rastin e dy pikave kufitare në veri Jarinje dhe Bërnjak, të dyja këto pika janë nën kontrollin e plotë të institucioneve të Kosovës. Kemi lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës edhe nëpër Serbi, kemi rastin e sigurimit të automjeteve. Në raport me integrimet evropiane, Kosova ka fituar marrëveshjen e MSA-së, pra ky është përparimi i Kosovës, ndërsa, liberalizimi i vizave nuk ndërlidhet me dialogun e Kosovës me Serbinë. Por gjithsesi e themi se për liberalizimin e vizave BE-ja ka qenë jo e drejtë me qytetarët e Kosovës. Pra proceset e integrimit të Kosovës dhe Serbisë janë të ndara.

DW: Kur do të jetë takimi i radhës i nivelit politik ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë?

Edita Tahiri: Në bazë të njoftimeve zyrtare të paralajmëruara edhe në media, është thënë 27 janari, por informacioni më i saktë është pas takimit që më 15 janar një delegacion i BE-së viziton Kosovën, që ka për qëllim përgatitjen e takimit të kryeministrave, Mustafa dhe Vuqic. Kryeministri i Kosovës e ka dhënë një deklaratë që thotë se jam i fokusuar në liberalizim dhe thotë se pa u bërë liberalizmi, as ai vet nuk dëshiron të udhëtojë, duke u solidarizuar me qytetarët e Kosovës, të cilët nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Sidoqoftë, pas vizitës së delegacionit të BE-së në Kosovë mund të prononcohemi rreth takimit të radhës ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

“Der Standard”: Bildt ose Ahtisaari ndërmjetësues në krizën e Kosovës?

Kosova Artikel bildGazeta austriake “Der Standard” shkruan se për të dalë nga kaosi politik në Kosovë po kërkohet një ndërmjetësues ndërkombëtar. Qeveria e Kosovës ka negociuar pas dyerve të mbyllura për bashkësinë e komunave serbe, qytetarët ndihen të përjashtuar. Ekspertë të Kosovës si Johanna Deimel nga Shoqata Gjermane për Evropën Juglindore kërkojnë që Lëvizja Vetëvendosje të merret seriozisht dhe të mos injorohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Prej muajsh Kosova gjendet në një qorrsokak politik. Pas dhënies së pëlqimit nga Qeveria e Kosovës për të themeluar një bashkësi të komunave serbe në Kosovë, opozita ka bllokuar disa herë punën e parlamentit dhe ka zhvilluar protesta publike – herën e fundit të shtunën që shkoi, me ç’rast si asnjëherë më parë mijëra kosovarë dolën në rrugë për të protestuar kundër elitës politike.

Mediumet perëndimore kanë qëndruar kryesisht indiferente ndaj krizës në Kosovë. Asnjë nga gazetat e mëdha gjermane nuk ka shkruar gjerësisht për betejën politike në Kosovë mes partive qeveritare dhe opozitës. Gazeta austriake “Der Standard” shkruan të mërkurën se besimi i kosovarëve është zbehur, mes tjerash, edhe për shkak se Serbia ka bllokuar hyrjen e Kosovës në UNESCO. Pa iu referuar ndonjë burimi kjo gazetë shkruan se përballë krizës politike që po dominohet nga gazi lotsjellës, vezët dhe spreji, thirrjet për një ndërmjetësues po bëhen gjithnjë e më të zëshme. “Thuhet se ai jo patjetër duhet të jetë nga Bashkimi Evropian, një si Martti Ahtisaari duhet të vijë, është përmendur edhe emri i suedezit Carl Bildt. Po mendohet po ashtu të angazhohet edhe Komisioni i Venedikut”.

“Der Standard” shkruan se marrëveshja për bashkësinë e komunave serbe po hidhet poshtë edhe për shkak se Qeveria e Kosovës ka negociuar me Serbinë pas dyerve të mbyllura. Qytetarët e Kosovës, sipas gazetës nga Vjena, po ndihen të përjashtuar nga ky proces dhe nuk kanë ide ç’po ndodh. Shqiptarët e Kosovës po ashtu kanë frikë se me këtë marrëveshje Beogradi do të përzihet edhe më shumë në Kosovë.

“Gjithë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës po ecën kryesisht keq. Përkundër përpjekjeve shumëvjeçare (vetëm në nivel të lartë janë zhvilluar 40 takime) janë zbatuar vetëm katër prej 17 pikave. Por kriza është më e gjerë. Të rinjtë kosovarë nuk po shohin perspektivë për shkak të varfërisë dhe papunësisë dhe janë tepër të zhgënjyer me qeveritarët. Vetëm 20 për qind janë të kënaqur me punën e parlamentit – më 2008 kanë qenë, sipas OKB-së, 51,4 për qind. Vetëm 13,9 për qind i besojnë gjykatave”, shkruan “Der Standard”.

Sipas gazetës austriake e vetmja parti në Kosovë që fokusohet më shumë në problemet përmbajtësore është Lëvizja Vetëvendosje, e cila injorohet nga bashkësia ndërkombëtare. Ekspertë të Kosovës si Johanna Deimel nga Shoqata Gjermane për Evropën Juglindore kërkojnë që kjo parti të merret seriozisht dhe të krijohen kontakte me partitë në BE. Brenda kësaj partie ka edhe “forca të arsyeshme – si kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti”. Gazeta austriake “Der Standard” është e bindur se “Vetëvendosje është e vetmja alternativë ndaj dy partive qeverisëse PDK dhe LDK, të cilat konsiderohen të korruptuara”. /dialogplus.ch/

Kriminelët po punësohen në polici

ura_e_ibritShteti i Kosovës është shndërruar në plaçkë, e cila po copëtohet e po ndahet midis partnerëve të koalicionit qeverisës. Nuk ka mbetur asnjë pjesë e buxhetit shtetëror, administratës dhe e sektorit publik e cila nuk po plaçkitet prej subjekteve qeverisëse, ndërkohë që shtresat e gjera popullore gjithnjë e më shumë varfërohen.

Institucioni i fundit që po e dëshmon këtë logjikë të kapjes është Policia e Kosovës. Ky institucion që duhet të ishte në shërbim të publikes, është mbushur me militantë të partive, të cilët nuk hezitojnë të abuzojnë edhe me ligjin, për të zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre. E së fundi, me integrimin e “Mbrojtjes Civile” në shtetin e Kosovës edhe Lista Serbe po e merr hisen e vet në shtetin e kapur të Kosovës, bashkë me PDK e LDK të cilët e ndanë shtetin porsi një plaçke të tyre nëpërmjet marrëveshjes për koalicion të 8 dhjetorit 2014.

Kjo qeveri e “Zajednicës” nuk u shqetësua aspak për të vërtetuar se çfarë kanë bërëkëta persona të sapopunësuar në Policinë e Kosovës para luftës, gjatë luftës e pas luftës. Këtë e themi duke e ditur se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile i paguan e i kontrollon Beogradi.

Po vërtetohet sërish qëndrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! se dialogu në Bruksel nuk po i integron serbët në Kosovë, por po integron Serbinë dhe strukturat e saj në shtetin gjithnjë e më të varur të Kosovës.

E për më keq, ky “integrim” i strukturave paralele të Serbisë në policinë e Kosovës, është edhe një skandal ekonomik. Në një vend si Kosova, ku papunësia është enorme dhe ku për një vend pune aplikojnë me qindra qytetarë, sot po pranohen pa konkurs paramilitarët serbë të “Mbrojtjes Civile”. Punësimi i tyre me rrogëqë del nga buxheti i Kosovës, pa konkurs e thjesht përmes marrëveshjes politike me Serbinë, është gjithsesi një krim ndaj të varfërve shqiptarë, boshnjakë, turq, romë, ashkalinj, egjiptas e të tjerë, pra, ndaj të gjithë atyre që s’janë serbë e nuk i shërbejnë Serbisë.

Kjo polici e cila integron ish-kriminelët e të gjitha llojeve, nuk mund të jetë në shërbim të drejtësisë.

 

12 janar 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Shtypi gjerman: Dhunë dhe arrestime në Kosovë

shtypi gjermanProtestat, kërkesat e opozitës për anulimin e marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe dhuna në Prishtinë kanë zgjuar vëmendjen e mediave gjermane.

Agjencia e lajmeve DPA ka njoftuar në ditën e protestave (9 janar) disa herë se “mijëra shqiptarë të Kosovës kanë demonstruar në Prishtinë me qëllim rrëzimin e qeverisë së Kosovës”. “Përderisa forcat speciale të policisë siguronin të shtunën godinën e qeverisë, demonstruesit hidhnin gurë dhe koktej molotov. Policia ka reaguar me gaz lotsjellës. Demonstruesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja, sepse qeveria ka rënë dakord që serbëve t’u jepet një autonomi e gjerë. Në këtë mënyrë, shteti i ri i Kosovës, i cili e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, po ndahet”, pohon opozita. Motoja e protestave ishte “Për një vend sovran”, njofton DPA, e cila kujton se opozita më parë ka mbledhur 200.000 nënshkrime me të cilat kërkohet referendum. Por referendumi është refuzuar nga qeveria. Më pas opozita ka hedhur shumë herë gaz lotsjellës në parlament dhe e ka bllokuar punën e tij, shkruan DPA.

Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në artikullin me titull: Arrestimet në Kosovë, shkruan: “Në protestat e fundit të dhunshme në Kosovë, kundër marëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë, janë lënduar të paktën 30 persona, shumica prej tyre pjesëtarë të forcave të sigurisë. Ndërsa 34 kundërshtarë të qeverisë janë arrestuar…Mijëra demonstrues kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Opozita ka nisur protestat në tetor kundër marrëveshjeve me Serbinë, për normalizimin e raporteve dhe kundër marrëveshjeve për më shumë të drejta për minoritetin serb në Kosovë”.

E p7rditshmja zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” nënvizon se protestuesit i kanë vënë flakën edhe godinës së qeverisë, ndërsa policia është përgjigjur me gazlotsjellës dhe pompa uji. Edhe kjo gazetë njofton për policë dhe protestues të lënduar dhe dhjetra të arrestuar. “Partitë opozitare dhe disa dhjetra mijëra demonstrues kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Ato e akuzojnë qeverinë për shkelje të Kushtetutës në procesin për normalizimin e raporteve me Serbinë. Gjykata Kushtetuese ka kërkuar disa korrigjime në Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, shkruan gazeta.

Ndërsa gazeta “Die Tageszeitung”, në artikullin me titull: “Demonstruesit duan të rrëzojnë qeverinë”, nënvizon se “një valë e gjerë e protestuesve shqiptarë i ka refuzuar marrëveshjet me Serbinë, të arritura me ndërmjetësimin e BE”.

“Më shumë se 100.000 vetë u mblodhën të shtunën në Kosovë për të demonstruar kundër qeverisë. Ishte kjo demonstrata më e madhe në historinë e shtetit të ri, i cili ka shpalluar pavarësinë në vitin 2008″, shkruan autori Erich Ratfelder dhe vazhdon: “Demonstruesit duan ta detyrojnë qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, të heqë dorë nga marrëveshjet me Serbinë, të cilat i mundësojnë minoritetit serb në Kosovë një autonomi më të gjerë. Në kornizat e protestave ka pasur edhe përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë. Opozita angazhohet që të evitojë marrëveshjen me Serbinë. Opozita pohon se kjo marrëveshje përbën tradhëti të interesave të shtetit dhe është kundër të drejtave demokratike. (…) Sipas saj, pranimi i marrëveshjes për “Zajednicën” paraqet një gabim të madh politik, i cili mundëson edhe ndarjen etnike të Kosovës, ngjashëm me ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës.”

Autori Erich Rathfelder nënvizon se protestat po i udhëheqin Vetëvendosja, AAK dhe Nisma. Ai mendon se ekzistojnë dallime edhe mes protestuesve. “Shumë demonstrues nga spektri i majtë politik duan një Kosovë të bazuar mbi respektimin e të drejtave demokratike, të drejtave të njeriut dhe një shtet të ndërtuar mbi baza juridike. Ata i refuzojnë pozicionet nacionaliste të demonstruesve të tjerë. Ata nuk janë të lumtur as me faktin që demonstratat drejtohen nga ish komandantët e UÇK, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët janë akuzuar më parë edhe për krime lufte, por janë liruar në Hagë dhe në Kosovë, për shkak të mungesës së dëshmive.(…) Diplomatët e SHBA dhe BE në Kosovë angazhohen për marrëveshje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Dështimi i marrëveshjes do të ishte një humbje edhe për BE dhe SHBA”, citon autori i “Tageszeitung” diplomatët perëndimorë. (dw)

Se Qeveria duhet të largohet, e tha edhe protesta e djeshme

protesta prishtineOpozita e bashkuar mbajti sot konferencë për media ku folën Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, si dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Visar Ymeri tha se protesta e djeshme, me masivitetin e saj ka qenë një protestë jashtëzakonisht e mirë. “Është një nga protestat më të mira që ka ndodhur në Kosovë, dhe përmes saj qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë dëshmuar  në mënyrë referendumi se janë kundër kësaj qeverie dhe se e duan këtë qeveri të hiqet sa më parë. Qytetarët e Republikës së Kosovës dje kanë ardhur në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës, në sheshin Skenderbeu, për t’i treguar Qeverisë së Republikës së Kosovës se nuk ka as legjitimitet demokratik, e as legalitet institucional që të vazhdojë tutje”, theksoi Ymeri, i cili në emër të tri subjekteve opozitare falënderoi të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë dje në protestën e opozitës së bashkuar, si dhe të gjithë ata që përgjatë këtyre ditëve janë angazhuar për ta bërë këtë protestë kaq madhështore.

opozitaKryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, theksoi se protesta e 9 janarit ka qenë një nga protestat më masive e më madhështore që kanë ndodhur në Kosovë. “Një protestë e tillë, me mesazhe të qarta, madhështore e paqësore, nuk mund ta zbehë askush dhe asgjë. Qytetarët e Kosovës të të gjitha moshave pa dallim dje në sheshet e Prishtinës quan dy mesazhe: se Kosova është aktive dhe nuk pranon të qeveriset nga një Qeveri që e ka shkelë Kushtetutën; dhe se populli nuk i beson më kësaj qeverie. Kërkojmë dorëheqjen e kësaj Qeverie. Të dalim  nga kjo krizë politike dhe vendi të shkojë në zgjedhje, e kështu të bien të dy këto marrëveshje që janë kundërkushtetutese dhe kundër interesave të Republikës së Kosovës”, tha Limaj.

Kurse Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Kosova është keq, për shkak të udhëheqjes që edhe ka udhëhequr gabimisht, edhe ka marrë vendime të rrezikshme për vendin. “Dje qytetarët e Kosovës kanë kërkuar që Mustafa e Thaçi të shkojnë. Tani ora ka filluar, e koha numëron që këta të reflektojnë. Sot jemi këtu që t’iu themi të gjithë atyre që ishin dje fizikisht – faleminderit, dje ka qenë dita juaj”, tha Haradinaj në fund të kësaj konference.

 

10 janar 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Nisma për Kosovën

Zullumi qeveritar përballet me mllefin qytetar

protesta prishtineProtesta e thirrur nga Opozita e Bashkuar, u bë një protestë gjithëqytetare. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive si kurrë më parë. Opozita falenderon dhe shprehë mirënjohje për të gjithë qytetarët, anëtarët e simpatizantët e subjekteve opozitare për pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë.

Para disa ditësh Isa Mustafa tha se do ta zbatojë “Zajednicën” pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se opozita nuk ka mbështetje dhe se nuk po i dalin njerëzit në protesta.

Sot, qytetarët ia dhanë përgjigjen qeverisë Mustafa, duke dalë në protestën më të madhe të zhvilluar në Kosovë që prej pasluftës. Rreth 100.000 pjesëmarrës i kanë mbushur rrugët dhe sheshet e Prishtinës, të ardhur nga gjithë qytetet e fshatrat e Kosovës, si dhe nga vise të tjera nga trojet shqiptare dhe nga diaspora.

Organizimi i protestës ka qenë tepër korrekt. Siç u tha edhe në tubimin e sotëm, protestuesit vetë shënojnë ardhjen e një kohe të re për Kosovën, e për të gjithë, pa dallim.

Policia që prej orëve të para të ditës në disa raste ka provokuar protestuesit duke ndalur shumë autobusë e duke i penguar qytetarët të vijnë në Prishtinë.

Në përmbyllje të protestës, shumë qytetarë kanë reaguar spontanisht duke protestuar me vendosmëri ndaj ndërtesave qeveritare. Mllefi i qytetarëve që po shprehet në përballje me policinë është rezultat i insistimit të Isa Mustafës për të ruajtur Zajednicën dhe pushtetin e vet personal. Ne shprehim keqardhje për çdo incident, por nënvizojmë se shkaktari kryesor edhe i këtyre incidenteve është mos-reflektimi i qeverisë përballë reagimit kaq të fuqishëm qytetar.

Qeveria duhet ta dijë se pas gjithë zullumeve të saj, duke përfshirë edhe shkeljen e vetë Kushtetutës, është vështirë që qytetarët do të mbeten të qetë. Zemërimi i qytetarëve është i drejtë. Për t’u qetësuar qytetarët, nevojitet dorëheqja e menjëhershme e qeverisë Mustafa.

Askush dhe asgjë nuk mund ta zbehë mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës sot me pjesëmarrjen e tyre masive në protestën e madhështore e paqësore kundër “Zajednicës”, demarkacionit dhe qeverisë antikushtetuese.

Protestat vazhdojnë!
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën