Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Selimi: Kosova po zbrazet

Është krijuar një situatë politike që i ngjan asaj para luftës, situatës më të rëndë të shqiptarëve në gjysmëshekullin e fundit, thotë Rexhep Selimi i Vetëvendosjes.Rexhep Selimi mendon se viti 2014 ishte vit ideal për ndryshimin e kursit politik në Kosovë. Hapi i parë kishte ndodhur me formimin e Bllokut, që kishte synim largimin e PDK-së nga pushteti.

Por, kërkesa e LDK-së për ridizajnim të marrëveshjes me të cilën Ramush Haradinaj i AAK-së ishte nominuar Kryeministër më 10 qershor, pas vendimit të partnerëve të koalicionit për heqje dorë nga kryeparlamentari, prishi gjithçka.

Megjithëse nuk funksionoi, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes thotë në një intervistë për Politiko.net se Blloku ishte një tregues se vendi mund të ndryshojë, pavarësisht se ndryshimi nuk ndodhi.

“Njëra nga veçoritë me të cilën do ta karakterizoja vitin 2014 është mundësia e pamundësuar për ndryshim të kursit të shtetit në Kosovë, për shkak se ky vit ishte shumë i vështirë, vit me vendime të vështira, por jo të harrohet fakti se ne kishim një mundësi për ta ndryshuar kursin e zhvillimit të shtetit dhe kjo nuk u shfrytëzua”.

“Kështu që do ta vlerësoja me një fjali të shkurtër se ky ishte vit i mundësisë për ndryshim, por nuk solli ndryshimin”.

“Ishte një situatë për ta krijuar mundësinë dhe mundësia që u krijua kishte meritorët e saj. Ky ishte një tregues se vendi mund të ndryshojë pavarësisht se ndodhi kështu”, shprehet Rexhep Selimi.

“Për herë të parë u krijua një shumicë e mbështetur në dy marrëveshje politike, ajo që ishte me rëndësi është se u krijua një situatë politike e cila ishte në favor të mbrojtjes së kushtetutshmërisë së Kosovës, mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës përballë disa fenomeneve dhe dukurive apo ngjarjeve zhvilloheshin nga udhëheqës tjerë në bisedimet me Serbinë”.

Rexhep Selimi deklaron se fajtorët për prishjen e marrëveshjes dihet se kush janë. LDK, sipas tij, e ka marrë përgjegjësinë mbi supe për ta vazhduar qeverisjen e keqe.

“Pse nuk ndodhi kjo dihet. Faktet janë kryeneçe, për gjërat që çoi në prishjen e Bllokut politik, janë protagonistët të cilët e kanë marrë përsipër prishjen e këtij Blloku. Nuk kemi nevojë të bëjmë me gisht në drejtim të askujt, pasi ata e kanë marrë vetë përsipër prishjen e këtij Blloku për t’u bërë bashkë me një partner që e kanë zgjedhur si partner politik për ta formuar Qeverinë e Kosovës”.

“Pra, nuk ka nevojë ta fajësojmë LDK-në, sepse fajin vetë LDK e ka marrë përsipër për ta marrë përgjegjësinë për të mos e ndryshuar kursin e zhvillimit të shtetit në Kosovë”.

Ikja e të rinjve nga Kosova në drejtim të Hungarisë e kanë shqetësuar gjithashtu deputetin e Vetëvendosjes. Rexhep Selimi thotë se largimi masiv i qytetarëve është i dhimbshëm. Sipas tij, Kosova po zbrazet dhe njerëzit po ia kthejnë shpinën asaj që e duan më së shumti.

“Është shumë e dhimbshme që 15 vjet pas përfundimit të luftës, është shume vështirë për ta besuar por është krijuar një situatë politike që i ngjan situatës së para luftës, situatës më të rëndë të shqiptarëve në gjysmëshekullin e fundit siç kanë qenë vitet ’90”.

“Kush është motivi që shtyrë këta njerëz të mos e duan atë për të cilën ishin të gatshëm të japin jetën. Përgjigja është rreth nesh, përgjigja është ajo çfarë shoh në rrugë, në administratë, në Qeveri, përgjigja është ajo çfarë që nuk e shohim si perspektivë rreth nesh. Vërtetë përgjigja është dhimbshme, sepse Kosova po vazhdon të zbrazet dhe njerëzit po ia kthejnë shpinën asaj që e duan më së shumti”. /Politiko.net/

Institucionet e Kosovës përballë krijimit të Gjykatës Speciale

Përfaqësues amerikanë dhe evropianë në muajt e parë të vitit 2014, u patën vënë në aktivitete diplomatike për të bindur autoritetet e Kosovës që të miratojnë themelimin e një Tribunali ose Gjykatë Speciale për të hetuar dhe gjykuar rastet e dyshuara për krime lufte.Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës ka pasuar raportin e zviceranit Dick Marty, i miratuar edhe nga Këshilli i Evropës mbi dyshimet për trafik organesh të serbëve nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e verdhë”.

Mbi bazën e këtij raporti, janë zhvilluar hetime nga prokurori amerikan Clint Wiliamson mbi dyshimet për trafik organesh në rastin e”Shtëpisë së verdhë”.

Deputetët dhe subjektet politike fillimisht e kishin kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, por me vonë ata zbutën qëndrimet e tyre.

Zbutja e terminologjisë nga fjala Tribunal në Gjykatë Speciale, sadopak i pati relaksuar qëndrimet e partive parlamentare.

Deputetët e legjislaturës së katërt të Kuvendit të Kosovës, në muajin prill të vitit 2014 kanë miratuar vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Ata patën deklaruar se një vendim i tillë konsiderohet të jetë një nga vendimet më të vështira që ka marr Kuvendi i Kosovës viteve të fundit.

Gjatë fjalimit të tij para Kuvendit,ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për themelimin e Gjykatës për krime lufte është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që i bëhet Kosovës.

“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, është shprehur Thaçi.

Ish-kryeministri Thaçi pat thënë po ashtu se UÇK-ja, pjesëtarët e së cilës mund të jenë objekti kryesor i ndjekjes nga kjo gjykatë, ka bërë luftë të drejtë dhe ka respektuar normat ndërkombëtare.

“Pikërisht për këtë shkak Kosova u ndihmua nga aleatët ndërkombëtarë dhe e fitoi luftën çlirimtare”, ka deklaruar Thaçi.

Ndryshe, që nga fillimi kur është kërkuar që të formohet kjo gjykatë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar atë.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se Kuvendi nuk do të duhej të miratonte themelimin e kësaj Gjykate, dhe është shprehur i bindur se as Këshilli i Sigurimit nuk do ta themelonte atë.

“Shpeshherë më duket se një pretendim i tillë është më shumë një shantazh në mënyrë që Kosova vullnetarisht ta pranoj një gjykatë të veçantë, sesa që realisht një gjë e tillë do të mund të ndodhte. Dihet që tribunalet ndërkombëtare krijohen për katër lloje të krimeve; krimet e gjenocidit, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e agresionit. Nuk ka tribunave ndërkombëtare as për trafikim të organeve e madje as për terrorizëm”, është shprehur Kurti.

Pas miratimit politik nga autoritetet e Prishtinës, tani proceduralisht mbetet që institucionet e reja të krijojnë bazën ligjore për themelimin e kësaj Gjykate.

Profesori i çështjeve kushtetuese – juridike, Riza Smaka thotë se për themelimin e saj, Kosova do të ketë nevojë të miratojë bazën ligjore, pasi që një Gjykatë e tillë nuk parashihet me ligjet aktuale.

“Do të duhet të bëhet ndryshimi dhe modifikimi i Ligjit për Gjykatat dhe aty të përcaktohet ndër tjera edhe kjo Gjykatë. Më pastaj, besoj se do të duhet të bëhet një akt ligjor special që i parasheh këto dispozita tjera sa i përket juridiksionit të kësaj Gjykate dhe të miratohej në procedurë, në mënyrë që të fillojë së zbatuari Ligji për Gjykatën Speciale”, ka thënë Smaka, për Radion Evropa e Lirë.

Së fundmi presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale ka thënë “Kosova duhet të qëndrojë stoike edhe përballë sprovës së radhës që ndërlidhet me të kaluarën tonë të dhimbshme.

“Kuvendi i Kosovës ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do t’i adresojë akuzat për krime lufte që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës të vitit 2010 dhe duhet sa më shpejt të përmbushë obligimin e vet për themelimin e saj si dëshmi që jemi shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë për të gjithë”, ka thënë Presidentja e Kosovës.

Në ketë drejtim edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të përgjegjshme dhe në bashkëpunim do t’i kryejnë të gjitha obligimet që kanë kur behet fjale për formimin e Gjykatës Speciale.

“Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, sa më shpejtë që zbardhen këto dyshime të padrejta në raport me Kosovën, në raport me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe individëve të saj, aq më mirë është për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, prandaj Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta”, ka deklaruar Thaçi.

Prokurori kryesor i grupit hetues të Bashkimit Evropian, Clint Williamson, mbi pretendimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim organesh dhe krime lufte në Kosovë, ka thënë “është përballur me sfida për mbledhjen e provave për të dëshmuar akuzën për trafikim organesh”.

Por, sipas zotit Williamson, kjo nuk nënkupton se grupi hetues ka hequr dorë nga ky pretendim. Ai ka thënë se hetimet do të vazhdojnë, meqë ekziston dyshimi se një krim i këtillë ka ndodhur në shkallë të kufizuar.

“Ka shenja bindëse që kjo praktikë ka ndodhur në një shkallë shumë të kufizuar dhe që një numër i vogël njerëzish janë vrarë me qëllimin e nxjerrjes dhe trafikimit të organeve të tyre”, ka thënë zoti Williamson.

Ai ka paralajmëruar ndërkaq ngritjen e aktakuzës kundër disa zyrtarëve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës”.

Kryeprokurori Williamson është shprehur se “viktimat e këtyre krimeve ishin kryesisht serbë, romë dhe pakica të tjera, por gjithashtu shqiptarë të Kosovës, të cilët u etiketuan si kolaboracionistë të serbëve ose të cilët ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqësisë së UÇK-së”.

“Elementë të caktuar të UÇK-së qëllimisht i vunë popullsitë pakicë në shënjestër me veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe vendeve të tjera fetare”, ka thënë kryeprokurori.

Gjykata Speciale për krimet e luftës, pritet të ketë dy dhoma, një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë.

Dhoma jashtë Kosovës do të merrej kryesisht me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur.

Sido që të jetë, ngritja eventuale e aktpadive, të cilat i ka përmendur prokurori Williamson, nuk do të jetë e mundur deri në formimin e Gjykatës speciale për krime lufte, për të cilën Kuvendi i Kosovës ka dhënë miratimin. (rel)

Serbët e (pa)ndarë në veri e jug

Ambiciet e serbëve që jetojnë në Kosovë janë të shumta për vitin 2015, por ambicia e parë është që të ndryshohet trajtimi i bashkësisë serbe, si bashkësi e ndarë në serbë të veriut dhe serb të jugut të Kosovës, vlerësojnë përfaqësuesit institucional të serbëve dhe njohësit serb të zhvillimeve politike në Kosovë.Aleksandar Jablanoviq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe lider i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se është përgjegjësi e politikanëve serb që ta mundësojnë që bashkësia e tyre në Kosovë të mos shikohet si e ndarë.

“Kjo ndarje është krijuar në mënyrë artificiale, për të zvogëluar rëndësinë e popullit serb në Kosovë, e më këtë edhe të përfaqësuesve të tyre politik”, tha Jablanoviq.

Sipas tij, tashmë për herë të parë, pas 15 vjet, Lista Serbe ka sjellë unitetin e plotë në skenën politike që i përfaqëson serbët në Kosovë. Ai poashtu thotë se ambiciet e serbëve në veri dhe në jug të Kosovës, janë të njëjta.

“Ata duan të jenë të mbrojtur me të gjitha normat ligjore ekzistuese në Kosovë. T’i realizojnë të drejtat e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, e para së gjithash, që përfaqësuesit e tyre politik, fillimisht tu mundësojnë të paktën ato të drejta, të cilat në Kosovë janë të garantuar me Kushtetutë dhe ligj për jo shqiptarët, në këtë rast, për serbët”, theksoi Jablanoviq.

Por, Rangjel Nokiq, njohës i zhvillimeve politike nga Graçanica, thotë për Radion Evropa e Lirë, që gjatë vitit 2015 politikanët duhet të angazhohen në drejtim të asaj që të barazohen mundësitë për të gjithë serbët, në jug dhe në veri të vendit. Ambicia e përbashkët e serbëve të Kosovës, në përgjithësi, sipas tij, është formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe ai pret që kjo bashkësi të gjej themelet e veta në kuadër të ligjeve ekzistuese të Kosovës.

Kjo, sipas tij, do të mundësonte që problemet e serbëve të zgjidhen në mënyrë të barabartë, pa ndarje në pikëvështrimin jug dhe veri, për faktin se sipas tij, serbët në jug të Kosovës më shumë luftojnë për ekzistencë, se sa ata në veri, të cilët siç thotë ai, financohen edhe nga Beogradi.

“Në jug, njerëzit janë më afër realitetit. Ata, në të vërtetë, i vlerësojnë mundësitë përballë realitetit. Në veri është situata krejtësisht ndryshe. Unë në njëfarë masë, edhe e kuptoj këtë. Serbët në jug tashmë një kohë të gjatë janë pjesë e institucioneve dhe janë mësuar me këtë.”

“Mendoj se tash është një paradoks i vogël, për shkak se në qeverinë e tashme të Kosovës, numri më i madh i serbëve në institucione është nga veriu i Kosovës dhe kjo situatëe ngadalëson barazimin. Por, megjithatë mendoj se është mirë, sepse ata njerëz nga veriu duhet ta ndjejnë funksionimin e institucioneve”, theksoi Nojkiq.

Marko Jakshiq, politikan serb nga Mitrovica e veriut, që i takon taborit të kundërshtarëve të pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se të gjitha ambiciet jetësore të serbëve që jetojnë në Kosovë janë të ndërlidhura me ambiciet politike.

“Dëshira e të gjithë serbëve është që të jetojnë në shtetin e Serbisë. Mendoj se kjo është çështja themelore, sepse nëse nuk jetojnë në shtetin e Serbisë, ata nuk kanë as ardhmëri e as perspektivë për mbijetesë të mëtejme në Kosovë. Vetëm kjo mund t’ju ofroj mbrojtje të drejtë.”

“Ndërkaq, kjo nomenklaturë politike që është në Beograd dhe që i përfaqëson edhe serbët në Kosovë, është pafuqishme dhe e brishtë dhe nuk mund t’i realizoj këto ambicie”, theksoi Jakshiq.

Ai theksoi se pjesa më e madhe e liderëve të deritashëm serb të Kosovës, në qetësi po e braktisin Kosovën, për shkak se, sipas tij, nuk mund të ndikojnë në, siç e quajti ai, gjeopolitikën e botës. (rel)

POLICIA: KUJDES NGA BORA NË RRUGË

Gjatë njëzetekatër orëve të fundit në territorin e Kosovës kanë ndodhur 60 aksidente trafiku, prej të cilave 10 kanë përfunduar me persona të lënduar.Policia e Kosovës në bazë të informacioneve zyrtare të pranuara nga drejtoritë rajonale policore duke përfshirë edhe ato kufitare njofton se rrugët rajonale, magjistrale dhe ato urbane në Kosovë janë të kalueshme por të vështirësuara, pasi që ende është prezent bora dhe akulli dhe kalimi nëpër disa rrugë, e që kryesisht janë nëpër zona malore zona të thella dhe fshatra, posedimi i pajisjeve dimërore është i domosdoshëm.

Gjatë njëzetekatër orëve të fundit në territorin e Kosovës kanë ndodhur 60 aksidente trafiku, prej të cilave 10 kanë përfunduar me persona të lënduar.

Pajisjet dimërore janë të domosdoshme për kalim nëpër rrugët në drejtim të pikave të ndryshme malore, respektivisht zonave të thella si: Rruga për në Glloboqicë,; rruga; Pejë-Kuqishtë, rruga Pejë-Kullë; rruga Mitrovicë-Bajgorë.

Policia e Kosovës ka informuar rregullisht dhe me kohë lidhur me gjendjen e rrugëve në Republikën e Kosovës, dhe vazhdimisht, apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit nëpër rrugë dhe gjithashtu edhe nëpër trotuare nëpër zona të caktuara ku trotuaret janë të mbuluar me borë, t’u përshtaten kushteve të rrugës, kushteve atmosferike si dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore në pajtim me ligjin mbi sigurinë dhe komunikacionin rrugorë, në mënyrë që të shmangin pasojat që mund të vijnë nga pakujdesia. (rtk)

Rexhepi: S’ka azil për qytetarët e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) në largim, Bajram Rexhepi, i ka ftuar qytetarët e Kosovës mos ta marrin rrugën e migrimit ilegal drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe të bien viktimë e grupeve kriminale të trafikimit.Ai ka thënë se asnjë prej vendeve të BE-së nuk japin azil për qytetarët e Kosovës sepse këtë vend e konsiderojnë të sigurt. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Rexhepi ka deklaruar se qytetarët e Kosovës po bien pre e dezinformimeve edhe nga mediet. “Për shumicën e shteteve të BE-së Kosova është vend i sigurt dhe është në listën e bardhë.

Pra, nuk ka as diskriminim politik e as etnik dhe situata e sigurisë është e mirë. Kështu që, gjasat për të fituar dikush nga qytetarët e Kosovës azilin janë gati të pamundshme, mos të them 100 për qind të pamundshme, por me promil nuk ka kush që e fiton azilin. Ato vende nuk japin azil sepse nuk kanë arsye. Kështu që, qytetarët janë viktima të dezinformimeve dhe të mashtrimeve të ndryshme”, ka thënë Rexhepi. Ai ka thënë se shteti i Kosovës po bën çka është e mundur në ndjekjen e individëve që po organizojnë trafikimin e emigrantëve.

Sipas tij, grupet kriminale që bëjnë transportimin nëpër territorin e Serbisë deri në Hungari janë multietnike. Prandaj, për këtë ai ka fajësuar edhe neglizhencën e autoriteteve serbe. “Ne kemi kërkuar nëpërmjet EULEX-it dhe Brukselit t’i bëjnë presion Serbisë sepse këta trafikantë pa bashkëpunëtorët e tyre në Serbi nuk do të mundin për t’i transportuar migrantët prej territorit të Serbisë në Hungari. Tekefundit, ky është edhe obligim i Serbisë, sepse të gjithë këta migrantë ilegalë kalojnë prej territorit të Serbisë në një vend të zonës Shengen qysh është Hungaria dhe ata e kanë obligim për të ndërmarrë masa që t’i ndalojnë këta njerëz”, është shprehur Rexhepi, duke shtuar se deri më tani autoritetet serbe nuk kanë bërë asnjë veprim në këtë drejtim.

“Serbia nuk është e interesuar të bashkëpunojë për ta parandaluar këtë fenomen. Asnjëherë deri tash nuk ka pasur ndonjë veprim për të bashkëpunuar në parandalimin e trafikimit ilegal me migrantë”, ka thënë Rexhepi.

Kreu i MPB-së ka bërë me dije se ky fenomen e dëmton rëndë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. “Ky fenomen natyrisht se Kosovën e dëmton në procesin e integrimit evropian, sidomos në liberalizim të vizave ka ndikim direkt. Pavarësisht se ne gati të gjitha kushtet teknike i kemi plotësuar, numri i madh i azilkërkuesve e vonon procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Rexhepi.

***

Të nderuar bashkëkombës,
kjo që thotë këtu z Rexhep Bajrami është 100000% e vërtetë. Një shqiptar më tepër ka shanse që gjatë jetës së tij të goditet 4-5 herë nga rrëfeja se sa të fitoje azil në Bashkimin Evropian dhe në shtetet tjera evropiane që nuk janë anëtare të BE.
Mos lejoni të bëheni kurban të kriminelëve të fëlliqët profesioni i të cilëve është “trafikimi ilegal i qenieve njerëzore, lëndëve narkotike, cigareve, alkoolit”.
Këta kriminel, në bashkëpunim me Agjenci Turistike (Agjenci të Autobusëve), mediume të internetit etj për të fituar lek nga ju, bëjnë gjithçka që të ju bindin që ju të lëshoni trojet, kinse gjermanët, francezët etj ju presin me llokum dhe petulla. Jo, jo, do të trajtoheni si kafshët nëpër llogore dhe burgje dhe do të riatdhesoheni.
Askush nuk ka nevojë për ju, ato shtetet vetë kanë probleme të mëdha me papunësinë për qytetarët e vendit dhe me emigrantët që veç jetojnë aty me dekada. Ju vetëm do të harxhoni edhe ato pak lek dhe do të ktheheni të turpëruar dhe më tepër të varfëruar.
Azili u jepet vetëm disa grupeve të ikur nga Afrika e jo qytetarëve të Ballkanit nga Shqipëria, Kosova, Serbia, FYROM-i, Mali Zi, Bosnja Hercegovina.
E kuptoj se shumë prej jush janë shumë të varfër nga xhepi, por mos lejoni të ju rrejnë kriminelët sepse atëherë tregoheni se truri juaj nuk punon.

Aurel Dasareti

Sot përfundon fushata e partive politike

Pas një muaj fushatë elektorale, sot të gjitha partitë politike kanë ditën e fundit që do të mund t’i bindin qytetarët për t’i votuar, kurse nesër është heshtja parazgjedhore. Rregullsia e zgjedhjeve të 3 nëntorit vlerësohet e një rëndësie jetike, pasi vetëm si të tilla do ta ndihmojnë vazhdimin e përparimit të Kosovës drejt rrugës evropiane, megjithatë prokuroria deri tash ka filluar hetimin për 10 persona të cilët dyshohen se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin për Zgjedhjet lokale.Këto zgjedhje për herë të parë në Kosovë mbahen edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërkohë do të monitorohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendor e ndërkombëtar. Përgatitjet për zgjedhjet i ka bërë edhe Policia e Kosovës, pjesëtarët e të cilës do të jenë nëpër të gjitha pikat e votimit.

Në bazë të Ligjit për Zgjedhje Lokale, elektorati do të zgjedhë anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave në tërë komunat e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet, Kreu II, neni 7, pika 7.1, secila komunë do të jetë zonë zgjedhore e veçantë. Njëkohësisht, do të mbahet kuota gjinore prej 30% për deputetet e kuvendeve komunale.

Për këto zgjedhje, do të përdoren Listat e Hapura. Në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesi voton për një (1) Subjekt Politik të certifikuar, dhe mund të votojë për një (1) kandidat nga lista e Kandidatëve të këtij subjekti politik. Nëse në fletëvotim janë shënuar më shumë se një (1) kandidat, vetëm vota për subjektin politik llogaritet.

Përveç tjerash, për zgjedhjet për kryetarë të komunave, mund të paraqitet nevoja për një raund të Dytë të zgjedhjeve, nëse një kandidat nuk fiton shumicën e votave gjatë raundit të parë, e që nënkupton, 50%+1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, në pajtim me nenin 9.6 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.

Votuesit që jetojnë jashtë Kosovës, kanë mundësi të votojnë përmes operacionit të votimit me Postë.

Lista Përfundimtare e Votuesve për vitin 2013, përmban 1. 779. 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetë e tetë (38) komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72% në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Numri i Qendrave të Votimit (QV) është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2366, me një rritje prej 86 vendvotimeve apo 3.77% nga zgjedhjet e kaluara.

Gjithashtu Lista e Votuesve jashtë Kosovës – 2013, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8 383. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara janë 6743 votues më shumë, që janë regjistruar për të votuar përmes postës. (rtk)