Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Nuk ka dhunë që na ndalë – e mërkurë, 4 shkurt, ora 12:00

Pas një mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u vendos që data e protestës së ardhshme të jetë të mërkurën, më 4 shkurt, në ora 12:00, i njoftoi Albin Kurti mediet e mbledhura në konferencën e sotme për shtyp. Ai shpjegoi se protestuesit, po ashtu si të martën, do të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga do të marshojnë drejt sheshit “Skënderbeu”, para Qeverisë së Kosovës.

“Pra, vazhdon protesta përderisa vazhdon të qëndrojë në Qeveri Jabllanoviqi”, tha Kurti, duke sqaruar se kërkesat e protestës mbesin të njëjta – shkarkimi i Ministrit Jabllanoviq dhe mbrojtja e Trepçës përmes një ligji të veçantë, i cili e definon Trepçën si ndërmarrje publike të veçantë.

Ai po ashtu falënderoi të gjithë qytetarët për ndihmën dhënë protestuesve të martën, ku solidaritet i veçantë është shprehur me të lënduarit, duke i ndihmuar ata pa rezervë me ujë qumësht e qepë.

Ndërkaq, deputetja Aida Dërguti tha se Figurat kryesore të partive politike që tani janë në Qeveri, rrugëtimin e vet në politikë e nisën qoftë me protesta si LDK, qoftë me luftë çlirimtare si PDK, të cilët e braktisën dhe sakrifikuan për pushtet. Nënshtrimi ndaj kushteve të Listës Serbe dhe fyerjeve të Jabllanoviqit për qytetarët e Kosovës, tregon gatishmërinë e këtyre qeveritarëve që të nënshtrohen. Ajo tha se qytetarët janë themeli i Republikës dhe Republika pa qytetarët nuk mund të ekzistojë. Prandaj, çdo qytetar veç e veç dhe të gjithë së bashku, kanë obligim që të mbrojnë dinjitetin e dëshmorëve e viktimave, që u fye nga Jabllanoviqi. Ndërsa, të sotmen si mundësi dhe të ardhmen si zhvillim e mirëqenie, qytetarët mund ta sigurojnë vetëm përmes mbrojtjes së Trepçës.

Në fund, kryetari, Albin Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi dhunën policore tha: “Nuk ka dhunë që na ndal neve. Nuk ka brutalitet policor që na bën neve të mos dalim në protestë apo të mos marshojmë përpara. Sepse nuk mund të bëjmë kompromis me Republikën, me jetën e dinjitetshme, me lirinë, me atë që na bënë subjekt e subjektivitet njerëzor”.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Grevë në arsim dhe shëndetësi

Në shumicën e institucioneve parauniversitare dhe ato shëndetësore në Kosovë po zhvillohet greva një ditëshe e organizuar nga sindikatat përkatëse.Greva e të dy sektorëve ka për qëllim realizimin e Kontratës Kolektive, të nënshkruar në mars të vitit të kaluar, ndërmjet Qeverisë se Kosovës dhe përfaqësuesve të bizneseve dhe punëtorëve.

Kontrata Kolektive, marrëveshja mbi të cilën është arritur në bazë të Ligjit të Punës, ligjërisht rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat.

Rexhep Sadiku, nënkryetar i Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, (SBASHK) për Radion Evropa e Lirë, tha se shumica e mësimdhënësve në nivel shtetëror kanë hyrë në grevë.

“Greva ka filluar dhe gjithçka është duke u zhvilluar sipas skenarit të paraparë të SBASHK-ut. Sipas informacioneve që kemi, po zbatohet vendimi”, tha Sadiku

Kërkesat e SBASHK-ut kanë të bëjnë me pikat e parealizuara deri më tash nga Kontrata Kolektive, siç janë: shujta 2 euro për çdo ditë pune, kompensimi prej 0,5 për qind për çdo vit të shërbimit, kompensimi prej 70 për qind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit me rastin e pensionimit dhe tre paga mesatare për mësimdhënësit me rastin e pensionimit.

Por, zyrtarë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë kërkuar mirëkuptim nga SBASHK-u dhe mësimdhënësit, në mënyrë që të jepet kohë për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme.

Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, për Radion Evropa e Lirë, tha se nga pikat e Kontratës Kolektive si pikë më e ndjeshme është çështja e sigurimit të shujtës ditore për të punësuarit në këtë sektor.

“Kjo pikë kap shumën prej10.5 milion euro, po ashtu kërkon kohë, kërkon hapësirë dhe menaxhim të buxhetit. Prandaj ne kemi kërkuar nga SBASHK-u mirëkuptim në këtë pikë”.

“Kurse sa i përket çështjes se biletave të udhëtimit, që është e paraparë në 70 për qind të transportit urban, në takimin që ka pasur më kryetarët e komunave ministri i Arsimit Arsim Bajrami, kryetarët e komunave kanë shprehur gatishmëri që këtë pikë të përmbushin, madje disa komuna e kanë të përfunduar këtë çështje, kurse disa janë në proces e sipër”, tha Guri.

Në anën tjetër edhe punëtorët shëndetësorë në gjithë territorin e Kosovës kanë filluar grevën 24 orëshe, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

“Sot, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, gjegjësisht punëtorët shëndetësorë kanë filluar grevën nga ora 7:00 e mëngjesit. Fillimisht kërkojmë ndjesë nga qytetarët dhe i lusim ata të na mirëkuptojnë”, tha zoti Syla, duke njoftuar se greva do të zgjasë deri në orën 7 të mëngjesit të së shtunës.

Punëtorët shëndetësorë kërkojnë zbatimin e Kontratës Kolektive dhe të fillohet dialogu për rritjen e pagave.

Izet Sadiku, këshilltar i ministrit të shëndetësisë, Imet Rrahami, shprehet se sa i përket Kontratës Kolektive, pritet zbatimi i pikave të kërkuara nga punëtorët shëndetësor, por që kjo çështje kërkon kohë.

Sa i përket fillimit të dialogut për rritjen e pagave, Sadiku thotë se janë të gatshëm të diskutojnë për këtë çështje, por që rritja e pagave duhet të jetë vendim i qeverisë.

“Ata (punëtorët shëndetësorë), kanë kërkuar që të hyjmë në diskutime për këtë çështje, këtë e ka premtuar edhe Ministria e Shëndetësisë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Mirëpo, nuk mund të premtohet pa ditur zhvillimin ekonomik dhe faktorë të tjerë të cilët përcaktojnë rritjen e pagave”, tha Sadiku.

Sidoqoftë, në funksion janë shërbimet emergjente në klinikat shëndetësore, transfuzioni, hemodializa dhe lindjet. (rel)

Jacobson: Dhuna në protesta – e papranueshme

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, u bënë thirrje organizatorëve të protestave të shmangin dhunën, ndërsa qeverisë të punojë drejtpërdrejtë me qytetarëtAmbasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, në një intervistë për Zërin e Amerikës dënoi dhunën që përfshiu protestat e kësaj jave në Kosovë dhe bëri thirrje për dialog politik ndërmjet subjekteve politike. Opozita paralajmëroi sërish protesta për të mërkurën më 4 shkurt, me kërkesat për shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës dhe qartësimin e fatit të kompleksit të minierave Trepça. Ambasadorja Jacobson tha në bisedë me korrespondentin tonë Besim Abazi, se këto dy çështje janë pretekste por jo edhe arsyeja kryesore e protestave në të cilat janë përfshirë edhe njerëz që janë të pakënaqur me zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit.

Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore si e shihni situatën në Kosovë pas protestave të fundit?

Tracey Jacobson: Protesta paqësore është një e drejtë e rëndësishme demokratike. Është mundësi për qytetarët që të nxisin qeverinë që të ngritë çështje që janë të rëndësishme për ta. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq që protestat të shtunën dhe të martën u bënë të dhunshme. Kam biseduar me shumë njerëz këtu në Kosovë që janë shumë të shqetësuar me dhunën. Natyrisht, as mbulimi nga shërbimet ndërkombëtare të lajmeve nuk i bënë aspak mirë autoritetit ndërkombëtarë të Kosovës. Nuk e bën Kosovën të duket si një vend që është në rrugën e saj evropiane. Ne e dënojmë dhunën dhe u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë, posaçërisht organizatorëve të protestave të jenë të përgjegjshëm dhe të distancojnë veten nga dhuna që shpërtheu.

Zëri i Amerikës: Kishim qëndrime të ndryshme ndërmjet qeverisë që thotë se organizatori i protestave ishte fajtor dhe opozitës që thotë se ishin qeveria dhe policia fajtore. Kush është fajtor në fakt për dhunën?

Tracey Jacobson: Faji për dhunën atyre që njerëzve që hodhën gurë, që thyen xhamat në ndërtesën e qeverisë, që dëmtuan sheshin Skenderbej, sulmuan restorantin dhe sulmuan pronarin e tij, ata individë. Unë mendoj se ishin 200 -300 syresh që duhet fajësuar për dhunën. Vëzhguesit ndërkombëtarë që ishin në qendrën komanduese gjatë protestës, gjykuan se përgjigja e policisë ishte tërësisht e përshtatshme për kushtet. Kudo në botë kur turma bëhet e dhunshme dhe hedh gurë, policia duhet të përdorë metodat e saj për shpërndarjen e turmës. Mendoj se duhet të përqendrohemi tek ata njerëz që ushtruan dhunë.

Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore, çfarë duhet të bëjë qeveria për ta tejkaluar situatën?

Tracey Jacobson: Çdo qeveri duhet të përfshijë popullatën e saj. Kjo është kështu madje edhe për qeveritë si kjo që ka filluar punën tash një muaj e gjysmë. Ata duhet ta përfshijnë popullatën drejtpërdrejtë, ndërmjet medieve, t’ia bëjnë me dije asaj se çfarë planesh kanë, se çfarë po bëjnë saktësisht për çështjet që njerëzve u interesojnë, siç janë zhvillimi ekonomik, vendet e punës, luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e sundimit të ligjit. Po ashtu ata duhet ta dëgjojnë publikun. Çdo qeveri duhet ta bëjë këtë.

Zëri i Amerikës: Publiku, pra protestuesit në këtë radhë, partitë opozitare dhe shoqëria civile kërkojnë shkarkimin e ministrit për komunitete dhe kthim, Aleksandër Jablanoviç, i cili pati një qëndrim ofendues ndaj protestuesve në Gjakovë. Si duhet të zgjidhet kjo situatë? A duhet të shkojë ministri Jablanoviç?

Tracey Jacobson: Pikë së pari, mund të thoni se ministri Jablanoviç apo Trepça ishin arsyeja paraprake apo preteksti, por nuk mendoj se ky është i gjithë rrëfimi. Mendoj se ka shumë njerëz që janë ndjerë të frustruar para së gjithash me gjashtë muaj mosveprimi gjatë procesit të ngritjes së qeverisë dhe ka njerëz që besojnë sikurse unë, se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i sundimit të ligjit, janë gjera që duhet të lëvizin shumë më shpejtë. Nuk do të thosha që këto protesta janë vetëm për Jablanoviçin. Unë do të thosha se deklarata e tij ishte e pamatur dhe fyese për shumë njerëz. Unë e vlerësoj fyese. Kërkim falja e parë nuk ishte e mire dhe pastaj ai kërkoi falje me të vërtetë. Por, ministri Jablanoviç është emëruar nga qeveria, është votuar në Parlament. Ky është një proces demokratik dhe ai mund të largohet nëpërmjet një procesi në qeveri. Ky është vendim që duhet të merret nga qeveria. Nuk besoj që ndonjë qeveri merr vendime për personelin në bazë të protestave në rrugë ku njerëzit hedhin gurë.

Zëri i Amerikës: Por a ka kjo qeveri një fuqi të tillë që të shkarkojë ministrin Jablanoviç duke pasur parasysh që Lista serbe mund të kushtëzojë pjesëmarrjen në parlament dhe kjo mund të çojë në krizë politike?

Tracey Jacobson: Nuk dua të përfshihem në situata hipotetike. Mendoj se koalicioni qeverisës po qëndron dhe ende po punon. Ata po komunikojnë dhe kanë shumicën në parlament, bazuar në zgjedhjet demokratike të vitit të kaluar. Tani kemi qeverinë e partive fituese që u jep njëfarë fuqie. Por, sa u përket çështjeve të brendshme të personelit, janë çështje të tyre të brendshme.

Zëri i Amerikës: Trepça ishte shkaku i dytë për protestat. Opozita akuzon qeverinë se u zmbraps para trysnisë që erdhi nga Beogradi për Trepçën. Ju ishit e përfshirë në debatet rreth kësaj çështjeje, Si e shihni këtë proces?

Tracey Jacobson: Ajo që qeveria u përpoq të bëjë ishte shmangia e likuidimit të Trepçës. Dhe kjo ndodhi për shkak të vendimit te Dhomës së posaçme të Gjykatës së lartë e cila tha që nëse Trepça nuk riorganizohet nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës deri më 2 shkurt, ajo do të likuidohet, që do te ishte përfundimi më i keq për të gjithë. Me fjalë të tjera, ajo do të falimentonte, punëtorët nuk do të kishin punë dhe paga. Prandaj, qeveria u përpoq të gjej rrugë për të shmangur një skenar të tillë. Një nga idetë ishte shtetëzimi, që u paraqit në parlament dhe pastaj u tërhoq. Unë mendoj se shtetëzimi është ide e keqe. Pikë së pari do të vinte buxhetin e qeverisë para pretendimeve të kreditorëve, përfshirë ata nga Serbia dhe Greqia që mund të arrinin në 1 miliardë e 400 milion dollarë. Ne e dimë që buxheti i qeverisë është nën trysni dhe qartazi nuk ka mundësi që taksapaguesit e Kosovës të paguajnë një borxh të tillë. Së dyti, shtetëzimi i një ndërmarrje të rëndësishme si Trepça, do të dërgonte një sinjal rrëqethës tek investitorët për drejtimin e ekonomisë së Kosovës. Ekonomia e Kosovës është e orientuar në rrugën evropiane, në ekonominë e tregut, rritjen ekonomike të udhëhequr nga sektori privat. Dhe kthimi në komunizëm apo socializëm jo vetëm nuk do të ndihmonte Trepçën, por as nuk do të tërhiqte investimet për të cilat ka nevojë Trepça për të aktivizuar tërë mundësitë e saj. Mendoj se investuesit tashmë janë të frikësuar nga zhvillimet e së shtunës dhe të martës. Mendoj se vendimet ekonomike duhet të merren asisoj që të nxisin në vend që të shkurajojnë investuesit.

Zëri i Amerikës: Ambasadore, Beogradi kërkon që çështja e Trepçës të shtrohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel që pritet të vazhdojnë me 9 shkurt, ndërsa në Prishtinë ka reagime kundër një mundësie të tillë. Si mendoni ju a mund të jetë Trepça pjesë e këtyre bisedimeve?

Tracey Jacobson: Dialogu është vendosur duke u lehtësuar nga Bashkimi Evropian, por çështjet mund të vihen në rend dite nëse pajtohen të dyja palët. Kjo qartazi nuk ndodhë sa i përket Trepçës. Sa i përket bisedimeve, kemi një takim tjetër më 9 shkurt, që do të jetë i pari në pothuaj një vit. Shpresoj të shohim përparim. Ka shumë gjera në pritje nga marrëveshja e prillit të vitit 2013. Palët ishin afër marrëveshjes për drejtësinë para një viti, por nuk e përmbyllën. Janë edhe çështjet e energjisë, telekomunikimeve, sigurimeve. Këto janë të gjitha gjëra të rëndësishme që duhet të zgjidhen dhe mund të zgjidhen nëse të dyja palët ulen në tryezë të gatshëm që të punojnë shumë, të dëshmojnë fleksibilitet maksimal dhe të ecin përpara. Do doja të shihja përmbylljen e këtyre çështjeve para se të hidhen gjëra të reja në tryezë, sepse do të ishte mirë të ketë rrëfime suksesi nga bisedimet, posaçërisht kur kemi një lehtësues të ri, përfaqësuesen e re të lartë të BE-së.

Zëri i Amerikës: Por jo Trepça?

Tracey Jacobson: Trepça me sa e di unë nuk është në tryezën e bisedimeve më 9 shkurt, sepse, siç thashë, ata duhet të përfundojnë çështjet që janë në rendin e ditës për të cilën tashmë janë pajtuar dhe nuk ka marrëveshje për asnjë çështje të re në bisedime dhe mendoj se përqendrimi duhet të jetë në përfundimin e punës së filluar.

Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore, janë paralajmëruar protesta të reja nga lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera opozitare. Nesër janë paralajmëruar greva njëditëshe në shëndetësi, në arsim, pra ka një grumbullim problemesh përballë qeverisë. Çfarë duhet te jetë qasja e qeverisë por edhe opozitës në këtë situatë?

Tracey Jacobson: Është me rëndësi gjithmonë që qeveria dhe opozita te kenë dialog mes vete. Nuk jam e sigurt që kjo po ndodhë. Por, unë i trimëroi të dyja palët që të ulen, të bisedojnë dhe të zgjidhin dallimet. Protestat janë rrugë e mire për qytetarët që të përfshihen dhe të ngritin shqetësimet, por, në fund të fundit, politika bëhet në institucionet e Kosovës, jo në rrugë. Ata duhet të takohen në kuadër të kushtetutës dhe institucioneve të Kosovës. Sa i përket protestës së javës së ardhshme, do t’u bëjë thirrje të gjithë organizatorëve që të marrin të gjitha masat për të shmangur dhunën dhe kjo përfshinë dërgimin e mesazheve të qarta tek pjesëmarrësit se ata nuk e pranojnë dhunën, të distancohen nga dhuna dhe dëmet që kanë ndodhur në dy protestat paraprake. Shpresoj se do të shohim protestë paqësore, që nuk frikëson banorët e Prishtinës dhe nuk dërgon mesazhe të këqija për Kosovën si shtet bashkëkohor në pjesën tjetër të botës.

Zëri i Amerikës: Ju jeni takuar me zotin Ramush Haradinaj, a keni marrë siguri për një gjë të tillë?

Tracey Jacobson: Ne kishim një takim shumë te mirë. Nuk i diskutoj hollësitë e takimeve të mia private diplomatike, por sigurisht që i kam bërë thirrje që të jetë më i qartë për faktin që partia e tij nuk pranon dhunën. Ai foli për dhunën e policisë, por jo për dhunën nga protestuesit. Ai tha se do të jetë më i qartë për këtë në të ardhmen. Ndava me të po ashtu vlerësimet tona se policia është sjellë në mënyrë të përshtatshme. Ka pasur disa gabime nga individë të policisë, por inspektorati policor i Kosovës dhe EULEX-i po shohin pamjet dhe nëse vërtetohet se policët kanë përdorur forcë të tepruar apo që kanë vepruar në mënyrë të papërshtatshme, do të përballen me procesin e zakonshëm disiplinor. Mendoj që është me rëndësi për të gjithë udhëheqësit politik, që të bëjnë thirrje për qetësi dhe të refuzojnë dhunën. Nëse duan që mesazhet e tyre të dëgjohen, kjo do të ndodhë më mirë në protestë paqësore. Kemi pasur protesta të mëdha që kanë çuar në ndryshime, po mendoj, në vendin tim për të drejtat qytetare në vitin 1964, Mahatma Gandhi në Indi, ishin protesta paqësore dhe këto janë ato lloj protesta ku ankesat mund të zgjidhen në dialog politik.

Zëri i Amerikës: Organizatori kryesor është lëvizja Vetëvendosje dhe zoti Albin Kurti. Pse nuk takoheni me të, të bisedoni me të dhe t’i bëni edhe atij të njëjtat kërkesa?

Tracey Jacobson: Nuk jam takuar me zotin Kurti për arsyet e njëjta që i kam shpjeguar shumë herë dhe kjo për shkak së po pres që Vetëvendosje të heq dorë nga dhuna si taktikë. Jo vetëm dhunës që ka ndodhur në qershor të vitit 2013 ndaj disa deputetëve të parlamentit dhe disa vëzhguesve ndërkombëtarë, por dhunës në përgjithësi. Qartazi nuk kam dëgjuar askënd nga Vetëvendosja të jetë distancuar nga dhuna që ndodhi të shtunën apo të martën. Ishte një grup prej 200-300 vetash. Nuk e di me kë janë të lidhur apo nga kush marrin urdhra. Por, mendoj se është me rëndësi që organizatorët ta distancojnë veten nga veprimet e tilla. Ne kemi parë se për dallim nga e shtuan, të martën kishim shumë më pak protestues. Grupet e shoqërisë civile vendosën që nuk duan të përfshihen në organizimin e tyre. Po ashtu edhe sindikatat e minatorëve nuk ishin atje, pavarësisht se Trepça ishte një nga pretekstet për protestë. Mendoj se kjo është njëfarë shenje se njerëzit nuk duan të jenë të njëjtësohen me dhunën.

Zëri i Amerikës: Sido qoftë, është thënë shpesh edhe nga personalitete politike në botë është thënë se qeveria është përgjegjëse meqë ajo ka edhe autoritetin edhe përgjegjësinë. Çfarë duhet të bëjë qeveria në afat të shkurtër për të shtendosur situatën në Kosovë?

Tracey Jacobson: Gjithmonë pas një zhvillmi si këto të fundit ka një raport që shërbimet e sigurisë e bëjnë, policia e bën për të parë nëse janë nxjerrë mësimet. Marr vesh që qeveria po i zgjatë dorën opozitës. Nuk jam e sigurt nëse ka dalë gjë nga kjo, por ata duhet ta bëjnë këtë. Sigurisht unë i kam nxitur të dy, zotin Mustafa dhe zotin Haradinaj dje që të angazhohen në dialog brenda institucioneve. Dhe, siç thashë, çdo qeveri duhet të jetë e gatshme të punojë me publikun. Nga ajo çfarë kamë parë ditëve të fundit nga paraqitjet e qeverisë në intervista në televizione, mendoj se ata po përpiqen të angazhohen më shumë në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetarët. (voa)

VV-ja nuk ndalet, paralajmëron protestën e radhës

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se të mërkurën që vjen do të zhvillohet protesta e radhës.Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se edhe në këtë protestë do të dalin më kërkesa të njëjta sikurse në dy protestat e mëparshme.

Ai ka shtuar se nuk do të lejojnë barriera nga ana e Policisë, sepse nuk ka nevojë që të kontrollohet populli, por se duhet të kontrollohet Qeveria. /Telegrafi/

Ngecje në regjistrimin e diasporës

Ndonëse nëpër strategji e dokumente të ndryshme të autoriteteve të Kosovës, vlerësohet se një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë territorit të saj, ende nuk ka regjistër zyrtar për numrin e saktë të tyre.Deri tani, ka disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Regjistrimi i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit i filluar në dhjetor të vitit 2013 nga Ministria e Diasporës, nuk ka përfunduar ende.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Lorik Pustina, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se regjistrimi ka shënuar ngecje për shkak të ngërçit politik që ishte krijuar gjatë vitit të kaluar.

“Kemi pasur një ngecje gjashtë mujore për arsye të ngërçit politik, pasi që siç dihet regjistrimi është një proces që involvon më shumë sektorë, më shumë dikastere, më shumë agjenci dhe mos-pasja e një agjende të qartë politike na ka shkaktuar ngecje. Ministri i Diasporës ka formuar një grup punues ku do të vlerësohet gjithë procesi dhe do të dilet me rekomandime, për të vlerësuar më pas hapat e mëtutjeshëm”, thekson Pustina.

Deri më tani, një numër i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, shton Pustina, kanë marrë pjesë në regjistrimin online, por që shifra të sakta nuk mund të jepen tani.

Sipas tij, pas vlerësimit të procesit të regjistrimit nga grupi punues do të publikohen të dhëna të cilat janë mbledhur deri më tani, ndërsa të dhënat preliminare do të jepen në fund të vitit 2016.

“Numri nuk dihet për arsye se kjo lidhet ngushtë edhe më Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe qasje në databazën ku futen të dhënat e bashkëatdhetarëve, është vetëm një person i cili është i çertifikuar për qasje në dokumente konfidenciale nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës”.

“Por në momentin kur grupi punues jep rekomandim për publikimin e këtyre të dhënave, atëherë do të mund të dihet një numër i përafërt”, bën të ditur Pustina.

Sipas dokumentit për krijimin e një baze të të dhënave të mërgimtarëve të miratuar nga Qeveria e Kosovës, regjistri do t’i përmbajë të dhënat për numrin, moshën, gjininë, profesionin, nivelin e arsimimit, fuqinë e tyre intelektuale dhe ekonomike, organizimin e tyre në shoqata dhe organizime të tjera.

Përfaqësues të shoqërisë civile, në anën tjetër, vlerësojnë se procesi i regjistrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, ka pasur mangësi dhe nuk ka pasur një informim më të mirë për këtë proces.

Elbasan Morina, udhëheqës i organizatës joqeveritare Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim, organizatë kjo që ka përgatitur disa projekte për diasporën, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duhet një koordinim më i fuqishëm i institucioneve të Kosovës me mekanizmat e shteteve ku qytetarët e Kosovës jetojnë.

“Mendoj që është shumë e vështirë të bëhet regjistrimi i diasporës, në diasporë, është një burim i njëanshëm, i cili asnjëherë nuk mund të jap të dhëna të sakta për numrin e popullsisë që jeton jashtë vendit. Mendoj që një proces i tillë paralel do të duhet të organizohet edhe në Kosovë, do të ishte më lehtë të jipen së paku të dhëna të përafërta”, shton ai.

Kosova, shton Morina ka një interes të madh për të ditur përafërsisht numrin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi që do të ndihmonte vendin në formulimin e politikave, në veçanti kur bëhet fjalë për investime.

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e gjysmë miliardë euro, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla. (rel)

Rezervat shtetërore të grurit, për 20 ditë

Që nga fundi i vitit 2012, Kosova ka rezervat shtetërore, sidomos produkte ushqimore, me një vlerë buxhetore vjetore deri në 450 mijë euro, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritar.Rezervat Shtetërore të Mallrave shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste të luftës, apo rrezikut të drejtëpërdrejtë nga lufta, fatkeqësive natyrore të përmasave të mëdha, katastrofave tekniko – teknologjike dhe ekologjike, si dhe dhënies së ndihmave emergjente shteteve tjera të goditura nga fatkeqësitë e cekura më sipër.

Shaban Halimi, drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, tregon produktet esenciale që tashmë janë grumbulluar si rezerva shtetërore.

“Rezervat shtetërore përbehen nga disa elemente ose produkte, të cilat kemi konsideruar se janë të rëndësishme për momentin fillestar, që të krijohen këto rezerva. Jemi të përqëndruar në grurë, miell, oriz, sheqer, konserva mishi, konserva peshku, vaj, makarona, marmelatë, kripë… Kurse, nga produktet jo ushqimore, kemi derivate të naftës, atë në një sasi të konsiderueshme për ndonjë nevojë emergjente sipas ligjit”, tha Halimi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës nuk ka rezerva të mjaftueshme, pasi sipas tyre, buxheti i ndarë për këtë çështje është i pamjaftueshëm në krahasim me nevojat, që në raste emergjente duhet t’i përdor populli i Kosovës.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në krahasim më vendet e rajonit, kur rezervat shtetërore sigurohen për katër vite, në Kosovë as një produkt i rezervuar nuk garanton gjithë popullatën për një ditë.

Ai madje shpreh dyshimin në kontrollimin dhe monitorimin e cilësisë së produkteve ushqimore.

“Është tepër shqetësuese, sepse ne mund të kemi katastrofa natyrore, katastrofa të ndryshme, pastaj ne gjithmonë varemi nga importi dhe ne mund të mos kemi një produkt në momente të caktuara”.

“Prandaj kjo është shumë e nevojshme dhe obligim për shtetin, që të ketë rezerva shtetërore për qytetarin dhe funksionalizimin në raste të ndryshme”, shprehet Shahini.

Por, Shaban Halimi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se në bazë të planit strategjik për rezervat shtetërore, kriter për përcaktimin e sasisë merret numri i popullatës dhe lloji i produktit, ku shtetet i ndajnë sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike.

Duke pasur parasysh këto praktika dhe mundësitë e Kosovës, Halimi thotë se është planifikuar që sigurimi i grurit të bëhet për 20 ditë, për gjithë popullatën.

Ndërsa, kriteret për sasitë e produkteve tjera agro – ushqimore dhe jo ushqimore, janë numri i banorëve që mund të përfshihen në një rast katastrofe natyrore dhe numri i ditëve për furnizimin e tyre me produktet e nevojshme.

Të gjitha rezervat janë të vendosura tek operatorët privat ekonomik, thotë ai , por që sipas planit strategjik dhe programit vjetor, vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohet sekret shtetëror.

“Kjo është bërë sipas ligjeve që janë në fuqi dhe këto janë të vendosura tek operatorët privat, operatorët ekonomik që plotësojnë kushtet për deponim dhe të përzgjedhur sipas procedurave të Prokurimit Publik dhe janë mjaft të sigurta”, tha Halimi.

Përveç produkteve ushqimore, sipas ligjeve në fuqi, Kosova duhet të ketë edhe rezervat emergjente të derivateve të naftës.

Të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, janë të obliguara që të mbajnë në çdo kohë në stoqe, së paku pesë për qind të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente ose çrregullimeve në treg.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, Qeveria e Kosovës, përmes ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, së paku një herë në vit i raporton Kuvendit të Kosovës për gjendjen dhe administrimin me rezerva shtetërore të mallrave. (rel)

Kurti: Jabllanoviqi nuk do të duhej të kishte vend në Qeverinë e Serbisë, jo më në të Kosovës

Lideri në largim i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka theksuar se protesta e djeshme kishte vetëm dy kërkesa: Largimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe shndërrimin e ndërmarrjes “Trepça” në ndërmarrje publike.“Pas protestës së djeshme po marrim raporte nga qendrat e VV-së dhe subjektet tjera pjesëmarrëse në protestë dhe informacione mbi të arrestuarit dhe të lënduarit. Protesta kishte dy kërkesa: e para shkarkimi i Jabllanoviqit dhe e dyta, mbrojtja e Trepçës përmes një ligji që do të bënte këtë ndërmarrje, publike. Nëse nuk plotësohen këto kërkesa, atëherë nuk po na mbetet asgjë nga Republika e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përsëritur faktin se ministri Jabllanoviq i ka quajtur nënat gjakovare dhe protestuesit në Gjakovë “egërsira” dhe kjo gjithsesi nuk mund të tejkalohet, raporton Telegrafi.

“Këta që na mohojnë historinë dhe sulmojnë ekonominë po na refuzojnë qenien tonë. Një ministër i tillë nuk do të duhej të qëndronte as në Qeverinë e Serbisë e jo më në të Kosovës”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për shtyp.

Ndërkaq, sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj ka thënë se që në orët e mëngjesit dje, Policia e Kosovës ka pamundësuar një tubim publik në shesh.

“Kontrollat e autobusëve, konfiskimi i kamionetës dhe tentim arrestimi dhe konfiskimi i zërimit dhe arrestimi i qytetarëve dhe largimi i tyre prej autobusëve ka të bëjë me një sistem që shfaq tendencat e para të një sistemi autoritar”, ka thënë Molliqaj.

Ai gjithashtu ka mohuar faktin se protesta e djeshme është sabotuar nga popullata dhe se kanë qenë kryesisht të përfaqësuar nga aktivistë të VV-së.

“Janë arrestuar rreth 200 veta dhe dy të tretat e tyre nuk janë aktivistë të VV. Kjo tregon se protesta ka qenë më shumë se e VV-së”, ka thënë Molliqaj. /Telegrafi/

Akuza të ndërsjella për përshkallëzimin e protestave

Pushteti dhe opozita në Kosovë, vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për dhunën e shkaktuar në protestat e së martës në Prishtinë, ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe qeveria që ai drejton, kanë përsëritur se organizatorët e këtyre protestave provokuan dhunën për qëllime politike.

“Shkaktar i dhunës në qendër të Prishtinës, ishte ultimatumi i dhënë nga ana e organizatorëve të protestuesve, për t’u hequr kordonët e policisë që mbronin institucionet shtetërore”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

Sipas tij, “meqenëse protestuesit nuk u lejuan nga policia që të dëmtojnë ndërtesat shtetërore, sikur ditën e shtunë, të orkestruar nga organizatorët, ata sulmuan policinë me gurë dhe gjësende të forta”.

Mustafa ka deklaruar se në një vend ku sundon ligji, ultimatumet ndaj institucioneve të pavarura janë të patolerueshme.

“Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë, dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura”, është shprehur Mustafa.

Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka bërë fajtore Qeverinë e Kosovës, për dhunën dhe gjendjen e krijuar të martën, që si pasojë kishte dhjetëra të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Ai ka përsëritur se Vetëvendosje, si organizatorja kryesore e protestave, mbetet pranë kërkesave që të shkarkohet ministri për kthim dhe komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, si dhe që Qeveria të nxjerr projektligjin për Trepçën, me të cilin ky kombinat do të shpallej ndërmarrje e veçantë publike.

“Ne vazhdojmë t’i kemi kërkesat e njëjta, shkarkimin e Jabllanoviqit dhe ligjin për Trepçën si ndërmarrje publike të veçantë. Protestat do të vazhdojnë me po të njëjtat kërkesa dhe është çështje ditësh se kur do të jetë protesta jonë e ardhshme”, ka thënë Kurti.

Ministri serb, Aleksandar Jabllanovq, i kishte quajtur më 6 janar “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Jabllanoviq ka kërkuar falje për deklaratën e bërë.

Në lidhje me këto deklarata të zotit Jabllanoviq dhe kërkesën e opozitës për shkarkimin e tij, kryeministri i Kosovës ka thënë se ministri ka kërkuar falje publike për deklaratat e tij të pamatura.

Kurse për Trepçën, Mustafa ka deklaruar se ky kombinat është në Kosovë dhe i përket vetëm Kosovës dhe nuk ka arsye për protesta e shqetësime.

“Në protestën e djeshme u pa qartë se organizatorët kishin qëllim çuarjen përpara të agjendës së tyre politike, synimin e qartë – pushtetin pa votën e popullit”, ka deklaruar kryeministri Mustafa.

Por, në lidhje me situatën e krijuar pas protestave dhe paralajmërimeve për protesta të reja, ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Duke replikuar tërthorazi me opozitën për shqetësimet që po shprehen në lidhje me Trepçën, Veseli ka thënë se askush nuk ka të drejtë që të mbjellë frikë për një invazion, qoftë ai edhe ekonomik, të Serbisë në Kosovë.

“Trepça ka qenë në buzë të falimentimit dhe kanë qenë këto institucione që kanë marrë vendim për t’a parandaluar falimentimin dhe nuk do të lejojmë, minatorët do të vazhdojnë punën e vet, do të rriten pagat, do të zgjerohen kapacitetet e Trepçës, por nuk do të futemi në provokime që kanë si qëllim ndoshta falimentimin e Trepçës”, ka thënë Kadri Veseli.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vlerësuar se protestat qytetare për veprime apo mosveprime të caktuara të Qeverisë nuk kanë për qëllim dëmtimin e shtetit, por përkundrazi, fuqizimin e tij dhe ndërprerjen e fyerjes, nënçmimit dhe shantazhimit të vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe vendit.

Edhe AAK zotohet se do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen e protestave gjithë-popullore, deri në realizimin e kërkesave të parashtruara.

Përderisa, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një deklarate e mbështet shprehjen e pakënaqësisë qytetare përmes protestave të qeta, por jo edhe dhunën.

“Dhuna është e papranueshme, ajo gjithmonë shkon në dëme”, thuhet në deklaratën e kësaj Zyre, që drejtohet nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Por, kjo Zyrë kishte një mesazh mjaftë të qartë edhe për Qeverinë e Kosovës.

“Demonstratat në këtë numër, si ajo që pamë të shtunën e kaluar, janë gjithashtu një shenjë e frustrimit të qytetarëve me gjendjen në Kosovë. Shpesh të njëjtat shkaqe po i shtyjnë njerëzit që të kërkojnë punë jashtë Kosovës apo madje edhe të bien viktima të migrimit të paligjshëm”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Zbogarit.

“Demonstratat janë për të dërguar një mesazh dhe ndoshta për të zgjuar institucionet politike. Por, rrugët nuk janë mënyra për të gjetur zgjidhjen, aq më pak përmes ultimatumeve”, thuhet ndër tjera në këtë deklaratë.

Protesta e të martës, më 27 janar, u përshkua me përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit. Ajo pasoi protestën e së shtunës, më 24 janar, e cila përfundoi me një “ultimatum” dhënë Qeverisë së Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Jabllanoviq dhe të procedojë në Kuvendin e Kosovës ligjin e veçantë për Trepçën.

Këto kërkesa nuk ishin përfillur më pas nga Qeveria e Kosovës, e cila i quan ato vetëm si pretekst të opozitës për realizimin e ambicieve politike. (rel)

Sa është pasuria e Trepçës?

Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”.I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.

Ajo çka mund të thuhet për vlerën e këtij kombinati, sipas ish udhëheqësve të tij dhe njohësve të kësaj fushe, është se ky kombinat ka rezerva të mëdha të mineraleve, plumbit, zinkut, argjendit dhe arit.

Ish-drejtori i Trepçës, Burhan Kavaja në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se nuk janë bërë hulumtime të detajuara dhe praktikisht është shumë vështirë të dihet vlera reale.

Siç thekson ai, çdo muaj kur të nxirren dhe shfrytëzohen sasitë e mineraleve, zbulohen të tjera të reja.

“Në vitin 1992 kemi bërë një vlerësim për të gjitha resurset e Kosovës, [vlera] ka qenë 505 miliardë [USD]; pjesa kryesore e tyre ka qenë thëngjilli, kaustobiolidet. Atëherë pati mbetur që Trepça, në atë kohë potencialin material e ka pasur 85 miliardë dollarë. Mirëpo, tash nuk mund të themi sa [është vlera reale], se edhe në kohën kur e kanë shfrytëzuar serbët, edhe në kohën kur e kemi shfrytëzuar ne, nuk janë bërë kurrfarë kërkimeah, të cilat do të ishin të verifikuara dhe të kategorizuara”, shprehet Kavaja.

Për vlerën reale të kombinatit Trepça, thekson Kavaja, kërkohen hulumtime, incizimet, si dhe shpimet e nevojshme për të bërë verifikimin dhe kategorizimin e rezervave.

Por, ajo çka është reale, sipas Kavajës, është se në dhjetë vjetët e ardhshme Trepça me potencialin e vetë mund të shfrytëzohet në mënyrë racionale të prodhohet metali dhe të përpunohet.

Ish menaxheri i Trepçës, Ferat Shala thekson se për çështjen e pasurisë së Trepçës, para se të jipen shifra, duhet të kryhet një studim i fizibilitietit në baza shkencore dhe logjikën ekonomike.

“Pasuria është e madhe. Rezervat minerare janë të konsiderueshme, jemi realisht fuqi rajonale në fushën e plumbit, zinkut, arit dhe argjendit. Dhe duke llogaritur që në rajonin e Ballkanit dhe Evropën Juglindore askush nuk ka rezerva më të mëdha dhe duke pasur parasysh pozitën gjeografike që ka Kosova, për ne janë kapital i një rëndësie të madhe”, shton Shala.

Ndërkohë, Halil Qela, njohës i kësaj fushe, thotë se problemi kryesor është se Kosovës i mungon ligji për standardizimin e rezervave e që sipas tij, është kushti kryesor që do të tregonte se cila është sasia e rezervave minerale që mund të vlerësohen në bazë çmimeve aktuale që janë në bursë.

“Ne sot po flasim për diku 58 milion tonë xehe, por po them që mund të jenë edhe dhjetëra miliona të tjera që gjenden në këtë brez metalogjenik dhe nuk janë të studiuara ende në detaje që kanë një vlerë e që me standardet e sotme moderne ato mund të jenë një kategori që mund të shfrytëzohet. Edhe mund të jetë një kategori që për teknologjinë e sotme në botë nuk mund të shfrytëzohet”, shton Qela

Përveç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, kombinati Trepça ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e 80-a, me mbi 21 mijë punëtorë.

Çështja e Trepçës është aktualizuar së fundi kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që gjiganti metalurgjik “Trepça”, i cili aktualisht është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të kthehet në pronësi të shtetit.

Por, menjëherë pas këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës e kishe hequr nga rendi i ditës çështjen e pronësisë se këtij kombinati.

Më pas kishin pasuar protestat e mijëra qytetarëve të cilin kërkonin nga kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të nxjerr një ligj, me të cilin Kuvendi i Kosovës, do ta rregullonte statusin e kombinatin metalurgjik, Trepça, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje të veçantë publike. (rel)

Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë, dhjetra të lënduar

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi, thonë se opozita në Kosovë tentoi që më dhunë ta marrë pushtetin.Dhjetra protestues dhe dhjetra policë të lënduar, e dëme të konsiderueshme materiale, ky është bilanci i ditës së sotme gjatë protestës në Prishtinë. Disa mijëra qytetarë protestuan sërish para qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, që të shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq dhe kundër qasjes së qeverisë ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepca që gjenden në veri të Kosovës. Protesta u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u mbështet edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Protestuesit mbanin pankarta të shumta kundër qeverisë, ndër to edhe “Trepca është e Jona”, e “Jabllanoviq Jashtë”.

Policia përdor gaz lotësjellës
Qindra forca të policisë duke vendosur edhe pengesa metalike, kishin rrethuar objektin e qeverisë së Kosovës për të parandaluar ndonjë dhunë të mundshme si ajo që u manifestua të shtunën, kur protestuesit demoluan xhamat e qeverisë dhe disa lokale afariste aty përreth. Protestuesit disa herë tentuan të kalojnë kordonet e policisë, mirëpo, policia përdori gasin lotësjellës dhe topa uji dhe nuk lejoi protetsuesit që t’i afrohen objektit të qeverisë. Pati disa policë të lëndruar nga gurët që hudheshin në drejtim të policisë, ndërsa, konfirmohet edhe për rreth 30 protestues që kanë marrë lëndime. Zyrtarë nga Qendra Klinike Universitare, thonë se personat që kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër klinike, asnjëri nga ta nuk është në rrezik për jetën. Ndërkohë, policia konfirmon për 35 polic të lënduar dhe rreth 30 qytetar.
Në një komunikatë për 35 policia e Kosovës njoftoi se “rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët, duke hedhur gjësende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t’i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme”. Për orë të tëra sheshet kryesore të Prishtinës u shndërruan në arenë përleshjesh ndërmjet policisë dhe protestuesve. Protestuesit hodhën edhe” koktej-molotov”, në drejtim të policisë.
Asnjë reagim ndaj kërkesave të protestuesve
Protesta e ditës së martë me (27.01) pason protestën e së shtunës, e cila përfundoi me dhunë dhe me një “ultimatum” të protestuesve për qeverinë e Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Aleksander Jabllanoviq dhe të procedojë në parlament ligjin e veçantë për kompleksin metalurgjik Trepça që e shndërron atë në ndërmarrje publike. Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur kërkesave të parashtruara.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për 35, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministri, Hashim Thaci, thanë se “opozita ka keqpërdorur ndjenjat e një pjese të qytetarëve për qëllimet e saj politike dhe protestat sipas tyre nuk kishin për qëllim shkarkimin e ministrit Jabllanovic. “Kjo kërkesë ishte vetëm pretekst”. Veprime të tilla të dhunshme, sipas tyre janë sulm ndaj institucioneve, forcave të rendit, si dhe ndaj pasurisë publike e private.
“Opozita duhet të sillet sipas votës së qytetarëve dhe jo të sillet dhunshëm dhe me dhunë të provojnë të marrin pushtetin. Sot, ka pasur dhunë, është sulmuar policia e Kosovës, institucionet e saj dhe prona publike e private”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Në të njëtën linjë, u shpreh edhe zëvëndëskryeministri i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, i cili tha se “dhuna e sotme ishte e planifikuar, ishte brutale e drejtuar kundër policisë dhe institucioneve”. Sipas, Thacit, protestat kishin objektiva politike që u drejtuan nga opozita.
“Nuk do të dorëzohemi përballë dhunës. Një veprim i tillë, ishte tentim për të marrë pushtetin me dhunë”, tha zëvëndëskryeministri, Hashim Thaci.
Gjuhë kërcënuese
Të dy udhëheqësit politikë, Isa Mustafa dhe Hashim Thaci, partitë e të cilëve përbëjnë qeverinë, thonë se “Gjuha kërcënuese e përdorur sot në protestë nga organizatorët e saj është e papranueshme dhe ne i dënojmë aktet e tilla nxitëse”.
“Po ashtu, manipulimi me nxënës përmes këshillave të nxënësve dhe organizimi i tyre në protestë është manipulim i skajshëm dhe tërësisht i papranueshëm për Qeverinë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekuri dhe maturi politike dhe qytetare, si dhe për tolerancë, gjë që e ka karakterizuar gjithnjë popullin tonë. Qeveria dënon dhunën e ushtruar ndaj Policisë së Kosovës, duke i falënderuar policët e Kosovës për profesionalizmin e treguar edhe gjatë kësaj proteste”, thuhej në reagimin e paraditës së qeverisë së Kosovës.
Skenat kaotike dhe të dhunshme plotësisht të papranueshme
Skenat kaotike dhe të dhunshme në rrugët e Prishtinës, janë plotësisht të papranueshme edhe për presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila bëri thirrje për qetësi dhe rivendosje të rendit në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit si dhe për reflektim.
“Ju bëj thirrje protestuesve të mbetur në rrugët e qytetit të Prishtinës që të shpërndahen në mënyrë të qetë dhe të mos vazhdojnë përplasjen me Policinë e Kosovës, një institucion përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe të ligjit dhe për sigurinë e secilit qytetar të vendit. Ajo është Policia jonë. Udhëheqësit politikë të të gjitha partive në vend, përfshirë pozitën dhe opozitën, të rinisin dialogun ndërmjet vete dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke e ndërprerë këtë cikël të dhunës në rrugë. Kërkoj gjithashtu nga liderët politikë të vendit nga i gjithë spektri politik, të distancohen nga aktet e dhunës që po e dëmtojnë rëndë shtetin tonë të ri”, thotë në reagimin e saj presidentja Jahjaga.
“E konsideroj të papranueshme dhunën ndaj Policisë së Kosovës dhe dëmtimin e pronës publike e private nga protestuesit në protestat e sotme. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme dhe e garantuar me Kushtetutën e vendit, por kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe dhuna e sotme në sheshet e Prishtinës prish rëndë rendin dhe ligjin dhe cenon seriozisht sigurinë e qytetarëve”.
Zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra më e mirë për të tejkaluar situatat e krijuara dhe duhet të veprojmë bashkërisht në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes.
Partitë politike opozitare e kanë dënuar si thonë “dhunën e ushtruar të policisë ndaj protetuesve”, duke mos qartësuar nëse do të vazhdohet me protesta të tjera apo jo. (dw)