Në Prishtinë policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që tentonin t’i afroheshin objektit të qeverisë. Dhjetra, protestues dhe policë janë lënduar gjatë protetstës.Dhjetra protestues dhe dhjetra policë të lënduar, dëme të konsiderueshme materiale, ky është bilanci i protestës së të martës (27.01)në Prishtinë. Disa mijëra qytetarë sërish protestuan para selisë së qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, që ta shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq si dhe kundër qasjes së qeverisë ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça, që gjenden në veri të Kosovës. Protesta u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u mbështet edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma për Kosovën.
Qindra forca të policisë duke vendosur edhe pengesa metalike, kishin rrethuar objektin e selisë së qeverisë së Kosovës për të parandaluar ndonjë dhunë të mundshme si ajo që u manifestua të shtunën (24.01), kur protestuesit thyen xhamat e godinës së qeverisë dhe disa lokale biznesesh aty përreth. Protestuesit disa herë tentuan të kalojnë kordonet e policisë, mirëpo, policia përdori gazin lotësjellës dhe pompat e ujit duke mos i lejuar protetsuesit që t’i afrohen kësaj godine. Pati disa policë të lëndruar nga gurët që u hodhën në drejtim të policisë, ndërsa konfirmohet edhe për disa protestues që kanë marrë lëndime. Zyrtarë nga qendra klinike universitare, thonë se asnjëri nga personat që kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër klinike nuk është në rrezik për jetën. Ndërkohë, policia konfirmon për dhjetra protestues të arrestuar.
Në një komunikatë për 35 policia e Kosovës njoftoi se “rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar t’i sulmojnë policët, duke hedhur sende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, ndaj të cilëve duke përdorur mjetet policore të ligjshme detyrimisht duhej të ndërhyehej për t’i parandaluar sulmet e tilla”.
Për orë të tëra sheshet kryesore të Prishtinës u shndërruan në arenë përleshjesh ndërmjet policisë dhe protestuesve. Protestuesit mbanin pankarta të shumta kundër qeverisë, ndër to edhe “Trepça është e Jona”, “Jabllanoviq jashtë”.
Protesta e ditës së martë me (27.01) pason protestën e së shtunës, e cila përfundoi me dhunë dhe me një ‘ultimatum’ të protestuesve për qeverinë e Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Aleksander Jabllanoviq dhe të procedojë në parlament ligjin e veçantë për kompleksin metalurgjik Trepça, që e shndërron atë në ndërmarrje publike. Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesave të parashtruara.
Në reagimin e ditës së martë, ndërkaq, qeveria e Kosovës vlerëson se: “Gjuha kërcënuese e përdorur sot në protestë nga organizatorët e saj është e papranueshme dhe ne i dënojmë aktet e tilla nxitëse”.
“Po ashtu, manipulimi me nxënës përmes këshillave të nxënësve dhe organizimi i tyre në protestë është manipulim i skajshëm dhe tërësisht i papranueshëm për qeverinë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekuri dhe maturi politike dhe qytetare, si dhe për tolerancë, gjë që e ka karakterizuar gjithnjë popullin tonë. Qeveria dënon dhunën e ushtruar ndaj Policisë së Kosovës, duke i falënderuar policët e Kosovës për profesionalizmin e treguar edhe gjatë kësaj proteste”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës thuhet në reagimin e saj, “shpreh vullnetin e plotë që të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike, me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit për të adresuar të gjitha kërkesat e qytetarëve në rrugë ligjore dhe kushtetuese”. (dw)
Kategoritë: Kosova
Lajmet nga Kosova
Protesta e Vetëvendosjes, policia shpërndan turmën me gaz lotsjellës. Plagosen disa persona
Protesta e organizuar nga lëvizja “Vetëvendosje”, ne qendër të Prishtinës, me kërkesën kryesore për largimin e ministrit serb Aleksandër Jallbanoviç nga qeveria “Mustafa”, është përshkallëzuar pas përleshjeve fizike që pati mes protestuesve dhe forcave policore që kishin rrethuar selinë e Qeverisë. Pas fjalimeve të mbajtura përpara të pranishmëve, një përplasje mes protestuesve dhe policisë bëri që situata të merrte një drejtim krejt tjetër dhe policia të përdorte gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e mbledhur në sheshin “Skënderbeu”.
Sipas gazetarëve të Top Channel në Kosovë, disa persona, mes te cileve police dhe protestues jane lenduar dhe jane derguar me urgjence ne spital.
Organizatorët e protestës kërkuan nga policia që të mos sulmojë qytetarët, ndërsa iu bënë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të mos gjuajnë më gurë. (top channel)
Reagime të QUINT për dhunën në protestat e ditës së shtunë
Një protestë e radhës e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosja pritet të mbahet të martën më datë 27.01.2015. QUINT u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës për të ushtruar me përgjegjësi të drejtat e tyre demokratike.Përfaqësuesit e vendeve më të industrializuara QUINT në Kosovë e kanë cilësuar jo ligjore dhe të papranueshme dhunën e manifestuar gjatë protestave të ditës së shtunë në qendër të Prishtinës, protesta këto që u organizuan nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa shoqata të familjeve që kanë persona të zhdukur. Protestuesit që kërkonin shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës Aleksander Jabllanoviq dhe ishin kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë, thyen xhamat e ndërtesës së qeverisë së Kosovës dhe dëmtuan disa lokale afariste private. Disa persona dhe pjestarë të policisë u lënduan.
Për këtë dhunë të manifestuar të shtunën, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në orën e mbrëmjes së ditës së hënë, e theksojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar por në mënyrë jo të dhunshme.
“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për t’iu bashkuar në mënyrë vullnetare bashkëqytetarëve për të demonstruar është vendimtare për një demokraci funksionale. Megjithatë dhuna në protesta është jo ligjore dhe e papranueshme. Për këtë arsye ne i dënojmë aktet e vandalizmit nga një grup protestuesish më 24 janar ndaj pronës publike dhe private si dhe frikësimin e ekipeve televizive, që po ashtu është në kundërshim me parimet e lirisë së medieve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të QUINT, e publikuar nga ambasada gjermane në Prishtinë.
Në të njejtën linjë është shprehur edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.
“Shefi i Zyres sё BE-sё nё Kosovё e dёnon dhunёn e dёshmuar nё Prishtinё tё shtunёn dhe dёmtimin e pronёs publike dhe private qё pasoi protestёn publike. Protesta paqёsore ёshtё e drejtё fundamentale dhe e pamohueshme e qytetarёve. Ata qё kryejnё akte tё dhunёs dhe shkatёrrojnё prona jo vetёm qё kryejnё shkelje, por gjithashtu janё abuzues tё kёsaj tё drejte nё dёm tё kauzёs sё tyre dhe tё demokracisё nё Kosovё”, thotë Samuel Zhbogar.
Edhe qeveria e Republikës së Kosovës, fton qytetarët për maturi dhe pjekuri politike e qytetare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme dhe i dënon ashpër aktet vandale të disa protestuesve ndaj policisë, objekteve qeveritare, pronave private, përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha dhunën fizike ndaj qytetarëve të Kosovës. Qeveria konsideron se sjelljet e manifestuara nga disa protestues nuk pasqyrojnë kulturën tonë demokratike. Qeveria kërkon nga organizatorët e protestës të mbajnë përgjegjësi për aktet vandale”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.
Lideri i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, gjatë protestës së ditës së shtunë, i kishte dhënë sic u shpreh ai ”ultimatum”, kryeministrit Isa Mustafa, që deri të këtë të hënë në orën 16-h ta shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq. Nëse kjo nuk ndodhë dhe në fakt nuk ndodhi, atëherë, ai bëri thirrje për një protestë të radhës para qeverisë së Kosovës për ditën e martë datë 27.01.2015. Protesta pritet të ndodhë serish në sheshin kryesor të Prishtinës tashmë si thuhet më të njejtat kërkesa, shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë. Protesta u mbështet edhe nga dy parti opozitare, Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. (dw)
Shqiptarët ofruan “tokën e premtuar” për hebrenjtë
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë e përndjekur. Në mesin e tyre është edhe familja Rezniqi në Kosovë, e cila njihet për rolin që ka luajtur në mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist dhe për këtë ka marrë mirënjohje edhe nga shteti izraelit.Me anë të “Besës Shqiptare” — një akt nderi, më shumë se sa një fjalë — shqiptarët iu premtuan të përndjekurve siguri, duke dhënë fjalën se ata do të mund t’ua besonin jetën e tyre dhe të familjes.
Në këtë formë shpjegohet “Besa” nga Yad Vashem, që është Autoriteti Kombëtar Përkujtimor i Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, i formuar në vitin 1953 nga Parlamenti i Izraelit (Knesset), për përkujtimin e 6 milionë çifutëve të vrarë nga nazistët gjatë viteve 1933 – 1945.
Përfaqësues të organizatave shqiptaro-izraelite, tregojnë se ky angazhim dhe kjo “Besë e dhënë” nuk ishin akte vetëm individuale, por edhe institucionale.
Xhangyle Ilijazi, nga Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael “Dr. Haim Abravanel”, tregon për rolin që luajtën shqiptarët e Kosovës në mbrojtjen e strehimin, por edhe në rrugëtimin drejt Shqipërisë, vend që nga hebrenjtë, siç thotë ajo, konsiderohej si “tokë e premtuar” për mbijetesë.
“Besa, si fenomen shoqëror shqiptar është elementi kryesor që ka ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe ishte pikërisht Besa e dhënë familjeve hebreje që kaluan nëpër Kosovë për të shkuar në Shqipëri, e cila atëherë ishte si tokë e premtuar për mbrojtjen e tyre. Këta hebrenj vinin nga vise të ndryshme të ish-Jugosllavisë dhe të Evropës. Angazhimi nuk ishte vetëm individual, por edhe institucional”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Bartja e hebrenjve për në Shqipëri nga Kosova ishte mundësuar edhe me ndihmën e autoriteteve lokale në Kosovë, duke lëshuar, siç tha zonja Ilijazi, dokumente të falsifikuara të identifikimit, e me të cilat ata pastaj kanë kaluar kufirin dhe kanë mbijetuar.
“Një dokument i tillë është zbuluar një vit më parë në SHBA. Dokumenti është lëshuar nga autoritetet bashkiake të kohës së atëhershme në Ferizaj, për familjen Kolonomos nga Manastiri, duke i regjistruar me emra shqiptarë”, bën të ditur zonja Ilijazi.
Sipas Yad Vashem-it, në vitin 1934, ambasadori amerikan në Shqipëri, Herman Bernstain, kishte shkruar se “Nuk ka gjurmë të diskriminimit të çifutëve në Shqipëri, sepse Shqipëria del të jetë një nga trevat e rralla të Evropës sot, ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime”.
Përpos “Besës”, Yad Vashem shpjegon se si me ardhjen e regjimit nazist në pushtet, në vitin 1933, shumë hebrenj gjetën strehim në Shqipëri.
Nuk ka shifra të sakta për numrin e tyre; megjithatë, burime të ndryshme vlerësojnë se 600 deri 1,800 refugjatët hebrenj shkuan në Shqipëri nga Gjermania, Austria, Greqia dhe Jugosllavia, me shpresën për të depërtuar për në Izrael apo vende të tjera.
“Pas pushtimit gjerman më 1943, popullsia shqiptare, në një akt të jashtëzakonshëm, nuk pranoi të pajtohet me urdhrat për të dorëzuar hebrenjtë, të cilët jetonin brenda kufijve të vendit”, thuhet në faqen zyrtare të Yad Vashemit.
Aktualisht në Kosovë, përkatësisht në qytetin e Prizrenit, jetojnë 56 hebrenj.
Përfaqësuesi i tyre, Votim Demiri, nga Bashkësia Hebraike e Kosovës thotë se, edhe pse komunitet i vogël, ata vazhdojnë të kenë aktivitete të ndryshme…
“Këta 56 vetë janë të lidhur me organizatat hebraike në regjion, dhe mbajnë mbledhje të zakonshme. Në fund të fundit, edhe feja hebraike, sipas propozimit të ligjit të ri, i cili kaloi leximin e parë në parlament, do të aprovohet si një religjion zyrtar i Kosovës”, thotë Demiri.
Zoti Demiri përmend faktin se trevat shqiptare ishin të vetmet ku numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, se sa para saj.
Ai nënvizon edhe tolerancën ndërfetare e cila ka qenë gjithmonë e pranishme.
“Trevat shqiptare, të Kosovës e Shqipërisë, janë të njohura si treva në të cilat në kohën e Holokaustit u rrit numri i hebrenjve. Të vetmet treva në Evropën kontinentale ku është rritur numri i hebrenjve janë këto treva. Po të mos kishte qenë toleranca, mirëkuptimi, bashkëjetesa, nuk do të kishim mundur t’i thoshim këto fjalë”, shprehet Demiri.
Pavarësia e Kosovës ende nuk njihet nga Izraeli, dhe vazhdon të jetë një nga vendet e pakta të Evropës, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë për në Izrael pa viza.
Në Prishtinë, në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit, është ngritur një memorial, i cili gjendet në mes të ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Pikërisht në këtë lokacion, deri në vitin 1963 ka qenë Sinagoga e Prishtinës.
Në këtë memorial, shkruan “Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”. (rel)
Qeveria e Kosovës nuk i përgjigjet “ultimatumit”
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk u është përgjigjur kërkesave të partive politike në opozitë dhe disa organizatave joqeveritare, të parashtruara të shtunën, më 24 janar, gjatë një proteste të organizuar dhe mbështetur nga partitë politike në opozitë dhe disa organizata joqeveritare. Protestuesit kishin dhënë një “ultimatum” qeverisë që deri në orën 16:00, të ditës së hënë, 26 janar, të shkarkojë Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq dhe gjithashtu të nxjerr një ligj, me të cilin Kuvendi i Kosovës, do ta rregullonte statusin e kombinatin metalurgjik,Trepça, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje të veçantë publike.
Në të kundërtën, protestuesit kanë thënë se do të kundërpërgjigjen me protesta, të martën më 27 janar.
Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar “egërsira” protestuesit në Gjakovë, kryesisht nëna dhe familjarë të personave të pagjetur të luftës, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
Jabllanoviq ka kërkuar falje për deklaratën e bërë.
Në ballë të protestave, është vënë tashmë subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje e mbështetur edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, si edhe organizata “Thirrjet e Nënave”.
Pas shtrirjes së protestave në disa qytete të Kosovës, opozita tani i ka koncentruar ato në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku të shtunën u mbajt një nga protestat më masive të pas fultës në Kosovë. Nga ajo protestë Qeverisë së Kosovës i ishte dhënë një afat që brenda 48 orëve të shkarkonte ministrin Jabllanoviq dhe të nxjerr projektligjin për Trepçën.
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se protestat nuk do të ndalen përderisa Qeveria dhe kryeministri Mustafa të mos i përfillin kërkesat.
“Ajo që është e qartë dhe e sigurt është që protestat nuk do të ndalen për shkak se mendojmë që është me rëndësi jetike që këto dy kërkesa, të cilat tani janë kërkesa të një spektri të gjerë të shoqërisë civile dhe partive politike, të realizohen pa kushte dhe menjëherë”, ka deklaruar Molliqaj.
Për rastin e ministrit, Aleksandar Jabllanoviq, i cili vjen nga Lista Serbe, ka folur sot edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tërthorazi është solidarizuar me ata që kërkojnë largimin e tij, duke thënë se po të fyente popullin serb, nuk do të qëndronte asnjë ditë në krye të Kuvendit.
“Unë e konsideroj se nuk do të isha Kryetar i Kuvendit as dy ditë, në qoftë se do të bëja fyerje për komunitetin serb. As dy ditë nuk do të qëndroja në këtë pozicion në të cilin jam”, ka thënë Veseli.
Kryeministri Isa Mustafa ka takuar sot ambasadorët e vendeve të Kuintit.
Sipas një komunikate me shkrim nga Qeveria në takim është biseduar për zhvillimet aktuale, pas të cilit takim pasoi edhe mbledhja e kabinetit qeveritar.
Jabllanoviq edhe në këtë mbledhje ka rikujtuar se nuk e ka pasur për qëllim të fyejë apo lëndojë dikë me deklaratat e tij.
Lista Serbe, është një subjekt politik i formuar nga Beogradi, por që arriti të ngritet si subjekti më i fuqishëm politik që përfaqëson serbët e Kosovës në institucione. Shkarkimi i Jabllanoviqit, nga ana e kryeministrit Mustafa, po shihet si vendim mjaft i vështirë pasi që Lista Serbe më pas do të mund të kundërpërgjigjej me bojkotimin e punës së institucioneve të Kosovës. (rel)
Dialog Kosovë – Serbi, për zbatim marrëveshjesh
Rinisja e dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duhet të sjellë rezultate konkrete dhe nuk duhet të ketë vonesa në zbatimin e marrëveshjeve të arritura , thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, parashikon se takimet e ardhshme mes palëve do të jenë kryesisht të ndërlidhura me implementimin e marrëveshjeve të Brukselit.
“Në takimin e 9 shkurtit, nëse mbahet sipas agjendës, nuk pritet shumë. Është si një lloj fillimi, sepse dy nga udhëheqësit janë të ri, Federica Mogherini [përfaqësuesja e lartë e BE-së] dhe Isa Mustafa”.
“Pritet një shtytje më e madhe në çështjen e gjykatës dhe hapjen e temave që kanë të bëjnë me strukturat paralele të sigurisë. Dhe natyrisht që Beogradi do të insistojë që sa më parë të fillojë puna për Asociacionin e Komunave serbe. Nuk e besoj se do të ketë ndonjë lëvizje të madhe”, tha Rashiti.
Rashiti thotë se për dialogun, është e rëndësishme që të dyja qeveritë, si ajo në Beograd, po ashtu edhe ajo në Prishtinë, të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjeve të arritur në mënyrë që të ecet përpara.
“Fokusi duhet të jetë implementimi i marrëveshjes së Brukselit dhe ndërtimi i një atmosfere për marrëveshje të reja. Nëse dialogu vazhdon me dinamikën e mëhershme do të ketë stërzgjatje e cila do të krijoj një vakum në veri”, u shpreh Rashiti.
Disa nga marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, vazhdojnë të mos zbatohen.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka paralajmëruar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga vetë ajo, do të nisë në muajin shkurt.
Edhe Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike e Politike në Prishtinë, konsideron se dialogu Prishtinë – Beograd duhet të përqëndrohet në çështje bilaterale mes dyja shteteve dhe jo në tema të cilat janë punë të brendshme të Kosovës.
“Natyrisht që Serbia do të insistojë të fus në bisedime çështje që lidhen më interesin e saj ndaj Kosovës, sikur që është çështja e Trepçës. Po ashtu mendoj që Kosova duhet që ta ketë një përkrahje të BE-së që të mos bëhen gjera që kanë të bëjnë me çështje tërësisht të brendshme të Republikës së Kosovës të cilat një herë janë përmbyllur kur është nënshkruar marrëveshja e 19 prillit”, tha Korenica.
Vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, është potencuar si një nga prioritetet politike, jo vetëm për Kosovën, por edhe Serbinë për vitin 2015.
Analisti Rashiti thotë se zhvillimet në skenën politike në Kosovë dhe në raste të , siç thotë ai, mosfunksionimit të duhur të institucioneve kompetente mund të ndodh që dialogu politik me Serbinë të mos jetë prioritet.
“Një dyshim që kam, ka të bëjë me skenën politike, me dinamikën e zhvillimeve politike në vend, rreth qeverisë dhe problemeve që mund të dalin dhe ato [probleme] mund të mos e bëjnë prioritet dialogun”, tha Rashiti.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane.
Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri po qëndron në Bruksel për takim me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Siç është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës kjo vizitë e ministres Tahiri ka të bëjë me vlerësimin dy palësh të gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, si dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivelin të Kryeministrave të të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe përfaqësueses së lart të BE-së Federica Mogherini. (rel)
Pezullohet greva e minatorëve – qeveria mirëpret vendimin
Pezullohet për një muaj, greva e minatorëve të kompleksit metalurgjik “Trepça”. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Qazim Jashari, drejtor i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg duke treguar se minatorët kanë dalë nga horizonti i tetë ku kanë qëndruar për tri ditë në grevë.Ai tha se kërkesa e minatorëve është që brenda pesë muajsh Qeveria e Kosovës të miratoj Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në mënyrë që “Trepça” të shndërrohet në pronë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Jashari tha se efektet e para të punës së qeverisë duhet të vërehen brenda muajit, përndryshe greva vazhdon.
“Qeveria duhet të punoj dhe Ligji që “Trepçën” e shndërron në ndërmarrje publike të miratohet brenda pesë muajsh në Kuvendin e Kosovës”, tha Jashari.
Kurse Qeveria e Kosovës e mirëpret pezullimin e grevës. Përmes një komunikate për 35, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përshëndeti veprimin e minatorëve.
“Kryeministri dhe Qeveria shprehin përkushtimin dhe sigurojnë minatorët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore që sigurojnë punë normale të “Trepçës” në këtë periudhë dhe të ofrojnë zgjidhje afatgjate në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit,në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Mustafa po ashtu thekson përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët, që t’i kryejnë obligimet e tyre me kohë dhe të krijojnë kushte që “Trepça” të aktivizohet me të gjitha potencialet e saj, si një nga resurset më të çmueshme të këtij vendi”, thuhet në komunikatë.
Greva e minatorëve të këtij kombinati kishte filluar tri ditë më parë. pasi të hënën me vendim të qeverisë, Kuvendi i Kosovës hoqi nga rendi i ditës, çështjen e pronësisë se këtij kombinati, që ishte në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike.
Kurse në Kuvendin e Kosovës, është miratuar ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, më anë të cilit parashihet ri organizimi i kompleksit dhe siç është thënë nga zyrtarë të Qeverisë se Kosovës, duke evituar fillimin e procedurave për falimentim.
Kompleksi metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë është ndërmarrje shoqërore, që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse kërkesa e punëtorëve që kjo ndërmarrje të shndërrohet në ndërmarrje publike, mundëson kalimin e saj nga agjencia tek Qeveria e Republikës se Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, të mërkurën në letrën dërguar minatorëve të “Trepçës”, ka siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i “Trepçës” të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës
Me heqjen nga rendi i ditës Ligjin për Ndërmarrjet Publike, kishin reaguar edhe deputetë të opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë për çështje ekonomike.
Gjiganti metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, ka qenë nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.
Ditë më parë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka marr vendim që “Trepcën” ta çojë në likuidim nga data 2 shkurt, arsye kjo për veprime të shpejta të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Kombinati “Trepça”, si gjigant ekonomik kosovar me asete dhe degë të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet ‘80, me mbi 20 mijë punëtorë.
Trepça është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.
Aktualisht, merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale. (rel)
S’ka marrëveshje – minatorët vazhdojnë grevën
Minatorët e kompleksit “Trepça” janë të vendosur të vazhdojnë grevën, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.Ai tha se edhe pas pesë orë bisedimesh me këshillin grevist dhe menaxhmentin e “Trepçës”, nuk ka arritur të bindë grevistët që të pezullojnë grevën.
Siç tha ai, ata nuk kanë kundërshtuar letrën e dërguar në adresë të minatorëve të mërkurën nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
“Për ta ka qenë e papranueshme ajo shkresë e cila është drejtuar nga kryeministria. Përpjekjet tona kanë qenë maksimale që të pezullohet kjo grevë, por nuk arriti një pëlqim”, tha Bahtiri, duke tërhequr vërejtjen për gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të grevistëve.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në letrën dërguar minatorëve të “Trepçës”, ka siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i “Trepçës” të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Por, kryetari i komunës Agim Bahtri, bëri thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë, pasi që “grevistët janë të vendosur që të nisen në këmbë për në Prishtinë ditën e shtunë”.
“Ne jemi munduar më çdo kusht që mos të eskaloj situata dhe të dalin në rrugë. Po grevistët dëshirojnë që të shtunën, nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje, të shkojnë këmbë në Prishtinë. Kjo na frikëson neve, dhe kjo më çdo kusht duhet të zgjidhet para të shtunës, ka tha kryetari Bahtiri për Radion Evropa e Lirë.
Sidoqoftë, edhe pas daljes se kryetarit Bahtiri, takimi i Këshillit Grevist është duke vazhduar ende.
Ndryshe, greva e punëtorëve të kombinatit “Trepça” ka filluar të martën, pasi të hënë më vendim të qeverisë, Kuvendi i Kosovës hoqi nga rendi i ditës, çështjen e pronësisë se këtij kombinati, që ishte në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike.
Kurse në Kuvendin e Kosovës është miratuar ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, më anë të cilit parashihet ri organizimi i kompleksit dhe siç është thënë nga zyrtarë të qeverisë se Kosovës, duke evituar fillimin e procedurave për falimentim.
Komplesi metalurgjik “Trepca” që gjendet në Mitrovicë është ndërmarrje shoqërore, që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse kërkesa e punëtorëve që kjo ndërmarrje të shndërrohet në ndërmarrje publike, mundëson kalimin e saj nga agjencia tek Qeveria e Republikës se Kosovës.
Ndryshe, përmes një komunikatë për 35, Sindikata e Pavarur e Metalistëve, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, përkrah dhe solidarizohet më grevistët duke mbështetur dhe kërkesat e tyre.
Në komunikatë thuhet se “kjo sindikatë e ka përjetuar rënd transformimin e pasurisë së ndërmarrjeve industriale në Kosovë nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe Agjencia Kosovare e Privatizmit, ku me shitjen e tyre i ka mbyllur me dhjetra e mijëra vende të punës dhe ka shkatërruar ekonominë e këtij vendi”.
Sipas tyre, “me këtë po synohet që edhe “Trepçën” ta tjetërsojnë për interesa të profiterve”.
Minatorët dhe punëtorët e Trepçës dhe të gjithë punëtorët e industrisë, kërkojnë nga Qeveria dhe Parlamenti, që pasuritë kombëtare të ruhen, ku këtu bën pjesë edhe “Trepça”. (rel)
Gjykata speciale si vazhdimësi e Tribunalit të Hagës
Institucionet e Kosovës kanë krijuar një grup punues për shqyrtimin e legjislacionit për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Ky grup punues përfshinë përfaqësues nga Presidenca, Qeveria, gjykatat dhe prokuroritë.Zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka thënë se të gjitha institucionet e Republikës se Kosovës ndajnë përgjegjësitë në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, të miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Takimi i parë i ekipit teknik ishte për të diskutuar ndryshimet legjislative, ka sqaruar Vllahiu. Sipas tij, ekipi teknik do të diskutojë për disa ndryshime legjislative sipas marrëveshjes së ratifikuar në kuvend.
Ky ekip, ka thënë Vllahiu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, do të mbajë takime të rregullta edhe me ekipin e BE-së për themelimin e dhomave te posaçme, dhe do të paraqesë diskutimet tek bartësit e institucioneve gjegjësisht Presidentes, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Zëvendëskryeministrit.
Ndërkohë, profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë për programin tonë se kjo do të jetë një Gjykatë Penale Ndërkombëtare me të gjitha atributet, ingerencat dhe juridiksionit që i kanë pasur edhe gjykatat e ngjashme si ajo e Hagës, Ruandës e tjera.
Kjo Gjykatë, ka shtuar profesori Salihu, do të trajtojë rastet e viteve 1998-99 e madje edhe ato të fazës së parë të pas luftës. Mandati i saj pritet të jetë pesë vjeçar.
Statuti i kësaj gjykate, sipas Salihut, në fakt është ligj penal, ligj i procedurës penale dhe ligj për ekzekutimin e dënimeve.
“Kjo Gjykatë do të jetë jashtë kompetencave, pushtetit, juridiksionit të Kosovës. Kjo është gjykatë që do të ketë kompetenca sikurse edhe Tribunali i Hagës sepse do të punon sipas rregullativës juridike të vetën”.
“Organet tona, eventualisht policia e prokuroria do të kenë për detyrë të ndërmarrin ndonjë veprim, vetëm ata (ndërkombëtarët) që e kërkojnë. Të gjithë gjykatësit e prokurorët do të jenë ndërkombëtar si edhe gjykimet do të bëhen jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Salihu.
Themelimi i një Gjykate të veçantë për krime lufte, është pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, por një pjesë të madhe të fajit e bartin edhe ndërkombëtarët, ka deklaruar në vijim, profesori Ismet Salihu.
“Në këtë dështim të instalimit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe ndërkombëtarët, për shkak se ata që nga çlirimi i Kosovës, pavarësisë së saj, por edhe më pas kanë pasur rolin kryesor në sajimin ndërtimin dhe konsolidimin e sistemit gjyqësor”.
“Përveç kësaj, ata kanë pasur ingerenca, pushtet, juridiksion që çdo lloj krimi, sidomos këto të rëndat, t’i gjykojnë vetë. Kështu që ky dështim është edhe i tyre dhe nuk është vetëm i kosovarëve”, ka deklaruar Salihu.
Pas përgatitjes së infrastrukturës ligjore, Gjykata Speciale pritet të themelohet me vendimin e institucioneve, qeverisë dhe Kuvendit. Sfida më e madhe e themelimit të saj, parashihet pjesa që kërkon amandamentimin e Kushtetutës, për të cilën qeveria duhet të siguroj mbështetjen e të paktën 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nga ana praktike, themelimi i kësaj gjykate cilësohet si një prej sfidave më të mëdha të vitit, pasi që ajo pritet të kthej sërish në gjykim raste të dyshuara të krimeve të luftës dhe gjykimin e tyre jashtë territorit të Kosovës.
Partitë opozitare tashmë janë pozicionuar kundër dhe kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë për themelimin e saj.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka paralajmëruar se jo vetëm që do të kundërshtohet me votë themelimi i kësaj Gjykate, por si kryetare e Komisionit nuk do të lejoj procedimin në Kuvend të propozimeve që do të binin ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Kjo (Gjykatë speciale) është jashtë rregullimit juridik të institucioneve tona dhe si rrjedhojë është edhe jo kushtetuese. Nëse ka pasur individ brenda Ushtrisë Çlirimtare të cilët paskan kryer, siç po thuhet krime, atëherë ata duhet të hetohen nga prokuroria vendore dhe jo nga Gjykata Speciale e cila po thuhet se duhet të themelohet”, ka theksuar deputetja Haxhiu.
Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.
E veçanta e funksionimit të kësaj Gjykate do të jetë roli i prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtar dhe trajtimi i rasteve jashtë Kosovës, për të shmangur presionet dhe ndërhyrjet në punën e gjyqësorit. (rel)
Minatorët e Trepçës shqyrtojnë letrën e qeverisë
Minatorët do të përgjigjen sot në letrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa i cili u ka bërë thirrje t’i japin fund grevësKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një letër dërguar minatorëve të Trepçës, i ka siguruar ata se qeveria e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i Trepçës të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Kosovës.
Në letër, kryeministri Mustafa, ka sqaruar hapat e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës të cilat, siç thuhet në një njoftim të zyrës së tij, “kanë shmangur falimentimin e Trepçës dhe kanë siguruar perspektivë zhvillimore për të”.
“Kryeministri Mustafa po ashtu ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar asnjë veprim që do të dëmtonte interesat e Trepçës dhe të shtetit të Kosovës, duke bërë thirrje për ndërprerjen e grevës dhe që të gjithë së bashku, t’i përkushtohen punës në interes të vendit, në interes të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Minatorët dhe këshilli grevist janë duke e shqyrtuar letrën dhe mundësitë që t’i japin fund grevës së filluar të martën një grevë, duke kërkuar shpjegime rreth fatit të këtij kompleksi dhe miratimin e një ligji të veçantë, në bazë të së cilit ky kompleks të shndërrohet në ndërmarrje publike në pronësi të qeverisë së Kosovës.
Greva pasoi miratimin e ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t’i hapet rrugë riorganizimit të kompleksit të minierave Trepça. Por, qeveria hoqi nga rendi i ditës çështjen e pronësisë mbi Trepçën, ndonëse kishte paralajmëruar që nëpërmjet ligjit ta shndërrojë atë në ndërmarrje publike.
Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit, ndërsa qeveria tha se për të duhet të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet që ka ky kompleks, që sipas vlerësimeve arrijnë në rreth një miliardë e 400 milion euro.
Ndryshimet në qasjen e qeverisë nxitën reagime edhe të opozitës e cila e akuzoi atë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça.
Beogradi ngulë këmbë se pronari kryesor i Trepçës është fondi për zhvillim i Serbisë dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.
Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Përfshirja e Trepçës në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.
Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta ku punonin mbi 20 mijë punëtorë. (voa)