Kategoritë: Kulturë
“Ekziston vetëm një formë infektimi që përhapet më shpejt se një virus: ajo është frika”
Dan Brown është autorë i disa librave të suksesshëm, midis të cilëve renditen “Kodi i Da Vinçit” dhe “Engjëj dhe Djaj”. Para se të merrej me shkrimin e librave ai ishte mësues i gjuhës angleze. Dan Brovni jeton dhe shkruan në Massachusetts në SHBA, ai dhe bashkëshortja e tij (Blythe) janë njohës të mirë të historisë dhe kulturës evropiane. Librat e tij karakterizohen nga tema e zbulimit të aventurave misterike, të bazuara jo gjithmonë në ngjarje dhe personazhe të vërtetë.
KultPlus ju sjell sot disa thënie nga Dan Brown:
Ekziston vetëm një formë infektimi që përhapet më shpejt se një virus: ajo është frika
Nëse syri yt është i thjeshtë, i gjithë trupi yt do të jetë i shndritshëm.
Sekretet e padepërtueshme janë të fshehura nën dritën e diellit.
Mendja njerëzore zotëron mjete primitive vetëmbrojtjeje, të cilat mohojnë të gjitha realitetet që i shkaktojnë strese të tepërta trurit. Quhet “Mohim”.
Nganjëherë mjafton të ndërrosh këndvështrim për të parë dritën.
Engjëlli mbrojtës që të ka ndihmuar të fitosh betejën, nga kundërshtari yt shihet si djall shkatërrues.
Të vërtetat e mëdha janë të thjeshta.
KultPlus
“Mos kalo kohë me dikë që nuk dëshiron të kalojë kohë me ty”
Thënie nga Gabriel Garcia Marquez
“Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copëz jetë, mbase nuk do t’i thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do t’i mendoja ato që po them. Do i jepja rëndësi gjërave jo për vlerën, por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbasim 60 sekonda dritë. Do vazhdoja kur të tjerët do ndalonin, do zgjohesha kur të tjerët do flinin. Do dëgjoja kur të tjerët do flisnin, dhe sa do e shijoja një akullore me çokollatë!!!
Nëse Zoti do më jepte një copëz jetë, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim.
Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë, nëse do mundesha, do shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do prisja të dilte dielli. Nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa i thënë njerëzve që dashuroja se i dashuroja. Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë. Te njerëzit do të tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë. Fëmijës së vogël do t’i jepja pendë, por do ta lija të mësonte vetë sesi të fluturojë. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.
Mësova kaq gjëra nga ju, njerëzit. Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”.
Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babit të tij e robëron përgjithmonë.
Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet….Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon…
Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd.
Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.
Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri…
Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.
Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja.
Do të doja të të thoja se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, si i ri, si i vjetër.
Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.
Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.
Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di. Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…”
KultPlus
Freud: Për t’u edukuar nuk mjafton vetëm arsimimi
“Treguesi i parë i idiotësisë, është një mungesa e plotë e turpit”
Sigmund Freud (Zigmund Frojd) është themeluesi i psikanalizës.
Frojdi doli i pari me idenë se mendja është e ndarë në tri pjesë: Id, Ego dhe Superego.
Sipas Frojdit, Uni ose Ego është vija e parë e mbrojtjes së vetes nga tjetri, duke u përpjekur të balancojë dy ekstremet, Id dhe Superego.
Idetë e tij radikale mbi mendjen e njeriut transformuan psikologjinë dhe mbeten kontradiktore edhe në ditët e sotme.
25 thënie nga Frojdi:
1- Qytetërimi zuri fill kur një person i zemëruar hodhi fjalën në vend të gurit.
2- Sa i guximshëm bëhet njeriu, kur është i sigurt se e duan.
3- Një qytetërim që lë një numër kaq të madh të pjesëtarëve të tij të pakënaqur dhe i çon ata në revoltë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton të ekzistojë.
4- Njeriu nuk ia arrin t’i eliminojë komplekset e tij, por pajtohet me to: ato ligjërisht e drejtojnë veprimtarinë dhe sjelljen e tij në botë.
5- Të jesh tërësisht i ndershëm me veten është një ushtrim i mirë.
6- Fëmijët janë krejtësisht egoistë; ata i ndiejnë nevojat e tyre intensivisht dhe përpiqen mizorisht që t’i kënaqin.
7- Ëndrrat janë shpesh më të thella kur ato duken më të çmendura.
8- Nëse dikush ka qenë i përkëdheluri i padiskutueshëm i nënës së tij ai ushqen gjatë jetës një ndjenjë triumfuese, besimin në sukses, i cili jo rrallë sjell me vete suksesin.
9- Iluzionet na mbisundojnë ne, sepse ato na kursejnë në dhimbje dhe na lejojnë të shijojmë kënaqësinë në vend të saj. Prandaj ato duhet t’i pranojmë pa ankime kur ato nganjëherë përplasen me realitetin përballë të cilit shndërrohen në thërrime.
10- Njerëzit janë më moralë se sa mendojnë dhe shumë më tepër imoralë se sa përfytyrojnë.
11- Njeriu është shumë i çmendur kur është i dashuruar.
12- Qëllimi i gjithë jetës është vdekja.
13- Pyetja më e madhe, së cilës nuk i është dhënë kurrë përgjigje dhe së cilës nuk kam mundur t’i jap përgjigje, pavarësisht tridhjetë viteve të kërkimeve në shpirtin e femrës është: “Çfarë do një femër?”
14- Ne nuk jemi kurrë aq të pambrojtur ndaj vuajtjes sa kur dashurojmë.
15- Sa kemi përparuar. Në Mesjetë do të më kishin djegur në turrën e druve. Tani ata mjaftohen të djegin librat e mi.
16- Qëllimi i personalitetit të njeriut është i përcaktuar nga përmasat e problemit, që arrin ta shtyjë atë njeri të lajthisë.
17- Para se të diagnostikoni veten me depresion ose vetëbesim të ulët, sigurohuni që nuk jeni të rrethuar nga budallenjtë.
18- Detyra për të bërë njerëzit të lumtur nuk është pjesë e planit të Krijimit.
19- Mungesa e plotë e seksit është e vetmja gjë që mund të konsiderohet si devijim seksual. Çdo gjë tjetër është vetëm çështje shijeje.
20- Në atë moment kur njeriu fillon të mendojë kuptimin dhe vlerën e jetës, atëherë mund ta konsideroni atë të çmendur.
21- Dashuria e përjetshme, ideale, e spastruar nga të gjitha format e urrejtjes, ekziston vetëm mes të droguarit dhe drogës tij.
22- Sa më shumë i përsosur që është një person së jashtmi, aq më shumë demonë ka brenda vetes.
23- Kur njerëzit më kritikojnë, unë e di se si të mbroj veten. Por unë jam i pafuqishëm përballë lëvdatave.
24- Treguesi i parë i idiotësisë, është një mungesa e plotë e turpit.
25- Një pjesë e madhe e asaj që është e vërtetë brenda nesh nuk kuptohet; dhe ajo që kuptohet, nuk është e vërtetë.
KultPlus
E NJOH SHQIPTARIN!
E njoh shqiptarin
ate që s’të njeh e flet për ty
din gjithçka me t’nime
t’shtime të nxjerrune t’futune
s’ta len rrugën
s’ta len urën s’ta len ajrin
s’ta len fjalën
s’ta len vajin s’ta len kangën
lapsin as letrën malin as sopatën
Dasmat t’i din fejesat vdekjet gjamat
andrrat t’i din cironkat n’xhep
rrugët e lugët e drutë
Çka pive mbramë çka hangre sot
çka fole si fole pse fole
deshte pse deshte çka deshte
shkove ku shkove pse shkove
erdhe pse erdhe pse ike
pave çka pave pse pave
ndëgjove s’ndëgjove çka ndëgjove
E njoh shqiptarin
ate që s’e njeh vetvetën e t’njeh ty
n’lëkurën e tjetrit jeton
t’shanë e thotë jam shqiptar
Çun Lajçi
Dardani, 05.07.2020
139 vjet nga vdekja e astronomit, matematikantit e filozofit shqiptar Hoxhë Hasan Tahsini
Hoxha Hasan – Tahsin Efendiu lindi në vitin 1812. Është djali i Osman Efendi Rushit Ahmedit, i cili ka qenë një dijetar i shquar; ishte kadi, myfti dhe kryesisht myderriz, nga katundi Ninat, rrethi i Filatit të Konispolit, në Çamëri.
Hoxha, para emrit Hasan, nuk është emër, por një titull i lartë, shumë i nderuar i kohës, që do të thotë: Dijetar mbi dijetarët, ose në gjuhë të sotme: Akademik…Kurse mbiemri Tahsin, pas emrit Hasan, nuk është mbiemër, por është një cilësi dalluese, shquese, vlerësuese, që i ishte dhënë qysh kur ishte student në Stamboll, sepse ishte më i dalluari, më i shquari, më i vlerësuari…
Hoxha Hasan – Tahsin Efendiu mësimet e para i filloi në Prevezë, kurse të mesme i filloi në Shkodër, i vazhdoi në Berat, ku i ati, Osman Efendiu, ishte caktue myfti, myderriz, (profesor)…
Në Stamboll, qysh si student, meqë ishte më i dalluari, më i shquari, më i vlerësuari i dhënë titullin: Tahsin, të cilin e gëzoj si “mbiemër” tërë jetën…
Me një vendi mbretëror, jo vetëm që i dhanë këtë titull, por, Hasan Tahsin Efendiun e dërguan në Francë për të studiuar. U regjistrue në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në Universitetin e Sorbones, në Paris, ku studioj me përkushtim, me vullnet, me shumë dashuri, sa që u befasonte secili…! Më në fund, ky student shqiptar kaq i vyeshëm i përfundoi studimet me sukses të shkëlqyeshëm… Menjëherë e punësuan, me vendim mbretëror, e emëruan Imam në Ambasadën e Perandorisë Osmane në Paris, ku, me gjithë studime, qëndroi afër 16 vjet…!
Kur u kthye në Stamboll e themeloi Universitetin Modern të Stambollit, ku ishte edhe profesor i psikologjisë dhe Rektor i parë i këtij Universiteti…
Hoxhë Hasan – Tasin Efendiu, jo vetëm që nuk e harroj asnjë herë se ishte shqiptar, por meqë ishte ndër shqiptarët më i formuari, më i dituri, më i ngrituri, gjithnjë printe në çështjen shqiptare-kombëtare…
Ishte ndër të parët që hartoi një alfabet të veçant për gjuhën shqipe…Ishte ndër të parët, nga nismëtarët, për themelimin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare të Stambollit (1879)… Ishte nga të parët në themelimin e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881)…
Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Mehmeti, Tosumi, Kasemi, Naimi, Samiu, si edhe atdhetarët të tjerë, J. Vreto, K. Kristoforidhi, K. Hoxhi etj. ishin jo vetëm nxënësit e tij, plotë besnikëri, por edhe bashkëpuntorë kryesor…
“Jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë, ndaj duhet të jetojmë më vete, si gjithë kombet e tjera”.
Hoxha Hasan – Tahsin Efendiu, përveç që ishte atdhetar, një nga figurat më kryesore, më madhore, ishte motori i Rilindjes Kombëtare Shqiptare…
Nuk ishte vetëm fetar apo teolog, por ishte edhe psikolog, sociolog, pedagog dhe ishte më i pari astronom në tërë Perandorinë Osmane…
Nuk ishte vetëm atdhetar, por ishte edhe dijetar, mendimtar, përkthyes, poet, shkrimtar, letrar…Ishte një iluminist enciklopedist…!
Ishte njohës për bukuri në astronomi, filozofi, teologji, matematikë, fizikë, histori, gjeografi, bujqësi, letërsi…
Ishte pioneri i parë i Shkollës Psikologjike…
Për të gjitha këto aftësi ka dëshmi…
Sipas burimeve turke, Hoxha Hasan Tahsini ishte njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, jo vetëm në shkencat natyrore, por edhe në ato letrare, filologjike, filozofike, teologjike…
Hoxha Hasan Tahsini ka shkruar, botuar, më se 20 libra shkencore, astronomike, psikologjike, pedagogjike…
Studimet e tij, fillimisht i botoi në revistën shkencore:”Mexhmual-i-Ulum” , që vet ishte themelues…
Këtu, tani, vlen të përmenden disa nga veprat e tij:
1. Historia e krijimit
2. Themeli i Gjithësisë
3. Psikologjia apo Dituria e shpirtit
4. Të fshehtat e ajrit dhe ujit
5. Rruzullimi i përbotshëm
6. Pasqyra qiellore, etj. etj.
Më në fund, nëse ndonjë lexues mendon se e kam tepruar, duke e lavdëruar, Hoxhë Hasanin, ai ka gabuar…! Pse? Sepse ka shumë të tjerë studiues, në Lindje, në Perëndim, që kanë shkrue për te me plotë frymëzim, pa i hye në hak-aspak!
Turkologu i njohur rus, Smirnov, në veprën e tij :
“Përshkrimi i Historisë së Letërsisë Turke”, botuar në Petrograd, me 1891, e cilëson Hoxhë Hasanin si “Lomonosovin e Turqisë”.
Kurse, historiani perëndimor, Rodrig Davidson, në veprër e tij “Reformat në Perandorinë Osmane” (1856-1876), thotë se: “Hoxha Hasan Tahsini ishte dijetari më i mirë i asaj kohe në tërë Perandorinë Osmane”.
Hoxha Hasan Tahsini ndrroi jetë me 4 korrik 1881, në Stamboll, në moshën 69 vjeçare…
Detyrimet ndaj atdheut nuk mbarojnë gjatë gjithë jetës tonë, duhet të bëjmë gjithçka mundemi
John Adams (30 tetor 1735 – 4 korrik 1826) ishte jurist, autor, burrë shteti dhe diplomat amerikan. Ai shërbeu si Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara (1797-1801), Zëvendëspresident i parë (1789-97), dhe si një nga Baballarët Themelues ishte një udhëheqës i pavarësisë amerikane nga Britania e Madhe. Adams ishte një teoricien politik në epokën e Iluminizmit që promovoi republikanizmin dhe një qeveri të fortë qendrore. Idetë e tij krijuese janë botuar shpesh. Ai ishte gjithashtu një mbajtës ditari dhe korrespondent i përkushtuar, veçanërisht me gruan dhe këshilltaren e tij kryesore Abigail, shkruan KultPlus.
Ai bashkëpunoi me kushëririn e tij, udhëheqësin revolucionar Samuel Adams, por ai krijoi rëndësinë e tij para Revolucionit Amerikan. Pas masakrës së Bostonit, pavarësisht ndjenjave të ashpra lokale anti-britanike, ai i bëri një mbrojtje të suksesshme ligjore edhe pse jo popullore, ushtarëve të akuzuar britanikë, i shtyrë nga përkushtimi i tij për të drejtën për avokat dhe “mbrojtjen e pafajësisë”. Si një delegat nga Massachusetts në Kongresin Kontinental, Adams luajti një rol kryesor në bindjen e Kongresit për të shpallur pavarësinë. Ai ndihmoi Tomas Xheferson në hartimin e Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776, dhe ishte shtytësi kryesor i saj në Kongres. Si diplomat në Evropë, ai ndihmoi të negociojë marrëveshjen eventuale paqësore me Britaninë e Madhe, dhe mori kredi vitale qeveritare nga bankierët në Amsterdam. Adams ishte autori kryesor i Kushtetutës së Massachusetts në vitin 1780, e cila ndikoi teorinë politike amerikane, ashtu si edhe punimi i tij i mëparshëm “Mendime mbi qeverisjen” (1776).
Gjatë shumë letërkëmbimeve Adams ka lënë një sërë thëniesh me shumë vlerë. Sot po e sjellim njërën nga to e cila është gjithmonë e vlefshme:
“Detyrimet ndaj atdheut nuk mbarojnë gjatë gjithë jetës tonë. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi”.
Shkrimtari francez që e krahasoi Skënderbeun me Herkulin e lashtësisë
Flores Rogatierni ishte një shkrimtar francez i shek. XV, i cili shkroi dramën “Skënderbeu, Heroi shqiptar”, dhe e vendos ngjarjen në vitin 1440. Skënderbeu në këtë skenë paraqitet i shkathët, i bukur dhe i zgjuar saqë arrin të mësojë greqishten, turqishten, arabishten qysh në moshën e adoleshencës.
E krahason Skënderbeun me Herkulin e lashtësisë, pasi mposhti skithin gjigand dhe dy fisnikë rusë, vret luanin e uritur dhe fiton simpatinë e pallatit dhe të ushtarëve.
Këto e bëjnë ziliqar edhe vetë Sulltan Muratin, që e ka halë në sy dhe bëri çmos që ta zhdukë.
Fuqia dhe hija e rëndë e Skënderbeut del në pah edhe në monologun e Muratit:
“Një njeri i vetëm gjendet para meje e më ka zënë sytë më ndjek natë e ditë…Ky njeri që nxiu fatin tim, makar të ish dhe nga gjaku, po është i huaj dhe gjaku i tij është gjak shqiptari”.
KultPlus
59 vjet nga vdekja e Hemingway, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë botërore
Ernest Hemingway ishte një novelist amerikan, shkrimtar i historive të shkurtra dhe gazetar. I përket shkrimtarëve të periudhës klasike të letërsisë amerikane. Ernest Hemingway në profilin e tij shkrimtaresk përfaqëson në mënyrë të shkëlqyer realizmin letrar në Amerikë.
Hemingway la vulën e tij në historinë e letërsisë botërore, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme në botën e letërsisë, shkruan KultPlus.
I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Hemingway vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plotë jetë. Personazhet kryesore të Heminguejit janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore.
Ky shkrimtar kolosal amerikan është lauruar me shpërblime prestigjioze letrare, madje në vitin 1953 ky shkrimtar merr Çmimin Nobel me ” Plaku dhe deti ” u vetëvra me 2 korrik te vitit 1961 vetëm tre jave para 62-vjetorit te lindjes se tij. Në gjuhën shqipe janë përkthyer një varg romanesh, e vëllimesh me prozë tregimtare të këtij shkrimtari. Vlen të përmenden shqipërimet kolosale të Ismail Kadaresë, Vedat Kokonës.
Ndër veprat më të njohura të shkrimtarit janë: ”Plaku dhe deti”, ”Dëborërat e Kilimanxharos”, ”Për kë bien kambanat”, ”Të kesh e të mos kesh”.
Në vijim, KultPlus ju sjell disa thënie të njohura nga veprat e Hemingway:
“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.
“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.
“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.
“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.
“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”
“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.
“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqësh dorë, përpiqu”.
“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për të ikur kurrë nga ty”.
“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.
“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”
Biblioteka Kombëtare dixhitalizim të mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh dhe antikuarësh
Falë punës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, përgjatë gjithë muajve të izolimit si pasojë e COVID-19 është arritur realizimi i një faqeje të re online dhe dixhitalizimi i mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “dikur Borges thoshte se “Parajsën e kam menduar gjithmonë si një bibliotekë”. Në kushtet e pandemisë Covid 19, po “hapim” dyert e kësaj parajse në një tjetër formë, asaj dixhitale. Një pasuri e tërë, e cila tashmë është e aksesueshme nga kushdo, kudo dhe kurdo”.
“Ky revolucion dixhital finalizohet pikërisht në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, kësaj “parajse”, për të cilën ne premtojmë se do punojmë edhe kundër ritmit të kohës, për t’i kthyer dinjitetin që meriton: një godinë me të gjitha standardet e kërkuara në hapësira dhe teknologji”, – tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “ndërkohë po ecim me ritme të shpejta për t’ia kthyer “Aneksin” e Bibliotekës Kombëtare, publikut, përmes sallave të dedikuara, ku për herë të parë do të dalin në dritë koleksione të rralla, në gjuhë të ndryshme”.
Sipas saj, puna vazhdon përtej vështirësive dhe me mirëkuptimin e lexuesit, që tashmë duhet të përballet edhe me disa mungesa.
“Falë dixhitalizimit do arrijmë të mbushim disa hendeqe, që na krijon pamundësia e prekjes fizike me librin”, – shtoi ministrja Margariti.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.
Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.
Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.
Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e politikave të Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.
BKSH është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar.
/k.s//a.a/atsh