Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

Propaganduesit e referendumit për emrin e IRJM, dhe “argumentet” e tyre

Përveç partive shqiptare, me BDI në krye, të cilat themeluan shtabet e fushatës për të shtyrë shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë marrëveshjen për emrin,  është edhe një shtresë e qytetarëve shqiptarë, që bëjnë fushatë jo zyrtare, por jo më pak agresive se ajo e partive, në media dhe veçanërisht në rrjetet sociale.

Këta janë kryesisht shqiptarë (disa prej tyre intelektualë) të cilët në çdo sistem jetojnë në “zonën e komoditetit”, duke bërë kompromis me pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, e jo rrallë edhe duke u vënë në shërbim të tij, duke i siguruar vetes kështu komoditetin individual në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve. Tipike për këtë shtresë të shqiptarëve janë profilet dhe statuset në rrjetet sociale në dy gjuhë, bile më shumë në atë sllavomaqedonishte, si dhe numri i madh i miqve sllavomaqedonas. Statuset janë plot mesazhe internacionaliste dhe neveri ndaj nacionalizmit dhe patriotizmit, zakonisht të paadresuar, përkrahur me plot mirëkuptim nga miqtë sllavomaqedonas, asnjëri nga të cilët, për çudi, nuk di shqip, ose më saktë nuk duan ta mësojnë, pavarësisht faktit që jetojnë në qytete të rrethuar me shqiptarë.

Argumenti i tyre më i përdorur  dhe njëkohësisht më manipulues për të bindur të tjerët që të dalin në referndum dhe të votojnë marrëveshjen është ai i shpëtimit nga “katrahura shovene dhe nacionaliste” duke ia mveshur këtë vetëm partisë VMRO dhe qeverisjes së saj, pa dhënë përgjigjen në pyetjen se si dalja në referendum dhe vota pro marrëveshjes do të shpëtonte shqiptarët nga ky nacionalizëm dhe shovenizëm, kur e njëjta i zhvesh fare nga sovraniteti mbi shtetin, dhe u’a jep atë ekskluzivisht sllavomaqedonasve!

Këta përpiqen që t’i bindin shqiptarët e tjerë për të dalë në referendum me argumentin se marrëveshja nuk cënon pozitën e tyre në IRJM, duke mos dhënë përgjigje shumë shqetësimeve të ngritura nga ana e tyre: Si është e mundur që marreveshja per emrin bën ndarjen e identitetit maqedonas antik në mes te grekëve dhe sllavëve si plaçkë lufte ( “Historic deal on shared Macedonian identity …” – The Guardian), e me këtë edhe pronësinë mbi shtetin, duke injoruar faktin që shqiptarët sot përfaqësojnë një të tretën e banorëve të IRJM, si dhe faktin historik që në territorin e IRJM së sotme, gjithandej gjenden pothuajse vetëm gjurmë të Ilirëve (Dardanëve, Paionëve, Enkelejve …) e fare pak të maqedonasve antikë?

Vet kryeqendra e IRJM, Shkupi (Skupi i vjetër) është një thesar arkeologjik i mbushur me gjurmët e kryeqendrës së dardanëve që para shekullit 25 para erës sonë. Nëse emri i IRJM duhej pajtetër të ndryshohet, përse duhet shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë pikërisht  emrin Maqedoni Veriore!? Si mund të lejojohet që me kaq lehtësi një marreveshje në shekullin 21 thjesht të fshijë si të kaluarën ashtu dhe të sotmen e shqiptarëve?

Është veçanërisht fyes pohimi i këtyrë propaganduesve të referendumit se, ndryshimet e  kushtetutës  që do të  sillnin përmirësimin e statusit të shqiptarëve do të bëhen pasi të votohet marreveshja! Pa i dhënë përgjigje pyetjes se PSE do të duhej sllavomaqedonasit të bëjnë ndryshime të tjera të kushtetutës pas votimit të PAKUSHTËZUAR të Marrëveshjes së Prespës nga ana e shqiptarëve dhe ndryshimeve të kushtetutës që burojnë nga kjo marrëveshje: ndryshimi i emrit, kombësisë dhe gjuhës zyrtare.

Manipulimi tjetër nga këta shqiptarë që propagandojnë daljen në referendum është ai me termin “nationality” të përdorur në dokumentin origjinal të marrëveshjes, në gjuhën angleze duke u bërë palë me qeverinë në synimin për të mashtuar shqiptarët se bëhet fjalë për nënshtetësi.  Termi “nationality” në anglisht, ka dy sinonime – atë të nënshtetësisë (citizenship) dhe atë të kombësisë (ethnic group), të cilën, edhe qeveria qëllimisht, e përkthen si “nënshtetësi” në dokumentin e pëkthyer në gjuhën sllavomaqedonase dhe atë shqipe,  për të maskuar faktin që, sipas marrëveshjes, edhe shqiptarët do të konsiderohen me kombësi maqedonas/qytetarë të Maqedonisë Veriore, dhe kështu dë të shkruhet në të gjithë dokumentet e tyre të identifikimit.  Sinonimi “nënshtetësi” me të cilin manipulohen shqiptarët për t’i bindur të votojnë marrëveshjen,  gjen kuptim vetëm në shtetet kombe, ku nënshtetësia nenkupton kombin ( “a people having a common origin, tradition, and language and capable of forming or actually constituting a nation-state” – Merriam Webster dictionary). Poqese në nenin 1 të  marrëveshjes për emrin, termi i rënë dakord do të ishte “nënshtetësi”, në variantin origjinal të marrëveshjes  (atë anglisht – verzioni i vetëm me fuqi juridike), do të përdorej sinonimi “citizenship” (shtetësi) e jo “nationality” (kombësi).

Nëse të qenit në zonën e komoditetit individual në dëm të interesit të përgjithshëm për këta shqiptarë dikur arsyetohej me kushtet e frikës nga terrori i egër që e mundësonte sistemi komunist në duart e sllavëve të jugut, sot kjo nuk arsyetohet më.  Eshtë për të gjithë e qartë që marrëveshja  përkrahet nga faktori ndërkombëtar për të zgjidhur kontestin për emrin mes grekëve dhe sllavëve që quajnë veten maqedonas (argument i përdorur nga të njëjtët), por është po aq e qartë për të gjithë që duan ta kuptojnë, përfshirë dhe këta shqiptarë, se kjo marrëveshje po përdoret me shumë mjeshtëri nga qeveria e kryeministrit Zaev për t’i dhënë goditjen finale statusit të shqiptarëve në IRJM.

Me daljen në referendum dhe votimin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët do të përbaltnin të gjitha veprimet e tyre të guximshme në të kaluarën e afërt, si bojkotimi i referendumit për pavarësinë e IRJM dhe mos miratimin e kushetutës së re të IRJM më 1991, si dhe daljen në referendumin për “Autonomi politike dhe teritoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992. Do të shkelnin mbi atë pak dinjitet që u ka mbetur nga nëpërkëmbja që u bëjnë përfaqësuesit e tyre zyrtarë të kapur nga kjo qeveri, dhe me votën e tyre për këtë marrëveshje do të vulosnin fatin e tyre ndëkombëtarisht të pranuar– atë të pakicës pa identitet, pa gjuhë, pa shtet, pa dinjitet…

Afrim Fanda

MESAZHET E VETEDIJSHME DHE TE PAVETEDIJSHME TE ZEVENDESKRYEMINISTRES SE IRJM

“Qytetarët të tregohen të guximshëm në referendum” apeloi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes e IRJM, Radmilla Sheqerinska. Si bibë tipike politike që është, ajo sqaroi referendumin me mire dhe në mënyrë më të realtë me fjalët që i dolën nga nënvetëdija, se sa me të tjerat që i kishte pregaditur për ceremoninë e  me rastin e 18 gushtit ditës së armatës së IRJM.

Në fjalorin shqiptar, guximi përkufizohet si vetia për të kryer një detyrë a një punë të rrezikshme … E pse referndumi qenka një punë apo detyrë e rezikshme? A nuk është referendumi formë e shprehjes së mendimit të popullit përmes  vullnetin e të tyre të lire, pa presionin e kërcënimit, frigës, shantazhimit dhe mashtrimit, për një çështje shtetërore e shoqërore me rëndësi të veçantë, duke bërë votimin e përgjithshëm!?

Tani e kutpoj hallin e Sheqerinskës, dhe situatën e koklavitur si lesh arapi të këtij shteti artificial. Por ç’kusur dhe çfarë detyrimi kanë shqitparët ndaj këtij shteti që është sjellur në mënyrën më mizore dhe më shpërfillëse me ta?

Për të sqaruar ashtu si duhet këtë situate lidhur me marreveshjen për emrin e me kte dhe ftesën për të dalë në referendum, znj. Sheqerinska do tu duhej t’u drejtohet me deklarata të veçanta shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve. Kjo sepse si përfitimet ashtu dhe detyrimet dhe obligimet dallojnë substancialisht.

Po, ka kuptim që znj. Sheqerinska t’i drejtohet publikut sllavomaqedonas me këto fjalë, por duke zëvendësuar fjalën “qytetarë” me fjalën “bashkëkombas”, që për ata mesazhi do të kishte kuptimin si vijon: “BASHKËKOMBASIT e mi, të tregohen të guximshëm në referendum, sepse vërtetë do të heqim dorë nga identiteti maqedonas antik, që vërtetë na shërbeu mbi shtatë decenie për të injoruar shqitparët dhe për të na bërë pronarë të shtetit, dhe ne u mësuam me te. Por me marrëveshje me Greqinë për emrin, na u lejua që të ndërtojmë një idedntiet të ri, shumë të ngjashëm atë të parin, bile akoma më mire, me atrbutin sllav, e që na bën përsëri të vetmit pronarë të shtetit”

Më pas, do të mundej të vazhdonte me pjesën tjetër të pandryshuar, ku në fakt, paftyrsisht (për shqiptarët) u tregua e sinqertë, duke zëvendësuar vetëm fjalën “qytetarë” me “bashkëkombas”: ‘Gjatë disa javëve të ardhshme do të kemi mundësi historike, të shprehemi për një shtet më të mirë dhe më ndryshe. Shtet i cili do të njohët dhe pranohet si aleat nga e gjithë bota. Identitet që do të jetë maqedonas dhe i pakontestueshëm. Gjuhë që do të jetë e pakontestueshme. Shoqëri në suaza të aleancës së NATO-s, dhe si anëtare e ardhshme e BE-së dhe ardhmëri e qartë për BASHKËKOMBASIT e mi. Ky vizion për fat të keq nuk i konvenon të gjithëve.”

Por këtu ka një problem.  Sa kredibilitet do kishte Sheqerinska, një shqiptare e asimiluar nga Reka e Epërme,  t’u drejtohet sllavomaqedonasve në këtë mënyrë të sinqertë!? Pastaj mbetet pjesa akoma më e vështirë:  Çfarë mbetet për t’u thënë shqiptarëve!?

Afrim Fanda

SHQIPTARËT DHE KRYEMINISTRI “REFORMATOR I GUXIMSHËM” I IRJM

Poeti Charles Bukowski në një intervistë dhënë një reviste letrare deklaroi:  “shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të kenë vetëbesim, ndërsa të mirët kanë tendencë të kenë vetë-dyshime. Pra, shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të vazhdojnë dhe të shkruajnë broçkulla dhe të japin sa më shumë lexime të jetë e mundur për audienca të rralla. Këta audienca të rralla përbëhen kryesisht nga shkrimtarë të tjerë të këqij, të cilët presin rradhën e tyre …”

Por përkufizimin më të përmbledhur të këtij fenomeni e bëri Bernard Russel, filozof anglez, matematikan dhe shkrimtar në esenë e tij me titull “Triumfi i marrëzisë”,  ku kritikoi ngritjen e lëvizjes naziste në Gjermani: “Shkaku themelor i telasheve në botën moderne është se budallenjtë janë të sigurtë në vete dhe kokëfortë, ndërsa të mençurit janë plot me dyshime”

Intelektualë shqiptarë servilë me mendësi skllavi dhe politikanë naivë të etur për pushtet, në në shkrimet dhe deklaratat e tyre, nxituan të shohin  “të guximshmin” dhe “reformatorin” në personalitetin e kryeministrit Zoran Zaev, duke u bazuar  në luftën e tij mediatike kundër krimit dhe korupsionit  të VMRO.  Ca prej tyre, arritën deri aty sa të shohin edhe kriminelët  tek figurat kryesore të BDI, duke u ofruar shqiptarëve kryeministrin Zaev si shpëtimtar nga VMRO e edhe nga BDI. Por sytë janë të padobishëm, kur mendja është e verbër, thot një fjalë e urtë. Ndaj, sikur me ato syzet me dy dioptri të ndara, nuk arrijnë kursesi të shohin bashkë, në të njëjtën fushë vizive, “reformatorin e guximshëm” dhe kriminelët e BDI. Prandaj nuk sqarojnë dot as veten, e as të tjerët, se si i bëhet që ky “reformator i guximshëm” kurseu kriminelët shqiptarë të BDI, bashkëpunëtorë në krim të VMRO!?  Dhe jo vetëm që i kurseu, por bëri dhe qeverinë me ndihmën e tyre. E jo vetëm që bëri qeverinë me ndihmën e tyre, por mban gjallë dhe shtetin “me ditë të numëruara” me ndihmën e tyre.

“Ilindeni  është një kryengritje maqedonase. Nëse donjë qytetar bullgar dëshiron t’a festojë, le t’a festojë” deklaroi para ca ditësh kryeministri Zaev. Dhe kur presidenti  dhe kryeministri i Bullgarisë i treguan dhëmbët në përgjigje të kësaj deklarate, kryeministri “i guximshëm”, përmes rrjetit social “Facebook”, deklaroi keqardhje për fjalët e deklaruara, athua se me këtë  ndjesë publike u arsyetua për faktin e përvetësimit (me decenie të tëra) të historisë të një shteti të huaj, dhe akoma më shumë, pothuajse emërtoi shtetin me emrin e kësaj kryengritjeje bullgare! Ndërkaq roli i palaçove shqiptarë në pushtet, ishte të “përkthejnë” emrin e kësaj kryengritjeje bullgare, dhe ashtu si padroni i tyre, pa u skuqur fare, tu’a ofrojnë shqiptarëve si emër të shtetit ku jetojnë.  E si të skuqet dikush që nuk ka fytyrë?

Por, nuk është as hera e parë e as e vetmja, që kryeministi Zaev pranon dhe kërkon ndjesë për përvetësim të bërë.  Vet marreveshja për emrin, e nënshkruar në Prespë më 17 shkurt 2018, është në fakt pranim dhe kërkesë për falje publike për përvetësimin e identitetit dhe historisë së maqedonasve antik për më shumë se shtatë decenie. E për të njëjtën gjë shërbeu edhe ndrimi i emrit të aeroportit të Shkupit dhe të një autostrade që mbanin emrin e Aleksandrit të Madh. Dhe për këtë, grekët shpërblyen kryeministrin “reformator”, duke i mundësuar dhe duke u bërë palë në injorimin dhe anashkalimin e shqiptarëve në këtë marrëveshje për të ardhmen e shtetit, duke i dhënë shtetit dhe gjuhës zyrtare vetëm atribute sllave.

Vetëm shqiptarëve kryeministri “reformator i guximshëm” nuk e konsideron të nevojshme t’u kërkojë falje për krimet që u ka bërë shteti që përfaqëson. Përkundrazi, konsideron se e ka rastin e volitshëm për të përmbyllur synimin e kahmotshëm për nënshtrimin përfundimtar të shqiptarëve, duke i asimiluar në “maqedono-verior” sllavë,  me gjuhë zyrtare sllavomaqedonishten.  Dhe për këtë ka ndihmën e pakursyer të klasës politike të shitur të shqiptarëve.

Dhe pikërisht ky kryeministër hajdut identitetesh dhe historishë, bashkë me kriminelët dhe hajdutët shqiptarë që i shërbejnë sepse i kursen nga burgu, na ftojnë në referendum për të votuar këtë marrëveshje poshtëruese për shqiptarët. Pikërisht llumi i shoqërisë shqiptare, që përfaqëson të kundërtën e vlerave të qytetërimit europian na thonë të dalim në referendum dhe të votojmë marrëveshjen  “për t’u integruar në Europë”.  U’a thonë këtë pa u skuqur, pikërisht diasporës, të cilët tani më “u integruan” duke ikur në BE nga këta që i lanë papunë, për të punësuar militantët e tyre.  Ikën nga këta u’a bënë qytetet e tyre të pajetueshme. E u’a thonë edhe shqiptarëve të tjerë që vazhdojnë të “të integrohen” duke ikur në BE, si këta të parët.

E gjitha kjo që ca kriminelë shqiptarë t’i shpëtojnë burgut, ca të tjerë të bëjnë pak lek derisa edhe ata t’i fusi UDB-a në dorë, e ca mjeranë të hynë në punë në donjë ministri për një rogë mizerje, në pritje të ditës kur edhe ata do të ikin.

Afrim Fanda

Afrim Fanda: Letër e hapur redaksisë së PORTALB

Maqedonia etnike hartaDuke u nisur nga njëanshmëria e redaksisë suaj në fushatën  për referendumin në IRJM, manifestuar  me përzgjedhjen e analistëve që trajtojnë këtë temë, dhe mesazhin që jep vet redaksia, po ju drejtohem me këtë letër të hapur me të drejtën që më jep të qenit një qytetar me mendim ndryshe lidhur me këtë çështje kaq të rëndësishme për shqiptarët Jam i befasuar dhe i zhgënjyer që një mjet informimi i pavarur, i financuar nga  një fondacion jo qeveritar, që do të duhej të nxiste dhe respektonte diversitetin e  mendimeve dhe qëndrimeve, vihet në shërbim të qeverisë për të bërë thjesht propagandë. 

Jam i befasuar që në median tuaj, nuk denoncohet si jo ligjor ky referendum i mbuluar me velon e terrorit, kërcënimit dhe shantazhit për shqiptarët, duke u nisur që nga vet formulimi përjashutes, etiketues, kërcënues dhe shantazhues i pyetjes së referndumit, si dhe gjuha e përdorur në fushatë nga qeveria, partitë dhe analistët. Në vend të kësaj, analistët e përzgjedhur nga ju, për ironi që të tre ekspertë juristë, në shkrimet e tyre të botuara në median tuaj, përdorin po të njëjtën gjuhë kërcënuese ndaj shqiptarëve, gjithmonë në shërbim të qeverisë. Eshtë zhgënjyes fakti, që ju si media e pavarur, zgjodhët t’i drejtoheni publikut shqiptarë për këtë çështje kaq me rëndësi për ta, pikërisht përmes qëndrimeve të një gjykatësi , një këshilltari të kryeministrit dhe një ekspert juridik, po aq në shërbim të pushtetit sa këta dy të parët.

Me keqardhje konstatova se e vetmja “metamorfozë” që pashë në këtë rast, të nxitur nga Fondacioni juaj për shoqërinë shqiptare në veçanti dhe atë në IRJM në përgjithësi, ishte që ca eksponentë me trup të majmë të sistemit të kaluar, tani nuk kishin nevojë më për “fytyrën e pëvuajtun të Sokratit” për tu drejtuar shqiptarëve, por mund të paraqisnin fytyrën e vërtetë të tyre, atë të “derrit me trup të majmë”.

Ju ndoshta nuk mund të distancoheni nga e kaluara e “analistit” jugonostalgjik Osman Kadriu, i cili pas demostratave të vitit 1981 në Prishtinë, angazhohej për “shkuljen nga rrënja e nacionalizmit dhe iredentizmit shqiptar” në Kërçovë e më gjërë në IRJM, dhe tani, në median tuajangazhohet per “rrugët integruese të IRJM”! Por keni detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve shqiptarë që të distancoheni nga mesazhet terrorizuese dhe shantazhuese ndaj shqiptarëve që nuk do të votonin marrëveshjen për emrin përmes medias tuaj, të Mersel Bilallit, këshilltar i kryeministrit, i cili e interpreton mosvotimin si “vetasgjësim” dhe “shpërngulje massive” të shqiptarëve, si dhe të Besa Arifit e cila e interpreton mosvotimin  si “te vdesim të izoluar”. 

Keni detyrim moral që t’ua thoni të vërtetën shqiptarëve se shpërbërja e IRJM-së  me rastin e mossuksesit të referndumint nuk do të thotë fund për shqiptarët, ashtu siç nuk ishte fund për sllavomaqedonasit shpërbërja e Jugosllavisë.  Sepse, ashtu si sllavomaqedonasit që nuk lidhën fatin e tyre me fatin e Jugosllavisë, por përmes referendumit, pa shpërfillur shqiptarët, shpallën pavarësinë e tyre nga ky shtet që po shpërbëhej, ashtu edhe shqiptarët nuk janë të detyruar me çdo kusht të lidhin fatin e tyre me atë të IRJM e rezikuar nga shpërbërja, por përmes një referendumi kanë të drejtën të vet-vendosin për fatin e tyre, duke ju bashkuar shtetit të tyre amë.

Keni detyrimin moral për informim të saktë dhe të paanshëm të shqiptarëve, se mosvotimi i marreveshjes për emrin, jo detyrimisht prish miqësinë e shqiptarëve me partnerët strategjikë të shqiptarëve, NATO dhe SHBA. Në vitin 2001 z. Robertson i quajti “bandë rrugaçësh” luftëtarët e UÇK që kishin kapur armët kundër IRJM, por pastaj korrigjoi qëndrimin duke u detyruar të bashkëpunojë me ta. Se as NATO e as SHBA nuk u prishën marrëdhëniet dhe miqësinë me shqiptarët kuar ata bllokuan në Tiranë me ditë të tëra bulevardin para kryeminstrisë, dhe me të drejtë refuzuan asgjasimin e helmeve luftarake nga Siria në territorin e R. Shqipërisë. Përkundrazi, miqësia tradicionale vazhdoi edhe më me intensitet, gjë që tregon roli vendimtar i SHBA dhe BE në fushën e reformave në drejtësi në R. Shqipërisë.  

Keni detyrimin moral për infromim të drejtë të shqiptareve, se anëtarësimi i IRJM në NATO nuk zëvendëson statusin e tyre të munguar të shtetformuesit, dhe jo detyrimisht nënkupton vërshim investimesh. Se investimi i vetem i konsiderueshëm (rreth 1 miliardë Euro) në R. Shqipërisë  erdhi  7 vite pas anëtarësimit në NATO (2009), kur në vitin 2016 u vendos që traseja e TAP do të kalonte nëpër territorin shqiptar. Se vërtët Bullgaria, me hyrjen në BE shënoi rritje ekonomike 36% siç me të drejtë theksohet në shkrimin e gazetares tuaj Aneta Dodevska, por qytete të tëra periferike u shëndruan në qytete fantazma, të braktisura nga qytetarët, që shkaku i papunësisë, migruan në vendet e zhilluara të BE-së. Më tej, do bënit mire të bënit analogjinë me atë që po ndodh me shqiptarët në IRJM që tani, akoma pa e votuar këtë marëveshje poshtëruese, që i trajton ata si inegzistentë, me rrugën e hapur për integrim në BE por vetëm si një fuqi punëtore e papunë, pa perspektivë, e gatshme për të ikur nga qytetet e tyre në ndonjë nga vendet e BE. 

Si mjet komunikimi në masë, ju ftoj që të nxisni shqiptarët, posaçërisht të rrinjt, në vend të hipokrizisë, të jenë të hapur jo vetëm ndaj shoqërisë së tyre, por edhe ndaj bashkëqytetarët të tyre sllavomaqedonas. Tu themi hapur, pa hipokrizi, vetëm të vërtetën, për shumë gjëra, në veçanti për këtë që po ndodh sot, si çështje të rëndësishme për të dy palët: – Po, neve na pengon që ju përvetësoni identitetin e një populli me të cilët të parët tanë kanë bashkejetuar para se ju të vini në këto vise, pavarësisht që nuk ju pengojmë dot në këtë gjë. Na pengon, sepse ju këtë nuk e bëni kot, por për t’u dalë zot territoreve, aty ku na gjetët kur erdhët, ku tani jetojmë bashkë!  Ne, ashtu si në gjithë historinë tone, nuk shfarosim popuj dhe nuk organizojmë egzode në shtete të tjera. Pranojmë realitetin historik të pranisë tuaj në këto territore dhe jemi të gatshëm që të bashkëjetojmë në fqinjësi të mirë me juve, pa urejtje, të gatshëm t’ju falim për mizoritë që na i keni bërë, nëse për këtë kërkoni falje. Por nuk lejojmë që të silleni si pronarë në shtëpinë tone dhe të bëni pazare për shtëpinë tonë pa na pyetur neve fare! Dhe na pengon që sot, për fat të keq, nuk dëgjojmë as edhe një zë të vetëm nga ju bashkëqytetarët tanë sllavomaqedonas që do të do kundërshtonte anashkalimit të shqiptarëve në këto marrëveshje kaq të rëndësishme për të ardhmen e të gjithë neve. Prandaj ne shqiptarët nuk do të dalim në referendum dhe nuk do të votojmë këtë marreveshje vetëm në interesin tuaj, poshtëruese për ne, ku ne trajtohemi si hije, pa emër, pa gjuhë, pa traditë, pa territor…

Dhe në fund, redaksi e nderuar,  ju ftoj që ta shëndroni gazeten tuaj në një “Dritare reale” të vërtetë, duke nxitur një “metamorfozë” të vërtetë të kësaj shoqërie, për një komunikimin të hapur në mes të rinjve pavarësisht grupit etnik që i takojnë. Duke trimëruar posaçërisht të rinjtë që të thonë të vërtetën e jo atë që duhet të dëgjohet. Duke nxitur guximin dhe sinqeritetin tek ata e jo servilizmin dhe poltronizmin ndaj qeverisë. Për të gjetur zgjidhjet që kënaqin të dy palët, jo vetëm njërën, në kuriz të tjetrës.  E këtë nuk do ta arrini me njerëz që gjithë jetën kanë shërbyer klaneve qeveritare, dhe që kanë përfituar nga kjo.    

Afrim Fanda

*”Autori ju drejtua edhe redaksisë së PORTALB, por për fat të keq, nuk pati asnjë reagim nga ana e tyre.”

Pse nuk duhet shqiptarët të dalin në referendum dhe të votojnë marreveshjen për emrin e IRJM

Më 17 shkurt 2018, ministrat e jashtëm të Greqisë dhe IRJM, në prani të dy kryeministrave, ndërmjetësuesit të OKB-së për çështjen e emrit, përfaqësuesve të BE dhe OKB, nënshkruan marreveshjen për ndryshimet lidhur me emrin e IRJM. Nëse IRJM do të arrijë që, pas ratifikimit në parlamanet, t’a kalojë këtë marrëveshje në referendumin e parashikuar dhe të përmbylli të gjitha procedurat e brendshme, marreveshja është parashikuar të ratifikohet edhe në parlamentin e Greqisë, përkundër pakënaqësive dhe kundërshtimeve të forta të shprehura nga opozitat e dy vendeve, por edhe përbrenda koalicionit qeveritar në Greqi. Pas kësaj, vendi do të quhej “Republika e Maqedonisë Veriore”, ose shkurt “Maqedonia Veriore”.
Marreveshja, dhe implementimi i suksesshëm i marrëveshjes për emrin nga sllavomaqedonasit konsiderohet si vendimtar për shpëtimin e identitetit maqedonas të përvetësuar, të kontestuar fuqimisht nga Greqia, si dhe për vetë shtetin e IRJM, që sipas atyre më të sinqertëve “varet në fije të perit”.
Po për shqiptarët, çfarë përfaqëson kjo marrëveshje? Çfarë përfitojnë shqiptarët nga kjo marrëveshje? Asgjë! Përkundrazi, në një moment vendimtar, kur preket kushtetuta e IRJM, dhe shqiptarët kanë rastin dhe të drejtën për të avancuar pozitën e tyre kushtetuese në atë shtetformuese, dhe të marrin pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon, nga shqiptarët, duke mos u dhënë asgjë në shkëmbim, kërkohet që të flijojnë vullnetarisht identitetin e tyre, duke u quajtur jo si shqiptarë por si “maqedonas, qytetarë rë Maqedonisë veriore”, duke hequr dorë nga kërkesa për statusin prej shtetformuesi dhe statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, e gjitha kjo për të ruajtur identitetin “maqedonas” e bashkë me të dhe territoret dhe shtetin të përvetësuar nga bashkëqytetarët e tyre sllavë.
Kryeministri Zaev, me ndihmën e klasës politike shqiptare të shitur, arriti ta kalojë me lehtësi në parlament këtë marreveshje poshtëruese për shqiptarët. Por, i vetëdijshëm për besueshmërinë e ulët të kësaj klase politike të kriminalizuar, kërkon që këtë ta përforcojë dhe sigurojë me anë të një referendumi, në të cilin shqiptarët do të vulosnin vetë, me votën e tyre, fatin e prej qytetari pa identitet, atë të pakicës, mysafirit në shpi të vetë, dhe gjithë këtë ndërkombëtarisht të pranuar.
Ndaj, intelektualë dhe opinionistë matrapazë, bashkë me “ilinditasit” e BDI, të pabesët “as për iman e as për vatan” të Beses, PDSH-në publikisht besnike deri në vdekje ndaj UDB-ës, Aleancën për Shqiptarët të cilët edhe përshendesin marrëveshjen edhe jane kundër efekteve të saj, të gjithë me të vetmin preokupim – ruajtjen e identitetit “maqedonas” të padronëve të tyre, janë bërë bashkë, për të bindur shqiptarët që t’a votojnë marreveshjen. Janë plot “argumente” në detyrën e tyre per të mashtruar shqiptarët, duke i friksuar ata me parashikime të situatave me “pasoja apokaliptike” në rast të dështimit të referendumit dhe marreveshjes për emrin.
Synimi për të mashtruar dhe fyerja e shqiptarëve fillon që nga pyetja kurth e paralajmëruar nga kryeministi Zaev – “a jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke pranuar Marrëveshjen me Greqinë”, ku integrimi ne Nato dhe BE perdoret si karrotë për të joshur shqiptarët që trajtohen si infantilë për të votuar këtë marreveshje kryekëput në interes vetëm të grekëve dhe sllavomaqedonasve dhe në dëm të shqiptarëve.
Argumenti i cili konsiderohet më “bindësi” nga këta kuislingë, në fakt është synimi për frikësim të shqiptarëve nga një shpërbërje e IRJM si shtet, në rast të dështimit të marreveshjes për emrin me Greqinë! Por në fakt ç’do të thotë kjo për shqiptarët, të cilët kanë një shtet të tyre shqiptar, nga i cili i ndan një kufi artificial në territore me vazhdimësi të banuara me shqiptarë, dhe ku do takonin në rast të shpërbërjes së IRJM? Përgjigjen gjejeni vetë.
Argumenti tjetër, përndryshe i preferuar në fjalimet e kriminelve që pikërisht përfaqësojnë të kundërtën e vlerave të qytetërimit europian, është ai i integrimit në NATO dhe BE, duke frikësuar shqitparët se me dështimin e marrëveshjes për emrin, dhe shpërbërjen e IRJM do të humbasin mundësinë për integrim në NATO dhe BE. Athua se shqiptarët nuk mund te integrohen ne NATO dhe BE përmes shtetit të tyre shqiptar, nga i cili i ndan pikërisht kufiri që bën shtet IRJM-në dhe shqiptarët pakicë dhe mysafirë në shpi të tyre.
Argument tjetër i përdorur që synon përsëri friksimin e shqiptarëve, përndryshe të njohur për orientimin e tyre properëndimor, dhe antirus, është rënia e IRJM nën ndikimin rus. Ndërkohë, politikat zyrtare, të këtij shteti, definimi i prioriteteve në politikën e jashtme, përcaktimi i partnerëve strategjikë, hapja ndaj njërit apo tjetrit ndikim, kurrë nuk janë varur nga faktori shqiptar. Këto kanë pësuar ndryshime vetem ne vartësi nga partia politike maqedonase në pushtet.
Prekja e detyruar e kushtetutës për shkak të ndryshimeve lidhur me emrin, është një moment shumë i favorshëm për shqiptarët për të ndryshuar regullimin shtetëror nga ai unitar në atë federativ ose më mire konfederativ, që do t’u jepte mundësinë e pazëvenësueshme për të qenë shtetformues dhe për të marrë pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon. Mundësi që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim. Por, kjo marrëveshje nuk e ofron këtë.
Përkundrazi, në këtë marrëveshje (neni 7, paragrafi 1 dhe 2), grekët janë kujdesur që t’u pamundësojnë sllavëve përvetësimin e identitetit të maqedonasve antik, por për aq sa të mos i preki ata, pra në rafshin ndërkombëtar. Njëkohësisht, duke lejuar mundësinë që këtë ta bëjnë brenda për brenda shtetit (neni 7, paragrafi 3 dhe 4), në marredhënie me shqiptarët, duke i dhënë shtetit vetëm attribute sllave dhe duke trajtuar shqiptarët si “hije” pa gjuhë, pa histori, pa kulturë, pa trashëgimi…
Duke mos votuar këtë marrëveshje, shqiptarët do t’u jepnin grushtin e forte njëherë e mirë përfaqësuesve të tyre politikë ilegjitimë, kuislingë të shitur, të mësuar që të japin blanko premtime padronëve në emër të shqiptarëve, duke i konsideruar të njëjtët si dele të bindura që mashtrohen kollaj. Duke mos votuar këtë marrëveshje, shqiptarët do te jepnin mesazhin e qartë politik si faktor të rëndësishëm për gjetjen e zgjidhjes për këtë pjesë të rajonit, që nuk mund të arrihet me anashkalimin e tyre. Do të jepej mesazhi që shqiptarët do të votojnë vetem marreveshje të tilla ku atyre qartësisht, me ndryshime kushtetuese u jepet e drejta për pjesë të shtetit dhe pushtetit që u takon në bazë të argumenteve historike dhe politike.
Fakti që përfaqësuesit e inkriminuar dhe të koruptuar të shqiptarëve i dirigjon si kukulla teatri, nuk duhet të inkurajojë kryeministrin Zaev për t’u futur në aventura të rezikshme me palë të treta në dëm të shqiptarëve, siç është kjo marreveshje me Greqinë. Për këtë së paku do të duhet të kujtonte luftën 2001, pavarësiht që ka në xhep ca prej atyre që luftuan.

Dhe në fund, të mos harrojmë se shqiptarët në IRJM nuk janë katalonas në një Spanjë të madhe dhe të fuqishme. Por janë gati gjysma e popullsisë në një shtet që gati u shkërmoq në luftën e 2001!

Afrim Fanda

Injorimi i dëshmorëve të protestave të Gostivarit në shërbim të një klase politike të kapur

Më 9 korrik 2018 u bënë 21 vjet nga dita kur pushteti në duart e sllavomaqedonasve ushtroi masakrën e paparë në kohë paqeje ndaj shqiptarëve të paarmatosur të Gostivarit, të cilët dolën në protesta paqësore per të drejtën e përdorimit të lirë të flamurit të tyre kombëtar.

Me këtë rast, ekspedita e egër ndëshkuese policore e udhëruar nga LSDM, në atë kohë në qeveri koalicioni me PPD,  la tre të vdekur dhe qindra të plagosur, si dhe ushtroi dhunë çnjerezore në mbi një mijë qytëtarë shqiptarë të Gostivarit, mu ne qender të Gostivarit, gjatë gjithe ditës dhe gjithë natës pas protestave. Me urejtje të pashembullt u rrah barbarisht çdo shqiptar që lëvizte rrugëve të Gostivarit, mu para kamerave të mediave, para syve të opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm që bëri veshin shurdhër. Dhe e gjitha kjo nuk ndodhi në kohë lufte. Kjo masakër nuk ndodhi në një ditë të largët të historisë së shqiptarëve në këto treva. Kjo ndodhi tani, dhe është akoma e freskët në kujtesën e shqiptarëve. Këtë akt barbar nuk e bëri ushtria e ndonje vendi të largët. Nuk u urdhërua dhe zbatua nga personazhe historike të së kaluarës së largët. Këtë akt barbar e urdhëruan, miratuan dhe zbatuan aktorët e njëjtë politikë që sot i gjejmë sërish në pushtet. E njëjta parti politike sllavomaqedonase por tani me shërbëtorë të rinj shqiptarë, që sot vjen me ambalazhimin e ri, atë të partisë shpëtimtare të shqiptarëve nga “gogoli” VMRO, dhe partisë që do të sjelli drejtësi dhe të ardhme europiane për ta. Po e njëjta parti xhelate e cila as që e konsideron të nevojshme t’u kërkojë falje shqiptarëve për këtë dhe për krimet tjera barbare mbi popullatën civile shqiptare. Janë aktorët e njejtë të skenës së kontaminuar politike, si nga pala sllave ashtu edhe nga pala shqipfolëse në shërbim të tyre, me mendesinë e njëjtë mesjetare të skllavëruesit dhe skllavit të bartur në shekullin 21, të cilët tani me mish e shpirt punojnë për të rehabilituar xhelatët dhe bashkëpunëtorët e tyre të së kaluarës dhe me këtë edhe të tashmes. Mu për këtë, klasa politike renegate e shqiptarëve në pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, në vend se të organizojë solemnitete të denja për kujtimin e dëshmorëve Nazmi Saliu, Shpend Iseini dhe Milaim Dautin që sakrifikuan jetën e tyre për një kauzë të drejtë, si dhe për të nderuar të gjithë ata gostivaras, protestues të guximshëm që nderuan flamurin kombëtar duke rrezikuar jetët e tyre, ata organizojnë akademi përkujtimi per xhelatin Abdurahman Aliti, i cili në cilësinë e kryetarit të PPD -së në koalicion me LSDM, dha pëlqimin për vrasjen e këtyre shqiptarëve dhe dhunën ç’njerëzore që ushtroi ekspedita mizore e policisë sllavomaqedonase mbi ta. Me iniciativën e vet kryetarit të BDI-së në koalicion qeveritar, i cili tanimë nuk fsheh rolin e tij prej renegati dhe kolaboracionisti, pikërisht këto ditë u organizua akademi përkujtimi për njeriun që në jetën e tij nuk sakrifikoi as të zezën e thojit për popullin e tij, por përkundrazi qëndroi gjithë jetën në pushtet, duke shijuar benefitet e 12 viteve deputet dhe 4 viteve ambasador, si shpërblim për dëgjueshmërinë dhe miratimin e të gjitha axhendave antishqiptare të padronëve të tij. Shqiptarët, ashtu si nuk toleruan që klasa politike e tyre e kapur, në emër të integrimit të bastardojë gjuhën shqipe për të mbrojtur identietin e vjedhur të sllavomaqedonasve, dhe për t’u siguruar atyre fqinjësi të mire me grekët, ashtu nuk duhet të pranojnë as injorimin e dëshmorëve të tyre si kusht për integrim të tyre si bastardë brenda shteteve sllave. Shqiptarët nuk duhet të pranojnë asnjë lloj integrimi, ashtu të coptuar, dhe duke falur xhelatët, ende pa kërkuar ata falje, e gjitha kjo për të siguruar mbijetesën politike të klasës së tyre politike të koruptuar dhe të kriminalizuar. Pavarësisht përpjekjeve të bandës kriminale shqiptare në pushtet për ta injoruar, zhvlerësuar dhe për ta lënë në harresë këtë datë historike, shqiptarët do ta kujtojnë gjithmonë me respekt dhe mirenjohje sakrificën e dëshmorëve Nazmi Saliu, Shpend Iseini dhe Milaim Dauti si dhe guximin e gostivarasve në mbrojtje të flamurit tonë kombëtar

Afrim Fanda

Përkthimi bastard i ofruar në pako, bashkë me identitetin dhe statusin prej bastardi

harta maqedoniaMenduat se ndonje analfabet, të cilët BDI i ka me bollëk, me urdhërin Ali Ahmetit, i cili edhe vet nuk shquhet për ndonjë intelegjencë, e përktheu gabim emrin e ri të propozuar për IRJM? Ia qëlluat, por pjesërisht! E vërteta nuk është aq e thjeshtë. Keni të drejtë kur mendoni se injorantët dhe të paqytetëruarit kanë gatishmërinë për të shërbyer me kaq zell të huajin duke mashtruar, manipuluar bashkëkombasit në pike të ditës, me arrogancën dhe paftyrësinë më të madhe. 

Duhet kuptuar “halli” i Kryeminstri Zaev, e me këtë edhe i puthadorëve shqiptarë rreth tij. Brenga e pare e tyre ishte se si t’ua servirin shqiptarëve të IRJM, përndryshe kryesisht të fesë muslimane, emrin e ri të propozuar që mban emrin e Shën Ilisë. Emri Ilinden ka kuptim vetem sllav (Fjala Ilin në sllavishte ka kuptimin “i/e Ilisë” dhe den- ditë), që në përkthim do të thotë Dita e (Shën) Ilisë. Kjo festë, me po këtë emërtim festohet edhe nga shqiptarët ortodoksë. Pra, nuk ka si përkthehet ndryshe, prandaj dhe emri i ri, i përkthyer saktë do të ishte: Republika e Maqedonisë e ditës së Shën Ilisë. Shqetësimi i tyre i dytë ishte se si ta bëjnë këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së bullgarëve sipas ministres së jashtme të Bullgarisë, të “pranueshëm” për shqiptarët si pjesë të emrit të ri IRJM. Por në një moment, një renegati shqiptar të zellshëm iu kujtua idea “gjeniale”: ta përkthejmë ashtuqë mos të jetë as përkthim e as emër i ri, por diçka e ndërmjetme.  Dhe për t’ua bërë shqiptarëve mendjen dhallë, morën pjesën e pare të emrit, “Ilin” pa e ndryshuar, dhe  shtuan, “dita”  për të tingëlluar shqip. Dhe kryeministri Zaev, i këshilluar kështu nga kjo klasë politike shqiptare gjakprishur, që e siguroi atë se shqitparët do ta përbijnë çdo pisllëk që do t’u serviret, me entuziazëm dhe vetëbesim e shpalli si emrin e ri të IRJM “të përkthyer” në shqipe bastarde “Rebublika ILINDITASE e Maqedonisë”,.

Denko Maleski, profesor i politikës dhe të drejtës ndërkombëtare dhe ministri parë i jashtëm i IRJM, në një kolumnë të tijë në revistën “Fokus” në IRJM, tha se mbijetesa si një komb dhe shtet i IRJM varet në fije të perit. Me transparencën prej një intelektuali Denko Maleski pranoi se kompromisi për emrin është një mundësi për ekzistencën e IRJM, duke e distancuar politikën shtetërore nga Leka i Madh dhe Maqedonia antike. Kryeministri Zaev pasqyron këtë reflektim karshi faktorit të jashtëm , por ndaj shqiptarëve vazhdon të përdorë strategjinë e lojës së rrezikshme të manipulimit duke kërkuar të ndërtojë stabilitetin e IRJM me shqiptarët e poshtëruar me identitet të ri bastard, që fillon pikërisht me emrin e shtetit të përkthyer me nje shqipe bastarde. E kjo do të ishte edhe e ardhmja që bashkë me emrin u serviret shqiptarëve si grup etnik në IRJM – bastardë me identitet të ri, gjuhë të re, ilegjitimë, pa përkatësi, pa “prindër”, pa të kaluar, pa origjinë…

Edhepse të çoroditur dhe në kundërshti me njëri tjetrin, bie ne sy angazhimi i zellshëm i zv. kryeministrit Bujar Osmanit dhe shefit të kabientit të Ali Ahmetit,  Artan Grubit. Aroganca dhe gatishmëria e tyre, zelli për të mashtruar dhe manipuluar bashkëkombasit e vet për llogari të padronit, si dhe në përgjithësi higjiena morale e ulët të bën për të vjellë, sado që i pari këtë mundohet ta mbulojë me qëndrimin autoritar, kurse i dyti me pamjen prej idioti.  Bujar Osmani, me paturpësinë dhe paftyrësinë më të madhe deklaroi se “shqiptarët nuk kanë qenë përkthyes në këtë proces, por negociues …” duke e përgenjeshtruar me këtë edhe padronin e vet – kryeminstrin Zaev i cili në konferencën për shtyp i lexoi variantet në shqip dhe anglisht, duke i cilësuar pikërisht si përkthime të variantit në gjuhën sllavomaqedonase. Kurse Artan Grubi përgënjeshtroi Bujar Osmanin duke deklaruar se “për arsye se nuk ekziston fjalë në shqip për të përkthyer emrin e ri të propozuar, shqipërimi pas konsultimit me shumë gjuhëtar i bie që emri i ri i shtetit të jetë Republika Ilinditase e Maqedonisë. Është një fjalë e re që futet në fjalorin shqip”.

I gjithë ky pisllëk i rradhës lidhur me propozimin e fundit për emrin e IRJM, që nxori në sipërfaqe qëndrimin poshtërues dhe armiqësor ndaj shqiptarëve të LSDM dhe në veçanti të kryeministrit Zaev, si dhe rolin rolin destruktiv dhe poltronist të klasës politike shqiptare, përfundoi me refuzimin e qeverisë greke ndaj këtij propozimi.

Qëndrimi i Bullgarisë ishte i hapur dhe i qartë. Sipas ministres së jashtme Ekaterina Zaharijeva,  emri i ri i propozuar për IRJM është i pranueshëm për Bullgarinë sepse pranohet historia dhe e kaluara e përbashkët, pjesë shumë e rëndësishme e historisë bullgare.

Tek Shqiptarët, edhe pse hasi në kundërshtim dhe tallje të përkthimit në rrjetet sociale, mungoi reagimi institucional ndaj këtij poshtërimi të shqiptarëve, posaçërisht ai i ministrisë së jashtme të R. Shqipërisë. Ndërsa Behgjet Pacolli infromoi me indiferentizëm si një ministër i jashtëm i një shteti “të huaj”, për variantin e dakorduar mes dy shteteve, si dhe për mundësinë që shqiptarëve të mos u pëlqejë – dhe kaq.

E gjithë kjo nxori në sipërfaqe domosdoshmërinë për një strategji të nivelit kombëtar, apo strategji madhore për të artikuluar qartë dhe përballur me çështje të tilla fundamentale dhe ekzistenciale që i takojnë sferës së interesit kombëtar, në mënyrë që çështje të tilla madhore mos u lihen në dorë të politikanëve të shitur, që për interesa të tyre bëjnë kompromise në dëm të interesave kombëtare.

Afrim Fanda

Standardi i shtrembëruar i kryeministrit Zaev mbi drejtësinë për shqiptarët

“Unë nuk jam Gruevski, LSDM nuk është VMRO” – i trembur se dalngadal po i del boja, pa i’u skuqur fytyra, deklaroi kryeministri Zaev në një tubim me qytetarët në Tetovë. Dhe me këtë ua bëri të qartë shqiptarëve këndvështrimi i tij për drejtësi kur janë në pyetje shqiptarët, si i konsideron dhe si i parapëlqen ai shqiptarët.

Duke dënuar vetëm periudhën e qeverisjes së VMRO, duke mos u distancuar qartë dhe duke mos kërkuar falje për të kaluarën plot krime ndaj shqiptarëve nga ana e LSDM,  u bë bashkëpërgjegjës për këto krime.

Me kete deklaratë në veçanti, e me politikën e tij në përgjithësi, kryeministri Zaev i ofendoi shqiptarët duke i konsideruar si një popull “i trashë” që harron dajakun dhe krimet, dhe nuk kupton hilen. Z. Zaev do t’i pëlqente që shqiptarët të harrojnë faktin se LSDM është pëgjegjëse për një sërë krimesh ndaj shqiptarëve, ne qeverisjen e saj gjatë periudhes 1992 – 1998. Krime që fillojnë me ngjarjet e Bit Pazarit në vitin 1992 , kur  katër shqiptarë u vranë nga policia e 14 të tjerë mbetën me lëndime të rënda, u arrestuan dhe u torturuan rreth 250 të tjerë dhe u bastisën dhjetëra shtëpi. Krime që vijuan me “Aferën e armëve” më 1994, kur pushteti i udhëhequr nga po kjo parti pasi organizoi vet “forca paraushtarake“ me ndihmen e bashkëpunëtorëve të tij në PPD-në e atëhershme,  burgosi me qindra shqiptarë, një nga të dënuarit madje humbi jetën nga keqtrajtimet dhe rrahjet e policisë, e qindra të tjerë ikën jashtë shtetit për t’i shpëtuar keqtrajtimeve dhe burgosjeve. Kriza e sajuar me refuzimin e njohjes së Universitetit të Tetovës që solli protestat  me 1994 kur  policia, nen urdherat e LSDM në pushtet, rrahu barbarisht protestuesit që kërkonin themelimin e Universtitetit  dhe me këtë rast vrau dhe një të ri shqiptar.  Ngjarjet e Gostivarit me 1997 kur policia, nën urdhërat e LSDM, në marreveshje me PPD-në, thjesht ekzekutoi pa gjygj, mu në mes të qytetit, në pikë të ditës, tre të rrinj te paarmatosur qe protestonin pa dhunë, dhe ushtruan dhunë çnjerëzore në mbi njëmijë qytetaret shqiptare te Gostivarit, mu në qender te Gostivarit, gjatë gjthë natës pas protestave.

Edhepse kryeminstri Zaev mundohet t’i iki përgjegjësisë dhe t’a shfrytëzojë rastin e Sopotit si armë për t’a luftuar VMRO-në, e cila vërtetë i la shqiptarët e Sopotit të vazhdojnë të vuajnë dënimin me burg, edhepse kishte dijeni për pafajësinë e tyre, por skenaristët e vërtetë ishin pikërisht  “ekspertët” e Sigurimit Shtetëror nën urdhërat e  LSDM (gjatë qeverisjes së dytë 2002 – 2006) që inskenuan procesin e montuar gjyqësor për rastin e Sopotit në vitin 2003. Ishin pikërisht kuadrot Sigurimit Shtetëror që sot enden të lire nëpër institucionet e shtetit të udhëhequr nga LSDM që ushtruan tortura mesjetare mbi  deshmitarët,  për të siguruar dëshminë e rreme me të cilën dënuan shqiptarët e pafajshëm të Sopotit me 150 vite burg.

Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë lojën e kryeministrit Zaev dhe puthadorëve shqiptarë të tij, për ta paraqitur VMRO-në si përgjegësen e vetme për krimet ndaj shqiptarëve e me këtë LSDM-në si shpëtimtare.  Por nëse përgjegjësia e VMRO në kohë shkon jo më herët se 1998, LSDM si trashëgimtare e drejteperdrejte e partisë komuniste te Maqedonise e më vonë Lidhes Socialiste të Maqedonisë, duke mos u distancuar nga kjo periudhë dhe duke mos kërkuar falje shqiptarëve për këtë periudhë të erët, mban përgjegësine për padrejtësit, terrorin dhe krimet makabre ndaj shqiptarëve që filluar menjehere mbas “çlirimit” më 1945. Nën moton e të ardhmes së ndritur socialiste për të dy popujt, u pushkatuan, u prenë kokat dhe u dogjën të gjallë jo vetëm ata që luftuan kundër hordhive komuniste sllave, por edhe vet komunistët shqiptarë, bashkëfajtorët e tyre në krimet ndaj popullit shqiptar.

Shqiptarët e dine shumë mire se, mu padrejtësia ndaj shqiptarëve e solli partinë e z. Zaev në pushtet, që shqiptarëve u solli përsëri padrejtësi. Padrejtësia ndaj shqiptarëve i siguroi partisë së z. Zaev, 50.000 vota të shqiptarëve, të cilëve BDI e kriminalizuar ua solli jetën  në maje të hundës.  Mu për këtë, z. Zaev duke ditur të kaluarën e tyre kriminale dhe me ktëtë vleren e tyre si shërbëtorë besnik, i mbajti të njëjtët në qeveri, i vetedijshëm se BDI mund t’u sjelli akoma vota shqiptarësh në të ardhmen, qoftë si vota për BDI-në në shërbim të LSDM, por edhe drejtpërdrejt për LSDM, si  vota revolte dhe dëshpërimi ndaj BDI.

I bindur që gjeti formulën e nënshtrimit të shqiptarëve, z. Zaev nuk u mjaftua me kaq, por vazhdoi që në qeverinë e tij të mbledhi akoma parti të tjera shqiptare dhe shqiptarë të krimit. Prandaj, në qeveri përfshiu edhe partinë/firmë  private të Menduh Thacit, edhepse ky kërcënoi paraardhësin e tij në LSDM me “fisin e tij”, mjafton që ishte bashkëpunëtor “besnik deri në vdekje” i Mijalkovit, e me këtë, sot edhe i vet z. Zaev..

Kryemnistri Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij parapëlqejnë shqiptarët fundamentalistë e mundësisht edhe ekstremistë islamik, kultura e vetme e të cilëve do të ishin xhamitë dhe mevludet. Ai parapëlqen shqitparët të zhveshur nga identiteti kombëtar dhe të veshur me petkun e fundamentalizmit dhe ekstremizmit islamik, për të patur më të lehtë si dhe përkrahjen e perëndimit gjatë diskriminimit dhe nënshtrimit të tyre.  Mu për këtë zgjodhi pikërisht krahun ekstremist të Lëvizjes Besa, atë të “Abisë” të Katarit, të Qendrës së Civilizimit Islam,  për t’ua dhënë Ministrinë e kulturës. Kështu,  në vend që të investigonte synimet e dyshimta për interes të vendeve të treta dhe prejardhjen e dhjetëra milionë dollarëve të dyshimta në duart e “Abisë”, që sipas mediave vijnë nga Katari dhe Truqia,  u dha edhe pjesë të pushtetit ne duart e tyre, në mënyrë që të përhapin edhe më shumë e më lehtë ndikimin e tyre tek shqiptarët përmes elementëve të tjerë destruktivë dhe të dyshimtë, fondacioneve, teqeve etj.

Pavarësisht broçkullave të kryeministrit Zaev për drejtësi për të gjithë, shqiptarët e dine shumë mire se i gjithë aparati i shtetit të cilin e udhëheq z. Zaev merr frymë dhe ushqehet me padrejtesinë ndaj shqiptarëve, ashtu siç ishte dhe në kohën e sundimit të VMRO, e edhe në kohën e sistemit monist.  Padrejtësia gjen hapsirë në vet kushtetutën e IRJM dhe regullimin unitar, të cilin kryeministri Zaev e mbron me aq ngulm.

Lufta e 2001 ishte një revoltë ndaj zullumit të trashur, si nga qeverisja e VMRO ashtu dhe nga qeverisja e LSDM, dhe ndodhi pikërisht kur paraardhësi i z. Zaev mendoi se kishte gjetur forumulën për nënshtrimin e shqiptarëve.  Deklarimet, strategjitë dhe veprimet e tij, të njëjta me ato të paraardhësve të tij kur janë në pyetje shqiptarët, na çojnë drejt përfundimit se z. Zaev nuk nxori mësim nga e kaluara, gjë që brengos më së shumti. (Afrim Fanda)

NDRYSHIMI I KUFIJVE DHE BASHKIMI I SHQIPTARËVE NË NJË SHTET – TABU E IMPONUAR APO VETËCENZURË?

Ndonëse ndryshimi i kufijve në Evropë, sidomos në Gadishullin Ilirik, paraqitet si diçka e palejuar dhe e papranueshme, ndryshime të kufijve në këtë kontinent kanë ndodhur në të kaluarën dhe po ndodhin edhe sot. Mjafton të përmendim ribashkimin e dy ish shteteve Gjermane në një shtet (atë Federale dhe Demokratike) më 1990; shpërbërjen e Çekosllovakisë dhe krijimin e dy shteteve të reja, atë të Çekisë dhe Sllovakisë më 1992; shpërbërjen e Jugosllavisë dhe krijimin e gjithë atyre shteteve të reja që filloi më 1992 me njohjen e Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës, vazhdoi me njohjen e IRJM më 1993, Malit të Zi më 2006, dhe vazhdon akoma sot e kësaj dite me ndryshimin e imponuar të kufirit të Kosovës në pjesën me IRJM, Malin e Zi, e një zot e di se si do të vazhdojë me Serbinë.
Kufijtë dhe ndryshimi i tyre, varësisht nga interesat e fqinjëve, shteteve që i mbështesin ata dhe në përgjithësi aktorëve të tjerë të rëndësishëm, herë demonizohen, e herë relativizohen për të dekurajuar iniciativat për ndryshim të kufijve me premtimin e integrimit në BE, ku shqiptarët do të bashkoheshin në Evropën pa kufi. Por, shembulli i Katalonasve provon se anëtarësimi i Spanjës në BE, e me këtë edhe i Katalonisë si pjesë e Spanjës, nuk i ndihmoi Katalonasit në realizimin e ëndrrës së tyre për t’u pavarësuar nga Spanja. Përkundrazi, tani ata kishin kundër gjithë shtetet anëtare të BE, të cilat u rreshtuan në krah të Spanjës, kundër pavarësimit të Katalonisë nga Spanja.
Slogani i shumëpërdorur nga klasa politike shqiptare (sidomos asaj në pushtet) se “shqiptarët do të bashkohen, por vetëm në BE pa kufi” nuk jep përgjigje se çfarë do të ndodhte me shqiptarët nëse BE do të shpërbëhej? Çfarë do ndodhte me shqiptarët “e bashkuar në BE” nëse IRJM ose Serbia ose Mali i Zi do të vendosnin të dalin nga BE, ashtu siç ndodhi me Britaninë?
Sidoqoftë, çështja shqiptare, mbetet patatja e vetme e nxehtë në duart e aktorëve politikë të rëndësishëm, SHBA dhe BE, që për momentin duket si krizë e mirëmenaxhuar me ndihmën dhe angazhimin e të gjithë faktorëve të implikuar, përfshirë këtu shumicën e klasës politike shqiptare. Bile akoma më shumë, sot e kësaj dite, territoret e copëtuara të shqiptarëve të ndara në mes të shteteve sllave dhe Greqisë, konsiderohen si akoma të përdorshme për të kënaqur më të fortët dhe për të mbajtur balancat gjeopolitike në këtë pjesë të Evropës, sidomos me Rusinë.
Ndonëse diskutimi mbi nevojën dhe domosdoshmërinë e ndryshimit të kufijve dhe bashkimit të shqiptarëve paraqitet si tabu temë, duket sikur e drejta për të diskutuar mbi këtë çështje është e rezervuar për ata që ofrojnë pa fund argumenta kundër, me qëllim për të mbajtur nën kontroll dhe parandaluar çdo nismë në këtë drejtim. Në këtë funksion janë dhe qëndrimet dhe deklarimet e disa ambasadorëve të huaj në Shqipëri dhe Kosovë lidhur me çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, si dhe deklarimet një pjese të klasës politike shqiptare, sidomos asaj në pushtet.
Ndër më jodiplomatikët, më ofendueset dhe njëkohësisht më idiotesket, mund të veçojmë deklarimin e ambasadorit norvegjez në Prishtinë dhe Tiranë, z. Jan Braathu. Ky ambasador duke komentuar deklaratën e asaj kohe të kryeministrit Edi Rama për mundësinë e bashkimit Shqipëri-Kosovë, në një fjalim për studentët, sugjeroi shqiptarëve në të dy anët e kufirit artificial “të jetojnë si dy vëllezër, por në shtëpi të ndara”, duke cituar fjalët e presidentit përcares Ibrahim Rugova, i cili përveç këtyre qëndrimeve përçarëse, shqiptareve u la si trashëgimi politike një parti politike kriminale, të pamoralshme dhe jodinjitoze dhe trashëgimi biologjke politikisht po aq të pamoralshme dhe kriminale. “Në momentin që Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë, Prishtina nuk do të jetë kryeqytet i Shqipërisë së Madhe… e me pas do të lindte problemi mes Jugut dhe Veriut të Shqipërisë…”, vazhdoi ky ambasador mesazhin përçarës, për të cilin do të shpallej “persona non grata” në çdo shtet normal që mbron interesin dhe dinjitetin e qytetarëve të vet! Me të tilla deklarata, nuk mbeti mbrapa as ambasadorja franceze në Kosovë, Maryse Daviet me mesazhin po aq përçarës dhe ofendues për shqiptarët, se e do flamurin kuq e zi, por vetëm në Shqipëri.
Joshja e shqiptarëve të Kosovës nga ana e ambasadorit amerikan Delawie me liberalizimin e vizave për të votuar faljen e territorit Malit të Zi, ngjashëm me dhurimin e pasqyrave në këmbim të tokave të indianëve të Amerikës në fillim të shekullit 17, i dha kapakuan sjelljes ofenduese karshi shqiptarëve, aq miqësor me SHBA.
Sa i përket klasës politike shqiptare, sjellja dhe qëndrimet hipokrite dhe destruktive të pjesës më të madhe të tyre bien në sy çdo 3 tetor, kur të njëjtit dynden në ambasadat gjermane për të festuar ditën e ribashkimit të Gjermanisë, dhe pas kësaj dalin nga këto ambasada me gojën plot “argumente” kundër bashkimi të shqiptarëve!
Në Kosovë, për dallim nga subjekti politik Vetvendosje, e cila në mënyrë dinjitoze, qartësisht, me vendosmëri dhe këmbëngulje artikulon si brenda, ashtu dhe jashtë Kosovës të drejtën dhe domosdoshmërinë e bashkimit të shqiptarëve, klasa politike injorante dhe e kriminalizuar në pushtet, përfaqësuar nga ca ish udhëheqës të kriminalizuar të UÇK, shprehen kundër ndryshimit të kufijve, duke harruar faktin se janë pikërisht ata që erdhën në pushtet duke shkaktuar ndryshime të kufijve me luftë të armatosur! Në këtë vijë, Enver Hoxhaj ish ministri i jashtëm i Kosovës, si pjesëtar i një kombi të coptuar në 6 shtete, si përgjigje ndaj deklaratës së ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiç se “zgjidhja e përhershme e konfliktit serbo-shqiptar mund të arrihet vetëm me marrëveshjen e serbëve dhe shqiptarëve… caktimit të kufijve në atë që është serbe dhe shqiptare…” deklaroi se idetë për ndryshime kufijsh janë të rezikshme, duke preferuar Kosovën si “demokraci multietnike, me kufij që nuk do të ndryshojnë”! Në të njejtën vijë me Hoxhaj ishte dhe “presidenti” Hashim Thaçi i cili, për dallim nga Daçiç, i cili kërkoi marrëveshje historike mes shqiptarëve dhe serbëve, ky insiston në marrëveshje poashtu “historike” por në mes Serbisë dhe Kosovës “që përfshin njohjen e dyanshme”. Dhe pikërisht deputetët e subjektit të cilit i takojnë këta të dy, votuan para ca ditësh ndryshimin antikushtetues të kufijve të Kosovës duke i falur territore Malit të Zi, të ndihmuar dhe nga partitë të udhëhequr nga bodigardë diskosh dhe pasanikë të pasluftës pa punuar as edhe një ditë të vetme në jetën e tyre.
Qëndrimi i klasësë politke shqiptare në IRJM lidhur me ndryshimin e kufijve dhe bashkimin e shqiptarëve, reduktohet në deklaratat e dy eksponentëve të kësaj klase politke. Njëri analfabet me plotkuptimin e fjales, pothuajse pa formim akademik pasi që nuk arriti ta kryente as shkollen pedagogjike dyvjecare në Prishtinë, tani kryetar i partisë shqiptare në pushtet. Ndërsa tjetri, një ushtaratk i regjur nga UDBA që nga mosha 14 vjeçare gjatë shkollës së mesme dhe akademise ushtarake në Beograd, dhe sherbimit të gjatë mbi 16 vite si oficer i ushtrisë jugosllave në Serbi, Bosnje dhe ne fund IRJM, deri më 2001 kur mori për detyrë t’i bashkëngjitet UÇK-së, tani kryetar i parlamentit. I pari, pasi u mendua thellë një natë të tërë, konkludoi se bashkimi i shqiptarëve nuk ështe ide e mirë, sepse me këtë rast do vinte deri tek shpërngulja e sllavomaqedonasve nga Maqedonia Perendimore, duke “harruar” shpërnguljen e detyruar të mbi 100.000 bashkëkombasve të tijë në SHBA dhe shetet e Europës perëndimore. Ndërsa i dyti, që përfaqeson në pushtet subjektin qe lindi nga një formacion ushtarak siç është UÇK që bëri luftë të armatosur ndaj një “shteti sovran”, tani deklaron qe ndryshimi i kufijve eshte “ide e tejkaluar”! Natyrisht, si injorant që është, s’kishte si ta dinte se shkëmbimi i territoreve nuk eshte aspak “ide e tejkaluar” pasi shkëmbimi i fundit i territoreve hyri në fuqi me 1 Janar 2018 në mes të Holandës dhe Belgjikës!
Pjesa tjetër e klasës politike nuk ka ka fare qëndrim lidhur me këtë temë, e zënë duke pritur me entuziazëm rradhën për t’u futur në qeveri në aleancë me “Titon” e ri, për të ndërtuar shoqërinë multietnike në parimin e Vëllazërim-Bashkimit të ish Jugosllavisë.
Arbër Xhaferi, publicist dhe kryetar i PDSH në IRJM, pak para vdekjes, në një intervistë të sinqertë gazetares së mirënjohur Rudina Xhunga, bazuar në përvojën e tij në krye të partisë në pushtet gjatë viteve 1998 – 2001, publikisht deklaroi se shoqëritë multietnike nuk kanë të ardhme, dhe për këtë arsye u kërkoi falje bashkëkombësve të tij sepse “i mashtroi” duke u dhënë shpresë për një të ardhme në IRJM. Për fat të keq, nga kjo deklaratë e sinqertë, dhe shumë domethënëse, nuk nxori mësim as vet Aleanca për Shqiptarët, që pretendon të jetë trashëgimtare e doktrinës së Arben Xhaferit.
Për dallim nga klasa politike, të gjithë shoqërinë dhe shtresën intelektuale të saj, në të gjitha copëzat e territoreve shqiptare, karakterizon një autocenzurë e shprehur. Shtresa intelektuale shqiptare, e cila historikisht, brenda dhe jashtë vendit ka dhënë personalitete të famshme në fushën e shtetndërtimit, arsimit, kulturës, shkencës…, sot, me institucionet e kapura nga hajdutë dhe kriminelë, me pak përjashtime, shërben partive në pushtet për të mbijetuar. Shtresa intelektuale në Shqipëri dhe Kosovë gjendet e paaftë për të dhënë shtysën e fundit procesit të bashkimit që ndodhet një hap para përfundimit. Ndërkohë, në IRJM, shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe shtresa intelektuale në veçanti janë tërësisht të pavetëdijshëm për të drejtat e tyre kolektive, përfshirë të drejtën për vetvendosje. Intelektualët janë të paaftë për të artikuluar shkeljen e te drejtave kolektive të shqiptarëve në këtë shtet, si burimin e të gjtha padrejtësive ndaj shqiptarëve, prandaj organizojnë protesta pa fund, për çdo padrejtësi një nga një, dhe entuziazmohen me ligje gjysmake për “pak më shumë të drejta”. Këtë shoqëri dhe intelektualë, të tallur dhe nëpërkëmbur nga klasa politike injorante dhe kriminale, nuk arriti t’i zgjojë dhe vetëdijësojë as trupi i njomë i Almirit i coptuar nga çetniku Boban Iliç, e as pafund gjygje të montuara dhe ekzekutime pa gjygj nga ana e pushtetit në duart e sllavomaqedonasve Nuk arriti as gishti i mesëm i çetnikut Boban Iliç t’ua zgjojë dinjitetin e nëpërkëmbur gjatë vite skllavërimi, prandaj, të çoroditur dolën në protesta bashkë, viktima, tradhtari dhe xhelati, për të kërkuar “dretësi për të gjithë”, naivisht në përpjekje për të bërë bashkë dy botërat pa kurfarë pikëtakimi. Të pavetëdijshëm se bota e sllavomaqedonasve nuk vuan për drejtësi. Në botën e tyre nuk ka asnjë sllamaqedonas të vrarë me gjakftoftësi nga shqiptari; nuk u burgos asnjë sllavomaqedonas në procese të montuara dhe nuk u torturua asnjë sllavomaqedonas për të marrë në qafë sllavomaqedonas të tjerë; nuk vdiq në në burg asnjë sllavomaqedonas i pafajshëm; nuk u ekzekutua pa gjygj nga policia asnjë sllavomaqedonas si “i rrezikshëm për shtetin”.
Kjo pavendosmëri dhe mungesë e guximit të intelektualëve shqiptarë për t’u thënë gjërave me emrin e tyre të vërtetë, përveçse nuk zgjidh çështjen shqitpare në IRJM, krijon hapësirë për elementet kriminalë në shoqëri, dhe hap vend për ta në strukturat politike që përfaqësojnë shoqërinë, duke krijuar qarkun vicioz, ku krimi krijon politikën, dhe politika prodhon pafund krim dhe një soqëri kriminale pa perspektivë.
Sa më shpejt intelektualët shqiptarë të marin përgjegjësitë dhe detyrimet që ju takojnë, të thyejnë këtë tabu dhe t’i prijnë procesit drejt vetëvendosjes dhe bashkimit, aq më shpejt do të shpartallohet ky cikël i tanishëm politikë- krim që gjeneron pasiguri ekonomike, mungesë shprese për të ardhmen, e me këtë të ndalojnë ekzodin e paparë të shqiptarëve. Në rast të kundërt, ekziston mundësia që të ndodhë edhe ajo që dukej si e pamundur … të bashkohen edhe dy Koretë, dhe shqiptarët të mbeten si shembulli dhe “atraksioni” i vetëm në botë i një populli të ndarë coptuar, dhe e gjitha kjo me vullnetin dhe pëlqimin e tij! (Afrim Fanda)

Loja e rrezikshme e integrimit te shqiptarëve në pushtet në vend të një marreveshjeje për të ardhmen e IRJM

Integrimi i shqiptarëve në pushtet është lojë që ndiqet nga pushteti që nga koha e ish Jugosllavisë, kur një pjesë e shqiptarëve, të cilët në atë kohë opinioni sllav i quante “poshteni albanci” (“shqiptarë të ndershëm”) u inkuadruan në nivele të ndryshme të pushtetit dhe arritën deri në nivelet më të larta të saj. Për këta “shqiptarë të ndershëm” pushteti i atëhershëm siguronte një jetë të mirë në elitën e asaj kohe, ndërsa për pjesën tjetër, sidomos për atë që guxonte të shprehte pakënaqësinë ndaj sistemit, ushtroheshin represalije. Derisa në Kosovë kriteri për “shqiptar i ndershëm” here bëhej më i ashpër e herë më i butë, posaçërisht para demonstratave të viti 1981, për shqiptarët e IRJM ky kriter ishte gjithmonë i ashpër, dhe nga këta kërkohej lojalitet dhe zell i padiskutueshëm për të shërbyer.
Pas ndryshimit të sistemit dhe pas pavarësisë së IRJM, pushteti në duart e sllavomaqedonasve nuk hoqi dorë nga kjo lojë dhe vazhdoi të mobilizonte “shqiptarë të ndershëm” për t’i inkuadruar në mënyrë selektive, në nivele të ndryshme të pushtetit.
Përmes Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, ia arriti të të kultivonte klasën politike shqiptare që tani do bënte punën e tyre në mobilizimin e “shqiptarëve të ndershëm”, por këtë here në emër të një “fryme të re, demokratike” dhe në emër të “së drejtës për hisen e pushtetit që u takon shqiptarëve”. Duke mos u pranuar si shtetformues dhe bartës të sovranitetit, shqiptarët e integruar në institucionet e shteti, me apo pa vetëdije, thjesht u vunë në shërbim të sllavëve pronarë të shtetit, e jo në shërbim të popullit të tyre. Nëse në atë kohë shqiptarët që futeshin në shërbim të pushtetit në duart e sllavëve me këto kushte quheshin spiunë, tani i njëjti shërbim mori aureolën e “demokratizimit” e bile edhe “patriotizmit”. Ata që e kundërshtonin këtë fenomen etiketoheshin si nacionalistë, radikalë, anti-perëndimorë, individë me ide të vjetëruara, etj.
Shembull i përsosur i këtij fenomeni është “shqiptarja e ndershme“ Fatime Fetau, njëra nga prokuroret speciale, me një detyrë të një peshe të madhe për të sjellur para drejtësisë politikanët e korruptuar.
Në prononcimet e këtyre ditëve në media të gazetarit të njohur sllavomaqedonas Branko Geroski dhe aktivistes së njohur të drejtave të njeriut profesoresha Mirjana Najçeska, ata e treguan Fatime Fetain, prokuroren shqiptare në Prokurorinë Speciale të IRJM ne dritën e saj te vërtetë – një ordinere provinciale e vetëkënaqur, një imituese e yjeve te folk estrades serbe me sjelljet e saja në publik, dhe nje luftëtare fallco për drejtësi, pa asnjë rezultat të dukshëm deri tani.
Por, përshkrimi që i bënë asaj dhe që, në fakt, qëndron për shumë nga ata të llojit të saj, është vetëm gjysma e të vërtetës për Fatimen.
Nëse deri dje, shqiptarët pothuajse ndërtuan kultin e heroines për drejtësi të munguar nga kjo prokurore shqiptare, sot, per dallim nga këta të dy intelektualë sllavomaqedonas, shqiptaret tek ajo shohin fenomenin “Fatime” që simbolizon modelin e shqiptarit mediokër, të etur për pushtet, me mendësi provinciale, të paarsimuar, ose të arsimuar por i paqytetëruar, që flet më mire sllavishten se sa shqipen, në gjendje të shkeli mbi bashkëkombasit për të arritur pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, duke u bërë i pëlqyeshëm për ta.
Njëkohësisht, fenomeni “Fatime” ndihmon për të kuptuar edhe preferencat e pushtetit në duart e sllavomaqedonasve, që nuk ndryshojnë nga ato të regjimit të kaluar, për shqiptarin “poshten albanac”,pra “shqiptar i ndershëm”. “Integrimi” i tillë i shqiptarëve në pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, nënkupton integrimin vetëm të modelit “Fatime” të shqiptarit.
Me nje shqiptar të tillë, “të integruar” që nga viti 2001 në poste të ndryshme, si ai i Ministrit të drejtësisë, gjykatësit në Gykatën Kushtetuese, dhe të avokatit të popullit ku vazhdon aktualisht, u vranë, u burgosën, dhe vdiqën në burgje shqiptarë në një sërë ekspeditash ekzekutuese pa gjygj dhe procese të montuara gjyqësore siç janë rasti i Sopotit (2003), rasti i Brodecit (2007), Egzekutimi I Harun Aliut me shokë (2010), Rasti “Monstra” (2012), Rasti i Kumanovës (2015) … Sot i njëjti habitet se të burgosurit e përleshjeve të armatosura të Kumanovës “qenkan torturuar”!
Disa shqiptarë të tjerë të “integruar” në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim të IRJM, i futën shqiptarët në grackën e Kumanovës për llogari të oligarkëve të të dy palëve në pushtet, duke shkaktuar një masakër të paparë në një shtet në gjendje paqeje.
Shumë shqiptarë të tjerë të “integruar” u lanë të lire në hajdutërinë e tyre në institucinet e shtetit në shkëmbim të shërbimit të aprovimit ose moskundërshtimit të politikave antishqiptare të klaneve sllavomaqedonase në pushtet, gjithmonë të ndërmjetësuar nga Drejtoria per Siguri dhe Kundërzbulimt të IRJM.
Por, sot shqiptarët e kanë të qartë se “integrimi” i tillë, që për shqiptarët solli vetëm dhunë, poshtërim dhe varfëri, u ofrohet nga sllavomaqedonasit në pushtet si zëvendësim per një marreveshje për të ardhmen e këtij shteti. Marrëveshje që do të mbështetej në realitetin ekzistues, pra, ne karakteristikat demografike, historike dhe politike dhe që do të sillte paqe dhe bashkëpunim mes popujve fqinj në këtë pjese të Evropës. Marrëveshje të qëndrueshme si ajo që mundësoi dhe mirëmbajti me shekuj paqen ne mes popujve gjerman, italian dhe francez në Konfederatën Zvicerane.
Që kjo lojë e rezikshme e integrimit të rejshëm dhe selektiv të shqiptarëve në pushtet nuk e zëvendëson dot marreveshjen për të ardhmen e IRJM, dhe nuk siguron zgjidhje dhe paqe afatgjatë, janë të vetëdijshëm edhe kryeministri Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij, por për momentin mendojnë se ia vlen. Deri kur?

Afrim Fanda