Kategoritë: Shëndeti

Pse gjithnjë e më shumë të rinj kanë dhimbje koke?

dhimbje kokePavarësisht a janë dhimbje koke tensioni, të lidhura me stresin, apo migrenë, edhe fëmijët preken prej tyre. Çfarë duhet pasur parasysh gjatë trajtimit të fëmijëve? Dhe pse mund të ndihmojnë qasjet jokonvencionale?

 

A do ta dërgonit fëmijën tuaj në shkollë me një atak të rëndë migrene? Reagimi spontan i shumicës së prindërve është ndoshta: jo. Megjithatë, ekspertët po bëjnë thirrje që kjo qasje të rishikohet. Ata mendojnë se pavarësisht nga simptomat akute, shkuarja në shkollë mund t’i ndihmojë fëmijët në plan afatgjatë që të mos e lidhin shkollën me dhimbjen e kokës.

Në këtë mënyrë, shmangia e shkollës mund të parandalohet në rrethana të caktuara. “Duket më e qartë se sa është: dhimbja e kokës ndalet pas një kohe,” shpjegon Peter Kropp, drejtor i Institutit për Psikologjinë Mjekësore në Rostock.

Migrena te fëmijët në rritje

Shifrat tregojnë se nevojiten strategji të reja për të luftuar dhimbjen e kokës tek fëmijët. Një krahasim midis viteve 1970 dhe fillimit të viteve 2000 tregon se gjasat që një fëmijë të vuajë nga migrena pa atmosferë (aur)a janë gjashtëfishuar. Dhe gjasat që një fëmijë të diagnostikohet me migrenë me atmosferë – domethënë me çrregullime neurologjike – është rritur tetëfish. Sipas Shoqatës Gjermane të Migrenës dhe Dhimbjes së Kokës, pothuajse dhjetë për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve në Gjermani vuajnë nga migrena.

Dhimbje koke për shkak të mungesës së ushtrimeve

Sipas shkencëtarëve, është e vështirë të identifikohen lidhje të qarta midis dhimbjeve të kokës dhe faktorëve mjedisorë. Megjithatë, standardet e ulëta të strehimit, statusi i ulët ekonomik i familjes dhe shumë aktivitete të kohës së lirë shoqërohen me një rrezik të shtuar të dhimbjes së kokës. Dhe: “Studimet tregojnë se rritja e dhimbjeve të kokës tek fëmijët është e lidhur ngushtë me mungesën e lëvizjes”, shpjegon psikologu Peter Kropp. “Tek fëmijët me predispozicion gjenetik, kjo mund të shkaktojë edhe një atak migrene”.

Kropp thekson se sportet që rrisin rezistencën luajnë një rol vendimtar në parandalimin e migrenës. Jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. “Vrapimi i rregullt, për shembull tri herë në javë për 30 deri në 45 minuta, mund të zvogëlojë  migrenën deri në 50%. Përfitojnë gjithashtu personat që nuk vuajnë nga migrena, por vuajnë nga dhimbje koke tensioni të përsëritura”.

Ndryshe nga migrena, për të cilën ekziston një predispozitë gjenetike, dhimbjet e kokës nga tensioni janë shpesh më tepër shenjë paralajmëruese. “Trupi ynë dëshiron të na thotë, për shembull, se duhet të largohemi nga ekrani, të lëvizim dhe të marrim pak ajër të pastër”, thotë mjeku dhe psikologu Hartmut Göbel nga Klinika e Dhimbjeve në Kiel.

Dhimbje koke tensioni

Dhimbjet e kokës nga tensioni shpesh përshkruhen nga personat që vuajnë si ndjenjë sikur kokën e tyre e kanë futur në morsë dhe po e shtrydhin. Ashtu si migrena, ato janë një nga të ashtuquajturat llojet kryesore të dhimbjes së kokës. Në këtë rast, dhimbja është simptomë e sëmundjes. Ndryshe nga dhimbjet dytësore të kokës, të cilat ndodhin, për shembull, si rezultat i një dëmtimi traumatik të trurit ose sëmundjeve të tjera bazë. E përbashkëta e të gjitha dhimbjeve të kokës është se ato nuk e kanë origjinën në tru, por jashtë tij. Vetë truri nuk ka receptorë dhimbjeje dhe për këtë arsye është i pandjeshëm ndaj dhimbjes. Dhimbja e kokës është ndoshta një inflamacion i meninges ose enëve të mëdha të gjakut.

Dhimbje disa herë në muaj

Dhimbjet e kokës nga tensioni janë veçanërisht të zakonshme tek fëmijët dhe adoleshentët. Sipas një sondazhi të Universitetit të Dresdenit, pak më shumë se një e treta e pothuajse 3.000 nxënësve të anketuar raportuan se vuanin nga dhimbje koke të paktën një herë në muaj. Pothuajse po aq raportuan se kishin përjetuar më shumë se dy atake në muaj.

Është veçanërisht e rëndësishme të shmanget kthimi në kronike të dhimbjeve të kokës. Atëherë është e vështirë të heqësh qafe dhimbjen. Prandaj mjekët rekomandojnë një mënyrë jetese të shëndetshme, me orë të mjaftueshme gjumë, një dietë të ekuilibruar dhe stërvitje të rregullt. Në rastin e migrenës, kjo mund të zvogëlojë numrin e atakeve. Edhe pse kjo formë e dhimbjes së kokës nuk mund të shërohet, ajo mund të zhduket sërish gjatë pubertetit.

(N.Rößler/ NDR)

Më shumë shpresë për fëmijët me kancer?

kancerKanceri tek fëmijët është relativisht i rrallë, por një në pesë fëmijë me kancer vdes. Ka shumë pak ilaçe për fëmijët. Tani paraqitet një shpresë e re.

Në vitin 2022, më shumë se 275.000 fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën u diagnostikuan me kancer, ndërsa më shumë se 105.000 fëmijë vdiqën nga kjo sëmundje. Në Evropë, 35.000 fëmijë diagnostifikohen me kancer çdo vit, e në Gjermani sipas Regjistrit të Kancerit të Fëmijëve (DKR) diagnostifikohen 2.400 fëmijë në vit. Sa për krahasim, rreth 500.000 raste të reja të kancerit regjistrohen te të rriturit në Gjermani çdo vit.

Forma më e zakonshme e kancerit tek fëmijët është leuçemia (kanceri i gjakut), ndërsa adoleshentët më së shpeshti vuajnë nga limfoma (kanceri i nyjeve limfatike). Sipas Fondacionit të Frankfurtit për Fëmijët me Kancer, 80 për qind e pacientëve janë shëruar. Megjithatë, gjasat për shërim për shumë lloje të kancerit nuk janë përmirësuar në 30 vitet e fundit – mesatarisht një në pesë fëmijë me kancer vdes.

Nëse tek një fëmijë i shëruar kanceri kthehet më vonë, prognoza është e keqe. Mesatarisht, koha e mbijetesës në raste të tilla është tetë muaj. Përveç kësaj, nuk ka një trajtim të standardizuar për rikthimet.

Shumë pak ilaçe për fëmijët dhe adoleshentët me kancer

Një nga problemet më të mëdha në trajtimin e kancerit tek fëmijët është mungesa e mjekimeve të specializuara. Për fëmijët, ekziston vetëm një pjesë e vogël e asaj që është në dispozicion për pacientët e rritur. Shumë barna të reja që dalin në treg janë të miratuara ekskluzivisht për të rriturit.

Prandaj, studiuesit në Qendrën Hopp për Tumoret e Fëmijëve (KiTZ) në Heidelberg po mbështeten në një qasje të individualizuar të trajtimit duke përdorur “mini-tumore”. Që nga viti 2019, mjekët kanë qenë në gjendje të dërgojnë atje mostra indesh nga fëmijët me kancer që klasifikohen si pacientë me rrezik të lartë ose që tashmë kanë pasur një rikthim.

Qindra mini-tumore për të luftuar kancerin e fëmijërisë

Bazuar në këto mostra, studiuesit rritin qindra mini-tumorë, shpjegon Ina Oehme, drejtuese e Departamentit të Testimit të Barnave. Këta tumorë të vegjël, të njohur edhe si organoidë, lejojnë testimin e 80 barnave të ndryshme në doza dhe kombinime të ndryshme. Barnat e testuara janë kryesisht medikamente onkologjike për të rritur, duke përfshirë ato që tashmë janë miratuar, si dhe ato që janë ende në fazën e provës klinike.

Sipas Oehme, deri më tani janë marrë më shumë se 500 mostra të indeve, dy të tretat e të cilave ishin të përshtatshme për testim. Në rreth 80 për qind të këtyre mostrave u gjet një medikament i përshtatshëm, i cili çoi në regres të tumorit në kushte laboratorike. Rreth tre javë pas marrjes së mostrës, studiuesit mund të dinë nëse një ilaç i veçantë funksionon apo jo.

Trajtimi dhe hulumtimi në të njëjtën kohë

Përveç testimit të barnave, studiuesit në KiTZ po bëjnë sekuencën e të gjithë gjenomit të tumorit për të kuptuar më mirë proceset biologjike pas kancerit të fëmijërisë dhe sëmundjeve serioze të gjakut. KiTZ është një institucion i përbashkët i Qendrës Gjermane të Kërkimit të Kancerit (DKFZ), Spitalit Universitar të Heidelberg dhe Universitetit të Heidelbergut. Instituti bashkëpunon me shumë qendra kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sipas deklaratave të veta, KiTZ po udhëheq programin e parë pan-evropian të sekuencës së gjenomit për fëmijët me kancer. Deri më tani, në këtë program janë përfshirë më shumë se 1.700 pacientë dhe më shumë se 100 qendra nga 12 vende evropiane dhe Izraeli kanë dërguar mostra të tumorit në Heidelberg.

Megjithëse qendra të tjera kërkimore përdorin gjithashtu qasjen e kultivimit të mini-tumorit për të testuar barnat, veçantia e projektit KiTZ qëndron në metodologjinë e tij sistematike. Duke mbledhur një numër të madh tumoresh, kjo qendër ka një bazë të dhënash të gjerë, e cila mundëson rezultate më të sakta dhe më të besueshme, shpjegon Uta Dirksen, onkologe pediatre në Spitalin Universitar në Essen.

dw

SHBA, gjendet një lloj i dytë i gripit të shpendëve tek lopët e qumështit

lopetLopët e prodhimit të qumështit rezultuan pozitive për një lloj gripi të shpendëve që më parë nuk ishte parë tek këto bagëti, tha të mërkurën Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara (USDA), duke rritur shqetësimet për përhapjen e virusit.
Virusi H5N1 ka ndikuar në uljen e prodhimit të qumështit, ka rritur çmimin e vezëve, ka zhdukur miliona pula dhe ka infektuar afro 70 njerëz që nga prilli, ndërsa është përhapur në të gjithë vendin.

Mostra e qumështit të lopëve nga Nevada identifikoi për herë të parë llojin tjetër të virusit, të njohur si tipi D1.1, tha agjencia USDA. Më parë, të 957 infeksionet e gripit të shpendëve midis tufave të lopëve të raportuara që nga marsi i kaluar ishin shkaktuar nga një lloj tjetër virusi, B3.13, sipas të dhënave të agjencia amerikane e bujqësisë

Agjencia e lajmeve Reuters publikoi lajmin për zbulimin e llojit të dytë të mërkurën përpara njoftimit të agjencisë qeveritare.

Ai u identifikua në bagëti nga një program i agjencisë që filloi testimin e qumështit për gripin e shpendëve në dhjetor.

“Po shohim që virusi H5N1 është më i ‘zgjuar’ se të gjithë ne”, tha Beth Thompson, veterinere zyrtare e Dakotës së Jugut.

“Virusi modifikon vetveten, kështu që nuk qëndron vetëm tek shpendët e butë dhe të egër të ujit. Ai po infekton edhe gjitarët”.

Zogjtë e egër ka të ngjarë të kenë transmetuar llojin e dytë të virusit tek bagëtitë në Nevada, tha J.J. Goicoechea, drejtor i bujqësisë në këtë shtet. Fermerët duhet të rrisin masat e sigurisë për të mbrojtur kafshët e tyre, tha ai.

“Padyshim që nuk po bëjmë gjithçka që mundemi dhe gjithçka që duhet ose virusi nuk do të infektonte lopët e qumështit”, tha ai.

Departamenti i Bujqësisë i Nevadës tha më 31 janar se tufat e bagëtive në dy qarqe ishin vendosur në karantinë për shkak të gjetjes së gripit të shpendëve.

Është e rëndësishme që agjencia federale USDA të ndërmarr masa për të kufizuar përhapjen e virusit në shtet, që të mos përhapet tek bagëtitë diku tjetër, tha veterinerja Gail Hansen.

Vitin e kaluar, gripi i shpendëve u përhap në të gjithë vendin pasi bagëtitë e infektuara në Teksas u dërguan në vende të tjera pasi virusi u transmetua për herë të parë tek lopët nga zogjtë e egër.

“Nuk e kemi patur nën kontroll rastin e kaluar”, tha veterinerja Hansen. “Duam të shmangim përsëritjen e të njëjtit skenar në Nevada”.

Kopetë që ishin të infektuara më parë mund të rrezikohen sërish nga lloji i dytë, thanë ekspertët.

“Tani duket sikur kemi lloje të reja të virusit që mund të shmangin imunitetin që është krijuar ndaj viruseve të tjera dhe situata mund të përkeqësohet”, tha Gregory Grey, profesor i mjekësisë pranë Universitetit të Teksasit që studion sëmundjet e gjedheve.

“Është alarmante”.

voa

 

CIA: COVID-19 e ka origjinën me gjasë nga një laborator kinez

covid origjinaAgjencia Amerikan e Inteligjencës (CIA) beson tashmë se korovirusi COVID-19 ka shumë të ngjarë ta ketë origjinën nga një laborator kinez, sipas një raporti të publikuar të shtunën. Megjithatë agjencia thotë se besimi tek ky përfundim, është i ulët.
Raporti nuk është rezultat i ndonjë informacioni të ri zbulimi. Ai u përfundua me urdhër të administratës Biden dhe ish-drejtorit të CIA-s, William Burns. Raporti u deklasifikua dhe u publikua të shtunën me urdhër të drejtorit të ri CIA-s John Ratcliffe, i cili u betua të enjten.

Raporti thotë që agjencia beson se tërësia e provave mbështet më shumë origjinën nga një laborator të virusit dhe jo atë që ishte produkt natyror. Megjithatë duket besimi tek ky përfundim është i ulët, çka sugjeron se provat janë të mangëta, jo bindëse apo kundërthënëse.

Raportet e mëparshme mbi origjinën e COVID-19 ndaheshin rreth asaj nëse koronavirusi doli nga një laborator kinez, ndoshta gabimisht, apo u shfaq në një treg kafshësh. Vlerësimi i ri nuk ka gjasa t’i jap fund debatit. Në fakt, zyrtarët e inteligjencës thonë se mund të mos zgjidhet kurrë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga autoritetet kineze.

CIA “vazhdon të vlerësojë se të dy versionet, si ai që thotë se ishte produkt laboratorit ashtu edhe ai që thotë se virusi ishte produkt mjedisor, mbeten të besueshme”, shkroi agjencia në një deklaratë pas publikimit të raportit të ri.

Raporti mbështetej në rianalizimin e të dhënave ekzistuese të inteligjencës në lidhje me përhapjen e virusit, si dhe kushtet e laboratorëve të virologjisë në Kinë.

Ligjvënësit u kanë bërë trysni agjencive amerikane spiunazhit për më shumë informacion në lidhje me origjinën e virusit, i cili çoi në bllokime, trazira ekonomike e miliona vdekje. Kjo është një pyetje me implikime të rëndësishme të brendshme dhe gjeopolitike ndërsa bota vazhdon të përballet me trashëgiminë e pandemisë.

Senatori republikan Tom Cotton, kryetar i Komisionit të Senatit për Inteligjencën, tha të shtunën se ishte “i kënaqur që CIA arriti në këtë përfundim në ditët e fundit të administratës Biden, se teoria që virusi doli nga një laborator është shpjegimi më i besueshëm”. Senatori vlerësoi drejtorin e ri zotin Ratcliffe që deklasifikoi raportin.

“Tashmë gjëja më e rëndësishme është të ndëshkojmë Kinën për shpërndarjen e një murtaje në botë”, tha Senatori Cotton në një deklaratë.

Ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për një koment. Autoritetet kineze në të kaluarën i kanë hedhur poshtë spekulimet për origjinën e COVID si të padobishme dhe të motivuara nga politika.

Ndërsa origjina e virusit mbetet e panjohur, shkencëtarët mendojnë se hipoteza më e mundshme është se ai qarkullonte te lakuriqët e natës përpara se të infektonte një specie tjetër. Nga ana tjetër, infeksioni u përhap te njerëzit që trajtonin ose thernin ato kafshë në një treg në Wuhan të Kinës, ku rastet e para njerëzore u shfaqën në fund të nëntorit më 2019.

Megjithatë, disa hetime zyrtare kanë ngritur pyetjen nëse virusi doli nga një laborator në Wuhan. Para dy vjetësh, një raport nga Departamenti i Energjisë arriti në përfundimin se një rrjedhje laboratorike ishte origjina më e mundshme, megjithëse ai raport shprehu gjithashtu besim të ulët në këtë vlerësim.

Po atë vit, drejtori i atëhershëm i FBI-së, Christopher Wray tha se agjencia e tij besonte se virusi “me shumë gjasa” u përhap pasi doli nga një laborator.

Zoti Ratcliffe, i cili shërbeu si drejtor i inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, ka thënë se ai gjithashut beson më shumë te skenari i rrjedhjes së laboratorit.

“Rrjedhja nga një labrator është e vetmja teori e mbështetur nga shkenca, inteligjenca dhe logjika”, tha zoti Ratcliffe më 2023.

CIA tha se do të vazhdojë të vlerësojë çdo informacion të ri që mund të ndryshojë vlerësimin e saj.

voa

 

Gabimet që Bëni kur Hani Mëngjes – Çfarë Duhet të Shmangni

mengjesiMëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës.

 

Ushqimet që hamë në mëngjes do të përcaktojnë mbarëvajtjen e gjjithë ditës por kanë një ndikim afatgjatë në shëndet.

Për të marrë përfitimet maksimale të këtij vakti, AgroWeb.org ju këshillon të shmangni duhet të shmangni 8 gabimet e mëposhtme.

 

Mungesa E Vëmendjes Tek Ushqimi

Mungesa e kohës dhe ritmi i shfrenuar i ditës mund t’ju lërë pak mundësi për të ngrënë mëngjes.

Ngrënia në këmbë, shpejt e shpejtë ose nëpër shkallë mund të shuajë urinë përkohësisht.

Nëse nuk e keni mendjen në sasinë dhe llojin e ushqimit do të hani pa kriter por do të rrisni rrezikun e mbipeshës dhe sëmundjeve të zemrës.

 

Mungesa E Proteinës

Në shumicën e kohës, vakti i mëngjesit është i pasur me karbohidrate.

Ky është një fillim i gabuar i ditës sepse mëngjesi i mirë duhet të jetë i pasur me proteina.

AgroWeb.org ju këshillon se proteina gjendet tek vezët, gjiza, djathi, tërshëra dhe kosi.

 

E Bardha E Vezës

E bardha e vezës mund të ketë pak kalori dhe proteinë, por e verdha është plot me amino acide omega-3 dhe antioksidantë që ushqejnë trupin dhe e mbrojnë atë nga radikalet e lira.

 

Mangësi Në Racion

Ngrënia e një vakti të pasur dhe të ekuilibruar në ushqyes është i rëndësishëm për gjithë ditën.

Ekspertët thonë se është më mirë të hani racione të bollshme në mëngjes se në darkë.

Studimet thonë se një vakt i bollshëm me proteina ndihmon në menaxhimin e diabetit të tipit 2.

 

Më Pak Yndyrë

Nëse keni vendosur të qëndroni larg yndyrnave, duhet të dini se kjo ju bën më shumë të shtoni në peshë.

Jo të gjitha yndyrnat janë të këqija. Mëngjesi ideal duhet të jetë i balancuar me yndyrna të shëndetshme dhe proteinë.

Ato i gjeni tek avokadi, farat chia, veza e plotë dhe gjalpi i kikirikut.

 

Mëngjesi I Vonë

Nëse e shtyni mëngjesin më vonë pasi të keni bërë dush, veshur e dalë nga shtëpia, atëherë nuk jeni në rrugë të mbarë.

Mëngjesi duhet ngrënë deri një orë pas zgjimit.

Studimet, të cilave i referohet AgroWeb.org thonë se njerëzit që hanë një mëngjes të pasur me proteina rreth orës 06:00 deri në 09:45 kanë më pak gjasa të shtojnë në peshë se ata që hanë mëngjes pas orës 10.

 

Drithërat Direkt Nga Kutia

Drithërat e mëngjesit janë të mbushura me sheqer.

Sasia e shëndetshme e tyre është një filxhan çaji, por nëse i hidhni ato direkt nga kutia do të hani më shumë.

 

Kafeja Para Bukës

Pirja e kafesë me stomak bosh rrit prodhimin e aciditetit në stomak.

Njerëzit që kanë një stomak të ndjeshëm mund të vuajnë nga tretja problematike, urthi dhe problemet me zorrët.

Prandaj rekomandohet që kafeja të pihet pas ngrënies.

 

agroweb

Vlorë: Regjistrohen rastet e para të gripit të shpendëve

flamingoAnalizat laboratorike kanë konfirmuar tre rastet e para të gripit të shpendëve në qytetin e Vlorës, njoftoi Shërbimi Veterinar Shtetëror vendor.

 

Drejtuesi i këtij shërbimi, Adila Kojdheli i tha Zërti të Amerikës se tre mostrat e dërguara për analiza nga tre shpendë të egër të gjetur të ngordhur në Plazhin e Vjetër të Vlorës dy ditë më parë rezultuan pozitiv me gripin e shpendëve.

Zoti Kojdheli tha se pas shfaqjes së rasteve të para të gripit të shpendëve shërbimi veterinar do të monitoronte një hapësirë prej 10 kilometrash, për të gjurmuar raste të tjera të mundshme.

Sipas tij, fermat e vogla familjare të shpendëve po orientoheshin të merrnin masa parandaluese ndërsa 4 stabilimente të shpendëve në këtë zonë pritet të zbatojnë protokolle mbrojtëse, përfshirë edhe hyrjen e kontrolluar të njerëzve.

Zyrtari vendor i shërbimit veterinar tha se gjatë vitit 2024 nuk ishin shfaqur raste të gripit të shpendëve ndërsa në vitin 2022 ishin evidentuar disa vatra.

Shpendët e egër të ujit janë mbartës dhe paraqesin rrezik përhapjeje nëse jetojnë bashkarisht me ekonomitë e vogla familjare, tha kreu i shërbimit veterinar të Vlorës, Adila Kojdheli.

Sipas veterinerëve gripi i shpendëve është një sëmundje infektive e fshehur tek shpendët e egër, por që shfaqet si epidemi te shpendët e oborreve dhe të komplekset e mëdha të mbarështimit të shpendëve.

Këto ditë në plazhin e vjetër në qytetin e Vlorës, u evidentuan nga qytetarët shpendë të ngordhura ndërsa disa grupe veterinerësh morën mostrat për të kryer analizat.

Laguna e Nartës dhe Grykëderdhja e Vjosës, afër qytetit të Vlorës, janë nga zonat me numrin më të madh të shpendëve të egër të ujit në Shqipëri dhe pritet që monitorimet e specialistëve veterinarë dhe analizat të përcaktojnë përmsat e shfaqjes së gripit të shpendëve.

Gripi i shpendëve është një infeksion viral që mund të infektojë jo vetëm zogjtë, por edhe njerëzit dhe kafshët e tjera.

voa

Vdes personi i parë në SHBA nga gripi i shpendëve

gripi i shpendeveNjë person nga Luiziana, i cili ishte shtruar në spital me simptoma të rënda për frymëmarrjen, vdiq nga gripi i shpendëve duke u bërë rasti i parë në Shtetet e Bashkuara që humb jetën nga sëmundja.

 

Zyrtarët e shëndetësisë të Luizianës njoftuan për vdekjen të hënën dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve konfirmuan se ishte e para në vend për shkak të gripit të shpendëve.

Zyrtarët e shëndetësisë kanë thënë se personi ishte mbi 65 vjeç, kishte probleme të mëdha me shëndetin dhe kishte qenë në kontakt me shpendë të sëmurë dhe të ngordhur në oborrin e shtëpisë së tij.

Ata gjithashtu thanë se një analizë gjenetike kishte lënë të kuptohej se virusi i gripit të shpendëve kishte pësuar mutacion në organizmin e pacientit, gjë që mund të ketë shkaktuar një rast më të rëndë sëmundjeje.

Që nga marsi, në Shtetet e Bashkuara janë konfirmuar 66 raste infeksioni me gripin e shpendëve, por rastet e mëparshme kanë qenë të lehta dhe shumica janë zbuluar në mes të fermerëve të ekspozuar ndaj lopëve të sëmura, ose shpendëve.

Një vdekje nga gripi i shpendëve nuk ishte e papritur, thanë ekspertët e virusit. Që nga viti 2003, ka pasur më shumë se 950 infeksione të konfirmuara të gripit të shpendëve në shkallë globale, dhe më shumë se 460 prej tyre kanë vdekur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Virusi i gripit të shpendëve “është një kërcënim serioz dhe historikisht ka qenë një virus vdekjeprurës”, tha Jennifer Nuzzo, drejtore e Qendrës për Pandeminë në Fakultetin e Shëndetit Publik të Universitetit Brown.

Studiuesit po punojnë për të vlerësuar rreziqet e versionit aktual të virusit dhe të përcaktojnë se çfarë e bën atë të jetë më i rëndë tek disa njerëz sesa tek të tjerët, tha ajo.

Në një deklaratë, zyrtarët e CDC-së thanë se vdekja në Luizianë është tragjike, por gjithashtu thanë se “nuk ka ndryshime virologjike shqetësuese … që rrisin rrezikun për shëndetin e njeriut”.

voa

Si mund të klonohen kafshët shtëpiake pasi ngordhin?

klonimiNjë klinikë në Britani të Madhe ka filluar të bëjë klonimin e kafshëve shtëpiake duke u dhënë njerëzve mundësinë të kenë sërish kafshët e tyre të preferuara shtëpiake. Por ndërsa laboratori britanik mund të mbledhë mostra të ADN-së, procesi shkencor i klonimit duhet të bëhet në Shtetet e Bashkuara.

 

Tom Rybthon i do shumë qentë e tij. Myrtle dhe Mabel janë më ndryshe se qentë e tjerë. Të dy janë klonë gjenetikë të qenit të mëparshëm të tij, Daisy.

Ata janë krijuar në një laborator koreano jugor me koston prej 48 mijë eurosh, secili.

“Gruaja ime mendonte se jam i çmendur. Nuk i kam treguar për klonimin derisa erdhën në shtëpi. I shita të dy automjetet e llojit Mercedes për të siguruar paratë, i shkëmbeva për qentë, pasi ata janë më të rëndësishëm, thotë zoti Rybthon.

Por ai nuk ka nevojë më të udhëtojë aq larg për t’i klonuar miqtë e tij me katër këmbë.

Laboratori “Gemini Genetics” ofron tashmë këtë mundësi në Britani.

“Pas ngordhjes së kafshës shtëpiake keni pesë ditë kohë për të siguruar ADN-në për klonim. Për të klonuar një kafshë na duhen 6 milimetra lëkurë të kafshës”, thotë Lucy Morgan nga laboratori “Gemini Genetics”.

Mostra mbahet e ngrirë në temperaturë -196 gradë celcius.

Procesi i klonimit, për arsye ligjore, megjithatë duhet të bëhet përtej oqeanit.

Procesi zhvillohet në këtë mënyrë: shkencëtarët e vendosin qelizën e kafshës së ngordhur në një vezë që është dhuruar për shumëzim. Një impuls elektrik bën që materiali gjenetik të shumëzohet dhe të kthehet në embrion.

Më pas embrioni vendoset në trupin e një kafshe tjetër femër. Megjithatë, kafsha e klonuar ka mundësi të mos jetë tërësisht i ngjashëm me kafshën e ngordhur.

“Kafsha e klonuar e ka ADN-në identike me origjinalin. Por, mjedisi mund të ndikojë në çdo qënie të gjallë. Kafsha e klonuar mund të ketë shumë karakteristika të ngjashme, por arritja e një ngjashmërie të plotë ka nevojë për një mjedis të ngjashëm”, sqaron më tej zonja Morgan.

Kafsha e parë e klonuar ishte delja Dolly, e krijuar në vitin 1996 nga shkencëtarët në Edinburg të Skocisë.

Britania më pas e ndaloi klonimin për të shmangur mundësinë që procesi të shfrytëzohet për njerëzit.

Por, vende të tjera e shfrytëzojnë teknologjinë e klonimit, gjë që është Veçanërisht e njohur për klonimin e kuajve të sportit.

Kali ‘Murka’s Gem’ është kloni i një prej kuajve më të famshëm në botë nga sportet më këtë kafshë të njohur si ‘Gem’s Twist’. Një mostër e spermës së tij shitet 1200 euro.

Laboratori ‘Gemini Genetics’ thotë se çdo shqetësim mbi etikën e klonimit është i pabazuar.

“E di që ka njerëz që mendojnë ndryshe për këtë teknologji. Njerëzit përdorin metodat ‘in vitro’ për të patur një fëmijë. Klonimi është vetëm një formë tjetër e riprodhimit me ndihmën e in vitros”, thotë zonja Morgan.

Laboratori ruan mijëra mostra të ADN-së të kafshëve shtëpiake. Rreth 200 janë klonuar deri më tani.

Pavarësisht se është një proces i shtrenjtë, njerëz si Tom Rubython besojnë se ia vlen çdo qindarkë.

“Kur mbani qen, ju i doni ata. Por kur njëri prej tyre bëhet i veçantë për ty, kjo është arsyeja që ju shtyn ta klononi. Ata nuk e zëvendësojnë qenin, por janë thjesht i njëjti lloj që ju e dini se ju pëlqen, kështu që ti ndërton të njëjtën marrëdhënie me ta”, thotë ai.

Qentë Myrtle dhe Mabel jetojnë falë shkencës dhe kodit gjenetik të qenit të ngordhur më parë, Daisy-t.

voa

Vetmia përhapet në Gjermani – rrezik shëndetësor

vetmiaVetmia po bëhet gjithnjë e më shumë një problem tek të rinjtë dhe mund të ketë një ndikim serioz për shëndetin. Një sondazh i ri ka zbuluar se shumica e gjermanëve përjetojnë vetminë.

Vetmia po bëhet një problem gjithnjë e më serioz në Gjermani, sipas një sondazhi të ri të kryer nga një prej siguruesve kryesorë të shëndetit publik në vend.

Rreth 60% e gjermanëve vuajnë nga vetmia shpesh, ndonjëherë ose rrallë, sipas sondazhit, i cili u prezantua në  fillim të dhjetorit në Berlin nga kompania e sigurimeve shëndetësore Techniker Krankenkasse (TK).

Studimi bazohet në një anketë përfaqësuese telefonike me 1.403 persona të kryer në maj nga instituti kërkimor, Forsa.

Vetmia tek rinia

Ai zbuloi se vetmia duket se prek veçanërisht të rinjtë – nga ata në grupmoshën 18 deri në 39 vjeç, 68% thanë se shpesh, ndonjëherë ose rrallë ndiheshin të vetmuar. Çështja duket se shqetëson më shumë edhe të rinjtë: 36% e të rinjve 18 deri në 39 vjeç thanë se ndjenja e vetmisë i rëndon shumë ose mjaft rëndë, ndërsa midis grupmoshave midis 40 dhe 59 dhe brezit mbi 60 vjeç, shifra ishte vetëm 19% dhe 21% respektivisht.

Duke folur në një konferencë shtypi që prezantoi raportin në Berlin (11.12.2024), Janosch Schobin, një sociolog që punon për Rrjetin e Vetmisë të mbështetur nga qeveria, tha se kjo vetmi shpesh shkaktohet nga ndryshimi i rrethanave të jetës që ka më shumë gjasa të ndodhë në moshën e rinisë si largimi nga shtëpia, zhvendosja në qytete të reja, dhe ndryshimi i vendit të punës.

Beqarët kanë tri herë më shumë gjasa të ndihen të vetmuar sesa ata me partnerë, dhe megjithëse nuk ka dallim midis burrave dhe grave në intensitetin e ndjenjës së vetmisë, një partneritet luan një rol. 33%  beqarëve ndihen shumë ose mjaft fort të rënduar nga vetmia. Ndër njerëzit që kanë një partner të qëndrueshëm, kjo shifër është vetëm 22%.

Vetmia mbetet tabu për meshkujt

Studimi zbuloi se niveli i arsimimit, puna ose nëse njerëzit jetonin në qytete të mëdha apo të vogla nuk ishin faktorë të rëndësishëm nëse njerëzit ishin apo jo të vetmuar. Nuk kishte as një ndryshim domethënës midis numrit të burrave dhe grave të vetmuara.

Faktorët kryesorë që kontribuan në vetminë vlerësohen gjendja e partneriteteve dhe marrëdhënieve sociale të një personi. Megjithatë, varfëria rrit shanset për të qenë të vetmuar dhe beqarët e moshuar janë në rrezik më të lartë të vetmisë sesa beqarët më të rinj.

Ndryshimi i rrethanave të jetës është gjithashtu një faktor i rëndësishëm: Humbja e një pune dhe një partneri nga ndarja ose vdekja shpesh çon në një kolaps të lidhjeve sociale dhe në vetmi.

Por raporti zbuloi, se pranimi i vetmisë vazhdon të jetë i vështirë për njerëzit, veçanërisht për burrat. Vetëm 22% e meshkujve që përjetojnë vetminë thanë, se flisnin për të me njerëz të tjerë – krahasuar me 40% të femrave të anketuara në sondazh.

Arsyeja kryesore që japin të anketuarit është, se “nuk doja t’i ngarkoja të tjerët” me këtë çështje. Rreth 29% thanë se ishte e pakëndshme për ta të flisnin për vetminë, ndërsa 9% thanë se nuk kishin askënd me të cilin mund të flisnin për vetminë e tyre.

Vetmia është një çështje shëndetësore

Sëmundjet fizike dhe mendore shoqërohen gjithashtu me një ndjenjë të shtuar të vetmisë. Rreth 23% e njerëzve që përjetojnë vetminë thanë se e konsiderojnë shëndetin e tyre të dobët – krahasuar me 13% të atyre që nuk ndihen të vetmuar.

Shëndeti i dobët mund të çojë veçanërisht në vetmi nëse kufizimet individuale, të tilla si ato të shkaktuara nga aftësitë e kufizuara, humbja e dëgjimit ose fazat e depresionit, e bëjnë më të vështirë komunikimin me të tjerët.

Vetmia duket të jetë një stresues psikologjik: Simptomat si stresi dhe rraskapitja, lodhja, ndjenja e ulët pozitive, çrregullimet e gjumit dhe ankthi shfaqen shumë më shpesh tek njerëzit e vetmuar. “Vetmia mund të çojë edhe në sëmundje fizike. Kjo nuk është më një teori. Është vërtetuar,” tha Jens Baas, kryetar bordi në kompaninë e sigurimeve shëndetësore TK, duke përmendur lidhjet me demencën.

Njerëzit e vetmuar gjithashtu duket se përjetojnë më shpesh sëmundje të përgjithshme fizike, duke përfshirë dhimbjen e shpinës dhe stomakut, vështirësitë në frymëmarrje dhe astmën.

Pikërisht lidhja që ekziston midis vetmisë dhe shëndetit, mbetet një mister shkencor. “Do të ishte mirë nëse mund të shpjegonim lidhjen, por nuk është aq e lehtë”, tha Baas. “Në shkencë, ne mund të shohim se ekziston një lidhje e qartë midis shpirtit dhe trupit – ne e shohim atë në shumë sëmundje, por se si funksionon fiziologjikisht, ne nuk e dimë.”

dw

Studimet: Disa paciente me kancer gjiri mund të shmangin operacione të caktuara

Kancer gjiriDisa paciente në fazat e para të kancerit të gjirit mund të shmangin në mënyrë të sigurt operacione të caktuara, sipas dy studimeve që eksplorojnë mënyrat për të lehtësuar barrën e trajtimit.

 

Një studim i ri, i botuar në gazetën e përjavshme mjekësore ‘New England Journal of Medicine’, shqyrton nëse heqja e nyjeve limfatike është në çdo rast e nevojshme në fazat e hershme të kancerit të gjirit.

Një studim tjetër i publikuar në ‘Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane’ sugjeron një qasje të re ndaj një lloji të kancerit të gjirit të quajtur “ductal carcinoma in situ”, ose DCIS.

Hulumtimi u diskutua të enjten në Simpoziumin e Kancerit të Gjirit në San Antonio.

 

DCIS dhe mbikqyrja e vazhdueshme

Çdo vit, rreth 50 mijë gra në Shtetet e Bashkuara diagnostikohen me karcinoma duktale in situ, ose DCIS, ku qelizat që formojnë kanalet e qumështit bëhen kancerogjene, por indi i gjirit aty pranë mbetet i shëndetshëm.

Shumë gra zgjedhin të kryejnë operacion, megjithëse është e paqartë nëse në vend të ndëryrjes kirurgjikale mund të ndjekin një qasje “të presim dhe të shohim”, paralelisht me një mbikqyrje më të shpeshtë.

Studimi i ri, i bazuar në të dhëna dyvjeçare, sugjeron se një monitorim i tillë aktiv është një alternativë e sigurt ndaj operacionit për shumë prej këtyre grave, megjithëse disa mjekë kërkojnë të shohin nëse rezultati do të vazhdojë të jetë i efektshëm me kalimin e kohës.

“Ky është një opsion që pacientet duhet ta marrin në konsideratë për trajtimin e kancerit DCIS”, tha doktoreshë Virginia Kaklamani nga Qendra e Shkencave Shëndetësore e Universitetit të Teksasit ‘San Antonio’, e cila nuk ishte e përfshirë në hulumtim. “Për një kohë të gjatë, ne kemi pasur ndjenjën se po i mbitrajtonim pacientet me DCIS. Ky është një konfirmim i asaj që dyshonim se po ndodhte”.

Duke mbajtur një pikëpamje më të kujdesshme, doktoreshë Monica Morrow nga Qendra e Trajtimit të Kancerit ‘Memorial Sloan Kettering’, e cila nuk ishte e përfshirë në hulumtim, tha se një studim dyvjeçar nuk është i mjaftueshëm për të nxjerrë përfundime.

Gjetja bazohet në ndjekjen e më shumë se 950 pacienteve amerikane, të cilave u ishte rekomanduar operacion ose monitorim aktiv. Të gjitha kishin kancer DCIS me rrezik të ulët, pa asnjë shenja të kancerit invaziv. Ato vuanin nga lloji i DCIS që reagon ndaj ilaçeve që bllokojnë hormonet dhe shumë paciente të përfshira në studim i morën këto barna si pjesë të trajtimit të tyre.

Pas dy vitesh, shkalla e kancerit invaziv, (që ishte përhapur në kanale të tjera të gjirit), ishte e ulët dhe nuk ndryshonte ndjeshëm midis grupeve, me rreth 6 për qind në grupin pacienteve të trajtuara me operacion dhe rreth 4 përqind në grupin e pacienteve nën mbikqyrje.

Në radhët e pacienteve në grupin e monitorimit, nëse viheshin re ndryshime gjatë mamografisë, atëherë do t’u kërkohej të bënin një biopsi. Ato gjithashtu mund të zgjedhin operacionin në çdo kohë për çfarëdo arsye.

Disa pjesëmarrëse në studim nuk iu përmbajtën trajtimit që iu caktua rastësisht.

Pra, në një analizë të veçantë, duke parë ato që bënë ose jo operacion, shkalla e përhapjes së kancerit ishte rreth 9 për qind për grupin e kirurgjisë dhe 3 për qind për grupin e monitorimit.

Studiuesit do të vazhdojnë të ndjekin pacientet për të parë nëse zbulimi qëndron mbi një dekadë.

Tina Clark, 63 vjeç, nga qyteti Buxton, në shtetin Mein, iu bashkua studimit pasi u diagnostikua me DCIS në vitin 2019. E caktuar rastësisht në grupin vetëm për monitorim, ajo pati mundësi të shmangte operacionin dhe rrezatimin ndërsa kujdesej për rritjen e nipit si dhe përpiqej të kapërcente vdekjen së e të shoqit.

“Ndihem shumë mirënjohëse dhe me fat që e gjeta këtë studim”, tha zonja Clark.

Ajo bën mamografi çdo gjashtë muaj për të mbajtur nën kontroll kancerin e llojit DCIS në gjirin e djathtë, i cili nuk është përhapur. Mamografitë vunë re një kancer të vogël në gjirin tjetër të saj në vitin 2023, të palidhur me DCIS. Ajo iu nënshtrua një operacioni për heqjen e tij.

“Nëse jeni diagnostikuar me kancer DCIS me rrezik të ulët, keni kohë për të kuptuar më shumë për sëmundjen dhe cilat janë opsionet tuaja,” tha autorja e studimit, doktoreshë Shelley Hwang nga Universiteti ‘Duke’.

 

Nyjet limfatike dhe kanceri i hershëm i gjirit

Gratë që kryejnë operacion për kancerin e gjirit shpesh i nënshtrohen edhe asaj që quhet biopsi e nyjeve limfatike qendrore, ku hiqen disa nyje limfatike në sqetull për të kontrolluar për përhapjen e kancerit.

Por heqja e nyjeve limfatike mund të shkaktojë dhimbje të qëndrueshme dhe ënjtje të krahut, ndaj po bëhen kërkime për të përcaktuar se kur mund të shmanget një gjë e tillë. Një studim në Evropë vitin e kaluar tregoi se gratë e moshuara me tumore të vogla mund të shmangnin në mënyrë të sigurt këtë ndërhyrje tjetër.

Në studimin e ri, hulumtuesit në Gjermani panë nëse gratë me kancer të hershëm të gjirit që planifikonin të bënin një operacion për heqjen e kancerit, por duke ruajtur gjirin, mund të shmangnin në mënyrë të sigurt heqjen e nyjeve limfatike. Ata ndoqën 4,858 gra të cilave iu caktua rastësisht për të hequr ose jo nyjet limfatike.

Pas pesë vjetësh, rreth 92 për qind e grave në të dyja grupet ishin ende gjallë dhe pa kancer.

“Heqja e nyjeve limfatike nuk rrit shanset për mbijetesë dhe rreziku i rikthimit të kancerit në sqetull është mjaft i ulët kur nyjet limfatike nuk hiqen”, tha doktoreshë Monica Morrow nga Qendra e Trajtimit të Kancerit ‘Memorial Sloan Kettering’.

Ajo shtoi se disa gra do të vazhdojnë të kenë nevojë për procedurën e nyjeve limfatike për të ndihmuar në përcaktimin e trajtimit dhe barnat që duhet të marrin pas operacionit.

voa