Kategoritë: Shkenca

“The Internet of Things”

TabletsDuke filluar nga orët inteligjente dhe deri tek paisjet shtëpiake, vazhdimisht po shtohet numri i paisjeve që lidhen me njëra-tjetrën, si dhe me internetin, duke nxjerrë të dhëna. Ky rrjet ndërlidhjeje e ka çuar në një fazë më të përparuar shfrytëzimin e Internetit dhe ndarjen e të dhënave. Ekspertët thonë se rrjeti i ndërlidhjes së pajisjeve elektronike po na bën më të vetëdijshëm.

T’i japësh makinës në trafikun e Los Anxhelosit ngjason shpesh me një video-lojë ku të duhet të shmangësh shoferët e pakujdesshëm.

 “Duhet t’i mbash sytë hapur pasi këtu makinës i jepet me shumë ndalime dhe nisje, siç e shikoni vetë,” thotë Jordi Ortega.

Ai po teston një aplikacion në telefonin e tij për të parë se si i jep makinës. Aplikacioni i quajtur ‘The Driver Feedback’ në pronësi të kompanisë së sigurimeve ‘State Farm’, e shndërron celularin e zotit Ortega në një paisje që gjurmon aftësitë e tij në timon. Programi përdor GPS-in e telefonit dhe akselerometrin për të mbledhur informacion ndërkohë që makina lëviz. Në fund, shoferit i jepet një notë vlerësuese.

“Programi përqëndrohet tek proçeset e përshpejtimit, frenimit dhe marrjes së kthesave, si faktorë rreziku,” thotë Rene Henry, nga kompania e siguracioneve “State Farm”.

Pra, një aplikacion që e shndërron telefonin në një paisje sensorësh në rrugë që masin edhe volumin e trafikut dhe shpejtësinë e makinave. Janë këto pjesë të teknologjisë, ku paisjet lidhen me njëra-tjetrën dhe me internetin.

Të dhënat mblidhen dhe analizohen.

Eksperti Bhaskar Krishnamachari thotë se kjo teknologji e ndërlidhur mund të ndihmojë planifikuesit urbanë.

 “Sensorë që masin çdo gjë; që nga ndotja dhe kushtet e rrugëve, ose të cilët monitorojnë strukturat e ndërtesave dhe të urave. Pra, paisje që ndodhen kudo duke monitoruar mjedisin dhe të lidhura me njëra-tjetrën, për t’i ndihmuar vendimmarrësit të kuptojnë më mirë gjendjen e infrastrukturës.”

Rrjeti ndërlidhës jo vetëm që jep një botëkuptim më të plotë, por edhe i ndihmon njerëzit ta shikojnë veten në një mënyrë të re. Kjo pasqyrë dixhitale, me një kamera në krye, e kap imazhin tënd nga çdo kënd dhe madje mundet të ndryshojë ngjyrën e rrobave që ke veshur. Videoja mund t’u dërgohet miqve me email për të marrë përshtypjet e tyre. Themeluesi i kompanisë MemoMi, Salvador Nissi Vilcovsky, që ka krijuar këtë pasqyrë, foli për Zërin e Amerikës.

 “Në të ardhmen nuk do të ndryshojmë vetëm ngjyrat, por do të shtojmë edhe aksesorë. Do të jemi në gjendje të sugjerojmë gjëra që gjenden në raftet e dyqaneve, ose që mund t’i blesh në internet.”

Ai thotë se influenca dixhitale në shitjet e mallrave do të rritet, sepse tashmë të gjithë posedojnë paisje.

 “Deri në vitin 2020, mendojmë se do të ketë 50 miliardë paisje elektronike në treg. Pra, rreth 6 paisje për çdo person të planetit,” thotë Bridget Karlin e korporatës “Intel”.

Ka megjithatë shqetësime për privatësinë dhe sigurinë.

 “Nëse do ta ndërlidhnim infrastrukturën, jo vetëm të shtëpive tona, por edhe të qytetit me këtë ‘rrjet ndërlidhës’, duhet të sigurohemi se nuk mund të thyhet, se askush nuk do të mundet të kontrollojë infrastukturën tonë pa dijeninë tonë dhe pa autorizimin tonë,” thotë Bhaskar Krishnamachari.

Sidoqoftë, Jordi Ortegas i pëlqen ideja e teknologjisë që e bën më të vetëdijshëm. Nota e tij përfundimtare është 8,8.

Atij i duhet të përmirësojë mënyrën e frenimit. (voa)

Teknologjia e robotëve

robotRobotët e sotëm janë përgjithësisht makineri me konture të ashpra dhe me lëvizje të forta. Por, një grup studiuesish në Universitetin Carnegie Mellon thonë se robotët, në veçanti ata që ndërveprojnë me njerëzit, duhet jenë më të butë dhe më të sigurtë.

Shumë prej robotëve të sotshëm u ngjasojnë njerëzve, disa vetëm pjesërisht, ndërsa disa të tjerë duken si të gjallë. Ka ndër ta që u ngjasojnë kafshëve, insekteve, peshqve, gjarpërinjve dhe zogjve.

Por, shumica kanë sipërfaqe të ashpra, të ndërtuara për të përballuar punë të rëndë.

Robotët e butë, si kjo fokë e vogël e quajtur Paro që argëton të moshuarit në këtë azil në Japoni, janë të rrallë. Por, studiuesit në Universitetin Carnegie Mellon thonë se duhen më shumë të tillë.

“Dhjetë vjet më parë, njerëzit po ndërtonin robotë, por ishin të interesuar për ndërtimin e robotëve të ashpër, me materiale të forta, dhe makineri të fuqishme.”

Meqë tashmë shumë robotë duhet të ndërveprojnë me njerëzit, studiuesi Park dhe kolegët e tij thonë krijimi i robotëve më të butë do t’i bëjë ata më të sigurtë për njerëzit.

Profesori i robotikës Chris Atkeson thotë se struktura e ashpër e një roboti mund të mbulohet me pjesë të mbushura me ajër, të cilat mund ta ndryshojnë formën sipas nevojës.

Ai thotë se studiuesit u frymëzuan nga Baymax, një robot në filmin Big Hero 6, të kompanisë Disney.

“Kam dëgjuar nga shumë njerëz rreth efektit pozitiv që filmi Big Hero 6 ka patur tek fëmijët, në dy mënyra kryesore. E para, bën të mundur që fëmijëve t’u pëlqejnë robotët, dhe e dyta, u ngjall dëshirën të bëhen shkencëtarë dhe inxhinierë.”

Ndihmës profesori i inxhinierisë mekanike Carmel Majidi thotë se paisjet elektronike që mbarten në trup janë një tjetër fushë ku studiuesit duhet të krijojnë materiale të reja për robotë më miqësorë.

“Është pra një synim kryesor për ne që të krijojmë materiale të cilat të jenë të përdorshme me paisjet mikro-elektronike tashmë të gjendura në treg.”

Në filmin Big Hero 6, roboti Baymax shërben edhe monitorues i shëndetit.

Kjo lloj teknologjie po përparon me shpejtësi, por studiuesit thonë se në mënyrë që të bëhet e tregtueshme, do të duhet të jetë më tërheqëse në prekje dhe në pamje. (voa)

Sonda Dawn në orbitën e trupit qiellor Ceres

Anija hapsinore e NASA-s Dawn së shpejti do të mbërrijë pranë trupit qiellor Ceres. Kur të hyjë në orbitën e këtij trupi qiellor të akullt, që ka madhësinë e një planeti, sonda Dawn do të studiojë në se kanë ekzistuar apo jo ndonjëherë kushtet që bëjnë të mundur zhvillim e jetës. Sonda hapsinore Dawn u lëshua nga Toka më shumë se shtatë vjet më parë për të eksploruar dy trupa jashtë-tokësorë të sistemit diellor.

“Është hera e parë në 57 vjet që një anije hapsinore do të jetë në orbitën e dy objekteve jashtëtokësore.”

Dy destinacionet janë Vesta dhe Ceres, dy objekte në brezin kryesor me asteroidë mes Marsit dhe Jupiterit.

Në qendrën e kontrollit, ekipi drejtues i fluturimit dërgon udhëzime çdo sekondë tek sonda Dawn, duke pilotuar çdo lëvizje të saj përfshi edhe fotografimet.

Ky është imazhi më i fundit dërguar në tokë gjatë afrimit të sondës pranë objektit Ceres. Shkencëtarët besojnë se trupi qiellor përbëhet nga shkëmbinj të mbuluar me akull.

Sapo anija të futet në orbitën e trupit Ceres në muajin mars, ajo do të fotografojë dhe ndërtojë një hartë gjithëpërfshirëse të kësaj bote të huaj.

Anija do të studiojë përbërjen e trupit Ceres për të parë evoluimin e sipërfaqes dhe nëse aty kanë ekzistuar kushte të favorshme për jetën, thotë Carol Raymond me ekipin drejtues të misionit.

“Një prej interesave në objekte si Ceres dhe asteroidë të tjerë të akullt në periferi të sistemit diellor është nëse objekte të tilla ndikuan tek planeti ynë. Asteroidët sollën shumë ujë ndaj ka një debat intensiv sot nëse asteroidë të lagësht si Ceres dhe të tjerë që ndodhen në periferinë e brezit të asteroidëve kanë qënë burimi kryesor i ujit në oqeanet tokësore.”

Në fillim të misionit, sonda Dawn bëri një zbulim të papritur në trupin qiellor Vesta.

“Ekipi mendonte se ishte një trup i thatë. U habitëm kur pamë njolla të dukshme në sipërfaqe të tij që tregonin sasi të konsiderueshme uji brenda shkëmbinjve dhe ndoshta edhe në gjendje të lirë që mund të kishte rrjedhur në sipërfaqe në të kaluarën.”

Zonja Raymond thotë se nëse uji në Tokë erdhi nga trupa me lagështi si Cerese, atëhere bashkë me ujin, mund të ketë ardhur edhe jeta.

Nëse Dawn gjen se mjedisi në Ceres mund jetë i favorshëm për jetën, ky zbulim mund të nxisë eksplorime të tjera me instrumente të përshtatshme për testimin e hipotezës.

Anija në këtë mision do të mbledhë informacione për Ceres deri në verën e vitit 2016. Pastaj ajo që mbetet përjetë në orbitën e këtij trupi qiellor. (voa)

NASA, 5 misione për studimin e Tokës

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, është duke i dhënë fund periudhës së saj 12-mujore më të ngarkuar në më shumë se një dekadë, pas realizimit të katër misioneve në vitin 2014 dhe përgatitjes së misionit të pestë të planifikuar për më 29 janar.Sondat e fundit të flotës së NASA-s e sjellin në 18 numrin e instrumenteve që vëzhgojnë tokën.

Së pari, në shkurt të vitit të kaluar filluam misionin GPM ose Matja e Reshjeve Globale, thotë shkencëtari i NASA-s, Tom Wagner.:

“Ky sistem do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë reshjet, do të jetë në gjendje të masë nivelin e borës në atmosferë, dhe në përgjithësi do të përmirësojë njohurinë tonë mbi reshjet”.

GPM u pasua nga misioni për vëzhgimin e dioksidit të karbonit orbital ose OCO-2. Zoti Wagner thotë se kjo është e rëndësishme, duke patur parasysh se lirimi i dioksidit të karbonit është kontribuesi kryesor i ngrohjes globale:

“Një nga gjërat më të rëndësishme që ne kemi nevojë të dijmë është se nga vjenë dioksidi i karbonit dhe ku po shkon. A thithet nga oqeani? A po lirohet nga tharja e Arktikut? Dhe, në qoftë se ne duam të kuptojmë se ku do të jetë planeti ynë në 50 ose 100 vjet, në duhet t’i kuptojmë këto lloje të proceseve”.

Në vitin e fundit, janë montuar dy instrumente në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës:

“Është hera e parë që ne jemi duke vënë instrumente në Stacionin Hapësinor për të vëzhguar Tokën. Stacioni i hapësirës është një platformë e rëndësishme sepse ka shumë energji”.

Një nga instrumentet quhet RapidScat. Nga pozita e tij fikse jashtë stacionit hapësinor, ai dokumenton shpejtësinë e erërave që lëvizin në sipërfaqe të oqeanit, duke siguruar të dhëna të cilat mund të përmirësojnë modelet klimatike dhe parashikimin e motit. Instrumenti tjetër quhet CATS:

“Ky instrument përmes lazerave do të përpiqet të kuptojë marrëdhëniet mes ndotësve dhe grimcave të tjera dhe formimit të reve”.

Sateliti tjetër që do të dërgohet në orbit quhet SMAP dhe do të analizojë lagështinë. Fokusi i tij është cikli i ujit, një element kritik për jetën në planet. Zoti Wagner thotë se SMAP dhe mjetet e tjera do të monitorojnë shëndetin e sistemeve jetike të Tokës:

“Fakti i thjeshtë është se Toka është e gjitha e ndërlidhur. Në qoftë se dëshironi ta kuptoni atë, ju duhet të bëni matje në mbarë planetin, gjatë gjithë kohës, për ta kuptuar më mirë atë që po ndodh. Dhe satelitët janë një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë”.

Shkencëtari i NASA-s Tom Wagner thotë se nga arkiva e madhe e të dhënave që vijnë nga satelitët përfitojnë parashikuesit e motit dhe shkencëtarët që përdorin modelet e parashikimit të motit. Të dhënat e NASA-s ndihmojnë edhe fermerët dhe menaxhuesit e oqeaneve dhe tokës që të marrin vendime më të mira në përgjigje të ngrohjes globale. (voa)

NASA, 5 misione për studimin e tokës

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, është duke i dhënë fund periudhës së saj 12-mujore më të ngarkuar në më shumë se një dekadë, pas realizimit të katër misioneve në vitin 2014 dhe përgatitjes së misionit të pestë të planifikuar për më 29 janar.Siç njofton korrespondejta e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble, instrumentet që do të dergohen në orbitë do të studiojnë sistemet vitale të Tokës që mbështesin jetën dhe se si po reagojnë ato ndaj ngrohjes së planetit.

Sondat e fundit të flotës së NASA-s e sjellin në 18 numrin e instrumenteve që vëzhgojnë tokën.

Së pari, në shkurt të vitit të kaluar filluam misionin GPM ose Matja e Reshjeve Globale, thotë shkencëtari i NASA-s, Tom Wagner.

“Ky sistem do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë reshjet, do të jetë në gjendje të masë nivelin e borës në atmosferë, dhe në përgjithësi do të përmirësojë njohurinë tonë mbi reshjet”.

GPM u pasua nga misioni për vëzhgimin e dioksidit të karbonit orbital ose OCO-2. Zoti Wagner thotë se kjo është e rëndësishme, duke patur parasysh se lirimi i dioksidit të karbonit është kontribuesi kryesor i ngrohjes globale.

“Një nga gjërat më të rëndësishme që ne kemi nevojë të dijmë është se nga vjenë dioksidi i karbonit dhe ku po shkon. A thithet nga oqeani? A po lirohet nga tharja e Arktikut? Dhe, në qoftë se ne duam të kuptojmë se ku do të jetë planeti ynë në 50 ose 100 vjet, në duhet t’i kuptojmë këto lloje të proceseve”.

Në vitin e fundit, janë montuar dy instrumente në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

“Është hera e parë që ne jemi duke vënë instrumente në Stacionin Hapësinor për të vëzhguar Tokën. Stacioni i hapësirës është një platformë e rëndësishme sepse ka shumë energji”.

Një nga instrumentet quhet RapidScat. Nga pozita e tij fikse jashtë stacionit hapësinor, ai dokumenton shpejtësinë e erërave që lëvizin në sipërfaqe të oqeanit, duke siguruar të dhëna të cilat mund të përmirësojnë modelet klimatike dhe parashikimin e motit. Instrumenti tjetër quhet CATS.

“Ky instrument përmes lazerave do të përpiqet të kuptojë marrëdhëniet mes ndotësve dhe grimcave të tjera dhe formimit të reve”.

Sateliti tjetër që do të dërgohet në orbit quhet SMAP dhe do të analizojë lagështinë. Fokusi i tij është cikli i ujit, një element kritik për jetën në planet. Zoti Wagner thotë se SMAP dhe mjetet e tjera do të monitorojnë shëndetin e sistemeve jetike të Tokës.

“Fakti i thjeshtë është se Toka është e gjitha e ndërlidhur. Në qoftë se dëshironi ta kuptoni atë, ju duhet të bëni matje në mbarë planetin, gjatë gjithë kohës, për ta kuptuar më mirë atë që po ndodh. Dhe satelitët janë një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë”.

Shkenctari i NASA-s Tom Wagner thotë se nga arkiva e madhe e të dhënave që vijnë nga satelitët përfitojnë parashikuesit e motit dhe shkencëtarët që përdorin modelet e parashikimit të motit. Të dhënat e NASA-s ndihmojnë edhe fermerët dhe menaxhuesit e oqeaneve dhe tokës që të marrin vendime më të mira në përgjigje të ngrohjes globale. (voa)

A mendojmë ne me drejtim nga e majta në të djathtë?

Zogjtë e pulës i lidhin sasitë e vogla me anën e majtë, ato të mëdha me anën e djathtë. Biopsikologu Onur Güntürkün mendon se pas kësaj fshihet një aftësi e lindur për drejtimin.Studiues të mbledhur në një grup pune përreth psikologes Rosa Rugani nga Universiteti i Padovas kanë zbuluar se zogjtë e pulës treditësh, numrat e mëdhenj i lidhin me drejtimin djathtas, ndërsa numrat e vegjël me drejtimin majtas. Në një eksperiment zogjtë kërkonin ushqimin në një dhomë komplet të bardhë. Ushqimi ishte fshehur pas një fasade të bardhë, shpjegon Rugani në revistën „Science“ të publikuar më 29 janar 2015. Në rast se zogjtë e pulës arrinin ta gjenin ushqimin 20 herë, mund të thuhet se ata ishin të trajnuar. Më pas ata u dërguan në një dhomë, ku duhej të zgjidhnin mes dy fasadeve. Nëse tek të dyja fasadat ishin vendosur dy pika, 70% e zogjve merrnin drejtimin e majtë. Nëse në fasada vendoseshin tetë pika, 70% e zogjve të pulës zgjidhnin fasadën e djathtë. Ushqimi pas fasadeve mbetej i pandryshuar.

Prej këtij eksperimenti studiuesit arritën në përfundimin e përshkrimit të numrave në tru, si një rradhë e pandërprerë numrash nga e majta në të djathtë. Mbi këto rezultate, Deutsche Welle ka biseduar me biopsikologun Prof. Onur Güntürkun nga Universiteti i Bochumit.
Profesor Güntürkün, ju vetë keni eksperimentuar me pëllumbat për shkencat e neurologjisë. Çfarë do të thotë ky eksperiment i koleges nga Padova për aftësinë tonë të të kuptuarit nga e majta në të djathtë?
Ka shumë të dhëna nga studimet për këtë ҫështje. Disa lidhen me njerëzit dhe janë të vështira për t’u interpretuar, sepse mund të kenë ndikimin e faktorëve kulturorë. Por ka edhe studime pas eksperimenteve me majmunë. Dhe ato po ashtu arrijnë në konkluzionin se ne numrat i perceptojmë si një vijë mentale. Ne, njerëzit dhe qenie të tjera duket se i perceptojmë numrat vërtet si një radhë pasuese gjithnjë në rritje. Kjo nuk do të thotë që rritja e numrave ndodh nga e majta në të djathtë, por duket se strukturimi i tyre ka një drejtim.
Studimet nga psikologja Rugani nga grupi eksperimentues i studiuesit të neurologjisë, Giorgio Vallortigara, tregojnë se zogjtë e pulës, të sapolindur duket se kanë një tendencë perceptimi nga e majta në të djathtë.
Pse a mund të numërojnë zogjtë e pulës?
Tek zogjtë e pulës, por edhe tek qeniet e tjera jo njerëzore nuk kemi të bëjmë me numërimin si të tillë, por me një lloj vlerësimi përafrues. Madje edhe vetë njerëzit kur nuk numërojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shkarazi, mund të bëjnë një lloj vlerësimi se 1 është më i vogël se numri 2, që numri 3 është më shumë se 2.
Kështu edhe ne tek eksperimenti me zogjtë e pulës, duhet të zmadhojmë distancën –sepse nuk bëhet fjalë për numërimin si e kuptojmë ne njerëzit. Kjo lloj llogaritjeje me sasi, megjithatë mund të përshkruhet në formë numerike. Në kuptimin që shumë-do të thotë më shumë, më shumë –edhe më shumë e kështu me radhë.
Ne njerëzit nuk do ta fillonim një aks kohor nga e djathta e ta vazhdonim në të majtë, edhe në sistemin koordinativ boshtet numerike x dhe y fillojnë nga e majta drejt së djathtës. A mund të thuhet se kjo është e programuar?
Pikërisht këtë të sugjerojnë këto të dhëna. Po qe se numrat i perceptojmë si sasi, mund të ndodhë që sasia në rritje korrespondon me një strukturë në tru me një drejtim. Me gjysmën e majtë drejt diҫkaje, me drejtimin e djathtë në largim.
Duhet ta kuptojmë ne veten si një reflektim në pasqyrë: Gjysma e majtë e trurit është përgjegjëse për anën e djathtë, dhe anasjelltas?
Po është vërtet kështu: Tek zogjtë e pukës, syri i majtë sheh fasadën e majtë, dhe i djathti, fasadën djathtas. Syri i djathtë transmenton informacione në gjysmën e majtë të trurit, dhe i majti në gjysmën e djathtë të trurit. Edhe tek njeriu mekanizmat janë pak a shumë kështu, vetëm se tek ne në këtë proces transmentimi marrin pjesë të dy sytë.
Neurologu zviceran Peter Brugger nga klinika universitare e Zyrihut në një koment për këtë studim ka hedhur dyshimin se ana e djathtë asociohet „pozitivisht“ –më shumë ushqim, ose „më mirë“. A mund ta konfirmoni këtë?
Ne e dimë se gjysma e majtë e trurit nuk përpunon gjërat „pozitive“, por bëhet fjalë më shumë për një lloj sjelljeje afrimi. Po qe se unë jam tani tejet i zemëruar me ju, dhe dua t’ua fus me grusht, kjo sigurisht nuk është një ndjenjë pozitive. Megjithatë orientimi vazhdon të bëhet me anën e majtë.
Pra një numër i madh nuk do të thotë patjetër diҫka pozitive, megjithëse testi u bë me ushqim. Besoj më shumë se mund të ketë lidhje me drejtimin e lëvizjes, që në tru është i koduar në mënyrë asimetrike.
Që do të thotë: Dua të mbërrij tek diҫka, shpesh ndodh kjo, dua të marr diҫka të ngrohtë, të shijshme, të afrohem tek diҫka e mirë. Por unë tentoj afrimin edhe për të bërë diҫka jo të mirë, si në rastin e grushtit. Kjo do të thotë: Veprimi i afrimit perceptohet me gjysmën e majtë të trurit, dhe ai i largimit nga diҫka me gjysmën e djathtë. Por ka mundësi që ky reagimi afrim-largim të lidhet edhe me kodin e sasisë. Nga „pak“ në „shumë“. Kjo sidomos sepse në eksperimentin me zogjtë e pulës, sasia, si „pak“ ashtu edhe „shumë“ u lidh me të njëjtën sasi ushqimi. Por zogjtë pritën me sa duket më shumë ushqim, aty ku truri i tyre asocioi sasinë më të madhe.
Ka sisteme shkrimi që kanë drejtimin nga e majta në të djathtë, të tjera në drejtimin e kundërt. Çfarë ndodh në këtë rast në tru?
Asimetria lidhet me drejtimin e shkrimit latin, kirilik apo grek, por ndryshon puna me shkrimin arab apo hebraik. Nëse kjo do të thotë diҫka për këtë vetëm mund të spekulojmë. Po qe se drejtimi është i lindur, siҫ po mendojmë pas konkluzioneve në eksperimentin me zogjtë e pulës, atëherë kjo nuk do të thotë patjetër, që ne nuk mund të zhvillojmë një kulturë që preferon drejtimin e kundërt.
Për shembull në katolicizëm njohim kulturën e askezës në një radhë profesionesh, gjë që nuk është menduar në mënyrë biologjike dhe nuk përkrahet me evolucionin. Kjo kulturë pra është zhvilluar në drejtim të kundërt me mekanizmat biologjikë. Pra kultura mund të fshijë parapërfytyrimet biologjike. Pse shkrimi semitik mund të bjerë ndesh me një paracaktim të mundshëm biologjik nga e majta në të djathtë nuk mund ta them. Këtë mund ta thonë historianët. Shpesh zhvillime të kulturore lidhen ngushtë me një situatë, apo edhe një person që në një fazë kritike bën diҫka që në fund shtrihet tek të gjithë.
Intervistën e zhvilloi Fabian Schmidt.
Profesor Onur Güntürkün është biopsikolog në Fakultetin e Psikologjisë së Universitetit Ruhr në Bochum. Ai u nderua në vitin 2013 me ҫmimin e njohur „Gottfried-Wilhelm Leibnitz“, që vlerëson studiuesit për rezultate kërkimore të shpjeguara në mënyrë të kuptueshme për publikun. (dw)

Telefonat inteligjentë si mjet diagnostikimi të malaries

Mjekët që luftojnë malarjen, një ndër sëmundjet më vdekjeprurëse në planet, mund të kenë së shpejti në dispozicion një mjet ndihmës – një aplikacion në celularët e tyre inteligjentë. Shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë që përdor kamerën e celularit për gjurmimin në gjakun e pacientëve të mikroorganizmave që shkaktojnë këtë sëmundje.Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 600 mijë njerëz vdiqën nga malaria në vitin 2013, një shifër që e klasifikon këtë sëmundje të përcjellë nga mushkonjat si një ndër më vdekjeprurëset në botë.

Aspekti më i hidhur i kësaj katastrofe është se prek më së shumti fëmijët e vegjël.

Zbulimi i hershëm i sëmundjes është i rëndësishëm për një trajtim të suksesshëm. Por, duke qenë se simptomat fillestare i ngjasojnë gripit të zakonshëm, një mikrobiologu i duhet të ekzaminojë një pikë gjaku të pacientit me mikroskop për të bërë diagnostikimin e duhur.

Shkencëtarët në Britani kanë prodhuar një pajisje, të quajtur Xrapid, e cila i bashkohet celularit duke e shndërruar atë në një mikroskop të fuqishëm. Ndërsa një aplikacion, i bazuar në teknologjinë e identifikimit të fytyrës, identifikon me shpejtësi parazitët protozoarë në njollën e gjakut.

Jean Viry-Babel është drejtor i kompanisë IanXen, e cila prodhoi aplikacionin. Ai thotë se kushton shumë pak dhe funksionon menjëherë.

“Marrim pra një pamje me rezolucion të lartë të një kampioni gjaku. Ndajmë rruazat e kuqe të gjakut nga pjesa tjetër, nga rruazat e bardha dhe pllakëzat e gjakut, dhe fillojmë të shqyrtojmë individualisht secilën prej rruazave të kuqe.”

Viry-Babel thotë se aplikacioni ka çmim të ulët, është i lehtë në përdorim dhe ofron besueshmëri në masën 98%. E vetmja paisje shtesë që kërkohet është një xham i zakonshëm laboratorik.

“Ka vetëm një buton, që emërtohet ‘Diagnostiko’. Pra, thjesht e pozicionon mbi xhamin dhe gjakun e përtharë, dhe shtyp butonin që jep diagnozën ‘po’ ose ‘jo’.”

Shkencëtarët thonë se paisja do të fillojë të testohet në terren gjatë muajve janar dhe shkurt në Tanzani, Benin dhe Indonezi, ndërsa përdorimi në shkallë të gjerë mendohet të fillojë nga fundi i muajit mars.

Ata gjithashtu synojnë të zgjerojnë përshtatshmërinë e paisjes së re, duke e mësuar të njohë edhe sëmundje të tjera, si p.sh. turbekulozin etj. (voa)

Gjendet sonda hapësinore Beagle 2

Agjencia Evropiane e Hapësirës tha se një sondë e ndërtuar nga britanikët, që ishte zhdukur më shumë se një dekadë më parë në planetin Mars është gjetur.Agjencia britanike e hapësirës njoftoi sot se sonda Beagle 2 “është gjetur duke funksionuar pjesërisht në sifërfaqen e planetit, duke i dhënë fund misterit se çfarë ndodhi me të.”

Agjencia tha se funksionimi i pjesshëm shpjegon arsyen përse nuk merrej asnjë sinjal apo e dhënë nga sonda Beagle pasi hapja e plotë i të gjitha paneleve diellore ishte e nevojshme për të transmetuar të dhënat dhe për të marrë komanda nga toka.

Zyrtarët thanë se gjetja e sondës tregon se hyrja dhe ulja e saj në planetin Mars ka ndodhur ashtu siç ishte parashikuar në ditën e Krishlindjeve në vitin 2003.

Misioni i sondës Beagle ishte të dërgonte informacione nga Marsi mbi mundësinë e shenjave të jetës në planetin e kuq, por kontakti me të nuk u vendos kurrë.

Shkencëtari britanik Colin Pillinger që ishte në krye të misionit vdiq vjet në moshën 70 vjeçare.

Beagle 2 e mori emrin nga anija e Çarles Darvinit me të cilën ai lundroi kur formuloi teorinë e evolucionit. (voa)