Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Dueli i heshtur, nga deklaratat Rama-Meta, tek dorëheqja e Naços

rama metaVetëm 5 ditë me parë, kryeministri Edi Rama deklaroi në Top Story se nuk besonte te rifreskimi i qeverisë. “Rifreskim bëjnë vetëm mazhorancat që ndryshojnë ekuilibrat e brendshëm”, shtoi ai,  jo pa tone nervoze për të njëjtën pyetje që i bëhej prej muajesh: ndryshimet e mundshme në Qeveri.

Kjo ishte pyetja që ndoshta ka marrë më shumë kryeministri veçanërisht pas kthimit nga SHBA në shtator, kohë në të cilën u fol për një marrëdhënie të ftohur mes tij dhe aleatit Ilir Meta, për të cilën nuk pati pak kontribut dhe ky i fundit me deklaratat evazive.

“Nuk keni dëgjuar gjë akoma, pak më vonë do të dëgjoni çudi të mëdha për shtypjen e opozitës së pafajshme Basha-Rama”, deklaronte Ilir Meta nga Çorovoda, si kundërpërgjigjie ndaj akuzave të opozitës.

Pavarësisht se askush nuk e konfirmoi zyrtarisht, në takimin e parë mes Metes dhe Ramës pas kthimit të këtij të fundit nga SHBA, u fol për një kërkesë të kreut të LSI-së, Ilir Meta për ndryshime në qeveri. E njëjta kërkesë u tha se ishte bërë edhe në takimin e tyre të dytë, pas të cilit Ilir Meta paralajmëroi qëndrimin pro ndryshimeve në qeveri, ndërsa jozyrtarisht u aludua edhe për kushte të vendosura prej tij për lëvizje të ministrave socialistë në kabinet.

“Ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, kërkojmë standarde më të larta të qeverisjes. Sa u takon ndryshimeve, ja kemi lënë nismën kryeministrit”, deklaronte Meta.

Ndërsa Ilir Meta ishte ai që lëshonte sinjale dhe më pas i mohonte, kryeministri Edi Rama ishte më i qëndrueshëm në mohimin e ekzistencës së bisedave me aleatin e tij për ndryshime në qeveri, duke i cilësuar shpesh si shpikje të gazetarëve.

“Puna juaj është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe pastaj thoni që ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që është shpikur nga ju”, tha Rama.

Ndërsa Ilir Meta vijoi të mbajë të njëjtin qëndrim.

“Është pyetje që i takon kryeministrit Rama”, do të përgjigjej ai një pyetjeje për ndryshimet në qeveri.

Deklarimet, shpesh të papërputhshme të Ramës dhe Metës për ndryshimet në qeveri, u lexuan si kërkesa të kreut të LSI-së për ndryshime dhe rezistencë e kryeministrit ndaj tyre. Në këto kushte erdhi edhe dorëheqja e Nasip Naços për arsye personale, një krizë e vogël, që u mbyll shpejt me zëvendësimin në kohë rekord të Naços, por koha do të tregojë nëse kjo ishte një përpjekje e parë e pasukseshme e aleatit më të vogël për të provokuar një manovër më të thellë ndryshimesh në qeveri apo thjesht një incident i veçuar rastësor i një ministri rastësisht i LSI-së që kërkoi largimin vërtetë për arsye vërtetë personale.

/ Top Channel

Detajet e progres-raportit: Përparim i qëndrueshëm; për 5 prioritetet, problem drejtësia

PRITJA-E-RAPORTINga burime konfidenciale në Bruksel, Top Channel mëson se Komisioni Europian pritet të vlerësojë se Shqipëria, në përgjithësi, ka shënuar “progres të qëndrueshëm” drejt përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe njeh “angazhimin në nivel të lartë” e “përpjekje sistematike” për kryerjen e reformave.

Por, për të gjitha fushat, raporti i progresit do të përsërisë domosdoshmërinë e zbatimit me “gjurmë të besueshme provash” dhe “rezultate të konsoliduara”, veçanërisht për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Theksi do të vihet tek përmbyllja e reformës në drejtësi dhe mbi të drejtën e pronës. Megjithëse nuk përmendet fjala “dekriminalizim”, Komisioni Europian vlerëson në kriterin politik se “janë ndërmarrë hapa për të propozuar ligj mbi përjashtimin e të dënuarëve për krime nga postet publike”, ndërsa do të konsiderojë se “zgjedhjet lokale të 21 Qershorit qenë një mundësi e humbur për të përjashtuar nga listat elektorale kandidatët me të dhëna kriminale në të kaluarën”.

Në tërësi, zgjedhjet e fundit lokale “u mbajtën pa incidente të mëdha”, por Brukseli do të përsërisë shqetësimin mbi “paanshmërinë dhe profesionalizmin” e autoriteteve zgjedhore, si dhe “nevojën për të trajtuar politizimin në përgjithësi të procesit elektoral” dhe problemet e hasura, përmes “rezultateve konkrete në ndjekjen e rekomandimeve” të OSBE-ODIHR.

Funksionimi i Parlamentit do të njoh “njëfarë progresi” me përmirësimin e transparencës së procesit legjislativ. Në vlerësimin e dialogut politik do të kujtohet marrëveshja e Dhjetorit 2014, por duke kërkuar “përpjekje më sistematike për të tejkaluar kulturën përçarëse politike dhe për të siguruar një dialog më konstruktiv ndërpartiak”.

Ndër prioritetet kyçe, “progres i mirë” pritet për reformën e administratës publike, ku kërkohet që të vijojë demonstrimi për një rekrutim transparent e të bazuar mbi merita, të përmirësohet koordinimi sektorial, mekanizmat e monitorimit të performancës, mbledhja dhe informimi i të dhënave të besueshme për zbatimin e ligjit për nëpunësit civil, si dhe forcimi i sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore.

Reforma në drejtësi, prioriteti i dytë kyç i KE-së, do të vlerësohet me “njëfarë progresi”, megjithëse në këtë kapitull, vendi pritet të konsiderohet “në fazë fillestare të përgatitjes”. Pas vlerësimit për formimin e komitetit parlamentar “ad hoc” për reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, do të përmendet nevoja për të trajtuar problemet që lidhen me pavarësinë, llogaridhënien dhe efiçencën e sistemit të drejtësisë, me sigurimin e të dhënave, si dhe mbetet plotësimi i vendeve vakante për Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative, menaxhimi elektronik i veprimtarisë së gjykatave dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, përfshirë publikimin e tyre në kohë.

“Njëfarë progresi” pritet dhe për prioritetin tjetër kyç të luftës ndaj korrupsionit, ku vendi ka “njëfarë niveli të përgatitjes”. Por, pritet të përsëritet, si në të kaluarën, se “korrupsioni mbetet i gjithëpërhapur”, ka pak raste të konfiskimit të pasurive dhe konsiderohen “të kufizuara” gjurmët e provave për hetimet, ndjekjet dhe dënimet, që rezultojnë të ulta, veçanërisht për zyrtarët e nivelit të lartë. Në këtë kuadër, kryesisht, Brukseli kërkon të sigurohet një qasje e drejtpërdrejtë në sistemin e të dhënave, gjurmë provash të qëndrueshme dhe forcim të efiçencës së hetimeve.

Njëjtë (“njëfarë progresi” e “njëfarë niveli të përgatitjes”) pritet të vlerësohet dhe prioriteti kyç i luftës ndaj krimit të organizuar. Vlerësohen veprimet e policisë në goditjen e krimit të organizuar, veçanërisht ndaj trafikut të drogës, por Shqipëria mbetet vend origjine për trafikun e qenieve njerëzore, i cili shënon një rritje të lehtë krahasuar me të kaluarën. Ndërkohë që vendi “është prekur nga fenomeni i luftëtarëve të huaj” dhe “radikalizimi”, vlerësohet rritja e bashkëpunimit ndërkombëtarë, por kërkohet një përfshirje më e gjerë e shoqërisë civile dhe e komuniteteve fetare.

Megjithë progresin e arritur në këtë prioritet kyç, pritet që vendit t’i kërkohet të trajtojë shpeshtësinë e ulët për rastet e dënimeve përfundimtare, një reagim më të shpejtë të Prokurorisë pas aksionit goditës të policisë, dënimet e pakta për pastrim parash, financimin e partive politike, mungesën e një sistemi të dhënash, rritja e efiçencës së hetimeve mbi krimet e organizuara, të dëshmohet progresi për krijimin e rekordeve të besueshme të të gjitha fazave të procesit të goditjes së krimit nga policia tek gjykata, si dhe krijimin e politikave efektive për burimet njerëzore, përfshirë promovimin në bazë të meritës dhe procesin e transferimit në Policinë e Shtetit.

Legjislacioni për të drejtat themelore (prioriteti i fundit kyç) do të konsiderohet gjerësisht në përputhje me standartet e BE-së, por zbatimi në praktikë mbetet i “kufizuar” dhe “i pamjaftueshëm”. Edhe këtë vit, Komisioni Europian do të përsërisë rëndësinë e zbatimit të të drejtave të pronës dhe përmbylljen e procesit të regjistrimit, kompensimit dhe kthimit të tyre; trajtimin e të drejtave të minoriteteve, sidomos për romët dhe egjiptianët, si dhe forcimi i të drejtave të fëmijëve, përfshirë përmirësimin e drejtësisë për të miturit.

Në shumicën e kapitujve negociues, vendi pritet të konsiderohet me “njëfarë niveli të përgatitjes” ose me “përgatitje të moderuar”. Të drejtat e punëtorëve do të rezultojnë në një “fazë fillestare” dhe “pa progres” gjatë këtij viti.

Megjithëse dokumenti do të konstatojë si “të rrallë” kërcënimin fizik të gazetarëve, liria e shprehjes rezulton “pa progres” gjatë këtij viti dhe në këtë kapitull, vendit i njihet “njëfarë niveli përgatitës” për negociatat e anëtarësimit. Probleme has zbatimi i barabartë i ligjit mbi mediat, pavarësia e organeve rregullatore dhe e transmetuesit publik, përfshirë bordi drejtues i tij, si dhe transparenca për reklamat shtetërore.

Brukseli pritet të vlerësojë se në Shqipëri “mbizotëron toleranca fetare”, por shënon prishjen “në rrethana të paqarta” prej autoriteteve shqiptare të një kishe ortodokse më 12 gusht në Dhërmi.

“Nivel i mirë i përgatitjes” shkon për kapitullin 31, ku vendit do i njihet përputhja e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, por do të përsëritet se marrëveshja dypalëshe me SHBA-të për mosdorëzimin e shtetasve në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve vijon të jetë e papajtueshme me parimet udhëzuese relevante të BE-së.

Megjithëse njihet “njëfarë progresi” gjatë këtij viti, KE e konsideron të nevojshme përmirësimin e shkatërrimit të armëve dhe municioneve. Vendi shquhet për pjesëmarrje aktive në Dialogun e Nivelit të Lartë e në Grupet e Përbashkëta të Punës, ndërsa vijon njësoj “zbatimin pa pengesa” të MSA-së.

Përgatiti: Arta TOZAJ

/ Top Channel

BERZH, ul parashikimin për Shqipërinë

Banka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim pret një rritje me 2.3 përqind në 2015, nga 2.5 përqind që ishte parashikimi në pranverë

BERZHBanka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka rishikuar me ulje parashikimet e saj për ekonominë shqiptare në 2015. Sipas raportit të fundit të saj, mbi zhvillimet në vendet e Europës jug-lindore, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë në nivelin e 2.3 përqind, nga 2.5 përqind që ishin parashikimet e saj në pranverën e këtij viti.

Në mesin e 2015 dhe autoritetet shqiptare vlerësuan se ekonomia nuk do të rritej në nivelin 3 përqind të parashikuar prej tyre në fillim të vitit, por se do të zbriste në nivelin e 2.7 përqind. Të njejtin riverësim kishte bërë më parë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në tremujorin e parë ekonomia shqiptare u rrit me 2.82 përqind, ndërsa në të dytin me 2.53 përqind.

Sipas BERZH-it,  “Shqipëria ka përballuar me sukses ndikimin e përmbytjeve të rënda në fillim të këtij viti, por qeveria po lufton për të arritur objektivat e miratuara sipas programit me e FMN-ën” shkruhet në raport, i cili vëren se “autoritetet rritën përpjekjet e tyre për uljen e informalitetit në ekonomi dhe promovuan në Prill 2015 Këshillin e Investimeve, i mbështetur nga BERZH, i cili synon përmirësimin e klimës së investimeve në periudhën afatmesme”. BERZH parasheh që rritja ekonomike të arrijë nivelin e 3.3 përqind në 2016 “mbështetur në pritshmëritë për përmirësime të situatës në eurozonë dhe fillimit të ndërtimeve të Trans-Adriatic Pipeline (TAP)”.

Dje dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko vërejti se aktiviteti ekonomik “ka rezultuar në kahun e poshtëm” të pritshmërive, duke deklaruar se rritja pritet të luhatet mes 2.5-2.7 përqind. Sipas tij “në ndryshim nga parashikimet paraardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv do të kërkojë një kohë disi më të gjatë. Gjithashtu, këto projeksione sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur më tej kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredisë”, theksoi ai, ndërsa njoftoi vendimin e Këshillit Mbikqyrës për të ulur sërish normën bazë të interesit, e 14-a radhazi që nga viti 2011, dhe e dyta brenda këtij viti. Norma e interesit ka zbritur në një tjetër minimum historik në kuotën e 1.75 përqind. Guvernatori nxiti qeverinë të vazhdojë me realizimin e reformave strukturore duke theksuar se stimuli monetar “nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i reformave”.

Ekonomia, Sejko: Trajektorja pozitive, por zhvillimi poshtë potencialit

Guvernatori SejkoGuvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në komunikimin e tij me mediat ka deklaruar se, pavarësisht sinjaleve pozitive, ekonomia shqiptare ende nuk ka prekur nivelet e pritura të zhvillimit.

“Ekonomia shqiptare lëviz në trajektore pozitive zhvillimi, por kërkesa agregate, prodhimi dhe punësimi janë poshtë potencialeve. Edhe presionet afatmesme mbi inflacionin mbeten të ulëta”, ka deklaruar Sejko.

Ai ka thënë se, informacioni i ri ekonomik dhe financiar kanë qenë në linjë me pritshmëritë, por rritja ekonomike dhe ecuria e kredisë kanë rezultuar në krahun e poshtëm të tyre.

“Raundi i ri i projeksioneve të parashikimit të çon në përfundimin se skenari i ri i zhvillimit politik dhe monetar nuk ka pësuar ndryshimet e ndjeshme krahasuar me raundin e mëparshëm”, ka pohuar Sejko.

Sipas tij, në horizontin afatmesëm, BSH pret një kthim gradual të inflacionit në objektiv, të mbështetur nga përmirësimi progresiv i rritjes ekonomike.

“Por, në ndryshim nga projektimet parardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se, kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe inflacionit në objektiv do të kërkojnë një kohë më të gjatë”, ka thënë Sejko.

Gjithashtu, ka vijuar guvernatori, “ato sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredive”.

Për këtë arsye, ka vijuar ai, në mbledhjen e së mërkurës Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, nga nga 2% në 1.75 për qind.

/ Top Channel

Becchetti ndalohet në Londër, ekstradimi brenda 15 dhjetorit

Agon channelSipërmarrësi italian, Francesco Becchetti është ndaluar nga policia angleze pak ditë më parë, disa muaj pas shpalljes në kërkim.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për Top Channel se Becchetti, pasi është lokalizuar në Londër, është ndaluar nga forcat e policisë në bazë të urdhrit ndërkombëtar të kërkimit të lëshuar nga Prokuroria dhe Policia shqiptare.

Bëhet e ditur se sipërmarrësi italian, pas ndalimit, është paraqitur përpara një gjykate angleze, ku i është komunikuar urdhrarresti ndërkombëtar i lëshuar në ngarkim të tij.

Në të njëjtën kohë, të njëjtat burime thonë se, gjykata britanike ka vendosur ekstradimin e tij në drejtim të Shqipërisë, ku është i dyshuar për një sërë veprash penale, që lidhen me bizneset e tij.

Të njëjtat burime pohojnë se, në bazë të legjislacionit në Mbretërinë e Bashkuar, Becchetti nuk është arrestuar, por është lënë i lirë pasi i është komunikuar vendimi për ekstradim, me detyrimin që të kthehet në Shqipëri brenda 15 ditëve të para të muajit dhjetor, në të kundërt ai do të kthehet forcërisht nga autoritetet britanike.

Shkresa zyrtare për ndalimin dhe vendimin për ekstradim në ngarkim të Francesco Becchettit ka mbërritur vetëm pak ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës, e cila e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar këtë të fundit që në qershor të këtij viti, për akuzat e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “krijimi i skemave mashtruese me qëllim përfitimi të paligjshëm të parave” dhe për “pastrim parash”.

Ndërkaq, më 27 korrik, organi i akuzës mbylli hetimet në ngarkim të Francesco Becchettit, Mauro de Renzit, Liliana Condimittit, Stavri Peçit dhe Elona Troplinit.

Gjithçka ka nisur pas një hetimi të gjatë të policisë, dosja e së cilës më pas i është kaluar Prokurorisë, që në qershor ka sekuestruar – pas lejes së dhënë nga gjykata, – 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”; shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”; si dhe bllokoi llogaritë bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzi dhe Elona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro.

Grupi hetimor bën të ditur se ka provuar skemën, përmes së cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit. Sipas tyre, në qendër të kësaj skeme evazioni, por njëkohësisht edhe pastrimit të parave, qëndron hidrocentrali i Kalivaçit dhe dy shoqëri të zotëruara nga Becchetti, koncesionarja “KGE” dhe ajo “Energji”.

/ Top Channel

Polemikat midis drejtuesve të shtypit, sipas studiuesve në Tiranë

Pronarë, drejtues dhe gazetarë të disa mediave shqiptare janë përfshirë prej disa ditësh në një seri polemikash ndërpersonale me akuza dhe kundër-akuza për çështje të ndryshme.

Duke marrë shkas nga leja e një ndërtimi në bregdet e Adriatikut shkrimet midis tyre e zgjeruan rrethin, duke përfshirë shumë probleme dhe persona nga politika e ditës.

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Tiranës Mark Marku thotë se mediat shqiptare janë zëdhënëse të interesave të caktuara ekonomike e politike dhe nuk bëjnë transparencën në dobi të qytetarëve.

Studiuesit e medias shqiptare mendojnë se është e papranueshme që analistë të ftuar nëpër studio të paguhen nga partitë për të mbrojtur disa pozita politike.

Ata pohojnë se gjuha e papërshtatshme që këta pronarë mediash dhe kolegë po përdorin ndaj njëri-tjetrit tregon se sa shumë i janë larguar ata misionit për të informuar qytetarët.

Studiues të shtypit theksojnë se është e papranueshme që në betejat mes pronarëve ata të shfrytëzojnë gazetarët për të sulmuar apo mbrojtur shefat e tyre.

Pronarët e pasur të mediave tani bëjnë ndërtime të mëdha dhe kanë lidhje të forta politike, duke braktisur opinionin qytetar dhe detyrat e shtypit të lirë.

Nga ana tjetër, studiuesit pohojnë se është paradoks i madh që përfaqësues të mediave të ndërtojnë pallate dhe të kapërcejnë në qarqe interesash krejt të kundërta me gazetarinë.

Afrim Krasniqi foli për bashkësinë e përçarë të gazetarëve dhe nënshtrimin e tyre prej pronarëve pasanikë, që ia ka blerë dhe i ka marrë pas vetes cdo qeveri.

Të dy studiuesit pohojnë me dëshpërim se pothuaj asnjë media nuk flet më në emër të qytetarëve dhe pothuaj asnjë nuk është më në krahun e qytetarve.

Kjo shpjegon, sipas tyre, rënien e tirazheve të gazetave dhe shikueshmërisë së tyre.

Qeveria censuron informacionin, ndërsa pronarët e mediave bëjnë auto-censurën e gazetarëve të tyre. Partitë politike kanë dyndur edhe nëpër rrjetet sociale militantët e tyre që denigrojnë kundërshtarët politikë.

Ndërsa qytetarët nuk marrin dot informacion as nga qeveria, as nga mediat televizive e të shkruara as nga mediat sociale, dhe asnjëra nga ato nuk pasqyron mendimet, hallet apo ankesat e tyre. (voa)

Danaj: Vuçiç pranon mbrojtjen raketore ruse kundër BE

Koco DanajTashme Vuçiç doli hapur. Hoqi edhe maskën e fundit. Tashmë para kujtdo qëndron “Shesheli” i ri serb. Por më i armatosur se i pari

E para: Sepse Brukseli e përkedheli, e rifuti edhe në Kosovë duke i hapur edhe dyert e BE.

E dyta: Sepse me 5 miliard euro armatime që do marrë nga Rusia, me ndërtimin e sistemit të mbrojtjes raketore ruse, i dha fund gjoja neutralitetit serb. Sot Serbia është bërë kërcënimi më i madh i rajonit dhe i Europës.

E treta: një pjesë e këtij sistemi raketash do të dislokohen në Luginë të Preshevës, pra në teritor shqiptar.

Se çfarë do bëjë Nato dhe BE, nuk dihet akoma. Por nuk dihet se çfarë do bëjnë politikanët shqiptarë?

Do presin se çfarë do ju thonë? Apo do jenë ata që duhet të sugjerojnë në Nato dhe Be.

Ka disa rrugë: E para të mos pranojnë bashkësinë e komunave serbe me statutin e tanishëm

E dyta të kërkojnë federalizimin e Maqedonisë

E treta të kërkojnë autonomi për shqiptarët në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës

E katërta: të krijojnë Trupen Konsultative politike Tiranë-Prishtinë-Shkup-Preshevë-Ulqin

E pesta: Te shpallin bashkimin e trojeve shqiptare

E gjashta: Të kërkojnë vendosjen e mbrojtjes raketore të Natos në rajonin e Kukësit.

Kur kërkon dhe jep fakte, edhe do marrësh. Kur argumenton çfare do, edhe ta japin. Kur ua mbush mendjen se kërkesat e tua janë edhe interes i Natos dhe BE edhe ti plotësojnë kërkesat. Në politikë nuk ka dashuri, ka vetem perputhje intresash.

Tashmë doli qartë “Pëllumbi” Vuçiç tregoi se është vetëm “Akrep”. Kujdes, helmi i akrepit është vdekjeprurës.

(Koço Danaj)

Ambasadori Lu kryebashkiakëve: Fondet për qytetarët

Kryediplomati amerikan bëri thirrje që paratë e pushtetit vendor të mos shpenzohen për zyra e makina luksoze. “Qeveria të dëshmojë se reforma territoriale nuk u bë për të fituar zgjedhjet”

Ambasadori LuNë Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu i bëri thirrje sot kryebashkiakëve të rinj gjatë një konference në Tiranë që fondet e tyre t’i përdorin në shërbim të komunitetit dhe jo për zyra apo makina personale: “Nëse keni ardhur këtu me Mercedes, BMW apo Audi të zi, duhet të mendoni nëse kjo është mënyra që votuesit tuaj duan që ju t’i përdorni paratë e tyre. Nëse zyra juaj është më e këndshme se dyqani i bukës apo zyra e Postës në zonën tuaj, sërish shpresoj që do të mendoni a do të shpenzoheshin me mirë këto para për mbledhjen e plehrave, përmirësimin e shkollave apo ndërtimin e parqeve”.

Ambasadori amerikan tha se ka nxitur qeverinë që t’u japë administratave vendore fondet dhe pushtetin që u nevojiten dhe të vërtetojë kështu se “reforma territoriale u realizua për përmirësimin e shërbimeve dhe jo për të fituar zgjedhjet”.

Sipas ambasadorit amerikan edhe shpërndarja e financimeve përmes Fondit të Zhvillimit Rural “ndeshet me rrezikun e përdorimit të tij për financimin  e kryetarëve të bashkive të PS-së dhe LSI-së dhe mohimin e fondeve për bashkitë e opozitës”.

Shtetet e Bashkuara kanë caktuar një fond prej 12.8 milion dollarësh për të ndihmuar Bashkitë që të ndërmarrin plane të efektshme të zhvillimit urban dhe të bëjnë qeverisjen vendore më transparente. (voa)

Ilir Meta përballë pyetjeve për korrupsionin

voa metaZëri i Amerikës: Çfarë roli i kërkohet Shqipërisë të luajë në luftën kundër terrorizmit?

Ilir Meta: Shqipëria vlerësohet me notat më të larta përsa i takon bashkëpunimit të saj në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha kërcënimeve të reja, me të cilat ndeshet vendi ynë, rajoni ynë, por edhe Nato-ja dhe në këtë drejtim vlerësohet si një nga partneret më të mira dhe më të besueshme. Ky është forumi i dytë që zhvillohet në Uashington nga kongresmeni Pittinger, i cili është edhe kryetar i task-forcës në Kongresin amerikan. Ne shpresojmë që forumin tjetër ta zhvillojmë në Tiranë, ku Shqipëria ka shumë se ç’mund të thotë në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, gjatë këtyre ditëve keni patur rastin të takoheni me një numër kongresmenësh. Ndërkaq, në të kaluarën, kur keni ardhur në Uashington, por zakonisht edhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Shqipëria i shfrytëzojnë këto vizita për të takuar edhe përfaqësues të ekzekutivit si dhe për të matur pulsin e administratës në zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri. A keni plane të takoni ndonjë zyrtar të lartë të administratës?

Ilir Meta: Lidhur me këtë vizitë, dua të bëj të qartë që kjo është e përqendruar në Kongresin e SHBA, në cilësinë time si kryetar i Kuvendit dhe kemi patur takime të niveleve më të larta, duke përfshirë sot edhe me lideren e demokratëve në Kongres, zonjën Nancy Pelosi, madje kemi patur mundësinë edhe të përshëndetemi, përpara se të votohej për kryetarin e ri të Kongresit, me kryetarin e mëparshëm, zotin Boehner. Do të zhvillojmë edhe takime të tjera, por natyrisht që kjo ka qenë një axhendë e përqendruar te Kongresi, duke u takuar me disa prej komisioneve më të rëndësishme, si i jashtmi, i ligjeve dhe mjaft kongresmenë të shquar, të cilët merren me Shqipërinë dhe me Evropën.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, tema e terrorizmit patjetër është një përparësi e politikave të Shqipërisë, por ka një numër problemesh me të cilat ndeshet Shqipëria. Kohët e fundit keni paraqitur edhe propozimet në Komisionin e Venecias për reformat në drejtësi. Reformat që janë paraqitur në këto propozime sjellin gati një përmbysje të sistemit aktual. Ju si i shihni këto propozime?

Ilir Meta: Padyshim që është e domosdoshme të bëhet një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë. Kjo është edhe arsyeja përse ka një angazhim kaq të madh të mazhorancës, por uroj edhe të opozitës në këtë drejtim. Sikurse ju e përmendët me të drejtë tashmë Komisioni i Venecias do të shprehet për ndryshimet kushtetuese që propozohen për t’i hapur rrugë kësaj reforme dhe unë jam i bindur që me këtë vullnet politik ne do të arrijmë të bëjmë një ndryshim rrënjësor që të ndihet në radhë të parë tek qytetarët e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Por vullneti politik ka munguar deri tani sepse Shqipëria mori një notë, duhet të themi, negative për sa i përket avancimit të negociatave për hyrjen në Bashkimin Evropian dhe Thembra e Akilit ka qenë vazhdimisht jo vetëm klima politike, por në radhë të parë drejtësia, mosavancimi i kësaj reforme. Si e gjykoni punën e qeverisë deri tani, ju jeni dy vjet në këtë koalicion, pra si e gjykoni punën e qeverisë në këtë drejtim?

Ilir Meta: Të mos harrojmë që në këto dy vjet Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Së dyti, është e qartë që miratimi i ndryshimeve kushtetuese për sa i takon reformës në fushën e drejtësisë, do t’i japë një shtytje të fuqishme hapjes së negociatave të Shqipërisë. Shpresojmë që edhe progres-raporti do të reflektojë hapat pozitivë që ka bërë vendi.   Ne këto probleme i dimë, këto probleme po i adresojmë. Jemi të bindur se vendi do të shënojë progres edhe në këto fusha kritike si korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar e kështu me radhë.

Zëri i Amerikës: Po sinjalet nuk janë aq të mira, duke qenë se ju keni qenë në Komisionin e Reformës. Duke qenë i brendshëm vetë përse nuk dolët me një variant të njëjtësuar? Fakti që keni dalë me variantin tuaj tregon që akoma ka divergjenca dhe ky proces mund të zgjasë shumë dhe të mbajë peng reformën në drejtësi, që është parakusht për avancimin e negociatave.

Ilir Meta: Së pari duhet të kemi parasysh që varianti ka qenë një variant i ekspertëve, nuk ka qenë një variant i partive apo mazhorancës dhe jam i bindur që propozimet e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë mjaft konstruktive dhe ndihmojnë në avancimin e reformës, ashtu sikurse nuk paragjykojmë edhe propozimet e të gjithë faktorëve të tjerë.

Zëri i Amerikës: Si janë relatat brenda koalicionit qeverisës? Ju keni folur disa herë për ato që i quani impulse në qeveri. A shihni në të ardhmen një riorganizim të krerëve të kabineteve?

Ilir Meta:  Impulset nuk kanë të bëjmë me emrat dhe kjo është e keqja që në Shqipëri gjithçka personalizohet edhe në politikë, por edhe në komunikimin publik, por kanë të bëjmë me domosdoshmërinë për të shtuar energjitë dhe për të arritur rezultate më të prekshme, pasi, kuptohet që sfidat janë shumë të mëdha. Nuk janë sfida thjesht të Shqipërisë, janë sfida të rajonit tonë, janë sfida të Bashkimit Evropian që është një partner shumë i rëndësishëm për ne. Dhe në këtë drejtim absolutisht që rritja e vështirësive kërkon edhe shtimin e energjive dhe të impulseve.

Zëri i Amerikës: Si e gjykoni qeverisjen Rama në lidhje me ekonominë? Ekonomia mbetet një problem shumë i madh për Shqipërinë dhe duket se popullata po ju jep një votë të zëshme negative me ikje masive, me largime, me problemin e ISIS-it, që në shkallë të gjerë komentohet si një nevojë ekonomike që i detyron disa njerëz të shkojnë andej. Ju flisni për përparim, por konkretisht çfarë note do t’i vinit qeverisjes Rama në drejtim të ekonomisë?

Ilir Meta: Së pari, nuk jam mësues që të vë nota. Së dyti, jam edhe pjesë e kësaj qeverisjeje dhe e këtij koalicioni dhe njëkohësisht i gatshëm për të njohur edhe përgjegjësitë e mia por edhe të forcës politike që unë përfaqësoj. Por nuk duhet të harrojmë se kjo qeveri e mori në një situatë mjaft të vështirë. Nuk duhet të mendojmë që kjo qeveri është përgjegjëse për krizën greke, është përgjegjëse për këtë situatë të vështirë ekonomike apo financiare të Eurozonës dhe partnerëve tanë kryesorë. Të mos harrojmë se Italia, që është partneri ynë kryesor dhe drejt së cilës shkojnë shumica e eksporteve tona, nuk ka një situatë të shkëlqyer ekonomike. Pra, ka shumë faktorë të jashtëm, ka shumë presion të jashtëm. Por, absolutisht që shumë më tepër duhet të bëhet në këtë drejtim. Ky ka qenë, është dhe do të jetë shqetësimi im kryesor, sepse edhe reformat e tjera duhet të synojnë pikërisht në rritjen ekonomike të vendit në radhë të parë dhe në një shpërndarje sa më të drejtë të saj, në mënyrë që të përmirësohet jeta dhe standardi i qytetarëve tanë. Kështuqë, pa vendosur asnjë notë, patjetër që mund të them se duhet të bëjmë shumë më tepër për rritjen ekonomike të vendit dhe të kemi kurajo edhe të mësojmë nga ndonjë vend fqinj siç është edhe rasti i Maqedonisë, ku vazhdimisht kam insistuar për të mësuar nga eksperiencat e tyre, të cilët pavarësisht nga problemet e mëdha politike që kanë patur apo që mund të kenë, kanë arritur të tërheqin investime të huaja mjaft serioze dhe të jenë mjaft atraktivë, edhe pse nuk i kanë mundësitë tona. Unë besoj se qeveria do ta ketë në vemendje këtë gjë, në mënyrë që vërtetë ne, në këtë kohë të përgjithshme, që karakterizohet nga vështirësi, nga mungesë fondesh, nga probleme mjaft të mëdha për të gjetur financime, të arrijmë ta rrisim ekonominë tonë në potencialet e saj të zhvillimit. Sepse nuk mund të pretendojmë ta rrisim mbi potencialet e saj të zhvillimit.

Zëri i Amerikës: Kriza në Evropë, filloi në 2008-ën menjëherë pas krizës në Amerikë, megjithatë në korrik ju keni pas mbi 7 mijë vet që kanë ikur – që kanë kërkuar azil në Gjermani, jo thjesht kanë ikur. 7 mijë e ca janë të regjistruar vetëm në Gjermani. Këto vende që ju i quani në krizë që janë partnerët tuaj për eksportet e Shqipërisë , këto vende po presin shqiptarët që kërkojnë një jetë më të mirë dhe ikin thjesht për nevojë ekonomike. Sot asnjëri nuk ikën më për mungesë dritash, e për fjalë të lirë e për dëshirën për të shkuar në Evropë. Këto janë të gjitha në Shqipëri. Ju keni një problem ekonomik që është ngritur dhe po ngrihet me shqetësim nga gjermanët që janë detyruar të thonë që do i kthejmë këto njerëz. Meqë përmendët vetë nevojën që vendi të ketë një zhvillim sa më të barabartë, të sjell një ndarje sa më të barabartë të përparimit që do të realizohet, desha t’u bëj një pyetje disi personale: klasa politike në Shqipëri, që shpalos një mënyrë jetese dhe një luks të jashtëzakonshëm. A ndjeheni ndonjëherë nën presionin e publikut, këtij publiku që ikën përditë, që ka një minimale të jetesës tek 5 dollarëshi në ditë, a ka ndonjëherë diçka që ju prek, ju kap në gjithë këtë shpalosje luksi dhe ekstravagance do të thosha.

Ilir Meta: Nuk e di për çfarë luksi ju e keni fjalën…

Zëri i Amerikës: Për mënyrën tuaj të jetesës, për shtëpinë e pushimit, për makinën, për pushimet ku i bëni, për …

Ilir Meta: Unë kam makinë të shtetit zonjë, por ju nuk jeni informuar mirë, kështu që nuk jam këtu për t’u marr…

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, unë besoj se shikuesit tanë e gjykojnë atë që shohin me sytë e tyre përditë. Shqipëria është e vogël. Edhe besoj që kam detyrimin profesional t’ju ngre një shqetësim që e marrim përditë. Pyetja e vetme që marrim, ekskluzive për çdo politikan këtu është: Klasa politike e Shqipërisë duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar. Them nga ana personale a e ndjeni ndonjëherë presionin, a ju vjen ndonjëherë siklet nga gjithë ajo që thuhet. A ndjeni dëshirën për të thënë: mjaft më! Dua të sqarohem, dua të lahem….

Ilir Meta: Po përderisa ju nga ana personale merrni përsipër të flisni në emër të gjithë popullit shqiptar…

Zëri i Amerikës: Jo, nga ana e shikuesve që na shkruajnë përditë…

Ilir Meta: Po pra dakord, nga ana profesionale, unë nuk mund të merrem me gjëra të tilla personale dhe ta ul nivelin e bisedës në këtë nivel. Unë jam politikan i cili jeton në Shqipëri, i cili vlerësohet dhe gjykohet nga shqiptarët, mund të vlerësohem edhe nga ata që ju kanë dërguar ju mesazhe të tilla por vlerësohem edhe nga ata që votojnë për këtë forcë politike. Ndërsa përsa i takon makinës nuk kam asnjë makinë personale…’

Zëri i Amerikës: Megjithatë, emri juaj është lakuar disa herë lidhur me afera korruptive; ju keni thënë vetë, nuk përmendet emri im në veçanti, megjithatë, kur mblidhen një e një që bëjnë dy, një kryeministër që më parë është akuzuar për korrupsion, kush tjetër mund të jetë në çështjen ÇEZ dhe DIA, në lidhje me marrëdhëndiet mes tyre. Kjo ishte një nga aferat e fundit që u përmend.

Ilir Meta: Si ishte kjo akuzë? Se i paskeni shumë keq informacionet.

Zëri i Amerikës: Qe një kompani që kishte lidhje me ju, përfitonte nga kontrata që mori DIA nga ÇEZ-i…

Iliri Meta: Po, dhe nga provohet kjo?

Zëri i Amerikës: Kjo ka dalë nga një dokument i BIRN-it që është marrë nga firma… Unë besoj se të gjithë shqiptarët e kanë lexuar atë informacion.

Iliri Meta:  Kjo është e keqja juaj, që unë kam marrë 260 mijë vota dhe nuk do të flas do në emër të gjithë shqiptarëve, jam i kujdesshëm të flas në emër të atyre që kanë votuar për mua, kurse ju flisni në emër të të gjithë shqiptarëve për një mashtrim publik…

Zëri i Amerikës: Jo, për një njoftim në media, që një firmë që përfaqëson qeverinë shqiptare ka përmendur një ish-kryeministër…

Iliri Meta:  Unë do t’ju jap juve dokumentin e firmës, e cila ka bërë publik.

Zëri i Amerikës: Do të kishim shumë kënaqësi ta kishim patur

Ilir Meta: Por ju duhet ta kishit të qartë kur bëtë këto pyetje, që ajo nuk ka pas shkrime të manipuluar, ka bërë të qartë që nuk përmendet emri i zotit Meta në asnjë rast për këtë çështje dhe ish-kryeministrit që ka përfituar në këtë çështje i ka dalë emri, ka dalë dokumenti; mund ta jap edhe unë, edhe pse s’e kam zakon të përmend emra, ju e paskeni këtë kurajo të përmendini emra. Është e drejta juaj, me sa duket duhet ta filloni gazetarinë nga e para.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, një fakt që mbetet thembra e Akilit, korrupsioni. Ngrihet problemi me drejtësinë, me mosgjykimin e akuzave që bëhen.

Ilir Meta: Shqipëria e paska zgjidhur problemin e korrupsionit, se mund t’ju marr ju t’ju vë prokurore të përgjithshme dhe ju e zgjidhni në emër të popullit.

Zëri i Amerikës: Pyetje të këqia nuk ka, ju mund t’i sqaroni, unë mund të jem e painformuar.

Ilir Meta: Nëse flasim nga ana profesionale për lajme, të cilat publikisht janë konfirmuar, që janë të pavërteta, nëse ju flisni në emër të kësaj kompanisë që ka mbrojtur gjoja qeverinë shqiptare, kur ajo ka bërë një sqarim publik dhe zyrtar dhe ju nuk paskeni, atëhere mua më vjen shumë keq.

Zëri i Amerikës: Ajo thjesht thotë që nuk e kemi përmendur me emër zotin Meta. Asnjëherë nuk thotë që nuk bëhet fjalë.

Ilir Meta: Nuk e ka përmendur asnjëherë zotin Meta për asnjë tranfertë, apo praktika korruptive lidhur me këtë çështje. Kjo është kështu të lutem dhe ish-kryeministri e ka emrin, ka patur një aktivitet të tijin privat, gjërat janë bërë publike, ju nuk i dini këto gjëra, atëhere më vjen keq për profesionalizmin tuaj.

Zëri i Amerikës: Atëhere pse lakohet emri juaj, pse tërhiqni një vëmendje të tillë negative, a ka një arsye personale, apo inat personal që kanë gazetarët me ju?

Ilir Meta: Më vjen për të qeshur se jetoni në Amerikë. Sa herë që del emri i Klintonëve këtu për këto probleme…

Zëri i Amerikës: Jo për korrupsion të tillë.

Ilir Meta: Kur zoti Meta nuk do të jetë  në politikë, patjetër që nuk do të dëgjoni për zotin Meta. Por kjo është një gjë që e vendosin qytetarët shqiptarë, nuk vendoset nga askush tjetër.

Zëri i Amerikës:  Qytetarët shqiptarë po ikin përditë. Me aktet e tyre po tregojnë që kanë humbur besimin, në Transperancy International në anketa del gjithmonë mungesa e besimit tek qeveritarët. Ju nuk e ndjeni këtë si politikan veteran që jeni?

Ilir Meta: Unë natyrisht që ndiej atë përgjegjësi që kam, por mendoj që është gjëja më e lehtë që të flasim në mënyrë populiste, por duhet të tregohemi më realistë, sepse kemi edhe nga vendet anëtare të BE-së që ikin në vende më të zhvilluara, si në rastin e Gjermanisë, por kjo nuk do të thotë që këto vende kanë probleme që meritojnë një karkterizim të tillë edhe të përfaqësimit të tyre politik. Ne nuk duhet t’i gënjejmë njerëzit dhe t’u krijojmë iluzione e gjërat do të ndryshojnë në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, duke ndryshuar disa politkanë që janë përgjegjës.

Zëri i Amerikës: Po ju erdhët në pushtet dy vjet përpara me premtimin që gjërat do ndryshojnë. Ju jeni kryetar i Parlamentit, ju ndani fondet për përparësitë e qeverisjes në Shqipëri, pra një përgjegjësi institucionale e keni…

Ilir Meta: Çdo gjë ndahet në mënyrë transparente. Dhe një nga arsyet që jemi këtu është për të forcuar bashkëpunimet me Institutin Demokratik Amerikan lidhur me programet e transparencës në Parlament…

Zëri i Amerikës: Shpresoj të dëgjoj në të ardhmen prej jush. Ju uroj suksese gjatë qëndrimit në Washington.

Ilir Meta: Faleminderit shumë.

Bugajski: Ka ardhur koha të shohim gjyqe dhe arrestim të zyrtarëve të korruptuar

BugajsiAnalisti Janusz Bugajsi, studiues në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, thotë se Shqipëria ka shënuar përparim, përfshirë sigurimin e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian, por në një intervistë për Zërin e Amerikës ai shton se në vend vazhdojnë të ekzistojnë probleme që janë të pranishme si edhe në vende të tjera të rajonit.

Ai përmend si probleme të tilla korrupsionin, polarizimin, institucionet që nuk gëzojnë besim, mungesën e reformave në sistemin gjyqësor, dhe lidhjet me kriminalitetin.

“Të them të drejtën unë do të doja të shihja përsa i takon korrupsionit jo vetëm një hetim në nivelet e larta, por një arrestim, një gjyq të ndonjë zyrtari që ka vjedhur nga shteti nga republika. Për fat të keq këta personazhe shumë dredharakë edhe kur janë hetuar, arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë për veprimet e tyre”, thotë ai.

Ai shton se ka ardhur koha që njerëzit në rajon të marrin hapa të tillë që të shërbejnë si shembull që sado i lartë të jesh si zyrtar, nuk ke imunitet, por thotë se duhet që politikanët dhe vendim-marrësit të kenë vullnet të mirë, vendosmëri dhe besim në vetvete.

Analisti Bugajski thotë se vetëm mund t’i marrë me mend arsyet se pse një gjë e tillë nuk bëhet, që mund të jenë lidhje të veçanta, fakti që dikush mund të përfitojë, që dikujt mund t’i kërkohet që të mos i marrë ato masa.

“Por mendoj se ajo që është e nevojshme është një gjyq i hapur, një proces i hapur, ku një ish-ministër i qeverisë që është e qartë që ka qenë i përfshirë në korrupsion, ka vjedhur nga publiku, të marrë vendimin e drejtësisë”. 

Zoti Bugajski përmend raste kur masa të tilla janë marrë si për shembull arrestimin e kryeministrit të Kroacisë për skandale korrupsioni, shkarkimin e Presidentit të Lituanisë për lidhje me biznese jo të pastra dhe proceset gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë në Rumani.

Ai thotë se populli shqiptar meriton më shumë dhe se kur shqiptarët shkojnë jashtë vendit ata janë të suksesshëm por për një arsye apo për një tjetër, institucionalisht dhe politikisht, në Shqipëri janë të ndrydhur. (voa)