Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Ish Ministri i Arsimit nën akuzë

Prokuroria e Përgjithshme mbyll hetimet dhe con në Gjykatën e lartë zotin Myqerem Tafaj për “Shpërdorim detyre”. Ish ministri: Vendimi nën trysninë e qeverisë

Myqerem TafajNë Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka përfunduar hetimet ndaj ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, aktualisht deputet i partisë demokratike dhe ka dërguar kërkesën për gjykim në Gjykatën e Lartë. Ndaj zotit Tafaj, rëndon akuza për “Shpërdorim të detyrës”.

Sipas Prokurorisë, ish ministri “ka vendosur hapjen e programeve mësimore të një shkolle të lartë private, aktualisht e mbyllur, në kundërshtim me atë që ka vendosur Këshilli i Akreditimit. Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtëpërdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim negativ), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyre të kundraligjshme”.

Sipas Prokurorisë “veprimet e kryera nga ana e të pandehurit Myqerem Tafaj kanë sjellë për rrjedhojë hapjen e programeve mësimore, të cilat nuk janë në përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore, për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Zoti Tafaj reagoi përmes një deklarate, ku theksonte se”vendimi i marrë nga Prokuroria Përgjithshme është i padrejtë dhe, si i tillë, duket se është marrë nën presionin e Qeverisë”. Duke hedhur poshtë akuzat, ai nënvizon se “mbështes fuqimisht zbatimin e ligjit dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë, por sigurisht nuk mund të pranoj fushata apo vendime për ‘prerje kokash’ për hir të luftës politike të qeverisë ndaj opozitës, apo thjesht për hir të statistikave”, përfundon reagimi i ish ministrit të Arsimit. (voa)

Konkurrueshmëria 2015-2016, Shqipëria ngjitet 4 vende

rankimiForumi Ekonomik Botëror ka publikuar raportin e fundit të Konkurrueshmërisë Globale (2015-2016), sipas të cilit, në sitën e 140 ekonomive botërore, Shqipëria renditet e 93-ta, më katër vende përmirësim krahasuar me raportin e mëparshëm.

Studimi i FEB është një ndër vlerësimet më të plota dhe komplekse të ekonomive kombëtare.

Sipas këtij raporti, Zvicra vijon të ruajë vendin e parë, e ndjekur nga Singapori dhe SHBA, ndërsa në vend të fundit është Guineja.

Shqipëria, renditet në vendin e 93, nga i 97-i që ishte në raportin e një viti më parë, duke lënë pas vetëm Serbinë që është në vendin e 94. Më mirë në rajon paraqitet Maqedonia në vendin e 60, me përparime të dukshme me 10 vende më lart dhe më pas, Mali i Zi në vendin e 70, ndonëse me një rënie prej 3 vendesh krahasuar me raportin e mëparshëm. Bosnja dhe Hercegovina renditet e 111-ta, nivel më i ulët në rajon.

Sipas raportit, nënindeksi i shqyrtuar ku Shqipëria paraqitet me renditjen më negative është ai inovacionit dhe mjedisi makroekonomik, ku jemi në vendin e 118.

indeks

Analiza sipas shtyllave kryesore:

-infrastruktura : 88

-institucionet : 84

-shëndeti dhe edukimi: 52

-eficenca e tregjeve të të mirave: 97

-eficenca e tregut të punës: 97

-zhvillimi i tregjeve financiare: 118

Monitor/Shekulli Online/

Rama për CEZ-in nga Amerika: Nuk mbështes hetimin ndërkombëtar

ramaKreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, shprehet për herë të parë lidhur me çështjen e CEZ-it nga Amerika, ku ndodhet prej katër ditësh për samitin kundër terrorizmit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Rama deklaroi se nuk mbështet idenë e hetimit ndërkombëtar për këtë çështje, në kohën që vendi jonë pret të hapen negociatat me BE-në.

“Shqipëria është një vend kandidat për në BE, po tregohet për të hapur negociatat, ka një legjislacion të vetin që ka hapësirë për të bërë hetim për këdo. Nuk ka asnjë pengesë për asnjë lloj hetim për marrëveshjen për të zgjidhur me marrëveshje problemin e trashëguar. Shqipëria nuk ka asnjë shpikje “alla shqiptarçe” për të bërë, në një kohë kur kërkon të bëhet pjesë e BE-së”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh më tej se, marrëveshja me CEZ-in ishte e domosdoshme, por nga ana tjetër thekoi se, “gjithkush ka të drejtë të kërkojë transparencë të plotë për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me CEZ”. Kryeministri theksoi se marrëveshja me CEZ është një çështje e mbyllur me sukses, duke deklaruar se “çoroditja” ka ardhur nga opozita dhe nga media.

“Marrëveshja e qeverisë shqiptare ka qenë domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat nga ku ishte kapur nga keq administrimi dhe nga ndërhyrjet e qeverisë së mëparshme në çështje e kompanisë. Për të gjithë të tjerët i ftojnë të gjithë t’i referohen legjislacionit shqiptar dhe t’u drejtohen institucioneve përkatëse. Për mua, për qeverinë shqiptare, kjo është një çështje e mbyllur dhe e mbyllur me sukses të plotë, gjithë të tjera janë pjesë e një çoroditjeje të madhe nga opozita dhe media. Sepse medias i takon të bëjë hetimet e veta, leximet dhe konkluzionet e veta për interesin e publikut. Dhe nuk i takon të bëjë këtë ping-pong të shëmtuar nga ku publiku del më i çoroditur”, deklaroi Rama.

I pyetur lidhur me marrëdhëniet me kryeparlamentarin Meta, Rama deklaroi: “Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni funksionon plotësisht. Qeveria është në detyrë dhe unë jam në detyrë”.

Intervista e Ramës për VOA-n

Nuk kemi dëgjuar shumë nga ju dhe çfarë bëri qeveria juaj?

Më vjen keq ta ulim me kaq shpejtësi nivelin e bisedës pasi në Nju Jork kemi pasur së bashku me Selinë e Shenjtë një jehonë dhe një mbështetje shumë të madhe. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria sot ka një pozicion të konsoliduar dhe shumë të respektuar. Nuk është thjesht çështje imazhi por e politikës së jashtme që do të na kthehet në përfitim ekonomik pasi do të rritet besueshmëria e vendit dhe flukset e investimeve të huaja.

Ju e thatë vetë është një përfolje shumë e madhe dhe s’më mbetet tjetër veçse të përmend atë shprehjen këtu s’dinë se ç’bëjnë. Nuk ka një çështje të CEZ. Është e trajtuar në bazë të traktateve ndërkombëtare dhe ka qenë një domosdoshmëri për të ç’lijuar kompaninë me një miliardë borxhe të akumuluara edhe për shkak të qeverisjes së mëparshme. Për të gjitha të tjerat ftoj ata që kanë akuza, t’i drejtohen institucioneve shqiptare dhe të gjejnë atë që duan të gjejnë, apo që pretendojnë. Për mua dhe për qeverinë shqiptare kjo është një çështje e mbyllur.

Medias i takon të bëj leximet dhe hetimet e veta për interesin e publikut dhe jo vetëm këtë ping­pong të shëmtuar.

Çfarë mund të thoni ju për studion ligjore e cila ka lidhje me qeverinë tuaj?

Edhe një herë po ju them që edhe ju ushqeni këtë lloj mjegulle pa kuptim sepse studio ligjore e tërhequr në këtë debat absurd nga media të caktuara ka dhënë një prononcim të qartë dhe s’ka asnjë referencë për kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë.

Përse nuk ia dorëzuat prokurorisë informacionin?

Cilin informacion? Kjo është një pjesë e punës së bërë nga studio ligjore për zgjidhjen e çështjes së CEZ dhe s’ka lidhje me qeverinë shqiptare.

Studio ligjore thotë se ka ndjekur gjurmën e parave?

Unë nuk këmbëngul në asgjë që lidhet me këtë çështje. Prokuroria ka një hetim dhe është prokuroria që do të flasë. Qeveria dhe unë s’kemi asnjë lidhje me këtë diskutim absurd që është kthyer në një spekulim kolosal në dëm të informacionit të drejtpërdrejtë të publikut. Çfarë disponon prokuroria i takon asaj ta çojë deri në fund.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me zotin Meta?

Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni funksionon plotësisht. Qeveria është në detyre dhe unë jam në detyre dhe me keqardhje po them që erdha në studion tuaj për të përfituar dhe për t’i përcjellë opinionit publik….

Pyetjet tona janë legjitime…

Unë besoj se shqiptarët kanë dhe meritojnë më shumë për arsyen pse unë jam këtu dhe çfarë do të bëjmë më tepër në këtë sesion të Kombeve të Bashkuara. Po konsumojnë kohën e njëri-tjetrit për një problem që është i stisur.

/Shekulli Online/

Samiti kundër ekstremizmit të dhunshëm

obama ramaPresidenti Obama tha sot në takimin e lartë kundër ekstremizmit të dhunshëm që po zhvillohet në Nju Jork se fitorja nga grupit ISIS nuk mund të jetë vetëm ushtarake.

Përpjekjet ushtarake duhet të shoqërohen me përparim ekonomik dhe politik, për të eliminuar radikalizimin dhe ekstremizmin. Kjo, theksoi presidenti Obama, nënkupton të fitohet ndaj ideologjisë së grupit Shtetit Islamik.

Në takimin e Nju Jorkut marrin pjesë përfaqësues të mbi 100 vendeve.

Grupi ISIS, tha presidenti po shfrytëzon kaosin dhe boshllëqet e krijuara në vende me qeveri të dështuara ose ato të përfshira në konflikte.  Dy vendet që ISIS kontrollon territore janë Iraku dhe Siria. Hyrja e Turqisë në luftë, tha presidenti, e ka izoluar grupin ISIS duke mos lejuar ardhjen e luftëtarëve të huaj nga kufiri turk.

Në Siri, tha Presidenti fitorja ndaj grupit ISIS kërkon zëvendësimin e presidentit Bashar al-Sadat.  Presidenti tha se ai ështi i gatshëm të punojë me Rusinë dhe Iranin për të gjetur një formulë zgjidhjeje për Sirinë. Të dyja këto vende janë aleate të presidentit Asad dhe nuk janë dakort që ai të largohet.

Lufta kundër grupit ISIS tha presidenti është një sfidë të madhe, pasi nuk është thjesht një fushatë ushtarake. Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriuoire, tha ai,  po ndodhin ndryshime radikale dhe probleme të grumbulluara prej dhjetra vitesh që po manifestojnë veten në formën e grupit ISIS.

Në takim e mori fjalën edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara në çdo betejë luftarake kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por zoti Rama tha se kjo betejë kërkon më tepër se thjesht luftë me armë.

“Për të mundur ideologjinë, duhet të fitojmë betejën për mendjet dhe zemrat e brezit të ardhshëm, sepse vetëm fuqia e ëndrrave të tyre realizon ndryshimin e realitetit”.

“Ne në Shqipëri, do të prezantojmë në ditët e ardhshme reforma për të garantuar që çdo fëmijë edukohet me një qëndrim mendje-hapur ndaj besimeve, kulturave dhe të kaluarave të ndryshme”.

“Ne kemi nevojë për koalicionin e ushtrive, por kemi nevojë edhe për koalicionin e ndjenjave; ne kemi nevojë për komunitete që nuk ofendohen nga besimi i të tjerëve”.

Kryeministri Rama bëri thirrje për miratimin nga Kombet e Bashkuara të një karte mbi vlerat e përbashkëta, të shoqëruar me masat e nevojshme që dëshmon angazhimin më të sinqertë për ta bërë botën një vend ku respektohen bindjet e tjetrit, një botë më të barabartë dhe të qëndrueshme. (voa)

BB: Luftë kundër informalitetit

bbNë Shqipëri, Banka Botërore tha sot se reforma si ajo kundër informalitetit duhet të jenë të qëndrueshme dhe të shtrihen në të gjithë segmentet e ekonomisë.

Banka prezantoi raportin ekonomik rajonal, sipas të cilit, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet nën potencial, ndërsa kreditë e këqija, cmimet e ulëta të naftës dhe kërkesa e jashtme e kufizuar do të të jenë ndër rreziqet kryesore të frenimit të rritjes. (voa)

 

Demokratët kërkojnë hetim ndërkombëtar për CEZ

parlamenti alPartia Demokratike e opozitës paraqiti sot në parlament projektligjin për hapjen e hetimeve ndërkombëtare mbi abuzimet e kompanisë CEZ në kohën kur drejtonte shpërndarjen e energjisë elektrike në Shqipëri.

Projekt-ligji për hetimin ndërkombëtar ndaj veprimeve financiare të CEZ opozita kërkon të miratohet qysh në seancën e radhës në parlament. Pr.ligji kërkon që kjo çështje të hetohet jo vetëm nga autoritetet shqiptare, por edhe nga ato ndërkombëtare.

Në propozimin e Partisë Demokratike thuhet se çështja është komplekse, sepse janë përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit në të, prandaj nevojitet një hetim i pavarur nga ekspertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose Bashkimit Europian.

Projektligji për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi çështjen CEZ do të shoqërohet edhe me një padi që PD pritet t’i drejtojë Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes mes qeverisë dhe CEZ-it për të shmangur arbitrazhin si një akt dëmton interesat financiare të shtetit shqiptar dhe ngarkon me borxhe qytetarët.

Kërkesën për hetim ndërkombëtar e propozoi edhe i akuzuari i opozitës, kryetari i parlamentit, Ilir Meta, dhe partia e tij, LSI.

Si PD ashtu edhe LSI po deklarojnë njëlloj se njjë hetim i paanshëm dhe i plotë ndërkombëta duhet bërë për zbardhjen e çështjes së CEZ-it. Sipas PD hetuesit shqiptarë mund të vihen nën presion nga drejtuesit kryesor politikë dhe shtetërorë që po akuzohen.

Por ndërkohë burime të besueshme nga prokuroria pohuan se hetimet për abuzimet në CEZ kanë nisur dhe përparuar mjaftueshëm, se dy drejtues të DIA dhe CEZ, apo edhe nëpunës të tjerë pas tyre janë vendosur nën akuzë për pastrim parash dhe mashtrime në shuma të mëdha, që kanë dëmtuar financat e kompanisë me miliona euro.

Hetimi shqiptar, sipas ligjit dhe kushtetutës, pohojnë ekspertët nuk ka se si të bashkohet me një hetim ndërkombëtar, i cili në cdo rast mund të jetë vetëm ndihmës i të parit, pra i hetuesit vendas. (voa)

Fakte të reja për aferën CEZ-DIA

Ish drejtori i DIA-s, dëshmitar nën mbrojtjen e policisë pretendon se ka marrë kërcënime nga një jurist i OSHE-së. Ish ministri Dritan Prifti: Meta mbështeti Ismalilajn. PD: Do kërkojmë anullimin në Kushtetuese të marrëveshjes së Qeverisë me CEZ-in dhe hetim ndërkombëtar

CEZNë Shqipëri fakte të reja kanë dalë në dritë lidhur me aferën mes kompanisë Cez e cila drejtonte sistemin e Shpërndarjes së Energjisë dhe shoqërisë Debt International Advisory, (DIA)e cila drejtohej nga Kastriot Ismailaj, personi cili aktualisht është në burg në akuzën e pastrimit të parave. Ish drejtori  DIA-s, një person i cili është marrë në mbrojtje nga policia, dhe që konsiderohet si dëshmitar kyc në procesin e Arbitrazhit të Vjenës mes DIA-s dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë, tanimë me emrin OSHE, në pronësi të shtetit shqiptar ka deklaruar se është kërcënuar nga një jurist i kompanisë. Akuzë kjo e hedhur poshtë prej këtij të fundit. Ndërkohë, ish ministri i EKonomisë Dritan Prifti u shpreh mbrëmë se ka qenë zoti Ilir Meta ai që ka këmbëngulur që DIA, e Ismailajt të merrte përsipër mbledhjen e borxheve të CEZ-it.  Po dje në mbrëmje Partia demokratike njoftoi se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e marrëveshjes mes Qeverisë shqiptare dhe Cez, që coi në zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës, si dhe paraqitjen e një ligji që do të mundësonte që e gjithë kjo cështje të hetohet nga prokurorë të huaj.

Rasti i kërcënimit të pretenduar ndaj ish drejtorit të DIA-s, u bë publik nga gazetari i televizionit “News 24” Artan Hoxha, i cili publikoi dhe videon e takimit mes atij që tani është dëshmitar në cështjen e DIA-s dhe një juristi të OSHE-së Rezart Ruci. Dëshmitari, rrëfeu para kameras së “News 24” se juristi Ruci i kishte thënë se ata kishin bindjen se informacionet që kanë dalë në dritë për këtë rast kishte qenë ai që i kishte shpërndarë në media. Sipas tij, juristi ishte interesuar nëse kishte gjëra të tjera që do të mund të dilnin, dhe se duhet të tregonte “përndryshe nuk do t’i kisha punët mirë”, rrëfen dëshmitari.

Nga ana e tij Ruci ka pranuar se ka patur takim, qëllimi i të cilit ishte shqetësimi për rrjedhjen e informacionit, pasi një gjë e tillë mund të dëmtonte vendimin e pritshëm në Arbitrazhin e Vjenës. Edhe një epror i tij, ka pohuar të njejtën gjë dje në “News 24”, duke mohuar të jetë ushtruar trysni. Madje sipas këtij të fundit, të gjithën këtë dëshmitari po e bënte qëllimisht pasi, një kompani e dëshmitarit e administruar nga bashkëshortja ishte në gjykatë nën akuzën e mashtrimit me Tatimin mbi Vlerën e shtuar, dhe se ai kishte kërkuar të ndikohej për mbylljen e këtij procesi.

Pamjet e takimit mes dëshmitarit dhe juristit të OSHE-së tregojnë për një bisedë të shkurtër mes tyre, ndërkohë që juristi Ruci, shihet disa herë teksa largon telefonat celularë nga tryeza ku janë ulur, ndërsa ish drejtori i DIA-s, e rimerr telefonin e tij.  Sipas këtij të fundit, Ruci druhej se mos biseda mund të rregjistrohej.

Cështja e DIA-s doli në dritë pas një artikulli të BIRN, rrjeti i gazetarisë investigative në Ballkan, e cila publikoi një raport të studios ligjore Clifford Chance. Raporti bënte fjalë për dyshime se një ish-kryeministër shqiptar i gjykuar dhe më parë për korrupsion, si dhe një ish zyrtar I Entit Rregullator të Energjisë, kishin favorizuar DIA-n në këmbim të ryshfeteve. Sipas BIRN-it, që mbështetej dhe në dëshmitë e ish drejtorit cek të CEZ, përshkrimi përkonte me zotin Meta, i cili në kohën e tratativave mes CEZ-it dhe DIA-s ishte ministër i Jashtëm në Qeverinë Berisha, dhe më pas u bë ministër i Ekonomisë në vend të zotit Dritan Prifti. Ky i fundit duke folur mbrëmë në emisionin Opinion të Blendi Fevziut tha se zoti Meta kishte këmbëngulur që ai, si ministër t’i bënte kërkesë me shkrim CEZ-it që të pranonte DIA-n për mbledhjen e borxheve. Sipas zotit Prifti, të paktën 500 mijë euro që DIA mori fillimisht nga CEZ-i kaluan, një pjesë e madhe prej 350 mijë eurosh për një kompani të afërt me zotin Meta sipas tij, ndërsa 150 mijë të tjera në një kompani të vëllait të zotit Petrit Ahmeti, kreu aktual i ERE-s, në atë kohë këshilltar pranë këtij Enti dhe autor i një studimi që DIA ja kishte paraqitur CEZ-it.

Nga ana e saj Partia demokratike tha mbrëmë se sipas saj, e gjithë marrëveshja që qeveria e kryeministrit Edi Rama arriti me CEZ-in për një zgjidhje me mirëkuptim të konfliktit, i cili kishte përfunduar gjithashtu në Arbitrazh ndërkombëtar “është një aferë e madhe korrupsioni”, u shpreh deputeti Eduard Halimi, ndërsa njoftoi se javën e ardhshme do të kërkohet nga Gjykata Kushtetuese, rrëzimi I kësaj marrëveshjeje. Një pikë e dyshimtë e saj është dhe fakti se qeveria shqiptare heq dorë nga ndjekja penale e zyrtarëve cek të CEZ-it.

Për Partinë Demokratike, në një cështje ku sipas saj është përfshirë kryeministri i vendit dhe kryetari i parlamentit, nuk mund të ketë një “hetim të plotë e të pandikuar të prokurorisë vendase. Me pushtetin e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, ata do të ndikonin hetimin dhe do ta mbyllnin atë sipas interesit të tyre”,u shpreh zoti Halimi, duke njoftuar një tjetër nismë të opozitës. “Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive. Vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtar me kompetenca të plota për të hetuar, kontrolluar dhe analizuar të gjithë aferën, të pandikuar nga dy personat e përfshirë në këtë aferë, si përgjegjësit kryesorë, pra Edi Rama dhe Ilir Meta, do të sillte drejtësi për këtë skandal me përmasa qindra milionë euro”, deklaroi zoti Halimi.

Nga ana e tij, zoti Meta më pare, gjatë ditës së djeshme, ishte shprehur në favor të përfshirjes së prokurorëve ndërkombëtarë për këtë cështje, “madje, do ta konkretizoja akoma më tej këtë ide duke i ftuar të gjithë kryetarët e partive parlamentare t’i kërkojmë në mënyrë të veçantë SHBA-ve të jenë të angazhuara në zbardhjen e kësaj çështje dhe të krijojmë një juridiksion të veçantë me prokuror amerikan, për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të saj, e cila pretendohet se i ka kushtuar disa qindra milionë euro qytetarëve shqiptarë dhe ku janë përmendur, janë akuzuar mjaft figura politike dhe qeveritare”, u shpreh zoti Meta. (voa)

Finalizohet akordi Gjermani-Shqipëri për sigurimet shoqërore

Tirana dhe Berlini kanë finalizuar akordin zyrtar për njohjen e kontributeve të emigrantëve shqiptarë me dokumente të rregullta.

Ministria sociale alQë nga vera e vitit 2014 Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në Tiranë ka pasur kontakte intensive me institucion homolog në Gjermani për përgatitjen dhe miratimin e një marrëveshje bashkëpunimi për kontributet e pensioneve për emigrantët shqiptarë me dokumente të rregullta. Të mërkurën (23.09), në kuadër të qëndrimit në Tiranë të Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen Shoqërore, Jörg Asmussen ka zyrtarizuar këtë akord me ministrin shqiptar të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Kontributet për pensione njihen në të dy vendet

Sipas burimeve nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në Tiranë, përfitues të drejtpërdrejtë janë aktualisht rreth 15 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe kanë bërë derdhjen e sigurimeve sociale për efekt pensioni. “Përmes kësaj marrëveshjeje ne u japim atyre të drejtën që këto pensione të njihen në të dyja vendet dhe përllogaritja e kontributeve dhe e viteve të punës të mos humbasin”, tha pas aktit të nënshkrimit ministri Klosi.

Ndërkohë që zyrtari i lartë gjerman, Jörg Asmussen, duke e shpjeguar marrëveshjen në terma konkrete, sqaroi se nëse një punëmarrës shqiptar apo punëmarrës gjerman punon për një periudhë 5 vjeçare, 2 prej tyre në Gjermani dhe 3 prej tyre në Shqipëri, periudhat e sigurimeve shoqërore do të kenë mundësi të llogariten në pretendimet e tij për pension”.

Rëndësia e këtij akordi mes dy shteteve qëndron dhe në faktin se Gjermania është e treta për numrin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë, pas Greqisë dhe Italisë. Autoritetet në Shqipëri janë në negociata për të arritur marrëveshje të tilla për njohjen e kontributeve të pensioneve dhe me 13 vende të tjera me përqëndrim të konsiderueshëm të emigracionit nga Shqipëria, në përputhje me aktet e njohura ndërkombëtare në këtë fushë.

Punësimi në Gjermani vetëm në rrugë ligjore

Vizita e Sekretarit të Shtetit Asmussen është në kontekstin e diskutimit mbi azilin në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së. Ndaj dhe në bisedimet që ka pasur në Tiranë kjo temë është nënvizuar. Sipas Jörg Asmussen shanset për përfitim azili janë krejt të papërfillshme, në rreth 0.2 përqind të të gjithë aplikimeve. “Për të gjithë këtë kategori njerëzish ka rrugë ligjore për të ndjekur për të siguruar mundësinë e qëndrimit të tyre në Gjermani, sikurse mund të jetë mundësia e përfitimit të kartës blu të BE-së, apo mundësia e gjetjes së një vendi pune në listën e 140 profesioneve të munguara, apo në të cilat në Gjermani ka mungesa të theksuara. Pra, pikërisht edhe ky grup tjetër njerëzish të cilët shfrytëzojnë mundësitë ligjore për të siguruar të drejtën e tyre të qëndrimit në Gjermani janë përzemërsisht të mirëseardhur atje.”

Pjesë e diskutimeve Asmussen – Klosi ka qenë dhe mbështetja që jep Gjermania për arsimin profesional, shkëmbimi i eksperiencës dhe ndihmës teknike gjermane në këtë aspekt, punësimit dhe shërbimeve sociale etj. (dw)

Edi Rama provokon Europën? I ftuari në “Conflict Zone” të DW

Në emisionin televiziv “Conflict Zone” të DW kryeministri shqiptar Edi Rama në bisedë me Tim Sebastian flet për sistemin e korruptuar të drejtësisë në vend, ëndrrën për Europën, si dhe fantazmat e së shkuarës në Ballkan.

edi dwGazetari britanik që punon për Deutsche Welle-n dhe drejton emisionin e ri televiziv “Conflict Zone”, Tim Sebastian e ftoi kryeministrin Edi Rama në një intervistë me tone replikuese, ku preken temat më të nxehta aktualisht në Shqipëri, si lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës, lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, por edhe më gjerë, bashkëpunimi në Ballkan dhe rrezikun e rikthimit të fantazmave të së shkuarës në rajon.

“Jam absolutisht i bindur se Europa ka nevojë për Ballkanin sot, ashtu si edhe Ballkani ka nevojë për Europën” shprehet kryeministri i Shqipërisë dhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama në intervistë me Deutsche Wellen, duke theksuar se gjithnjë e më shumë njerëz në Ballkan kanë një lloj lodhjeje me durimin e vazhdueshëm, prandaj nevojitet të lëvizim më shpejt dhe përpara.

“Ballkani është Europë”

“Dua të them se Ballkani është Europë dhe nëse Ballkani sot është një histori e suksesshme e paqes dhe e bashkëpunimit në botën tonë, ka një arsye për këtë, dhe arsyeja është, sepse ne të gjithë duam të jemi pjesë e Europës, dhe nëse paqja erdhi mes shqiptarëve dhe nëse për herë të parë, unë vizitova Beogradin pas 68 vjetësh si kryeministër shqiptar, dhe kryeministri Vučić erdhi në Tiranë, si kryeministri i parë serb që shkeli në Shqipëri, kjo tregon diҫka, sigurisht i tregon botës sonë, por tregon para së gjithash aspiratën e njerëzve tanë për të qenë pjesë e Europës…“

Kërcënim ndaj Europës me fantazmat e së shkuarës në Ballkan?

Një pikë e nxehtë e intervistës është debati i zhvilluar pas pyetjes së gazetarit të Deutsche Welles mbi fantazmat e së shkuarës në Ballkan, të cilin gazetari e cilëson si një kërcënim të Ramës për Europën nëse ajo nuk shpejton me integrimin.

Tim Sebastian: Dhe përveҫ këtyre të gjithave, është kërcënimi që ju bëtë në maj, kur i thatë gazetës turke, Hyriet: „Për sa kohë që ëndrra jonë europiane është gjallë, Ballkani nuk do të ketë shqetësime, por nëse kjo ëndërr zhbëhet, do të kemi shqetësime.“ Me fjalë të tjera: Na jepni atë që duam, ose ne do t’iu shkaktojmë probleme.“

Edi Rama: Jo, kjo nuk është kështu

Tim Sebastian: Ky është kërcënim, pse nuk është kështu?

Edi Rama: Nuk është kërcënim.

Tim Sebastian: Tingëlloi shumë si i tillë.

Edi Rama: „Tingëlloi i gabuar atëherë, por nuk është kërcënim. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, ne vijmë nga një histori e gjatë e gjakderdhjes, konflikteve e kështu me radhë. Kështu fantazma është e shkuara përreth nesh e ose gjenerata jonë do të bëjë gjënë e duhur dhe do të bashkohemi të gjithë në Europë, dhe kjo merr fund, ose do të jetë fantazma e së shkuarës ajo që do të marrë gjendjen në dorë. Kjo është shumë e thjeshtë.“…“Jam duke e përsëritur se Europa duhet të jetë strategjike në lidhje me Ballkanin, nuk është „business as usual“, është një hapësirë, që ju e dini shumë mirë, se ka qenë problem i madh me shekuj për njerëzit që jetonin në këtë hapësirë, por edhe për kontinentin. Tani është një hapësirë që ndodhet në një moment të ri fantastik të paqes dhe bashkëpunimit, por kjo paqe është shumë e madhe për supet tona.“

Sistemi i drejtësisë si industri përfitimi

Një nga frontet më të vështira të reformave në Shqipëri është ajo e sistemit të drejtësisë. Në „Conflict Zone“, kryeministri Rama deklaron se „ne nuk kemi vetëm gjykatës të korruptuar, ne kemi një drejtësi të tërë të korruptuar, që punon si korporatë, si një industri përfitimi. Dhe ne jemi duke e ndryshuar këtë, duke filluar me reformën që do të kalojë këtë vjeshtë.“…“Drejtësia është ҫështja jonë ende e hapur. Dhe unë ua kam thënë gjithmonë bashkëqytetarëve të mi: Nëse ne nuk jemi në gjendje të kemi një drejtësi dinjitoze për vendin, nuk do të jemi kurrë në gjendje të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian.“

Në intervistë për „Conflict Zone“, gazetari i Deutsche Welles prek edhe temën e krimit të organizuar dhe luftën kundër plantacioneve të drogës në Shqipëri, duke marrë përgjigjen nga kryeministri Edi Rama, se janë duke u fshirë nga sipërfaqja plantancionet me kanabis, gjë që solli edhe vlerësime nga Bashkimi Europian. Por gazetari i Deutsche Welles këmbëngul:

Tim Sebastian: Ok, po sa liderë të mafias keni marrë nga rruga. Sa liderë të mafias?

Edi Rama: Liderë të mafias?

Tim Sebastian: Po, dua të them se sa keni burgosur?

Edi Rama: Ne nuk kemi liderë të mafias në Shqipëri, liderët e mafias janë në Europë.

Tim Sebastian: Oh vërtet?

Edi Rama: Natyrisht.

Tim Sebastian: Pra ju nuk keni krim të organizuar? Kështu kur departamenti i shtetit thotë: Shqipëria është një burim dhe vend destinacion për trafikimin, ju nuk keni kriminelë?

Edi Rama: Jo, jo jo, ju folët për liderë të mafias. Liderët e mafias janë në anën tjetër të Adriatikut. Ne kemi krimin e organizuar të lidhur me të dhe të mos flasim më për mafian kombëtare. Nuk ka mafie kombëtare. Nuk ka person të krimit të organizuar që kapet që të mos ketë, tre, katër ose pesë kode në telefonin e tij celular. Kështu ka një ndër-lidhje.“

Ndiqni drejtpërdrejt në kanalin televiziv të Deutsche Welles në orën 17:30 intervistën televizive të kryeministrit shqiptar Edi Rama për emisionin „Conflict Zone”, videon në origjinal mund ta shihni edhe në faqen e internetit të Deutsche Welles në shqip, dw.com/albanian. (dw)

 

Ndërron jetë këngëtari Tonin Tërshana

tonin tershanaËshtë ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, një ndër zërat më të spikatur të muzikës shqiptare, “Mjeshtri i Madh” Tonin Tërshana. I njohur për vokalin e tij të veçantë, Tërshana ka ndërruar jetë në spitalin “Nënë Tereza”, ku gjendej i shtruar pas një sëmundjeje të rëndë.

I njohur si një ndër këngëtarët më potentë të përpara viteve ‘90, Tonin Tërshana, pas ardhjes së demokracisë u largua nga vendi si shumë shqiptarë, për t’u kthyer vetëm disa vite më parë.

Tërshana ka marrë pjesë në mbi 20 festivale të RTSH-së, duke fituar 4 çmime të para.

Dalja e tij e fundit publike ishte vetëm 3 javë më parë, ku këngëtarit të njohur iu dorëzuan çelësat e shtëpisë, si përfitues i banesave sociale, pasi ai ishte i pastrehë. E duket se ky ka qenë dhe pengu i fundit i Tonin Tërshanës.

/ Top Channel