Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Shqipëria në qendër të ITB Berlin 2025

Rama ITBNë Berlin hap portat panairi më i madh ndërkombëtar i turizmit, ku për herë të parë Shqipëria merr rolin e vendit mikpritës.

Në hapjen zyrtare të panairit të turizmit në Berlin ITB 2025, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi turizmin si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Sipas tij, vendi ka njohur një rritje të ndjeshme dhe po konsolidohet si një destinacion gjithnjë e më i kërkuar. “Numri i mbërritjeve turistike është rritur me 80 për qind në pesë vitet e fundit”, tha Rama dhe shtoi se “zgjerimi i infrastrukturës ajrore dhe lidhjet e reja ndërkombëtare po e bëjnë Shqipërinë më të aksesueshme”. Aeroporti i Tiranës tashmë regjistron 11 milionë pasagjerë në vit, ndërsa fluturimet direkte nga Gjermania po shtohen ndjeshëm.

Për ta prezantuar Shqipërinë si një destinacion të gjithanshëm, Rama vuri në dukje diversitetin natyror dhe kulturor të vendit. Ai theksoi se nga plazhet mesdhetare te Alpet, nga qytetet historike si Butrinti deri te turizmi aktiv në Valbonë dhe Theth, Shqipëria ofron përvoja unike për çdo vizitor. Rama foli për konceptin “albanity”, një kombinim i emrit të vendit anglisht me fjalën mikpritje, që sipas Ramës përfaqëson shpirtin e hapur të shqiptarëve. Sipas tij, Shqipëria nuk është më një destinacion i fshehur, por një vend që po zbulohet dhe po fiton vëmendjen që meriton.

 

Një sërë aktivitetesh me rastin e panairit 

Për të sjellë këtë imazh më pranë publikut, Shqipëria ka organizuar një program të larmishëm aktivitetesh gjatë panairit. Diskutimet mbi turizmin e qëndrueshëm dhe investimet janë në qendër të vëmendjes, ndërsa vizitorët kanë mundësinë të eksplorojnë gastronominë shqiptare përmes degustimeve dhe demonstrimeve të gatimit. Shfaqjet kulturore, me muzikë dhe valle tradicionale, sjellin një pasqyrë autentike të trashëgimisë shqiptare, ndërsa promovimi i qytetit të Gjirokastrës dhe destinacioneve të tjera të mbrojtura nga UNESCO tregon rëndësinë e turizmit kulturor për zhvillimin e sektorit.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në ITB Berlin nuk është vetëm një mundësi për promovim, por një hap strategjik për të forcuar pozitën e saj në tregun global të turizmit. “Ky është momenti për të treguar botës se Shqipëria është gati të mirëpresë vizitorët dhe të ofrojë një përvojë të jashtëzakonshme,” tha Rama.

 

Çfarë është ITB Berlin 

ITB Berlin është panairi më i madh dhe më i rëndësishëm i turizmit në botë, ku çdo vit mblidhen përfaqësues të destinacioneve turistike, operatorë turistikë, kompani ajrore, investitorë dhe ekspertë të industrisë nga e gjithë bota. Prej disa vitesh panairi nuk është i hapur për publikun e gjerë, por vetëm për biznesin.

Edicioni i këtij viti, që zhvillohet nga 4 deri më 6 mars 2025, sjell mbi 5 800 ekspozues nga 170 vende dhe pritet të mirëpresë më shumë se 100,000 vizitorë. Programi përfshin panele diskutimi, prezantime dhe mundësi të shumta rrjetëzimi, duke shërbyer si një platformë kryesore për trendet dhe inovacionet më të fundit në industrinë globale të turizmit.

dw

Ndërtimi i rrugëve nga Kroacia deri në Shqipëri

ilirikPlanet e Kroacisë për të vazhduar ndërtimin e autostradës nga Spliti në Dubrovnik janë të njohura për Podgoricën zyrtare, por pika e kontaktit ende nuk është rënë dakord.

 

Pasi u njoftua se Kroacia do të ndërtojë autostradën nga Spliti në Dubrovnik, u shtrua pyetja: a do të lidhet kjo rrugë me të ashtuquajturin Korridori Adriatiko-Jonian nëvendet fqinje. E kjo çështje është shumë me rëndësi edhe për Malin e Zi.

Në Podgoricë thonë se janë informuar për idenë e Zagrebit, por nuk tregojnë se ku do të jetë pika e lidhjes së autostradës kroate me Malin e Zi, që është me rëndësi edhe për të gjithë ata që udhëtojnë nga Perëndimi për në vendet e tjera. Mali i Zi po përgatitet të ndërtojë pjesën e dytë të autostradës Bar-Boljare, përgjatë bregdetit malazez si dhe një autostradë për në Shqipëri.

Edhe pse Podgorica zyrtare është njoftuar me planet e Kroacisë për të vazhduar ndërtimin e autostradës nga Spliti në Dubrovnik, akoma nuk dihet ku do të lidhet kjo rrugë me ato në Malin e Zi.

“Aktivitetet janë duke u zhvilluar për të harmonizuar pikën ndërlidhëse me Kroacinë. Ne po përgatisim një projekt për një rrugë me shpejtësi të madhe kalimi përmes Gjirit të Kotorrit, e cila do të ndërlidhet me Kroacinë”, tha kompania shtetërore malazeze Monteput, duke shtuar se po përgatisin edhe dokumentacionin për një autostradë deri në kufirin me Shqipërinë. Pikat ndërlidhëse të autostradës do të koordinohen me Zagrebin dhe Tiranën.

 

Rrugët deri në Shqipëri

Plani hapësinor për vitin 2040 përfshin një rrugë me shpejtësi të lartë deri në kufirin me Kroacinë, si dhe një autostradë deri në kufirin me Shqipërinë.

Rruga e shpejtë përgjatë bregdetit malazez, e cila shkon nga kufiri me Kroacinë, lidhet me autostradën Bar – Boljare në zonën e gjerë të Gragjanit. “Është planifikuar një autostradë nga tuneli i Sozinës deri në kufirin me Shqipërinë, e pas hartimit të projekteve konceptuale, zbatimi i të cilave është duke u zhvilluar, këto korridore do të përfshihen në Planin e ri Hapësinor të Malit të Zi, i cili është në proces miratimi dhe do të jetë i vlefshëm deri në vitin 2040”, kumtoi Monteput.

Qëllimi është që të dyja rrugët të vlerësojnë potencialin turistik të Malit të Zi dhe të zgjidhin problemin e kahershëm të mbingarkesës në bregdetin malazez. “Kjo rrugë së bashku me autostradën Bar – Boljare është prioritet për ndërtim. Ministrja e Transportit Maja Vukiçeviq u takua me ministren e Infrastrukturës së Shqipërisë Belinda Baluku, ku kjo ishte një nga temat”, thanë për DW nga Ministria e Transporteve.

 

Tenderi për ndërtimin e rrugëve

Pas një viti është anuluar tenderi paraprak për ndërtimin e seksionit të dytë të autostradës Bar Boljare (Mateshevë – Andrijevica) dhe është shpallur një i ri.

“Ky është një tender që do të lejojë pjesëmarrjen e të gjithë ofertuesve, përfshirë edhe ata që morën pjesë në procesin paraprak”, thonë në Monteput për DW. Një tender i ri është kërkuar jozyrtarisht nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Podgoricë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të pakënaqur që asnjë kompani evropiane nuk iu përgjigj procesit.

Zyrtarisht, Monteput dhe Qeveria thonë se tenderi i ri është rezultat i një marrëveshjeje për të “mundësuar të gjitha kompanitë e interesuara të aplikojnë, jo vetëm atyre që aplikuan në fazën paraprake”. Arsyeja e dytë është se një pjesë e itinerarit është ndryshuar ndërkohë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Podgoricë, Johan Sattler, i pyetur nga TV Vijesti nëse presin që ndonjë kompani evropiane të aplikojë për tenderin e ri, tha se vendimi është në dorën e kompanive, por ata shpresojnë një gjë të tillë.

 

Tenderët dhe konkurrenca

“Ne mendojmë se është një gjë e mirë të kesh sa më shumë konkurrencë, në mënyrë që të marrësh ofertat më të mira të mundshme dhe zgjidhjet më të avancuara teknologjikisht,” tha Satler.

Kompanitë nga Turqia, Azerbajxhani dhe Kina aplikuan për tenderin paraprak për ndërtimin e pjesës së dytë, duke përfshirë CRBC, kompaninë që ndërtoi pjesën e parë të autostradës Smokovac-Mateshevo. Në fillim të vitit të kaluar, Komisioni Evropian njoftoi se do të marrë pjesë në ndërtimin e kësaj pjese të rrugës me një grant prej 100 milionë euro, ndërsa BERZH me një kredi të butë prej 200 milionë euro.

Pjesa e rrugës Mateshevë-Andrijevica është rreth 22 kilometra e gjatë, që është afër 14 për qind e rrugës totale të autostradës Tivar-Boljare. Nënshkrimi i kontratës së projektimit dhe ndërtimit ishte planifikuar për gjysmën e parë të vitit 2025, ndërsa përfundimi i punimeve pritet në vitin 2030. Monteput pretendon se po bën gjithçka për të përmbushur afatet e planifikuara.

dw

Hapet Panairi Botëror i Turizmit, Rama: Që të ndiheni si perëndi, ejani në Shqipëri!

ramaPanairi më i madh global i turizmit, ITB, ngriti të hënën siparin, duke pasur Shqipërinë si përfaqësuese nderi. Mes 190 vendeve pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozuesve, Shqipëria prezantohet nën sloganin “All Senses” (“të gjitha shqisat”) nga data 4 deri më 6 mars.

 

Përfaqësuesi i ITB Berlin, organizues i panairit, Mario Tobias u shpreh se ndihet krenar për partneritetin me Shqipërinë. Mesazhi i parapriu shfaqjes muzikore të rezervuar nga grupi shqiptar “Shkodra Elektronike”, fituesit e Festivalit 63 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Në nisje të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama përkufizoi termin “Albanity”, që në gjuhën angleze tingëllon si një shkrirje e fjalëve ‘Shqipëri’ dhe ‘mikpritje’, por që ky realisht është thelbi i Shqipërisë, tha ai.

A keni dëgjuar ndonjëherë për ndonjë ligj që deklaron se shtëpitë tona i përkasin Zotit. Një ligj i tillë është shkruar në Shqipërinë mesjetare dhe është bërë tashmë pjesë përbërëse e mënyrës së jetesës sonë. është thelbi i asaj çka ne e quajmë “Albanity”, në anglisht duke si një shkrirje harmonike e Shqipërisë dhe mikpritjes, por në shqip do të thotë të bësh të pamundurën për të nderuar emrin, shtëpinë e mikun. Kulmi i mikpritjes shqiptare u dëshmua gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria mbrojti miqtë e saj hebrenj duke u bërë i vetmi vend në Europë, që pati më shumë hebrenj pas luftës se para saj. Ne kemi qenë dhe jemi ende një vend myslimanësh, të krishterësh ortodoksë e katolikësh. Megjithatë kur u përballëm me zgjedhjen midis hebrenjve dhe djallit, paraardhësit tanë qëndruan fort krah hebrenjve, duke refuzuar që të dorëzonin qoftë edhe një frymë të vetme.

Kush troket në derë të shtëpisë së shqiptarit e bën këtë me vullnet të Zotit. Duke hapur dyert ne mirëpresim një mik që trajtohet si perëndi. Kështu që nëse doni të ndiheni se si është një perëndi, ejani në Shqipëri. Dhe nëse doni të takoni drejtues taksish që sillen si perëndi, shkoni në Greqi,” u shpreh z. Rama.

Panairi i turizmit në Berlin ka një histori të gjatë, e cila daton nga viti 1966. Kryeministri u kthye pas në kohë për të bërë dallimin mes sektorit atëherë dhe hapat që ka shënuar turizmi sot në vend.

“Kur u zhvillua ky panair për herë të parë në 1966, Shqipëria kishte mirëpritur vetëm 1.000 turistë, kryesisht nga Gjermania Lindore, të gjithë marksistë-leninistë të palëkundur të cilët e konsideronin republikën demokratike shumë të paqëndrueshme ose të degjeneruar. Të vetmit gjermanë perëndimorë që e vizituan Shqipërinë atë vit ishin ekipi i futbollit gjerman, të drejtuar nga legjenda si [Franz] Beckenbauer. Për çudi të të gjithëve arritëm vetëm një barazim 0-0 në Tiranë, megjithëse na kishin këputur 6-0 në Dortmund. Gjithsej erdhën 4 herë dhe nuk ishin më shumë se 100 turistë. Gjatë asaj periudhe Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës dhe maksimumi që mund të bënim për turizmin ishte të arrinim një mesatare prej shumë më pak se 5 mijë vizitorësh në vit, dhe shumica ishin marksist-leninistë,” tha kryeministri Rama.

Vitin e kaluar, shifrat zyrtare flasin për gati 12 milionë turistë të huaj, që vizituan Shqipërinë. Shefi i qeverisë deklaroi se pritshmëritë janë për më shumë vizitorë këtë vit nisur nga fillimviti 2025.

Shohim këtë vit shifra edhe më të larta me janarin dhe shkurtin, që kanë vendosur rekorde të reja. Deri pak vite më parë numri i turistëve gjermanë që vizitonte Shqipërinë shkonte rreth 11 mijë, ndërsa vitin e kaluar u rritën në afro 400 mijë. Gjermanët janë lloji më i mirë i turistëve. Ata qëndrojnë më shumë ditë gjithsej, ndaj kushdo që mendon se gjermanët nuk janë shumë të zgjuar dhe vetëm punojnë e kanë gabim. Pse duhet gjermanët ta vizitojnë Shqipërinë? Nëse nuk doni t’i besoni fjalës sime për këtë, besoni “Der Spiegel”, që është gati të tregohet e padrejtë për mua, por e përshkruan Shqipërinë si një destinacion që duhet vizituar, qoftë për plazhet e Ksamilit të ngjashme me Bora-Bora, apo rrënojat e Butrintit, apo ngjitjet e marshimet në peizazhet e Thethit dhe Valbonës. “Bild” – Shqipëria nuk është më një perlë e fshehur në 2025 do të shndërrohet në një destinacion kryesor për ata që duan diellin e detin dhe ndryshe nga rajoni i mbipopulluar mesdhetar, në Shqipëri mund të gjeni plazhe të qeta e të shikoni natyrë të paprekur.

Shqipëria është një yll në ngjitje që po ngërthen vëmendjen e botës. Me një kombinim të përsosur përballueshmërie, peizazhesh mahnitëse, Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më të nxehta turistike të botës dhe ky është vetëm fillimi, sepse presim me padurim të kemi një të ardhme më të shndritshme ekonomike, një rritje të qëndrueshme që do të formësohet jo vetëm duke qenë destinacion tërheqës turistik, por edhe nga roli ynë si model për turizmin miqësor, ekologjik dhe eksperiencat luksoze,” theksoi z. Rama.

rtsh

 

“Shqipëria, vendi i nderit në Panairin e Berlinit”, Rama: Jemi përgatitur të lëmë mbresë të veçantë! Nesër, një ditë e jashtëzakonshme nxemjeje

ramaKryeministri Edi Rama do të marrë pjesë nesër në Panairin e Turizmit në Berlin.

Përmes një video në rrjete sociale ai theksoi se Shqipëria do të jetë e zgjedhura e nderit për vitin 2025.

Rama: Pas Panairit të Punës në Athinë, erdhëm këtu në Gjermani, ku Shqipëria do të çelë Panairin e Turizmit si vendi i zgjedhur i nderit për vitin 2025. Kush e imagjinonte vite më parë Shqipërinë në këtë pozicion, e ftuar si vend nderi në panairin më të madh të botës për turizmin, jemi përgatitur të lëmë një mbresë të veçantë me ofertën tonë dhe me prezantimin tonë.

Nga një vend që kur ne morëm detyrën kishte vetëm turizëm patriotik, falë vëllezërve dhe motrave nga Kosova e shqiptarëve që ktheheshin në shtëpi nga emigrimi apo atyre nga Maqedonia e Veriut, ne jemi bërë vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Evropë. Renditemi prej 3 vitesh radhazi në tre klasifikimet e para sipas Organizatës Botërore të Turizmit në shkallë kontinenesh.

Për të tretin vit radhazi aeroporti i Tiranës e ka kaluar Beogradin për numër pasagjerësh duke arritur vjet shifrën rekord të 11 milionë pasagjerëve. Nesër në prani të shumë mediave dhe të gazetarëve, ne do të jemi së bashku me drejtuesit e panairit që në mëngjes për një ditë të jashtëzakonshme nxemjeje që kulmon pasdite me spektaklin e Shqipërisë.

Ndërsa pasnesër në mëngjes në pavionin e Shqipërisë edhe me praninë e autoriteteve të shtetit gjerman do të hapet zyrtarisht panariri i turizmit, jam krenar që e arritëm këtë ditë dhe do bëjmë krenarë posaçërisht shqiptarët e Gjermanisë me praninë e Shqipërisë në këtë eveniment global të turizmit.

tch

Presidenti Begaj përkujton ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti / Osmani në Lezhë: Historia na mëson se bashkimi është forca jonë më e madhe

lidhja e LezhesPresidenti Begaj përkujton ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përkujtoi sot ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke risjellë në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve se mesazhi historik i Kuvendit të Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij.

“581 vite më parë, nën udhëheqësinë e Gjergj Kastriotit, u mbajt Kuvendi i Lezhës, i cili shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të parëve.Mesazhi historik që vjen nga Kuvendi i Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tij. Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithësecilit, nga bashkimi i  energjive pozitive të të gjithë shqiptarëve, kudo ata janë”, – shkroi Presidenti Begaj ne llogarinë e tij në rrjetin social në facebook.

osmaniOsmani në Lezhë: Historia na mëson se bashkimi është forca jonë më e madhe 

Lezha përkujtoi sot 581-vjetorin e Besëlidhjes së Princave Shqiptarë me një sërë aktivitetesh për të nderuar këtë ngjarje historike. Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave me lule dhe homazhe pranë varrit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Më pas, të pranishmit u zhvendosën në lulishten përballë memorialit, ku u përurua shtatorja e heroit kombëtar, Skënderbeut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në Lezhën e Besëlidhjes, sot nderuan 581 vjetorin e unitetit shqiptar, simbolit tonë të qëndresës dhe vizionit.

“Historia na mëson se bashkimi është forca jonë më e madhe. Prandaj, sot në këtë qytet të besëlidhjes, u bashkuan zërat nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, arbëreshët nga Italia e shqiptarë nga treva të tjera shqiptare e nga mërgata, me mesazhin se vepra përbashkuese dhe fryma e Skënderbeut duhet të mbeten busulla jonë kombëtare”, shkroi Osmnani në ‘Facebook’.

Shqipëri, bashkëpunonin me narkotrafikantë, arrestohen dy shefa policie, një i tretë në kërkim

gjykataNë Shqipëri, dy shefa policie janë arrestuar dhe një i tretë është në kërkim, ndërkohë që në pranga, ka përfunduar dhe një ish punonjës policie. Të gjithë dyshohen të kenë bashkëpunuar me dy organizata kriminale, të cilat merreshin me kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike në jug të vendit.

 

Bëhet fjalë për Shkëlzen Ruskën, shef i Krimeve në Himarë, Ervis Alisinanaj, shef i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Elvis Dervishin, shef i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë dhe Erdit Hazizaj, ish punonjës i policisë, i cili ka qenë pjesë dhe e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit.

Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se janë lëshuar dhe 6 urdhëra arresti ndaj anëtarëve të dy organizatave, të cilët dyshohet se janë larguar prej kohësh nga vendi.

Njëri nga grupet vepronte në zonën e Sarandës ku realizonte kultivimin dhe trafikimin e marijuanës drejt Greqisë. Në krye të tij, dyshohet se qëndronte Kristi Qirici. Nga hetimet, e zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze dhe greke “del në pah fakti se gjatë viteve 2019-2021, pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal, kanë pasur detyra të caktuara me qëllim kultivimin e bimëve narkotike, cannabis sattiva në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, duke e mbjellë në zona të caktuara apo dhe duke e kultivuar në ambiente të mbyllura”, shpjegon njoftimi i Prokurorisë së Posaçme, duke shtuar se “në bashkëpunim mes tyre, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kanë siguruar bimën narkotike, ndërsa anëtarë të caktuar, personat kryenin transportin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. Ajo që vihet re është se në rastet kur anëtarët e këtij grupi arrestoheshin nga agjencitë ligjzbatuese, anëtarët e tjerë interesoheshin për t’i garantuar ndihmë ekonomike personave të arrestuar si edhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore”.

Sipas Prokurorisë, ky grup është përfshrë në rastin e “trafikimit për në Greqi, në mars të vitit 2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi”.

Nga hetimi ka rezultuar se “punonjësit e policisë së shtetit Elvis Dervishi (në atë kohë shefi i Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë) dhe ish punononjësi i Policisë Erdit Hazizaj, duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm në polici, kanë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme”.

Ndërsa Ervis Alisinanaj, i cili në atë periudhë, ka qenë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Sarandë, rezulton të ketë ndihmuar një nga pjestarët e grupit, që t’i shpëtojë arrestimit pasi në makinën e tij i ishte gjetur një armë.

Sa i takon shefit të Krimeve në Himarë, Shkëlzen Ruska, ai dyshohet se në kohën që ka punuar pranë Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e policisë së Gjirokastrës, ka ndihmuar një tjetër grup kriminal që kultivonte dhe trafikonte marijuanën në zonën e Teplenës dhe Gjirokastrës. Këtij grupi i përkasin 1360 bimë narkotike, me një peshë prej 1280 kilogramë të gjetur brenda një furgoni në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari, Tepelenë, në tetor të vitit 2020.

Policia e shtetit njoftoi sot se ndaj shefave të policisë të përfshirë, është marrë menjëherë masa e pezullimit nga detyra.

voa

Shqipëri-Izrael, marrëveshje në teknologji dhe inovacion! Rama: Krijojmë bankën digjitale më të madhe në rajon

RamaNënshkruhet marrëveshja mes “TEDA Tiranë” dhe “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, një investim ky mjaft i rëndësishëm në teknologji dhe inovacion.

 

Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Edi Rama deklaroi se ky investim do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për punësimin e të rinjve, të cilët sikurse sqaroi ai, nuk do të vlerësohet në bazë të forcës së punës, por në bazë të cilësisë me të cilën e kryejnë atë.

Po ashtu, Rama theksoi se investimi që do të realizohet në zonën e lirë ekonomike të Tiranës nga kompania izraelite, është investim strategjik i një rëndësie të veçantë, pasi sipas tij në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit, do të krijohet banka digjitale më e madhe në rajon.

Marrëveshje strategjike për Tiranën, e cila e ka zanafillën disa vite më parë në takimin prezantues të kompanisë izraelite gjatë një vizite që ne bëmë në Izrael.

Nuk e fsheh që fakti që kompania vjen nga Izraeli, është një arsye më shumë për të qenë posaçërisht të kënaqur që e mirëpresim këtë marrëveshje që të firmoset këtu në këtë hapësirë.

E them këtë duke e nisur nga fakti që historia e ndryshimit transformimit, sovranitetit të Izraelit si një fuqi e madhe inovacioni dhe po ashtu, ekonomia, pavarësisht numrit të vogël të popullsisë, është shëmbëlltyra e faktit se dallimin mes vendeve, shteteve, nuk e bën çfarë ke, por çfarë di.

Investimi që do realizohet në zonën e lirë ekonomike të Tiranës nga kompania izraelite është investim strategjik i një rëndësie të veçantë. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona euro për të krijuar një bankë digjitale e cila do jetë në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit, baza më e madhe e të dhënave digjitale të rajonit dhe do ofrojë një platformë shumë tërheqëse për kompani të mëdha në fushën e teknologjisë digjitale dhe përkatësisht në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

Ky investim do krijojë mundësi të jashtëzakonshme për të rinjtë e vendit për të pasur një punë të shumë mirë paguar në Tiranë.

Pagat nuk bëjnë asnjë dallim, nuk është çështja sa do paguhet forca e punës, por sa cilësore do të jetë forca e punës.”, u shpreh kryeministri.

Ky i fundit bëri me dije gjithashtu se Shqipëria dhe Izraeli po diskutojnë për një sërë marrëveshjes strategjike që përfshijnë disa fusha, jo vetëm në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit.

Sa më shumë ne të përfitojmë nga transferimi i dijes nga Izraeli në Shqipëri aq më mirë do jetë për ne, ekonominë dhe zhvillimin e vendit tonë.

Jemi në një fazë ku shumë gjera jemi duke biseduar dhe projektuar së bashku me partnerë të ndryshëm të ekselencës izraelite.

Jemi duke diskutuar për një sërë marrëveshjesh strategjike që shtrihen në disa fusha. Çdo kontribut që mund të sjellim këtu nga bota e dijes së Izraelit në sektorin e teknologjive dhe inovacionit është mëse i mirëseardhur”, përfundoi Rama.

rtsh

USAID, hetuesit e Trump në Ballkan! Një grup prokurorësh nis investigimin për fondet, përfshihet edhe Shqipëria

USAIDPresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka sjellë një grup prokurorësh në Ballkan për të hetuar projektet e financuara nga USAID, ku përfshihet edhe Shqipëria.

 

Grupi i dërguar nga administrata e Trump drejtohet nga ish-prokurori federal, Martin De Luca. Hetimet kanw nisur nga Sarajeva, prej ku kanë zbuluar se vetëm në katër vitet e fundit janë shpenzuar me projektet e USAID me organizatat joqeveritare (OJQ) të ngritura nga fondacioni Soros, rreth 402 milionë dollarë, prej të cilave 250 milionë nuk mund të përcaktohen se ku janë zhdukur.

“Në katër vitet e fundit, këtu janë disbursuar 402 milionë dollarë përmes programeve të ndryshme. Prej tyre, 150 milionë dollarë mund të justifikohen, dhe rreth 250 milionë dollarë mbeten të pajustifikuara, gjë që na ngre dyshime për korrupsion. Këto janë para nga qytetarët amerikanë.

Ekipi im tashmë po heton operacionet e USAID-it edhe në shtetet e tjera të rajonit e më gjerë. Presidenti Trump është shumë i vendosur që ne të zbulojmë sa më shpejt gjithçka që ka ndodhur me keqpërdorimin e këtyre fondeve. Jemi të vetëdijshëm se pjesa më e vështirë e misionit tonë është marrja e provave ndaj kërkojmë bashkëpunimin e autoriteteve në këto shtete”.

Një ditë më parë, Komiteti për Mbikëqyrjen dhe Reformat në Qeverisje në Kongresin Amerikan, i ngritur me iniciativën e Elon Musk, në seancën e titulluar “Amerika e fundit: Si ndihma e huaj minoi interesat e SHBA në mbarë botën”, u vu theksi te fondet që USAID ka dhënë për shoqatat e komanduara nga George Soros me qëllim propagandën dhe luftën politike.

Me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, Donald Tramp firmosi një urdhër për pezullimin e ndihmës së huaj nëpërmjet USAID në mbarë botën, duke argumentuar se paratë e taksapaguesve amerikanë po shpërdoroheshin ose mbështesin agjendën politike të Soros.

tch

Hodhën në treg 21 ton mandarina me pesticide të rrezikshme, Gjykata e Beratit jep vendimin për tre të arrestuarit

MandarinaGjykata e Beratit ka dhënë sot masat e arrestit për tre të ndaluarit, të dyshuar se hodhën në treg 21 ton mandarina të ndaluara për treg, të kthyer nga Kroacia.

 

Arben Dyli, grumbulluesi, është lënë me burg.

Elton Tafaj, fermeri, është lënë në burg.

 

Elson Tahiraj, inspektori i shtetit, është lënë në burg.

Gjyqtari i çështjes ishte Ilirjan Hysa, ndërsa prokurorja Malvina Pellumbi.

tch

Studimi: Përmirësohen treguesit e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

spakQendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) publikoi sot Raportin krahasues të vlerësimit mbi punën e institucioneve të posaçme të drejtësisë gjatë vitit 2024, ku regjistrohen statistika të rritura në gjithë treguesit e gjykimit të çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Raporti vlerëson se gjatë vitit 2024 është bërë një përparim më i mirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Përparimi i institucioneve të posaçme dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka hyrë në një fazë të re, … për të garantuar ndikim afatgjatë në sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Është thelbësore të intensifikohen përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të konfiskimeve të pasurive të paligjshme dhe sigurimin e një llogaridhënieje më të thelluar në nivelet e larta të qeverisjes”, thekson Raporti.

Drejtuesi i Qendrës CSDG dhe bashkautori i studimit, Arjan Dyrmishi, thotë për Zërin e Amerikës se, katër vitet e para mund të cilësohen si faza e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.

“Pas përfundimit të periudhës së ndërtimit të institucioneve të posaçme të drejtësisë në katër e vitet e para, shfaqen në vitin e pestë rezultatet e rritura sasiore në gjykimin e çështjeve dhe më tej presim rritjen e cilsësisë së punës me ndjekjen e krimit në nivelet e larta zyrtare”, thotë zoti Dyrmishi.

 

Korrupsioni

Në Raportin e pestë të CSDG-së mbi institucionet e posaçme të drejtësisë dhe luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vërehet një dyfishim i çështjeve për korrupsion të dërguara për gjykim nga SPAK-u.

Gjatë vitit 2024 Prokuroria e Posaçme regjistroi 186 procedime për korrupsion, sa gjysma e mesatares së katër viteve, dhe 41 prej këtyre çështjeve i çoi për gjykim në GJKKO, që janë sa dyfishi (22%) i mesatares së katër viteve të fundit (11%) në raport me procedimet, thuhet në studim.

Numri i çështjeve të nisura për gjykim në 2024-ën janë sa mesatarja e katër viteve, megjithatë numri i çështjeve të dërguara për gjykim është sa çereku i procedimeve të regjistruara në 2024-ën, dhe një pjesë e madhe e çështjeve vazhdojnë të jenë në fazë hetimi.

Studimi vëren se në procedimet e regjistruara për korrupsion gjatë vitit të kaluar janë përfshirë 194 persona, nga të cilët treçereku (141) i tyre u dërguan për gjykim dhe 134 persona, ose pothuaj të gjithë (95%), u dënuan, ndërsa shumica dërrmuese e çështjeve kanë përfunduar me vendime dënimi.

Edhe numrat e dërguar për gjykim edhe ato të dënuar gjatë 2024-ës janë dukshëm më të larta se mesatarja e të katër viteve të marra së bashku.

 

Krimi i organizuar

Raporti vëren një shtim të çështjeve për krim të organizuar në Prokurorinë e Posaçme të dërguara për gjykim gjatë vitit 2024. Nga 101 procedime të regjistruara, 21 u dërguan për gjykim, ose afro një e pesta e tyre. Kjo përqindje është afro tre herë më e lartë se mesatarja e katër viteve (7.3%). Gjithësesi mbetet një diferencë e ndjeshme midis procedimeve të regjistruara dhe atyre të çuara në gjykim, ndërsa katër të pestat e çështjeve janë në fazë hetimi. Në çështjet e regjistruara për gjykim nën dyshimet për krim të organizuar janë përfshirë 262 persona, dhe më shumë se gjysma e tyre, 134 vetë (51%), janë dërguar për gjykim, shifër kjo po ashtu më e lartë se mesatarja e katër viteve (44%). Nga këta 134 të pandehur të dërguar për gjykim, 88 (ose 66% e tyre) janë dënuar, një shifër gjithashtu më e lartë se mesatarja e katër viteve (61.8%). Raporti thekson se norma e dënimeve për krim të organizuar (66%) është më e ulët se ajo e çështjeve të korrupsionit (95%).

 

 

Vlerësime pas statistikave

Gjatë vitit 2024 janë rritur numrat dhe vlerat e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, thuhet në Raport, por konfiskimi i pasurive të zyrtarëve të lartë mbetet me shifra tepër të ulëta dhe mangësi të ndjeshme.

Shpërdorimi i detyrës dhe përfitimi i paligjshëm i interesave përbëjnë shumicën e dënimeve për korrupsion të zyrtarëve të lartë, vëren Raporti, ndërsa korrupsioni, manipulimi i tenderave dhe prokurimeve për zyrtarët e lartë përbëjnë një numër më të kufizuar rastesh. Por nga 8 vendime për korrupsion të nivelit të lartë gjatë vitit 2024, shtatë përfshijnë kryetarë bashkish, ndërsa një rast lidhet me sistemin e drejtësisë, thuhet në Raport.

Shumica e rasteve, sipas studimit, kanë të bëjnë me abuzime mbi kontrata publike dhe prokurime vendore me ndikim të kufizuar rajonal apo bashkiak, transaksione të vogla financiare, pagesa të drejtpërdrejta dhe keqpërdorim të fondeve publike, pa mekanizma të ndërlikuar të fshehjes financiare.

Autorët vërejnë se korrupsioni përdoret shpesh jo vetëm përfitime financiare, por edhe si mjet për ndikim politik, duke përforcuar klientelizmin dhe kapjen e shtetit në nivel vendor.

Raporti veçon se kryetarët e bashkive janë më të ndjekurit penalisht për korrupsion, ndërsa nuk ka patur asnjë vendim që përfshin zyrtarë të nivelit të lartë nga pushteti ekzekutiv apo legjislativ.

Edhe numri i magjistratëve të përfshirë në korrupsion mbetet i ulët, pavarësisht se shumë prej tyre u larguan nga detyra për shkelje të lidhura me pasurinë, integritetin dhe profesionalizmin, vëren Raporti i CSDG-së.

 

 

Komentet e drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani

Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha në konferencë se në bashkëpunim partnerë ndërkombëtarë po kryen hetime dhe po goditen grupe dhe organizata kriminale të përfshira në trafiqe ndërkombëtare të drogës dhe qenieve njerëzore, pastrim parash dhe krime ndaj kundërshtarëve të tyre, sekuestrimet e pasurive të tyre janë rritur në 59 milionë euro, e po ashtu po hetohen çështje të vështira korrupsioni dhe zyrtarë të lartë shtetërorë.

“SPAK-u ka treguar se është në gjendje, në respektim të ligjit dhe të Kushtetutës, të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet”, tha zoti Dumani.

Zoti Dumani tha se besimi tek reforma në drejtësi po rritet dhe qytetarët po vetëdijësohen se të gjithë vijnë as ligjit, por sërish ka sfida, që SPAK-u do t’i përballë me integritet, pa u ndikuar nga faktorë të tjerë.

I pyetur në konferencë mbi masat e sigurisë ndaj të dyshuarve për çështje të ndryshme, zoti Dumani tha se ato janë të larmishme dhe arresti me burg kërkuar nga SPAK-u zë vetëm një përqindje të vogël, kryesisht i përkasin krimit të organizuar, ndërsa në çështjet e dyshuara për korrupsion, afro gjysma e personave hetohen në gjendje të lirë, madje edhe trendi i arresteve me burg është në rënie.

“Përpjekja për të vendosur SPAK-un si një institucion represiv është një përpjekje e dështuar, sepse shifrat flasin vet. Institucioni ka publikuar numrin e përgjithshëm të paraburgosurve për llogari të SPAK-ut në raport me numrin total të paraburgosurve në Shqipëri; ata janë vetëm më pak se 9 për qind dhe këta në masën absolute janë për veprën e krimit të organizuar”, tha zoti Dumani.

 

 

Komente të kryeministrit Edi Rama

Në një njëjtën kohë dhe në një tjetër tubim pak metra më tej, kryeministri Edi Rama tha para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se shumica qeverisëse kreu reformën në drejtësi, ngriti SPAK-un dhe GJKKO-në, me vullnetin politik për të luftuar korrupsionin përmes një drejtësie të pavarur dhe europiane, me prova, me procese të rregullta, me respekt për liritë dhe të drejtat e njeriut.

“Tani kemi hyrë në fazën e dytë; faza e dytë është drejtësia europiane, jo drejtësi ruse. Faza e dytë është drejtësi, ku pavarësia është vetëm njëri nga kushtet, dhe ku profesionalizimi dhe standardet demokratike janë dy kushtet e tjera të panegociueshme”, tha zoti Rama.

Kryeministri theksoi se institucionet e reja i kanë të gjithë kushtet për hetime dhe drejtësi të pavarur, por jo të merren masa sigurie që rrëzohen në Gjykatën e Strasburgut, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ndërsa drejtësia shqiptare nuk duhet të ketë “metoda të sigurimit të shtetit”, teksa “shoqëria civile dhe të pavarurit kërkojnë pa pushim vetëm represion”.

Zoti Rama i cilësoi si “të nxituara”, si “një numër marramendës për një çështje dy-trevjeçare, pa flagrancë” dhe “një goditje pa arsye ndaj një universiteti” 24 masat e arrestit “pa gjyq” për punonjës të Universitetit Bujqësor gjatë një dëgjese me Rektorin e atij Universiteti.

“Unë nuk kam absolutisht asgjë kundër hetimit. Përkundrazi, e inkurajoj deri në fund të dalin ata që kanë prekur qoftë dhe 1 euro të buxhetit të shtetit, por ama këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më dhe s’kam për t’i pranuar më”, tha zoti Rama.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Organizatës Transparency International për vitin 2024 Shqipëria u rrit me 5 pikë dhe u ngjit me 18 vende në renditje krahasuar me një vit më parë, e 80-ta mes 180 shteteve.

Vendi ka hapur negociatat me BE-në për Grup-Kapitujt e Parë, që i përket sundimit të ligjit dhe arritjes së standarteve në këtë fushë, ndaj rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen si të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit europian.

voa