Kategoritë: Sport

Shqipëria arrin dhe medaljen e dytë në Olimpiadë, Dudaev triumfon në finalen e Bronzit

DudaevShqipëria ka arritur të fitojë dhe medaljen e dytë historike në Lojërat Olimpike, kësaj radhe me Islam Dudaev, i cili triumfoi në finalen e Bronzit për peshën deri në 65 kg.

Mundësi çeçen që përfaqëson ngjyrat kuqezi triumfoi në finale përballë mundësit rus që përfaqëson Hungarinë, Ismail Musukaev, me rezultatin e ngushtë 13-12.

Kjo është medalja e dytë historikë në Lojërat Olimpike për vendin tonë, sërish në mundje, pas asaj që arriti mbrëmjen e djeshme Chermen Valiev.

Kështu Shqipëria i mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme Lojërat e Parisit, duke u larguar me dy medalje si asnjëherë më parë.

Top Channel

Rusia përhap dezinformata për Parisin dhe boksieren Khelif për të minuar Lojërat Olimpike

Paris24Aktori në videon muzikore virale që denoncon Lojërat Olimpike të 2024-ës i ngjan shumë Presidentit francez Emmanuel Macron. Megjithatë, imazhet e minjve, plehrave dhe ujërave të zeza janë krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Videoja qe e portretizon Parisin si një vend me nivel të lartë krimi dhe tallet me Lojërat Olimpike u përhap me shpejtësi në platformat e mediave sociale si YouTube dhe X, me ndihmën e 30,000 mijë aplikacioneve autonome të mediave sociale të lidhura me një grup famëkeq dezinformimi rus, i cili edhe më parë e kishte vënë në shënjestër Francën. Brenda disa ditësh, me ndihmën e inteligjencës artificiale videoja u përkthye në 13 gjuhë të ndryshme.

“Paris, Paris, 1-2-3, shko dhe urino në lumin e Senës”, tallej një personazh i krijuar me inteligjencë artificiale, ndërsa aktori i rremë që i ngjante Presidentit Macron kërcente në sfond. Kjo duket se ishte një referencë për shqetësimet mbi cilësinë e ujit në lumin e Senës, ku po zhvillohen disa gara noti të Lojërave Olimpike.

Moska po e bën të ndjehet prania e saj në Lojërat Olimpike të Parisit përmes grupeve të lidhura me qeverinë ruse, që përdorin dezinformimin në internet dhe propagandën shtetërore për të përhapur pretendime, që synojnë të nxisin tensione dhe dhunë, si dhe për të sulmuar vendin mikpritës.

Vetëm një numër i vogël atletësh rusë është lejuar të garojë në Lojërat Olimpike në Paris me status neutral. Një reagim i tillë i Kremlinit ishte pothuajse i pritshëm, pas ndalimit të sportistëve rusë që të garojnë nën flamurin e vendit të tyre pas pushtimit të Ukrainës, thotë Gordon Crovitz, bashkëthemelues i “NewsGuard”, një firmë që analizon dezinformatat në internet. Kjo firmë ka gjurmuar dhjetëra shembuj të dezinformatave që kanë në shënjestër Lojërat Olimpike të Parisit, duke përfshirë videon e rreme muzikore.

Fushata e dezinformimit e Rusisë që ka në shënjestër Olimpiadën dallohet për aftësitë e saj teknike, thotë zoti Crovitz.

 

Ajo që është ndryshe tani është se ata janë ndoshta përdoruesit më të avancuar të modeleve të krijimit të përmbajtjeve keqdashëse me ndihmën e inteligjencës artificiale, përfshirë video të rreme, muzikë false dhe faqe interneti të rreme”, thotë ai.

Inteligjenca artificiale mund të përdoret për të krijuar fotografi, audio regjistrime dhe video inçizime, për të përkthyer tekste me shpejtësi dhe për të krijuar përmbajtje, që u përshtatet kulturave specifike, e që duken sikur të jenë krijuar nga një njeri. Puna dikur e lodhshme për të krijuar llogari të rreme në rrjetet sociale apo faqe të internetit dhe për të shkruar postime tani mund të bëhet më shpejt dhe më lirë.

Një video inçizim që po qarkullon këtë javë pretendon që Agjencia Qendrore amerikane e Zbulimit, CIA dhe Departamenti amerikan i Shtetit kanë paralajmëruar amerikanët të mos shfrytëzojnë metron e Parisit. Një paralajmërim i tillë nuk është bërë dhe autoritetet franceze më vonë konfirmuan se ky video inçizim u krijua nga një grup i lidhur me qeverinë ruse, që me gjasë përdori inteligjencën artificiale.

Gjatë fundjavës, rrjetet e dezinformimit të lidhura me Kremlinin shfrytëzuan përçarjet që u krijuan rreth boksieres me prejardhje algjeriane Imane Khelif, e cila u ballafaqua me pyetje të pabaza rreth gjinisë së saj. Sportistja Khelif është identifikuar si femër në momentin e lindjes, por pretendime të pabaza se kinse ajo është mashkull apo transgjinore dolën në sipërfaqe pasi një shoqatë kundërthënëse boksi me lidhje ruse deklaroi se ajo nuk e kishte kaluar testin e përshtatshmërisë para kampionatit botëror të boksit vitin e kaluar.

 

Rrjetet ruse amplifikuan debatin, që shpejt u bë ndër çështjet kryesore në internet. Mediat britanike, shkrimtarja J.K. Rowling dhe politikanët e së djathtës së skajshme si Donald Trump u bën pjesë e bujës. Në kulmin e saj javën e kaluar, çështja e boksieres pati dhjetëra mijëra postime brenda orës nga përdoruesit e rrjetit social X, sipas analizës së kompanisë ‘PeakMetrics’, që hulumton teoritë e shpërndara në internet.

Shoqata e boksit që i nisi këto pretendime – Shoqata Ndërkombëtare e Boksit – një organizatë që është ndaluar përgjithmonë nga pjesëmarrja në lojërat olimpike, udhëhiqet nga një drejtues rus, i cili është aleat i Presidentit rus Vladimir Putin dhe sponsorizuesi më i madh i saj është kompania shtetërore ruse Gazprom. Vendimi i saj për të diskualifikuar boksieren Khelif vitin e kaluar, pasi ajo mundi një boksiere ruse, është vënë po ashtu në dyshim.

Media shtetërore ruse ka shpërndarë lajme të rreme dhe përmbajtje mashtruese. Në vend që të mbulonin garat olimpike, shumica e njoftimeve të mediave ruse nga Parisi kanë të bëjnë me krimin, imigracionin, plehrat dhe ndotjen.

Një artikull në agjencinë e lajmeve “Sputnik” shkruante: “Lojërat e Parisit padyshim që po shkojnë ujë. Ja një ide. Mjaft ia dhatë organizimin e Lojërave Olimpike perëndimit të kalbur dhe me nivel të ulët moral”.

Rusia ka shfrytëzuar propagandën për të përçmuar Lojërat e mëparshme Olimpike, siç ka bërë Bashkimi Sovjetik kur i bojkotoi ato që u mbajtën në Los Anxhelos në vitin 1984. Në atë kohë, Moska shpërndau materiale tek zyrtarët e Lojërave Olimpike në Afrikë dhe Azi ku thuhej se atletët të cilët nuk i përkasin racës së bardhë do të sulmohen nga racistët në Shtetet e Bashkuara. Kjo u tha në një analizë të “Microsoft Threat Intelligence”, njësia brenda gjigantit teknologjik ‘Microsoft’ që studion individët me qëllime të këqija në internet.

Rusia ka kryer edhe sulme kibernetike ndaj Lojërave Olimpike të mëparshme.

“Nëse ata nuk mund të marrin pjesë, apo të fitojnë në këto lojëra, atëherë bëjnë përpjekje që t’i përçmojnë garat ndërkombëtare në mëndjet e pjesëmarrësve, spektatorëve dhe audiencës globale”, thonë analistët e kompanisë “Microsoft”.

Qeveria ruse nuk iu përgjigj të hënën kërkesës për një koment mbi këtë çështje.

Autoritetet në Francë kanë qenë në gjendje të lartë gatishmërie për sabotime të mundshme, sulme kibernetike apo lajme të rreme që vënë në shënjestër lojërat. Një burrë 40 vjeçar rus është arrestuar në Francë muajin e kaluar. Ndaj tij është ngritur akuzë se punon për një fuqi të huaj që ka për qëllim destabilizimin e vendit evropian para Lojërave Olimpike.

Vende të tjera, grupe kriminale dhe organizatat ekstremiste gjithashtu po keqpërdorin Lojërat Olimpike që të shpërndajnë lajmet e tyre të rreme. Çdo ngjarje me përmasa globale si Lojërat Olimpike apo fatkeqësi mjedisore apo edhe mbajtja e zgjedhjeve të rëndësishme, që tërheq vëmendjen e shumë njerëzve në internet, zakonisht krijon sasi të madhe lajmesh të rreme dhe mashtrime, thotë Mark Calandra, zëvendës kryetari i “CSC Digital Brand Services”, një firmë që vëzhgon aktivitetet mashtruese në internet.

Studiuesit e kësaj firme kanë vërejtur një rritje të madhe të regjistrimit të faqeve të internetit me emra jo të vërtetë, pak para fillimit të Lojërave Olimpike. Në shumë raste, janë regjistruar faqe interneti që ofrojnë përmbajtje të Lojërave Olimpike, apo që shesin materiale që kanë të bëjnë me këto lojëra.

Mirëpo, në të vërtetë ato janë krijuar për të mbledhur informacion mbi përdoruesit e faqes. Ndonjëherë është një mashtrues që kërkon të vjedhë të dhënat personale financiare. Në raste të tjera, faqet përdoren nga qeveritë e huaja për të mbledhur informacion mbi amerikanët ose si një mënyrë për të përhapur më shumë lajme të rreme.

“Individët e këqij i shfrytëzojnë këto ngjarje globale”, tha zoti Calandra. “Pavarësisht a janë ngjarje pozitive si Lojërat Olimpike apo më shumë shqetësuese, këta njerëz përdorin ndërgjegjen dhe interesin e shtuar të të gjithëve për t’i shfrytëzuar ato.”

voa

 

Olimpiada 2024: Ndizet flaka olimpike në Paris

paris2024Parada e anijeve në Senë, flaka olimpike nën një ballon, Lady Gaga dhe Celine Dion – Lojërat e 33 verore filluan me një festë spektakolare, të superlativave.

 

206 kombe në 85 anije, që me rreth 6.800 sportiste dhe sportistë nga 206 vendet pjesëmarrëse në komitetin Olimpik përshkuan rrugën gjashtë kilometra duke kaluar krah atraksioneve ikonike të Parisit si katedralja e sapo restauruar Notre-Dame, Louvre apo shehsi Place de la Concorde në drejtim të kullës Eiffel.

Pavarësisht shiut të vazhdueshëm rreth 320.000 spektatorët ndoqën plot entuziazëm spektaklin shumëngjyrësh. Spektakli me drita e muzikë u shoqërua nga performancat e artistëve: kërcimtarë, këngëtarë, akrobate që prezantuan shfaqjen e konceptuar nga regjisori francez i teatrit.

 

Gjatë garave olimpike organizatorët parashikojnë një numër mbi dhjetë milionë vizitorësh. Për zhvillimin e garave janë përcaktuar gjithsej 35 vende të ndryshme, garat kryesisht do të zhvillohen në Paris, por edhe disa disiplina të tjera në Lille, Marseille apo Lyon. Garat e sërfimit do të zhvillohen në Tahiti gati 10.000 maile larg Parisit. Në fund të garave olimpike verore në Paris nga 28 gushti deri më 8 shtator do të zhvillohen dhe Paralympics. Më 2028 olimpiada verore e radhës do të zhvillohet në. Ndërsa Lojërat Olimpike Dimërore 2030 do të zhvillohen po në Francë.

dw

Kuriozitete që mbase nuk i dinit mbi Lojërat Olimpike

Lojrat Olimpike

Edicioni i 33-të i Lojërave Olimpike do të nis zyrtarisht  siparin në orën 19:30 minuta, me ceremoninë e hapjes në Paris që do të zgjasë 4 orë,  një veprimtari që do të bëjë bashkë 10. 500 sportistë nga e gjithë bota. Rtsh-sport do të transmetojë ngjarjen e madhe , festimet e së cilës nuk zhvillohen si gjithnjë në stadium, por do të jenë  160 varka me të cilët sportistët pjesëmarrës do të lundrojnë nëpër lumin Senë.

Lojërat Olimpike moderne ose Olimpiada janë një ngjarje sportive ndërkombëtare e sporteve verore dhe dimërore në të cilat mijëra atletë nga e gjithë bota marrin pjesë në një larmi garash. Lojërat Olimpike konsiderohen garat më të mëdha sportive në botë me më shumë se 200 vende pjesëmarrëse. Lojërat Olimpike mbahen çdo katër vjet, me Lojërat Verore dhe Lojërat Dimërore të alternuara çdo katër vjet, me nga dy vjet larg njëra tjetrës.
Lojërat olimpike antike
Lojërat olimpike antike fillimisht ishin një festival ose festë për nder të Zeusit ndërsa aktivitetet si gara në ecje, vrapim dhe ndeshjet e mundjes u shtuan më vonë. Lojërat Olimpike Antike u mbajtën për nder të Zeusit, e ku grekët u dhanë atyre një origjinë mitologjike . Olimpiada e parë datohet tradicionalisht në 776 para Krishtit. Ato vazhduan të festoheshin edhe kur Greqia ra nën sundimin Romak. Lojërat (olimpiadat) mbaheshin çdo katër vjet, duke u bërë një njësi e kohës në kronologjitë historike. Lojërat olimpike përbënin manifestimin me madhështor te grekeve te lashte.
Lojërat Olimpike moderne
Lojërave Olimpike moderne u frymëzua nga Lojërat Olimpike Antike, të cilat mbaheshin në Olimp, të Greqisë, nga shekulli VIII p.e.s. deri në shekullin e IV të erës sonë. Baroni Pierre de Coubertin si themelues i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në vitin 1894, njëkohësisht bëri edhe rifillimin e organizimit të lojërave të para moderne olimpike në Athinë në vitin 1896.
Zjarri Olimpik
Sipas mitit grek, zjarri iu dha njerëzimit nga Prometeu, që e mori nga Perënditë për të ndihmuar në përparimin e njerëzimit. Zjarri ishte diçka e shenjtë dhe hyjnore, ndaj ai vazhdonte të digjej gjatë gjithë Olimpiadës, si një mënyrë për ta vlerësuar atë histori.
Flakët vazhdonin të digjeshin në altarët e perëndeshave Hestia dhe Hera dhe perëndisë Zeus. Në kohët moderne, këto altarë nuk ekzistojnë më, por tradita e flakës olimpike ka mbijetuar. Ajo mund të mos i referohet më drejtpërdrejt mitit të vjetër të Prometeut, por gjithsesi lidh së bashku të kaluarën dhe të tashmen.
rtsh

Për tri javë Parisi në frymën e Lojërave Olimpike 2024

Paris olimpijada

Lojërat Olimpike të verës 2024. Ne i japim përgjigje pyetjeve më të rëndësishme: Cilat janë llojet e reja të sportit që marrin pjesë? Sa kushton një biletë? Dhe sa të sigurta janë lojërat? Sa sportistë marrin pjesë?

 

Rreth 10.500 atlete dhe atletë nga 206 kombe të ndryshme marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Francë. Për 19 ditë me radhë nga 26 korriku deri 11 gusht, ata garojnë në 32 lloje të ndryshme sporti për të marrë një vend në shkallëzën me tre shkallë. Gjithësej jepen 329 medalje të arta.

 

Mes yjeve të mëdhenj të lojërave të verës numërohet gjimnasten amerikane, Simone Byles. Fituesja e katër lojërave olimpike u desh të luftonte me problemet psiqike në Lojërat e Tokios, katër vjet më parë. Në atletikën e lehtë, ylli kenian i maratonës Eliud Kipchoge do të marrë për herë të parë në histori, medaljen e tretë të artë, njërën pas tjetrës.

Yjet kryesore 

Sytë e botës së sportit do të përqëndrohen tek ekipi amerikan i basketbollit. Elita botërore e basketbollit do të shkojë në Paris me LeBron James, Stephen Curry dhe Kevin Durant. Kurse futbollisti Kylian Mbappé nuk merr pjesë. Superstari francez nuk ka marrë lejen nga klubi i ri ku merr pjesë, Reali i Madridit.

Atletët e veçantë rusë dhe belarusë do të futen në garim vetëm me flamur neutral. Himnet kombëtare të tyre nuk do të luhen dhe ata nuk lejohet të tregojnë simbole kombëtare, ekipet nga të dy këto vende janë përjashtuar komplet nga lojërat. Përveç kësaj është vendosur si kusht që pjesëmarrësit të mos kenë asnjë lloj lidhjeje me ushtrinë ruse apo organet e sigurimit. Arsyeja ka të bëjë me luftën ruse në Ukrainë.

Sa spektatorë pritet të ketë? A ka më bileta?

Organizatorët presin që të ketë 15 milionë vizitorë. Megjithatë në bursat zyrtare të biletave të Lojërave Olimpike në Paris ka ende bileta për aktivitete të cakuara. Me çmimin 15 euro, biletat e futbollit janë biletat më të lira. Biletat për vaterpolo ose kajak-sllallom janë për shembull 24 euro.

Kush do që të shohë aktivitete të preferuara si not apo gjimnastikë duhet të paguajë shumë më tepër se 100 euro. Për këto aktivitete ka ende bileta vetëm për klasat e çmimeve të shtrenjta. Aktiviteti më i shtrenjtë është ceremonia e hapjes, ku bileta më e lirë kushton aktualisht 500 euro (data 16 korrik).

Ku zhvillohen garat?

Ka 35 vende, disa prej të cilave nuk janë në Paris. Kështu për shembull pentatloni modern dhe garat me kuaj do të zhvillohen para Kështjellës së Versajës. Futbolli do të luhet në stadiumet e gjithë vendit, hendbolli do të luhet në Lilë.

Surfistët i fillojnë garat madje jashtë kufijve të shtetit francez, në Tahiti, ishullin më të madh të Peloponezit francez.

Por pjesa më e madhe e sportistëve garon në qendër të kryeqytetit francez. Gëzim të madh duhet të kenë vojlebollistët e rërës, sepse luajnë me shikim nga Kulla Eifel.

Festimet e hapjes nuk do të zhvillohen si gjithnjë në stadium, por do të lëvizin nëpër Paris duke udhëtuar me 160 varka me të cilët sportistet dhe sportistët do të lundrojnë nëpër Senë.

Ende nuk është e sigurt nëse garat në ujë dhe noti në trialon do të zhvillohet sipas planeve në Senë. Arsyeja është se uji i Senës ka qenë për një kohë të gjatë i infektuar me patogjenë. Dy javë para fillimit të lojërave qyteti i Parisit dha paralajmërimin e bërë me kujdes. “Në 10 ose 11″ ditët e 12 ditëve të fundit, uji ka qenë i pastër sa duhet, për të zhvilluar garat e notit, tha një zëdhënës i qytetit.

Cilat sporte marrin pjesë për herë të parë?

Një herë në katër vjet lloje të reja sportesh bëhen sporte olimpike. Në Lojërat e fundit verore të Tokios, morrën pjesë për herë të parë skateboarding, ngjitjet sportive ose basketbolli tre me tre.

Në Paris, merr pjesë për herë të parë “Breaking”, i njohur edhe si breakdance. Atletet dhe atletët futen në një betejë kërcimi dhe improvizojnë me një muzikë dhe koreografi që nuk e kanë njohur më parë. Një zhuri vendos kush fiton.

Në shumë lloje sporti janë bërë ndryshime të vogla. Kështu për shembull do të ketë një garë të re në Kajak Cross. Tifozët e karatesë, bejsbollit, softbollit do të mërziten, sepse këtyre sporteve u është vënë viza. Edhe ecja 50 kilometrëshe nuk do të zhvillohet më.

Sa të sigurta janë Lojërat?

Dhjetra mijëra punonjës të policisë dhe ushtrisë do të jenë në punë çdo ditë për të siguruar Lojërat. Këtyre u shtohen forcat private të sigurisë. Për të patur personelin e mjaftueshëm, qeveria e shkurtoi specilizimin e tyre duke e bërë 3 javë, futi shpërblime për personelin dhe specializoi për Lojërat, personel nga sektorë të tjerë.

Vizitorët dhe banorët do të kenë nevojë për Kodin QR, për të kapërcyer kontrollet e policisë. Qarkullimi do të kufizohet, stacione të caktuara të metrosë do të bllokohen krejt.

Në punë do të vihen edhe sisteme kamerash të drejtuara me Inteligjencë Artificiale (IA). Ato do të dallojnë lëvizje të pazakonshme të masave të njerëzve apo armëve. Ky program nuk do të përdoret për njohjen e fytyrës.

Aktivitetet e mëdha siç janë Lojërat Olimpike janë objektiva të mundshëm sulmet terroriste. Me sulmin kundër Charlie Hebdo ose atë në Bataclan, Franca është një nga vendet që ka qenë disa herë objektiv sulmesh terroriste.

Për festimet e hapjes, që janë me rrezik të madh, qeveria uli kontigjentin e spektatorëve. Për një kohë të gjatë u mendua zhvendosja e tyre në një vend tjetër. Por aktualisht duket se festimet do të zhvillohen në Senë.

Sa prezervativë ka për sportistët?

Mbas ndalimit të marrëdhënieve intimite në Tokio, për shkak të COVID-19, sportistet dhe sportistët do të lejohen të kenë seks në Paris. 300.000 prezevativë janë vënë në dispozicion në Fshatin Olimpik, rezidencën e 9 mijë sportistëve aktivë. Megjithatë atje nuk do të ketë alkool. Por mbase bufeja me ushqime, 350 metra e gjatë do të mjaftojë për të ngushëlluar sportistet dhe sportistët.

dw

Lojërat Olimpike “Paris 2024”, delegacioni shqiptar niset drejt Francës

lojrat olimpike parisSkuadra olimpike Shqiptare  është nisur drejt Paris aty ku do të mbahen Lojërat Verore Olimpike. 8 sportistë që do të përfaqësojnë Shqipërinë  në këto lojëra u nisën nga Rinasi, të shoqëruar nga kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, i cili ndau për mikrofonin e RTSH-së emocionet e nisjes.

Nuk ka emocion më të bukur se të përfaqësosh vendin tënd dhe shpresoj që Shqipëria me këtë delegacion që jemi sot këtu, na mungon Luiza Gega pasi do të vij pas 3 ditësh, kemi ëndrrën e parë që Shqipërisë ti sjellim të parën medalje olimpike me të gjithë këta kampion që ne të kemi mundësi të përfaqësojmë dhe me dinjitet, me uniforma por mbi të gjitha me rezultat”, u shpreh për RTSH-në kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli.

Po kaq optimist janë edhe sportistët të cilët presin medaljen nga këto lojëra.

“Jam shumë e emocionuar që do të mbaj flamurin, është një nder shumë i madh dhe falënderoj shumë Komitetin Olimpik që më dha këtë mundësi”, u shpreh notarja Kaltra Meça.

Djemtë tanë janë përgatitur, fatmirësisht shkojmë me 3 djem jo vetëm për medalje por djemtë synojnë më të mirën që është dhe medalja e arit. Për sa kohë kemi shpresë dhe ëndërrojmë ne mbetemi pozitiv që këtë herë Shqipëria do ja dalim”, u shpreh Presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni, në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Skuadra Shoqërohet nga Kryeministri Edi Rama, i cili do të ndjek nga afër  ceremoninë  e hapjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024” që do të mbahen nga 26 korriku deri më 11 gusht, ndërsa Lojërat Para olimpike “Paris 2024” do të zhvillohen nga 28 gushti deri më 8 shtator.

rtsh

Spanja finaliste e EURO 2024, eliminon Francën

Mbappe YamalSpanja është finalistja e parë e Kampionatit Evropian.

Spanja në gjysëmfinale shënoi fitore ndaj Francës, me rezultat 2-1, ndeshje e cila u zhvillua në stadiumin ”Allianz Arena” në Munich.

Franca ishte e para që kaloi në epërsi me golin e Kolo Muanit, në minutën e 9-të.

Lamine Yamal me një supergol në minutën e 21-të, brazoi shifrat në 1-1.

Yamal, në moshën 16 vjeç e 362 ditë, u bë golashënuesi më i ri në historinë e Kampionatit Evropian.

Katër minuta më vonë, Dani Olmo i dha epërsinë Spanjës, gol ky i cili ishte vendimtar që skuadra e De La Fuente të prekte finalen.

Spanja në finale e pret fituesin e ndeshjes Holandë-Angli, e cila zhvillohet sonte me 10 korrik, në ora 21:00.

EURO 2024: 100 ditë nga fillimi i Kampionatit Evropian

Euro 2024Brenda 100 ditësh nis në Gjermani KE i futbollit. Ndër pjesëmarrësit është edhe Shqipëria. Po çfarë presin gjermanët?

 

Cilat skuadra do të marrin pjesë në kampionat?

Nga e mërkura (6 mars) kanë mbetur edhe 100 ditë nga fillimi i Kampionatit Evropian në futboll. Tani dihen emrat e 21 nga 24 skuadrat që do të marrin pjesë në turneun e Gjermanisë. Nikoqiri është i kualifikuar automatikisht. Ndërsa 20 ekipe të tjera fituan të drejtën e paraqitjes në garë pas ndeshjeve në grupe. Së shpejti, pas playoffs, do të dihen emrat edhe të ekipeve të tjera pjesëmarrëse. Për tre vendet e mbetura do të garojnë 12 ekipe: Polonia, Estonia, Uellsi, Finlanda, Bosnjë-Hercegovina, Izraeli, Islanda, Ukraina, Gjeorgjia, Luksemburgu, Greqia dhe Kazakistani. Në fund të marsit do të luhen tre mini-turne ku do të vendoset, se cilat skuadra do të kualifikohen në EURO 2024.

 

Si duket formati i KE?

KombetarjaFormati i Kampionatit Evropian 2024 është identik me Kampionatin e vitit 2020. Skuadrat do të ndahen në gjashtë grupe (nga katër kombëtare). Dy skuadrat e para nga grupet dhe katër skuadrat më të mira në vendin e tretë kualifikohen në raundin e 16-tës. Ndeshjet do të luhen në dhjetë stadiume në Gjermani. Ndeshjet fillojnë në orën 15:00, 18:00 dhe 21:00, sipas kohës në Gjermani. Turneu hapet me ngeshjen Gjermani-Skoci, më 14 qershor në Mynih. Finalja luhet saktësisht një muaj më vonë në stadiumin olimpik të Berlinit.

 

Çfarë shanse ka “Elfi” gjerman?

Në renditjen aktuale të FIFA-s, kombëtarja gjermane e futbollit është në vendin e 16-të, që është një rezultat i dobët për këtë ekip. Renditja kaq e dobët është rezultat i disa viteve të pasuksesshme të fundit, domethënë rezultateve të dobëta të ekipit gjerman në kohën e trajnerëve Joachim Löw dhe Hansi Flick. Midis 2006 dhe 2016, Gjermania ishte në mesin e katër skuadrave më të mira në çdo kampionat evropian apo botëror. Përfshirë këtu edhe triumfin e madh të vitit 2014 – kur “Elf” gjerman (njëmbëdhjetëshja gjermane) fitoi titullin e kampionit botëror. Kjo u pasua nga një rënie e madhe. Në Kampionatin Evropian 2020, Gjermania u mund në fazën e 16-tës (nga Anglia). Edhe në Kupat e Botës 2018 dhe 2022 pati një dështim total të ekipit gjerman, sepse gjermanët u eliminuan nga këto dy turne pas fazës së garave në grupe.

Trajneri i ri Julian Nagelsmann është zgjedhur në këtë post në shtatorin e kaluar. Ai pati me ekipin një fazë të shkurtër euforie. Por, ish-trajneri i Bayernit ka shënuar ndërkohë një rekord negativ në katër paraqitjet e tij të para – një fitore kundër SHBA-së, një barazim kundër Meksikës dhe dy humbje kundër Turqisë dhe Austrisë. Skuadra gjermane ka lojtarë jashtëzakonisht cilësorë, për këtë nuk ka dyshim. Por disa nga shtyllat kryesore të ekipit, si Joshua Kimmich apo Leon Goretzka, nuk janë në formë të mirë. Tifozët shpresojnë që rikthimi i Toni Kroos në kombëtare do të ndihmojë në stabilizimin e skuadrës gjermane.

Trajneri Nagelsmann thotë se problemi kryesor i skuadrës është mentaliteti. “Ne prej vitesh po shohim se Gjermania ka pasur dështime. Më në fund duhet të fillojmë të punojmë për futbollin.” Lojtarët e kombëtares gjermane së shpejti do të kenë mundësinë të dëshmohen: Më 23 mars do të zhvillohet ndeshja miqësore kundër Francës, e tre ditë më vonë kundër Holandës.

 

Cili është disponimi në Gjermani përpara turneut?

Pavarësisht rezultateve zhgënjyese në paraqitjet e fundit, ka shumë shpresë se EURO 2024 mund të jetë një ekstravagancë futbolli e ngjashme me Kupën e Botës 2006 në Gjermani. Drejtori i turneut Philipp Lahm deklaroi në një intervistë për DW: “Lojtarët duhet të identifikohen me kombëtaren, duhet të demonstrojnë afërsi me tifozët, duhet të tregojnë pasion për fanellën e Gjermanisë. Kjo është detyra e tyre kryesore”. Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, beson se “skuadra kombëtare do të kënaqë tifozët e saj në EURO 2024”.

Por drejtori sportiv i DFB-së, Rudi Völler, në shtator të vitit të kaluar tha se ka shumë vend për përmirësim në lidhje me qëndrimin e gjermanëve ndaj turneut, veçanërisht në disa qarqe politike. “Shumë nuk e kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është EURO 2024, që është i ngjashëm me KB 2006 – përrallën tonë verore,” kritikoi Völler në një intervistë për revistën Stern. “Ne kemi një turne në mes të Evropës, çdo stadium do të jetë plot, Gjermania mund të paraqitet si një vend i hapur, mikpritës. E për të pasur sukses, duhet të përfshihet edhe politika.”

 

A është e garantuar siguria?

EURO 2024 në Gjermani do të mbahet në një kohë shumë të rëndë politike. Kjo është arsyeja pse presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin pranoi në një intervistë për gazetën angleze Telegraph se “siguria është shqetësimi më i madh” për të. Slloveni është takuar ndërkohë dy herë me ministren federale të Brendshme, Nancy Faeser me të cilën ka biseduar për sigurinë. Ai thotë se autoritetet gjermane janë “shumë të vendosura për të na ndihmuar” dhe shtoi se “çdo gjë do të jetë në rregull”.

Koncepti i sigurisë për turneun u prezantua në janar dhe është mbështetur gjerësisht. Sekretarja e shtetit në ministrinë e Brendshme, Juliane Seifert, tha për agjencinë e lajmeve, dpa se çështja e sigurisë “do të jetë një prioritet për ministrinë dhe për qeverinë federale”. “Është e qartë se po jetojmë në kohë shumë sfiduese, veçanërisht për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ose për shkak të luftës në Rripin e Gazës, si dhe për shkak të sfidave të reja, për shembull, sulmeve kibernetike.

Në DFB janë shumë më të relaksuar: “Uroj që ky KE të ketë efekt pozitiv sidomos në mendjen e njerëzve”, tha drejtori Andreas Rettig. “Sa i përket sigurisë, mund t’u them të gjithëve se askush nuk duhet të shqetësohet për këtë.” Megjithatë, kualifikimi i mundshëm i Izraelit ose Ukrainës në EURO 2024 mund të rezultojë me intensifikimin e dukshëm të masave të sigurisë në Gjermani.

dw