Kam pasur ofertë edhe nga PDK edhe nga LDK për të qenë pjesë e tyre
Marrëveshjet e Brukselit do të bëhen të pavlefshme kur Vetëvendosja të vijë në pushtet
Oliver Ivanoviqi u arrestua vetëm pasi u bë opozitë e Daçiçit – Ndryshe nga Thaçi, jemi partnerë dhe jo servilë të ndërkombëtarëve
Lexoni intervistën ku Albin Kurti përshkruan jetën e tij politike që prej daljes nga burguMarrëveshjet e Brukselit bëhen të pavlefshme me Vetëvendosjen në pushtet
Udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, flet për gazetën “Illyria”: “Kam pasur ofertë edhe nga PDK edhe nga LDK për të qenë pjesë e tyre” – “Oliver Ivanoviqi u arrestua vetëm pasi u bë opozitë e Daçiçit”
Intervistoi: Bekim Salihu
“Illyria” – z.Kurti – Pas daljes tuaj nga burgu, a keni pasur ofertë nga PDK apo LDK që të inkuadroheni në radhët e këtyre partive?
Kurti: Mirë e thatë, ofertë. Pra, përbrenda logjikës së biznesit ofertë-kërkesë, sepse ashtu kanë qenë këto parti prej fillimit. Po, ka pasur oferta nga parti politike që të bëhem pjesë e tyre.
“Illyria” – Kush ju ka kontaktuar nga këto parti dhe cila ka qenë oferta e tyre?
Kurti: Teksa vinin të më vizitonin njerëzit kur dola nga burgu në dhjetorin e vitin 2001 dhe janarin e vitit 2002, në mesin e tyre kishte edhe shumë zyrtarë të lartë të të gjitha partive, dhe, kush në mënyrë më direkte e kush në mënyrë më indirekte donin që të më bënin anëtarë të atyre partive. Atëbotë të gjitha e donin emrin tim, pa mendimin tim dhe pa qëndrimet e mia. Në fakt, ato kishin të drejtë, sepse atje njëmend mbetesh vetëm emër, pa mendim e pa qëndrim.
“Illyria” – A keni pritur pas daljes tuaj nga burgu që do të gjendeni në pozitën e konfrontimit politik me partitë e atëhershme që edhe aktualisht janë në skenë?
Kurti: Nga vizitat familjare që kishin të burgosurit e tjerë, nga një radio që e mbanim ilegalisht, nga gazetat e Kosovës me të cilat mbështjellnin gjësendet ushqimore nënat e gratë e të burgosurve shqiptarë kur dërgonin paketat, e kam ditur bukur mirë se kush janë e çfarë bëjnë partitë politike të pasluftës. Kur kësaj i shtohet fakti që pas daljes nga burgu nisa të informohem plotësisht edhe nga mediet edhe nga miqtë e afërm, u bë e qartë se nuk do të pajohesha me këto parti politike. Tash, sa i përket konfrontimit me ta nuk mund të them se e kisha parashikuar atëherë, por mospajtimi e pakënaqësia ime me ta ishte gjithsesi aty.
“Illyria” – Fillimisht jeni angazhuar në lëvizjen e KAN, organizatë kjo që i ka takuar spektrit të shoqërisë civile dhe nga kjo organizatë është krijuar apo formuar lëvizja ‘Vetëvendosje’. Edhe KAN-i pati protestuar kundër politikave të atëhershme të UNMIK-ut. Me formimin e ‘Vetëvendosjes’ keni protestuar dhe kërkuar largimin e UNMIK-ut nga Kosova , njësoj siç kërkesa e ‘Vetëvendosjes’ ka qenë dhe mbetet largimi i EULEX-it nga Kosova, pra keni kërkuar largimin e misioneve ndërkombëtare nga Kosova, por asnjëherë nuk keni kërkuar largimin e KFOR-it i cili po ashtu është mision ndërkombëtar. A do të thotë kjo që ekziston një oportunizëm politik brenda konceptit politik të ‘Vetëvendosjes’?
Kurti: Ne e kemi kritikuar edhe KFOR-in, prej bazës së tij që vjen nga Marrëveshja e Kumanovës me gjeneralët serbë të ushtrisë jugosllave të Milosheviqit, te tolerimi i vrasjeve dhe dëbimit të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës në shkurt të vitit 2000, të shtypja sistematike e TMK-së, e deri te rastet e fundit siç është ai i lejimit të vazhdueshëm të barrikadës në urën mbi lumin Ibër. Janë të panumërta shkrimet e mia, por edhe intervistat e deklarimet e aktivistëve të Vetëvendosjes për këtë çështje.
Po ua përmend disa prej titujve të shkrimeve të mia shumë kritike ndaj KFOR-it: Industria e paqes, Intervenimi, Kthimi të populli, Marrëveshja që s’është me Kosovën, Marrëveshjet legalizuese të KFOR-it, Në cilën anë të pushkës?, Një ditë më herët…, Poshtë e më poshtë, Siguri pa mbrojtje?, Protektorati, Suksesi i pajtueshmërisë (me KFOR-in) për negociata (me Serbinë), U-shtrinë etj.
Natyrisht që UNMIK-un e kemi kritikuar e kundërshtuar shumë më tepër sepse ai e kishte edhe fajin më të madh si regjim politik e institucional me karakter autoritar e me tipare neokolonialiste. Pas shpalljes së pavarësisë, përafërsisht ajo që ishte OKB u bë BE dhe ajo që ishte UNMIK u bë EULEX. Paradigma mbeti e njëjtë, menaxhimi i krizës, që kësisoj, përjetësohet si e tillë. Ndërkaq KFOR-i u zvogëlua shumë në numër, por mbeti i pandryshueshëm në themel e mision.
Ne nuk jemi kundër pranisë së faktorëve ndërkombëtarë, por jemi kundër karakterit të pranive të tilla të cilat kanë kompetenca ekzekutive mbi institucionet e Kosovës, nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, personeli i tyre së bashku me familje janë imunë ndaj ligjit, nuk i japin llogari as institucioneve dhe as popullit të Kosovës, dhe mirëmbajnë paqe pa drejtësi, stabilitet pa zhvillim dhe siguri pa demokraci.
Ne mendojmë që Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet, pra që FSK-ja të shndërrohet në ushtri. NATO-ja është e mirëseardhur në Kosovë, mirëpo kjo prani duhet të bazohet në një marrëveshje të re mes institucioneve sovrane të Kosovës dhe NATO-së, marrëveshje e cila bëhet edhe me shtetet tjera në të cilat janë forcat e NATO-së, e cila njihet si Marrëveshja për Statusin e Forcave (Status of Forces Agreement, SOFA). Shumë politikanë të Kosovës mashtrojnë teksa thonë se Kosova ka partneritet me NATO-n. Pa ushtri Kosova nuk mund të ketë partneritet të vërtetë me NATO-n.
“Illyria” – z.Kurti ekziston një bindje që Vetëvendosja nuk ka raporte të mira me qarqet ndërkombëtare. Si janë këto raporte në të vërtetë?
Kurti: Lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk ka raporte të mira me ndërkombëtarët trumbetohet më së shumti nga vendorët që janë të afërt me qeverinë.
Kjo bindje është e gabueshme dhe ajo krijohet ngaqë lëvizja nuk ka raporte serviliteti me këto qarqe, por ndërton marrëdhënie partneriteti.
Ne kemi marrëdhënie korrekte dhe të qëndrueshme bashkëpunimi me faktorët e ndryshëm ndërkombëtarë, të cilat realizohen edhe me anë të vizitave të zyrtarëve ndërkombëtarë tek ne edhe me vizitat tona në qendrat ndërkombëtare.
Unë sapo jam kthyer nga një vizitë e suksesshme në Bruksel, me ç’rast kam zhvilluar takime përmbajtjesore dhe shumë frytdhënëse me zyrtarë të Parlamentin Evropian, të Komisionit Evropian, si dhe me zyrtarë të shtetit të Belgjikës.
“Illyria” – z.Kurti a jeni i bindur që institucionet e Kosovës kanë guxim, vullnet dhe kapacitet për ta luftuar krimin dhe korrupsionin pa misionin e EULEX-it?
Kurti: Institucionet e Kosovës e kanë kapacitetin dhe mundësitë për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, por këto institucione janë të uzurpuara nga vetë kriminelët. Hajnat me pushtet nuk e arrestojnë njëri-tjetrin. Dhe, hajnat janë në pushtet, sepse EULEX-it kjo gjë nuk i prish punë dhe nuk i pengon, por i konvenon. Duke i pas hajnat në pushtet, EULEX-i krijon dosje për ta me të cilat i shantazhon dhe bën të varur. Ky është rrethi vicioz që sundon në Kosovë.
“Illyria” – Cili është vlerësimi juaj për punën e EULEX-it, veçmas pas aksioneve të fundit në veri dhe këtyre në Prishtinë?
Kurti: Veprimtaria e Oliver Ivanoviqit dihet edhe gjatë luftës e edhe pas luftës. Ka shumë informata e të dhëna, dëshmi e dëshmitarë për rolin dhe veprimet e tij në shërbim të Serbisë dhe politikave antishqiptare e fushatave kriminale të saj. Mirëpo, përkundër që i kishin informatat, EULEX-i e arrestoi atë tani, kur ai i pengonte Listës Serbe të krijuar nga Daçiqi. Kjo e ilustron më së miri strategjinë e misionit të EULEX-it në Kosovë.
“Illyria” – z.Kurti njëri ndër pikat kryesore të programit të juaj politik është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Si konsideroni që mund të realizohet kjo?
Kurti: Bashkimi Kombëtar është realizim i të drejtës për vetëvendosje të jashtme të popullit të Kosovës, e mohuar me nenin 1.3 të Kushtetutës së Kosovës. Çdo shtet sovran ka të drejtë ta delegojë atë sovranitet dhe të bashkohet me një shtet tjetër. Populli shqiptar është ndarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, për ta ruajtur paqen në Evropë. Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe popullit shqiptar duhet t’i jepet mundësia që të deklarohet me referendum në të dy anët e kufirit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ndarja nga Shqipëria ishte e dhunshme dhe jodemokratike. Ne duam bashkim paqësor dhe demokratik me Shqipërinë. Ky jo vetëm që është vullneti që duhet të bëhet e drejtë e jona, por njëkohësisht parqet edhe interesin tonë ekonomik e të sigurisë.
“Illyria” – Si e vlerësoni takimin e dy qeverive në Prizren. A është hapur rruga e bashkimit nga ky takim i Prizrenit?
Kurti: Pa dyshim që të gjithë shqiptarët jo vetëm të këtyre dy vendeve i gëzohen shumë takimeve të këtilla. Mirëpo, thelbi është te puna e përbashkët e jo vetëm te takimet e ndërsjella, te zbatimet e marrëveshjeve e jo vetëm te akti ceremonial i nënshkrimit të tyre.
Lëvizja Vetëvendosje i ka dy premisa shumë të rëndësishme. Njëra sa i përket çështjes së integrimeve dhe bashkimit, kurse tjetra sa i përket bashkimit kombëtar dhe atij evropian. Kështu, premisa e parë thotë që hapat integrues ndërmjet Kosovës e Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi nuk duhet të jenë zëvendësim për bashkimin kombëtar shqiptar por pikërisht hapa drejt atij bashkimi në një shtet. Dhe, premisa e dytë thotë që bashkimi kombëtar nuk është në kundërshtim me bashkimin evropian, por as nuk zëvendësohet prej tij. Në BE bashkohemi me shtetet e kombet e tjera, këtu në Ballkan bashkohet kombi ynë në një shtet.
“Illyria” – z.Kurti, por në Prizren është nënshkruar një dokument i quajtur ‘Partneriteti strategjik’ i cili parasheh që Kosova dhe Shqipëria do t’i përafrojnë dhe bashkërendojnë politikat në sferën e kulturës, arsimit, tregtisë, energjisë, ekonomisë, madje edhe të diplomacisë dhe sigurisë. A nuk do të thotë kjo parapërgatitje për bashkim?
Kurti: Ky dokument u quajt ‘partneritet strategjik’. Por, interesi strategjik i shqiptarëve është forcimi i sovranitetit të Kosovës dhe kundërshtimi i ndarjes etnike të republikës sonë. Kurse negociatat me Serbinë e kanë shtyrë Kosovën edhe më thellë drejt ndarjeve etnike institucionale e territoriale. Ne kemi nevojë që dy qeveritë tona ta rikonceptojnë projektin e tyre politik mbi atë që është interesi ynë i gjithëmbarshëm kombëtar shqiptar. Na duhet një unifikim i politikave të mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë, arsimit, kulturës, e kështu me radhë. Në rrafshin e ligjeve dhe vendimeve ne kemi nevojë për një acquis communautaire kombëtar para se të hyjmë në BE. Dhe kështu pa ndërprerje deri në momentin kur bashkimi faktik kombëtar në rrafshin institucional të bëhet një fakt i kryer. Mirëpo, kryeministri i Kosovës e takon e merret vesh pakrahasimisht më shumë me kryeministrin e Serbisë sesa me atë të Shqipërisë, apo jo?
“Illyria” – Por, takimi i radhës i dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë është paraparë të mbahet në qytetin e Vlorës. A konsideroni që përzgjedhja e qyteteve për t’u takuar nuk përmban në veti një lloj mesazhi?
Kurti: E vërteta e mbledhjes së parë do të jetë mbledhja e dytë, atëherë kur do të shohim se çka u bë e u realizua midis dy takimesh dhe a po zhvillohemi përmbajtësish bashkë si komb apo vetëm sa po takohemi formalisht si politikanë. Simbolika e takimeve në qytete historike nuk do të thotë asgjë, pa realizim të projekteve konkrete. Vetëm atëherë mesazhi do të jetë i plotë.
“Illyria” – z.Kurti, çfarë ka bërë mirë qeverisja Thaçi gjatë këtyre 7 viteve?
Kurti: Faktikisht asgjë. Kjo qeverisje e ka shpallur pavarësinë në bazë të Planit të Ahtisaarit e jo në bazë të vullnetit të popullit për pavarësi dhe vetëvendosje, i ka kontrabanduar ca simbole të imponuara si shtetërore, dhe gjatë gjithë qeverisjes e ka degraduar Kosovën politikisht, ekonomikisht dhe territorialisht, me koncesione ndaj Serbisë në procesin e negociatave të dëmshme dhe me procesin e privatizimit të egër neoliberal ku janë shitur asetet jo vetëm shoqërore por edhe publike të Kosovës.
“Illyria” – z.Kurti, është i qartë qëndrimi juaj dhe i ‘Vetëvendosjes’ ndaj bisedimeve dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Çka do të bëni me marrëveshjet e Brukselit, nëse vini në pushtet?
Kurti: Lëvizja Vetëvendosje i ka kundërshtuar parimisht e kategorikisht këto marrëveshje, qoftë brenda apo jashtë institucioneve. Me Vetëvendosjen në pushtet do të kërkohet nga Kuvendi që këto marrëveshje të shpallen të pavlefshme. Ato janë antikombëtare dhe antihistorike, antidemokratike dhe antikushtetuese. Ne do të punojmë për shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës dhe funksionalizimin e Republikës në të gjitha aspektet e saj.
“Illyria” – z.Kurti, problemet në veri të Kosovës duhet zgjedhur me forcë apo me negociata?
Kurti: Problemi i veriut rregullohet me shtrirjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj, pra edhe në veri.
Vetëvendosja që nga viti 2008 e ka hartuar një plan 13 pikësh për integrimin e veriut, të cilin e ka ritheksuar përsëri pas dështimit të intervenimit të forcave speciale të Policisë së Kosovës në korrik të vitit 2011. Në këtë plan parashihet që në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje, të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë, reciprocitet e simetri të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Serbi, jo para e privilegje, por zhvillim arsimor e ekonomik dhe barazi para ligjit.
Gjithashtu, rivitalizimi i Trepçës dhe funksionalizimi i saj do të rezultonte me punësimin e rreth mijëra vetave, pastaj duhet të ofrohen bursa për shqiptarët dhe serbët nga veriu për në shkollat e mesme dhe UP, duhet të ketë investime në spitalin e Prishtinës dhe atë të Mitrovicës në mënyrë që aty të ofrohen shërbime më të mira etj.etj. Pra, këta hapa janë të dyllojshëm: të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe ekonomik e socio-kulturor. Mirëpo, janë dy hapa paraprakë nëpërmjet të cilëve ne do ta çonim Serbinë në defansivë: duke ndërprerë dialogun me të që asaj i nevojitet si peshkut uji për integrime evropiane; dhe, duke mos lejuar mallrat e Serbisë në Kosovë që na kanë vërshuar neve dhe e kanë pasuruar Serbinë.
“Illyria” – z.Kurti, të ndalemi edhe pak këtu, krijimi i problemit të Mitrovicës në vitin 1999 ka qenë rastësi apo strategji e palëve?
Kurti: Mitrovica, sikur edhe qytetet tjera në Kosovë ka qenë e banuar me shumicë shqiptare, edhe në veri sikurse në jug të Ibrit. Koncentrimi i strukturave kriminale të sigurisë në veri të lumit Ibër pas luftës, mos avancimi i ushtarëve të UÇK-së atje, bllokimi i urës mbi Ibër nga forcat franceze të KFOR-it dhe shpërngulja e vrasja e shqiptarëve në vitin 2001, të gjitha këto kanë kontribuar në gjendjen aktuale. Besoj që shumë nga këta faktorë por edhe shkaqe e arsye të tjera kanë qenë të koordinuara.
“Illyria” – z.Kurti, a më të mundshëm e sheh një koalicion mes PDK dhe AAK-së, apo mes ‘Vetëvendosjes’ dhe LDK-së?
Kurti: Koalicionet në mes të tri partive që kanë qeverisur pas luftës i kemi parë që bëhen pa kurrfarë parime, por vetëm për pushtet. Për Lëvizjen Vetëvendosje çfarëdo koalicioni eventual mund të vije në shprehje pas zgjedhjeve, me fitoren e Vetëvendosjes, pra pasi që Lëvizja jonë të dal subjekti i parë në zgjedhje. Mandej, do të shikonim përputhjet programore dhe besimin e ndërsjellë me të tjerët.
“Illyria” – Së fundmi në Kuvendin e Kosovës në disa pika ‘Vetëvendosja’, LDK-ja dhe AAK-ja kanë qenë unike, siç ishte rasti me Posten, Universitetin dhe buxhetin. A e shihni këtë që LDK dhe AAK po synojnë të përafrohen me ‘Vetëvendosjen’, apo po synojnë distancimin nga PDK-ja?
Kurti: Kanë qenë disa momente kur opozita ka qenë e koordinuar në veprime në Kuvend dhe ka pasur sukses. Kjo më shumë ngrit pyetjen pse nuk pati bashkëpunim për herët e çështjet e tjera, apo jo? Mbi të gjitha, bashkëpunimi i rrallë vetëm për disa çështje sigurisht që nuk mjafton. Burimi i së keqes është Qeveria Thaçi dhe opozita ka qenë dashur të koordinohet për rrëzimin e saj. Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar takime në mars të vitit 2012 me të dy partitë opozitare LDK dhe AAK, të cilave u ka ofruar krijimin e bllokut opozitar, i cili do të krijonte disa komisione hetimi dhe do ta rrëzonte qeverinë me një mocion mosbesimi. Mirëpo, atëherë nuk hasëm në mirëkuptim dhe përkrahje nga ta.
“Illyria” – z.Kurti në Prishtinë fitoi ‘Vetëvendosja’ për shkak të Shpend Ahmetit, apo Shpend Ahmeti fitoi për shkak të ‘Vetëvendosjes’?
Kurti: Prishtina e fitoi një kryetar të ri e të mirë, Shpend Ahmetin dhe qeverisjen e Vetëvendosjes me alternativë përkatëse lokale për Prishtinën. Shpend Ahmeti ishte një kandidat i shkëlqyeshëm i një Lëvizjeje të jashtëzakonshme siç është Vetëvendosjes. As Shpend Ahmeti dhe as Isa Mustafa nuk ishin kandidatë të pavarur. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes e mundi kryetarin e LDK-së.
“Illyria” – z.Kurti, në nivel nacional rezultatet e zgjedhjeve lokale nuk flasin për një përqindje të madhe votash në favor të ‘Vetëvendosjes’. Çka nëse këtë rezultat do ta keni edhe në zgjedhjet nacionale?
Kurti: Aty dhe atëherë kur nuk fiton Lëvizja Vetëvendosjes shumë më tepër humbet kombi dhe republika sesa lëvizja jonë. Por, nuk mund të tërhiqet një paralele në mes zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare. Është e vërtetë se në komunat tjera nuk shënuam ndonjë rezultat si do të donim, për shkak se çështjet lokale për të cilat kemi diskutuar atje në përputhje me alternativat tona qeverisëse lokale, kanë depërtuar shumë më pak te qytetarët. Një arsye tjetër është edhe ajo se lëvizja Vetëvendosjes ! në veprimtarinë e saj politike shumë më tepër është marrë me çështjet nacionale sesa me ato lokale, andaj edhe në zgjedhje nacionale do të kemi ngritje edhe në raport me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2010. Në këtë lëvizje tash janë shtuar radhët. Një epokë e re po vjen në Kosovë pikërisht me forcimin dhe ngritjen e Vetëvendosjes.