Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker kritikon qeverinë e deritanishme të Kosovës se nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ai po kështu kritikon misionin për sundimin e ligjit, EULEX, se nuk ka punuar në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë. Por jo vetëm kaq, në një intervistë për Top Channel, diplomati amerikan që alarmoi botën për masakrën e Reçakut, kritikon komunitetin ndërkombëtar se për dhjetë vjet nuk ka qenë në gjendje të ushtrojë kontroll mbi veriun e vendit.
Walker kësaj radhe kthehet në Kosovë për një qëllim të veçantë, si mbështetës i Albin Kurtit, por edhe për të monitoruar votën e qytetarëve të Kosovës, tani që mundësitë e reja po u vijnë përpara.
“Mendoj se qeveria të cilën e humbën, pati dy vjet kohë të tregojë se çfarë mund të bëjë për shtetin dhe unë jam i zhgënjyer për atë çfarë kanë bërë ata. Shumë çështje me rëndësi për qytetarët e Kosovës nuk kanë përparuar”, ka deklaruar Walker, i cili ka përmendur edhe sektorët ku ekzekutivi i Hashim Thaçit sipas tij ka dështuar.
“Po e them që s’kam parë asnjë progres në sektorin e energjisë, nuk kam parë progres në sektorin e shëndetësisë, janë këto çështje për të cilat njerëzit me të vërtetë shqetësohen. Qeveria e Kosovës ka investuar në infrastrukturë, por janë shumë para të cilat do të mund të investoheshin
në gjëra të tjera, kështu që jam shumë i zhgënjyer. Dhe është në duart e qytetarëve nëse këta njerëz do të fitojnë edhe një shans”, ka nënvizuar Walker.
Por çfarë mendon ky diplomat amerikan për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, një çështje kjo për të cilën Albin Kurti ka kohë që është deklaruar se e ka pikësynim.
“Nganjëherë mendoj se është ide e mirë, nganjëherë nuk jam shumë i sigurt. Mendoj se njerëzit kanë një arsye që të merren me këtë çështje, të flasin e të diskutojnë. A kam unë një opinion tani? Nuk kam, por me të vërtetë mendoj se ka arsye të mëdha pse qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë duhet të flasin për të ardhmen e tyre të përbashkët dhe nëse ata vijnë në përfundimin që bashkimi është diçka që mund të funksionojë, atëherë le të bëhet”, është shprehur Walker.
Ish-ambasadori amerikan shpreh opinionin e tij edhe përsa i përket bisedimeve me Serbinë, por edhe privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Ai shprehet se këto janë dy procese që dallojnë nga njëra-tjetra, por që asnjëra nuk është mirë të ndodhë tani.
“Përpara se Kosova të hyjë në një valë të re bisedimesh, Beogradi duhet të kërkojë falje për atë çfarë ka bërë para dhe gjatë vitit 1999″, ka thënë ish-ambasadori.
Sa i përket privatizimit të postës, ai shprehet i vetëdijshëm që ky proces tani nuk mund të ndalohet, por kërkon nga qeveria e re transparencë të plotë. /tch/