Bugajski: Bllokimi i institucioneve dëmton stabilitetin e Kosovës

Analisti BugajskiAnalisti i Ballkanit, Janusz Bugajski, thotë se bllokimi i institucioneve  nga  opozita në Kosovë, vë në rrezik stabilitetin e vendit. Por zoti Bugajski, studiues në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, fajëson edhe qeverinë që nuk ka diskutuar dhe shpjeguar hapur hollësitë e marrëveshjeve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Bugajski thotë se gjendja e krijuar në Kosovë u jep argumente atyre që thonë se ajo është një shtet i dështuar. Analisti Bugajski analizon edhe situatën e përgjithshme në rajon dhe ndikimin që po përpiqet të ushtrojë Rusia.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, Kosova sapo ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian që në të ardhmen afatgjatë do të sjellë përfitime për vendin dhe qytetarët e tij. Por çfarë tregon fakti që kjo arritje u la në hije nga tensionet politike mes opozitës dhe qeverisë dhe përplasjeve në parlament?

Janusz Bugajski: Mendoj se tregon nivelin e lartë të zhgënjimit në shoqërinë e Kosovës por edhe përçarjet e thella politike që po ndodhin në Kosovë. Është pothuajse e njëjta gjendje që kam parë në Shqipëri gjatë viteve: polarizim, dyshime, mosbesim. Dhe për fat të keq opozita në Kosovë po bën një lojë që do të thoja se në të ardhmen afatgjatë e dëmton stabilitetin e vendit dhe e kam fjalën për bllokimin e institucioneve, madje jo vetëm bllokim por sabotim të institucioneve, që në një farë mënyre i diskrediton këto institucione, diskrediton çdo parti politike në sytë e publikut dhe kjo është më e keqja që mund të bësh. Institucionet duhet të funksionojnë pavarësisht nga kundërshtimet ndaj politikave të qeverisë dhe debate duhet të bëhen brenda strukturës së institucioneve, pra në parlament. Do të thoja që në një kohë kur Kosova po shënon përparim drejt Bashkimit Evropian, bllokimi i parlamentit, e frenon, e dëmton dhe e vonon atë proces.

Zëri i Amerikës: Le ta zbërthejmë këtë që po thoni ju: ju po flisni për mënyrat se si opozita po e shpreh kundërshtimin ndaj qeverisë.  Në fillim le të diskutojmë për metodat që do të sugjeronit ju për t’i shprehur këto kundërshtime dhe më pas për argumentet që ata kanë…

Janusz Bugajski: Debati për marrëveshjen me Serbinë duhet të bëhet i hapur në parlament sado që të zgjasë, të bëhet në arenën publike. Nuk e ka fajin vetëm opozita. Unë mendoj se qeveria ka faj që nuk ia ka shpjeguar publikut, parlamentit, hollësitë e këtyre marrëveshjeve dhe se çfarë do të sjellin ato. Kjo krijon dyshime, akuza se qeveria po fsheh diçka, se ky mund të jetë hapi parë drejt ndarjes, ose një strukturë e ngjashme me atë të Bosnje-Hercegovinës. Kjo lejon shumë hapësirë për spekullim. Unë do të doja të shihja një debat të hapur dhe publik në parlament, por edhe në media.

Zëri i Amerikës:  Shkaku i krizës është kërkesa e opozitës për t’u tërhequr nga këto marrëveshje me Serbinë dhe Malin e Zi.  A mendoni se këto kërkesa janë të arsyeshme?

Janusz Bugajski: Të kesh një mendim të tillë për marrëveshjet, është diçka e arsyeshme. Nëse Kosova nuk përfiton prej tyre, sigurisht qeveria duhet t’i ndryshojë, t’u rikthehet atyre. Por ne nuk e dimë nëse Kosova do të përfitojë prej tyre, nëse ato nuk diskutohen dhe shpjegohen hapur. Opozita duhet të shpjegojë se pse është kundër këtyre marrëveshjeve në arenën publike. Nuk mund thjesht të bllokojë një institucion ku mund të diskutohen këto çështje. Problemi që kam unë është se nëse bllokohet institucioni, bllokohet edhe debati dhe si rezultat nuk ka përparim.  Përveç kësaj bllokohen edhe ligje të tjera siç janë hapat e rëndësishme për MSA-në. Parlamenti duhet të funksionojë që të mund të miratojë ligje të ndryshme që të bëjë përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës:  Por këto marrëveshje janë arritur pas një procesi me Bashkimin Evropian dhe Serbinë, ka pasur negociata delikate, shumë takime. Nëse hap këtë debat, mund të krijohet përshtypja se mund të ketë ndonjë shteg për ndryshim, por ndoshta kjo mundësi nuk ekziston, sepse Bashkimi Evropian mund të thotë jo. A është ky një skenar realist?

Janusz Bugajski: Opozita pretendon se marrëveshja nuk është diskutuar kurrë në parlament dhe sipas Kushtetutës, sipas procedurave, duhet të diskutohet në parlament, para se të nënshkruhet çfarëdo lloj marrëveshjeje. Ky është problemi që kam unë me qeverinë. Problemi që kam me opozitën është se si mund të kesh një diskutim kur bllokon pikërisht institucionin ku duhet të bëhet diskutimi. Me siguri që ka një mënyrë për të dalë nga kjo gjendje dhe unë shpresoj që me nismën e presidentes Jahjaga, ata të arrijnë në një marrëveshje që të ulen dhe ta bisedojnë këtë çështje hapur dhe në mënyrë të arsyeshme. Dhe mendoj që duhet të angazhohen edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më të madh për t’u shpjeguar kosovarëve se pse nëse kjo është e vërtetë, pse kjo marrëveshje është pozitive për Kosovën, pse do ta çojë vendin përpara. Është e qartë që administrata amerikane nuk e sheh këtë marrëveshje si ndarje të Kosovës, përkundrazi do të  kontribuojë për legjitimitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por kjo duhet të shpjegohet. Në këtë moment jemi në fazën e sloganeve, në vend të thelbit.

Zëri i Amerikës:  Ju e përmendët që ekziston frika e ndarjes dhe kthimit në një Bosnje të dytë, por nga perspektiva juaj a përbën kjo marrëveshje ndonjë rrezik, a e njihni ju përmbajtjen e saj? E kam fjalën për stabilitetin.

Janusz Bugajski: E njoh mirë marrëveshjen. Nuk shoh ndonjë mundësi në këtë moment se mund të kthehet në një Bosnje tjetër. Në Kosovë ka një balancë krejt të ndryshme të popullsisë. Popullsia shqiptare e Kosovës është një shumicë dërrmuese. Popullsia serbe është pakicë, diçka nën tetë për qind. Në Bosnjë bëhet fjalë për tre kombe që e konsiderojnë veten shtetformuese. Në Kosovë nuk ka një ndarje si në Bosnje qoftë administrative ose përsa i takon identitetit. Pakicat kanë të drejta, sipas plant Ahtisaari, sipas Kushtetutës. Çështja është nëse Asociacioni i Komunave serbe mund të kthehet në ndonjë strukturë administrative që mund të bllokojë qeverinë qendrore, që mund të bllokojë Kosovën si shtet integral. Një gjë e tillë duhet të parandalohet shprehimisht: që çfarëdolloj asociacioni të jetë, nuk mund të kthehet në një njësi të veçantë apo rajon autonom brenda Kosovës. Kjo duhet të bëhet absolutisht e qartë.

Zëri i Amerikës: Mosmarrëveshjet janë thelluar sidomos nga aktet e dhunës në parlament, nga gazi lotsjellës

Janusz Bugajski: Sigurisht që kjo e ka polarizuar atmosferën. Unë isha atje (në Kosovë) së fundmi dhe pa dyshim është një atmosferë e polarizuar. Edhe thjesht  të përpiqesh t’i bësh njerëzit të debatojnë për çështje të thjeshta, sheh një pasion, një zemërim të madh. Dhe kjo nuk krijon një përshtypje të mirë për Kosovën në shkallë ndërkombëtare. Do të thoja madje, që kjo u jep material atyre që thonë se Kosova nuk është një shtet i vërtetë, është një shtet i dështuar. Dhe këtë e dëgjoj gjithnjë e më shpesh në rajon: Ndoshta ky shtet nuk funksionon siç duhet po nuk pati mbështetjen e ndërkombëtarëve. Dhe kështu u jep argumente nacionalistëve serbë dhe imperialistëve rusë.

Zëri i Amerikës: Opozita thotë që nëse qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshjet, zgjidhja e vetme do të ishin zgjedhje të parakohshme. A mendoni se kjo do të ishte zgjidhja e duhur, zgjidhje e mundshme?

Janusz Bugajski: Zgjidhja më e mirë do të ishte kthimi në parlament, të ndiqet kushtetuta, të debatohen çështje të rëndësishme si kjo marrëveshje dhe t’i kthehen punës. Unë nuk besoj tek bojkotimi i institucioneve demokratike. Zgjedhje të parakohëshme, nëse të gjithë bien dakord, në rregull, por ndonjëherë zgjedhjet janë një mënyrë për t’i zvarritur gjërat, pa zgjidhur asgjë. Herët a vonë, shumica duhet të formojë një qeveri koalicioni, duhet të ulesh në parlament, të diskutosh dhe miratosh ligje, politika dhe të ecësh përpara. Kjo nuk po ndodh dhe është shumë negative për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Le t’i hedhim tani një vështrim rajonit, vendeve fqinjë. Në Mal të Zi ka pasur protesta të opozitës dhe siç e dini, kriza politike në Maqedoni është thelluar. A shihni këtu ndonjë lidhje me atë që po ndodh në Kosovë, më shumë në kuptimin e kontekstit rajonal?

Janusz Bugajski: Nuk më duket se ka ndonjë dorë konspirative prapa gjithë këtyre protestave, siç po përpiqen ta paraqesin disa. Por shikoj disa elementë të përbashkët në secilin vend që nuk mund të injorohen. Dhe këto janë: Korrupsion i gjerë, gjendje e vështirë dhe stanjacion ekonomik (mjaft të shohësh sesa shqiptarë nga Shqipëria apo Kosova po përpiqen të lenë vendin me valën e fundit të emigracionit), mungesë besimi tek institucionet politike dhe kjo nuk ka ndihmuar në Kosovë. Në disa raste ka patur edhe abuzime nga ana e qeverisë, siç kemi parë në Maqedoni, bazuar tek akuzat e opozitës. Të gjithë këta faktorë së bashku ndërkohë që rajoni nuk po lëviz me shpejtësinë e duhur drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe njerëzit po vuajnë ekonomikisht, krijojnë një situatë ndezëse që mund të shfrytëzohet nga palë të ndryshme, si nga faktorë radikalë të brendshëm por edhe nga disa fuqi të huaja dhe këtu hyn në lojë Rusia. Siç e dini, kryeministri Gjukanoviç ka deklaruar – dhe unë mendoj se ka të drejtë – se ka një element rus në disa nga këto protesta, domethënë për Rusinë, Mali i Zi është pothuajse si një vijë e kuqe. Mali i Zi është i angazhuar të hyjë në NATO dhe ndoshta në takimin e Varshavës vitin që vjen, do ta marrë ftesën. Një gjë e tillë do të ishte e papëlqyeshme për Rusinë. Rusia e ka kritikuar Gjukanoviçin dhe Potgoricën ashpër. Dhe siç është shprehur zoti Gjukanoviç ka lëvizje, palë të shumëllojshme që po përpiqen të destabilizojnë qeverinë. Ka edhe faktorë të tjerë, si për shembull në Bosnje-Hercegovinë ekziston rreziku i referenedumit për ndarje, për pavarësi nga Republika Serpska që jo vetëm do të destabilizonte Bosnjën, por mund të tërhiqte edhe Serbinë dhe Kroacinë në konflikt. Mendoj se Bosnja dhe Maqedonia janë pikat më të dobëta të rajonit. Besoj se Kosova, nëse zgjidh situatën politike, është një shtet mjaft homogjen, ka mbështetje të madhe ndërkombëtare. Në Maqedoni, kombinimi i korrupsionit, abuzimi i politikës dhe intensifikimi i tensioneve etnike krijon një situatë jashtëzakonisht të ndezur. Siç e dini, popullsia shqiptare po bëhet gjithnjë e më e pakënaqur me ngecjen në Maqedoni, për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë për emrin që  do të thotë mosmarrëveshje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>