Qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje për punën verifikuese dhe përshëndet deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Raportin për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
“Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren”, thuhet në një komunikatë për media nga zyra e kryeministrit Isa Mustafa.
Duke pasur parasysh këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politik që të punojnë për avancimin e proceseve dhe të perspektivës integruese euroatlantike të Kosovës, duke filluar nga liberalizmi i vizave që pritet të finalizohet së shpejti. Qeveria do të jetë e hapur për të diskutuar çdo vërejtje të mundshme të qytetarëve dhe të përfaqësuesve politikë lidhur me të gjitha proceset e rëndësishme për vendin.
Qeveria e Kosovës, me këtë rast, shpreh mirënjohjen e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për mbështetjen e përhershme që SHBA-të po japin për Republikën e Kosovës, duke theksuar njëkohësisht përkushtim të plotë për fuqizimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve. (rtk)