Njëzetepesë vite më parë, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara, NATO-ja ndërmori ndërhyrjen e parë ajrore të shkallës së gjërë për të ndalur spastrimin etnik të popullatës shqiptare nga forcat serbe, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të ndalur luftën në Kosovë. Fushata ajrore, që filloi më 24 mars, zgjati 78 ditë dhe përfundoi me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e Kosovës në një protektorat ndërkombëtar për një dekadë deri në bisedimet që çuan në pavarësinë e saj. Njëzetepesë vite më vonë, Zëri i Amerikës sjell kujtimet e një piloti amerikan që bombardoi objektivat e forcave serbe në Kosovë. Piloti Phil Haun, i cili u rikthye në Kosovë për të vlerësuar ndikimin e sulmeve të tij, i tha koleges Garentina Kraja se nga aspekti moral ndërhyrja në Kosovë ishte vendimi i duhur.
Piloti Phil Haun e mban mend në detaje fluturimin e tij të parë mbi Kosovë, 25 vjet më parë, me avionin luftarak A-10.
Misioni i tij: goditja e objektivave ushtarake serbe për të shpëtuar popullsinë civile dhe spastrimin etnik, që në vitin 1999 e kishin shndërruar Kosovën në një fushë vdekjeje.
Ishte fillimi i prillit të vitit 1999 dhe suksesi i NATO-s, do të varej jo vetëm nga uniteti i brishtë politik i aleancës perëndimore, që për herë të parë po ndërmerte një operacion ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, por edhe nga moti.
“Ishte misioni i parë. Qielli ishte i kthjellët ato ditë të para të prillit. Po fluturonim mbi pjesën perëndimore të Kosovës. Pamë disa makina serbe dhe ishte hera e vetme që i pamë makinat ushtarake serbe në rrugë. I goditëm me sukses. Pas kësaj, ata filluan të përdorin makina civile”, tregon ai për Zërin e Amerikës.
Rrafshit të Dukagjinit, parë prej qiellit nga nga avioni si pjesë e ‘Skuadrës 81’, ishte prezantimi i tij parë me Kosovën. Disa mijra kilometra poshtë, forcat serbe po përshkallëzonin sulmet, pasi përpjekjet shumëvjeçare diplomatike nuk arritën ta bindnin Serbinë të mos zgjeronte luftën në Kosovë.
Gjatë javëve kur piloti Haun bombardonte nga ajri objektivat ushtarake, forcat serbe në tokë po dëbonin rreth 1 milionë shqiptarë nga Kosova drejt Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Me një skenar të përsëritur në mbarë Kosovën, nga Gjakova në Pejë, nga Krushë e Madhe dhe e Vogël në Izbicë e Mejë, për 78 ditë, forcat serbe ekzekutuan rreth 10,000 civilë, shumica burra.
Zëri i Amerikës: A mendoni se vendimi për të ndërhyrë ishte vendim i duhur?
Piloti Phil Haun: “Është e vështirë për mua ta them. Ende punoj për Departamentin e Mbrojtjes dhe më duhet të them se këto janë pikëpamjet e mia dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet e Pentagonit. Kam menduar shumë për këtë gjë. Nga aspekti moral, ishte vendim i duhur, duke marr parasysh atë që po ndodhte në Kosovë. Unë jam angazhuar në shumë konflikte, në Irak, në Bosnjë, Afganistan dhe Kosovë. Për mendimin tim, përdorimi i forcës asnjëherë nuk është zgjidhja e dëshiruar, apo që të bën të ndihesh mirë. Por më duhet ta pranoj, ajo që bëmë mbi qiejt e Kosovës, më bën të ndihem shumë mirë për përdorimin e forcës ushtarake.”
Ai thotë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë e ka formësuar në mënyra të ndryshme.
Në njërin nga fluturimet mbi Kosovë, më 1 maj të vitit 1999, siç shihet në këtë simulim të realizuar nga një studio grafike, avioni i pilotit Haun u godit nga forcat serbe me një raketë ruse tokë-ajër. Ai bëri një ulje të detyruar në Shkup.
Në vitin 2010, piloti Haun u kthye në Kosovë – këtë herë për ta parë atë nga toka dhe për të parë nga afër ndikimin e sulmeve që kishte kryer.
“Pas luftës pati shumë diskutime rreth dobisë së forcës së NATO-s dhe doja të shkoja të shihja ku kisha goditur dhe të flisja me njerëzit atje. Edhe në vendet ku bombat kishin shkaktuar dëm, njerëzit në Kosovë ishin aq dashamirës dhe vazhdimisht më falenderonin për angazhimin e NATO-s. Më bëri përshtypje sa mirënjohës ishin… Shkova në Kosovë në pranverën e vitit 2010. Mora me vete hartat dhe identifikova ato që i konsideroja goditje të mira të objektivave, që do të thotë se kisha qëlluar objektiva ku mendoja se kam shkaktuar dëme të konsiderueshme. Dhe pastaj ato që i konsideroja si sulme të mundshme të këqija, ku shqetësohesha nëse kam shkaktuar dëme të paqëllimshme dhe më duhej të kuptoja se çfarë ishin ato. Në Kosovë më bëri përshtypje aspekti njerëzor. Nga qielli nuk e ke atë ndjenjë, të jetës së njeriut, je lart dhe sheh poshtë, njësoj si sheh nga dritarja e një aeroplani, është vështirë të shohësh njerëz. Andaj të shohësh njerëzit dhe të kuptosh se çfarë ke bërë ka patur ndikim pozitiv në jetën e të tjerëve, kjo ishte fija që lidh këtë rrëfim. Në kolegjin ushtarak mësojmë se forca përdoret për të arritur objektiva politike dhe se forca nuk duhet përdur asnjëherë pa patur një qëllim politik. Sot, ku shikoj pavarësinë e Kosovës dhe rezultatin politik, më ndihmon të mbyll këtë kapitull të jetës time”, tregon piloti Phil Haun.
Që nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, piloti Haun ka kryer misione luftarake në Irak dhe Afganistan. Fushata ajrore kundër objektivave ushtarake në ish-Jugosllavi ka lënë gjurmë profesionale, duke u shndërruar në një nga shtyllat kryesore të angazhimit të tij akademik.
Ai vazhdon të shkruajë dhe të ligjerojë për fuqinë ushtarake ajrore në programin e sigurisë në universitetin e njohur amerikan MIT dhe në Kolegjin e Luftës të Forcave Detare në shtetin Rod Ajlend. Ndërhyrja në Kosovë është një shembull konkret që studiohet dhe diskutohet me studentët. Ndërhyrjen ajrore e NATO-s konsiderohet si një pikë kthese dhe mësimet nga ajo janë të vlefshme për forcat ajrore amerikane dhe strategjinë e përgjithshme të luftës për arritjen e qëllimeve politike.
voa