Një numër i qytetarëve të Kosovës kanë vendosur të marrin rrugën e migrimit të paligjshëm, me gjithë thirrjet nga institucionet qendrore dhe ato ndërkombëtare në vend për të shmangur një rrugë të këtillë.Të dielën në mbrëmje, Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, ishte mbushur me qytetarë që niseshin në drejtim të Serbisë, me shpresën për të depërtuar në disa vende të Bashkimit Evropian.
Zyrtarë të Stacionit të autobusëve në Prishtinë thanë për Radion Evropa e Lirë se numri i qytetarëve të cilët janë duke udhëtuar në drejtim të Serbisë, javët e fundit, është shtuar. Sipas tyre, deri me datën 6 shkurt, janë shitur të gjitha biletat për relacionin Prishtinë- Beograd.
Fitim Abdullahu nga Vushtrria, i cili një çantë mbante në shpinë, thotë se për shkak të kushteve të vështira ekonomike ka marrë vendim që të largohet nga Kosova dhe për synim ka të arrijë në shtetin gjerman. Por, fillimisht thotë se do të qëndrojë në Beograd e Suboticë për të kaluar pastaj nga Hungaria në Austri dhe në fund në Gjermani.
“Gjithçka po shkon në degradim, shkatërrim, për ketë arsye kam vendosur [të largohem]. Unë kam ndërprerë studimet master dhe kam vendosur me ik. Qe katër vjet jam i diplomuar, vazhdimishtkam konkurruar në institucione publike, kam pasur shumë stres. Konkurroj dhe në fund e kuptoj se aty ka qenë i pranuar dikush tjetër”, tha Abdullahu, i diplomuar në fushën e Elektro-Energjetikës.
Fatos Hasolli nga Fushë-Kosova bashkë me disa shokë të tjerë po qëndronin pranë peronit numër tre, aty ku po qëndronte autobusi drejt Serbisë. Hasolli, për dallim nga shokët tij që hezitonin të flisnin tha se për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe mos zhvillimi të Kosovës, po niset drejt vendeve, ku siç tha,mund të ketë një jetë me të mirë.
“Arsyeja është se nuk kam mundur të punësohem. Nuk ka gjasa të punësohem,sepse gjithçka këtu po shkon me intervenime. Shpresë nuk ka dhe arsyeja e vetme është të nisesh diku ku mund të kesh punë e besim. Mendoj se në Gjermani është më mirë. Shkollën e kemi, përvojën e kemi, mendojmë të punojmë ku të mundemi. Nuk kemi persona që na presin atje, por besoj se do tia dalim”, tha Hasolli.
Ai kishte humbur shpresën e ndonjë ndryshimi pozitiv në Kosovë.
“Mendoj se brenda 10 vitesh nuk mund të ketë dicka të mirë për Kosovën. Nese ka diçka, ne do të ishim të parët që do të ishim kthyer dhe do të punonim”, tha Hasolli.
Kushtrimi, një tjetër djalë i ri nga komuna e Vushtrrisë, thotë se bashkë me dy shokë të tjerë po niset drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Në krah mbante një çantë me ushqim e ujë..
“Jemi nis për në Gjermani. Nga Hungaria në Austri dhe Gjermani.Kushtet e vështira në Kosovë, po shpresojmë për kushte financiare më të mira. Mund të punojmë çkado që kërkohet, edhe punë krahu”, tha Kushtrimi.
Edhe Labinoti është nga Vushtrria. Ai shpjegon se si kishte një vend pune në Kosovë, por ka marrë vendim të dalë jashtë vendit, për një punë më fitim prurëse.
“Shkollën e mesme e kam të kryer. Punë e kam pasur, e kam lënë. Kam punuar në mobilieri,por nuk kishte rroga të mira. Tash po shpresojmë në diçka më mirë, nëse dalim jashtë”, tha ai.
Flamur Gashi nga Prishtina është nisur mbrëmë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë drejt Gjermanisë. Me vete kishte gjithsejt 400 euro…
“Kam vendosur të dal se nuk po ka kushte këtu. Nuk ka të ardhme këtu për të rinjtë, duhet me dalë dhe me gjetë punë atje. Po shpresojmë me dal në të zezën në Gjermani. Në Kosovë i lashë dy prindër, dy vëllezër dhe dy motra”, tha Gashi.
Përfaqësuesit e Ministrisë se Punëve të Brendshme thanë sot se ende nuk kanë ndonjë të dhënë për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit. Ata thanë se të dhëna nuk kanë as për muajin dhjetor të viti të kaluar. Deri në muajin nëntor të vitit 2014, nga Kosova kanë migruar 24, 100 kosovarë, sipas të dhënave të Ministrisë.
Përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ata ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, kanë bërë thirrje në disa raste që të ndalet migrimi i paligjshëm, duke tërhequr vërejtjen se asnjë vend i BE-së nuk ofron më statusin e azilit. (rel)