Debat në Kuvend për marrëveshjen me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka raportuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, lidhur me marrëveshjen e arritur në Bruksel, që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës.Zoti Mustafa dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar marrëveshjen në takimin e 9 – 10 shkurtit, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Mustafa, duke shpjeguar përmbajtjen e marrëveshjes dhe rëndësinë e saj, ka thënë se marrëveshja e fundit, por edhe të tjerat janë arritur në suaza të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Mustafa ka theksuar se me nënshkrimin e marrëveshjes së fundit, do të shuhen të gjitha gjykatat paralele që kanë funksionuar në Kosovë e Serbi, e që i janë referuar territorit të Republikës së Kosovës.

“Dua të theksoj se rimëkëmbja e sistemit gjyqësor gati të izoluar nga dora e drejtësisë tash e 15 vjet do të jetë një arritur e madhe për ne por edhe një sfidë mjaftë e madhe për ne. Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë të një rezistence të pashembullt të qytetarëve të pjesës veriore ndaj përpjekjeve të shumta, si të institucioneve të Kosovës, ashtu edhe atyre ndërkombëtare, për të rikthyer drejtësinë në ketë pjesë të vendit”, tha Mustafa.

Sipas tij, me marrëveshjen e arritur nuk ka fitues dhe as humbës.

“Me marrëveshjen për drejtësi nuk ka palë fituese dhe humbëse. Me ketë marrëveshje ka fituar drejtësia, prandaj konsideroj se kanë fituar të gjitha palët. Kanë fituar të gjithë qytetarët. Ka fituar integriteti dhe sovraniteti i vendit tonë”, tha Mustafa.

Sipas marrëveshjes, Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë të jetë i komunitetit serb, ndërsa Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore do të jetë shqiptar.

Deputetët e partive në politike në pushtet, të Partisë Demorkatike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, i kanë dhënë mbështetjen e tyre marrëveshjes së arritur.

Enver Hoxhaj nga PDK, tha se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Ajo që kemi parë ne në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë këtyre viteve është se Serbia shumë më lehtë nënshkruan marrëveshje se sa i zbaton ato marrëveshje”, tha Hoxhaj.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës, përkrahe fillimin e krijimit të një rendi dhe futjen e ligjshmërisë në veri.

“Asnjë dialog nuk duhet të bëhetnëse cenon në çfarëdo forme kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendit tonë”, tha Beqiri.

Ligjvënësit nga radhët e opozitës ndërkaq, kishin vërejtje pse nuk u është dorëzuar marrëveshja e plotë para se të mbahej debati i së enjtes.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kritikuar kryeministrin Mustafa, duke thënë se deputetët nuk janë në dijeni për përmbajtjen e marrëveshjes.

“Teksti i marrëveshjes nuk u është dorëzuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës. A është marrëveshja e nenshkruar a po e parafuar, pra a i keni vendosur inicialet apo nënshkrimet në tekstin e marrëveshjes? “, tha Ymeri.

Vetëvendosje e ka cilësuar marrëveshjen si “tinëzare”.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka theksuar se bisedimet nuk mund të bëhen sa për të thënë, por sipas saj, duhet të ketë korniza dhe metodologji

“Duhet të ketë një metodologji se deri ku duhet të arrijnë bisedimet dhe si të realizohen marrëveshjet”, tha Tërmkolli.

Aleanca kishte shprehur shqetësimin për “nxitimin që të arrihet marrëveshje për drejtësinë, i cili rezultoi me improvizim që paraqitet përmes kuotave të veçanta dhe që komprementon rendin kushtetues të Kosovës”.

Edhe deputeti i partisë politike Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, kishte vërejtje për marrëveshjen e arritur.

“Nga kjo që po ndodh, nuk ka më asnjë dilemë se kjo është rihapje komplet e pakos se Ahtisaarit. Po bisedohen çështje, të cilat i kemi mbyllur. Pakoja e Ahtisaarit ka qenë vija e kuqe, kompromisi më i dëmshëm “, tha Limaj.

Ndryshe, data e takimit të radhës ndërmjet dy kryeministrave nuk është saktësuar ende. Takimi i 9 shkurtit pason një ndërprerje prej dhjetë muajsh, për shkak të zgjedhjeve që u mbajtën vitin e kaluar në Kosovë dhe në Serbi. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>