Funksionimi i Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe brenda saj si një eksponent politik i krijuar nga Beogradi zyrtar, parashihet nga njohës të zhvillimeve politike, me plot sfida.Analistë shqiptarë dhe serb nga Kosova, megjithatë ndajnë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje.
Opinionisti Imer Mushkolaj, mendon se Qeveria e Kosovës nuk do të mund të funksionojë normalisht me një subjekt politik të formuar nga Beogradi zyrtar, për qëllime të caktuara.
Sipas tij, tashmë në qeverinë e Kosovës ka ministra që nuk e njohin shtetin e tyre, kështu që një qeveri e tillë, konsiderohet se nuk do të mund të funksionojë në rrethana normale politike.
“Ky subjekt politik nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Zyrtarët e Listës Serbe vazhdojnë të shkelin ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se idetë e tyre janë të qarta – ata kanë për qëllim dëmtojnë dhe sabotojnë sa më shumë që të munden shtetin e Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës”, ka theksuar Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, ish-deputeti serb nga Graçanica, tani në cilësinë e njohësit të çështjeve politike, Ranxhel Nojkiq vlerëson se funksionimi i Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe brenda saj është i mundshëm nëse do të respektohen marrëveshjet e arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Sipas tij, edhe kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq tashmë ka paralajmëruar se emocionet nuk do të mbizotërojnë arsyen kur janë në pyetje çështjet rreth Kosovës.
“Kryeministri Vuçiq ka adresuar mesazh shumë të qartë për të gjithë duke thënë se për çështjen e Kosovës duhet të punohet me kokë të ftohtë dhe se emocionet nuk duhet të mbizotërojnë arsyen për zgjidhjen e problemeve”, ka deklaruar Nojkiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, Beogradi ka marrë tashmë rrugën e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, andaj edhe do të tregohet i kujdesshëm në këtë aspekt.
“Sidomos është me rëndësi pozicioni i Beogradit që ka të bëj jo vetëm me arritjen e qëllimeve në Kosovë, por edhe qëllimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Nojkiq.
Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj thotë se deklaratat fyese të ministrit serb, Aleksandar Jabllanoviq ndaj familjarëve dhe të afërmit e personave të pagjetur të luftës nga rrethina e Gjakovës, ishin të mjaftueshme që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ta shkarkonte atë nga posti.
Një masë e tillë, sipas Mushkolajt do të tregonte edhe seriozitetin e qeverisë së Kosovës dhe kreut të saj.
“Ministrat e Listës Serbe po vazhdojnë ta sfidojnë qeverinë dhe shtetësinë e Kosovës dhe në anën tjetër nuk po shohim asnjë veprim që po ndërmerret nga kryeministri Mustafa në këtë rast. Pra, jemi në situatë kur ministrat e këtij subjekti politik, fatkeqësisht më parë i japin llogari kryeministrit serb në Beograd sesa kryeministrit Isa Mustafa në Prishtinë. Kjo është dhe do të mbetet problematike”, ka theksuar Mushkolaj.
Mbështetja e Qeverisë së Serbisë për Listën Serbe, pritet të rikonfirmohet edhe të mërkurën, kur kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq do të vizitojë disa vise të banuara me serbë në Kosovë.
Ndër tjera, ai do të takojë edhe njërin nga udhëheqësit e Listës Serbe, Vladeta Kostiq, kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të kësaj komune që do të mbahen më 18 janar.
Veprime të tilla, Beogradi pati ndërmarrë edhe në zgjedhjet e kaluara duke i mbështetur vetëm kandidatët e Listës Serbe, të cilët arritën që në zgjedhjet lokale të fitojnë në 9 komuna, kurse në zgjedhjet parlamentare të sigurojnë 9 ulëse në Kuvend.
Ndërkaq shikuar në perspektivë, gjatë këtij viti, sfidat më të mëdha politike që i presin institucionet e Kosovës në raport me Listën Serbe, parashihen të jenë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.
Për këtë të dytën, votat e deputetëve të Listës Serbe do të jenë të domosdoshme, kështu që analistët parashikojnë që kjo çështje të trajtohet dhe negociohen në Bruksel ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. (rel)