Përfaqësues amerikanë dhe evropianë në muajt e parë të vitit 2014, u patën vënë në aktivitete diplomatike për të bindur autoritetet e Kosovës që të miratojnë themelimin e një Tribunali ose Gjykatë Speciale për të hetuar dhe gjykuar rastet e dyshuara për krime lufte.Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës ka pasuar raportin e zviceranit Dick Marty, i miratuar edhe nga Këshilli i Evropës mbi dyshimet për trafik organesh të serbëve nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e verdhë”.
Mbi bazën e këtij raporti, janë zhvilluar hetime nga prokurori amerikan Clint Wiliamson mbi dyshimet për trafik organesh në rastin e”Shtëpisë së verdhë”.
Deputetët dhe subjektet politike fillimisht e kishin kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, por me vonë ata zbutën qëndrimet e tyre.
Zbutja e terminologjisë nga fjala Tribunal në Gjykatë Speciale, sadopak i pati relaksuar qëndrimet e partive parlamentare.
Deputetët e legjislaturës së katërt të Kuvendit të Kosovës, në muajin prill të vitit 2014 kanë miratuar vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.
Ata patën deklaruar se një vendim i tillë konsiderohet të jetë një nga vendimet më të vështira që ka marr Kuvendi i Kosovës viteve të fundit.
Gjatë fjalimit të tij para Kuvendit,ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për themelimin e Gjykatës për krime lufte është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që i bëhet Kosovës.
“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, është shprehur Thaçi.
Ish-kryeministri Thaçi pat thënë po ashtu se UÇK-ja, pjesëtarët e së cilës mund të jenë objekti kryesor i ndjekjes nga kjo gjykatë, ka bërë luftë të drejtë dhe ka respektuar normat ndërkombëtare.
“Pikërisht për këtë shkak Kosova u ndihmua nga aleatët ndërkombëtarë dhe e fitoi luftën çlirimtare”, ka deklaruar Thaçi.
Ndryshe, që nga fillimi kur është kërkuar që të formohet kjo gjykatë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar atë.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se Kuvendi nuk do të duhej të miratonte themelimin e kësaj Gjykate, dhe është shprehur i bindur se as Këshilli i Sigurimit nuk do ta themelonte atë.
“Shpeshherë më duket se një pretendim i tillë është më shumë një shantazh në mënyrë që Kosova vullnetarisht ta pranoj një gjykatë të veçantë, sesa që realisht një gjë e tillë do të mund të ndodhte. Dihet që tribunalet ndërkombëtare krijohen për katër lloje të krimeve; krimet e gjenocidit, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e agresionit. Nuk ka tribunave ndërkombëtare as për trafikim të organeve e madje as për terrorizëm”, është shprehur Kurti.
Pas miratimit politik nga autoritetet e Prishtinës, tani proceduralisht mbetet që institucionet e reja të krijojnë bazën ligjore për themelimin e kësaj Gjykate.
Profesori i çështjeve kushtetuese – juridike, Riza Smaka thotë se për themelimin e saj, Kosova do të ketë nevojë të miratojë bazën ligjore, pasi që një Gjykatë e tillë nuk parashihet me ligjet aktuale.
“Do të duhet të bëhet ndryshimi dhe modifikimi i Ligjit për Gjykatat dhe aty të përcaktohet ndër tjera edhe kjo Gjykatë. Më pastaj, besoj se do të duhet të bëhet një akt ligjor special që i parasheh këto dispozita tjera sa i përket juridiksionit të kësaj Gjykate dhe të miratohej në procedurë, në mënyrë që të fillojë së zbatuari Ligji për Gjykatën Speciale”, ka thënë Smaka, për Radion Evropa e Lirë.
Së fundmi presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale ka thënë “Kosova duhet të qëndrojë stoike edhe përballë sprovës së radhës që ndërlidhet me të kaluarën tonë të dhimbshme.
“Kuvendi i Kosovës ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do t’i adresojë akuzat për krime lufte që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës të vitit 2010 dhe duhet sa më shpejt të përmbushë obligimin e vet për themelimin e saj si dëshmi që jemi shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë për të gjithë”, ka thënë Presidentja e Kosovës.
Në ketë drejtim edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të përgjegjshme dhe në bashkëpunim do t’i kryejnë të gjitha obligimet që kanë kur behet fjale për formimin e Gjykatës Speciale.
“Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, sa më shpejtë që zbardhen këto dyshime të padrejta në raport me Kosovën, në raport me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe individëve të saj, aq më mirë është për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, prandaj Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta”, ka deklaruar Thaçi.
Prokurori kryesor i grupit hetues të Bashkimit Evropian, Clint Williamson, mbi pretendimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim organesh dhe krime lufte në Kosovë, ka thënë “është përballur me sfida për mbledhjen e provave për të dëshmuar akuzën për trafikim organesh”.
Por, sipas zotit Williamson, kjo nuk nënkupton se grupi hetues ka hequr dorë nga ky pretendim. Ai ka thënë se hetimet do të vazhdojnë, meqë ekziston dyshimi se një krim i këtillë ka ndodhur në shkallë të kufizuar.
“Ka shenja bindëse që kjo praktikë ka ndodhur në një shkallë shumë të kufizuar dhe që një numër i vogël njerëzish janë vrarë me qëllimin e nxjerrjes dhe trafikimit të organeve të tyre”, ka thënë zoti Williamson.
Ai ka paralajmëruar ndërkaq ngritjen e aktakuzës kundër disa zyrtarëve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës”.
Kryeprokurori Williamson është shprehur se “viktimat e këtyre krimeve ishin kryesisht serbë, romë dhe pakica të tjera, por gjithashtu shqiptarë të Kosovës, të cilët u etiketuan si kolaboracionistë të serbëve ose të cilët ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqësisë së UÇK-së”.
“Elementë të caktuar të UÇK-së qëllimisht i vunë popullsitë pakicë në shënjestër me veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe vendeve të tjera fetare”, ka thënë kryeprokurori.
Gjykata Speciale për krimet e luftës, pritet të ketë dy dhoma, një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë.
Dhoma jashtë Kosovës do të merrej kryesisht me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur.
Sido që të jetë, ngritja eventuale e aktpadive, të cilat i ka përmendur prokurori Williamson, nuk do të jetë e mundur deri në formimin e Gjykatës speciale për krime lufte, për të cilën Kuvendi i Kosovës ka dhënë miratimin. (rel)