Në raportin tremujor të sekretarit të përgjigjëm të OKB-së, Ban Ki-moon zë vend të veçantë edhe migrimi i qytetarëve nga Kosova drejt vendeve të BE-sëKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara debaton të premten raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, mbi zhvillimet në Kosovë.
Në raportin që përfshin zhvillimet në periudhën nga 16 tetori 2014 deri me 15 janar 2015, sekretari i përgjithshëm u bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të themelojnë Gjykatën e posaçme për krime lufte, e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirje në krime lufte të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2010.
Në raport u bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit për angazhim në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Një pjesë të veçantë në raportin e sekretarit të përgjithshëm zë edhe shqetësimi për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga vendi në rrugë të paligjshme.
Askush nuk i di numrat e saktë, por autoritetet thonë muajt e fundit është shtuar shumë numri i qytetarëve të Kosovës që po kërkojnë strehim në vendet e Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar rrugët nëpër territorin e Serbisë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në ndonjërin nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa diskutuan këtë çështje me ambasadorët e vendeve të BE-së në Prishtinë. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët e vendit, me mirëqenien e tyre dhe me migrimin e tyre, por kjo çështje duhet të trajtohet bashkërisht edhe me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ajo u tha ambasadorëve se “është shqetësues fakti se për shkak të marrëdhënieve aktuale me Serbinë, e cila ka hapur të gjitha portat për daljen e qytetarëve të Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë qasje të drejtpërdrejt në zhvillimet në kufirin me Hungarinë”.
Në jë njoftim të zyrës së saj thuhet se presidentja Jahjaga, diskutoi edhe me kabinetin qeveritar mënyrat e zgjidhjes së çështjes së migrimit të paligjshëm ilegal, “përmes vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës për politikat e shteteve të BE-së ndaj azilkërkuesve, adresimit të shkaqeve të migrimit ilegal, forcimit të sundimit të ligjit dhe rendit që do të parandalonte edhe grupet kriminale që të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe ndërmarrjes së hapave për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.
Qindra qytetarë të Kosovës përpiqen çdo natë të sigurojnë një vend në një nga autobusët që udhëtojnë për në Serbi, prej nga pastaj në rrugë të paligjshme synojnë një jete më të mirë në vende të Evropës Perëndimore. Lëvizjet e tilla për shumëkënd janë shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës. (voa)