Serbia duhet të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian për temat sfiduese si Kosova. Por Serbia duhet të përqendrohet në realizimin e kushteve dhe jo në afate.Komisioneri i BE-së për Politikë Fqinjësore dhe Negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn pohon se cilësia e negociatave për anëtarësim në BE është më i rëndësishëm se shpejtësia. Me rëndësi është që të zgjidhen problemet, mendon ai. “Me sfidat duhet të përballemi menjëherë dhe jo t’i shtyjmë ato. Kjo vlen edhe për negociatat për anëtarësim në BE”, pohon Rahn, në një intervistë me revistën CorD.
Ndër kapitujt e parë që do të hapen në negociata me Serbinë janë ai 23 dhe 24. Hahn shpreson se këta kapituj do të hapen nga mesi i këtij viti. Por para tyre duhet të hapet kapitulli 35, i cili ka të bëjë me raportet me Kosovën. Sipas Hahn, autoritetet e Serbisë “e kanë shumë të qartë se cila është përbërja e këtij kapitulli.”
“Kapitulli nënkupton normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjen e shumë çështjeve konstestuese, si anëtarësimi në Fondin Evropian për Zhvillim, Bankën Evropiane për Investime etj. Kapitulli 35 do të përcjellë se në ç’masë Serbia është duke plotësuar kushtet që ka marrë mbi vete në procesin e dialogut.”
Vendimi merret së shpejti
Johannes Hahn pohon se vlerësimet e para të ecurisë së procesit që është bërë vitin e kaluar, kanë qenë pozitive. Së shpejti pritet një vlerësim tjetër dhe mbi bazën e tij do të vendoset për hapjen e negociatave me Serbinë. “Për hapjen e negociatave është e domosdoshme që të realizohen të gjitha obligimet e marra me marrëveshjen e Brukselit. Një përparim është bërë, por ka mbetur ende për t’u bërë.” Sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd, Hahn tha se nga palët pret një përkushtim të plotë. Palët duhet të ndihmojnë dhe jo të bllokojnë njëra-tjetrën. Serbia, Kosova dhe BE kanë rënë dakord që përparimi në procesin e negociatave varet nga normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Normalizimi i plotë duhet të arrihet gradualisht. Në fund Kosova dhe Serbia duhet t’i realizojnë në tërësi të drejtat dhe obligimet e tyre”, thotë ai.
Hahn nënvizoi se nuk ekziston ndonjë afat kohor për anëtarësimin e Serbisë në BE. “Kohëzgjatja e negociatave do të varet në radhë të parë nga Serbia dhe realizimi i reformave të domosdoshme. Cilësia është më i rëndësishëm se shpejtësia. Kjo vlenë edhe për Serbinë”, pohon ai.
Sa i përket raporteve me Rusinë, diplomati austriak tha se “Serbia si vend që pretendon anëtarësimin në BE, duhet të koordinojë gradualisht politikën e saj me atë të BE.” BE-ja ka marrë një qëndrim parimor për aktivitetet e Rusisë në Ukrainë, por është e hapur për dialog me Moskën. Sa i përket ndihmave në kohën e negociatave, Hahn bëri të ditur se në vitet e ardhshme Serbisë do t’i ndahen 200 milionë euro për reforma. (dw)