Kthehet një grup i migruesve nga Kosova

Autoritetet në Prishtinë thonë se migruesit e paligjshëm do të kthehen, ndërsa e quajnë të papranueshëm faktin që Kosova është jashtë procesit të liberalizimit të vizaveDhjetëra qytetarë të Kosovës që kishin migruar drejt vendeve të Bashkimit Evropian, u kthyen të martën në Kosovë. Kthimi i tyre është pjesë e operacioneve të paralajmëruara nga vendet e ndryshme evropiane se nuk do të pranojnë kërkesat e qytetarëve të Kosovës për strehim dhe se të gjithë do të kthehen.

Të kthyerit e sotëm janë nga Hungaria, Gjermania, Suedia, Finlanda e Austria. Në mesin e tyre kishte edhe të tillë që kanë migruar vite më parë. Të kthyer pa dëshirë, ata nuk janë të gatshëm të flasin shumë për rrugëtimin e tyre.

Me mijëra persona e kanë lëshuar Kosovën gjatë muajve të fundit dhe lëvizjet e tilla për shumëkënd janë shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës. Migruesit nga Kosova po shfrytëzojnë territorin e Serbisë dhe lëvizjen e lirë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në vendet tjera të Bashkimit Evropian. Rrugëtimi i tyre nëpër rrugë të paligjshme përshkruhet i vështirë dhe me rreziqe.

Ambasada e Kosovës në Budapest bëri të ditur se është informuar nga autoritet hungareze se më 22 shkurt, ka vdekur një fëmijë dy vjeçar nga komuna e Vitisë, në një qendër strehimi në Hungari, ku bashkë me pesë anëtarët tjerë të familjes ishte vendosur tash e disa javë.

Në një njoftim të ambasadës thuhet se sipas informacioneve zyrtare të autoriteteve hungareze, fëmija ditëve të fundit ka marr trajtim mjekësor në qendrën e strehim kërkuesve.

Në Kosovë autoritetet kanë bërë thirrje për të shmangur migrimin e paligjshëm, sepse siç tha sot ministri i brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, përpjekja për të migruar në rrugë të tillë është ecje në rrugë pa krye.

“Por, e them me keqardhje dhe me dhimbje të madhe që secili prej tyre do të kthehet me i varfër sesa ka shkuar. Unë kam zhvilluar takime me ministrat e brendshëm të një numri vendesh të zonës Shëngen dhe pa përjashtim, secili nga ata e thekson bindshëm se asnjë kërkesë për strehim e bërë nga migruesit e paligjshëm nga Kosova, nuk do të pranohet”, tha ministri Hyseni.

Ditët e fundit kanë shënuar një rënie të ikjeve pas masave që kanë marrë edhe vendet e Bashkimit Evropian për të penguar largimet. Gjermania ka dërguar njëzet oficerë policie në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, për të ndihmuar në kontrollin e kufirit që shfrytëzohet nga migruesit nga Kosova. Hungaria paralajmëroi ndërkaq se do të miratojë ligje që mundësojnë kthimin e menjëhershëm të atyre që kërkojnë strehim.

Ministri i brendshëm tha se gjatë ditëve të vazhdim do të diskutojë me kolegët e tij evropian mundësinë për të siguruar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai tha se është e padrejtë që Kosova të vazhdojë të mbahet e izoluar më tej. Ai tha qytetarët e Kosovës, të cilët ai i quajti si popullin me pro evropian, mund të lëvizin lirshëm vetëm është drejt lindjes…

“Ne nuk na vjen mirë, që i vetmi korridor në të cilin qytetarët e Kosovës mund të qarkullojnë lirshëm është drejt lindjes përgjithësisht. Kështu që ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që na takon ne të përmbushim kriteret për liberalizim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi insistues dhe kërkues që Bashkimi Evropian përfundimisht ta shoh këtë çështje jo vetëm si çështje thjeshtë ligjore, legaliste, por të marr një qëndrim që është pak më kompleks dhe involvon edhe një dimension dhe një aspekt shumë politik dhe shumë human”, tha ministri Hyseni.

Ai tha se liberalizimi i vizave do të mundësonte vënien nën kontroll migrimin e paligjshëm.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo mori udhërrëfyesin për këtë çështje në qershor të vitit 2012, por ende askush nuk e di edhe sa kohë duhet pritur për këtë proces. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>