Kurti: Jabllanoviqi nuk do të duhej të kishte vend në Qeverinë e Serbisë, jo më në të Kosovës

Lideri në largim i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka theksuar se protesta e djeshme kishte vetëm dy kërkesa: Largimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe shndërrimin e ndërmarrjes “Trepça” në ndërmarrje publike.“Pas protestës së djeshme po marrim raporte nga qendrat e VV-së dhe subjektet tjera pjesëmarrëse në protestë dhe informacione mbi të arrestuarit dhe të lënduarit. Protesta kishte dy kërkesa: e para shkarkimi i Jabllanoviqit dhe e dyta, mbrojtja e Trepçës përmes një ligji që do të bënte këtë ndërmarrje, publike. Nëse nuk plotësohen këto kërkesa, atëherë nuk po na mbetet asgjë nga Republika e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përsëritur faktin se ministri Jabllanoviq i ka quajtur nënat gjakovare dhe protestuesit në Gjakovë “egërsira” dhe kjo gjithsesi nuk mund të tejkalohet, raporton Telegrafi.

“Këta që na mohojnë historinë dhe sulmojnë ekonominë po na refuzojnë qenien tonë. Një ministër i tillë nuk do të duhej të qëndronte as në Qeverinë e Serbisë e jo më në të Kosovës”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për shtyp.

Ndërkaq, sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj ka thënë se që në orët e mëngjesit dje, Policia e Kosovës ka pamundësuar një tubim publik në shesh.

“Kontrollat e autobusëve, konfiskimi i kamionetës dhe tentim arrestimi dhe konfiskimi i zërimit dhe arrestimi i qytetarëve dhe largimi i tyre prej autobusëve ka të bëjë me një sistem që shfaq tendencat e para të një sistemi autoritar”, ka thënë Molliqaj.

Ai gjithashtu ka mohuar faktin se protesta e djeshme është sabotuar nga popullata dhe se kanë qenë kryesisht të përfaqësuar nga aktivistë të VV-së.

“Janë arrestuar rreth 200 veta dhe dy të tretat e tyre nuk janë aktivistë të VV. Kjo tregon se protesta ka qenë më shumë se e VV-së”, ka thënë Molliqaj. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>