Lista Serbe konsultohet me Beogradin për rastin Jabllanoviq

Lista Serbe nuk ka marrë ende ndonjë qëndrim përfundimtar, pas vendimit të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, për shkarkimin e Aleksandar Jabllanoviqit nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim.Vetë Jabllanoviq dhe zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, e kanë cilësuar si dëshpërues dhe të papranueshëm vendimin e Mustafës, mirëpo në asnjë rast deri më tani nuk është thënë që ky subjekt politik, që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, se mund të braktisë koalicionin qeverisës.

Ish-ministri Jabllanoviq, ka deklaruar se për hapat tjerë, Lista Serbe do të vendos pas konsultimeve të brendshme.

“Rreth veprimeve të Listës Serbe do të vendoset ditëve në vijim pas konsultimeve të brendshme dhe në fund do të marrim një vendim”, ka deklaruar Jabllanoviq.

Lista Serbe, është një subjekt politik i krijuar nga Beogradi. Kjo listë, u mbështet nga presidenti dhe kryeministri i Serbisë gjatë fushatës zgjedhore si në zgjedhjet komunale ashtu edhe qendrore në Kosovë. Andaj, mund të pritet që vendimi i saj në fund të harmonizohet pas konsultimeve me Beogradin zyrtar.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se vendimi i Mustafës për ta larguar nga pozita ministrin e Listës Serbe është thellësisht i gabuar.

“Nuk do të pranojmë ‘poshtërimin’ e përfaqësuesve serbë në institucionet krahinore’”, ka thënë Gjuriq për 35t serbe.

Sipas tij, të enjten përfaqësuesit e Listës Serbe do të takohen me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, ku edhe do të vendoset se cili do të jetë qëndrimi i Listës Serbe karshi vendimit të kryeministrit të Kosovës.

Largimi i Jabllanoviqit nga qeveria ka pasuar protestat dhe trysninë e fuqishme të opozitës për shkak të një deklarate që Jabllanoviq kishte bërë më 6 janar.

Ai i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Vendimi i Mustafës për largimin e këtij ministri, kishte për efekt edhe anulimin e protestës së opozitës për ditën e sotme, e cila nga policia e Kosovës ishte paralajmëruar se mund të ishte e dhunshme.

Mirëpo, përfaqësuesit e opozitës nuk janë pajtuar me këso konstatime duke thënë se protesta e paralajmëruar do të ishte paqësore.

Duke pasur parasysh që opozita në Kuvend përbën një numër të vogël, pasi që koalicioni qeverisës përbëhet nga dy partitë më të mëdha në Kosovë, si edhe nga komunitetet, opozita pretendon që disa qëllime politike mund t’i realizojë edhe në të ardhmen përmes protestave.

Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se zëri i qytetarëve dhe opozitës përmes protestave ishte dëshmuar si shumë më i fuqishëm, krahasuar me atë që partitë opozitare do të mund të bënin përmes institucioneve.

“Nuk do të kishim gjasa që ne deputetët në Kuvendin e Kosovës t’i bënim këto ndryshime të cilat i bënë qytetarët e bashkuar në protesta dhe në rrugë. Kjo edhe njëherë dëshmon se ka shpresë në këtë vend. Jo se ka shpresë në Qeverinë e Kosovës, por ka shpresë në qytetarët e Kosovës, popullin e Kosovës, të cilët të bashkuar tashmë e kanë kuptuar se mund të fitojnë dhe të bashkuar mund t’a bëjnë këtë vend më të mirë”, Ymeri.

Për të enjten, opozita kishte ftuar në interpelancë para Kuvendit të Kosovës, kryeministrin Isa Mustafa, pikërisht në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Jabllanoviqit.

Por, tani kur kjo kërkesë është plotësuar, shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka thënë se kërkesa për interpelancë do të tërhiqet.

“Nesër do të tërhiqet kërkesa për interpelancë, për faktin se kërkesa e jonë për shkarkimin e Jabllanoviqit është marrë parasysh dhe në fakt ky vendim vetëm se është përmbushur”, ka deklaruar Kadaj Bujupi.

Me largimin e Aleksandar Jabllanoviqit, kryeministri Mustafa besohet se kaloi një sfidë përballë opozitës, e cila kësaj radhe ishte shumë e vendosur dhe kishte një përkrahje masive në rrugë.

Mirëpo, Mustafa tani pritet të përballet edhe me ruajtjen e koalicionit, dhe sidomos mbajtjen në qeveri të Listës Serbe, si përfaqësuese e komunitetit serb.

Ndërkohë që Mustafa, shumë shpejt po paralajmërohet se do të ballafaqohet sërish me opozitën në lidhje me kërkesën për të miratuar Ligjin për Trepçën. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>