Nuk ka dhunë që na ndalë – e mërkurë, 4 shkurt, ora 12:00

Pas një mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u vendos që data e protestës së ardhshme të jetë të mërkurën, më 4 shkurt, në ora 12:00, i njoftoi Albin Kurti mediet e mbledhura në konferencën e sotme për shtyp. Ai shpjegoi se protestuesit, po ashtu si të martën, do të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga do të marshojnë drejt sheshit “Skënderbeu”, para Qeverisë së Kosovës.

“Pra, vazhdon protesta përderisa vazhdon të qëndrojë në Qeveri Jabllanoviqi”, tha Kurti, duke sqaruar se kërkesat e protestës mbesin të njëjta – shkarkimi i Ministrit Jabllanoviq dhe mbrojtja e Trepçës përmes një ligji të veçantë, i cili e definon Trepçën si ndërmarrje publike të veçantë.

Ai po ashtu falënderoi të gjithë qytetarët për ndihmën dhënë protestuesve të martën, ku solidaritet i veçantë është shprehur me të lënduarit, duke i ndihmuar ata pa rezervë me ujë qumësht e qepë.

Ndërkaq, deputetja Aida Dërguti tha se Figurat kryesore të partive politike që tani janë në Qeveri, rrugëtimin e vet në politikë e nisën qoftë me protesta si LDK, qoftë me luftë çlirimtare si PDK, të cilët e braktisën dhe sakrifikuan për pushtet. Nënshtrimi ndaj kushteve të Listës Serbe dhe fyerjeve të Jabllanoviqit për qytetarët e Kosovës, tregon gatishmërinë e këtyre qeveritarëve që të nënshtrohen. Ajo tha se qytetarët janë themeli i Republikës dhe Republika pa qytetarët nuk mund të ekzistojë. Prandaj, çdo qytetar veç e veç dhe të gjithë së bashku, kanë obligim që të mbrojnë dinjitetin e dëshmorëve e viktimave, që u fye nga Jabllanoviqi. Ndërsa, të sotmen si mundësi dhe të ardhmen si zhvillim e mirëqenie, qytetarët mund ta sigurojnë vetëm përmes mbrojtjes së Trepçës.

Në fund, kryetari, Albin Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi dhunën policore tha: “Nuk ka dhunë që na ndal neve. Nuk ka brutalitet policor që na bën neve të mos dalim në protestë apo të mos marshojmë përpara. Sepse nuk mund të bëjmë kompromis me Republikën, me jetën e dinjitetshme, me lirinë, me atë që na bënë subjekt e subjektivitet njerëzor”.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>