Paqartësitë e kontratës kolektive

Kontrata kolektive, një marrëveshje e nënshkruar në mars të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e bizneseve dhe punëtorëve, e cila do të duhej të hynte në fuqi më 1 janar të këtij viti, po del të ketë shumë paqartësi.Përfaqësuesit e bizneseve japin mendime të ndryshme rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje, e cila do duhej të rregullonte raportet në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe njëherësh të eliminonte shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Aleanca Kosovare e Biznesit, si nënshkruese e kësaj kontrate, ka përfaqësuar bizneset në këtë marrëveshje.

Agim Shahini kryetar i kësaj shoqate ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kjo kontrate po zbatohet nga 70 për qind e bizneseve në Kosovë.

Sipas tij, zbatimi i kësaj kontrate do të ketë vështirësi në sektorin publik, pasi që siç thekson ai, sektori privat ka zbatuar disa nga nenet e kësaj kontrate edhe pa qenë në fuqi.

“Kjo marrëveshje kolektive e ka koston e vet edhe për sektorin privat edhe sektorin publik.Kjo kontratë do të shkojë në atë formë që nuk do të ndahen të gjitha fondet qysh në janar. Në muajin shkurt do të duhej të gjithë punëmarrësit të marrin nga 2 euro shujtën e cila e është e garantuar me këtë marrëveshje. Në të kaluarën kjo nuk ka qenë obligative, por që sektori privat, pra shumë kompani private e kanë bërë në baza vullnetare, por tani është obligative. Në sektorin publik mbi 90 për qind kjo nuk ka qenë e rregulluar” shton ai.

Ndryshe nga ajo se çfarë thonë në Aleancën Kosovare të Biznesit shprehen përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Ata kishin kundërshtuar në atë kohë nënshkrimin e kësaj kontrate, pasi që siç ishin deklaruar se është bërë në kohë të fushatës zgjedhore, dhe si e tillë iu kishte shërbyer synimeve populliste.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ka shumë paqartësi në marrëveshjen kolektive dhe si e tillë nuk është në harmonim me Ligjin themelor të punës.

“Ne besojmë që marrëveshja kolektive është në kundërshtim me ligjin themelore të punës më konkretisht me nenin 90.5 të ligjit të punë si cili thotë se kontratat kolektive duhet të zbatohet vetëm nga ato kompani të cilat marrin përsipër zbatimin e dispozitave të saj, që do të thotë se e le në diskrecion të kompanive që ato vetë të vendin në mënyrë vullnetare të zbatojnë ose jo marrëveshjen kolektive, derisa në anën tjetër marrëveshja kolektive thotë që ajo duhet të zbatohet detyrimisht nga të gjitha kompanitë në Kosovë”, shton Zeka.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shtuar Zeka e kundërshton aprovimin e kontratës kolektive në fillim të këtij viti e për shkak edhe të procedurave të miratimit të një marrëveshje e cila ka implikime të mëdha për sektorin privat dhe se nuk ka qenë e rregullt, pasi që nuk janë përfshirë në konsultim të gjitha palët e biznesit.

“Duke pasur parasysh fazat e zhvillimit ekonomik nëpër të cilat po kalon Kosova dhe duke sfidat me të cilat ndërmarrjet në Kosovë ballafaqohen, kjo marrëveshje kolektive do të shtonte më tej presionin mbi sektorin privat, duke e ngadalësuar kështu rritjen e tij”, shton Zeka.

Për paqartësitë e kësaj kontrate ka reaguar edhe Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës.

Përmes një komunikate për 35, kjo shoqatë ka theksuar se kjo marrëveshje nuk është trajtuar me bizneset dhe nuk është diskutuar për mundësitë e tyre dhe për ngarkesat buxhetore te cilat do te reflektojnë ne afarizmin cilësor të bizneseve.

“Duke marrë parasysh se bizneset private, përfshirë këtu edhe bizneset e grave, punësojnë numrin më të madh të punësuarve në vend, kontrata kolektive rrezikon seriozisht zhvillimin ekonomik dhe punësimin e mëtejmë ne sektorin privat! Kjo marrëveshje e kontratës kolektive do të shkaktoje shkarkimin e bizneseve nga shtresa me e rrezikuar e të punësuarve”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, në një takim me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit,sipas një njoftimi të lëshuar nga kjo shoqata citohet të ketë thënë se për marrëveshjen kolektive ka kërkuar sqarime nga zyra ligjore.

Kjo kontratë kolektive ishte nënshkruar në mars të këtij viti nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Aleancës Kosovare të Biznesit, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Këshillit Ekonomik Social.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në atë kohë kishin theksuar se do të jenë garantues të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe se do të sigurojnë përmbushjen e të drejtave, që iu takojnë punëtorëve. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>