Gjermania ka njoftuar të enjten se do t’i dërgojë njëzet policë në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, për të ndihmuar në kontrollin e kufirit, në kohën kur është rritur numri i azilkërkuesve që ia kanë mësyrë Bashkimit Evropian dhe përfundimisht Gjermanisë, për një mirëqenje më të mirë.Bashkimi Evropian ka parë një numër në rritje të qytetarëve të Kosovës, të cilët janë kontrabanduar drejt vendeve evropiane, e posaçërisht pas lehtësimit të rregullave të udhëtimit përmes Serbisë.
Rreth 10 mijë kosovarë, vetëm për një muaj, kanë kërkuar azil në Hungari. Ata janë larguar për shkak të varfërisë dhe papunësisë, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.
Numri i madh i migrantëve e ka detyruar Gjermaninë, si një nga ekonomitë më të mëdha të Evropës, që çështjen e azilit ta ketë në agjendën politike. Kjo ngase shumë qytetarë janë zemëruar dhe janë të frikësuar, se numri i madh i emigrantëve dhe refugjatëve do t’ua marrin punën atyre.
“Për ta siguruar dhe garantuar një stabilitet afatgjatë të Kosovës dhe gjithë rajonit, mbrojtje dhe pranim të atyre që në mesin e popullatës janë të përndjekur politikisht, ne kemi marrë një sërë masash”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë.
Një nga hapat, sipas ministrisë, është dërgimi i 20 policëve gjermanë në kufirin serbo-hungarez, në mënyrë që të mbështetet menaxhimi afatgjatë i kufijve.
Agjencia për kontrollin kufitar në BE, Frontex, gjithashtu do të forcojë masat dhe Gjermania do të mbështesë masa të tjera për mbrojtjen e kufirit të jashtëm të bllokut.
Ministria e Brendshme e Gjermanisë, ka njoftuar se autoritetet përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave të azilantëve, do t’i kenë në prioritet kërkesat e qytetarëve të Kosovës, për të cilat do të vendoset brenda dy javësh dhe kjo sipas tyre, do ta bëjë të qartë se Gjermania nuk është një vend i lehtë për të marrë azil.
Gjatë vitit të kaluar, Gjermania ka refuzuar rreth 99 për qind të kërkesave për azil nga Kosova, ndërsa gjatë janarit, sipas autoriteteve, norma e miratimit është edhe më e ulët, 0.3 për qind.
Për të fituar azil, sipas ministrisë, aplikantët duhet të dëshmojnë se nëse kthehen në vendet e tyre, ata do të përballen me persekutim.
Vetëm gjatë janarit, sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, numri i refugjatëve nga Kosova është rritur për 86 për qind, përkatësisht 3 mijë e 630 refugjatë.
Ministria ka paralajmëruar se është e hapur ndaj ndryshimeve ligjore – ndoshta për ta bërë më të lehtë kthimin e azilkërkuesve nga Kosova duke e cilësuar atë si një vend të sigurtë – por sipas ministrisë, kjo çështje nuk është në prioritet aktual. (rel)