Gjykata Speciale për Kosovën merr përsipër “hetimin e krimeve të luftës në periudhën 1998-1999, si dhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve dhe vrasjeve të dëshmitarëve gjatë periudhës 2000-2001″.Në Prishtinë u takua (20.01)për herë të parë ekipi teknik për shqyrtimin e legjislacionit të pranuar nga BE-ja për formimin e Gjykatës Speciale, që do të merret me krimet e supozuara në raportin e senatorit zviceran Dick Marti, i miratuar edhe nga Këshilli i Europës. Pjesë e ekipit teknik është ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në cilësinë e udhëheqësit të ekipit, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha, këshilltari për çështje ligjore të Presidentes, Selim Selimi, si dhe një eksperte, Donika Qerimi.
Çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet legjislative të ndërlidhura me dhomat e specializuara, në kuadër të veprimeve dhe obligimeve institucionale sipas miratimit të Kuvendit të Kosovës ishin temat që u diskutuan në takimin e së martës thuhet në një njoftim nga presidenca e Kosovës. “Ekipi teknik do të takohet në baza të rregullta dhe do të diskutojë çështjen e legjislacionit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me ekipin e Bashkimit Europian, të mandatuar për planifikim të operacionalizimit të Gjykatës Speciale”, thuhet në njoftim.
Ekipi teknik për shqyrtimin e legjislacionit të pranuar nga BE-ja për formimin e Gjykatës Speciale u krijua ditë më parë pas dakordimit të udhëheqësve më të lartë të institucioneve të Kosovës.
Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, i tha DW-së, se fillimisht ligjet do të procedohen në kuvend nga qeveria e Kosovës. “Tani është faza fillestare e bashkërendimit të veprimeve dhe të obligimeve institucionale për krijimin e Gjykatës Speciale, që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ligjet do të procedohen nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe ato do të shqyrtohen në komisionet parlamentare për t’u diskutuar dhe miratuar pastaj në Kuvend. Në gjithë këtë punë nevojitet një konsensus i përgjithshëm në etapa të ndryshme për zbatimin e detyrimit ndërkombëtar”, tha Arbër Vllahiu.
Sipas tij, institucionet e Kosovës do të angazhohen në këtë proces për ta përmbyllur këtë kapitull njëherë e përgjithmonë. “Krijimi i Gjykatës Speciale pasqyron angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për t’u marrë me këto akuza në mënyrë të besueshme dhe për ta përmbyllur këtë kapitull njëherë e përgjithmonë. Kjo gjykatë do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit tonë për çlirim dhe pavarësi”, i tha DW-së, Arbër Vllahiu.
Në ditën kur zhvilloi takimin e parë ekipi teknik për shqyrtimin e legjislacionit për formimin e Gjykatës Speciale, rreth 30 familje të veprimtarëve të LDK-së, të vrarë gjatë dhe pas lufte zhvilluan një protestë para qeverisë së Kosovës, duke shprehur shqetësimin e tyre për – siç thanë – moszbardhjen e rasteve dhe ata kërkuan drejtësi dhe ndëshkimin e vrasësve. Këshilli organizativ i kësaj proteste, ku të pranishëm ishin edhe disa deputetë të kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkuan themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Speciale, sepse sipas tyre, ajo është shpresa e vetme për zbardhjen e rasteve që kanë prekur familjet e tyre.
Doruntina Maloku, e bija e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Enver Maloku, tani deputete, tha se familjarët kërkojnë themelimin e Gjykatës Speciale, që ajo t’i trajtojë edhe vrasjet ndërshqiptare.
“Në një deklaratë të përbashkët të familjeve tona, ne kemi kërkuar edhe themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Speciale, e cila do të duhej të merrej edhe me vrasjet ndërshqiptare të gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Familjet tona janë thellësisht të indinjuara me dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, jo vetëm atij vendor, por edhe të UNMIK-ut dhe EULEX-it, ndaj shpresa jonë e vetme mbetet trajtimi i këtyre rasteve nga Gjykata Speciale”, tha deputetja Doruntinë Maloku.
Legjislatuara e kaluar e Parlamentit të Kosovës më 23 prill të vitit të shkuar, ratifikoi marrëveshjen Kosovë-Bashkim Europian, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën. Kjo gjykatë do të marrë përsipër hetimin e “krimeve të luftës në periudhën 1998-1999, si dhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve dhe vrasjeve të dëshmitarëve gjatë periudhës 2000-2001″. Themelimi i kësaj gjykate nuk është parë me sy të mirë nga asnjë forcë politike në Kosovë, mirëpo, megjithatë miratimi për themelimin e saj u bë në parlamentin e Kosovës me shumicën e votave të deputetëve, duke shmangur kështu mundësinë që kjo gjykatë të themelohet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. (dw)