Qeveria e Kosovës nuk i përgjigjet “ultimatumit”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk u është përgjigjur kërkesave të partive politike në opozitë dhe disa organizatave joqeveritare, të parashtruara të shtunën, më 24 janar, gjatë një proteste të organizuar dhe mbështetur nga partitë politike në opozitë dhe disa organizata joqeveritare. Protestuesit kishin dhënë një “ultimatum” qeverisë që deri në orën 16:00, të ditës së hënë, 26 janar, të shkarkojë Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq dhe gjithashtu të nxjerr një ligj, me të cilin Kuvendi i Kosovës, do ta rregullonte statusin e kombinatin metalurgjik,Trepça, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje të veçantë publike.

Në të kundërtën, protestuesit kanë thënë se do të kundërpërgjigjen me protesta, të martën më 27 janar.

Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar “egërsira” protestuesit në Gjakovë, kryesisht nëna dhe familjarë të personave të pagjetur të luftës, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Jabllanoviq ka kërkuar falje për deklaratën e bërë.

Në ballë të protestave, është vënë tashmë subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje e mbështetur edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, si edhe organizata “Thirrjet e Nënave”.

​Pas shtrirjes së protestave në disa qytete të Kosovës, opozita tani i ka koncentruar ato në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku të shtunën u mbajt një nga protestat më masive të pas fultës në Kosovë. Nga ajo protestë Qeverisë së Kosovës i ishte dhënë një afat që brenda 48 orëve të shkarkonte ministrin Jabllanoviq dhe të nxjerr projektligjin për Trepçën.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se protestat nuk do të ndalen përderisa Qeveria dhe kryeministri Mustafa të mos i përfillin kërkesat.

“Ajo që është e qartë dhe e sigurt është që protestat nuk do të ndalen për shkak se mendojmë që është me rëndësi jetike që këto dy kërkesa, të cilat tani janë kërkesa të një spektri të gjerë të shoqërisë civile dhe partive politike, të realizohen pa kushte dhe menjëherë”, ka deklaruar Molliqaj.

Për rastin e ministrit, Aleksandar Jabllanoviq, i cili vjen nga Lista Serbe, ka folur sot edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tërthorazi është solidarizuar me ata që kërkojnë largimin e tij, duke thënë se po të fyente popullin serb, nuk do të qëndronte asnjë ditë në krye të Kuvendit.

“Unë e konsideroj se nuk do të isha Kryetar i Kuvendit as dy ditë, në qoftë se do të bëja fyerje për komunitetin serb. As dy ditë nuk do të qëndroja në këtë pozicion në të cilin jam”, ka thënë Veseli.

Kryeministri Isa Mustafa ka takuar sot ambasadorët e vendeve të Kuintit.

Sipas një komunikate me shkrim nga Qeveria në takim është biseduar për zhvillimet aktuale, pas të cilit takim pasoi edhe mbledhja e kabinetit qeveritar.

Jabllanoviq edhe në këtë mbledhje ka rikujtuar se nuk e ka pasur për qëllim të fyejë apo lëndojë dikë me deklaratat e tij.

Lista Serbe, është një subjekt politik i formuar nga Beogradi, por që arriti të ngritet si subjekti më i fuqishëm politik që përfaqëson serbët e Kosovës në institucione. Shkarkimi i Jabllanoviqit, nga ana e kryeministrit Mustafa, po shihet si vendim mjaft i vështirë pasi që Lista Serbe më pas do të mund të kundërpërgjigjej me bojkotimin e punës së institucioneve të Kosovës. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>