Shtëpia në pazar: Veterani i UÇK-së synonin migrimin

Kur ishte rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998, 18-vjeçari Faik Zogaj nuk e kishte imagjinuar se do të vijë koha që vendin për të cilin luftoi për ta çliruar, do të kërkonte ta lëshonte në mënyrë vullnetare. Ja ku është tani ai, 16 vjet më vonë.Shtëpia e tij bashkë me truallin prej 30 ari është në pazar me një çmim shumë të ulët. E, paratë që ai pret t’i marrë nga një blerës potencial, e kanë një destinacion: financimin e rrugës së ikjes nga Kosova për të, gruan dhe gjashtë fëmijët.

“Kështu kam ardhur në përfundim: me shit këtu me ka krejt, qit shtëpinë njëkatëshe. Brenda është e rregulluar me ka krejt. Për 15 mijë euro e jap veç me dal”, thotë Zogaj.

Mijëra kosovarë ia kanë mësyrë migrimit, nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë duke shfrytëzuar rrugë ilegale në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa, për Faik Zogajn, e kaluara që ai e kujton me mburrje, ka mbetur vetëm në fotografitë që i ka ruajtur. Ai me nostalgji dhe me emocione ua tregon fotografitë e luftës fëmijëve të tyre.

Përlotet kur u rrëfen atyre për Adem Jasharin dhe u thotë se po të ishte gjallë ai, kosovarët nuk do të iknin nga vendi i tyre.

Arsyeje pse dëshiron të ika nga Kosova janë kushtet ekonomike.

“Veç puna e këtyre fëmijëve, send për tjetër jo. Punë kam lyp qe dy vjet, askund një vend pune nuk ma afrojnë. Nëse e ki dajë apo nip kryetarin, apo atë tjetrin, ta afrojnë vendin e punës përndryshe nuk ke vend pune. Nuk kam luftuar për një vend pune”, thotë ai për KALLXO.com.

Por, për t’i bërë të hollat, ai ka vendosur të shes çdo gjë që mund të shitet, duke filluar prej kompjuterit, serrës e deri të shtëpia. Por, dertin e ka te vajza më e vogël, 18-muajshe.

“Kjo me ka shti mos me dal deri sot, po sot e temas nuk kam qare pa ikë“, thotë ai. “Nëse mua më garanton kryetari i Komunës, një vend pune, 200 euro, pajtoj”.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përmes telefonit tha se nuk është i njoftuar për rastin konkret, por premtoi se do të shkojë të takohet me Faik Zogajn për t’u përpjekur ta parandalojë ikjen e tij nga Kosova.

Begaj tha se nuk mundet t’i sigurojë vend pune Faik Zogajt, por do t’i shkojë mundësitë për ndihmë në sektorin e bujqësisë.

Për këtë situatë Begaj fajëson pushtetin qendror.

“Komuna nuk ka mundësi me i ba zgjidhje qytetareve, pasi e kanë pru gjendjen më keq se para luftës. Qeveria e Kosovës i ka fajet, pasi ka njerëz me tri-katër puna, me rroga 4-5 mijë euro, kurse qytetarët nuk kanë bukë më hëngër” tha kryetari i Malishevës.

Ismet Kryeziu, kryetar i fshatit Mleqan, thotë se migrimi është duke prekur çdo ditë e më shumë këtë fshat, pasi mbi tetë familje janë larguar deri më tani. /kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>