Parlamenti Europian i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës për forcimin e shtetit juridik, luftimin e korrrupsionit dhe krimit të organizuar. Europarlamentarët kanë bërë edhe kërkesa të tjera.Parlamenti Europian (PE) edhe një herë i ka bërë thirrje pesë vendeve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë. Në rezolutë thuhet se njohja e Kosovës, do të ndikonte në normalizimin e mëtejshëm të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe në afrimin e Kosovës me BE. Kjo do të ndihmonte edhe në zgjidhjen e disa problemeve të tjera. Sekretarja letoneze e shtetit për Evuopën, Kalinina Lukashevica ka theksuar në emër të Këshilit të Ministrave të Bashkimit Europian se rezultatet e arritura në dialog me Serbinë dhe reformat në Kosovë janë parakushte kryesore për futjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim mes Kosovës dhe BE. Lukashevica dhe komisioneri europian Johannes Hahn nënvizuarn, se autoritetet në Kosovë kanë bërë përparime të dukshme në miratimin e ligjeve. Por ligjet dhe rregullat e miratuara duhet të zbatohen. Një prej sfidave kryesore është funksionimi i shtetit juridik dhe pavarësia e organeve juridike, si dhe luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe krijimi i gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë.
Përballja me të kaluarën
“Kosova duhet të angazhohet fuqishëm për normalizimin e raporteve me Serbinë, sepse kjo është me rëndësi për afrimin me Bashkimin Europian, theksoi udhëheqësja e radhës e BE. Raportuesja e posaöme për Kosovën Ulrike Lunacek theksoi se autoritetet në Prishtinë duhet të fitojnë luftën kundër korrupsionit, edhe në raport me personat që janë në pozicione të larta të shtetit. Në këtë rezolutë thuhet se Kosova duhet t’i japë përparësi vendosjes së raporteve të mira me vendet fqinje dhe bashkëpunimit me gjykatën speciale për krime lufte. “Kjo do ta ndihmojë Kosovën që të përballet me të kaluarën e saj.”
Europarlamentarët e kanë përshëndetur raportin e ekipit të EULEX-it të bërë publik në gusht të vitit 2014 për zbardhjen e akuzave për krime lufte. Në këtë raport janë hedhur akuza për disa përfaqësues të lartë të UÇK-së, por jo edhe për UÇK-në në tërësi. Për të mos penguar drejtësinë dhe hetuesinë, në raport nuk janë bërë publik emrat e personave që dyshohen për krime lufte. Është bërë e ditur se gjykata do të veprojë në kuadër të organeve juridike të Kosovoës, por e zhvendosur në Holandë, për shkaqe sigurie.
Keqardhje për mosrealizimin e Marrëveshjes së Brukselit
Në rezolutë shprehet keqardhje për shkak të mos realizimit në tërësi të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, gjatë negociatave në Bruksel. Por nga qeveria e Kosovës kërkohet edhe zbatimi i denjë i reformave ekonomike, që duhet të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës. Eurodeputetët janë të mendimit se duhet vazhduar edhe me kalimin e plotë të kompetencave nga EULEX-i në duart e organeve kosovare. Megjithatë qeveria dhe institucionet duhet të japin sinjale të qarta për vendosmëri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të gjitha nivelet. Europarlamentarët kanë përshëndetur përfshirjen e Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe kanë shprehur shqetësim për shkak të “radikalizimit të të rinjve atje”, sepse disa prej tyre kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak.
Në dokumentin e PE thuhet se në Kosovë është shënuar përparim në lirinë e lëvizjes, por Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë negociatat për kodin telefonik të Kosovës. Sa i përket forcave të sigurisë, thuhet se një prej prioriteteve të qeverisë së Kosovës është që këto forca të mund të ruajnë integritetin territorial dhe sovranitetin. Këto forca duhet të “jenë në përputhje me rregullat e BE”, thuhet në dokument.
Përparime edhe në veri
Në dokument thuhet se përparime janë shënuar edhe në veri të Kosovës, në veöanti pas zgjidhjes së kryetarëve të bashkive në zgjedhjet e organizuara nga institucioneve kosovare. Por janë nisur edhe disa projekte të tjera që kanë të bëjnë me veriun. Këto projekte financohen nga paratë e BE. PE pohon se duhet vazhduar përpjekjet edhe për krinjimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe si dhe për afrimin e bashkësisë etnike shqitpare dhe serbe. Në rezolutë bëhet thirrje edhe për respektimin e lirisë së mediave dhe të drejtave të minoriteteve të tjera. në dokument u bëhet thirrje autoriteteve që të lutojnë me vendosmëri rrjetet kriminale për trafikim me njerëz. (dw)