S’ka marrëveshje – minatorët vazhdojnë grevën

Minatorët e kompleksit “Trepça” janë të vendosur të vazhdojnë grevën, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.Ai tha se edhe pas pesë orë bisedimesh me këshillin grevist dhe menaxhmentin e “Trepçës”, nuk ka arritur të bindë grevistët që të pezullojnë grevën.

Siç tha ai, ata nuk kanë kundërshtuar letrën e dërguar në adresë të minatorëve të mërkurën nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

“Për ta ka qenë e papranueshme ajo shkresë e cila është drejtuar nga kryeministria. Përpjekjet tona kanë qenë maksimale që të pezullohet kjo grevë, por nuk arriti një pëlqim”, tha Bahtiri, duke tërhequr vërejtjen për gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të grevistëve.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në letrën dërguar minatorëve të “Trepçës”, ka siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i “Trepçës” të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Por, kryetari i komunës Agim Bahtri, bëri thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë, pasi që “grevistët janë të vendosur që të nisen në këmbë për në Prishtinë ditën e shtunë”.

“Ne jemi munduar më çdo kusht që mos të eskaloj situata dhe të dalin në rrugë. Po grevistët dëshirojnë që të shtunën, nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje, të shkojnë këmbë në Prishtinë. Kjo na frikëson neve, dhe kjo më çdo kusht duhet të zgjidhet para të shtunës, ka tha kryetari Bahtiri për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, edhe pas daljes se kryetarit Bahtiri, takimi i Këshillit Grevist është duke vazhduar ende.

Ndryshe, greva e punëtorëve të kombinatit “Trepça” ka filluar të martën, pasi të hënë më vendim të qeverisë, Kuvendi i Kosovës hoqi nga rendi i ditës, çështjen e pronësisë se këtij kombinati, që ishte në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike.

Kurse në Kuvendin e Kosovës është miratuar ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, më anë të cilit parashihet ri organizimi i kompleksit dhe siç është thënë nga zyrtarë të qeverisë se Kosovës, duke evituar fillimin e procedurave për falimentim.

Komplesi metalurgjik “Trepca” që gjendet në Mitrovicë është ndërmarrje shoqërore, që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse kërkesa e punëtorëve që kjo ndërmarrje të shndërrohet në ndërmarrje publike, mundëson kalimin e saj nga agjencia tek Qeveria e Republikës se Kosovës.

Ndryshe, përmes një komunikatë për 35, Sindikata e Pavarur e Metalistëve, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, përkrah dhe solidarizohet më grevistët duke mbështetur dhe kërkesat e tyre.

Në komunikatë thuhet se “kjo sindikatë e ka përjetuar rënd transformimin e pasurisë së ndërmarrjeve industriale në Kosovë nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe Agjencia Kosovare e Privatizmit, ku me shitjen e tyre i ka mbyllur me dhjetra e mijëra vende të punës dhe ka shkatërruar ekonominë e këtij vendi”.

Sipas tyre, “me këtë po synohet që edhe “Trepçën” ta tjetërsojnë për interesa të profiterve”.

Minatorët dhe punëtorët e Trepçës dhe të gjithë punëtorët e industrisë, kërkojnë nga Qeveria dhe Parlamenti, që pasuritë kombëtare të ruhen, ku këtu bën pjesë edhe “Trepça”. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>