Përfaqësues ndërkombëtarë dhe vendorë ata nga kisha ortodokse, në Shatërvan të Prizrenit, uruan komunitetin ortodoks me rastin e fillimit të vitit të ri.Në koktejin e organizuar nga klerikët fetarë, mori pjesë edhe përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar dhe kryeministri, Isa Mustafa. Zhbogar këtë vit e quajti vit të vështirë, për Be-në dhe për Kosovën.
Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka deklaruar se e gëzon fakti që Qeveria e re e Kosovës prioritet të vetin do ta ketë zhvillimin ekonomik, sepse sipas tij BE-në dhe Kosovën e pret një vit i vështirë përplot sfida.
“Mendoj se do të jetë një vit i vështirë. Do të ketë shumë sfida si për BE-në po ashtu edhe për Kosovën. Mendoj se do të ketë shumë gjëra që duhet të punojmë bashkërisht dhe më vjen mirë që Qeveria e Kosovës prioritet kryesor të saj do të ketë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo do të ishte përgjigje në të gjitha pyetjet e shumë problemeve që janë të pranishme këtu. Sikur jemi mbledhur sot këtu së bashku në këtë fillimvit shqiptarët, serbët dhe bashkësia ndërkombëtare. Ne bashkërisht duhet t’i shikojmë mundësitë për të përmirësuar jetën e qytetarëve e cila është e vështirë që në fillim të këtij viti”.
Sipas përfaqësuesit special të BE-së, pritjet e qytetarëve janë të mëdha, dhe për këtë duhen veprime të menjëhershme nga institucionet, sepse largimet nga Kosova janë shqetësuese….
“Do të jetë vit i vështirë, sepse njerëzit në Kosovë presin ndryshime dhe këtë e bëjnë me arsye, që jeta e tyre të jetë më e mirë. Do të jetë shumë vështirë, sepse është kohë e shkurtër që Qeveria të tregojë rezultate për të ofruar ndonjë dritë shprese që jeta do të përmriësohet, e që do të ndikonte që njerëzit të qëndrojnë këtu për të jetuar e jo të kërkojnë një të ardhme më të mirë nëpërmjet rrugëve ilegale jashtë Kosovës. Ndryshimet pozitive nuk duhet përmendur, por kërkohet veprim konkret që një gjë e tillë të arrihet, ku njerëzit do të shihnin se ato ndryshime kanë filluar të jetësohen”. (rtk)